Nga Rafael Floqi
Pjesa e parë
Memorie.al / Për shumë vjet është thënë dhe mbajtur se; Koli Kristofori (Rev. Nicholas Christopher), si emigranti i parë shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai hyri në SHBA-ës, në vitin 1886 (dhe në vitin 1908, figuron në dokumentet e Bostonit, si prift, anëtar Peshkopatës Shqiptare të Fan Nolit), por në fakt, shqiptari i parë që shkeli dhe banoi në tokën e Amerikës së Veriut, ishte Imzot Preng Doçi (Primus Docci ose Dochi, sipas shkrimit përkatës të emrit në gjuhët italiane, frënge dhe dhe angleze ), i cili më vonë u bë Abat i Mirditës dhe këshilltar i Kapedanit të fisit të Mirditës, Prenk Bibë Dodës. Ai ishte gjithashtu një patriot i shquar shqiptar, veprimtarinë e të cilit historiografia komuniste, e kishte mbuluar me harresë. Një rilindës shqiptar, i burgosur e syrgjynosur nga Turqia dhe promotori kryesor i alfabetit modern shqip, botues i veprave artistike e shkollore (duke shkruar me pseudonim), një luftëtar i mençur, siç e përshkruan Edith Durham.
Për këtë figurë të pa vlerësuar siç duhet, publicist i njohur Ndue Dedaj, kohët e fundit shkruante në gazetën “Shqip”, për këtë figurë se; “Ka ndodhur shpesh që figurat kombëtare, me jetën të gërshetuar me politikën, të mos vlerësohen në kohë, ngaqë stinët politike që kanë pasuar, nuk kanë krijuar klimën e duhur për ndriçimin e veprës së tyre. Është dashur kohë të dalin nga terri i harrimit, paragjykimit, mos komunikimit. Kurse vendosja e Imzot Doçit në vendin që i takon, ka për të qenë një punë jo e lehtë.
Me gjithë njëfarë shpalimi të figurës së tij këto vitet e fundit, kryesisht përmes botimesh, për shumicën e shqiptarëve, ai vazhdon të mbetet thuajse si në kohën e tij ‘shumë i përmendur, por pak i njohur’, siç e pati përcaktuar Shahin Kolonja, pasi ne ende nuk jemi orientuar për kah kulmet e historisë. Prej këndej duhet nisur analiza e veprës së tij komplekse, si poet i fillimeve të Rilindjes, prelat i lartë kishtar e reformator kishe, flamurmbajtës.”
Preng (d) (k) Doçi (Dochi), lindi më 7 shkurt vitit 1846. Jeta dhe vepra e Abat Doçit, ndahet në disa periudha. Periudha e parë i përket kohës kur Preng Doçi ishte meshtar i ri dhe plot vrull atdhetar; periudha e dytë, kur ai, si i pjekur, kalon nëpër burgje dhe në mërgim; periudha e tretë, kur ai mori detyrën e Abatit, dhe si prelat i lartë dhe diplomat i pjekur udhëhoqi Abacinë, e cila ishte në rangun e një dioqeze dhe këshillonte mendjen shqiptare të rilindësve; periudha e katërt, kur Abati me mençurinë e vet, i bëhej krah Qeverisë Shqiptare, e cila gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, kur vendi gjendej në sprova të rënda qeverisje.
Pas përfundimit të studimeve në vitin 1871, Dom Prenga i pajisur më njohuri, teologjike dhe atdhetare, u kthye në Shqipëri, dhe pa u çmallur me të afërmit dhe vendlindjen, u caktua famullitar në Korthpulë. Krahas kujdesit për gjendjen shpirtërore të popullit, ai shqetësohej shumë për gjendjen e vështirë të mirditasve, nën zgjedhën osmane. I frymëzuar qysh në fillim të rinisë së vet, me idenë e thjeshtë atdhetare, sapo shkeli në tokën e të parëve, në Mirditë, për shkak të trysnive të vazhdueshme të pushtuesve, krahas për kujdesit shpirtëror ndaj besimtarëve, u dha pas çështjes kombëtare. Ai, çështjen kombëtare e përforcoi edhe kur ishte si kapelan dhe sekretar, tek Abati i Oroshit, Dom Gaspër Krasniqi, gjatë viteve 1872-1875.
Kryengritja e viteve 1876-1977, e mirditasve kundra osmanlinjve, ishte rezultat i organizimit të Dom Preng Doçit dhe bajraktarit të Mirditës, Preng Bibë Dodës. Për këtë qëllim më 1877, ai e lidhi për vedi kapedanin e Mirditës, Prenk Bibë Dodën (që e gjeti 14 vjeçar në Abacinë e Mirditës; dhe e edukoj), dhe u lidh me krerët e udhëheqës të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë, Dibër, Lurë, Malësi të Madhe, Shalë e Shosh. Këso kohe, në emër të kryengritësve shqiptar, ra në kontakt edhe me Knjaz Nikollën e Malit të Zi, për luftë të përbashkët anti-turke shqiptaro-malazeze. E vuri në ballë të kryengritjes Preng Bib Dodën, i cili duke qenë shumë i ri, mori arratinë dhe ai vetë i udhëhoqi betejat më vendimtare. Në atë periudhë (vitet ’70-të të shek. XIX-të), në Mirditë gjendja ishte edhe më e rënduar për dy arsye:
Kapedani trashëgimtar, Prengë Bibë Doda, ishte shumë i ri; “një kahje parie mirditorësh, në atë kohë në shërbime të rëndësishme në ushtrinë turke, u përpoqën ta merrnin Derën e Kapedanit, tue eliminue kështu Gjomarkajt, dhe këtë u përpoq ta bënte ushtarakisht, me ndërhyrjen drejtpërdrejt të Turqisë. Prandaj edhe reprezaljet turke të viteve 1876-1877 duhen pa me këtë sy, si një luftë për pushtet, në dam të madh të çashtjes kombëtare në përgjithësi”!
Për shkak të këtij organizimi, Ipeshkvi i dioqezës së Lezhës, Françesko Malçinski, shtetas austriak me kombësi polake nga Ukraina, arriti ta pezullonte (shkishëronte) Dom Prengën nga shërbimet meshtarake. Kjo bëhet e ditur dhe nga burimet konsullore britanike, ku shkruhet se: “Shkëlqesia e tij, Peshkopi i Lezhës, Imzot Malczynski, polak nga Lindja, ka bërë gjithçka ç’ishte e mundur për të ndaluar fajtorët e kryengritjes në një pjesë të Mirditës, të drejtuar keq nga intrigat e huaja. Ai madje ka pezulluar nga funksionet priftërore, Dom Primo Dochi-n, për të cilin hirësia e juaj, u ankuat në emër të shkëlqesisë së tij, Shefqet Pasha”.
Dom Prenga, duke qenë tashmë i vetëdijshëm së çfarë mendimi kishte Ipeshkvi për të, duke mos kërkuar mëshirë nga ai, mori arratisjen në mal, së bashku me shumë bashkëfshatarë. Kështu në muajin maj të vitit 1877, Dom Prenga së bashku me disa shokë, u nisën nëpër shtigje malore, për të shkuar në Cetinë dhe më larg. Por udha e tij ishte shumë e shkurtër, sepse në Vuthaj të Gucisë u zu nga ushtarët turq dhe prej andej, e dërguan në Pejë dhe më në fund në Stamboll të Turqisë. Nga kjo ditë për Dom Preng Doçin, 31 vjeçar, rifilloi një jetë me plot sprova, e cila do të zgjaste plot njëmbëdhjetë vjet, duke kaluar nëpër tre kontinente të botës.
Pasi u dërgua në burgun e Stambollit, falë një bashkëvendësi, Nikollë Përlaskajt, i cili kishte qëlluar roje në burgun e Konstadinopolit të atëhershëm, Doçi arriti të kontaktojë me patriarkun katolik të këtij kryeqyteti, armenin Stefan Azarjan, i cili sapo u njoftua për këtë çështje, ndërmori aksionin për ta liruar Dom Prengën. Patriarku Stefan Azarjan, i cili ishte mik i Sulltanit (e në këtë rast e tradhtoi), dhe me ndihmën e tij, duke i dhënë emrin Pére Achile, u lirua nga burgu, me kusht që të mos kthehej në Shqipëri. Së pari, shkoi në Romë nga ku i nisi telegram Arqipeshkvit të Shkodrës, tue i diftue se shpëtoj mrekullisht nga duert e osmanëve dhe tashma gjindej në Kolegjin ‘Urbano’, ku dhe kishte krye studimet, më vonë arriti të vinte të shkonte deri në Tivar, ku takoi t’amën e të motrën për pak muaj.
I gëzuar pa masë, Dom Prenga me ëndje u nis për në Romën e ëndërruar. Ai më 7.VII.1877, nga Roma i dërgoi letër Arqipeshkvit të Shkodrës, duke e lajmëruar se mrekullisht ai doli nga kthetrat e ushtarëve turq, dhe se tashmë gjendej në Romë, në Kolegjin ‘Urbano’, ku i kishte përfunduar studimet e veta. Meqenëse e kishte të ndaluar të kthehej në Shqipëri, Doçi, duke marrë miratimin nga Selia e Shenjtë, u nis për mision në Tokën e Re New Foundland (në Amerikë) në vitin 1877.
Që gjendja e tij e mëparshme ishte njohur, për superiorë e tij, duket edhe njoftimet biografike M.A. Mailloux, të nxjerra nga gazeta “Le Canadien”, botuar në shkurt 1878. “Ne kemi thënë një fjalë në lidhje me trazirat që shpërthyen në Mirditë, dhe kemi thënë se në mesin e të burgosurve të dërguar në Stamboll, ishte një prift i ri, At Primo Dochi, këshilltar i Princit Bib Doda, të Mirditës. Dervish Pasha, një armik i betuar i mirditorëve, autor dhe provokator turbulliravem që ai i quan kryengritje, qenë të nxitura nga ai me qëllim për të pushtuar malet Mirditës. Ai i kishte dërguar qeverisë një raport shumë të pafavorshëm për Imzot Primo Dochi, duke e burgosur atë së bashku me pesë bashkatdhetarë të tjerë, në burgjet e Stambollit.
Ishte e vështirë për ta liruar këtë prift, veçanërisht gjatë kohës të veprimit të ligjit ushtarak. Safet Pasha, i nxitur nga lutjet që ishin adresuar që të bënte diçka të mirë për katolikët, e liroi Primo Dochi-n, me kusht që ai të udhëtonte për në Romë, kështu që prania e tij në Stamboll apo në Shqipëri, nuk mund të ishte një justifikim për armiqtë e vet. Në një letër shoqëruese, ministri i Policisë, Safet Pasha, i ka dorëzuar të burgosurin Imzot. Azarian, i cili të njëjtën ditë, u nis për në Romë”.
Krishtlindja e vitit 1877, koha kur shqiptari i parë shkeli Amerikën
Data e ardhjes dhe të vendosjes në Kanada të Preng Doçit që ne zbulojmë, sipas arkivave të “Propaganda Fide”, në kohën e Pontifikatit të Papës Piu IX (1846-1878), është data 24.12.1877. Aty thuhet në frëngjisht se: “Primo Docci në 24.12.1877 në udhëtimin e tij nga Roma në Terre Nove Newfoundland do të vendoset në prefekturën e St. Georges kur është caktuar. “Primo Docci en 24.12.1877 (ancien du C.U., St-Jean TN) a Franchi: de son voyage de Rome a Terre-Neuve; attend de se rendre dans la prefecture de St-Georges TN ou il est destine – 51Or-51”.
Kjo datë është me rëndësi, pse është data që tregon vendosjen e tij në New Foundland, në vigjilje të Krishtlindjve të vitit 1877.
Ai mund të ketë mbërritur dhe më parë, por kjo është data që rezulton në dokumente. Dhe është dita e parë, që një shqiptar shkeli në kontinentin e Amerikës së Veriut. Sipas Wikipedias ai shërben në Newfoundland, dhe për një periudhë të shkurtër edhe në Wayne, Pennsylvania, në SHBA-ës, dhe më vonë edhe në Brunsëick, në Kanada.
Për qëndrimin e Doçit në provincën kanadeze Brunsëick, dëshmon edhe gazeta e kohës “The Morning Freeman”, e Brunswickut, e datës 22 tetor të vitit 1881. Ku në kujtimet e disa priftërinjve kanadezë, At Preng Doçi paraqitet, si një shembull shumë interesant i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj grigjës.
Preng Doçi përkthyesi i parë nga anglishtja në shqip. Një dëshmi tjetër për praninë e tij në Kanada, e gjejmë edhe në librin “Njëzet vjet trazira ballkanike”, të Edith Durham.
Ajo shkruan se; Abati i Mirditës, Preng Doçi, ishte një njeri me veti të shquara. “Ai kishte mërguar nga Shqipëria në moshë të re, pas pjesëmarrjes në Lidhjen e Prizrenit, pasi kishte nxitur shqiptarët për rezistencë ndaj sundimit turk dhe dekreteve të Traktatit të Berlinit, ai i kaloi vitet e tij të syrgjynosjes në Newfoundland (Kanada )dhe Indi, duke punuar si prift, ku kishte mësuar anglishten dhe kishte lexuar shumë.
Ai ishte shpikësi i një sistemi të shkëlqyer të alfabetit shqip të cilit ia kishte hequr të gjitha theksat, duke përdorur vetëm germa të thjeshta latine. Ai madje, i bindi autoritetet austriake, ta përdornin atë alfabet në shkollat e tyre, dhe ishte entuziast për librat që ai kishte për të përgatitur. Planet e tij ishin mjaft të gjera dhe përfshinin përkthimin e shumë librave standard, angleze në gjuhën shqipe. Ai madje kishte hapur një shkollë të vogël në kishën e tij në mes të maleve”. Një kumt mjaft interesant ky, që e nxjerr në pah edhe mikesha e madhe e Shqiptarëve, se librat e parë nga anglishtja, mund të jenë përkthyer në shqip, nga Imzot Preng Doçi.
Por ka vështirësi në gjurmime dhe gjetjen e përkthimeve të tij nga anglishtja ne shqip, pasi ai pat shkruar shumë, por me pseudonime. Shkrimet publicistike dhe relacionet kishtare që dërgon Vatikanit, dëshmojnë për një stil modern, ndonëse ka munguar deri tani një hulumtim i mirëfilltë i gjithë lëndës së shkruar prej tij, çka do të krijonte mundësinë për një gjykim më të plotë. Jo më kot disa herë është vënë në dukje se; “Emzot Doçi, s’ka shkrue pak, por gjitherë pa emën”. Doçi përmendet si një gojëtar i spikatur. Një kronikë përkujtimore e “Hyllit të Dritës”, (prill 1914), duke evokuar ditën e flamurit në Shkodër më 1912, në kështjellën e Rozafës, evidentohet ligjërata e Abatit të Mirditës, me atë rast, i cili; “foli bukur”.
Një panegjirik në kishën katedrale, Doçi e pat mbyllur me epifemën; “Zoja e Shkodrës” e “Shkodra e Zojës”. Publicisti dhe oratori, gjenden të gërshetuar gjatë Rilindjes, jo vetëm në personalitetin e Doçit…! Për të Fishta shkruante; “Edhe me kenë pak veprat e shkrueme prej Abat Doçit, nuk janë pak 32 vepra…të botueme në nandë vjet të Shoqnis “Bashkimi”, themelue prej tij, as veprat e botueme me ndihmën financiare, që dha për shtyp”!
Një meshtar, misionar, pionier
Preng Doçi u dërgua në Newfoundland si misionar i Vatikanit në vitin 1877, nga Kardinali Simeoni, i Propaganda Fide, që e caktoi atë për të punuar në Bregun Perëndimor të Newfoundland-it në Bonne Bay, në Gjirin e Ishujve dhe Luginës Codroy. Ky territor është aktualisht pjesë e Dioqezës së Shën Gjergjit. Në atë kohë, kushtet e udhëtimit ishin shumë të vështira.
Gjatë verës, Preng Doçi kishte për të udhëtuar në ishujt e brigjethyer dhe të shkretë të Newfoundland-it, nga misioni në mision, në një barkë të hapur, ose me lundër prej vozash. Gjatë muajve të dimrit, Doçi lëvizte me një sajë me qen, mbi shtigjet, pellgjet dhe lumenj. Imzot, Roderick T.White, Administrator i Dioqezës së Shën Gjergjit, me kujdes vërentei se mënyra se si udhëtonte Dom Preng Doçi, ishte; “mjaft e papajtueshme për reputacionin e tij, si një njeri i ditur”.
Kjo mund të shpjegojë përshtypjet mjaft ashpra të regjistruara nga At Michael Brosnan. Në artikullin; “Historia Pionerit të Dioqezës së Shën Gjergjit, Brosnan komentoi, se Doçi “… kur ishte në Romë në 1881, me Imzot Sears (Rt.Rev. Thomas Sears, prefekti apostolik i Shën Gjergjit) dhe gjatë asaj kohe duket se ata ia mbushëm mendjen e tij, që të hiqte dorë nga puna në bregun perëndimor. Duke iu thënë se shtigjet dhe rreziqet ishin shumë e shumë të mëdha për të, dhe se përveç nëse nuk do të qe urdhëruar zyrtarisht nga Propaganda, ai mund të kishte dalë vullnetar për shërbim të mëtejshëm.
Sipas Sadliers’ Catholic Directory, Almanac and Ordo në faqen 48, distrikti i Bay od Islands, ku ai shërbente, kishte katër kisha; Humber Sound, Church of the Holy Family, Benoit Church of our Lady of Mercy, Boune bay St Patrick, Port ou Choix, Church of Assumption.
Ai përshkruhet si një; “personazh mjaft i dashur edhe në shumë mënyra, ai duket se ka qenë i një natyrë shumë e ndjeshme, tipar i karakteri, aspak i favorshëm për të pasur sukses në një mision të tillë, si ai në Perëndim të Newfoundland”, shkruan Melhem Mobarak M., në “Buletinin Katolik”. “Duhet theksuar se deri në kohën kur ati, Brosnan, erdhi në ishull nga Irlanda, vendi ishte krejt ndryshe nga koha kur At Doçi dhe bashkëkohësit e tij, punuan atje. Në kohën e Brosnan-s, rruga dhe sistemi hekurudhor e kishin stabilizuar disi vendin”. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm