Nga Elsa Demo
– “Zëra nga diaspora” e Eleni Karamitrit, një vepër për shqiptarët e parë emigrantë në Amerikë, deri tek intelektualët që i shërbyen atdheut nga larg! –
Memorie.al / Pas sulmeve të 11 shtatorit mbi Qendrën Tregtare Botërore në New York, nuk ishte i vogël solidariteti që vende të ndryshme, treguan ndaj popullit amerikan. Shqipëria po ashtu, me mënyrën e vet. Me gjithë revanshin që ndodhi pas kësaj tragjedie, këtu tek ne, solidariteti vazhdonte. Një botim me një titull të çuditshëm u hodh në treg; “Ne të gjithë jemi amerikanë”, apo një tjetër antologji që fliste për shqiptarët e famshëm, që kishin hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Po në fakt historia e shqiptarëve në Amerikë, nuk nis aspak me solidaritetin e vendit, ku njerëzit nga të katër anët e botës, u turrën “për një jetë më të mirë”.
Është histori më e thjeshtë, dhe nuk njihet. Ajo që nis me emigracionin. Shqiptarët e parë që emigruan atje, ata që më shumë dhanë për familjet e tyre në atdhe, dhe vetëm në këtë kuptim, i dhanë dhe Amerikës.
Ekziston një histori; “Shqiptarët në Amerikë, imigrantët e parë”, e shkruar nga një prej emigrantëve të parë atje, 1903, Konstantin Demo, nga Katundi i Korçës, i cili do të punonte nga afër me Fan Nolin, Petro Nini Luarasin, Sotir Pecin, Faik Konicën e Kristo Dakon.
Ai ishte aty kur Peshkop Fan Noli, mbajti Meshën e shenjtë, të parën në gjuhën shqipe, më 22 mars 1908, në Kishën Orthodhokse në Boston. Ky libër u përkthye nga studiuesi Peter Prifti dhe u botua në të dy variantet (shqip-anglisht) më 1960, në Boston, nga shoqëria “Fatbardhësia”, një nga shoqëritë nga më të vjetra që shqiptarët kanë themeluar në Amerikë.
Këtë libër nuk e kemi në shfrytëzim, ashtu sikur nuk kemi, asnjë histori të shkruar të emigracionit shqiptar, veçse statistikave, nga fundi i shekullit të XIX-të, fillimi i të njëzetit, deri tek “eksodi biblik”, pas rënies së komunizmit. Një grishje të tillë, e bën më në fund Prof. as. Dr. Eleni Karamitri, me studimin e saj “Zëra nga diaspora”, e cila ndalet më gjerësisht në jehonën e këtyre zërave, sidomos nga Amerika.
Për herë të parë, Karamitri na jep një informacion në formën e portretit për autorin e historisë, Konstantin Demo, fragmente nga libri dhe konsideratat e Fan Nolit i cili, ka bërë shënimin parathënës, apo nga studiuesi Peter Prifti.
“Libri i historisë të shqiptarëve po myket në dollap, dhe do të harrohet për së shpejti, po të mos përpiqemi ta hapim dhe të njihemi përsëri, me veprat heroike të atyre burrave fisnikë, të cilët bënë sakrifica të mëdha dhe duruan shumë dhembje, që të na linin trashëgim një histori, me të cilën të mburremi”, – shkruan Konstantin Demo.
Ajo çfarë Karamitri ka mbledhur nga “zërat e Diasporës”, janë kryesisht intelektualët, që sipas saj në kohën e brezit të parë të emigrantëve shqiptarë në Amerikë, “numëroheshin me gishtat e një dore”.
Gjë që nuk do të ishte e plotë, pa përshkruar rrugëtimin historik të diasporës shqiptare, në SHBA-ës. Autorja shënon: “Historia e imigracionit shqiptar në Amerikë, përveç të tjerash, ka rëndësi, sepse shënon rrugën e civilizimit të kombit shqiptar, të integritetit të tij në botën e qytetëruar dhe të ruajtjes së identitetit shqiptar, si shenjë e njohjes dhe mbrojtjes së shqiptarizmit, larg kufijve shqiptarë…!
Por një gjë është fakt: emigrimi i një shekulli më parë, rrëmbeu më tepër fshatarë, punëtorë, zanatçinj, kurse sot, po përpin edhe trurin tonë, intelektualët shqiptarë, po e lë ‘pa mend’, Shqipërinë”!
Nga vala e parë e emigracionit shqiptar në Amerikë, Karamitri është marrë me përqendrimin e energjive intelektuale, që çuan në lindjen e gazetave shqiptare; “Kombi”, “Dielli” dhe “Liria”, më pas, u krijuan shoqëritë “Malli i Mëmëdheut”, “Besa-Besë”, u krijua Federata “Vatra”, u themelua Kisha Autoqefale.
Ndërkaq, si emigrant i parë shqiptar në Amerikë, për të cilin nuk na jepen shumë të dhëna, njihet, Kolë Kristofori. Autorja kujton se; “Në vitin 1920, vetëm 7.4 % e shqiptarëve emigrantë, ishin natyralizuar, duke marrë shtetësi amerikane. Kjo ishte përqindja më e ulët, krahasuar me emigrantët e kombeve të tjera”.
Në periudhën e ndërrimit të shekujve, kanë emigruar rreth 50 mijë vetë drejt Amerikës, nga të cilët vetëm 3 mijë, vinin nga Shqipëria e Veriut. Si arsye politike, ishte lufta italo-turke dhe shpërthimi i luftërave ballkanike. Pjesa më e madhe emigrantëve shqiptarë, u vendos kryesisht në qytetin e Bostonit, shumë shpejt u përhapën dhe në qytete të tjera të shtetit të Masaçusetit dhe në shtete të tjerë të SHBA-së.
Kjo valë emigracioni, kishte dhe një karakteristikë: shpërpjesëtimi i theksuar midis sekseve. Kjo, sipas Karamitrit, ndodhte për disa arsye: për shkak të karakterit të përkohshëm të emigracionit të shqiptarëve në Amerikë, për arsye të ndjekjeve politike dhe gjendjes së prapambetur të shoqërisë shqiptare, në të cilën gruaja, nuk kishte liri veprimi.
“Shumica e emigrantëve ishin analfabetë. Me t’u vendosur aty vlen të përmendet përparimi i shpejtë që bënë në fushën e arsimit dhe të kulturës kombëtare, ashtu edhe në përvetësimin e kulturës amerikane”. Por në një nga pjesët me interes të studiueses Karamitri, e cila nuk ka për qëllim që; me “Zëra nga Dispora”, të në japë një vepër për strukturën social-ekonomike dhe politike të emigracionit, është pjesa studimore ku ajo merret me elitën intelektuale të Diasporës, kryesisht në fushat humane.
Karamitri, pas 27 vjetësh korrespondencë, me burimet e saj në botën shqiptare të Amerikës, sjell portrete dhe veprat e intelektualëve pak të studiuar, përpos figurave, si; Fan Noli, dhe të Xhevat Kallajxhiut, Sami Rrepishtit, Lec Shllakut, të cilët u anatemuan gjatë regjimit komunist, apo Albert Papingji, Vasil Alarupi, Peter Prifti, apo figura përtej diasporës në Amerikë, si; Ernest Koliqi dhe Martin Camaj.
Karamitri e ka parë në këndvështrime të ndryshme kontributin e tyre larg Shqipërisë, por kryesisht ajo ndalet në këndvështrimin letrar. “Në këtë kuptim, ‘Zëra nga Diaspora’, përligj kontinuitetin dhe transformimet, tendencat dhe prirjet kryesore, problemet tematike dhe artistike, filozofike e historike, të mishëruara në krijimtarinë e lëvruar në kushtet e largësisë nga Shqipëria”, – pohon autorja.
“Zëra nga Diaspora”, një vepër modeste për nga vëllimi, dëshmon sikurse e pretendon jo pa modesti, Prof. as. Dr. Eleni Karamitri, dëshmon se rruga e zhvillimit intelektual e kombit shqiptar, kalon jo vetëm brenda Shqipërisë, po edhe në Amerikë, Gjermani, Itali dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Kjo ndodh edhe atëherë. kur “qytetërimi vjen dhimbshëm për popujt e vegjël”.
Sotir Peci e Fan Noli. shkruajnë tek; “Kur botohej kombi”, Tufa-tufa në skelën e Nju Jorkut; “…Dalëngadalë këtyre të rinjve, do t’u qante syri për pakëz diell, për pakëz lëndinë, për pakëz ajër të pastër.
Të rritur në mal, në ajër të pastër, në gji të pyjeve, bri burimeve e përrenjve, të shëndoshë si arinjtë e maleve të tyre, dalëngadalë do të veniteshin si ndoca lule të mbyllura në një dhomë të errët… e pikërisht se ishin dorëhollë e s’u mbushnin barkun kalamajve zorrëtharë, pa kishin marrë udhën e largët të mërgimit e, tufa-tufa arrinin në skelën e Nju Jorkut.
E aty me të zbritur nga vapori,…agjenti i kompanisë “së skllevërve të bardhë”, që i priste aty poshtë, i grumbullonte mënjanë, si të ishin një tufë dhensh, i plaste diku që të kalonin natën dhe të nesërmen i degdiste tek fabrikanti. Që prej atij çasti, fillonte një jetë e re, një shfrytëzim i ri, modern i rafinuar, më i egër se në vatan”!
Fan Noli dhe Norbert Jokli: i lidhi Shekspiri
Janë njohur në Vjenë, në vitin 1915. Fan Noli dhe albanologu Norbert Jokl, janë njohur më mirë nëpërmjet Shekspirit. Ishte koha kur Noli, kishte përkthyer disa vepra nga dramaturgu rilindas, por nuk i kishte konsultuar me askënd, aq sa të bindej për botimin e tyre. Disa nga përkthimet u dëgjuan një mbrëmje në Vjenë, ku mes të tjerëve, ishin të pranishëm edhe Ismail Qemali, doktor Gjergj Pekmezi.
Filologu austriak me origjinë hebreje, me t’i dëgjuar do t’i jepte vetëm një sugjerim: botimin. “Në atë kohë doja të kthehesha në Amerikë, – thotë Noli, – po me se”? “Vatra” do t’i paguante shpenzimet e udhëtimit, për t’u kthyer në Amerikë dhe si shpërblim, për ato 500 dollarë, ai do t’i falte disa libra të përkthyer prej tij.
Në ditët e vështira dhe në udhëkryqin e një fati tragjik, ku u gjendën gjithë hebrenjtë në botë, sidomos ata në botën gjermanofone, Noli u përpoq t’i vinte në ndihmë mikut të tij, studiuesit të filologjisë shqipe. Sipas librit “Flamurtar i Kombit-1882-1982”, studiuesi Peter Prifti, kur vjen tek dëshmia e marrëdhënieve mes dy figurave, Fan Nolit dhe Norbet Joklit, shënon se;
Noli nuk nguroi t’i drejtohet në emër të të gjithë shqiptarëve me anë të një telegrami, vetë diktatorit Adolf Hitler, ku i lutej të ndihmonte këtë “studiues të madh të historisë, literaturës dhe folklorit të Shqipërisë, brenda gjendjes së vështirë të kohës”. Ndërhyrjet e Nolit reshtën në vitin 1942, kur mësoi se Norbert Jokl, kishte vrarë veten.
Nga Katundi i Korçës, drejt Amerikës
Udhëtimin e parë për në Amerikë, Konstantin Demo e bëri në moshën 14-vjeçare. Ishte me origjinë nga Katundi i Korçës, i lindur më 1889. Sikurse përshkruan prof. Peter Prifti, ky ishte një udhëtim i rrezikshëm e, plot të papritura: “Udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara, zgjati 57 ditë, aq sa iu desh edhe Kristofor Kolombit, për të zbuluar Amerikën…! Pasi arriti në Korçë, Nini u nis për në Manastir: Po me se? Hipur në kalë? Jo, aspak.
Udhën e bëri me një araba, që ia dërmoi kockat gjersa arriti në Manastir: Pastaj nga Manastiri, shkoi me tren në Selanik të Greqisë. Atje mori vaporin për në Piré, ku ndënji plot tetë dite, gjersa u nis vapori për në Napoli. Në Napoli, iu desh të priste 15 ditë, para se të nisej për në Amerikë. Udha nga Napoli në Amerike, i mori 17 ditë. Atë udhë e atë vapor, Nini nuk do ta harrojë kurrë. Ay udhëtim ishte, jo “klasë e dytë apo e tretë” por “i klasit të katërt”.
Kjo klasë quhej “the cattle class” (klasë e turmës), sepse në të vërtetë, pasagjerët e kësaj klase, përdoreshin si kafshë. Vapori mbante erë, si mos më keq. Po më e keqja ishte se Ninin, e zuri deti që ditën e parë, dhe për tetë ditë me radhë, qëndronte shtrirë në shtrat. As që vuri bukë në gojë.
Të tetën ditë, mësoi se pasagjerin fqinj, që e kish zënë deti, aq keq sa Ninin, e kishin marrë dhe e kishin hedhur në det. Kur dëgjoi këtë, Nini u ngrit nga shtrati menjëherë, dhe si për çudi, u shërua krejt nga “sea sickness” (sëmundja e detit). Që atë çast, Ninit jo vetëm që i ardhi oreksi, po nuk ngopej dot me bukë”.
Në Amerikë, Konstantin Demo u vendos në Natick, Massachusetts, ku kaloi gjashtë vitet e para të jetës në vendin e ri dhe ku mbërriti përpara se të vinin Petro N. Luarasi, Sotir Peci, Fan Noli e Faik Konica. Nini Demo, u njoh nga afër me ta. Në vitet 1909-1917, punonte për kishën dhe për çështjen e Shqipërisë, pa lënë pas dore, arsimimin e vet.
Studioi në Kolegjin Ndërkombëtar Amerikan në Springfild, Massachusetts, në Akademinë Wilbraham, Mass; në kolegjin Green Mountain në Vermont dhe në kolegjin Oberlin në Ohio. U vendos në Boston më 1920. Punoi si tipograf, më tepër në të përditshmen popullore liberale “Boston Globe”. Ka të botuar shume artikuj në gazetat “Dielli” dhe “Liria”, që lidhen me Komunitetin Shqiptar. Memorie.al