Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzetegjashtë
MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI
SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE
(KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)
Memorie.al/ “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq.3.)
Këto stereotipe ishin të vështira për t’u konfirmuar në terren. Kësaj, duke gjykuar nga raportet e vitit 1913, nuk ia dolën as krerët e parë të rretheve serbe. Kryetari i qarkut të Dibrës vuri re jo vetëm asketizmin dhe mjerimin material të popullit atje, por edhe se arnautët ishin më moralë dhe mikpritës se serbët dhe turqit. Interesante është përshtypja e tij se të krishterët ishin “shumë mashtrues” dhe të gatshëm “të bënin gjënë më të pandershme për disa lira”! Në trevën e Tetovës të krishterët shfaqnin urrejtje të madhe ndaj arnautëve dhe turqve, edhe pse ata ishin një “popull paqësor, punëtor…”, ndërsa shtëpitë e tyre, përsa i takon higjienës, ishin më të mira se ato të krishterëve.
Vendosja e idesë së epërsisë racore dhe supremacisë së kombit serb nuk është gjithmonë një qëllim i vetëdijshëm, por edhe pasojë e përmbajtjes stereotipike të “mësuar” dhe të akumuluar.
Sigurisht, serbët nuk dukeshin shumë më mirë në përshkrimin që u bënin atyre shkrimtarët shqiptarë. Në mes të mobilizimit kombëtar, nxitjes së propagandës dhe egërsisë së regjimit të Millosheviçit dhe nacionalistëve radikalë, në vitin 1991, në Beograd u botuan një seri leksionesh – “Serbët dhe shqiptarët në shekullin e 20-të”. Pas vërejtjes së disa prej pjesëmarrësve, sipas të cilëve stereotipi “për serbin përjetësisht të keq dhe të shëmtuar” ishte i detyruar në letërsinë kosovare dhe shqipe, historiani Andrej Mitroviç pyeti: “A duhet që një stereotipi agresiv t’i përgjigjesh me të njëjtin stereotip në kahun e kundërt?”. Në vend të një përgjigjeje të arsyeshme në korridoret e SANU-së kumbuan paragjykime të zbrazëta, por helmuese, të cilat në vitin e fundit të shekullit të njëzetë do të shkrihen në një aksiomë raciste për shqiptarët si “sedimenti barbar i Ballkanit”. (1)
1-Vladan Jovanoviç. Iz istorije srpske albanofobije. Upotreba antropoloških stereotipa o Albancima. (Nga historia e albanofobisë serbe. Përdorimi i stereotipeve antropologjike për shqiptarët). Beton br.159. 22.05.2015.
****
Zoran Janjetovic – historian në Institutin e Historisë për Historinë e re të Serbisë, Beograd:
Kështu vijmë në momentin ndoshta më të diskutueshëm në historinë serbo-shqiptare. Kjo është Lufta e Madhe e Vjenës (1683-1699) dhe i ashtuquajturi Migrimi i madh i serbëve (nga Kosova dhe Serbia në Hungarinë jugore, d.m.th. në Vojvodinën e sotme). Pas heqjes së rrethimit të Vjenës trupat austriake depërtuan thellë në territorin osman, deri në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Gjatë rrugës atyre iu bashkuan të krishterët serbë dhe shqiptarë, të cilët në fillim i pritën ata si çlirimtarë.
Megjithatë, pjesëmarrja e shqiptarëve, edhe pse një fakt i vërtetuar, nuk përmendet asnjëherë në tekstet shkollore serbe. Kur ndryshuan erërat, serbët (dhe disa shqiptarë) u detyruan të iknin larg turqve hakmarrës. Kështu, sipas historiografisë më
tradicionaliste, dhe/ose nacionaliste serbe, Kosova u shpopullua, gjë që i lejoi shqiptarët, të cilët ishin atje më parë vetëm një pakicë e vogël, të vendoseshin dhe të dëbonin ose të asimilonin shumë nga popullsia serbe e mbetur. Në tekstet shkollore, ky version gjendet në gjashtë nga librat e para Luftës së Dytë Botërore dhe në katër libra të botuar pas saj.
Nga ana tjetër, fati i popullatës myslimane të Serbisë, përfshirë shqiptarët e dëbuar, shfarosur ose të konvertuar me dhunë në krishterim gjatë kryengritjes së parë serbe kundër turqve (1804-1813), nuk përmendet kurrë në tekstet shkollore serbe edhe pse ata shkruajnë gjatë dhe me arsye për “revolucionin serb” shumë të rëndësishëm (siç e quajti Leopold Ranke). Nganjëherë përmendet shkurtimisht vetëm pasuria, që iu konfiskua këtyre myslimanëve.
Një temë e ngjashme mund të gjendet në tekstet shkollore kur bëhet fjalë për pasqyrimin e luftërave anti turke të viteve 1876-1878, të cilat, gjithashtu, shkaktuan migrime në shkallë të gjerë. Popullsia myslimane (kryesisht shqiptare), iku ose u dëbua nga territoret e çliruara nga ushtritë serbe dhe malazeze. Mirëpo, nëse këto luftëra përmenden rregullisht në të gjitha tekstet shkollore, që kanë të bëjnë me kohën, absolutisht në asnjë prej tyre nuk përmendet dëbimi i shqiptarëve.
Ekziston një aspekt i keq i Luftës së Parë Ballkanike, që nuk përmendet kurrë në tekstet shkollore serbe. Fjala është për krime lufte serbe kundër shqiptarëve. Mizoritë nisën më parë nga malazezët, por shpejt u bashkuan këtu edhe trupat serbe. Edhe pse deri më sot nuk dihet saktësisht numri i viktimave, fakti që ka ndodhur masakra është i padiskutueshëm. Mirëpo, për të mos njollosur imazhin heroik të ushtarëve serbë, mizoritë e tyre nuk përmenden kurrë në tekstet shkollore serbe. (1)
****
Zhivorad Stojkoviç – kritik, eseist, historian i letërsisë, redaktor i disa shtëpive botuese të njohura:
Kur ia përktheva legjendën, më pyeti se ku ishte Graçanica, sepse ky emër i dukej se do të thoshte diçka. I tregova vendin në hartën e bashkangjitur librit, duke saktësuar se kisha ndodhej në Kosovë, Champ des Merles (Fusha e Mëllenjave). Ai më kërkoi të përsëris emrin e rajonit në serbisht. Papritur, gati duke u hedhur përpjetë, ai bërtiti: “Por tashmë kjo është Shqipëri. Po, po ju them dhe do ta shihni”, vazhdoi ai, pa u përpjekur të kërkojë shpjegim përse isha habitur.
“Ju nuk e kuptoni, ju keni lejuar popullin tuaj dhe shqiptarët të krijojnë një ferr. Ju duhet të përballeni me tragjedinë që ju pret. Urrejtja nuk është vetëm verbëri, ajo mund të jetë edhe shantazh. Ndjenja e realitetit mund ta frenojë atë, duke qenë i vendosur dhe duke pasur më tepër besim tek vetja sesa tek shtypja. I uroj vendit tuaj shumë të mira, por nuk i shoh të vijnë, sepse, e pohoj, nuk ju kuptoj. (1)
1 – Zoran Janjetovic. De l’ennemi à l’ami, et inversement. Les Albanais dans les manuels d’histoire serbes, 1918-2000.(Nga armiku në mik dhe anasjelltas. Shqiptarët në tekstet shkollore të historisë serbe, 1918-2000). Balkanologie. 2002. Vol/VI. Nr. 1-2.
Kur po kopjoja shënimet e mia për Malraux, në gjykatën e Beogradit po zhvillohej gjyqi i një “grupi irredentistësh shqiptarë”. Sipas rrëfimeve të gazetave, njëri nga të pandehurit, student, tha: “Historia e ka dënuar Jugosllavinë me vdekje dhe janë bijtë e Kosovës ata që kanë nderin të japin goditjen e vdekjes”! {‘Politika’, 26.4.1984). (2)
—–
Media: Borba; 10.5.1912:
Në marrëdhëniet me shqiptarët ne bëjmë gabime të rënda, që më vonë do t’i paguajmë shtrenjtë. Gabimi më i madh është bërë menjëherë pas luftërave tona për çlirim, kur dëbuam nga zonat e çliruara me mijëra shqiptarë. Në vend që t’i mbajmë në vatrat e tyre, t’i bëjmë të ushqejnë simpati e besim tek ne, t’i bëjmë për vete që të lidhen me ne dhe, së fundi, në vend që t’i ngrohim me rrezet e lirisë sonë, t’i zbusim me kulturën tonë, t’i sigurojmë nga ana materiale e t’i ngremë moralisht, t’i ngulisim në periferi të vendit, në atdheun e tyre të ri, ne i dëbojmë ata me pahir.
Këta shqiptarë, që duhet të ishin qytetarët tanë, një lidhje midis nesh dhe patriotëve të tyre në vilajetin e Kosovës, po bëhen armiqtë tanë të betuar. Mbretëria e re është bërë e urryer për gjithë shqiptarët në përgjithësi. Ata që i kemi dëbuar nga Serbia, lënë vatrat e tyre të mbushur me urrejtje, me hakmarrje në buzë.
1 – Zhivorad Stojkoviç. Une utopie obligatoire ? (Një utopie e detyrueshme?). Revue des études Slaves. 1984/ 56-3. Fq. 465.
2 – Po aty. Fq. 467.
****
Radniçke novine; 9.11.1912:
Tani doli në dritë edhe skandali për veprimet e ushtrisë serbe ndaj arnautëve, për të cilin gazetat gjermane shkruajnë gjerë e gjatë. Ne nuk besojmë që të shkohet kaq larg në çmenduri sa të ndodhin ato që po shohim në gazetat europiane, çka mund të komprometojnë e keqësojë pozitën tonë. Në qoftë se vërtetohet kjo, atëhere ja ku kemi një “casus belli” – motiv për luftë apo për një turpërim të tmerrshëm, që bart me vete dështimin e aspiratave dhe të shpresave me të cilat është entuziazmuar bota për kaq kohë.
—
Radniçke novine; 13.7.1912:
Revolucioni arnaut përbën sot qendrën ku është drejtuar vëmendja e të gjithë Europës politike. Sipas të gjitha gjasave Shqipëria është në prag të autonomisë. Më së fundi u arrit qëllimi për të cilin çdo pranverë dhe verë derdhej gjaku në tokën e Shqipërisë dhe të Serbisë së Vjetër. Një komb nën Turqinë po i siguron vetes lirinë dhe barazinë.
Arnautët ishin të parët që kuptuan se pozita e kombeve në perandorinë turke do të rregullohet, se ekzistenca dhe zhvillimi i tyre mund të sigurohen vetëm në qoftë se ata e marrin çështjen në duart e tyre, në qoftë se masat e popullit fillojnë të luftojnë për të drejtat e tyre.
Arnautët janë të parët që i fshinë iluzionet për xhonturqit; ata në sajë të kushteve të tyre specifike ekonomike, sociale e gjeografike, patën më tepër forca e aftësi për të luftuar për autonominë kombëtare; ata e zhvilluan këtë luftë pa marrë parasysh viktimat dhe jetën, duke kaluar nëpër provat më të tmerrshme. Ne e simpatizojmë gjithë këtë luftë.
—
Radniçke novine; 17. 7. 1912:
Arnautët kanë shënuar një varg suksesesh të shkëlqyera. Kudo ku janë përleshur me ushtrinë turke ata kanë dalë fitimtarë. Në të gjitha vendet rreth e rrotull mbizotëron besimi se arnautët me siguri mund dhe do të fitojnë. Nuk ka rrugëdalje tjetër këtu përveç sigurimit të paqes në shtëpinë e tyre, duke i dhënë Shqipërisë vetëqeverisjen administrative, gjë që do të shpejtonte zhvillimin e saj kulturor.
—
Radniçke novine; 24.7.1912:
Në Turqi një lëvizje e fuqishme revolucionare e arnautëve mund të tërheqë lehtë pas vetes edhe fiset e tjera, gjë që, sidoqoftë, do t’u revolucionarizojë shpirtin dhe do t’u rrisë guximin e luftës, që ndërmori nën komandën e Rusisë bashkë me qeveritë e dinastitë reaksionare në Ballkan, borgjezia jonë përpiqet t’i japë tiparet e një lufte çlirimtare. Ajo thotë: secili nga shtetet ballkanike kërkon të çlirojë kombin e vet nga Turqia.
Për këtë arsye mbretëritë e Ballkanit arritën marrëveshjen për ndarjen e tokave. Se sa dëshirohet çlirimi i atyre që janë në zonat kufitare të Turqisë, shihet mjaft mirë nga mënyra si veprojnë “çlirimtarët” në vendet e tyre, pikërisht kur bëhen gati për ekspeditë ushtarake, gjoja për çlirim të territoreve e të Turqisë. Ja pra, të tilla janë aktet e larta “çlirimtare” të satrapëve të carizmit rus në Ballkan dhe të tilla janë perspektivat e “urtësisë” dhe “patriotizmit” të tyre.
—
Radniçke novine; 2.11.1912:
Ne jemi social-demokratë, miq shumë të sinqertë dhe shumë të mëdhenj të shqiptarëve, dhe ne dëshirojmë dhe duam edhe lirinë e tyre, edhe autonominë kombëtare dhe politike në federatën e republikave ballkanike. Ne jemi kundër pikëpamjes barbare se shqiptarët janë të paaftë që të zhvillohen si komb nga ana ekonomike, kulturore e politike, ashtu siç hedhim poshtë shpifjen e ulët, sipas së cilës një popull i tërë është kriminel, nëse ai ka ca hajdutë, të mallkuar e gjakpirës.
—
Radniçke novine; 6.11.1912:
Serbia dhe Greqia duan ta ndajnë Shqipërinë. Por, me gjithë përçarjet fisnore e fetare, në qoftë se ndahet territori ku ata përbëjnë shumicën, shqiptarët do të jenë të bashkuar e të gatshëm të mbrojnë pavarësinë e tyre kombëtare nga pushtuesit serbë e grekë. Nuk duhet shumë zgjuarsi politike që të parashikohet me kohë se edhe serbët, edhe grekët, në qoftë se realizojnë planin e tyre, do të kenë shumë përplasje të përgjakshme me elementët e huaj për ta.
—
Radniçke novine; 6.11.1912:
Në skenën e historisë gjithnjë e më fort kanë dalë “bijtë e maleve të lirisë” – shqiptarët, zgjimi kombëtar i të cilëve ka marrë formën e vet në kërkesat që u paraqitën në kryengritjen e fundit. Midis të tjerave kërkohet njohja e alfabetit dhe gjuhës shqipe dhe dhënia e autonomisë.
—
Radniçke novine; 13.11.1912:
Kur në Ferizaj u vra togeri rezervist i kavalerisë Samuil Amar, shtypi borgjez u çorr për dinakërinë dhe egërsinë e arnautëve. Por askush nuk e mori mundimin të pyeste sa plaçkitën dhe dhunuan ushtarët e aradhës së Amarit. Askush nuk deshi të thoshte se Amari lau mëkatet e ushtarëve të tij dhe vuajtjet e familjeve të çnderuara shqiptare. Kush dëshiron që të bindet për këtë, le të bisedojë gojarisht me vetë banorët e Ferizajt dhe jo vetëm me shqiptarët, por edhe me serbët. Arnautët, pra, nuk janë “dembela” e “kriminelë”, por njerëz me të vërtetë primitivë e të thjeshtë, por të aftë për jetën, një popull, që nuk duron dhe që kundërshton.
—
Radniçke novine; 14.12.1912:
Çfarë po u përgatitet njerëzve në zonat e pushtuara? Po përgatiten ligje të jashtëzakonshme, të cilat pushtuesit ua hartojnë të gjunjëzuarve, të mundurve.
Së pari, një deputet, në një varg artikujsh ka deklaruar : popullit në krahinat e pushtuara nuk duhet t’i jepet as vet administrimi komunal, as e drejta e votës. Për një kohë të gjatë aty duhet të ruhet sistemi ushtarak dhe gjyqi ushtarak, duhet t’i mësojmë me pushkë e me top këtij “populli të egër” jetën në një shtet “modern”. Menjëherë pas kësaj, në një sërë shënimesh të shtypit të ndyrë, qeveria e Beogradit deklaron se për “krahinat e reja” po hartohen disa ligje “speciale”, domethënë të jashtëzakonshme.
Në qoftë se do të pyesni: përse kështu? Atëherë do të merrni përgjigjen: Ky popull ende nuk është pjekur që të kujdeset vetë për të mirën e tij dhe për qeverisjen e vet!
—
Radniçke novine; 14.12.1912:
Një nga udhëheqësit më në zë i Partisë së Pavarur, zoti Mihaillo Radivojeviç, me dorën e tij ka shtypur para një muaji një sërë artikujsh për organizimin në zonat e pushtuara dhe në to ka dhënë “deklaratën demokratike” të partisë së tij. Ai thotë : Arnautët duhet t’i bindim me masa të shpejta e energjike se nuk mund të jetojnë si nën turqit. Autoritetet duhet të përdorin të gjithë pushtetin e tyre që t’i bindin ata se Serbia kërkon që këtë fis të egër ta kthejë në një popull të kulturuar e punëtor, pasi në vendet e kulturuara të shekullit të 20-të egërsirat nuk durohen.
—
Radniçke novine; 15.1.1914:
Serbia është bërë pushtuese dhe shtypëse. Por ajo nuk është bërë e tillë me vullnetin e popullit. Prandaj populli nuk duhet të lejojë që kjo politikë t’i sjellë atij dëme të tjera. Ai duhet ta ndalë këtë politikë dhe të tregojë para të gjithë botës se populli serb është kundër politikës së qeverisë për shtypjen e popujve të tjerë, ndërsa autoriteteve sunduese t’u ndalojë vazhdimin e politikës së sotme fatkeqe antishqiptare.
—
Radniçke novine; 29.3.1914:
Ana tjetër e problemit është që qeveria duhet të kuptojë, më së fundi, se derdhja e gjakut është mjeti më pak efikas për të trembur arnautët dhe për të vendosur rregullin. Neve, në fund të fundit, as na duhet rregulli në një vend të shkretë në të cilin nuk do të ketë njerëz. Po a ka të drejtë qeveria serbe ta shkretojë këtë vend, të vrasë e të dëbojë këta banorë?
Mbetet vetëm që në këto krahina të ndryshohet regjimi dhe të vendoset një regjim që do të njohë edhe të drejtat e kësaj popullsie, që fati e la nën pushtetin tonë. Vendin e regjimit policor dhe ushtarak, vendin e kondakut të pushkës dhe të shtypjes – ta zënë gjyqet civile dhe kushtetuta. Kjo është zgjidhja e vetme.
—
Radniçke novine; 1.5.1914:
Këto njoftime i jep “Politika”, organ i shovinistëve dhe provokatorëve tanë.
—
Radniçke novine; 27.5.1914:
Ndërsa nën administratën turke serbët mund të zhvillonin lirshëm tregtinë e tyre dhe mallrat ua shisnin turqve dhe arnautëve për lirat e tyre prej ari, administrata jonë ushtarake u rrëmben shqiptarëve gjithçka që mund të rrëmbehet: drithë, misër, bagëti, me një fjalë gjithçka që gjehet në fushë e në shtëpi, kryengritjet e sotme lokale të arnautëve janë rezultat i plaçkitjes së pakufizuar dhe i dhunës që kryejnë ndaj tyre bartësit tanë të kulturës…arnautët e sotëm të “egër” janë shumë më të ndershëm dhe më të kulturuar se pushtuesit e tyre dhe bartësit e kulturës.
—
Radniçke novine; 27.5.1914:
Duke lexuar shtypin borgjez, i cili si në kor dhe sipas një udhëzimi të veçantë, shkruan për arnautët si popull jo punëtor dhe plaçkitës, si popull që është mësuar të jetojë me djersën e të tjerëve, njeriu shtanget nga habia kur i njeh personalisht këta njerëz dhe kalon nëpër vende ku ata jetojnë, e bindet se gjithçka që thotë shtypi ynë për arnautët është vetëm gënjeshtër dhe e kundërta e saj është e vërteta.
Arnautët janë një popull punëtor. Për t’u bindur për këtë më është dashur vetëm të udhëtoj, madje edhe me tren, nëpër Grykën e Kaçanikut dhe të shikoj një rrugë moderne, të çarë nëpër këtë Grykë, mes shkëmbinjve, të ndërtuar nga dora e këtij populli të “egër”. Përveç kësaj më është dashur të shoh çdo copë tokë, ku nuk ka gurë e shkëmbinj, qoftë edhe në mal, të punuar bukur dhe të mbjellë.
Nga vend-qëndrimi hekurudhor “Vuçji Do” nëpër Kaçanik e deri në Ferizaj, gjithë zona rreth e rrotull është e populluar kryesisht nga kombi arnaut dhe asgjëkundi, absolutisht asgjëkundi, nuk pashë tokë të braktisur e të papunuar. Për më tepër, në terrenet e sheshta, arat janë të lidhura me rrjedhjet e lumenjve e përrenjve, ndërsa kanalet për ujitje i bien kryq e tërthorë, duke kryer kështu një ujitje të tokës,vërtet primitive, por shumë të mirë, kështu që edhe në mungesën më të gjatë të shiut, të mbjellat kanë lagështirë të mjaftueshme.
Arnautët në këtë pjesë të Kosovës janë popull i ndershëm. Që arnautët nuk janë plaçkitës, dëshmia më e mirë është kryengritja e arnautëve dhe pushtimi nga ana e tyre i Shkupit, ku asnjërit nuk iu prek jo vetëm koka apo qimja e flokut, por as edhe një pogaçe nga qepeni. Sipas fjalëve të banorëve të Shkupit në kryengritje kishte edhe arnautë të varfër e të zbathur, por ata as njeriu nuk i rrëmbyen apo rekuizuan gjënë e tyre. Ndërkaq, me ardhjen e ushtrisë dhe autoriteteve tona, faktet flasin jo në të mirën tonë.
—
Radniçke novine; 30.5.1914:
Ndaj të gjitha fenomeneve në Ballkan, gazetaria jonë ka mbajtur një qëndrim shovinist.
****
Krh. Srpske novine, br.135, 20.Qershor 1876, Fq.61:
Thelbi i tërë kësaj që u tha më lart lidhur me Serbinë dhe propagandën e saj politike, nga një anë, dhe shqiptarëve nga ana tjetër, qëndron në pretendimet e Serbisë ndaj tokave shqiptare, fillimisht të Nishit dhe të Toplicës. Për t’i fshehur këto qëllime të Serbisë, princi i saj Millan Obrenoviçi shpresonte në nxitjen e urrejtjes mes serbëve dhe shqiptarëve. Edhe në proklamatën e tij në qershor të vitit 1876, në prag të fillimit të luftës serbo-turke, ai pohonte se: “Serbia ishte e detyruar ta fillonte luftën “mbrojtëse” nga sulmet e pareshtura shkatërrimtare të hordhive të egra bashibozuke shqiptaro-çerkeze”. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016