Nga Uran Butka
Pjesa e parë
Memorie.al / Mustafa Gjinishi ishte një personalitet i shquar dhe i veçantë i së majtës progresiste shqiptare, në luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ai u bë i tillë, si rrjedhojë e traditës atdhetare e demokratike të trevës së Peqinit dhe të familjes Gjinishi, produkt i kohës, i cilësive dhe e vullnetit të tij të pazakonshmëm. Familja Gjinishi, ndikoi në formimin e Mustafait të ri. Babai i tij, Ademi, mori pjesë aktive në ngritjen e flamurit kombëtar më 26 nëntor 1912 në Peqin. Ai ishte delegat i Peqinit, në Kongresin e Lushnjës, në vitin 1920 dhe mbështetës i krahut demokrat. U vra nga njerëzit e Shefqet Vërlacit, në vitin 1923.
Në diturinë e Mustafait, ndikoi veçanërisht daja i tij, Mahmud Kaziu, nënprefekt i Peqinit dhe firmëtar i Pavarësisë më 1912, si dhe vëllai i madh, Rexhepi, që ndiqte mësimet në Liceun francez të Korçës. Vetë Mustafai, ndoqi mësimet e mesme në Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë, në vitet 1924-1930, në profilin e arsimit, por ai shkëlqeu në të gjitha drejtimet. Drejtori Harri Fultz, e vlerësonte shumë, jo vetëm për rezultatet e shkëlqyera, por edhe për karakterin, pjekurinë, diturinë (qysh në shkollë zotëronte disa gjuhë, si: anglisht, gjermanisht frëngjisht, italisht, etj.) dhe idetë perëndimore.
Ai e quante Mustafanë; “student, me koncepte si në Perëndim”. Studenti Gjinishi, u bë mendja dhe shpirti i revistës “Laboremus”, ku botoi edhe përkthimin e tij në anglisht të “Lahutës së Malcis”, të Gjergj Fishtës dhe vlerësimet për të. “Ashtu si Anglia është krenare për Bajronin, Miltonin dhe Shekspirin, Gjermania për Gëten e Shilerin, Italia për Danten e Virgjilin, Spanja për Servantesin.., ashtu është edhe Shqipëria krenare për Gjergj Fishtën”! (Revista ‘Laboremus’, korrik 1929).
Gjithashtu, si drejtues i Klubit të Letërsisë së shkollës, Mustafai inicioi edhe botimin e revistës letrare e shkencore “Shekulli XX”, ku shkruan edhe penat e njohura si; Mid’hat Frashëri, Skënder Luarasi, Tajar Zavalani, etj. Pas mbarimit të shkollës Teknike, çeli në Tiranë një librari me literaturë përparimtare, po ashtu edhe në Kavajë, si edhe botonte shkrime të thukta, në gazetat e revistat opozitare “Bota e Re”, “ABC”, “Jeta dhe kultura”, “Rilindja” “Flaka”, “Besa”, etj.
Gjinishi ra në kontakt me idetë komuniste, në modë në atë kohë dhe me mbartësit e tyre: Hasan Reçin, Demir Godellin, Riza Cerovën, Petro Markon, etj., si edhe bashkëpunoi me ta si opozitar. Dënohet dy herë me burg, për motive politike, mandej, kur ishte në burg, dënohet me vdekje, për pjesëmarrje në Kryengritjen e Fierit në vitin 1935, dënim që iu kthye me burgim të përjetshëm. Mustafai u përgjigj: “Unë kam dhjetë muaj në burg, ku nuk është e mundur të hysh në marrëveshje me kurrkënd jashtë. Kërkoj pafajësinë”! (AQSH, Fondi 257, D.17/fl.3) Edhe në burg, gjen mundësinë e studimit. “Kohën e shkoj duke lexue e mësue”, i shkruante motrës Xhemile. U lirua në vitin 1938.
Mustafai nuk e pranoi pushtimin fashist të Shqipërisë, mori pjesë në demonstratat e para të prillit 1939 dhe mandej u arratis në Jugosllavi, bashkë me Myslim Pezën, Haxhi Lleshin, Mustafa Kaçaçin, Hamit Shijakun, etj. Atje ata ra në kontakt me Drejtorinë e Veprimeve të Aleatëve (SOE) dhe atasheun ushtarak britanik, Xhulian Emeri, që organizuan një grup prej mëse 300 antifashistësh, dhe me në krye baritanikun, Oklli Hill, hynë në Shqipëri, në prill 1941, për të nxitur kryengritjen antifashiste. Është për t’u theksuar se ky projekt, ishte një koalicion forcash, që përbëhej nga krahu i djathtë (Abaz Kupi), qendra (Gani Kryeziu) dhe krahu i majtë (Mustafa Gjinishi). (Shih: Xhulian Emeri, ‘Bijtë e Shqipes;, Londër 1949).
Pikërisht në këtë kohë nis veprimi politik i Mustafa Gjinishit, për realizimin e kryengritjes së përgjithshme në Shqipëri, në bashkëpunim me gjithë forcat antifashiste dhe e koordinuar me aleatët perëndimorë. Vendosja e Mustafa Gjinishit në Pezë, ishte e rëndësishme, pasi ajo ishte bërë vatra kryesore e Luftës Antifashiste. Nuk është e rastit që në mars të vitit 1941, italianët organizuan një operacion ushtarak ndëshkimor, në zonën e Pezës. Çeta nacionaliste e Myslim Pezës, vepronte në Shqipërinë e Mesme, ku vepronin edhe çetat nacionaliste të Ismail Petrelës dhe Shyqyri Pezës, vëllait të Myslimit.
Mustafai u bë komisar i çetës së Pezës dhe kjo u inkuadrua në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Komandanti Myslim Peza, e donte si djalin e vet Mustafanë, madje e dhe Xhemilja, u bë partizane e ksaj çete, si edhe mjaft peqinas të tjerë. Një nga aksionet e çetës ishte edhe lirimi i të burgosurve politikë nga burgjet e kampet e internimit. Në këtë vështrim duhet parë edhe lirimi prej Mustafait, nga kampi i internimit, i komunistit malazez, Miladin Popoviç, i cili ia “shpërbleu” më vonë, duke i ngrënë kokën. Aksione të tjera kundër italianëve, bëri çeta edhe në Peqin, Kavajë, Pezë, Shijak, etj.
Mustafai luftoi trimërisht edhe kundër pushtuesve italianë, edhe atyre gjermanë, madje në betejën e Arbanës, kundër gjermanëve, u plagos në krah. Po aksioni i madh politik i Mustafa Gjinishit dhe i Koço Tashkos, është organizimi i Konferencës së Pezës, më 16 shtator 1942. Ishin idetë e Mustafait, për një front të përbashkët antifashist dhe bashkëpunimin me nacionalistët, në luftën për çlirim.
Enver Hoxha, ishte ende figurë e dorës së dytë (“Mora një pusullë nga Miladini, ku më thoshte të lajmëroja filanin e filanin, se do të bënim konferencë. Kur shkova në Pezë, qenë përgatitur referatet…! Unë dola të lexoja atë referat, por që ta mbroj tezën, jo”- rrëfen Enver Hoxha), ndërsa vetë Miladini qëndronte jashtë shtëpisë ku u zhvillua konferenca, ndërkohë që Mustafa Kaçaçi, Ramadan Çitaku dhe Haxhi Lleshi, ndërhynë që Miladini, të mund të hynte brenda si dëgjues. (AQSH, fq.14 D.5, Viti 1942).
Është meritë e Gjinishit, që në këtë konferencë të Partisë Komuniste Shqiptare, të merrnin pjesë si individë edhe nacionalistë, të ftuar e miq të Mustafait, si; Abaz Kupi, Ismail Petrela, Azis Çami, Baba Faja Martaneshi, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Muço, Halim Begeja, Xhemal Herri, etj., duke i dhënë konferencës ngjyra pluralizmi politik. Ajo zgjodhi Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, me kryetar Kamber Qafëmollën dhe sekretar Mustafa Gjinishin e, të përbërë prej 8 vetësh: tre komunistë: Ymer Dishnica, Enver Hoxha e Mustafa Gjinishi dhe pesë nacionalistë: Myslym Peza, Baba Faja, Abaz Kupi, Ndoc Çoba dhe Kamber Qafëmolla.
Konferenca e Pezës, që hodhi themelete Frontit Nacional-Çlirimtar, ishte një premisë bashkëpunimi mbi bazën e platformës pluraliste të “bashkimit të të gjitha forcave të popullit shqiptar, pa dallim feje, krahine apo bindjeje politike”. Gjithashtu, vendimmarrja në këtë konferencë për luftë imediate kundër okupatorit, duke e lënë pas luftës zgjedhjen e formës së regjimit dhe marrjen e pushtetit, krijoi mundësi mirëkuptimi e bashkëpunimi me faktorët e tjerë politikë e luftarakë në luftën për çlirim. Mirëpo klika e Enver Hoxhës, e nxitur edhe nga jugosllavët dhe lufta për pushtet, e tradhtoi platformën e Konferencës së Pezës, e vuri Frontin Nacional-Çlirimtar, nën udhëheqjen e kontrollin e PKSH-së, i përjashtoi nacionalistët, madje pesë nga tetë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, i shpalli tradhtarë dhe i eliminoi fizikisht, përfshirë edhe Mustafa Gjinishin.
Në vitin 1943, raportet politike dhe ushtarake kishin ndryshuar mjaft. Italia fashiste po kapitullonte, ndërsa një pushtues tjetër, po shfaqej në horizontin shqiptar, ai gjerman, madje me një masakër të llahtarshme në Borovë, në korrik 1943. Në vend dominonin dy organizata politike dhe luftarake antagoniste: ‘Balli Kombëtar’ dhe ‘Fronti Nacional-Çlirimtar’, me gjithë mbështetësit e tyre. Ishte një imperativ i kohës, bashkëpunimi mes tyre. Madje ky bashkëpunim në luftë, nisi nga poshtë. Gati në të gjithë trevat, u bënë marrëveshje lokale dhe luftime të përbashkëta kundër pushtuesve, sipas traditës shqiptare (Korçë, Gjiirokastër, Tepelenë, Librazh-Polis, Vlorë, Mat, Lurë, etj.).
Mustafai e kuptoi këtë nevojë të kohës dhe e vazhdoi përpjekjen për bashkimin e të gjithë faktorëve shqiptarë në luftën për çlirim. Ai bashkëpunoi me nacionalistë brenda Frontit, si; Ymer Dishnicën, Abaz Kupin, Shefqet Bejën, Sheh Karbunarën, etj., dhe jashtë Frontit, me përfaqësues të ‘Ballit Kombëtar’, si; Mid’hat Frashërin, Ramazan Jaranin, Hasan Dostin, e të tjerë, duke u bërë elementi kryesor bashkues.
“Njerëzit tanë na raportonin, – shkruante Enver Hoxha, – se Mustafai takohej me Lumo Skëndon, Sheh Karbunarën, Abaz Kupin e të tjerë. Bënte takime me turli njerëzish: bejlerë, disa prej të cilëve të deklasuar, disa simpatizantë me Lëvizjen, disa antikomunistë të lindur e, të vendosur. Mustafai kishte muhabet të madh me Ismail Ag Petrelën dhe shtëpinë e tij në Tiranë, e kishte bazë…! Mustafai nuk di të bëjë dallimin mes komunistëve dhe nacionalistëve. Ai arrin të kritikojë proklamatat, që sipas tij, nuk kanë mjaft nacionalizëm brenda. Çudi?!
Ai ka një mendim të tillë se; ‘Lufta jonë e sotme na qenka vetëm luftë për solidaritet e internacionalizëm dhe jo luftë për të mirën e popullit shqiptar”! (Konsulta e parë e PKSH-së, 8 prill 1942)
Muatafai ishte një komunist me tharm nacionalist, që shihte në radhë të parë interesat e vendit e të popullit, ishte një demokrat, që bashkëbisedonte edhe me kundërshtarët politikë, për interesat madhore të kombit dhe preokupohej për një Shqipëri demokratike, ishte një antifashist i vendosur, që drejtonte luftën për liri, por luftonte edhe vetë, një koordinator i vlefshëm i Aleatëve Perëndimorë dhe veçanërisht i britanikëve, që ndihmonin Luftën Antifashiste, si edhe kundërshtar i metodave terroriste dhe politikave jugosllave, ndaj Shqipërisë.
Ishin përvijuar dy drejtime brenda PKSH-së dhe Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, njëri i moderuar, human dhe me sens kombëtar, ku rreshtohen; Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Omer Nishani, Anastas Lulo, Sejfulla Maleshova, Gjergj Kokoshi, Myslim Peza, etj., ndërsa në grupimin tjetër, bënin pjesë komunistët stalinistë, ekstremistë të përbetuar dhe me sens terrorist, si; Enver Hoxha, Koci Xoxe, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, Ramadan Çitaku, Hysni Kapo, Shefqet Peçi, Kristo Themelko, Liri Gega, e të tjerë, që ishin vegla të bindura të komunistëve jugosllavë, Titos dhe të dërguarve të tij, Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës.
Deri në Kuvendin e Mukjes, kryesisht dominonte krahu demokrat, që shpuri edhe në bashkëpunimin me nacionalistët dhe aktorët e tjerë të Luftës Antifashiste dhe në Marrëveshjen e Mukjes, gusht 1943. Natyrisht, për arritjen e Marrëveshjes së Mukjes, ndikuan edhe faktorët e jashtëm: Koalicioni i madh Antifashist, sidomos misioni britanik e amerikan në Shqipëri, që kërkonte bashkimin e gjithë shqiptarëve, në luftë kundër nazifashzmit.
Mustafa Gjinishi, i quante kundërshtarët politikë dhe faktorët e tjerë jashtë Frontit, si pjesë të popullit dhe të luftës së përbashkët dhe jo si armiq. Me propozim të Abaz Kupit dhe mbështetjen e Gjinishit, Këshilli i Përgjithshëm Nacional- Çlirimtar, e quajti të nevojshme aleancën politike e ushtarake me ‘Ballin Kombëtar’ dhe vendosi në korrik 1943 të bënte takimin me përfaqësuesit e ‘Ballit Kombëtar’, përcaktoi çështjet që do të bisedoheshin në Mukje’ si edhe delegacionin, në përbërje të të cilit ishin; Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Abaz Kupi dhe Myslim Peza.
Po ashtu edhe Kryesia e ‘Ballit Kombëtar’ e mirëpriti aleancën me Nacionalçlirimtaren dhe caktoi përfaqësuesit e vet, me Mid’hat Frashërin në krye. Pra ishte një vullnet i përbashkët që prodhoi Marrëveshjen e Mukjes. Kjo marrëveshje kombëtare’ është një nga më të rëndësishmet në historinë shqiptare, sepse bashkoi dy të kundërtat, dy ekstremet politike kundërshtare, për interesa madhore kombëtare dhe mori vendime tejet të rëndësishme për atë kohë, por edhe për të ardhmen:
- Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri Aleatëve të Mëdhenj; Anglisë, SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik, si edhe të popujve të shtypur, kundra pushtuesit barbar.
- Luftë për një Shqipëri të Pavarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuara nga Karta Atlantike të vetëvendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike.
- Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.
Komiteti për Shpëtimin e Shqipënisë, do të vazhdojë luftën tue udhëhequn popullin shqiptar, në rrugën e sakrificës dhe të nderit deri në formimin e një qeverie provizore.
Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit, me anën e një Asamblejeje kushtetuese të zgjedhur me sufrazh universal direkt. (Proklamata e Mukjes, AQSH, F.14, Dosja. 21, Viti 1943). Gjinishi u zgjodh unanimisht, sekretar i Kuvendit të Mukjes. Ai luajti një rol të rëndësishëm. në realizimin e marrëveshjes. Ymer Dishnica, kryetari i delegacionit, i shkruante nga Mukja Enver Hoxhës, ndër të tjera:
“Një takim paraprakisht ka zhvilluar ‘Tafari’ (Mustafa Gjinishi, shënimi im – U.B.) me Mid’hat Frashërin dhe Hasan Dostin, në favor të tezës sonë…! Qëndrimi i Mustafës në mbledhjen e Mukajt ka qenë fare i mirë, i ka mbrojtë vendimet tona me ashpërsi dhe gjallëri të madhe…! Tafa ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojë si jo më mirë. Ky është jo vetëm mendimi im, por edhe i ‘Hysenit’ (Pseudonimi i Gogo Nushit, shënimi im, U.B.), që ka asistuar si delegat në të gjithë debatet. Ky është edhe mendimi i delegatëve të tjerë…! (Letra të Ymer Dishnicës, AQSh, Fq.14 D.21, V.1943).
Ndërsa Enver Hoxha, nën diktatin e emisarëve jugosllavë, e quajti tradhti Marrëveshjen e Mukjes dhe gjithashtu tradhti edhe qëndrimin e Ymer Dishnicë, Mustafa Gjinishit dhe i dënoi ata në Konferencën e Dytë të Labinotit (4 shtator 1943), ku i shpalli edhe luftë ‘Ballit Kombëtar’, legalistëve dhe gjithë atyre që luftonin jashtë Frontit, kundër pushtuesve, duke i quajtur armiq e bashkëpunëtorë me pushtuesin, kur disa ditë me parë kishte nënshkruar me ta në Mukje marrëveshjen e bashkëpunimit.
Enver Hoxha e quajti Mustafa Gjinishin edhe spiun të anglezëve, me të cilët ishim aleatë gjatë luftës. Është absurde dhe trashanike politika dyfytyrëshe e Enver Hoxhës, që, në njërën anë e quante Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, si pjesë e Koalicionit Antifashist dhe kërkonte e merrte mbështetje politike, ushtarake, materiale dhe në flori nga misionet britanike, nga ana tjetër, i akuzonte britanikët për tradhti, ndërsa Mustafa Gjinishin, si agjent të tyre! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm