Nga Qerim Lita
Pjesa e dytë
DOKUMENTE / Kur e gjithë bota raportonte për demonstratat e 1981-shit
Memorie.al / Në analizat dhe komentet perëndimore, ngjarjet në Kosovë, si zakonisht janë vendosur në kontekstin e situatës së përgjithshme në Jugosllavi, Ballkan e më gjerë. Lidhur me këtë, janë ripërtërirë spekulimet e vjetra për të ardhmen e Jugosllavisë “post-Titos” dhe për implikimet e shumta të ngjarjeve të Kosovës, në marrëdhëniet midis blloqeve në rajonin e Ballkanit…! Dhuna dhe terrori policor-ushtarak jugosllavë mbi demonstruesit shqiptarë në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1981, tronditi opinion e atëhershëm demokratik perëndimor. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si “Amnesty International”, “Komiteti për Botën e Lirë” e të tjera, tashmë Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, e vendosën në mesin e atyre vendeve, që shkeleshin të drejtat dhe liritë njerëzore.
II
Në bisedat interne, bashkëbiseduesit evropiano-lindor, e kanë theksuar arsyeshmërinë e sjelljes sonë të “fortë” e të vendosur, ndaj veprimtarisë kundërrevolucionare. Është interesante që gazetarët evropiano-lindor në Jugosllavi, nuk kanë treguar as çfarë interesimi e as që i kanë komentuar ngjarjet në Kosovë.
Është karakteristike edhe ajo se, nuk kanë treguar interesim as për organizimin e vizitave të gazetarëve në Kosovë dhe janë përpjekur që këtë temë, ta fusin në planin e dytë. Me rastin e ngjarjeve në Kosovë, shtypi sovjetik ka vazhduar me trendin e informimit të përmbajtur dhe fakto-grafik, për situatën e përgjithshme politike në Jugosllavi.
Mediat sovjetike kanë publikuar vetëm gjashtë informacione për ngjarjet në Kosovë, të cilat i kanë publikuar të gjitha gazetat qendrore. Raportimet për ndodhitë në Kosovë, janë bazuar në deklaratat e udhëheqësve tonë më të lartë dhe në shkrimet e shtypit tonë, ndërsa tonet e vetme polemizuese janë paraqitur në kritikën e “Pravdës”, dërguar artikullit të Tesliqit, që e botoi “Borba” (ku dy blloqet “barazohen” dhe në mënyrë indirekte lidhet me ngjarjet e Kosovës). Është karakteristike që mediat sovjetike, e përcollën vlerësimin se demonstratat kanë pasur karakter nacionalistë, por nuk u vu në dukje për përmbajtjen e tyre irredentiste.
Gjithashtu, janë lënë anash edhe dënimet e atyre demonstratave nga ana e kombësisë shqiptare, klasës punëtore dhe nga mbarë kombet e kombësitë e RSFJ-së, ndërsa nuk përmenden as edhe të arriturat në zhvillimin e Kosovës. Në shtypin sovjetik thuhet gjithashtu se; veprimtaria e elementeve kundërrevolucionare, është organizuar nga “qendrat e huaja të spiunazhit”. Mirëpo, në asnjë shkrim nuk nënvizohet përzierja e Republikës Popullore të Shqipërisë; përmendet vetëm ajo se Jugosllavia i ka dërguar protestë Shqipërisë, lidhur me sulmin ndaj ambasadës sonë në Tiranë.
Është indikative se Radio-Moska në gjuhën shqipe publikoi një tekst ku theksohet se në një periudhë të mëhershme, Shqipëria pavarësinë e saj e përforconte me ndihmën e BRSS-së. Është karakteristike se BRSS-ja, në asnjë moment nuk e fajëson Perëndimit për mundësinë e përzierjes në ngjarjet e Kosovës, e as që demonstratat anti-jugosllave, tolerohen në Perëndim, që do të ishte në përputhje me qasjet e mëhershme propagandistike të BRSS-së…”!
III
Vendet e pa inkuadruara, ngjarjeve në Kosovë u kanë dhënë një publicitet tepër të kufizuar. Në disa vende është raportuar përmes transmetimit të informatave të shkurta të agjencive perëndimore, kryesisht të karakterit korrekt, ndërsa në disa nuk pati asnjë lajm për ngjarjet në Kosovë. (Edhe në këtë situatë përsëritet fakti i njohur se; “nuk disponojmë me të dhëna të mjaftueshme për raportimet rreth Jugosllavisë në vendet e pa inkuadruara”: ose nuk është shkruar, ose ato shkrime nuk janë evidentuar nga ana e korrespodentëve të Tanjug-ut dhe ambasadave tona).
Një qëndrim kaq të ndryshëm ndaj ngjarjeve të Kosovës, të çon kah konkluzioni se pjesa më e madhe e vendeve të pa inkuadruara, nuk e ka pasur plotësisht të qartë se, cilët kanë qenë qëllimet e irredentëve shqiptarë, ndërsa nuk kanë dashur që me shkrimet e tyre, ta lëndojnë Jugosllavinë. Është karakteristike që në asnjë shtet, nuk ka ardhur deri te përcaktimi midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, megjithëse në disa vende të pa inkuadruara, morën publicitet edhe qëndrimet e Shqipërisë.
Në disa vende të pa inkuadruara, siç është India, në kohë të fundit po shkruhet gjithnjë e më pak për Jugosllavinë. Duke raportuar për ngjarjet në Kosovë, shtypi indian, përcolli kryesisht lajme të shkurta të agjencive perëndimore, duke i vërë në dukje disa fakte, por duke mos i sqaruar shkaqet e ngjarjeve në Kosovë. Interpretimi jo objektiv të këtyre ngjarjeve si dhe situata e përgjithshme në Jugosllavi, është përfshi edhe në gazetën “Hindu”, e cila ka pohuar se trazirat në Kosovë janë vetëm një “protestë të studentëve kundër jetës së ulët të standardit dhe jetës luksoze të funksionarëve partiak”.
Ngjarjet në Kosovë, në mjetet e informimit publik kubanez, morën një publicitet të madh, mirëpo skajshmërisht të njëanshëm, kështu që mbi bazën e artikujve të publikuara nuk kanë mundur t’i shohin shkaqet esenciale të trazirave. Gazeta partiake “Granma”, transmetoi kryesisht të dhënat tona për situatën serioze, për numrin e të lënduarve etj., por edhe informacionet e agjencisë shqiptare ATSH. “Granma” nuk e publikoi se situata në Kosovë është duke u qetësuar, e as atë se në çfarë lloj dënimi, u hasën elementet kundërrevolucionare në Jugosllavi.
Qëndrimi tendencioz ndaj Jugosllavisë shihet edhe përmes publikimit të të dhënave të pasakta, citimit parcial të burimeve tona të caktuara dhe shndërrimin e shkakut të trazirave në prapa-mbeturinë ekonomike të Kosovës (“Bohemija”). Në mjetet e informimit, nuk pati asnjë fjalë për përzierjen e Shqipërisë në ngjarjet e Kosovës. Mirëpo, në bisedat interne, kubanezët kanë theksuar se te ta, së tepërmi është zgjeruar pikëpamja se, Shqipëria ka qenë e detyruar të përzihet, sepse nuk ka mundur ta injoroj “situatën në të cilën jetojnë një milionë shqiptarë në Jugosllavi”.
Mediat egjiptase, nuk kanë informuar gjerësisht për ngjarjet në Kosovë, mirëpo në informacionet e publikuara, kanë marrë qëndrim jo objektiv ndaj Jugosllavisë. Gazetat “Al Ahram” dhe”Al Musavar”, shkruajnë se këto ngjarje, paraqesin “paralajmërimin e errët për shkatërrimin e tërë sistemit jugosllavë” dhe se “Jugosllavia ende është duke jetuar nën frikën e humbjes së udhëheqësit të saj Tito”. Për ngjarjet në Kosovë, një koment tepër armiqësor e publikoi “Video-pres servisi” i Kajros, duke i shfrytëzuar burimet e ambasadës shqiptare.
Përfaqësitë diplomatike shqiptare në vendet e pa inkuadruara, veprojnë në mënyrë shumë sulmuese, përmes distrubuimit të materialit propagandistik, megjithëse nuk hasin në mbështetje zyrtare. Në këtë drejtim, Shqipëria nuk ka arritur të bëj hapa më të mëdha propagandistike, sepse në vendet e pa inkuadruara vlerësohet se ngjarjet në Kosovë, e cenojnë integritetin e Jugosllavisë, ndërsa në shumicën dërmuese të vendeve të pa inkuadruara, ekziston disponimi që Jugosllavia, të ngelet stabile dhe e pa inkuadruar.
IV
Mjetet e informimit kinez, për ngjarjet në Kosovë kanë informuar shumë pak, por në mënyrë shumë korrekte. Fillimisht, mediat kineze iu shmangën faktit, që Republikën Popullore të Shqipërisë, ta lidhin me këto ngjarje, sikurse edhe të shkruajnë për ashpërsimin e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare. Pas vendosjes së eksplozivit në Ambasadën tonë në Tiranë, mediat kineze gjithnjë e më shumë e zbuluan rolin e Shqipërisë, i transmetuan qëndrimet tona dhe në këtë mënyrë kontribuuan në thyerjen e aktivitetit propagandistik të Shqipërisë.
V
Përshkallëzimi i propagandës anti-jugosllave shqiptare, lidhur me ngjarjet në Kosovë, në mënyrë eksplicite i zbuloi qëllimet strategjike të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ndaj Jugosllavisë. Karakteristikat themelore të propagandës shqiptare ndaj Jugosllavisë janë:
– qasja propagandistike e përgatitur dhe e përpunuar mirë me shfrytëzimin e dokumenteve dhe të fakteve historike të shtrembëruara;
– porositë propagandistike janë të formuluara asisoj saqë te një pjesë e popullsisë shqiptare në Kosovë arrijnë një efekt tepër të madh, kjo tregon për aftësinë e propagandës shqiptare për t’iu përshtatur shfrytëzuesit të informacionit;
– në fillim të ngjarjeve në Kosovë, porositë propagandistike lëshoheshin herë pas here, që më pas të kalojnë në një fushatë e cila i përfshiu të gjitha temat për Jugosllavinë dhe marrëdhëniet jugosllasvo-shqiptare;
– Në planin ndërkombëtar, Shqipëria zhvilloi një aktivitet të gjerë me qëllim të internacionalizimit të problemit dhe diskreditimit të vendit tonë.
Në Shqipëri, veprimtaria propagandistike është e sinkronizuar me zhvillimin e aktiviteteve kundërrevolucionare në Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Qëllimi i Shqipërisë ka qenë që forcave irredentiste dhe kundërrevolucionare në Kosovë, t’u jepet mbështetja e plotë dhe të bëhet përpjekja për destabilizimin e vendit tonë, me qëllim të realizimit të pretendimeve territoriale ndaj RSFJ-së dhe për “bashkimin e të gjithë shqiptarëve”. Që të mund t’i realizoj këto qëllime strategjike, Shqipëria në propagandën e saj është përpjekur që:
– ta stimuloj nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar në Kosovë, nxisë trazira dhe ta akuzoj “udhëheqjen serbe” për “shovinizëm dhe gjakderdhje”; gjithashtu ka dashur të shkaktoj ndarjen midis kombeve dhe kombësive tona;
– ta diskreditoj sistemin e vetëqeverisjes socialiste dhe politikën e pa inkuadruar të Jugosllavisë, rrethanat ekonomike në vend t’i paraqes si shumë të rënda dhe se zgjidhjen e çështjes nacionale ta gjykoj si tërësisht të gabuar;
– të krijoj përshtypje rreth “politikës së rrejshme të fqinjësisë së mirë që po e udhëheq me Jugosllavinë”, e në fakt ndaj Jugosllavisë vetëm se ka udhëhequr politikë të dyfishtë – përmes deklarimit për marrëdhënie të mira fqinjësore, vazhdimisht është përzier në punët e brendshme të vendit tonë dhe ka nxitur aktivitete armiqësore.
Pandershmëria e politikës dhe e propagandës shqiptare shihet në atë se, Shqipëria para opinionit botëror, u përpoq të krijonte përshtypjen e mosndërhyrjes në punët e brendshme të Jugosllavisë, prandaj fajin për përkeqësimin e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare, ia hodhi Jugosllavisë. Në linjën e përpjekjes së diskreditimit të Jugosllavisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, Shqipëria përpiqet ta internacionalizoi “problemin e Kosovës”.
Për këtë arsye në Tiranë u hodh teza; “për lidhjen e shovinizmit serbomadh dhe hegjemonizmit sovjetik”, që të mund Jugosllavia të akuzohet si faktor i destabilizimit dhe çrregullimit të ekuilibrit në Ballkan. Pavarësisht izolimit të Shqipërisë, propaganda shqiptare mundi të arrijë një depërtim në botë.
Përpjekjet e saj për ta diskredituar Jugosllavinë, në mesin e vendeve të pa inkuadruara, nuk patën rezultate të dukshme, por ajo arriti rezultate të caktuara në Perëndim, kështu që në qarqe të caktuara, nuk kuptohet përse Kosova nuk do mund të bëhet republikë!
Në arritjen e atyre qëllimeve, Shqipërisë madje nuk u pengua as nga fakti se i nxiti demonstratat anti-jugosllave të emigracionit fashist, pra Shqipëria nuk u dënua në Perëndim për nxitje të aksioneve terroriste kundër Jugosllavisë dhe qytetarëve të saj, në botën e jashtme.
Edhe pse ditëve të fundit vihet re një rënie cilësore e propagandës shqiptare (reagon thuajse përditë, me më pak argumente madje edhe kontradiktore), mund të pritet se ajo do ta vazhdoj fushatën anti-jugosllave.
Prandaj, nevojitet reagimi ynë mirë i paramenduar, i organizuar dhe i matur. Për këtë qëllim janë formuar dy grupe (pranë Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komunistëve të Jugosllavisë dhe pranë SEF-it) për udhëzimin dhe programimin e veprimtarisë informativo-propagandistike ndaj Shqipërisë dhe ndaj botës së jashtme”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm