Memorie.al / Familja Kongoli ose siç njihet ndryshe, Kooli, ka marrë këtë mbiemër si rezultat i një bime që rritej në arat e saj, shumë shekuj më parë. Sipas historisë së familjes, rezulton se, dy djemtë e parë që përkujtohen me emra, ishin berberë. Aliu, njëri prej tyre është dhe gjyshi i Adhurimit një prej mësuesve të njohur të matematikës në Elbasan. Adhurimi, tregon se, familja e tij ruan shumë histori qysh nga fillim shekulli XX-të e deri më sot. Për shkak të disa rrethanave, kjo familje u nda në dy pjesë, në të angazhuar në Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe në të paangazhuar. Një pjesë u persekutua, ndërsa pjesa tjetër u përkrah nga regjimi komunist. Por edhe kjo e fundit nuk do t’i shpëtonte persekutimit, disa vite më vonë. Nga kjo familje kanë dalë Abdyl Kongoli, krijuesi i shoqërisë së parë private në Shqipëri, shoqëria e duhanit SAIDE, kompozitori i njohur Baki Kongoli dhe së fundi shkrimtari me emër, Fatos Kongoli. Kjo familje ka nxjerrë mësues e inxhinierë.
Historia e familjes
Adhurim Kongoli, djali i Abdylit, tregon rrënjët e familjes dhe vazhdimin me peripecitë që i ndoqën. Siç tregon Adhurimi, dy vëllezërit, Ali dhe Mahmut Kooli, ishin berberë. Mahmuti, pati dy fëmijë, Sabriun dhe vajzën, Bizhdanin. Sabriu ndoqi traditën e familjes si berber, ndërsa vajza e tij, Bizhdani, u martua me Mustafa Demirin. Ndërkohë Sabriu, pati dy fëmijë, të cilët u bënë xhandarë.
“Gjyshi im Aliu, u martua dy herë, me gruan e parë pati dy fëmijë: Xhaferrin dhe Abdylin, ndërsa me gruan e dytë, Musain, Bakiun dhe dy vajzat, Dijen dhe Bukurien. Xhaferri dhe Abdyli, morën bursë studimesh për në Turqi, i pari për mjek dhe i dyti oficer. Abdyli, mbaroi akademinë ushtarake në vitin 1912 dhe u caktua në një repart artilerie, me gradën e kapitenit të pare.
Më pas, ai u emërua nënkomandant i njësive ushtarake të para shqiptare, ku komandant, ishte Kamo Sejdini. Në vitin 1915, Abdyli u martua me një vajzë nga fisi Salibasha dhe shtëpinë e kalasë, ua la vëllezërve të tij.
Pasi shërbeu në Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, ai vendos të rikthehet në Elbasan, pasi u emërua si komandant i Xhandarmërisë. Në kohën e kryengritjes së Haxhi Qamilit, ai u arrestua nga forcat tyre, por duke qenë se ishte i vetmi artiljer i shkolluar, falet dhe dërgohet në frontin e Shijakut. Si shumë patriotë elbasanas, edhe ai ishte kundërshtar i kryengritjes rebele, të udhëhequr nga Haxhi Qamili.
Një fakt i tillë, është pasqyruar në vëllimin “Dokumente Historike” të mbledhura nga Lef Nosi, i botuar në nr.8 të vitit 1924. Gjithashtu Abdyli, ka marrë pjesë edhe në atë që njihet në histori si “Revolucioni i Qershorit 1924”, gjë e cila sipas Adhurimit, – dëshmohet edhe nga arratisja e tij në Itali, menjëherë pas dështimit të atij revolucioni.
Abdyl Kooli, emigroi në cilësinë e emigrantit politik dhe një fakt i tillë, është evidentuar në dy letra të demokratit Ahmet Dakli, gjatë kohës që ishte në emigracion. Këto fakte, i konfirmoi Liman Varoshi, në kohën kur ishte drejtor i Muzeut të Elbasanit.
Abdyli, komandoi forcat antizogiste gjatë sulmit për rrëzimin e Zogut në vitin 1924. Me arrestimin e Nolit, ai u arratis në Itali, bashkë me familjen dhe fëmijët: Fatriun, Kujtimin, Gazmendin dhe Adhurimin. Kur Mbreti shpalli një amnisti, Abdyli u kthye, por me kthimin e tij, nuk u angazhua më në politikë dhe as në ushtri.
Abdyli themeloi të parën shoqëri shqiptare, me aksionerë
Gjatë kohës së arratisë në Itali, Abdyl Kooli, mëson sesi mund të funksiononin shoqëritë aksionare dhe se si ato mund të përbënin një biznes të suksesshëm, në fillim të shekullit XX-të. Ishte pikërisht kjo eksperiencë që babait të katër fëmijëve, i shërbeu kur u kthye në Elbasan. Ai e mendoi mirë se duhani, mund të ishte shumë fitimprurës, meqenëse ishte një bimë, kultivimi i së cilës ishte shumë i përhapur në atë zonë.
Abdyli nuk u angazhua më në politikë dhe nuk iu kthye më profesionit të tij, por ndërmori hapin e pare, drejt një biznesi të suksesshëm, shoqërinë e parë anonime të prodhimit të duhanit me shumë aksionerë në Elbasan.
Abdyl Kongoli, mblodhi tregtarët, u shpjegoi idenë e tij dhe i bindi që të kontribuonin si aksionerë. Pas kësaj u ble edhe toka ku filloj të ndërtohet fabrika. Ndërkaq, Ahmet Burburia, dërgohet në Gjermani, për të blerë paisjet e nevojshme dhe makineritë, ndërsa Qazim Xhepa, ishte arkëtar i shoqërisë private.
SAIDE (Shoqëria Anonime Industriale e Duhaneve Elbasan) u krijua në vitin 1927. Kjo shoqëri, e para e këtij lloji në Elbasan, ishte gjithashtu edhe e para në Shqipëri, që ka vepruar në fushën e industrisë së duhanit dhe cigareve.
Në vitin e themelimit, kapitali fillestar ishte 240 mijë franga ari. Fillimisht, kishte 20 punëtorë, ndërsa në fund të viteve ’30-të, arriti deri në 50 punëtorë. SAIDE, mbante lidhje të ngushta me prodhuesit dhe tregtarët e Elbasanit, nga të cilët siguronte lëndën e parë.
Këto lidhje dëshmohen edhe në një dokument të një mbledhjeje të Dhomës së Tregtisë së elbasanit, të mbajtur në vitin 1935, ku merrnin pjesë drejtuesit e SAIDE-s, Abdyl Kongoli, Beqir Rusi, si dhe një grup tregtarësh e prodhuesish elbasanas të duhanit.
Në bilancin e parë të fabrikës, në vitin 1928, ajo rezultoi me fitim dhe u shpërblyen aksionerët e pare, duke tërhequr edhe të tjerë të interesuar, për t’u bërë pjesë e saj. Kryetari i Këshillit të fabrikës, ishte Nazmi Baholli, ndërkohë që kryetar sindikate, ishte Qemal Hoxha.
Abdyl Kongoli, e drejtoi atë shoqëri aksionare prodhuese deri në vitin 1947, kur fabrika u shtetëzua dhe më pas u mbyll për t’u kthyer në Shtëpi Kulture. Ndërtesa ka qenë në këmbë deri vonë, por, për shkak të amortizimit dhe zgjerimit të rrugës, ajo u shemb.
Persekutimi i Abdylit, nga regjimi komunist
Menjëherë pas mbylljes së SAIDE-s, Abdyl Kongoli, dërgohet në punë të detyrueshme në Fushë-Buall, por nuk kalon shumë dhe arrestohet nga Sigurimi i Shtetit. Pasi qëndroi për katër muaj në hetuesi, gjyqi ndaj tij u zhvillua natën e vitit të ri, në fund të vitit 1947, fillimi i vitit 1948.
Adhurimi rrëfen se, babai i tij u përball me tortura nga më të tmerrshmet dhe kur e kuptoi se nuk kishte asnjë shpëtim, u tha torturuesve të tij që, në shtëpi kishte disa dokumente. Një thënie e tillë, shërbeu si një justifikim për të takuar për here të fundit fëmijët. “I shoqëruar nga policët, ai vjen në shtëpi dhe ndërsa ngatërronte vendin, takon një nga një fëmijët. Ajo do të ishte hera e fundit që do ta shihnim, – shprehet Adhurimi.
– “Ai nuk qe angazhuar, por nuk e donte komunizmin. I ngritën disa akuza absurde dhe e dënuan me burgim të përjetshëm. Na u sekuestrua gjithçka, deri dhe veshjet e trupit”, kujton Adhurimi. Ndërkohë Abdyli, dërgohet për të vuajtur dënimin në kampin e Maliqit në vitin 1950 dhe diku nga data 6-7 shkurt të po këtij viti, ai vdiq, pasi vuante edhe nga tensioni. Ndërkaq, familja përfundoi në varfëri të plotë. Tre djemtë e Abdylit shkojnë në Tiranë, ku me shumë peripeci, mundën të vazhdojnë shkollën Pedagogjike.
Familja pas internimit të Abdylit!
Adhurim Kongoli, tregon se, për ta ka qenë e vështirë pas vdekjes së babait. Ai thotë se, edhe pse kërkoi të vazhdonte studimet e larta, e drejta i’u mohua, por u dërgua mësues në Burrel, në vitet 1952-1955 dhe në vitin 1955, në Krujë ku dha mësim për 6 vjet e, më pas në Mamurras, në Thumanë e Derven të rrethit të Krujës. Vetëm kur Shqipëria u prish me Bashkimin Sovjetik, Adhurimit i doli e drejta e studimit për në Institutin Pedagogjik në Shkodër, i cili asokohe ishte vetëm dy vjet.
Pas diplomimit, ai qëndroi në Shkodër pasi u emërua si pedagog në shkollën e mesme Pedagogjike, ku shërbeu për 5 vjet. Më pas u kthye në Elbasan, fillimisht në Labinot e, më pas në Cërrik ku qëndroi për 20 vjet me radhë. Ai u rendit një ndër mësuesit më të mirë të matematikës, ndërkohë, vëllai i tij, Fatriu, mbaroi studimet e larta në Tiranë në degën Kimi Industriale ku me një punë skrupuloze, ai arriti të zbulojë formulën e thjeshtë të shkrepëseve.
Ndërsa Gazmendi, u diplomua për Gjuhë-Letërsi, kurse Kujtimi, ishte mësues në Tropojë, por ishte i sëmurë dhe për një kohë të gjatë qëndroi në spital.
Adhurimi, e ka dashur dhe ka shërbyer me shumë pasion në fushën e arsimit. Ai ka qenë jo vetëm një mësues shumë i mirë i matematikës, por prej 20 vjetësh, ishte edhe një mësues shumë i mire, i gjuhës angleze. Aia dy djem: Admirim Kongolin, (Inxhinier Mekanik), i cili për disa kohë pati shërbyer edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës së Elbasanit dhe Andin, që ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë.
Ndërsa, bashkëshortja e Adhurimit, Bardhoshja, ka shërbyer si në arsimin parashkollor, si edukatore, gjatë gjithë viteve të punës së saj, me një përkushtim të madh, që elbasanasit e kanë për traditë, që nga periudha e Shkollës ‘Normale’.
Baki Kongoli, kompozitori i njohur
Baki Kongoli, një ndër kompozitorët e njohur shqiptarë, u rrit dhe u edukua në një familje elbasanase, me tradita patriotike. Pasi mbaron Shkollën ‘Normale’ ai fillon punë si arsimtar duke dhënë mësim në rrethin e Fierit. Gjatë periudhës së shkollës ‘Normale’, ai mësoi violinën dhe muzika kthehet në ëndrrën e tij, duke bërë që në vitin 1937, të mbarojë Konservatorin e Pavios, në Torino, për violinë.
Krahas saj, merr mësime për kompozicion, orkestracion dhe histori arti. Pas përfundimit të studimeve, ai kthehet në atdhe dhe emërohet pedagog në Shkollën ‘Normale’ për lëndën e muzikës. Nisur nga kjo, ai ngriti dhe drejtoi orkestrën e njohur me violina dhe mandolinë, me nxënës të asaj shkolle.
Me pushtimin fashist të vendit, Baki Kongoli, lidhet me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe në vitin 1943, del partizan. Gjatë një shtetrrethimi gjerman, ndërsa Bakiu ishte në shtëpinë e tij në Kala, bashkë me Musain, (vëllanë e tij), i tha këtij të fundit të rrinte e të kujdesej për gratë e familjes, ndërsa vetë ikën, por nga kontrolli i gjermanëve në çatinë e shtëpisë, u gjet një thes me trakte.
Nisur nga kjo, Musain e arrestojnë dhe e internojnë në kampet naziste gjermane, në Mathauzen, nga ku ai nuk u kthye më, pasi zhduket pa gjurmë! Baki Kongoli, pas çlirimit, u rikthye mësues në ‘Normale’ dhe më pas, u transferua në Tiranë, ku u emërua në disa vende pune me rëndësi.
Bakiu njihet si autor i shumë krijimeve muzikore, si: opereta “Vajza e Portokalleve”, e realizuar në skenën e qytetit të Elbasanit, “Tangoja Shqiptare” etj. Në vitin 1956, zgjidhet sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Gjatë atyre viteve, ai bëri emër të madh si kompozitor, veçanërisht në muzikën e lehtë, por ishte edhe një njohës i mirë i folklorit qytetar.
Më 1967-ën Bakiu caktohet zv/drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, detyrë që e kryen me shumë pasion dhe përkushtim, deri në vitin 1974, që doli në pension.
Ai kishte lidhje me të gjithë muzikantët më në zë të asaj kohe, siç qe rasti i Tefta Tashkos, me të cilën kishte korrespondencë, dhe atë e pati ndihmuar shumë, me këngë burimore popullore. Në fushën e kompozimit muzikor, Baki Kongoli, është autor i rreth 200 këngëve dhe i dy operetave.
Bakiu gjithashtu ka dhënë një ndihmesë të madhe në ngritjen e institucioneve të para muzikore shqiptare, si: Filarmonia, Teatri i Operës dhe Baletit, Konservatori Shtetëror etj. Në vitin 1974, pas arrestimit të ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Ballukut, me të cilin kishte shoqëri, Baki Kongoli përjashtohet nga partia dhe pozicionet drejtuese që mbante. Bakiu ka tre djem, Fatosin, Rolandin dhe Artanin. Fatosi dhe Rolandi, studiuan matematikë-fizikë, ndërsa Artani, ekonomik
Xhaferr Kongoli “Dëshmor” i Luftës
Xhaferr Kongoli, “Dëshmor” i Luftës Nacional-çlirimtare, ka qenë një ndër mjekët e njohur të Elbasanit. Emrin e tij mban sot qendra spitalore e Elbasanit dhe një shkollë nëntëvjeçar. Edhe Xhaferr Kongoli, do të kalonte nëpërmjet bangave të ‘Normales’ e më pas ai i shkoi në Stamboll, për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë.
Pasi u diplomua në Stamboll, Xhaferri u kthye në atdhe, duke filluar punën si mjek në Elbasan. Ai mori pjesë në Lëvizjen e Qershorit në vitin 1924, për të cilën edhe u burgos. Deri në vitin 1929, Xhaferri punoi si mjek në Berat në familjen Zaloshnja dhe më pas, me mbarimin e Luftës italo-greke, u transferua në Elbasan.
Xhaferri u angazhua në Lëvizjen Nacional-çlirimtare dhe u zgjodh kryetar i Këshillit të Nacionalçlirimtar, për Elbasanin. Ai punoi me shumë përkushtim, duke strehuar e mjekuar të plagosurit partizanë. Në vitin 1943, për aktivitetin e tij antifashist, ai internohet në Porto-Romano, ku qëndroi deri në kapitullimin e Italisë fashiste. Në fund të nëntorit 1943, ai arrestohet nga gjermanët dhe pushkatohet nga forcat e Gestapos. Xhaferri, la katër fëmijë: Destarin, Aliun, Engjëllin e Pranverën, të cilët mbaruan të gjithë shkolla të larta.
Fatos Kongoli, propozohet për qytetar nderi
Shkrimtari i mirënjohur Fatos Kongoli, i biri i Baki Kongolit, është nderuar kohët e fundit me titullin me të lartë që jepet në Francë “Kalorës i Legjonit të Nderit”, një vlerësim i akorduar nga presidenti francez, Nikola Sarkozi.
Nëpërmjet përkthimeve nga Edmond Tupja, veprat e Kongolit, si: “I humburi”, “Kufoma”, “Dragoi i fildishtë”, “Andrra e Damokleut”, “Lëkura e qenit”, “Te porta e Shën Pjetrit”, “Hija e tjetrit”, janë njohur në Francë e vende të tjera.
“Do ta quaja një histori adhurimi të heshtur, në largësi”, është shprehur Kongoli, gjatë fjalës së tij, me marrjen e këtij titulli nderi (Legjioni i Nderit është dekorata më e lartë që jepet në Francë. Ajo është krijuar nga Napoleon Bonaparti në maj të vitit 1802 dhe për herë të parë është dhënë në 15 qershor të 1804-s). Fatos Kongoli, (i lindur në vitin 1944), njihet si një nga figurat kryesore dhe përfaqësuese të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Kongoli fillimisht ka jetuar në Elbasan dhe ka studiuar matematikë në Republikën Popullore të Kinës. Siç tregon vetë shkrimtari, “Ne të tre”, është romani i pare i tij.
“E kam filluar ta shkruaj nga fundi i vitit 1983, e kam mbaruar nga fundi i vitit 1984, dhe është botuar nga mesi i 1985-ës. Më kujtohet se, që kur u botua, pati një tirazh të mirë për atë kohë. Libri u prit shumë mire dhe brenda disa muajve, u zhduk nga qarkullimi, për t’u ribotuar vetëm vitet e fundit”, tregon Kongoli.
Ndërkohë novela e tij e parë, titulluar “I humburi” (Tiranë, 1992) përshkruan ngjarjet e marsit 1991, kur gati 10.000 refugjatë shqiptarë, i’u drejtuan brigjeve e porteve detare të Adriatikut e Jonit, për t’iu larguar Shqipërisë së asaj kohe. Një nga romanet e Fatos Kongolit, është “Bolero në Azilin e Pleqve”, libër që është pëlqyer shumë dhe ka marrë vlerësimin e kritikës letrare.
Kohë më parë, ish-Prefekti i Elbasanit, Dr. Shefqet Deliallisi, i ka propozuar Këshillit Bashkiak për dhënie titulli “Qytetar Nderi”, për shkrimtarin e njohur elbasanas, Fatos Kongoli, ku mes të tjerash ai shkruan: “Duke qenë i bindur se ndaj me ju të njëjtin mendim e vlerësim për punën, veprën dhe figurën e shkrimtarit elbasanas me përmasa ndërkombëtare, Fatos Kongoli, ju propozoj që në një nga mbledhjet tuaja të merrni në konsideratë vlerësimin me titullin Qytetar Nderi i Elbasanit. Mendoj se ky vlerësim do të ishte në nderin tonë dhe qytetarëve që përfaqësojmë, pasi z. Kongoli, përfaqëson denjësisht qytetarinë dhe kulturën e qytetit në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar”, shprehet Deliallisi në propozimin e tij.
Ajo gjë u bë realitet më 14 prill 2010, kur ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z, Qazim Sejdini, në një ceremoni ku morën pjesë shumë intelektualë elbasanas, i dorëzoi z. Kongoli, titull “Qytetar Nderi i Elbasanit”. Në fjalën e tij të shkurtër, shkrimtari i njohur u shpreh: “Kam marrë shumë çmime që kanë qenë momente gëzimi për mua, kam pasur kënaqësi që librat e mi janë botuar dhe vlerësuar dhe jashtë Shqipërisë. Por kënaqësia dhe emocioni që ndjej sot në Elbasan me titullin “Qytetar Nderi” është e pakrahasueshme”. Memorie.al