Nga Skifter Këlliçi
Pjesa e katër
Memorie.al/ Më 28 nëntor të vitit 1938, me rastin e festës së Pavarësisë, në një ceremoni ku merrnin pjesë autoritete të rëndësishme të vendit, me një fjalim të mbajtur në mikrofonin e Radio Tiranes, Mbreti Zog i I-rë, përuroi ngritjen e këtij institucioni, që ndër vite u bë kaq i dashur dhe popullor edhe për shqiptarët jashtë atdheut. Me këtë rast, po botojmë dossierin “85 vjet të Radio Tiranes”, përgatitur nga gazetari, publicisti dhe shkrimtari Skifter Këlliçi, i cili ka punuar për 40 vjet në Radio-Tirana, (1959-1999), së pari redaktor dhe pastaj komentator sportiv dhe gjithashtu është edhe autor i librit ‘Historia e Radio-Televizionit Shqiptar’, (1938-1990), botuar në vitin 2003.
Zëra të rinj në mikrofon
Pas Kalipi Plasarit dhe Refik Bezhanit, që ishin folësit e parë në mikrofonin e Radios, në vitet e para pas çlirimit u dëgjuan zëra të rinj: Avni Skrapari, Eleonora Prosi dhe Hysen Vendresha. Sidoqoftë, me zgjerimin e programeve, u ndie edhe nevoja e folësve të tjerë. Kësisoj, Radio Tirana në verë të vitit 1947, shpalli një konkurs ku morën pjesë shumë të rinj. Fitues të konkursit, ishin Haki Beleri dhe Viktori Xhaçka, që u bënë ndër folësit më të mirë të Radios, (kjo e fundit kryesisht për emisionet muzikore).
Duke përjashtuar radio-kronikën e parë në ditën e çlirimit të Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1944 para tribunës, ku parakaluan forcat partizane, për të cilën kemi folur në pjesën e dytë të këtij cikli, termi radio-kronikë, thuajse nuk u përdor në programet e Radios. Mirëpo në programin e datës 16 shtator 1946, lexohet: “Ora 18 – Aksion i madh i Rinisë, radio-kronikë e regjistruar në disqe në rrugën Kukës-Peshkopi”.
Siç kujtonte Emil Plumbi, autori i kësaj radio-kronike, në mungesë të magnetofonit u përdorën disqe të buta deciliti, prodhim gjerman, që gjatë viteve të pushtimit dhe pas, shërbyen për regjistrimin e fjalimeve të udhëheqësve fashistë e komunistë. Me disqe të tilla u regjistrua, me sa dimë, edhe radio-kronika e mësipërme, e para në historinë e Radio-Tiranës. Teknikisht, për përgatitjen e kësaj radio-kronike, ndihmoi inxhinieri italian, Antonio Galeaci. U regjistruan zërat e disa aksionistëve, zhurmat e shpërthimit të minave që ndihmuan për përgatitjen sa më mirë të kësaj radio-kronike.
Deri në vitin 1947, në të gjithë sektorët e Radio-Tiranës punonin mbi 50 punonjës. Drejtor vazhdonte të ishte Petro Kito, nëndrejtor, Findia Veizi, që zëvendësoi Alqi Kriston, shefi i sektorit të muzikës, Mihal Ciko, Mustafa Krantja, që më pas do të bëhej nga dirigjentët më të njohur, pastaj gazetarët Pirro Naçe, Nihat Uruçi dhe bashkëpunëtorë të rinj, si; Mark Gurakuqi, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Jusuf Alibali; në sektorin teknik, Todo Bojdani, Spiro Qirko, Xhafer Zavalani, Met Huta, Kaliopi Prifti, përkthyesit për emisionet ne gjuhë të huaja, Vasil Papajani, Viktor Kraja, Lidia Trendafillova, Lili Adams, Age Bojaxhi, e motra e nënë Terezës, atëherë priftëreshë në Indi, që do të bëhej më pas shkak që kjo përkthyese, të largohej nga Radio dhe të tjerë.
Përpjekje për caktimin e valëve të Radio Tiranës
Nga data 24-28 qershor 1946, Shqipëria mori pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme Kushtetuese në Bruksel, në të cilën delegacionet e radio-difuzioneve të të 26 vendeve të zonës evropiane, duke përfshirë edhe Shqipërinë, miratuan statusin e OIR-it, (Organizata Ndërkombëtare e Radiodifuzionit). Një ndër problemet më të rëndësishme që u shtruan në këtë mbledhje e, në mbledhjet e tjera, që u mbajtën më pas, ishte edhe caktimi i valëve të Radios.
Në mbledhjet e tjera të OIR-it të mbajtura përsëri në Bruksel, Kopenhagen, Atlantik Siti, Gjenevë, Meksiko, u bë një punë e kujdesshme, për të përcaktuar përfundimisht valët e Radios. Në këto konferenca, vendi ynë u përfaqësua nga Petro Kito, drejtor i Radio-Tiranes, që zotëronte shume mirë frëngjishten dhe italishten. Në to u shtrua problemi i planifikimit të frekuencave, për stacionet me valë të shkurtra, të mesme e të gjata.
Në konferencën e Kopenhagenit, të mbajtur në tetor të vitit 1948, u caktuan përfundimisht valët e mesme dhe të gjata për vendet e zonës evropiane. Në fund të kësaj konference, u miratua konventa dhe plani i ndarjes së valëve, i njohur me emrin “Plani i Kopenhagenit”, që hyri në fuqi më 1950. Sipas tij, vendit tonë iu caktuan 4 frekuenca, për t’u përdorur në stacionet e Tiranës, Korçës, Shkodrës dhe Gjirokastrës.
Deri në vitin 1948, Radio Tirana mbante lidhje kryesisht me Jugosllavinë, e cila po përgatitej ta kthente Shqipërinë në republikë të shtatë. Pas konferencës së së Radiodifuzionit Jugosllav, ku mori pjesë edhe vendi ynë, (nëntor 1947), në revistën “Radiopërhapja”, shkruhej kështu: “Kjo konferencë ka rëndësi të madhe për radiodifuzionin tonë. Sikundër në çdo sektor, ashtu edhe në sektorin e radiodifuzionit, vendi ynë do të ketë ndihmën e vlefshme të Jugosllavisë së mareshalit Tito. Prandaj, në zhvillimin e forcimin e Radiodifuzionit jugosllav, ne shikojmë zhvillimin edhe forcimin e radiodifuzionit tonë”.
Por “muaji i mjaltit” midis të dy vendeve, siç dihet, nuk vazhdoi gjatë. Kjo u pasqyrua edhe në marrëdhëniet midis dy radiodifuzioneve. Më 1947, erdhi në Tiranë pa u ftuar, një delegacion nga Komiteti i Radiodifuzionit Jugosllav, i kryesuar nga Zvenko Rusiç. Ai kërkoi që në emisione e Radio-Tiranës të zinin edhe më shumë vend ngjarje nga Jugosllavia titiste. (“Historiku i Radio Tiranës”, revista Radiopërhapja”, nr. 1,2,3. 1952). Dhe ja, më 30 qershor 1948, shpallet Rezolucioni i Informbyrosë, ku Partia Komuniste Jugosllave, cilësohet si agjenturë e imperializmit. Ndërpriten marrëdhëniet midis dy vendeve dhe, doemos, edhe midis dy radifuzioneve. Nuk arrin në portin e Durrësit, radiostacioni me valë të mesme 20 kv., të cilin qeveria jonë e kishte blerë në Francë.
Një fakt i tillë pohohet edhe në një relacion të Drejtorisë së Radifuzionit tonë, drejtuar Kryeministrisë, ku thuhet: “Ky stacion u ble nëpërmjet Jugosllavisë, nga firma franceze “Tomson-Hudson” dhe arriti ne Rijeka. Por me daljen e komunikatës së Informbyrosë, autoritete jugosllave ndaluan nisjen e këtij stacioni për në Durrës dhe e mbajtën për vete”. (AQSH, dosja 4, faqe 155). E njëjta dukuri do të ndodhte në dhjetor të vitit 1961, kur do të prisheshin marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe në korrik të vitit 1978, me Kinën. Shqipëria do të mbetej vetëm. Po ashtu edhe RTSh-ja. Kështu për vite e vite, për shkak të politikës aventurore që ndoqi diktatori Enver Hoxha, në çdo fushë, duke përfshirë edhe fushën e kulturës dhe artit.
Disa nga drejtuesit e Radio Tiranës pas çlirimit
Petro Kito
Pas drejtorit të parë të Radio-Tiranës, Gjergj Bubanit, (1938 deri 1944), i cili në ‘Gjyqin Special’ të një viti më pas, u dënua me gjashtë vjet heqje lirie, drejtori i parë pas çlirimit, që në dhjetor 1944, u emërua Petro Kito. Kishte mbaruar shkollën ‘Normale’ të Elbasanit, ku kishte mësuar frëngjisht, gjuhë që e fliste rrjedhshëm, dhe italisht. Ishte kjo përparësi që i dha mundësi, siç e kemi përmendur më lart, të merrte pjesë në sa e sa konferenca ndërkombëtare, të zhvilluara madje deri në Meksikë, për caktimin e valëve të Radio Tiranës.
Petro Kito, u përpoq të shpinte dhe më tutje përvojën e madhe, të fituar gjatë viteve 1938-1944, që, si e kemi parë, nuk kishte qenë e vogël, për më tepër kur një pjesë e kuadrove, redaktorë e teknikë, vazhduan të punonin në këtë institucion. Dhe rezultatet nuk munguan, pavarësisht se, duke qenë nën trysninë e diktaturës komuniste, emisionet qenë në pjesën dërmuese, të politizuara.
Në periudha të ndryshme, ai pati pranë si nëndrejtorë Alqi Kriston, që më pas do të shquhej si shkrimtar e përkthyes, dhe gazetarin, Findia Veizi.
Nga natyra Petro Kito qe njeri i butë dhe i arsyeshëm. Vlerësonte talentet e reja, kërkonte edhe mendimin e të tjerëve për probleme profesionale. Më 1956, siç u tha më sipër, si anëtar i byrosë së organizatës bazë të partisë të Radio-Tiranës, miratoi diskutimin e mbajtur nga Vehip Demi, shefi i redaksisë së programacionit në Konferencën e Tiranës, ku kritikohej udhëheqja e PPSh-së, që ishte shkëputur nga masat dhe nuk po vinte në jetë vendimet e Kongresit të 20-të, të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Më janar te vitit 1961, ndonëse kishte kërkuar të largohej nga Radio, udhëheqësit e lartë të partisë, e panë të arsyeshme të mbetej si nëndrejtor, kurse vendin e drejtorit, e zuri Thanas Nano, i ardhur nga Komiteti Qendor i PPSh-së. Petro Kito mori një goditje tjetër edhe pas Festivalit të 2-të të Këngës në Radio-Tirana, në dhjetor të vitit 1962, që u kritikua nga udhëheqja komuniste, për ndikime nga muzika dekadente borgjeze. Mbi të ra përgjegjësia se ishte marrë organizimin e këtij festivali dhe kishte lejuar kështu këto gabime.
Më 1966, Thanas Nano, pas thirrjes së Komitetit Qendror të PPSh-së, për të punuar aty ku ka nevojë atdheu, gjeti rastin ta qarkullonte në Elbasan, ku caktua drejtor i Shtëpisë së Kulturës. Sigurisht ishin hapur qitapet dhe ishte kujtuar Konferenca e Tiranës. Themi kështu, sepse qarkulloi nga Radioja edhe Adriatik Kanani, i cili kishte mbaruar studimet për gazetari në Bashkimin Sovjetik, edhe ai një nga diskutantët më të flaktë në Konferencën e Tiranës, kur kishte qenë gazetar në “Zërin e Popullit”. Sidoqoftë, Petro Kito, (1919-1994), mbeti në kujtesën e punonjësve të Radios, si një drejtues i mirë dhe i dashur. Ndryshe nga…
Thanas Nano
Ardhja e Thanas Nanos, në janar të vitit 1961, u prit me ndrojtje në Radio-Tirana. Kishte qenë për 13 vjet, (1945-1958) drejtor i ATSH-së (Agjensisë Telegrafike Shqiptare). Kishte punuar pastaj se për dy vjet, në Drejtorinë e Propagandës së Komitetit Qendror të PPSh-së. Dhe që andej, erdhi drejtor Radios, detyrë në të cilën mbeti deri në janar të vitit 1972, kur ndërkohë, ishte bërë edhe drejtor i përgjithshëm i RTSh-së.
Atë vit u largua me motivacionin konservator, shprehur nga Manush Myftiu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe zv/kryetar i Këshillit të Ministrave, në një mbledhje të kolektivit të RTSh-së, për t’u zëvendësuar nga Todi Lubonja. Mirëpo, pa kaluar mirë një vit, në prill të vitit 1973, u kthye përsëri, drejtpërdrejt me urdhrin e diktatorit Enver Hoxha, si “dorë e fortë”, që do të mënjanonte punën armiqësore të Todi Lubonjës, i cili dënua me 15 vjet heqje lirie, i akuzuar si; “armik i Partisë dhe i popullit”.
Në listën e kandidatëve për postin e drejtorit të përgjithshëm të RTSh-së, hartuar nga drejtoria e shtypit e Komitetit Qendror të PPSh-së, siç shkruan publicisti i i njohur, Marash Hajati, aso kohe instruktor në këtë drejtori, Enver Hoxha bëri këtë shënim: “Në Radio-Televizion, të kthente (me dialekt gjirokastrit), Thanasi. Mangësi profesionale mund të kemi, por proçkat e Todit, nuk do t’i bëjë”. (Marash Hajati, libri “Dera e prapme e shtypit”, faqe 84).
Pavarësisht se ishte dogmatik, Nano, që më 1961-in, miratoi propozimin e Adriatik Kananit, përgjegjës i redaksisë së informacionit, për krijimin e “Revistës Radiofonikë të mbrëmjes”, emision që u bë i larmët dhe cilësor; gjithashtu, miratoi krijimin e sektorit të dispeçerisë, për kontrollimin e emisioneve para transmetimit, dhe, ajo që është më e rëndësishmja, më 1962, miratoi krijimin e Arkivit të Radios, më 1962, ku që prej asaj kohe, në fondin e saj janë ruajtur materiale radiofonike me vlera të çmueshme.
Veç kësaj, ai i dha nxitje edhe futjes së të ashtuquajturave materiale të gjalla, pra, të radio-kronikave e radio-reportazheve, dukuri e rrallë në emisionet e Radios. Veç këtyre, vuri menjëherë në jetë edhe orientimin e Qeverisë, që Radio Tirana, të transmetonte emisione nga ora 8.00, deri 12.00, e nga 16.30, deri më 18.00, të cilat qenë orë të vdekura. Kësisoj, Radio-Tirana nisi të transmetonte emisione pa ndërprerje, që nga ora 5.00, deri më 23.00. Mirëpo personalitetin e tij, e dëmtuan disa tipare negative. Ishte shumë i veçuar, i ngurtë dhe pedant. Krijoi rreth vetes një farë grupi, midis të cilëve servilë dhe mediokër. Luftoi, çuditërisht të aftët dhe u hakmor ndaj tyre. Dihen përplasjet që pati me gazetarët e talentuar; Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, dy gazetarë të njohur në vitet ‘60-të, sidomos për emisionet artistiko-letrare, madje më pas edhe me zv /drejtoreshën e Radios, Nefo Myftiu…!
Përçmoi aftësitë e folësve të Radios, veçanërisht të Vera Zhejit dhe Feride Konomit, duke i detyruar të punonin 8 orë në ditë, kur me vendim të Këshillit të Ministrave, përfshiheshin në kategorinë e aktorëve, dhe duhej të punonin 6 orë…! Luftoi edhe inxhinierë e teknikë, midis të cilëve inxhinier Emil Plumbin, që kishte vënë bazat teknike të Radios së re, të cilin e qarkulloi më 1966 në Durrës dhe më pas, qarkulloi edhe teknikun veteran, Spiro Qirko. Nano nuk u shqua kurrë si gazetar dhe me largimin e tij në janar të vitit 1972, kolektivi i RTSh-së mori frymë, aq më tepër që e zëvendësoi, Todi Lubonja, krejt i kundërt me Nanon, i thjesht dhe i afërm me kolektivin. Por ky kolektiv u ndrydh me rikthimin e Nanos, pas një viti. U rikthye edhe më pedant, më dogmatik dhe hakmarrës, se më parë!
I dëshmoi këto tipare negative edhe kur në fillim të vitit 1975 me qarkullimin e dytë të kuadrit, të orientuar nga diktatori Enver Hoxha, largoi kuadro të talentuar, si; shkrimtarin Ruzhdi Pulaha, kritikun Xhezair Abazi, gazetarët Kliton Gilani, Qemal Xhomo, Albert Shala, Fuat Memelli dhe të tjerë. Madje qarkulloi edhe gazetarë, që për disa vjet do të dilnin në pension dhe që aq shumë i kishin dhënë Radios për vite me radhë, si Findia Veizi, Maqo Afezolli, etj. Në të njëjtën kohë, spastroi edhe tërë ata që i ishin bërë “urë”, sepse tashmë nuk ua kishte më nevojën. Punonjësit e RTSh-së, më së fundi u çliruan në një farë mase, kur në janar të vitit 1976, doli në pension, në moshën 60 vjeç e dhjetë muaj, sërishmi si “dorë e fortë”…!
Ymer Minzhozi
Për gjashtë vjet, (1957-1963), ishte nëndrejtor i Radio-Tiranës. Mund të quhet pa mëdyshje, drejtues-krijues, po të marrim parasysh se ishte komentatori më i mirë politik, për shënimet e ditës dhe komentet javore, që shquheshin për një stil të veçantë. Kjo kishte një arsye. Veç talentit, Minxhozi lexonte literaturë politike dhe artistike në rusisht, gjuhë që e kishte mësuar gjatë studimeve në ish-Bashkimin Sovjetik dhe më pas në italisht, gjuhë qe e mësoi më pas…!
U shqua edhe si reportazhist dhe dashamirës ndaj gazetarëve të rinj. Ndër ta isha edhe unë, gazetar që më 1959-ën në Radio, që krijova marrëdhënie shumë të mira me të. Dhe përfitova nga përvoja e tij. Në fund të vitit 1963, u emërua korrespondent i gazetës “Zëri i Popullit” në Republikën Popullore të Kinës dhe Vietnam. Aftësitë si gazetar dhe shkrimtar, i dëshmoi në disa libra që botoi, e vazhdon të botojë edhe tani.
Nefo Myftiu
Ndonëse nuk qe gazetare, ajo, me t’u emëruar drejtoreshë e Radio-Tiranës, (1967), pati aftësinë të njihej shumë shpejt me veçoritë e saj dhe të afronte, nxiste dhe vlerësonte gazetarët dhe kuadrot e tjerë më të mirë, gjë te të cilën nuk e kishte bërë kurrë Thanas Nano. Megjithëse e shoqja e një anëtari të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, ajo krijonte ngrohtësi në marrëdhëniet me tërë punonjësit. Ishte së bashku me Todi Lubnjën, drejtorin e përgjithshëm të RTSh-së, organizuesja e Festivalit të 11-të, Kombëtar të Këngës në RTSh (1972), që u dënua padrejtësisht nga Enver Hoxha. Si pasojë, në prill të vitit 1973, u shkarkua nga kjo detyrë. Por mbeti në kujtesën e tërë punonjësve të këtij institucioni.
Kiço Pandeli
Mban rekordin në shtypin shqiptar, sepse për 25 vjet, qe drejtor i Radio së Jashtme, (1963-1988), ndonëse, veç një rusishteje të çalë që e kishte mësuar në Bashkimin Sovjetik, ku kishte ndjekur një shkollë partie, nuk qe i zoti të mësonte pakës frëngjisht, a italisht, se për anglisht, nuk bëhej fjalë.Pedant si Thanas Nano, u bë i padëshirueshëm për të gjithë gazetarët e Radios së së Jashtme. Kishte maninë që të vinte dorë mbi shkrimet e tyre, duke qenë vetë një gazetar mediokër.
Nuk kishte më të voglin respekt për përkthyesit e folësit në gjuhë të huaja, aq sa i shkurtoi shpërblimet e tyre, në shuma qesharake. E detyroi përkthyesin e talentuar, Robert Shvarc, të punonte në korridor, në të ftohtë e në të nxehtë. Vuante nga kompleksi i inferioriteti. Por kjo nuk e pengonte të çmohej nga KQ i PPSh-së, si “komentator i shquar politik”. Madje edhe nga vetë shoqja Nexhmie Hoxha, me komente, ndonjëherë të huazuara nga gazetarët vartës. Kur doli në pension më 1988, askush nuk u kujtua në Radion e Jashtme, të ndërmerrte të bënte një takim lamtumire me të…!
Portrete të folësve të parë…!
Kaliopi Plasari (Nushi)
Isha shumë i vogël, jo më shumë se pesë vjeç, kur nisa të dëgjoja për herë të parë emisione të Radio-Tiranës. E, midis tyre, më ka mbetur ende në kujtesë zëri i tingëllueshëm i një gruaje që thoshte: “Këtu Radio-Tirana! Po japim lajmet”!
Ky zë dhe pas tij zëra të tjerë burrash e grash, më kanë shoqëruar deri sa erdhi një ditë kur edhe unë, i dashuruar pas mikrofonit, kërkova të bëhesha folës në Radio Tirana. Dhe arrita.
Madje në gusht të vitit 1958, nisa edhe të lexoja emisionet e lajmeve. Disa muaj më pas më caktuan të lexoja edhe lajmet e orës 22.00, që ishin edhe lajmet e fundit të mbrëmjes. Dhe aty m’u dha rasti të lexoja pikërisht me atë folëse, zëri i së cilës më kishte ngjallur aq kureshtje që i mitur. Kjo ishte Kaliopi Plasari, (Nushi, 1905-1979), që e kemi përmendur në pjesët e para të këtij cikli. Natyrisht që e kisha njohur ato muaj, që kisha nisur të bëja provat para në mikrofon. Por këtë radhë do të lexoja bashkë më të. Dhe, jo pa emocione.
Pasi mbaruam së lexuari emisionin e lajmeve, pata rast t’i shprehja asaj përshtypjet që kisha për të. Vuri buzën në gaz. Kështu u miqësova me këtë grua, tashmë në moshë, që lexonte në të njëjtën kohë edhe emisionin e lajmeve ne frëngjisht, gjuhë që kishte mësuar që në vegjëli, kur kishte jetuar në Francë së bashku me familjen, emigruar atje prej vitesh.
Haki Beleri (1919-2003)
Kemi përmendur më sipër se në një konkurs për folës të organizuar në Radio-Tirana në verën e vitit 1947, fitoi edhe Haki Beleri. Mbas mbarimit të studimeve në ‘Normalen’ e Elbasanit, Hakiu ndoqi studime për disa vjet në Itali, për letërsi, të cilat për shkak të Luftës së Dytë Botërore, nuk arriti t’i përfundonte. I dhënë pas violinës, që do ta shpinte më pas edhe në orkestrën simfonike të TOB-it, ai, si pa dashur, mori pjesë në konkursin në fjalë dhe po ashtu si pa dashur, u pëlqye, e kështu u përcaktua fati i tij, që të jetë vazhduesi i traditës së leximit të lajmit dhe komentit në mikrofon.
Haki Beleri u bë padyshim një zë i veçantë në leximin e lajmeve dhe sidomos të fjalimeve të udhëheqësve tanë dhe të botës komuniste. Për të interesohej drejtpërdrejt vetë udhëheqja, ndonëse dihej, që kishte një vëlla të pushkatuar si nacionalist gjatë Luftës. Dhe ja, një ditë e papritura. Ishte mbrëmja e 6 majit të vitit 1976, kur Haki Beleri, po drejtohej nga studioja e transmetimi të lajmeve, u ndalua nga polici rojës të futej brenda. I habitur kërkoi shpjegime, por atë e mori të nesërmen. Me urdhër nga nga ajo udhëheqje, ai nuk do të lexonte më në mikrofon, për shkak të vëllait të pushkatuar!
Po ringjallej e tmerrshmja luftë e klasave, që i shkonte shumë për shtat edhe drejtorit të përgjithshëm, Thanas Nano. Kështu, kur nuk ishte veçse 55 vjeç, Haki Beleri ky zë i veçantë i mikrofonit, u detyrua të largohej nga Radio-Tirana. E larguan edhe nga TOB-i, ku kishte qenë jo vetëm violinë parë, por edhe përkthyes i operave të tilla, si; “Zonja me kamelie”, “Madamë Baterflai”, “Toska”, “Rigoleto”, “Peshkatarët e perlave”, etj. Dhe të vjen keq kur mendon, se nga zëri i tij ka mbetur vetëm një fragment nga filmi “Ballë për ballë”, sepse të gjitha regjistrimet e teksteve të lexuara nga ai, u zhdukën që atëherë nga Arkivi i Radios, si “zë…armiku”! Para vdekjes së tij në vitin 2003, nga RTSh-ja, u realizua për fat të mirë një emision e plotë, që shpalos veprimtarinë e tij si folësi rrallë të Radio Tiranës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm