Nga Ilirjan Gjika
Memorie.al / Ajo që e bëri të famshëm Jakov Milajn si intelektual, është padyshim libri i tij monument: “Raca Shqiptare”, vepra e parë antropologjike në Shqipëri. Kur u botua ky libër, në ato ditë janari të vitit 1944, autori ishte ende i ri, vetëm 31 vjeç, megjithëse njihej si shok i Migjenit, Petro Markos, Branko Merxhanit, Andrea Varfit, Mitrush Kutelit dhe Vedat Kokonës. E thënë ndryshe, ai ishte pjesë e elitës intelektuale në Shqipërinë e viteve ’30 -‘40. Me një profil të spikatur krijues, ai do të ishte protagonist i një sërë ngjarjeve të kohës, derisa regjimi komunist e detyroi të heshtte, për një periudhë të gjatë kohe, duke e persekutuar dhe spostuar si figurë të kulturës dhe shkencës shqiptare.
Jakov Milaj lindi në 30 Mars 1912 në lagjen ‘Shkozë’ të qytetit të Fierit, në familjen e Naun Milajt, një tregtari të vogël, që jetesën e tij dhe të familjes, e siguronte me punë të ndershme. Fëmijëria dhe rinia e hershme e Jakovit, do të kalonin me shpejtësi në kohë të vështira dhe plot tallaze, si: Lufta e Parë Botërore, Kongresi i Lushnjes, Lufta e Vlorës, ‘Lëvizja Demokratike’ e viteve 1920-1924, etj.
Tek i riu fierak, ndikuan me personalitetin e tyre figura të tilla, si patrioti demokrat, Naum Prifti, kushëri i tij dhe mësuesi i gjimnazit, apo intelektuali i shquar Mirash Ivanaj, ministër i mëvonshëm i Arsimit. Qysh në bangat e shkollës së mesme, Jakovi i ri u angazhua fuqishëm në lëvizjen kulturore, ku për një kohë, do të jetë dhe kryetar i shoqatës kulturore “Besa Shqiptare”.
Përvojën e grumbulluar në Shkodër, si një veprimtar i shquar shoqëror, ai e vuri në zbatim vite më vonë në qytetin e tij të Fierit. Së bashku me studentë të tjerë, si; Jorgji Xoxa dhe Namik Resuli, Jakov Milaj do të ishte nismëtari i organizimit të Shoqërisë Sportive “Apolonia”, ku do të zgjidhej për disa vite edhe kryetar i saj. Aty punoi për organizimin e aktiviteteve sportive, së bashku me Mustafa Kacaçin, të cilin e kishte patur shok qysh në gjimnazin e Shkodrës.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Milaj, shërbeu disa kohë si mësues dhe si sekretar i Komunës Kolonjë. Në këtë kohë, ai nisi të shkruajë dhe të merret me publicistikë, në një sërë gazetash dhe revistash të shtypit shqiptar, si: “Arbëria”, “Përpjekja Shqiptare”, “Gazeta e Tiranës”, “Besa”, “Vatra”, etj.
Në vitin 1935, Jakov Milaj merr pjesë në Kryengritjen e Fierit, ku pas dështimit të saj u arrestua dhe u dënua nga gjyqi special, me burgim të përjetshëm.
Duke përfituar nga amnistia e disa muajve më vonë, ai do të lirohet dhe do të niset më pas për në Itali, ku vijoi studimet në Universitetin e Torinos, për Veterinari. Në Torino, Jakov Milaj, do të ishte njëri prej atyre që ndau çastet e fundit me Migjenin, i cili kishte shkuar për t’u kuruar në sanatoriumin e Tore Peliçes. Në takimin e fundit, Millosh Gjergj Nikolla, i besoi atij dorëshkrimin e poemës “Vargjet e lira”, të cilën Milaj e ruajti dhe e solli në Shqipëri, duke ia dorëzuar së motrës Ollgës.
Me kthimin në Shqipëri, nisi punën si veteriner, fillimisht në fermën e Xhafzotajt dhe më pas në nënprefekturën e Fierit. Gjatë okupacionit italian, Jakov Milaj, kreu për një kohë të shkurtër detyrën e ministrit të Bujqësisë dhe Pyjeve, në qeverinë e kryesuar nga Maliq Bushati, gjatë vitit 1943.
“Si ministër, kërkova që zonat pyjore të shkëputeshin nga administrimi italian dhe që policia pyjore italiane, të zëvendësohej me policinë shqiptare. Kërkesa ime nuk u përfill nga Bushati dhe Pariani, ndaj dhashë dorëheqjen. Ishte një turp ajo Qeveri”, shkruan vite më vonë Jakov Milaj, në kujtimet e tij.
Gjatë periudhës së pushtimit gjerman, Milaj mbeti i pa angazhuar dhe në janar të vitit 1944 botoi librin “Raca Shqiptare”. “Megjithëse Tirana ishte e çoroditur në atë periudhë, çuditërisht qarqet intelektuale e pritën mirë librin”, vijon përsëri ai në kujtimet e tij.
Ndërkohë që në vitin 1945, nën akuzën si kolaboracionist, Milaj u dënua nga Gjyqi Special, me 15 vjet burg. Pasi bëri 6 vjet të tillë, në kampe pune, si në Kamëz dhe Xhafzotaj, u lirua duke përfituar nga amnistitë, por iu nënshtrua internimit, fillimisht në Llakatund të Vlorës dhe më pas në fshatin Shtyllas të Fierit.
Më në fund në vitin 1956, lejohet të vendoset në Fier, së bashku me familjen dhe po këtë vit, nisi të punojë në Ndërmarrjen Bujqësore “Çlirimi”, në të cilën punoi derisa doli në pension.
“E kam njohur doktorin për here të parë në fermën ‘Çlirim’ si një njeri të përkushtuar, intelektual, i cili nuk e kishte për turp që në mes të bagëtive, të jepte kontributin e tij”, theksonte në kumtesën e tij, të mbajtur në sesionin shkencor “Etnogjeneza e shqiptarëve në optikën e veprës së Jakov Milajt”, Prof. Bedri Dedja, në vitin 1995.
Krahas punës së përditshme si mjek veterinari, derisa doli në pension, Jakov Milaj u mor edhe me literaturën profesionale, ku botoi tetë libra mbi blegtorinë, të cilat ishin një ndihmë e çmuar, për plotësimin e njohurive mbi këtë fushë. Vitet e fundit të jetës, i kaloi në Fier, ku me kënaqësi të veçantë priti edhe shndërrimet demokratike të viteve 1990. Vdiq në 2 Janar të vitit 1997 në moshën 85 vjeçare.
Njohës i thellë i shumë disiplinave shkencore, Jakov Milaj, konsiderohej në gjallje, si një “enciklopedi lëvizëse”. Janë me dhjetëra studimet e tij, të botuara në formë librash, broshurash, artikujsh në revista dhe gazeta. Ai iu prezantua publikut dhe rretheve intelektuale, si; historian, publicist, eseist, linguist, etnolog, zooteknik, veteriner dhe antropolog.
Aktivitetin e tij intelektual, Milaj, e nisi në fushën e publicistikës, ku nisi të shkruajë qysh në bankat e shkollës. Artikujt e parë ishin nga historia dhe përkthime të marra nga shtypi i huaj. Mund të përmendim artikuj mbi; Markonin, Letërsinë Bullgare, Qemal Ataturkun, Jetën e Bethovenit, të cilat i përkasin fushës së shqipërimit, kurse nga publicistika historike, mund të përmendim artikuj të botuar në gazetat e kohës, si; “Hymni i Flamurit”, “Dom Ndre Mjeda”, “Zonja Marigo dhe flamuri kombëtar”, “Dita e Flamurit”, “Vlora në 28 Nëntor”, “Tiparet e Ilirëve”, “Kostandin Kristoforidhi”, etj.
Gjatë gjysmës së parë të viteve 1930, Jakov Milaj, punoi si redaktor në gazetat: “Vatra”, që drejtohej nga Timo Dilo dhe “Përpjekja Shqiptare”, e Branko Merxhanit. Pikërisht këtu, ai njohu (siç e përshkruan në kujtimet e veta), në një ditë vere të vitit 1936, në një nga restorantet e Tiranës, atë që do të bëhej një nga miqtë e tij më të ngushtë, Migjenin.
Ndërkohë krahas publicistikës, Jakov Milaj, kishte pasion të veçantë për historinë. Studimet historike ai i nisi fillimisht duke grumbulluar material terreni, për të vazhduar me hulumtime më të gjera dhe punime sintezë. Punime të tilla, si: “Fieri ynë i lashtë”, “Ngritja e flamurit në Fier”, “Kisha e vjetër e Fierit”, “Vrionasit”, “Fieri në luftën e Vlorës”, “Naun Prifti”, etj., përbëjnë sot një nga burimet kryesore për historinë e Fierit dhe rajonit të tij. Gjithashtu kujtimet e Jakov Milajt, për Kryengritjen e Fierit të vitit 1935, ku ai ishte një pjesëmarrës aktiv, janë një nga punimet më të mirë në këtë fushë.
Kështu Jakov Milaj, është i pari që formulon tezën se stacioni i parë i degës jugore të Egnatias, është Fieri, emri i të cilit në antikitet, ishte ‘Ad Novas’. Po kaq intriguese është edhe teza tjetër, që ai e hedh tek studimi i kishës së Shën Gjergjit, ku midis të tjerave thotë se: “Në shekullin XVI, për të përkujtuar emrin e Gjergj Kastriotit, një pjesë e madhe e kishave të Shqipërisë i ndërruan emrat e tyre nga emrat e mëparshëm në Shën Gjergj, veçse për të mbajtur gjallë ëndrrën e lirisë”.
Krahas aktivitetit intelektual, Milaj, punoi me përkushtim edhe në profesionin e tij, duke u shndërruar edhe në një nga personalitetet e kësaj fushe në vendin tonë. Mbasi mbaroi fakultetin në 17 korrik të vitit 1939, ai nisi punën si shef laboratori në Durrës, e më pas në Korçë. Në nëntor të vitit 1939, e gjejmë në Fier, duke themeluar shërbimin Veterinar të kësaj nënprefekture.
Si inspektor veterinar, ai punoi me përkushtim, duke i vënë njohuritë e tij të thella në shërbim të kësaj fushe. Pas Çlirimit, vijoi të punojë përsëri në profesion, fillimisht në Kamëz, Xhafzotaj, Llakatund të Vlorës dhe më pas në Ndërmarrjen Bujqësore “Çlirimi” në Fier, ku qëndroi si kryeveteriner derisa doli në pension.
Përveç punës në terren, këshillave dhe konsultave të panumërta, Jakov Milaj, dha një ndihmesë të jashtëzakonshme në një numër botimesh të shumta të karakterit praktik dhe shkencor. Në vitin 1960, u botua libri i tij: “Si të rritim viça të shëndoshë”, i cili u pasua nga të tjerë libra, që u publikuan nga Shtëpia e Propagandës Bujqësore. Të tilla ishin “ABC-ja e mjelëses” në vitin 1973, “Sëmundjet e derrave”, më 1973 dhe “Shënime mbi pjellorinë e lopëve”, botuar në vitin 1982.
Jakov Milaj ishte edhe autor i një sërë librash shkollore për studentët e degës së Veterinarisë, në Institutin e Lartë Bujqësor. Mund të përmendim: “Rritja e Buallicës”, “Sëmundja e viçave në rritje”, “Mbrojtja e shëndetit të kafshëve bujqësore”, etj. Gjithashtu si autor dhe bashkautor, ai botoi një sërë artikujsh shkencor, në vitet 1965-1981, si në “Buletinin e Shkencave Bujqësore” dhe gazetën “Drapër dhe Çekan”, që botohej në Fier.
Por vepra që e bëri të njohur Jakov Milajn, është “Raca Shqiptare”, e cila është e para monografi antropologjike, në të cilën provohet prejardhja e popullit shqiptar në mënyrë shkencore.
“Çdo shkencë e mirëfilltë, ka prekursorët e saj. Është e vërtetë se antropologjia, si pjesë e shkencave albanologjike, u fut në udhë të mbarë në këto dekadat e fundit, por ajo ka si pionierin e saj, Dr. Jakov Milajn”, thekson për të, Prof. Dr. Aleksandër Dhima (Etnogjeneza e shqiptarëve në optikën e veprës “Raca Shqiptare”, të Dr. Jakov Milaj, Sesion Shkencor, Fier, 24. 04. 1995).
Për mesazhet që sjell “Rraca Shqiptare”, tonet patriotike dhe frymën e pastër kombëtare, vetë autori shkruan se: “Nuk ishte antropologjia, qëllimi kryesor i librit. Në atë kohë në Shqipëri, flitej për çdo gjë, veç për ndjenjën kombëtare, flitej pak”! Ndërsa për këtë libër, Prof. Anton Çeta, i deklaroi autorit 50 vjet pas botimit të tij se: “Në Kosovë, “Rracën Shqiptare” e kemi mbajtur si Ungjill”.
“Raca shqiptare, që ka ruajtur gjatë mijërave viteve kaq pastër gjakun, bukurinë e saj plastike dhe virtytet e rralla shpirtërore, duhet të zbukurohet dhe të përmirësohet shumë më tepër tani, që dallgët e rrepta të kohëve të errëta kanë kaluar dhe priten për të ditë më të bardha”, e përfundon studimin e tij Milaj (Jakov Milaj, ‘Raca Shqiptare’, Ismail Mal Osmani, Tiranë, 1944, f. 151).
Pas botimit të parë në janar 1944, libri “Raca Shqiptare”, është ribotuar tri herë të tjera. Fillimisht në Prishtinë nga “Valton” në vitin 1994, më pas në Tiranë, në vitin 1995, nga “Eurorilindja”, si dhe në vitin 2005, nga Shtëpia Botuese “Uegen”. /Memorie.al