Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të arkitekt Gani Strazimirit me origjinë nga rrethi i Dibrës, i cili në periudhën e Monarkisë së Zogut studioi në Universitetin Politeknik të Torinos në degën e Arkitekturës, por i ndërpreu studimet dhe u kthye në atdhe, për t’u angazhuar në Lëvizjen Antifashiste, fillimisht me njësitet guerile të Tiranës dhe më pas në rrethin e Dibrës, ku shtëpia e tyre ishte një nga bazat më të mëdha të Luftës dhe babai i tij, Ismail Strazimiri, u vra nga gjermanët që bombarduan shtëpinë e tyre me artileri. Dërgimi i Ganiut për studime në Bashkimin Sovjetik menjëherë pas mbarimit të Luftës dhe diplomimi i tij në vitin 1950 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit të Moskës, në degën e Arkitekturës dhe kthimi në Tiranë duke u emëruar si kryearkitekt i Zyrës së Urbanistikës, ku ai u morr me planin rregullues të kryeqytetit, gjë të cilën ai e kishte filluar që në periudhën e studimeve në Moskë, ku kishte konsulencën e dy arkitektëve të njohur rus, Kratjuk dhe Polyakov, të cilët erdhën edhe vetë në Tiranë duke studiuar nga afër terrenin. Përplasja e Strazimirit më pas me specialistët rusë për vendin se ku do ndërtohej Pallati i madh i Kulturës, dhe tërheqja e tij më pas nga ajo punë, duke kaluar te Instituti i Monumenteve të Kulturës, të cilin ai e themeloi vetë dhe përplasja më pas me autoritetet partiake e shtetërore, deri në rangjet më të larta, si ajo me kryeministrin Mehmet Shehu, për prishjen e Bezistanit të Shkodrës, apo Kishës së Shën Mërisë, ku ai bëri denoncimet në Prokurori, duke i konsideruar ato si krime të rënda që duheshin ndëshkuar penalisht.
Nxënës i Paskalit në Shkollën e Vizatimit
Gani Strazimiri, u lind më 9/ V/ 1915, në qytetin e Peshkopisë, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Duke filluar nga viti 1932, Ganiu ndoqi studimet pranë shkollës së Vizatimit në Tiranë, e cila sapo ishte hapur dhe drejtohej nga piktorët e njohur, italiani, Mirio Ridola dhe Andrea Kushi. Lidhur me këtë revista e njohur “Minerva” në atë kohë, midis të tjerash shkruante: “Që tani kemi 4 djem shqiptarë që dëshmojnë talent të spikatur në pikturë”. Skulptori Odhise Paskali, (”Skulptor i Popullit”) në atë kohë ishte mësues i skulpturës në atë shkollë dhe duke parë talentin e djaloshit të ri nga Dibra, Gani Strazimiri, ngulmonte: “ai djalë duhet të ndjekë rrugën e artit, pasi është shumë i talentuar”. (Dhe duket se parashikimi i Paskalit s’ishte i gabuar, pasi shumë vite më vonë, rasti e solli që mjeshtri i skulpturës shqiptare, Odhise Paskali, të bashkëpunonte me Gani Strazimirin, për disa vepra të tij, siç ishin bazamenti i monumentit të “Gjergj Kastriot Skënderbeut” në Tiranë, “Partizani Fitimtar” në Përmet etj).
Lidhur me periudhën e Shkollës së Vizatimit në Tiranë, në një shënim të shokut të tij të klasës, Sadik Kaceli, thuhet: “Gani Strazimirin si nxënës të talentuar dhe punëtor, që nëse do vazhdonte në fushën e pikturës, do të realizonte punë të mëdha. Pikturat e tij shquhen nga kompozimi, ngjyrat e ngrohta plot dritë”. Shumë piktura të Strazimirit, prej kohësh janë pronë e familjes apo dhe miqve të tij. Po kështu edhe Galeria e Arteve në Tiranë ka dy punë të tij, si: “Pazari i vjetër në Tiranë”, vepër e realizuar në vitin 1931, dhe një peizazh i realizuar në vitin 1936. Ndërkohë katër piktura, me të cilat Ganiu fitoi konkursin për nder të “Nënës Mbretneshë”, janë dërguar më vonë në një konkurs ndërkombëtar në Paris, për të përfaqësuar Shqipërinë e Monarkisë së Zogut, por për fat të keq, veprat nuk u kthyen më në atdhe!
Student i Arkitekturës në Torino
Pas mbarimit të Shkollës së Vizatimit, në periudhën e viteve 1936-1940, Ganiu ndoqi gjimnazin e Tiranës, ku u shqua si një nxënës shumë i mirë. Ky ndryshim, pra vazhdimi i gjimnazit, erdhi si dëshirë e të vëllait më të madh ing. Lutfi Strazimiri, që merrte përsipër financimin e studimeve të tij, vetëm nëse ai do studionte për arkitekturë. Kështu nisur nga kjo, Ganiu studioi për tre vite në Fakultetin Politeknik (dega e Arkitekturës) të atij qyteti dhe i ndërpreu ato, pasi në vitin 1942, ai u kthye në atdhe, ashtu si shumë studentë të tjerë shqiptarë që ishin asokohe në Itali, të cilët erdhën për të luftuar kundra pushtimit fashist të vendit. Por gjatë atyre tre viteve, ai ishte një nga studentët më të mirë të kursit të tij, gjë e cila pasqyrohet nga regjistrat përkatës, ku shihen rezultatet e provimeve dhe të gjitha janë me vlerësimin ‘shkëlqyeshëm’. Pas kthimit në atdhe, Ganiu u vendos në Tiranë ku që në qershorin e vitit 1942, ai u angazhua me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë pjesë e njësiteve guerile të Tiranës. Nisur nga aktiviteti i tij i madh në Tiranë, ku kërkohej për t’u arrestuar, me vendim të qarkorit komunist të Tiranës, në gushtin e vitit 1944, ai u dërgua në rrethin e Dibrës, si anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të atij Qarku, pasi shtëpia e tij në atë rreth, ishte një nga bazat me të rëndësishme të Luftës. Nisur nga ky fakt, forcat gjermane e goditën shtëpinë e familjes Strazimiri me artileri, (mortaja) dhe aty mbeti i vrarë babai i Ganiut (Ismail Strazimiri), i cili me njëherë pas mbarimit të Luftës, u shpall “Dëshmor i Atdheut”.
Diplomohet në Fakultetin e Arkitekturës në Moskë
Me mbarimin e Luftës në fundin e vitit 1944, pasi punoi për disa kohë si shef i seksionit Ndërtimit dhe Urbanistikës së rrethit të Dibrës, në fillim të vitit 1945, Gani Strazimiri u dërgua për të vazhduar studimet për arkitekturë në Moskë, të cilat ai i kishte filluar dikur në Fakultetin e Torinos dhe i kishte lënë në vitin e tretë, pasi ishte kthyer në atdhe për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste. Gjatë asaj periudhe që ndiqte studimet pranë Fakultetit të Inxhinierisë (Dega Arkitekturë) në Moskë, Ganiu kishte marrë përsipër të merrej me planin rregullues të kryeqytetit shqiptar, Tiranës, gjë për të cilën ai pati konsekuencën e ndihmën edhe të dy arkitektëve të njohur rus, Kratjuk dhe Polyakov, të cilët erdhën edhe vetë në Tiranë duke parë nga afër gjendjen e qytetit. Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një shkrim i vitit 1952 i gazetarit, Hamdi Petrela, publikuar në revistën “Miqësia”, (botim i Shoqatës së Miqësisë, Shqipëri Bashkimi Sovjetik), ku në mes të tjerash shkruhet:
E gjeta në punë e sipër, kah po vizatonte me laps mbi një letër transparente, do pallate të mëdhenj, të bukur….
– Ç’ka janë këto…?! – e pyeta miqësisht, pasi u njohëm….-
– Pallatet të rinj për Tiranën….
-Ju keni në dorë dhe planin rregullues të Tiranës?!!….
-E kush u’a tha?!…më pyeti dhe më shikoi me sy shqyrtonjës.
-Drejtori, pse nuk është e vërtetë, a?!….Lëshoi një psherëtimë dhe pa u menduar, më tha:
-Ah, ç’jeni ju gazetarët, gjë s’leni pa marrë vesh?!
-Unë për ju kam ndërmend të shkruaj…..
-E çfarë do të shkruani për mua?!
-Që jeni një arkitekt i ri, e që….
-Ma preu menjëherë fjalën: – Ka plot arkitektë këtu. Çdo vit po shtohet numri i tyre….
-Po ju keni në dorë planin rregullues të qytetit tonë të dashur…- U duk se diçka mendonte. Pastaj buzëqeshi dhe tha ngadalë:
-Këtu, secili nga ne ka në dorë një diçka të bukur. Mirë është, p. sh., të shkruani për ndërtimet në qytetin e punëtorëve në Patos. Ja, shikojeni atë djaloshin atje – është inxhinieri i ri, Koço Miho, që këtë vit u kthye nga Bashkimi Sovjetik. Shikoni atë tjetrin përtej, – asht Remzi Skënderi. Ai ka në dorë planin rregullues të Rrogozhinës, qyteti i ardhshëm industrial. Kurse arkitekti Kristaq Sahatçia, ka ndërtimet për vitin 1954 në qytetin e Durrësit. Pse, a më pak interesante janë këto? Në atdheun tonë kudo bëhen ndërtime madhështore.
-E pse të mos shkruajmë mbi planin rregullues të Tiranës? – e pyeta mbas një heshtje të shkurtër.
-Jo, unë s’kam asnjë kundërshtim, bile unë gëzohem, po do t’u lutem që për mua të mos thoni asnjë fjalë.
-Ai bëri një gjest me dorë, dikujt i dha përgjigje për atë çka e pyetën, e vijoi:
-Jemi dakord?! …
-Po! Ju përgjigja pa dashje. Këtu dua t’i jap një sqarim të vogël lexonjësve tanë. Historinë e sipërme të djaloshit unë e kam dëgjue, prej dikujt tjetër. Nga një mik i ngushtë i tij, se ai vetë, s’më foli gjysëm fjale për jetën e tij, për punën e madhe që ka bërë qysh kur ishte student në Moskë, ku mori përsipër të paraqesë planin rregullues të Tiranës, plan i cili më vonë me ndihmën e madhe të arkitektëve të famshëm sovjetik, Kratjuk dhe Paljakov, që erdhën dhe e studiuan në vend Tiranën, u bë konkrete e u aprovua nga Komiteti Ekzekutiv i qytetit të Tiranës, natën e 12 nëntorit 1953”.
Përveç punës së madhe studimore që Ganiu bëri për planin rregullues të qytetit të Tiranës, gjatë periudhës së studimeve në Moskë, ai bëri provime shtesë për konstruksion të banesave civile dhe këtë gjë ai e konsideronte si themel të profesionit të arkitektit.
Refuzon postin e zv/Ministrit të Ndërtimit
Në vitin 1950, pasi u diplomua me rezultate të larta, Gani Strazimir kthehet në atdhe ku emërohet si Krye-projektues në Zyrën e Urbanistikës dhe Projektimit të Tiranës me drejtor, Sali Angonin, i diplomuar në Francë, në periudhën e Monarkisë së Zogut. Dy vjet më vonë, në 1952-in, Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së, vendosi që ai të emërohej në funksionin e zv/Ministrit të Ndërtimit, gjë e cila bëhet e ditur edhe nga dokumenti arkivor ku thuhet:
Projekt-Vendimi mbi emërimin e Nd/Ministrit.
Këshilli i Ministrave i Republikës Popullore të Shqipërisë, në mbledhjen e datës…
Vendosi:
Emërimin e shokut Gani Strazimiri Nd/Ministër i Ministrisë së Ndërtimit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Relacion
Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së, në mbledhjen e saj të datës 18/IV/1952, rekomandon që shoku Gani Strazimiri të emërohet Nd/Ministër i Ministrisë së Ndërtimit.
Kryetar i Degës së Kuadrit
Raqi Shamblli
28/IV/1952
Por me këtë emërim nuk ishte dakord vetë Gani Strazimiri, i cili gjeti mënyrat dhe e refuzoi atë detyrë që i ngarkuan, gjë e cila pasqyrohet edhe në një dokument tjetër (shiko faksimilen përkatëse) ku thuhet:
Dega e Kuadrit Sekret
Landa: Mbi mos aprovimin e shokut Gani Strazimiri, për Ndihmës Ministër i Ndërtimit.
Komitetit Qendror i PPSH-së
(Drejt. Industrisë, Komunik.)
Tiranë
Në përgjigje të shkresës 0048 datë 25/IV/1952, mori në shqyrtim propozimin tuaj për ndihmës Ministër i Ndërtimit, shokun Gani Strazimiri dhe nuk e aprovoj emërimin e t’ija.
Sekretari i Përgjithshëm
Irfan Çelkupa
14/V/1952
Pas refuzimit të postit të zv/ministrit të Ndërtimit, Gani Strazimiri vazhdoi punën e tij si Kryearkitekt i Zyrës së Projektimit të Tiranës, duke u marrë me planin rregullues të kryeqytetit. Por krahas asaj pune voluminoze, në vitet në vijim, ai shërbeu edhe si Shef i Katedrës së Arkitekturës në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Tiranës, ku si docent jepte dhe leksione. Gjatë kësaj periudhe, arkitekti Gani Strazimiri realizoi disa nga projektet, si:
- Projekti i të parit Plan Rregullues i qytetit të Tiranës.
- Projekti i hotelit “Adriatiku” në plazhin e Durrësit.
- (Gjithashtu ndiqte projektimin e hoteleve si “Kruja”, “Apollonia”, “Butrinti”).
- Projekti i ndërtesës të Komitetit Qendror si arkitekt i parë.
- Projekt i pallatit të Shallvareve dhe pallateve “Agimi”.
- Eksperimenton për metoda të reja në ndërtim me një pallat në Tiranë ku janë përdorur tulla në formë S që ul koston e ndërtimit.
Përplasjet me sovjetikët për vendosjen e Pallatit të Kulturës
Por teksa kishte ideuar dhe zbatuar një sërë projektesh arkitekturore, në fundin e viteve ’50-të, për Gani Strazimirin do të fillonin konfliktet dhe përplasjet me specialistët sovjetikë, lidhur me vendin se ku do të ndërtohej Pallati i madh i Kulturës. Ganiu kishte mendimin që Pallati i Kulturës të ndërtohej aty ku sot është ndërtuar ‘Bulevardi i ri i Tiranës’ (ish-Stacioni i Trenit), i cili do të ishte përballë me godinën e korpusit qendror të Universitetit të Tiranës, duke qëndruar në dy skajet ekstreme, nga jugu të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe nga veriu të “Bulevardi Stalin”. (Ai mendonte që përballë Universitetit që përfaqësonte dijen dhe shkencën, në anën tjetër të vihej Pallati i Kulturës që përfaqësonte edhe kulturën popullore). Me këtë rast shqyrtohej dhe qendra historike e Tiranës tradicionale, që quhej ‘Pazari i Vjetër’ të cilën Ganiu mendonte që ajo të restaurohej dhe të zhvilloheshin në dyqane zeje si argjendari, qeleshe punues, kovaç etj. Po ashtu ai thoshte shpesh, që: “Nëse Tiranës i zë malin e Dajtit, e kë mbytur atë”. Ganiu respektonte zgjedhjen e themeluesve të qytetit për pozicionimin e tij, në mënyrë që mali i Dajtit të bënte një sfond të magjishëm për qytetin. Por mendimet dhe idetë e Ganiut që ishte kundër prishjes së objekteve e godinave të vjetra që i përkisnin periudhave të ndryshme kohore dhe stilit të ndërtimit të tyre, pasi ato pasqyronin etapa të ndryshme kohore të zhvillimit të një qyteti, (siç ishin të gjitha ndërtimet e qendrës së Tiranës që u ndërtuan në periudhën e Monarkisë së Zogut, apo dhe para saj), ranë ndesh me ato të arkitektëve sovjetikë dhe duke parë mos aprovimin e idesë së tij nga organet partiake, ai u tërhoq nga projekti për planin rregullues të Tiranës dhe siç dihet tashmë, Pallati i madh i Kulturës u vendos aty ku është dhe sot në qendër të Tiranës, ku u prish ‘Pazari i vjetër’ një monument kulture me vlera të mëdha të trashëgimisë./Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016