Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetetetë
Memorie.al / Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota e me faksimilet përkatëse.
Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive ne hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.
Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje.
Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!
Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.
Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë kësaj ngjarje, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË YMER BERBERIT, KRYETAR DEGE NË DREJTORINË E ZBULIMIT POLITIK TË SIGURIMIT TË SHTETIT, (ATASHUAR NË MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME), NGA ANA E HETUESIT TË MINISTRISË SË BRENDSHME, LUAN BEGA
PROÇES – VERBAL
(DËSHMIE)
Tiranë, më 25 dhjetor 1982.
Unë Luan Bega, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, Ymer Berberin, i biri i Lutfiut dhe i Qerimesë, lindur në vitin 1937, në qytetin e Pogradecit, kandidat i PPSH-së, i padënuar ndonjëherë, me arsim të lartë ushtarak, punëtor në ndërmarrjen “21 Dhjetori”, banues në Lagjen Nr. 5. Rruga “Myslym Shyri”, Pallati 46/1, shkalla 6, Apartamenti Nr. 12, me kombësi dhe shtetësi shqiptare.
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale që kam për dëshmi të rreme, në bazë të nenit 202 të Kodit Penal të RPSSH-së.
DËSHMITARI
Ymer Berberi
Dëshmitari mbasi u pyet, deklaroi: Duke qenë me punë në Drejtorinë e Tretë të Sigurimit të Shtetit, në muajin mars të vitit 1981, jam ngarkuar të shoqëroja Fiqret Shehun, e cila do të shkonte rreth një muaj në Paris, për vizita mjekësore. Kështu jemi nisur nga Tirana rreth datës 26 mars të vitit 1981 dhe me veturë kemi udhëtuar deri në Athinë, Greqi, ku qëndruam 3-4 ditë. Nga Athina me avion, jemi nisur për në Paris, ku kemi mbërritur nga data 1 prill 1981.
Gjatë kësaj kohe që kemi qëndruar në Paris, Jonuz Lutua që bënte pjesë në grupin e shoqërimit të Fiqret Shehut, së bashku me mua, Llesh Rrokun (mjek) e Farije Koçiun, më tha se kishte prerë biletat për të shkuar edhe në Austri dhe Suedi, por nuk e kishte vendosur akoma Fiqret Shehu, nëse do shkonte në këto vende.
Gjatë kohës që unë qëndrova në Paris, Fiqret Shehu është marrë kryesisht me vizita mjekësore e analiza në disa klinika të Parisit, bile kujtoj se në dy raste, ka shkuar edhe për të hequr kallot e këmbëve. Unë kam marrë pjesë në lëvizjet e saj nëpër Paris, qoftë për vizitat mjekësore apo shëtitjet e ndryshme, por në asnjë rast, nuk jam futur në dhomat ku ajo vizitohej nga mjeku. Gjatë vizitave mjekësore, ajo mbante pranë mjekun Llesh Rroku, i cili bisedonte edhe me mjekët francezë.
Në rastet kur Fiqret Shehu ka shkuar për të hequr kallot, unë mbaj mënd se nuk është shoqëruar nga unë apo, persona të tjerë të grupit, mbasi ajo klinikë ishte fare pranë vendit ku banonim në Paris dhe merrte me vete Haxhi Tagën, që ishte punonjës i ambasadës tonë në Paris. Mbasi bëri të gjitha vizitat që pretendoi dhe analizat përkatëse, duke u vizituar edhe nga profesor Miliezi (në shtëpinë e tij), Fiqret Shehu urdhëroi të bëheshim gati për të shkuar në Austri, po prapë për t’u vizituar nga sytë.
Më ka bërë përshtypje gjatë qëndrimit në Paris, fakti se Fiqret Shehu, për ditë apo në çdo dy ditë, bisedonte në telefon me Mehmet Shehun në Tiranë dhe djalin e saj në Suedi, Skënder Shehun dhe kur bisedonte në telefon nuk pranonte njeri në dhomë, duke nxjerrë pretekste të ndryshme. Bisedat telefonike i bënte gjithmonë në orare të caktuara nga ata që e merrnin në telefon.
Në Vjenë qëndruam rreth 4 ditë dhe mbasi u vizitua nga mjekët përkatës sipas kërkesave të saj që ishin të shumta si dhe në Francë, Fiqret Shehu urdhëroi të niseshim për në Suedi, mbasi foli me Tiranën. Në muajin prill kur ishim në Paris, unë së bashku me Llesh Rroku, kemi shkuar nga Parisi në Stokholm të Suedisë, ku do të bisedonim për të caktuar mjekët ku do të vizitohej ajo si dhe vendin ku do të banonte Fiqreti.
Nga data 6 deri 7 maj 1981, nga Vjena kemi shkuar në Stokholm Suedi, ku na priti djali i saj, Skënder Shehu, Gani Kodra dhe personeli i ambasadës sonë në Suedi. Në Stokholm kemi qëndruar rreth 15 ditë, ose më pak. Fiqreti ka banuar në shtëpinë e djalit të saj Skënderit, ku banonte dhe Gani Kodra me gruan, ndërsa unë me mjekun dhe Jonuzin, në apartament tjetër, rreth 5 minuta larg apartamentit të Fiqretes.
Gjatë kohës që kemi qëndruar në Stokholm, Fiqreti bëri vizita mjekësore, që qenë po ato që bëri edhe në Paris. Në Stokholm mua më bëri përshtypje shumë, qëndrimi i Fiqretes, sepse ajo paraqitej shumë e shqetësuar dhe për më tepër vija re se ajo paraqiste një ndrojtje të habitshme ndaj Skënder Shehut, të cilit i bindej për çdo gjë.
Në Stokholm Fiqret Shehu bëri shumë vizita në vende piktoreske, muze, shkoi në opera dhe parqe të ndryshme. Në të gjitha këto vende, shoqërohej nga ne dhe punonjës të ambasadës, si dhe djali i saj Skënder Shehu e Gani Kodra. Gjatë shëtitjeve në vende të ndryshme piktoreske, si dhe në parkun e madh të Stokholmit, Fiqreti, kur ishte me djalin e saj Skënderin, shkëputej nga ne dhe bisedonte vetëm me të.
Më pranë tyre qëndronte vazhdimisht Gani Kodra, ndërsa personat e tjerë që merrnin pjesë në shoqërimin e saj, lëviznin grupe grupe, herë para dhe herë mbrapa, sipas rastit, gjatë shëtitjes. Në Stokholm periferi, kemi qenë dhe në një piknik, si dhe kemi shkuar edhe në qytetin, Upsala. Me sa më kujtohet, nga data 21 maj, Fiqret Shehu u nis për t’u kthyer në Shqipëri, por duke u kthyer nga Danimarka.
Rrugën për në Danimarkë e kemi bërë me vetura, duke u nisur nga Stokholmi në mëngjes, dhe kemi qëndruar në qytetin Goteborg, ku fjetëm në Hotelin “Evropa” të atij qyteti. Në hotel “Evropa”, të Goteborgut, Fiqreti ka fjetur në një apartament që kishte dhomë e paradhomë. Nuk e kujtoj me ekzaktësi, se në çfarë pozicioni ishte apartamenti që fjeti Fiqreti.
Siç u mor me organizimin e vizitave turistike në Stokholm, edhe për hotelin në Goteborg, është marrë vetë Skënder Shehu, i cili e quante veten si përgjegjës dhe nuk bisedonte me asnjë tjetër nga ne, për itinerarin e lëvizjeve. Në Hotel “Europa”, (për atë natë që fjetëm atje), nuk kemi caktuar njeri që të bënte roje natën, sepse Gani Kodra na tha se do të kujdesej ai me Skënder Shehun. Të nesërmen e kësaj nate, do të niseshim për në Danimarkë, po duke udhëtuar me vetura.
Kështu në mëngjes, mbaj mënd se i tërë grupi që shoqëronte Fiqret Shehun në këtë udhëtim, përveç nesh dhe shokët e ambasadës sonë në Suedi, duke filluar nga Sekretari i Parë i ambasadës Kujtim Jaho e të tjerë, ishim të gjithë pranë makinave në hyrje të hotelit. Prisnim që të vinte Fiqret Shehu, e cila ishte së bashku me djalin e saj, Skënderin, në dhomë, si dhe Gani Kodrën, i cili ishte ose duke pritur ata diku brenda në hotel, ose duke shlyer llogaritë, këtë nuk e kujtoj saktësisht, por që doli me vonesë nga hoteli edhe ai, kjo më kujtohet mirë.
Mbasi Fiqreti u nda me djalin dhe ai gati pa u përshëndetur me ne, u largua, u nisëm për në Danimarkë. Në Danimarkë ne kemi qëndruar një natë dhe me avion shkuam në Romë, e prej aty në Tiranë, rreth datës 26 ose 27 maj 1981.
Sa thashë janë të vërteta dhe mbasi i lexoj dhe i gjej se janë shkruar drejt, i nënshkruaj. Memorie.al
Dëshmitari Hetues i
Ymer Berberi Luan Bega
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016