Nga UVIL ZAJMI
Memorie.al / Askush nuk e kishte menduar se ajo ditë e ftohtë janari, gjysmëshekulli më parë, do të shënonte fillimin e një cikli epokal të një futbolli ndryshe në Shqipëri, me mentalitet e stil të ri loje, tejet modern, atletikofizik e argëtues, të ngjashëm me futbollin total holandez të kohës. Cilët ishin 21 nxënësit e parë që krijuan “Shkëndijën”, skuadra surprizë që u shfaq aq befasishëm kur një formacion shkolle, sfidonte pa bujë ato të traditës me rezultate tronditëse?
Si e kujtojnë sot disa nga protagonistët e kohës ditën e parë, ndeshjet e famshme, dashuritë, si u përhap fenomeni “shkëndijas” në Shqipërinë futbollistike, pas viteve ’70-të? Kush ishte Zyber Konçi, strategu që themeloi futbollin si filozofi sportive, duke e kthyer në programe shkollore?
Nga Arjan Hoxha, Petrit Gjoni, te Agron Sulaj, disa nga të paharruarit që nuk jetojnë më. Të rrëfesh për “Shkëndijën”, nuk mjaftojnë dy faqe apo më shumë gazete, ndoshta më shumë se edhe një libër apo film, pasi e tillë ka qenë dhe mbetet historia unike, me futbollistë e trajnerë protagonistë, aktorët kryesorë të saj.
Ideja gjeniale e Zyber Konçit
Nisur nga disa niciativa si krijimi “Dinamoviti i Ri” (1958), kontributi i Xhavit Demnerit e mjaft specialistëve të moshave në rrethe, që kishin krijuar traditën dhe ishin të angazhuar në seleksionimin e fëmijëve të talentuar, hapin cilësor, atë historik, me idenë për hapjen e një shkolle të mesme me profil futbollin, do ta realizonte Zyber Konçi.
I diplomuar në Pragë për Edukim Fizik me specialitet futbollin, trajner i “Dinamos” së Tiranës e, kombëtares në fillim të viteve ’60-të, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, u krijuan kushtet që kjo shkollë të startonte, duke u vendosur pranë Institutit të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, me drejtor Kiço Karagunin, si dhe stafin pedagogjik të saj.
Skuadra do të kishte emrin “Shkëndija”, si një gjetje simbolizuese e përfaqësuese të një brezi plot “shkëndijë”, shpresë e entuziazëm, që do t’i afrohej e servirej futbollit shqiptar. Me ngjyrë jeshile dhe një stemë në gjoks, kjo ka qenë fanella tradicionale e saj në vite.
Fillimi, një njoftim te “Sporti Popullor”
Historia e kësaj shkolle nis kur, në “Sporti Popullor” të 19 dhjetorit 1967, në faqen e katërt, nga Drejtoria e IKF “Vojo Kushi”, jepet njoftimi në pak rreshta, se më 15 janar do hapet Shkolla e Mesme e Mjeshtërisë Sportive. Konkursi do të bëhej nga datat 3-10 janar 1968, sipas grafikut të seleksionimit të bërë më parë.
Gjatë një jave, fusha e futbollit gumëzhinte nga fëmijë, që testoheshin nën vëzhgimin specialistëve të njohur Zyber Konçi, Loro Boriçi, Skënder Dedja, Zihni Gjinali, Skënder. Jareci, Refik Resmja, Sabri Peqini, Anton Mazreku, Ismet Bellova, etj., duke përfshirë edhe specialistë të IKF-së, si ato të atletikës, lojërave me dorë, gjimnastikës, mjeshtrit A. Marko, M. Deliadhisi, Gavrosh Kavaja, mjeku K. Gaqi, etj.
Seleksionimi nga klubet dhe Spartakiada
“Ka qenë një orientim që klubet të seleksiononin fëmijë të talentuar, të datëlindjes 1951-’52. Unë, Zëri, Tufa, Gjonaj ishim te ‘Dinamo’, kur Skënder Jareci’ na thotë se ishim zgjedhur nga klubi për të konkurruar në janar për në Shkollën e Mjeshtërisë”, tregon Mehmet Spahiu, ish-nxënës i asaj shkolle.
Ndërsa Astrit Hafizi, shprehet: “Në qershorin e ’68-ës, zhvillohej Spartakiada e Pionierëve, ku Zyber Konçi, Myslym Alla dhe Anton Mazreku, ndiqnin nga afër elementin e ri për shkollë. Kujtoj se ne të përzgjedhurit nga ky turne e filluam direkt pa konkurs shkollën, sepse emrat tanë kishin shkuar në qytetin ku jetonim dhe në tetor na njoftuan të shkonim në Tiranë”.
Cilët ishin 24 nxënësit e parë
Të gjithë 14-15-vjeçarë: Arjan Hoxha, Shkëlqim Kurti, Petrit Gjoni, L. Tagani, Vasillaq Zëri, Mehmet Spahiu, Bashkim Tufa, Xhoxhi Puka (Tiranë); Vladimir Ajazi, Agron Bulku, Edmond Zalla (Durrës); Bajram Hushi, Fisnik Kosova, Haki Arkaxhiu (Kavajë); Agim Medja, Rustem Koxhja (Shkodër); Agron Sulaj, Leonidha Çuri, Luan Malaj (Vlorë); Gjergji Ballço (Korçë); Milto Gurma (Sarandë).
Këta kanë qenë 21 nxënësit e parë, të cilët, të hënën e 15 janarit, u ulën në bankat e të parës shkollë të mesme me profil futbolli në Shqipëri, e cila, ndryshe nga sistemi arsimor që kishte nisur në shtator, do të startonte pesë muaj më vonë.
Ndërkohë, në shtator të 1968, do të fillonin shkollën edhe 14 fëmijë të grupit të dytë, të datëlindjes 1953: Mustafa Fagu, Astrit Hafizi, Ferit Paçrami, Mihal Konomi, Besnik Çela, Stavri Lubonja, Durim Shehu, N. Barbullushi, I. Stavre, Ll. Lala, Th. Laçi, A. Halili, Dh. Lulo, A. Shapllo. Ndërsa në grupin e tretë, atë të sezonit 1969-’70, do të pranoheshin: Ilir Luarasi, Dashamir Gëzdari, Vasil Bifsha, Dashnor Bajaziti, L. Sherko, F. Skëndo, Vangjel Capo, A. Toqi, A. Qipo.
Kur “Shkëndija” luante në Kategorinë e Parë, edhe pse një skuadër shkollë, kishte njëkohësisht edhe dy ekipe të tjera konkurruese, pjesëmarrëse në aktivitetin zyrtar, një në Kategorinë e Dytë dhe një me të rinjtë, si asnjë klub tjetër.
Në garë, dominim pa konkurrentë
Pasi ka fituar Kupën e “Rinisë”, duke mundur në finale “Dinamon”, më 17 maj 1970, ajo shpallet dy herë kampione me të rinjtë, me diferencë 12 pikë nga ekipi i dytë, “Lokomotiva” e Durrësit, me një golavarazh tronditës (69-7). Ndeshjet i zhvillonte te fusha e shkollës, në terrene jo të përshtatshme, rrallë në stadiume.
E para, edhe në Kategorinë e Dytë në sezonin 1970-’71, kampion pa rivalë, me një dominim absolut, në vjeshtën e sezonit 1971-’72, skuadra fiton të drejtën të luajë në Kategorinë e Parë, me 14 skuadra. Për të forcuar skuadrën, Zyber Konçi afron dy lojtarë të ardhur nga grupi i dytë: Astrit Hafizin e Musa Fagun. Ndihmës, ka Shyqyri Rrelin, ndërsa Bahri Ishka, drejton ekipin që luan në të Dytën.
Futboll spektakolar, një Holandë e vogël
Skuadër e panjohur, që vinte nga Kategoria e Dytë, që reflektonte pak interes e publicitet, aq më shumë për një skuadër shkolle si “Shkëndija”, informacioni ishte minimal. Por futbolli që tregoi shumë shpejt, do të ishte tronditës: spektakolar, i shpejtë, me individualitete, lojë kolektive e harmonizuar, përgatitje e lartë fizike, befasi, qarkullim topi, tipike dhe karakteristika të një futbolli, që po shpërthente në Europë.
Të gjithë që vraponin, markonin, topi nuk adresohej pa mendim, me një mentalitet argëtues e fitues, futboll entuziast, me element atletiko-gjimnastikorë, qëndrueshmëri, forcë, shkathtësi, tekniko-taktik, duke sjellë një tjetër filozofi në futbollin kombëtar, me një stil loje modern, të ngjashëm me atë që ofronte Hollanda, futboll total i saj bazuar në elementet tekniko-fizikë, futbollistë me moshë të re, të talentuar, që drejtoheshin nga një strateg si Zyber Konçi. Shumë shpejt skuadra fitoi simpatinë e tifozëve dhe, në shumë vite, “Shkëndija” e Mjeshtërisë Sportive, u kthye në një “kombinat” të vërtetë futbolli.
Debutim tronditës për “big”-ët
Debutimi ka qenë i jashtëzakonshëm, në veçanti ndaj “Partizanit”, që fitohet 2-1, me dy gola të Sulos e Fagut, në prani të mijërave spektatorë kuriozë, duke shkaktuar një “tërmet” të madh në “Qemal Stafa” për të kuqtë. Por, ndaj “17 Nëntorit”, skuadra thyhet nga një gol i “liverpulçes” tiranase, që ndëshkoi “shkëndijasit”. Renditja përfundimtare: “Vllaznia”, kampione me 40 pikë, “17 Nëntori”, “Dinamo”, “Partizani”, “Labinoti”, “Besa”, dhe në vendin e gjashtë “Shkëndija”, ndonëse pa asnjë eksperiencë e traditë, me 29 pikë (12/5/9).
Pastaj vendi i tetë, në sezonin 1972-’73, në të cilin “Dinamo” është kampione dhe në atë 1973-’74, sërish vendi i gjashtë me 27 pikë, me “Vllazninë”, e para me 37 pikë. Këto janë tre konkurrimet e para historike të “Shkëndijës” në Kategorinë e Parë. Për t’u kujtuar janë edhe disa nga golat historikë, si ato të Gon Sulajt e Muç Fagut ndaj “Partizanit”, të Llaq Zërit ndaj “Vardarit” në Shkup, ku ndeshja filloi dhe mbaroi me topin në këmbët e tij, tregolëshi i Sulajt ndaj “Dinamos”, etj.
Një skuadër plot talente
Në portë Arjan Hoxha, shtatlartë, portier ajri…! Për të vijuar me mbrojtësin energjik Kurti, në daljet në sulm në krah, si dhe Leonidha Çuri nga e majta i zgjuar, i pagabueshëm. Mbrojtjen e kompletonin dy qendrorët; Petrit Gjoni dhe Milto Gurma. Një tandem shtatlartë teknik, i fortë në lojën në ajër e tokë, në dyluftime, të shpejtë, që i jepnin siguri këtij reparti duke u alternuar në mbulime, organizim e daljet përpara. Pastaj mesfusha:
Gjergji Ballço, Astrit Hafizi, ndonëse me karakteristika të ndryshme, ishin në sintoni dhe oksigjen për skuadrën, forcë e fantazi, spektakël: Ballço i palodhur, i kudondodhur; Hafizi organizator, racional me shikim periferik e pasim të saktë, ndërsa Zëri, një ndër talentet më të spikatura që ka parë futbolli shqiptar, për aftësi teknike, ku shquhej si një driblues i jashtëzakonshëm.
Në sulm Agim Bulku, një kursor krahu i shpejtë, ndërsa nga majta Musa Fagu, një tjetër talent, klasik sulmues në atë pozicion. Dhe si qendërsulmues Agron Sulaj, një model i lojtarit golashënues. Elegant, njohës i mirë i zonës, portës, goditës nga të gjitha pozicionet me të dyja këmbët, i fortë në ajër, përplasje. Një 4-2-4, 4-3-3, që ndryshonte sipas rrethanave që ofronin situatat. E tillë ka qenë loja e “Shkëndijës”, ritëm, agresivitet, presion, karakteristika që demonstronte ai grup, titullarë e rezerva.
Derbi kryeqytetit, me “Shkëndijën” bëhen pesë
“Shkëndija” ka meritën se i dha tjetër rivalitet garës dhe takimeve derbi të Tiranës, e dominuar përjetësisht nga treshja “Partizan”-“Dinamo”-“17 Nëntori”. Gjithashtu, në vitet ’70-të, kemi edhe pjesëmarrjen në Kategorinë e Elitës, të disa skuadrave modeste të periferisë së Tiranës, (si “Dajti” i Kamzës, “Studenti” dhe “Tesktilisti” i Kombinatit Tekstileve “Stalin”), të cilat, ashtu si u futën, edhe dolën. Ndërsa “Shkëndija”, qëndroi gati një dekadë.
Madje, në sezonin e parë, atë 1971-’72, në Kampionatin e Kategorisë së Parë, janë 5 skuadra të kryeqytetit, që formojnë derbin e madh: Bashkë me tre historiket, është edhe “Shkëndija” e “Studenti”, madje deri kur “Shkëndija”, ka luajtur në këtë nivel, derbi i një qyteti, në këtë rast ai tiranas, ka pasur gjithmonë katër skuadra, nga më të veçantit edhe në Europë.
Të gjithë në kombëtaret e kohës
Nga kapiteni i parë i saj, Vladimir Gjoni, të gjithë kanë qenë protagonistë të ekipeve kombëtare, Shpresa, e të moshave. Por, i pari “shkëndijas”, që ka luajtur me ekipin përfaqësues, ishte Milto Gurma, kur në Bukuresht, më 29 tetor 1972 (Eliminatoret e Kampionatit Botëror Mynih 1974), trajneri e aktivizoi në mënyrë surprizë në mesfushë, Rumani-Shqipëri 2-0. Ishte një preferencë e trajnerit Myslym Alla, për ta pasur në formacion, pasi e pëlqente mënyrën dhe stilin e tij të lojës. Edhe në Kupën Ballkanike…! “Shkëndija” ka luajtur në Kupën Ballkanike vetëm në një sezon, atë 1972.
Në një ditë me shi, terren të rënduar, kur skuadra greke “Kavalla” vjen në stadium me avion çarter, vetëm pak çaste para fillimit të lojës, regjistrohet debutimi në “Qemal Stafa” i “Shkëndijës” në këtë turne: 5 maj 1972, “Shkëndija” – “Kavalla” 2-1 (Fagu, Bulku).
Formacioni: Arjan Hoxha, Kurti, Petrit Gjoni, Gurma, Bajram Hushi, Agim Bulku, Agron Sulaj, Vasillaq Zëri, Gjergji Ballço, Astrit Hafizi, Mustafa Fagu. Pastaj dy barazimet 1-1 në Shkup e Tiranë dhe humbja 2-0 në “Etnikos” të Kavallës. Renditja: Tri skuadra me katër pikë, por me golaverazh më të mirë në vendin e parë, është “Vardari”, pastaj “Kavalla” e Shkëndija.
Dashuritë dhe moda e “shkëndijasve”…!
Ndonëse të rinj, por shumë shpejt të njohur, kryesisht për banorët, vajzat e zonës përreth shkollës, por edhe gjimnazeve, veçanërisht të “Qemal Stafa”- s, kanë qenë djemtë e preferuar e të admiruar. Nxënëset që dilnin në dritaret e klasave, ndërpritej mësimi kur lojtarët e “Shkëndijës” kalonin, ose gjatë pushimit të madh e, pas shkolle.
Dashuritë e “shkëndijasve” me vajzat e “Rrugës së Durrësit”, por edhe anasjelltas, janë të njohura. Të veshur mirë, djem modern, ata ishin të ftuar në mbrëmjet e të shtunave në gjimnaze, apo në ato vallëzimit te Pallati i Kulturës. Janë fejuar, martuar me bashkëshortet që kanë sot, ende pa mbushur 20 vjetët.
Djemtë e “Shkëndijës”, ishin protagonistë edhe në modë, me veshje moderne, pasi duke dalë jashtë shtetit, u jepej mundësia që të sillnin diçka më shumë dhe krijuan kështu një “look” ndryshe, e që dallonte kur dilnin shëtitje. Një magnetofon, muzikë, flokë të gjatë e barseta, duke imituar futbollistët e huaj në ato vite, por edhe kritika nga drejtues të shkollës, mësues dhe gati çdo të hënë në mëngjes, në rreshtimin e zakonshëm, me “akuzën”; si ndjekës mode, aq sa një pjesë e tyre, do të shkonin te berberi për t’u qethur, pastaj të futeshin në mësim…!
Si skuadër “jetime”!
Shumë e re, pa histori e autoritet, pak tifozë, duke luajtur zakonisht të shtunën, që ishte ditë pune, “Shkëndija” ishte skuadra e familjarëve, shokëve, studentëve të përhershëm në shkallët e tribunës përballë që e ndiqnin në stërvitje, duke e shoqëruar edhe në qytetet e afërt, si Durrës, Kavajë, ku të çonte treni, pasi edhe vetë “Shkëndija” në shumë raste, me tren udhëtonte, madje brenda ditës. Në raste sporadike, merrej hua autobusi i “Studentit”, me shofer Bimin.
Një trajtim modest ushqimor, 80 lekë në mensën e shkollës, ku ishte edhe konvikti, që fillonte me gotën e çajit, pa asnjë mbështetje financiare, mungesë materialesh dhe shpeshherë nga ndeshja e të dielës, në mëngjes në dërrasë të zezë, po në provim.
Por asnjëherë skuadër problematike, polemizuese me arbritrat, kundërshtarë, përkundrazi me mjaft admirues. Një ndër ta ka qenë edhe autori i këtij shkrimi, duke i parë e jetuar nga afër “shkëndijasit”, karrierën, angazhimet shkollore, ato jashtë saj, etj. Madje, fillimet e mia si arbitër, i kam pikërisht aty, kur trajneri i tyre, Shyqyri Rreli, më ofronte të drejtoja ndeshjet e kontrollit, të ditës së enjte.
Si u përhap “Fenomeni Shkëndija”?
Në mbyllje të ciklit 7-vjeçar, në qershor të 1974-ës, pas shkollimit, largohen “shkëndijasit” e parë, duke u kthyer te klubet e qyteteve nga kishin ardhur. Agron Sulaj e Leonidha Çuri, te “Flamurtari” Vlorës, Gjergji Ballço në Korçë, Lad Ajazi e Gim Bulku te “Lokomotiva”, kurse Milto Gurma, pasi qëndroi një vit si asistent pedagog, pastaj kaloi te “Luftëtari”.
Bajram Hushi e Fisnik Kosova te “Besa”, Petrit Gjoni, e Llaq Zëri qëndrojnë te “Dinamo”, portieri Arjan Hoxha te “Partizani” etj. Bashkë me ta edhe trajneri Zyber Konçi, që merr drejtimin e “17 Nëntorit”, ndërsa “Shkëndija” i besohet Shyqyri Rrelit.
Titullarë me klubet ku shkuan, ata i dhanë hov e ndryshim futbollit të qyteteve ku i mirëpritën, duke përcjellë tjetër filozofi e mentalitet dhe ngritur cilësinë sportive, forcuar skuadrat, e mbushur stadiumet me njerëz që vinin për të parë atë çfarë ata demonstronin në fushë. Jo vetëm si futbollistë, por vite më pas edhe si trajnerë të klubeve, deri në ekipet kombëtare si Sulo, Hafizi etj.
Ata që nuk jetojnë
Në vite, dekada, disa prej tyre janë ndarë nga jeta. Arjan Hoxha portieri, vdekja e të cilit edhe sot ka mbetur enigmë. Shkëlqim Kurti, Petrit Gjonaj, Alfred Harxhi, Ardian Arra, Arjan Bakiri, Josif Gjergji, Agron Gjyrezi, Vangjel Capo, por edhe trajnerët Zyber Konçi, Loro Boriçi, Bahri Ishka, Myslym Alla, Thanas Jançe, Miço Ndini, drejtuesit e paharruar të Institutit të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, profesorët, mjekët, punonjës, e mjaft të tjerë, që e krijuan i dhanë jetë një institucioni me vlerë kombëtare historike, njerëz me kontribute sa sportive, aq njerëzore që fatkeqësisht nuk jetojnë më. Memorie.al