• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Saturday, April 1, 2023
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kalendari Historik
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kalendari Historik
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Nga e çara e derës së birucës, munda të dalloja një tufë kafshësh, që kishin vënë përpara të dënuarit, Rexhë Alia dhe Lefter Balldavani, duke i…”/ Dëshmitë rrëqethëse të ish-të burgosurit të Spaçit

“Ja si na i vranë katër shokët tanë të burgosur në kampin e Laçit që tentuan arratisjen dhe fjalimi i komisarit para viktimave…”/ Si e shpërthyen burgun e Fushë-Krujës
Memorie.al
“Ja si na i vranë katër shokët tanë të burgosur në kampin e Laçit që tentuan arratisjen dhe fjalimi i komisarit para viktimave…”/ Si e shpërthyen burgun e Fushë-Krujës
Memorie.al
“Si e sfidoi nëna çame e bashkëvuajtësit tonë, komisarin e Spaçit, kur s’e lejuan të takonte të birin…”/ Rrëfimi i rrallë nga SHBA-ve, i të arratisurit në ’85-ën
“Ja si na i vranë katër shokët tanë të burgosur në kampin e Laçit që tentuan arratisjen dhe fjalimi i komisarit para viktimave…”/ Si e shpërthyen burgun e Fushë-Krujës
Memorie.al
Memorie.al
Memorie.al
0
Shares
518
VIEWS

Nga Tanush Kaso

Memorie.al/ Tanush Kaso ka lindur në vitin 1934 në Tiranë ku babai i tij asokohe shërbente si ushtarak i Monarkisë së Zogut, por origjina e tyre është nga Çamëria. Ai ka mbaruar Shkollën Pedagogjike të Elbasanit dhe në vitin e tretë të Fakultetit Gjuhë-Histori, arrestohet e dënohet me 13 vjet burg politik, i akuzuar për pjesëmarrjen në një grup antikomunist me pikëpamje social-demokrate, ku bënin pjesë edhe Pjetër Arbnori, Uran Kalakulla etj. Pas viteve ’90-të, përveç angazhimit të tij në Shoqatën e ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë, ai ka botuar një mori artikujsh në shtypin e kohës si dhe librat: “Lufta ime” poezi, (1994); “Si me të qeshur”, poezi satirike, (1996); “Kalvari i burgjeve komuniste”, (1998), etj. Shkrimi që kemi përzgjedhur për ta botuar këtu, është marrë nga libri “Kalvari i burgjeve komuniste”.

                                              KOMISARI N…….

Ai ishte shtatlartë e i dobët, si ndonjë pishë, së cilës i ka rënë rrufeja dhe e ka zgavruar. Në krahinën e Korçës, këta drunj të gërryer përbrenda nga zjarri, i quajnë zgërbonja. Prandaj, sapo e panë disa nga shokët tanë korçarë, e pagëzuan me këtë emër. Fytyrën e kishte të zbehtë dhe përherë të mvrejtur, si qielli i Spaçit, ku e kishin emëruar komisar të Repartit 321, të kampit të të burgosurve politikë.

Gjithashtu mund të lexoni

“Ky lloj komunizmi, është kanibalizëm, ku ha njeriu njerinë dhe Enver Hoxha, është si Hitleri, pasi ka 30 vjet me burgje e pushkatime, thotë Gjet Kadeli…”/ Raporti i B.p. “Çezma e Trojës’ në burgun e Burrelit

“Gjet Kadeli tha se; personalitetet më të shquara në burg, janë; Pjetër Arbnori, Nikoll Mazrreku e Simon Jubani, tani po afrohet koha e lirisë dhe ne…”/ Raporti i B.p. “Dardha”, burgu i Burrelit, 1975

Në këtë vend lypej vigjilencë e lartë dhe disiplinë e hekurt; prandaj e kishin zgjedhur si njeriun më të përshtatshëm për këto punë, midis shumë oficerëve të tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dhe nuk ishin gabuar. Ai ishte tepër i zellshëm dhe i përkushtuar në shërbimet që i përkisnin. Shumë serioz me vartësit e tij dhe tej mase i hidhur me të burgosurit.

Gjithmonë në krye të detyrës. Tri herë në ditë kontrollonte rrethimin me tela me gjemba e me truproje të shumta, përqark galerive ku punohej pa ndërprerje. Jepte udhëzime se ku duhej përforcuar rrethimi dhe ku duhej ndryshuar diçka. Kontrollonte zbatimin e urdhrave të tij, me një rreptësi prej oficeri “SS”.

Askush nuk e pa një herë të qeshte. Nuk u ravijëzua kurrë as ndonjë lloj buzëqeshjeje në fytyrën e atij djalli me uniformë oficeri. Vetëm kur ironizonte të burgosurit, mund të shiheshin dhëmbët e tij të mëdhenj e të dalë, si të ndonjë kafshe parahistorike. Nga kapelja ushtarake, i vareshin cullufe flokësh të zeza, që dukej se rriteshin në një terren me pleh të bollshëm.

Në trurin e tij, kishin zënë vend – si në një kosh plehrash – lloj-lloj citatesh të Enver Hoxhës, të Mao Ce Dunit dhe të klasikëve të marksizëm-leninizmit, si: “Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet”, “Asnjë mëshirë për armiqtë e klasës”!, “Lufta e klasave vazhdon edhe në komunizëm.

Ajo zhvillohet edhe në ndërgjegjen e anëtarit të Partisë”, e të tjera si këto. Por, ato, që tani i shërbenin si udhërrëfyese, ishin dy: “Të krijojmë një atmosferë mbytëse për armiqtë e klasës”!, që e kishte thënë Enver Hoxha dhe: “Të burgosurit duhen mbajtur gjithmonë në një gjendje gjysmë të uritur”, siç porosiste Mao Ce Duni i “motrës së madhe”, Republikës Popullore të Kinës.

Të burgosurit e kishin psikologjisur qysh në fillim, se me ç’njeri do të kishin të bënin. E parandienin se ai do t’ua nxinte jetën e nuk do t’i linte as të merrnin frymë. Këtë e panë qysh në fjalimin e tij të parë, të prezantimit, kur ai përdori terma si: “Për ju nuk do të ketë pranverë”!, “Kallashnikovi do të punojë për ne, sido që të vijë situata”, si dhe disa citate e shprehje të tjera, që ai i kishte fort për zemër e që do t’i përsëriste shpesh në fjalimet që mbante herë pas here përpara të burgosurve.

“Zgërbonja” e nisi “punën edukative” me ndryshimin e disa pikave të rregullores, në dëm të të burgosurve. Për t’i stërmunduar ata, futi gjimnastikën e mëngjesit, çdo ditë, para nisjes për në punë; (sikur puna në galeritë e minierës, nuk ishte një “gjimnastikë” kapitëse). Caktoi orar shumë të kufizuar, për qëndrimin në kapanone. Kështu që pjesa më e madhe e kohës së lire, duhej kaluar jashtë fjetoreve; edhe kur frynte murrlani, edhe kur binte shi e dëborë, edhe kur dielli digjte e përvëlonte.

Nëse ishte i lodhur a i sëmurë dhe futeshe në kapanon për të pushuar pak, dënoheshe me një muaj izolim në “birucë” (qeli), ku nuk lejoheshin ushqimet, duhani, rrobat e fjetjes dhe çdo gjë tjetër e nevojshme. Vetëm dy herë në ditë, të dënuarit i jepeshin dy lugë supë e një copë bukë dhe mund të dilte për të kryer nevojën, i shoqëruar nga polici i shërbimit.

Në mbrëmje i jepej vetëm një batanije, sa për të kaluar natën, dhe i merrej herët në mëngjes, pa zbardhur drita. Më parë, atyre që vuanin dënimin në birucë, u lihej batanija edhe gjatë ditës, por sipas “zgërbonjës”, ky ishte një komoditet i tepërt. Prandaj, urdhëroi që ajo të mos lejohej as në ditët e ftohta të dimrit.

Porositi Frrokët dhe Lleshët e kampit, që të kërkonin më shumë llogari për punë. Ai që nuk plotësonte numrin e caktuar me vagonë bakri e piriti, duhej të rrinte dy turne radhazi nëntokë, me polic mbi kokë, gjersa të plotësonte normën. Përndryshe, dënohej me një deri tre muaj izolim, natën në qeli dhe ditën në punë, i mbikëqyrur nga polici. Kjo ishte një “shpikje e re” e zgërbonjës, për realizimin dhe tejkalimin e planit të prodhimit të mineralit të bakrit e të piritit, për të cilin “kishte nevojë atdheu”.

U kufizuan takimet me familjet. U shtuan orët e “punës politike”, ku duhej dëgjuar detyrimisht e përditshmja “Zëri i Popullit” – organ i Komitetit Qendror të PPSH-së si dhe “veprat” e “shokut Enver”, të cilat i lexonte ndonjë i burgosur që kishte “ton” të mirë. Nuk mbetej kohë as për të larë rrobat se shpesh edhe e diela ishte ditë pune, me pretekstin se “nuk ishte realizuar plani”.

“Djalli” i gropës së Spaçit, gjeti edhe mënyra të tjera, për t’i munduar sa më shumë të burgosurit, si shtimin e apeleve (d.m.th. rreshtimi dhe numërimi i të burgosurve), kontrollin e befasishëm të barakave dhe depove të plaçkave personale etj. Nuk donte t’u linte “armiqve” aspak kohë të lirë mbas pune, që të mos bënin “agjitacion e propagandë” e të mos merreshin me “veprimtari armiqësore” dhe atje, në burg, gjë për të cilën ishin ri dënuar disa persona.

Kuptohej se ai kishte marrë “karta bianka”-n nga eprorët e Tiranës, që të bënte ç’të donte me të burgosurit e Spaçit, për t’i mposhtur moralisht e fizikisht dhe për t’i kthyer në kafshë pune; për t’u hequr çdo mundësi rimëkëmbjeje dhe organizimi, në se një ditë do të arrinin të dilnin nga ai ferr, mbasi të mbushnin dënimet e gjata prej dhjetëra vitesh burgimi.

“Tëmënëëë!… – shfrynin korçarët – kush na e solli peshqesh këtë fytyrë të vrerosur? Hajde zgërbonjë, hajde…më t’u mbylltë dera…”?!

Shpesh herë, pyetjeve ironike dhe “me kunj” të të burgosurve, komisari iu përgjigjej prerazi e me fraza standarde, si: “E di Partia”!, “E dimë ne”!, “E di komanda”. Po më shumë i pëlqente të përdorte një shprehje tipike të trevës së Korçës: “Është puna e Zylalit, sa lakra i vë kalit…”! Kjo thënie, edhe pse ishte bërë monotone, sikur i zbaviste të burgosurit dhe i bënte të qeshnin.

– “E moo, pse zbardhni dhëmbët”? – klithte komisari – “Mos u kanë pjellë pelat? Më mirë kujdesuni të mbani kokën mbi supe…”!

Këto të folme fshatarake, të burgosurit i kishin bërë të tyret dhe i përsërisnin për humor, me njëri-tjetrin, nganjëherë edhe vend e pa vend:

– “Sa vagona nxore sot”?- pyeste njëri.- “S’ka ç’të duhet ty”,- përgjigjej tjetri- “ti mbaj kokën mbi supe”! Se “është puna e Zylalit, sa lakra i vë kalit”! Dhe sakaq ia shkrepnin gazit, sado të lodhur e të mërzitur të ishin. Humori ishte një ushqim shpirtëror për të burgosurit. Ai nuk mungonte as atje, në galeritë e errëta të Spaçit, dhe dukej sikur i mbante gjallë ata njerëz të stërmunduar.

– Dalëngadalë edhe nofka “zgërbonjë”, e komisarit, u zëvendësua me emrin “Zylal”. Gjatë bisedave me njëri-tjetrin, të burgosurit e kishin më të lehtë të thonin: “Po vjen Zylali”!, “Ashtu ka urdhëruar Zylali”, “I mora leje Zylalit”, “më dënoi Zylali”, etj…!

Nga ky komisar i kuq, unë ruaj edhe një kujtim të veçantë. Ishte dimri i 1970-ës, kur më dënoi me dy muaj radhazi izolim në qeli, sepse refuzova të punoja në galeritë e piritit, ku – nga nxehtësia dhe gazrat- ndjeja dobësi zemre dhe më rridhte gjak nga hundët. Për këtë arsye, kërkova me insistim vizitë dhe ndihmë mjekësore, nga mjekët specialistë, që ishin në Rrëshen e në Tiranë.

Po në vend që të më çonte atje, ku dërgoheshin nganjëherë për ekzaminim të sëmurët, Zylali e pa të arsyeshme të më rraste në qeli. Kjo, sipas tij, ishte “vetëm sa për të zënë vend e të mos kërkoja më qira në hell”, në se doja “ta mbaja kokën mbi supe”.

Kujtime të tilla nga ai, kanë edhe shumë bashkëvuajtës të tjerë. Prandaj, as që do t’ia vlente ta përmendja rastin tim, sikur të mos kisha përjetuar në atë kohë, një ngjarje të pazakontë.

Në njërën nga ato ditë të paharruara dimri, heshtjen varrezore të asaj gryke të Spaçit, e thyen disa britma, të cilat, fillimisht, nuk po i shquaja dot, në se ishin shtazore apo njerëzore. I shtyrë nga kureshtja e papërmbajtur, mbështeta syrin te një e çarë e derës së birucës dhe në atë copë peizazhi dimëror, me qiell të përhimët, pashë një skenë tronditëse.

Një tufë kafshësh me uniforma, kishin vënë përpara dy të burgosur – Rexhë Alinë dhe Lefter Balldavanin – dhe po i sillnin nga puna me të bërtitura e me të rrahura kafshërisht. “Do të kenë tentuar të arratisen”- mendova- prandaj policët dhe oficerët, me në krye Zylalin, qenkan tërbuar fare. U kishin lidhur duartë nga prapa dhe u binin ku të mundnin dhe sa të mundnin, me këpucët dhe çizmet ushtarake si dhe me bishtat e lopatave, që mbanin nëpër duar.

Urrejtja klasore, të cilën ua nxiste më shumë komisari, me britmat e tij histerike, i kishte shndërruar në ujqër. Zëri i Zylalit jehonte në tërë luginën:- “Bjeruni derrave! Asnjë mëshirë për armiqtë!… Ah, ç’i keni bërë vetes, more maskarenj…! Tani do ta shikoni bythën e mizës…”! Vraponte edhe vetë pas tyre dhe shtrinte ato shalët e gjata, për t’i goditur me shqelma vitheve, kërcinjve e gjithandej…!

Duke u përpjekur t’i shmangeshin sadopak breshërisë së goditjeve të “vëllezërve ujqër”, dy fat keqët vraponin sa mundnin, në drejtim të kampit, nëpër rrugën këmbësore gjithë kthesa e shkurre, që kalonte anës kodrinës. Komisari gulçonte nga lodhja dhe s’pushonte së shari fshatarçe…!

Nga brenda qelisë sime, shikoja me ankth e keqardhje të thellë shokët e mi të vuajtjeve, ashtu siç sheh një dem i lidhur, shokët e tij, që po i çojnë për t’i therur. Për një çast, pashë se ai Lefteri u pengua dhe u shemb përtokë. Shqelmat dhe grushtet e barbarëve ranë egërsisht mbi të. E ngritën menjëherë, siç ngrihet me të goditura, një kalë karroce i rrëzuar…ishte shqyer rrobash dhe gjakosur i tëri… edhe Rexhës ia kishin ënjtur njërin sy dhe nga duart e lidhura me tel, i rridhte gjak…

                                                                                * * *

Kisha disa vjet që isha liruar; dhe një ditë, ndërsa po nxitoja për të shkuar në punë, në minierën e Valiasit, në një nga rrugët kryesore të Tiranës, gati sa s’u përplasa me Zylalin. Ishte veshur civil, me një kostum gri të errët dhe me një kasketë “ala Mao ce Dun”, nga ato që, zakonisht, mbanin veteranët dhe ushtarakët në pension.

Nuk di në më njohu pas aq vitesh, kur “rrobat e rënda të burgut” i kisha këmbyer me xhupin e minatorit të Valiasit. Nuk vura re asnjë ndryshim në fytyrën e tij mavruge, në trupin e tij prej zgërbonje, në qëndrimin e heshtur e të vetmuar, në ecjen me hap të matur prej ushtaraku. Nën qiellin e Tiranës, ishte po aq i vrenjtur, sa nën qiellin e Spaçit. Nuk lexohej asgjë në atë fytyrë ngjyrë dheu, si prej të vdekuri.

Duke u larguar prej tij, instinktivisht ktheva edhe një herë kokën prapa. Ndjeva një urrejtje të pakufishme për të, se më kujtoi dhjetë vitet e humbura në burg, të rinisë sime; vuajtjet pa fund, të shkaktuara nga xhelatë si ai… kisha një dëshirë të marrë për ta shembur përdhe atë krijesë të mbrapshtë, ta shqyeja si ujku prenë e vet. Kjo etje për ndëshkim, më shtohej edhe ngaqë kisha mësuar prej një të burgosuri të liruar kohët e fundit, se shoku ynë i mirë, Lefter Balldavani, nuk do ta shihte kurrë më dritën e lirisë…! Ai kishte vdekur në burg… në rrethana tepër të trishtueshme…!

                                                                               * * *

Para dy vjetësh, “zgërbonjën” e pashë përsëri në Tiranë. Bariste qetësisht dhe i patrazuar, veshur me një kostum blu në të errët. Këtë herë, në kokë mbante një kapele “republike”. Kishte marrë pamjen e një zotnie hijerëndë…! – Më duket se po i ecën mirë edhe në “demokraci”, komisarit tonë…- i thashë një bashkëvuajtësit tim.

– “E pse mos t’i ecë? – m’u kthye ai – Djemtë e tij sot janë bërë miliarderë. Kanë privatizuar, kundrejt një pagesash simbolike, një nga dyqanet më të mëdhenj, një biznes shumë fitimprurës. Me ndihmën e miqve dhe të parave, që i kanë me shumicë, kanë marrë kredi me leverdi dhe kanë ndërtuar në Tiranë e në Durrës lokale me bukuri fantastike, të cilat frekuentohen pa ndërprerje, ditën dhe natën…! “Zylali” ka qenë për turizëm në Itali, Spanjë e deri në Amerikë, të cilën e urrente aq shumë…”!

Gati sa s’më ra pika, nga ato që dëgjova. Ndjeva një dobësim të zemrës dhe një mungesë frymëmarrjeje… si atëherë, në galeritë e piritit, në Spaçin e Mirditës…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend

Previous Post

“Në burgun e Burrelit, policët e Vangjel Rëmbecit, vranë me hunj ish-kryeministrin e Koço Kota, duke i’a hedhur trutë në...”/ Dëshmia e të dënuarit që vuajti 21 vite në qeli

Next Post

Kalendari Historik 14 Tetor 2022

Artikuj të ngjashëm

“Ai u takua me Bardhe Gjomarkaj Bicin te shtëpia e saj në Milot dhe ajo i tha se Gjet Kadelin. e kishte mik e i vinte keq që e kishin arrestuar, pasi ai…”/ Raporti sekret i B.p. “Elida”, shtator ‘72
Personazh

“Ky lloj komunizmi, është kanibalizëm, ku ha njeriu njerinë dhe Enver Hoxha, është si Hitleri, pasi ka 30 vjet me burgje e pushkatime, thotë Gjet Kadeli…”/ Raporti i B.p. “Çezma e Trojës’ në burgun e Burrelit

March 31, 2023
Raporti sekret i B.p. ‘Mbrehja’: “Ai tha se Amerika, i ka çuar forcat në kufi të Bashkimit Sovjetik dhe 150 aeroplanë mbi Rusinë, me qëllim që…”/ Dosja e Sigurimit për Gjet Kadelin, që vuajti 16 vjet burg
Personazh

“Gjet Kadeli tha se; personalitetet më të shquara në burg, janë; Pjetër Arbnori, Nikoll Mazrreku e Simon Jubani, tani po afrohet koha e lirisë dhe ne…”/ Raporti i B.p. “Dardha”, burgu i Burrelit, 1975

March 30, 2023
Memorie.al
Personazh

“Gjet Kadeli deklaron se, është armik i betuar i Partisë e pushtetit dhe bashkë me Pjetër Arbnorin, Daut Gumenin e Uran Kalakulën, ata…”/ Denoncimet e agjentit “Dardha”, në burgun e Burrelit, në ’75-ën

March 29, 2023
Raporti sekret i B.p. ‘Mbrehja’: “Ai tha se Amerika, i ka çuar forcat në kufi të Bashkimit Sovjetik dhe 150 aeroplanë mbi Rusinë, me qëllim që…”/ Dosja e Sigurimit për Gjet Kadelin, që vuajti 16 vjet burg
Personazh

“Përveç se ka shprehur mendimin për terror ndaj udhëheqjes, Gjeta e vazhdon aktivitetin e tij armiqësor, duke kontaktuar me shoferë jugosllavë…”/ Denoncimi i B.p. “Mbrehija”, Mamurras 1972

March 28, 2023
Memorie.al
Personazh

“I pandehuri Gjet Kadeli, së bashku me disa të dënuar të tjerë, nga më kryesorët e aktivët, ka ngritur flamurin në kamp dhe…”/ Vendimi i gjykatës së Rrëshenit, për pjesëmarrësit e Revoltës së Spaçit

March 27, 2023
“Ai tha; tani pritet dita ditës, që vendi ynë të sulmohet, se në afërsi të kufijve tanë në det, kanë ardhur Flota Sovjetike dhe Amerikane, por këta…”/ Raporti i B.p. “Mbrehija” nga Mamurrasi, shtator 1968
Personazh

“Në ’72-in dhe tani në hetuesi, Gjet Kadeli s’është thyer e s’ka folur asgjë, por është dënuar për agjitacion e propagandë dhe tani, mori pjesë në rebelimin e Spaçit…”/ Raporti i Pëllumb Kapos, Krujë ‘73

March 26, 2023
Next Post
Kalendari Historik 1 Tetor 2022

Kalendari Historik 14 Tetor 2022

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2020 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kalendari historik
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!