Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Nga filmat lindorë si “Kapiteni Klos” tek “Në çdo kilometër”, pastaj “Izaura”, “Oktapodi”, ishin disa që pushtuan ekranin televiziv shqiptar të viteve ‘80-të. Mbi të gjithë “Dinasty”, historia e dashurive pasionante që ndiqej fshehurazi në grupe, familje çdo të hënë në mbrëmje. Pa harruar, “This is Amerika” edhe “Tangon e fundit” me Marlond Brando e Maria Shnaider. Ju kujtohet seriali televiziv “Dinasty”-a dhe personazhet e tij, si: Blak, Kristli, Adam, Felloon, Stiven, Amanda dhe Aleksis? Impakti që filmi injektoi tek familjet shqiptare, të cilat e ndiqnin me ankth ngjarjet që ofronte në pafundësi me surprizat, skena tërheqëse, situata e momente joshëse telenovela e famshme amerikane në vitet ’80 – ’90-të? Si i përjetonin, çfarë diskutonin e si i komentonin intrigat, pabesitë dhe dashuritë e bujshme, ku protagonistë ishin pjesëtarët e një familje të njohur njujorkeze? Si transformoheshin e improvizoheshin shtëpitë, apartamentet e kohës në kinema të vogla, kur për shumë vite në çdo të hënë në mbrëmje, grupe, të afërm, komshinj mblidheshin në fshehtësi dhe falë kanaçeve shikonin në bardhezi apo me ngjyra episodet që transmetonte kanali i dytë i televizionit jugosllav? Si i provokonte seriali amerikan shpërthimin e dashurive të ndaluara edhe në Shqipëri duke parë ngjarjet e Dinasty?
Në Radio Televizionin Shqiptar, produkte televizivë nga Lindja…!
Me filma televizivë serialë të transmetuara nga i vetmi kanal televiziv siç ka qenë RTSH-ja, shqiptarët kanë qenë pak të ambientuar pasi në raste sporadike shfaqeshin disa të tillë, gjithmonë produkte të shteteve të huaja, pasi për një prodhim të kinematografisë vendase, as që bëhej fjalë.
Kështu në fillim të viteve ‘70-të kur Radio Televizioni Shqiptar nisi nga transmetimet eksperimentale dhe kaloi në një televizion stabël dhe me një kanal të vetëm, bashkë me televizorët e prodhimit të URT-së (Uzina e Radio Televizorëve në Durrës), filloi shfaqja e disa serialëve me tema të lejuar të ndjekura nga publikun e etur televiziv.
Dominonin kryesisht ato lindorë, si: “Në çdo kilometër”, “Kapiteni Klos”, “Katër tankistët”, “Vendimi”, pastaj “Giuseppe Verdi”, “Zhan Kristof”, për të ardhur në vitet ‘80-90-të, që kujtohen me filmat e famshëm “Izaura” dhe “Oktapodi”. Gjithmonë me përkthim e të kontrolluar më parë nga zyrtarë të lartë shtetit, për mos i shpëtuar asnjë skenë, devijim apo edhe detaji më i vogël, jashtë kontureve të lejuara politiko-sociale!
Filmi “Izaura”, impakt i madh, emri preferencë e kohës
Është seriali i parë, më i gjati, më i shkuari nga shqiptarët, i transmetuara nga Radio-Televizioni Shqiptar, në mes vitet ‘80-të. “Izaura” i prodhuar nga kompania braziliane “Rede Globo” në vitin 1976, konsiderohet si një ndër telenovelat më të famshme dhe sipas një anketimi nga një kompanie serioze, është prodhimi televiziv më i shitur dhe i dubluar, i transmetuar në 130 vende të botës. Në Rusi u bë kaq popullor sa fjala portugeze “fazenda” (fermë) filloi të përdorej në gjuhën dhe komunikimin e përditshëm.
Sipas romanit të Bernardo Guimares, me skenar të Gilberto Bragës e regji të Herval Rossano, interpretuar nga Lucelia Santos e Rubens De Falcon, (në rolet e Izaurës e e Leoancio), telenovela me 100 seri shumë emociononte, bazohet në historinë e një skllaveje të bardhë dhe lidhjes së saj me padronin Leoncio, që i kthyer nga Europa, braktis gjithçka vetëm për dashurinë me Izaurën.
Në Shqipëri është ndjekur me shumë interes, nga çdo moshë dhe çdo ditë të javës kur ai trasmetohej të shtyrë nga ngjarjet, kurioziteti, muzika tejet argetuese, pak njerëz qarkullonin në rrugër, pasi të gjithë i gjeje të mbërthyer para ekranit. Kaq i madh ishte ndikimi i tij në vendin tonë, sa emri pati një frekuentim të jashtëzakonshëm për të sapolindurat, një pjesë e tyre prindërit i vunë emrin, Izaura!
La Piovra, “Oktapodi” me komisar Katanin…!
Ndërsa “La Piovra”, (Oktapodi) një produkt televiziv italian me dhjetë mini seri pati një shtrirje nga viti 1984 deri 2001. Me regjisorë Damiano Damiani, F. Vançini, L. Perelli e G. Batiato dhe Ennio Morikonen, si formulues muzike, ai është parë nga 80 vende të botës me një fluks të jashtëzakonshëm audioviziv, duke përfshirë edhe Shqipërinë, seritë e të cilit janë transmetuar me përkthim nga televizioni publik, dhe janë ndjekur me interes, kureshtje dhe ankth deri në episodin e fundit të tij.
Me protagonistë komisarin e policisë Korrado Katanin, interpretuar nga Mikele Plaçido, bankierin Tano Karridi interpretuar nga Remo Xhirone, Patricia Miliardet, në rolin e prokurores Silvia Konti, Florinda Bolcan, në atë të Olga Kamatës, Barbara de Rosin, në rolin e Titit dhe personazhet e tjerë si, Antonio Espinoza, Terrazini, etj., filmi ofronte skena dhe çaste emocionante shumë të forta, të cilat patën një impakt të shokues me dhe për publikun televiziv shqiptar.
Multi seriali trajtonte temën e mafias siçiliane dhe një komisar policie që tentoi ti kundërvihej, por i vetëm gjeti vdekjen bashkë me familjen e tij. Aq i madh ishte efekti i filmit në mbarë botën, sa në Moskë gjatë një vizite të Michele Placidos, nga një grup dashamirës të serialit dhe aktorit, i’u kërkua qeverisë që: nëse Katani-Placido nuk e kishte të sigurtë jetën në Itali, t’i garantohej qëndrimi në Moskë, kaq shumë kishte influencuar e ndikuar në masën e gjërë të shikuesit televiziv rus ngjarjet e serialit italian.
Dëshirë e mdhe, por mundësi e kufizuar
Bashkë me filmat televiziv serialë të shfaqur nga Radio-Televizioni Shqiptar, shqiptarët pasionantë, kuriozë dhe maniakë ndiqnin edhe ato serialë që transmetoheshin nga kanalet e huaja, duke përdorur e tentuar të gjitha mënyrat për t’i parë, ndonëse format e mundësitë ishin të pakta, të kufizuara dhe të ndaluara në Shqipëri.
Ishin të favorizuar ato familje, individë, zyrtarë e funksionarë të lartë, ambasada, qeveritarë e anëtarë byroje që zotëronin një televizor të markave të huaja, të sjellë nga jashtë, që brenda në televizor kishin grupin e UHF-së, një pajisje që garantonte marrjen e frekuencave të ulta. Po kështu edhe disa qytete bregdetare si Shkodra, Lezha, Durrësi, Kavaja, Fieri, Vlora që në periudhë vere mundësonin kapjen e valëve televizive të stacioneve italiane. Në të kundërtën do të improvizoheshin kanoçet e famshme…!
Kontakti i parë me serialët amerikanë
Kontakti i parë, por që i lidhi në vite shqiptarët me serialët televizivë amerikanë, ishte “Dinasty”, ndonëse si ai po aq të famshëm për kohën kanë qenë edhe Dallas e Capitol, disa prej të cilëve kanë vijuar në pafundësi. Në veçanti “Dinasty”-a, i cili pati një efekt dhe ndjekshmëri shumë vjeçare, sistematike nga teleshikuesit, kryesisht kryeqytetas por edhe në rrethe, duke filluar nga viti 1984 deri më 1990-tën.
Ka qenë një komunikim i fortë si me ngjarjet ashtu edhe me personazhet që “Dinasty”-a ofroi për teleshikuesit në të gjithë shtetet e botës ku u shfaq gjatë harkut të një dekade. I tillë për nga fama mbetet edhe “Beautifull” (trasmetuar nga TV Klan), madje regjizorja e njohur, Vera Gravbocka, solli në Tiranë në një nga spektaklet e saj, aktorin Ronn Moss, Ridge-n e filmit, një ndër personazhet protagonistë të serialit pa limite e ngjarje siç ka qenë “Beautifull”.
“Dinastya”, me 220-seri, një pafundësi disa vjeçare…!
“Dinastya”, i gjatë me 220-të seri, startoi me 12 janar të vitit 1981 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vazhdoi deri në 11 maj të 1989. Në SHBA-ës i transmetuar nga televizioni ABC, bashkë me Esther Shapiro, si autor, seriali pati 57 skenaristë, 35 regjisorë, 1.500 aktorë e 8 formules muzike.
Në pak kohë transmetimet e tij filluan të shfaqen në çdo vend të botës, duke përfshirë masivisht edhe Europën. Në sezonin e parë i shoqëruar me pak seri, jehona nuk ishte e madhe, por gjithçka do të ndryshonte në vitet që do të pasonin kur “Dinastya” do të marrë shumë famë dhe do të jetë tejet i ndjekur në gjithë globin.
Në Itali, pas krijimit të Mediaset më 4 janar të vitit 1982, ishte ‘Rete 4’ që nga 15 shtatori i atij viti startoi me transmetimin e tij çdo të mërkurë e të premte në orën 14.00. Ndonëse me vonesë në vite, kohë dhe episode, kontaktin e parë pas të cilit shqiptarët nisën ta ndjekin, e regjistrojmë në vitin 1984, kur në kanalin e dytë atë UHF të televizionit jugosllav, (Beogradi), filloi transmetimi i serialit “Dinastya”.
Skenat shumë provokuese
Një telenovelë ku në fokus është jeta e një familje, me intriga dashurie brenda saj. Një familje e pasur dhe e suksesshme në biznesin e naftës, ku protagonistë kryesorë janë Blake Carrington, Krystle, ish-sekretarja, gruaja e fëmijët e tij nga të cilët Adam, rezulton i humbur pas një rrëmbimi. Personazhe të serialit gjithashtu janë edhe Fallon, Steven dhe Amanda, e fshehur prej tij me ish-gruan e parë, Alexis.
Në episode të veçanta seriali përfshihet nga konfliktet midis dy korporatave të mëdha, “Denver Carrington Blake” dhe Alexis ‘ColbyCo” si dhe skenave, pabesive dhe dashurive pasionante ku përfshihen personazhet. “Dinastya” regjistron për kohën serialin televiziv më të preferuar në Top 30 të shfaqjeve, gjatë tetë stinëve që u transmetua, me një audiencë prej 21.2 milion teleshikuesish për episod.
Blake Carrington luajti në 217 episode; Linda Evans në rolin e Krystle Carrington në 209; Joahn Collins në rolin e Alexis Carrington Colby në 204; Gordon Thomson në rolin e Adam Carrington në 182 episode; John Jemas në rolin e Jeff Coltby në 168; Michael Nader në rolin e Dex Dexter në 151; Jack Coleman në rolin e Steve Carrington në 149 dhe Pamela Anderson, në rolin e Fallon Carrington Colby, në 88 episode, etj
Kanoçet, shpikjet e kohës
Filmi është ndjekur me shumë interes, pasion, ndonëse në fshehtësi, pasi bëhet fjalë për mes vitet ’80 – ‘90-të. Seriali jepej çdo të hënë në kanalin e dytë UHF të televizionit jugosllav dhe detyrimisht duhet të kishe televizor të markave të huaja për ta ndjekur. Por, pikërisht në atë periudhë dalin në skenë kanoçet e famshme të ideuara në mënyrë artizanale nga inxhinierë e radio-teknikë televizorësh, të cilat gjejnë një përdorim e përhapje të madhe si, të vetmet që ofronin marrjen e sinjalit të frekuencave të ulta televizive, veçanërisht për Tiranën.
Një paisje e tillë (me format sa një paketë “Partizani” e atyre viteve) kushtonte nga 2.500 deri në 3.500 lekë (të vjetra). Ato tregtoheshin në klandestinitet, fshehurazi me miqësi, njohje e rekomandime tek miq, shokë, familje e njerëz të sigurt.
Kanoçja lidhej teknikisht me televizorët “Butrinti”, “Iliria”, “Adriatik”, apo “Dajti”, të cilët nuk e kishin këtë pajisje, pasi i hiqej në URT (Uzinën e Radio Televizorëve në Durrës), kur ato vinin nga Jugosllavia, duke i përshtatur për tregun, sinjalin shqiptar pa kanalin e UHF-së.
Një transistor ‘BF 139’, një diodë dhe një llamarinë gati sa një paketë cigare, ishin përbërësit e “kanoçes” legjendare që, garantonte shikimin pa problem në çdo çast të kanalit të dytë jugosllav dhe atyre italianë në periudhe vere.
Zhurmuesi i famshëm nuk ndërhynte në këtë frekuencë. Për të patur një sinjal edhe më të fortë, përdorej varaku, i cili vendosej te pjesa e kabllit brenda shtëpisë, duke e lëvizur poshtë lart atë, deri në çastin kur sigurohej një sinjal dhe figurë e mirë. Antena me element të vegjël detyrimisht duhet të drejtohej nga veriu, që edhe ky detaj ishte problem i madh, pasi lagja e dinte se një e tillë për çfarë përdorej.
Ora 21.00 të gjithë shqiptarët para ekranit…!
Seriali transmetohej çdo të hënë në 21.00 dhe shqiptarët ata të apasionuarit pas “Dinastya” i gjeje të ulur përballë televizorit në këtë orë të mbrëmjes. Familje e komshinj, të afërm në grupe, të dashuruar pas tij, aktorëve, ngjarjeve e prisnin me padurim darkën e të hënës dhe fillimin e episodit të ri që vazhdonte deri në 50-të minuta.
Ndonëse, të hënë në RTSH transmetohej Rubrika Sportive, që trajtonte evenimentet sportive e shumëpritur dhe e ndjekur nga pasionantët sportivë si e vetmja për kohën, beteja në familje për të zgjedhur serialin apo rubrikën sportive ka qenë e madhe, pasi një televizor ishte. Kishte një ndryshim në orar pasi, rubrika sportive fillonte në orën 21.30, pak më vonë se “Dinastya”. Sidoqoftë familje, mosha të mëdha, të rinj të reja, fëmijë ishin të okupuar dhe angazhuar për të parë e argëtuar me prapaskenat e të papriturat e “Dinastya”.
Me stola si në kinema dhe roli i përkthyesit
Ndonëse i ndaluar për t’u ndjekur haptazi dhe në mënyrë të organizuar, gjatë viteve të transmetimit të tij në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, “Dinastya” është parë me intensitet dhe sistematikisht nga shqiptarët, deri në puntatat e fundit të tij. Madje, duke i kthyer shtëpitë, atë dhomë të vogël, apartamentin e ngushtë, mjediset familjare në salla të improvizuar kinemaje, ku nuk mungonin edhe stolat që të uleshin fqinjët, të ardhurit.
Duke qenë se në serial flitej anglisht, dhe nuk ai ishte me dublim, por me titra në gjuhën serbo-kroatishte që krijonte vështirësi ta kuptoje, këtu futeshin në lojë përkthyesit, dhe detyrimisht njëri nga të pranishmit, duhet të kuptonte e njëkohësisht të përkthente atë çfarë flitej, si vijonte ngjarja, apo skenat që ofronte seriali i radhës.
Përkthyesi kishte rëndësi të jashtëzakonshme pa të cilin ngjarjet vetëm merreshin me mend pa kuptuar asgjë, por edhe kjo sidoqoftë ishte një mënyrë e të ndjekurit të serialit. Pastaj, në heshtje, pa zhurmë secili kthehej në shtëpinë e tij, për t’u ri parë e takuar sërish pas një jave në shtëpinë-kinema në ndjekje të episodit vijuese.
Anglishtja, gjuha e detyruar nga “Dinastya”
Ndjekja e serialit lindi si rastësi, dhe frekuentimi i tij filloi të rritej pas çdo të hëne. Ndikimi i tij ishte i madh tek të gjithë admiruesit e vjetër por edhe të rinj. Moda, veshjet, bukurinë e aktorëve, ishte një ndër mënyrat komunikuese që i afronte shqiptarët me kontinentin përtej Atlantikut.
Në harkun e një orë, fantazia, dëshira, ëndrra, gjithçka, zhvendosej drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në atë familje amerikane tek personazhet e serialit që u bënë shumë të njohur edhe në Shqipëri. Për të ndjekur mirë serialët, ndikim të madh pati “Dinastya” në mësimin intensive të gjuhës angleze, por edhe atë serbo-kroatishte, për të cilën më të favorizuar ishin ata që kishin bërë rusisht në shkollë në vitet ‘60-të, apo njihnin gjuhën ruse, pasi ndihmonte të kuptonin diçka në titrat shoqëruese të serialit.
Edhe shqiptarët si tek “Dinastya”: Dashuri fshehurazi…!
Në veçanti me skenat e dashurive, shfaqja e serialit ngacmonte e ndikonte edhe në preferencat, deri në dashuritë pasionante edhe të shqiptarëve. Shikimi i serialit në komunitet, në grupe miq e shokë, familje dhe komshinj, pati ndikimet e veta sidomos në lidhje të fshehta dashurie, për të martuar apo beqarë pavarësisht nga mosha. Ngjarjet e serialit i shtynte apo ngacmonte djemtë, burrat e gratë, drejt një tjetër preferencë e lidhje “klandestine”, të ndaluar e në fshehtësi.
Të dije vazhdimin e serialit, fatin e personazheve ishte një privilegj, por të pakët ishin ata që mund të kishin informacion për ngjarjet e ardhshme. Flitej e diskutohej në rrethe të ngushta, dhe një detaj më shumë vinte nga studentë, apo familjarë që kishin njerëzit e tyre në Itali, ku telenovela ishte shumë seri para atyre që transmetonte televizioni jugosllav, apo në periudhën pranverë-verë, ato që shikonin kanalet italiane përgjatë bregdetit, si në Durrës dhe Vlorë.
Interesi më i madh lidhej kryesisht me dashuritë sentimentale, befasuese dhe pasionante që kishte përgatitur skenari. Në veçanti me skenat e dashurive, shfaqja e serialit ngacmonte e ndikonte edhe në preferencat, deri në dashuritë pasionante e sentimentale. Shikimi i serialit në komunitet, në grupe miq e shokë, familje dhe komshi, pati ndikimet e veta sidomos në lidhje të fshehta dashurie, dhe ngjarjet e filmit i shtynte apo ngacmonte djemtë, burrat e gratë për një tjetër preferencë e lidhje “klandestine”, të ndaluar e në fshehtësi.
“This is Amerka”, tjetër serial i ndjekur…!
Ndonëse për shumë vite, çdo e hënë në mbrëmje ishte kthyer në një ritual sistematik, e seriali ndiqej në fshehtësi, shteti me strukturat e tij, kryesisht me Frontin e Lagjen “aktive” në të tilla raste, qëndronte në heshtje.
Edhe pse ishin tejet e informuar deri në hollësi për pasionin e familjeve, individëve që kishin për serialin amerikan, duke e ditur mirë edhe si funksiononte apo si grumbulloheshin për të ndjekur filmin “Dinastya”, bashkë me mënyrat dhe format që përdornin, deri edhe tek kanoçja e famshme, si dhe antena me element të vegjël që detyrimisht duhet të ishte drejtuar nga veriu, nga ana a regjimit komunist, hezitohej për të reaguar, goditur individë apo familje.
Ndonëse jemi ende në kohën e diktaturës, por ajo nuk është më në kufijtë e saj ekstremë për forcën goditëse, kjo edhe për faktin se Enver Hoxha ka ndërruar jetë. Kështu vetë shteti, dukej sikur kishte dhënë një ‘OK’ në heshtje për të ndjekur filmin “Dinastya”, pasi asgjë nuk mund të fshihej kur vinte ora për të parë episodin apo përfundimin e tij, kur teleshikuesit e “Dinastya” shpërndaheshin në apartamentet e tyre, duke krijuar ndoshta pak konfuzion, zhurmë, edhe pse lëvizej në majë të gishtave.
Pastaj të nesërmen, apo gjatë javës, diskutimet dhe komentet rreth serialit ishin të paevitueshme, në grupe, qendra pune, studentë, nxënës shkolle, intelektualë, sportistë, kudo e nga kushdo. Madje me shumë interes filmi tashmë kishte hyrë edhe në familjet e qeveritarëve, drejtusesve të shtetit shqiptar, të gjithë të ulur përballë një “Iliria” apo “Butrinti”, me kanoçen e maskuar, në pritje të “Dinastya”.
Pas ‘90-të, gjithçka morri fund pasi bashkë me ndryshimet që pësoi sistemi, humbi edhe interesi për serialin. Për shqiptarët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me të edhe “Dinastya”, nuk ishin një e pamundur, pasi shumë prej tyre patën fatin të udhëtojnë, të jetojnë e punojnë atje. “This is Amerika” (filmi i famshëm me pak seri që u shfaq disa të enjte në orët e vona të natës, (po nga kanali i dytë jugosllav në mes vitet ‘80-’90-të), nuk ishte më një ëndërr e ndaluar, por një realitet mëse i prekshëm.
Në mesnatë për “Tangon e fundit…”!
Krahas filmave serialë të ndjekur e të frekuentuar gjithmonë në klandestinitet të plotë, janë edhe disa të tjerë, madje të bujshëm, por jo serialë, ndër të cilët “Tango e fundit në Paris” që është parë me shumë pasion. Madje edhe sot kryeqytetasve “të mesnatave nostalgjike” i kujtohet ende shprehja e njohur e Brandosë në rolin e Pauli, që i drejtohet Maria Shneiderit, në rolin Jeanne: “Quo vadis baby”?
Ngjarjet zhvillohen në Parisin e viteve ‘70-të dhe filmi prodhim italian i vitit 1972, trajton historinë e një burri, që në moshë të mesme, në një situatë dëshpërimi, takon në një apartament të boshatisur një vajzë të re, me të cilën fillon menjëherë raporte seksuale, një marrëdhënie jo reale që ka një fund tragjik.
Nisur nga impakti i fortë shkaktuar nga një numër i madh skenash erotike, shpërtheu një skandal, filmi u censurua dhe u procedua. Të shtyrë nga kurioziteti që ishte jashtë kufijve imagjinarë, për nga fama e aktorëve dhe buja që e shoqëroi, “Tango e fundit në Paris”, me Marlond Brando e Maria Shnaider dhe me me regji të Bernardo Bertoluçit, të informuar më parë, atë natë Tirana gumëzhinte dhe interesimi ishte e tejskajshëm.
I transmetuar në orët e para të mëngjesit nga kanali i dytë i televizionit jugosllav, ai është parë në fshehtësi të plotë, me drita të fikura, dritaret me batanije të errëta e me zërin e ulur dhe pa zhurmë. Të nesërmen, në shkolla, studentë, qendra pune, në grupe me të rinj, një pafundësi me diskutime e kanë shoqëruar filmin, ndonëse jemi në një izolim total dhe komente për ngjarje të tilla janë të rrezikshme.
Ndërkohë, pavarësisht nga zhurma mediatike që përfshiu gjithë botën e kinemasë, “Tango”, pati sukses të jashtëzakonshëm, si një ndër filmat me shikueshmëri e të ardhurat ekonomike kolosale. Në vitin 2002, “American Film Institute”, e renditi në vendin e 48, në listën e 100 filmave më të mirë sentimentalë të të gjithë kohërave. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016