Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dyzetekatër
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Hëpërhë punoj në spitalin e Beratit, si mjek i Përgjithshëm – u përgjigj ai me buzëqeshjen e tij simpatike. – Shpresoj që në shtator të këtij viti, të filloj specializimin për Kardiologji!…- shtoi me të njëjtën buzëqeshje. – Por të shohim sa do përmbushet kjo dëshirë…”!
– “E ndjen veten të përkushtuar plotësisht pas këtij profesioni human”? – e pyeta unë.
– “Mjekësia, sipas meje, zë vendin e parë ndër gjithë profesionet, sepse kërkon përkushtim, pasion, vullnet, gatishmëri dhe këmbëngulje të vazhduar më shumë se tjerët. Mjekësia vjen menjëherë pas letërsisë dhe artit. Apo e teproj”? – shtoi ai me vështrim të ëmbël.
– “Keni bërë përcaktim të saktë. Edhe unë e vendos mjekësinë në vendin më parësor të gjithë profesioneve, jo vetëm për rolin e jashtëzakonshëm, pse na shërben me pasion e përkushtim, por para së gjithash na dhuron mundësinë e përmirësimit dhe zgjatjes së jetës, na lehtëson pasojat e rënda të sëmundjeve. Ndaj mjekëve kam patur dhe vazhdoj të ruaj vlerësimet më të larta.
Por sigurisht vetëm për ata që e meritojnë. Sepse jo kushdo mund të bëhet mjek. Së pari, duhet gjenetikisht të ketë vizion dhe shpirt human. Prandaj në shtetet e zhvilluara, bëhen testime të veçanta për kandidatët, që shprehin dëshirën të studiojnë për mjekësi. Sepse sado i aftë të jesh për të përvetësuar njohuritë, kur të mungon boshti vertebral i mjekut, humanizmi, mund të quhesh zanatçi, por jo mjek. Je dakord me mua”?
– “Në kushtet tona, kur një mjek mbulon më shumë se trefishin e normës të pacientëve, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, krahasuar me vendet e zhvilluara, sigurisht synimi kryesor mbetet shtimi i numrit të specialistëve. Duhet të kalojnë disa dekada të tjera, që të mendohet për testimin e kandidatëve në atë drejtim, që përmendet. Sepse për kohën, ku jetojmë, ky mendim quhet luks, për dy arsye: Së pari, na pengon niveli i përgjithshëm kulturor i popullsisë. Së dyti, s’kemi as stafin e plotë drejtues të profesorëve, që duhet të bëjnë këtë testim, e as buxhet të mjaftueshëm”.
“Sigurisht si ide, mendimi juaj qëndron. Por kjo ide mund te shërbejë për drejtuesit e rinj të shtetit, ata që do vijnë pas dy brezave, kur vendi të krijojë një ekonomi solide, me rritje nga viti ne vit, dhe niveli arsimor e kulturor të përafrohet disi me nivelin mesatar evropian. Zhvillimet e sotme të vrullshme s’kanë as kohë e as mundësi të merren me ngritje cilësore. Jo vetëm këtu, por kudo në botë, masivizimi ushqehet mbi kurriz të cilësisë. Prandaj ekziston ndryshim i ndjeshëm mes specialistëve, që përgatiten tek ne, në universitetin e institutet tona, me ata që mbarojnë studimet jashtë shtetit, në vendet e zhvilluara. Edhe sikur te kemi dy apo tre profesorë me nivel të lartë profesional, që përafrohen me profesorët e universiteteve me emër të madh, studentët e këtushëm s’mund të marrin të njëjtat njohuri si studentët e këtyre universiteteve, kryesisht nga mungesa e bazës materiale. Arsimi, në përgjithësi, por sidomos arsimi i lart, kërkon fonde të mëdha.
Për të arritur në nivelin dysheme të shteteve të zhvilluara, në fushën e arsimit, sipas përcaktimit të një ekonomisti, duhen të paktën dy dekada buxhet, që shpenzon vendi ynë për jetesë e mbijetesë, plus tëre veprimtaritë shoqërore e kulturore, plus te gjitha forcat mendore e intelektuale. Me fjalë të tjera, vetëm një bum tepër i fuqishëm ekonomik, e ngre nivelin e arsimit në lartësitë minimale të kohës. Fakti që tek ne ritmet e zhvillimit krahasohen me prapambetjen shekullore, në kohën e Mbretërisë, kur analfabetizmi ishte mbi nëntëdhjetë përqind e popullsisë, dhe në çdo qytet kishte apo s’kishte një mjek, vetvetiu kjo lloj ecurie s’mund ta zvogëlojë ndryshimin mes nesh dhe përparimeve të shteteve qindravjeçare.
Edhe sikur të pranojmë për një çast që ritmet tona të zhvillimit janë dyfish me të shpejta, nga ato të disa shteteve me potencial të madh ekonomik, për shkak të krizave që shoqërojnë herë pas here kapitalizmin, duke patur parasysh që në shumë fusha në zhvillimin e nisëm nga pika zero, (këtu futen arsimi dhe shëndetësia), largësia e tyre na duket si vijë horizonti, e cila sado t’i qasemi, ajo largohet dhe mbetet e paarritshme. Me pak fjalë, kjo ishte përgjigja ime…”, – tha ai në fund, duke më kundruar me vështrim të ëmbël.
– “Ligjëratë e mrekullueshme! – ia ktheva unë, jo thjeshtë për mirësjellje e për t’i bërë qejfin, por sepse në të vërtetë ishte e tillë. Veçanërisht më pëlqeu thellësia dhe shkathtësia e mendimeve, duke patur parasysh që jetojmë në një kohë mbushur me përgjime tinëzare, kur një fjalë tirret me e gjatë se një frazë, pastaj merr trajta të maskuara, si eksploziv i mbështjellë me letër çokollate.
– “Ti pate fatin e madh të studiosh në universitetin e famshëm të Moskës, nga auditorët e të cilit kanë dalë dhe dalin shkencëtarë e dijetarë të ardhshëm”, – foli pas pak shoku im i fëmijërisë i lagjes “Vakef”. – “Ma do mendja dhe besoj të kesh parë e përjetuar disa nga arritjet e suksesshme të mjekësisë ruse…”!
– “Po rrëfej një rast të mahnitshëm, që më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme….”, – u tregova unë i gatshëm t’i shtjelloja një shembull sa interesant, kaq dhe befasues: – Një shoku im shqiptar, në fakultetin e filozofisë, ankohej nga dhimbja e gjoksit, s’mbushej dot me frymë. Në korpusin qendror të universitetit ‘Lomonosov’, ndodhej një klinikë mjekësore fantastike, e mrekullueshme.
Fatmirësisht kisha mundësi ta ndihmoja konkretisht, sepse njihja dhe kisha muhabet me një studente në kursin tim, vajza e një specialisteje në këtë klinikë. Një ditë gjatë bisedës, përmenda ankesën e shokut tim Shqiptar, dhe ajo menjëherë tregoi gatishmëri të vinte në dijeni mamanë. Të nesërmen më tha të njoftoja shokun të paraqitej këtu, që të shkonim të tre në klinikë. Për herë të parë, shihja një klinikë mjekësore përrallore, ku pa e tepruar, brenda mjedisit fantastik, gjendej përsosmëria!
Ishte një parajse mjekësore! Mamaja e shoqes time, një grua simpatike me edukate aristokratike, na priti me buzëqeshje. Infermierja na qerasi me çaj. Pastaj mjekja nisi nga pyetjet diagnostikuese. Pas vizitës së kujdesshme, na kërkoi neve leje të largohej disa minuta, për t’i bërë pacientit një grafi të mushkërive. Unë vazhdoja të kundroja me kureshtje të habitur kabinetin mjekësor, gjatë minutave që prisja kthimin e tyre. Mjekja u fut në kabinet me grafinë në dorë, mjaft e shqetësuar.
Pasi e vendosi filmin e stampuar në ekranin e ndriçuar, më bëri shenjë me dorë të qasesha pranë saj.
– “I shihni këto njolla të errëta? – më pyeti rusisht. – Me gjithë keqardhjen, jam e detyruar të pohoj, se shoku juaj gjendet në fazën e tuberkulozit të avancuar!…Si ka mundësi të mos e kenë konstatuar mjekët tuaj në Tiranë”?!… – shtoi ajo me shqetësim të nervozuar.
Për të dalë nga kjo gjendje e vështirë, pa njollosur vendin tim dhe fyer shokun shqiptar, m’u desh ta sajoja vetë përgjigjen: I thash se përcaktimin e diagnozës mjekët tanë e kanë bërë, të njëjtë me tuajën, por pacienti iu lut të mos e shkruajnë në kartelë, përndryshe këtij i ndërpritej e drejta e studimit, dhe menjëherë do ta shtronin në sanatorium. (Kishte dëgjuar nga mjekët, se tuberkulozi bënë pjesë tek sëmundjet kronike me kurën më të gjatë, që shkon deri në disa vjet). Kur ia shpreha të gjitha këto doktoreshës ruse, ajo më vështroi mjaft e habitur, sepse i dukej sikur po i kallëzoja një ngjarje të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Prandaj ndjeu dhembshuri që shoku im përjetonte prej disa muaj ankthin e vdekjes së ngadaltë!
– “Akoma vazhdoni ta kuroni tuberkulozin në Shqipëri me shiringa?!…pyeti ajo e tronditur. – Ne kemi më shume se një dekadë, që nuk i përdorim ampulat. Mjekësia e sotme i bombardon infeksionet me metoda difuzive. Prandaj qetësojeni shokun tuaj, i thoni të mos trembet. Sepse kura moderne, që përdoret në klinikën tonë, ka cikël shumë të shpejtë shërimi, pa efekte anësore, dhe nuk i shkakton pacientit asnjë dhimbje e bezdisje. Ja do ta shikoni…”!
Ndërkaq ndihmësja e mjekes specialist, kishte hedhur në aparatin kurues përzierjen e lëngjeve të antibiotikeve, në një enë qelqi me kapak hermetik, nga ku dilte një tub gome, i cili u fut në gojë të pacientit gjatë kohës kur u vu në përdorim aparati, dhe nisi avullimi i përzierjes, gjersa nuk mbetet asnjë pikë. Gjithë kjo procedurë zgjati pesëmbëdhjetë minuta!
– “Si e ndjeni veten”? – e pyeti mjekja specialiste shokun tim.
– “Më duket sikur pashë një mrekulli me sy hapur”!… – tha ai me vështrim në drejtimin tim, për të ditur nëse mundi të shprehej saktë e pa gabime, në gjuhën ruse. – “Më vjen zor t’i them sa kohë vazhdon kjo kurë çudibërëse, prandaj të lutem më ndihmo ti”! – shtoi ai në shqip.
– “Deri në fund, të njëjtën ndjesi do provoni, – theksoi mjekja specialist, pas ndërhyrjes time. – Kur të bëni grafinë e dytë, pas dy javësh, do ta shihni me sytë tuaj ndryshimin e madh, si do zhduken tërësisht njollat e errëta në të dy mushkëritë”!
– “Kaq shpejt”?!… – mbeti i shtangur shoku im me vështrim mosbesues. – “Si ka mundësi që këtu brenda dy javësh, kurohet tuberkulozi i avancuar me një metodë kaq të rehatshme, kur tek ne dergjesh në shtrat me muaj e vite”?!…
– “Edhe unë e kam lexuar në një revistë të huaj shkencore, këtë mënyrë të mrekullueshme kurimi të tuberkulozit, dhe krejt natyrshëm më bëri përshtypje të jashtëzakonshme”, – pohoi doktor Vangjeli. – “Çfarë ndodhi kur i krahasuat grafitë pas dy javësh? Besoj, mbetët pa frymë”! … – shtoi ai duke psherëtirë.
– “Na dukej sikur infeksioni i tmerrshëm qe zhdukur me magji! Përmirësimet filluan ditët e para, merrte frymë më lirshëm, dhe brenda kraharorit ndjente ndryshime rrënjësore: iu formua përshtypja se lëngu magjik, që thithte nga goja, treste nga ora në orë rrjetën metalike, e cila i pengonte mushkëritë të mbushen me ajër…”!
– “Si ka mundësi të kryhet një ripërtëritje kaq e shpejtë e mushkërive me qeliza të shëndosha brenda dy javësh”? – e pyeta unë.
– “Këtu qëndron përparësia çudibërëse e kësaj metode: duke u bombarduar njëherësh tërë sipërfaqja e mushkërive me avujt e përzierjes së antibiotikëve, dite pas dite pastrohen gjithnjë e më në thellësi zonat e infektuara. Kurse me injeksione bëhet një rrugë shumë më gjatë, madje nuk dihet saktësisht sa për qind e ilaçit, vepron mbi qelizat e infektuara”.
– “Më ka mbetur në kujtesë edhe një rast tjetër në klinikën mjekësore të okulistikës, me emrin ‘Fjodorov’”, – shtova unë pas shpjegimit plotësues të doktor Vangielit.
– “Edhe në këtë klinikë bëhen mrekullia”! – pohoi ai.
– “Shkuam me një shokun tim në klinikën e famshme për të kryer një vizitë të hollësishme tek profesori me emër të madh në gjithë botën, Fjodorov. Sigurisht kishim biseduar paraprakisht në telefon me krye-sekretaren e tij, dhe qe caktuar dita e ora e vizitës. Shoku tim miop, ndodhej në gjendjen ku s’mban më ujë pilafi, pasi i qe rënduar kaq shumë shikimi kohët e fundit, sa një fije pe, e ndante nga kufiri i verbërimit! As skeletet më të fortë nuk i mbanin dot xhamat e trasha optike!…Pas vizitës, profesori i famshëm dha urdhër ta çonin pacientin në sallën e operimit. Më tej nuk e di si u krye aty brenda mrekullia. Por e pashë me sytë e mi, se pas ndërhyrjeve doli nga klinika pa syze, me shikim të përkryer! Mjekësia ruse qëndron në majat e mjekësisë botërore, bashkë me mjekësinë amerikane dhe të disa shteteve evropiane. Sidomos shkëlqen në neurokirurgji dhe okulistikë”! – theksoi me bindje doktor Vangjeli.
– “Sikur neve mjekëve të këtushëm të na jepej mundësia e specializimit në klinikat e atjeshme, me siguri do ngjitnim disa shkallë të njohurive shkencore, të cilat do viheshin në zbatim, nëse vinin pajisjet e reja moderne. Por ngjarjet rrodhën kundër dëshirave tona, dhe tani ne tiganisemi me dhjamin tonë”! buzëqeshi ai.
– “Kaq shpejt mbërritëm në Berat”?!… – u habita unë, kur vërejta nga xhamat e autobusit kalanë e famshme, shtratin e lumit Osum dhe lagjen e “Goricës”.
– “Kjo tregon se bashkëbisedimi ynë ishte mjaft interesant. Sa kohë ke pa ardhur në Berat”? – pyeti ai.
– “Rreth gjashtë vjet. Kanë ndodhur ndryshime”? – u interesova unë.
– “Berati, si qytet dymijë e katërqind vjeçar, bënë pjese tek antikitetet e lashtësisë, dhe i tillë do të mbetet përjetësisht”! – tha me krenari doktor Vangjeli.
“Megjithatë ndryshime të pjesshme janë bërë në lagjen tonë ‘Vakef’. Besoj i mban mend Kishën e Madhe, rrugicat e kalldrëmta, shtëpitë me oborr dhe portat prej druri? S’ka mbetur asnjë, të gjitha janë rrafshuar! Mbi truallin e kishës janë ndërtuar dy komitetet kryesore te drejtimin vendor: I Partisë dhe ai Ekzekutiv. Përveç ‘Mangalemit’ dhe ‘Gorices’, emrat e lagjeve të tjera janë ndërruar: ‘Vakefi’ ynë quhet lagja ‘Çirimi’”.
– “Më ardhka keq që ‘Vakefi’ qenka rrafshuar! Kjo lagje ishte vazhdimësia e natyrshme e antikitetit të qytetit. Më pëlqente t’i sodisja çdo mëngjes nga dritarja pamjen e mrekullueshme, sidomos më tërhiqte mulliri me ujë fare pranë shtëpisë, si rrotullohej rrota e madhe, dhe poshtë saj formohej vija e ujit”!
– “Të gjitha ngrehinat poshtë rrugës, janë rrafshuar”! – psherëtiu me dëshpërim doktori. – Ishte një veprim dëshpërues, që na shkaktoi dhimbje!
– “Dihet që prindërit tanë e kanë përjetuar me shumë dhimbje shembjen e shtëpive”.
– “Po brezit tonë, si iu duk ky veprim”? – e pyeta unë me vështrim kureshtar.
– “Edhe ne tmerrësisht dhimbshëm e përjetuam, pasi bashkë me shtëpitë, u zhdukën kujtimet më të bukura të fëmijërisë! Na u duk sikur na shqitën muskujt nga eshtrat e trupit! Kuptohet, prindërit tanë, që i ndërtuan me kaq shumë sakrifica e mundime, përjetuan dhimbje disa herë më të fuqishme, sepse këtyre u dukej se këtej e tutje, do jenë me zemër të shqyer”!…
– “Ndoshta ngacmimi i parë për të ndërmarrë këtë masakër urbane, ka shërbyer madhështia e kishës, e cila tërhiqte si magnet vëmendjen e kalimtarëve, dhe shumë prej tyre bënin kryq…”, – shpreha unë mendimin tim. – “Por mund të kenë patur dhe arsye të tjera, kryesisht ndërtimin e pallateve shumë kate, për të strehuar popullsinë e ardhur nga fshatrat. Qendra ka ndryshuar”?
– “Janë sistemuar rrugët dhe lulishtja, dhe pak me poshtë do ndërtohen Turizmi e Biblioteka. Harrova të vë në dukje diçka tjetër të rëndësishme: përkohësisht daj Naunit i kanë dhënë strehë në lagjen hyrëse të Beratit, në ‘Murat Çelepie’, deri në përfundimin e pallateve të rinj, në lagjen ‘Çlirimi’. Pastaj do na mbledhin të gjithë familjet në një pallat.
– “E marr me mend sa shumë janë hidhëruar gjyshet tona”!….shtova unë. – “Nuk na lanë të vdesim në truallin tonë, por na futen në burg”! – iu ankuan njëra-tjetrës, kur erdhi urdhri të dilnim nga shtëpitë. – “Prandaj ku mbërritën buldozerët për t’i shembur, i larguan me nxitim, që të mos shinin me sytë e tyre, si shkërmoqej e thërrmohej përpjekja e një jete, pasi e dinin që do vinin kujën e do mallkonin…”!
– “Po tani që do zbres nga autobusi, si do orientohem për të gjetur apartamentin e dajës? – pyeta unë i shqetësuar.
– “Do shkojmë në hotelin e dikurshëm, ‘Collombo’, që ti e mban mënd fare mirë, pasi vetëm punonjësit e këtushëm e dinë saktësisht ku ta gjejnë shefin e tyre të shërbimit social. Kam bindjen që përgjegjësi i hotelit, do ta rehatojë në dhomën e pritjes, që kur të vijë dai Nauni, të gjejë në kushte sa më të mira…”, – buzëqeshi doktor Vangjeli. Dhe para se të përshëndetej, i bëri shenjë kamerierit të afrohej, që të njoftonte përgjegjësin se ka ardhur nipi i Naunit.
– “Do të kisha shoqëruar vete deri në ardhjen e babait të Bertit, – shtoi ai, – por më duhet të largohem, pasi më presin në spital…”! (Kur po më përqafonte, vuri re përgjegjësin duke ardhur drejt nesh). Ky u tregua mjaft i sjellshëm: menjëherë pas përshëndetjes, na futi në kthinën e pritjes, dhe na u lut të hanim e pinim diçka nga kuzhina mikpritëse, me shpjegimin se; gjatë rrugëtimit, stomaku i njeriut boshatiset më shpejt se zakonisht.
Më kujtohej mjaft mirë mjeshtëria e kuzhinierëve të këtushëm. Daja më sillte shpesh në këtë mjedis të këndshëm, më luksozi i qytetit, për të më ushqyer me gatimet më të shijshme. Pastaj më ngjiste lart, në kthinën e tij të pushimit, që të merrja një sy gjumë. Përkujdesje kaq të ngrohta e miqësore të dajës për nipin, nuk e kisha ndeshur në asnjë roman, tregim apo novelë. Kjo përkujdesje hyjnore, buronte nga ndjesi krejt të veçanta, që s’i kanë njerëzit e zakonshëm, si dhunti e brendshme e disa individëve mjaft të rrallë, të pajisur me dashuri jashtëtokësore, e pa krahasuar me asnjë tjetër.
Ky trajtim përrallor i mrekullueshëm më dhuronte kënaqësi dehëse, e quaja veten fatmadh, që nëna kishte një vëlla kaq të përsosur! Jo vetëm unë, por të gjithë ata që e njihnin, pyesnin veten të habitur: si ka mundësi, nga zemra e tij të burojë pareshtur dashuri e pashtershme për njerëzit?! Kushdo që i drejtohej për diçka, ai gjithnjë përgjigjej: “o vëlla”! Dhe me zërin e ëmbël e buzëqeshjen simpatike, që pas pak shndërrohej në qeshje gazmore, jepte shpjegime të ngrohta e bindëse, sa i qetësonte. Prania e tij më sillte në çdo çast, kënaqësi pranverore, ndjehesha i lumturuar! Më dukej sikur ngjitesha në majën e Olimpit, dhe futesha brenda tempullit të Zotave të Lashtësisë së Antikitetit! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016