Nga Prof. Dr. Kolonel Memush Habilaj
Pjesa e dytë
Memorie.al / Epoka e Armëve Bërthamore për njerëzimin, u hap më 6 gusht 1945, datë në të cilën SHBA-ës, hodhën në Hiroshima të Japonisë, bombën e parë bërthamore, me emërtimin konvencional: “Little Boy”, (“Djali i Vogël”) me uranium – 235 dhe të pasuar me goditjen e dytë mbi Nagasaki, më 9 gusht 1945, me bombën me emërtim; “Fat Man”, (“Trashaluqi”) me Plutonium – 239. Ky sulm bërthamor shkaktoi vetëm në Hiroshima, deri në 140.000 viktima në njerëz, shkatërroi 50 mijë ndërtesa, si dhe dëmtime të tjera të pallogaritshme e, u shoqërua me pasoja afatgjata në njerëz dhe në mjedis. Qysh nga shpërthimi i parë bërthamor provë, më 16 korrik 1945 e, deri më sot, fuqitë bërthamore kanë kryer 2000 testime bërthamore në tokë, ajër, nën tokë, nën ujë, duke sjellë pasoja në mjedis, shëndetin e njerizimit dhe degjenerime në klimën e planetit. Armët bërthamore janë armë të dëmtimit në masë, efektet e tyre dëmtuese janë të pakufizuara në hapësirë dhe në kohë.
Katastrofa e Hiroshimës – Strategjia bërthamore dhe skenarët e një lufte të mundshme bërthamore:
Për njerizimin epoka bërthamore filloi me goditjen e parë në histori të kryer nga SHBA mbi qytetet japoneze Hiroshima e Nagasaki. Njëkohësisht kjo shënoi edhe fillimin e Luftës së Ftohtë 1945-1990. Nga i vetmi shtet fuqi bërthamore, që ishte SHBA-ës më 1945, në vitin 1990, në botë kishte 9 fuqi të tilla, me një arsenal të frikshëm bërthamor. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, nga fuqitë bërthamore u ndoq një politikë e pranuar nga të gjithë, që kishte si bazë ruajtjen e një ekuilibri bërthamor global, që garantonte stabilitetin ndërkombëtar.
Arsenali bërthamor shërbente si mjet bindjeje të detyruar, mjet frikësimi, shantazhi e presioni, për të ruajtur këtë stabilitet. Në përshtatje me këtë politikë globale, janë ndërmarrë një seri marrëveshjesh midis fuqive bërthamore, për kufizimin e A.B., mospërhapjen e tyre etj., si p.sh. marrëveshjet SALT-1, SALT-2 etj.
Por brenda politikave ndërkombëtare shtabet e forcave të armatosura të secilit vend, përpunonin doktrinat luftarake për përdorimin konkret të A.B. në operacionet luftarake, pa u merakosur shumë për politikën e madhe. Në vendet e Bllokut Lindor, ish-Bashkimi Sovjetik (Rusia sot) dhe Kina si fuqi bërthamore, ishte pranuar parimi i “Mospërdorimit të parët të A.B. në një konflikt të armatosur”, (“Non First Strike”–NFS), parim i cili do të synojë që të përbëjë bazën e etikës bërthamore botërore, por në vitet 1980, në doktrinat luftarake të tyre, u përcaktua se: goditja bërthamore mund të jepet kundër çdo shteti ose koalicioni shtetesh, që disponon A.B. ose jo, por që ndërmerr një agresionin në shkallë të gjerë kundër vendit të tyre.
SHBA-ës nuk e kanë pranuar, asnjëherë një parim të tillë NFS, por ka rezervuar të drejtën e përdorimit të A.B. në çdo konflikt ushtarak, si për interesat e veta ashtu edhe për mbrojtjen e aleatëve të saj kudo në botë, në bazë të strategjisë të ombrellës bërthamore (“Nuclear Umbrella”). Në vitin 2010, SHBA-ës (Presidenti Obama), pranoi parimin NFS, kufizimin mospërhapjen e A.B. dhe çarmatimin bërthamor dhe në vitin 2014, arritën marrëveshjen e paritetit bërthamor me Rusinë.
Të gjitha fuqitë bërthamore e kanë përqendruar kompetencën e urdhër-dhënies së përdorimit të A.B. te autoriteti i presidentit të vendit, i cili e merr vendimin me këshillimin dhe miratimin e ministrit të mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Shtabet e Forcave të Armatosura, mbajnë gati planet, strukturat, skenarët e mundshëm të përdorimit të A.B., sistemet kontrollit dhe lëshimit të A.B. mbi çdo pikë të globit tokësor dhe në çdo kohë. Në përgjithësi në strategjinë e tyre bërthamore, këto shtabe si fillim parashikojnë dy shkallë të dhënies së goditjeve bërthamore:
- Godtitja e parë, goditje bërthamore parandaluese, goditje preventive, që jepet mbi objektet e rëndësisë së veçantë të kundërshtarit, me qëllim që ta pamundësojë atë të ndërmarri goditje bërthamore, kjo do të realizohet nëpërmjet aviacionit strategjik ose, raketave që mbahen gjithë kohën në gatishmëri luftarake, me synimin që të jetë një goditje bërthamore e kufizuar dhe lokalizuar, pa u shtrirë mbi qendrat e banuara.
- Goditja e dytë, goditja hakmarrëse, hakmarrja bërthamore, ndërmerret si përgjigje ndaj goditjes së parë bërthamore që dha kundërshtari, me të gjitha llojet e A.B. dhe mjetet e përdorimit, kryhet mbi objektet ose qendrat e banuara, për të ushtruar hakmarrje dhe terror mbi kundërshtarin, duke asgjësuar pa dallim objekte dhe popullsinë e pambrojtur.
Në rast se nuk do të gjendet një mundësi për zgjidhjen e konfliktit ushtarak midis palëve, vazhdojnë goditjet pa kufizim mbi territorin kundërshtar, duke përfshirë edhe aleatët e tij, duke marrë parasysh se të njëjtën përgjigje, do të japi edhe kundërshtari mbi vendin tënd, lufta do shndërrohet në një luftë globale bërthamore. Për pasojë, lufta bërthamore nuk do të ketë kufi dhe do të vuajnë edhe ato vende që nuk marrin pjesë në konflikt dhe që janë shumë larg teatrit të luftimeve.
Globi tokësor do të përfshihet nga kolapsi bërthamor, që do ta bëjë të pamundur çdo lloj jetese në të. Të gjitha fuqitë bërthamore sot, deklarojnë se nuk do të ndërmarrin të parët një goditje bërthamore, në një konflikt luftarak të mundshëm, duke kryer veprime luftarake me armë konvencionale, në rajone të caktuara. Ekspertët e luftës bërthamore, kanë ndërtuar skenarë dhe kanë parashikuar pasojat e një lufte bërthamore në globin tokësor,gjë që duhet të vlerësohen nga kastat politike që drejtojnë shtetet, që janë fuqi bërthamore.
Nuk duhen përjashtuar rastet e ardhjes në fuqi të klikave diktatoriale e luftënxitëse, në vende e kohë të caktuara, të cilat nuk ndalen para çdo metode e mjeti për të goditur kundërshtarët e çdo lloji. Parashikimet dhe llogaritjet e dëmeve kryesore për disa variante të luftës bërthamore, të publikuara nga ekspertët e luftës bërthamore në vitin 2022, japin këto shifra orientuese:
- Duke ditur se bota disponon sot një arsenal deri 15.000 copë A.B., nga të cilat 5.000-6.000 mund të jenë të fuqisë strategjike, gjysma prej tyre A.B. me fuqi mesatarisht 200 KT e, gjysma tjetër armë termobërthamore me fuqi nominale 5 MT dhe kur bomba që shkatërroi Hiroshimën ishte 20 KT (bomba nominale), një llogaritje e thjeshtë tregon se arsenali i sotëm bërthamor botëror, është i baras-vlefshëm me 800 mijë, deri 1 milion, bomba bërthamore nominale .
- Në rast të një lufte të kufizuar bërthamore, me përdorimin e 50 bombave nominale, do të asgjësohen menjëherë deri 10-15 milionë njerëz, ndërsa me vdekje të vonuar nga rrezatimi, reshjet radioaktive dhe impulset elektromagnetike, do të përfshihen deri 100 milionë njerëz të tjerë. Mbi tokë do të ngrihej një re radioaktive, ku do përfshihej një masë karboni (blozë) dhe silici deri 5 milionë ton, që do të mbulonte globin tokësor, do të errësonte dritën, temperatura do të ulej, bujqësia do të binte në kolaps, uria do përfshinte qindra miliona njerëz.
- Një luftë e kufizuar bërthamore midis Indisë dhe Pakistanit, me përdorimin e 100 A.B. nominale nga të dy palët ndërluftuese, do të shkaktonte deri 2 miliard viktima, 1 miliard viktima me vdekje të drejtpërdrejtë dhe të tjerat me vdekje të ngadaltë. Pasojat e kësaj lufte do të shtriheshin në distance prej mijëra km. larg, në vendet që nuk kanë asnjë lidhje me këtë luftë .
- Një luftë bërthamore midis SHBA-së dhe Rusisë, do të shkaktonte zhdukjen e menjëhershme të 360-400 milionë njerëzve, te të dy vendet, në qoftë se do të përfshiheshin në konflikt edhe vendet evropianoperëndimore, kjo shifër do të shkonte në 600-700 milionë, vendet europiane me dendësi të lartë popullsie, do të pësonin humbje katastrofike, ekonomia e vendeve në konflikt do pësonte kolaps total.
- Një luftë bërthamore globale me përfshirjen e të gjitha fuqive bërthamore, do të asgjësonte deri 99 % të popullsisë të globit tokësor, njerëzimi do të përfundojë në kolaps, toka do të bëhej e pabanueshme, në tokë nuk mund të zhvillohet asnjë lloj jetese, temperature do të zbresë në 7-8 0C, do të vijë “Dimri Atomik”. Rehabilitimi i mjedisit dhe rigjallërimi i jetës do të kërkojë shekuj të tërë .
- Probabiliteti i zhvillimit të një lufte bërthamore nga fuqitë bërthamore, mund të jetë përafërsisht në kohë: gjatë 50 vjetëve të ardhshëm deri 63 %, deri në 100 vjet, 87 %, deri në 200 vjet, 98 %, brenda 500 vjetëve, shkon në 99.99 %. Ky parashikim bazohet mbi zhvillimet dhe tendencat e sotme politike e gjeopolitike, psikologjinë dhe konceptet strategjike të shtabeve ushtarake të vendeve disponuese të A.B., psikologjinë dhe veprimtarinë kundërvënëse të forcave progresiste në botë, si dhe të shumë faktorëve të tjerë, të cilët mund të ndryshojnë në kohë dhe të sjellin situata të tjera, tani për tani të paparashikuara.
Njerizimi ka vetëm një rrugë të sigurt për të shpëtuar nga holokausti bërthamor: eliminimin e plotë e pa kushte të armëve bërthamore, në mbarë globin tokësor
SHTOJCË: Katastrofat bërthamore të Çernobilit dhe Fukushimës
Duke filluar nga viti 1945, vit i hapjes së epokës bërthamore e deri më sot, në botë kanë ndodhur një seri aksidentesh bërthamore, me A.B., e mjetet e përdorimit të tyre, si edhe me reaktorët bërthamorë që shfrytëzohen për energji elektrike. Nga lista e gjatë e këtyre aksidenteve, dy prej tyre faktikisht përbëjnë katastrofa bërthamore, si përsa i përket dëmeve njerëzore dhe ekonomike, ashtu edhe nga impaktet ekologjike në mjedis që do të shtrihen me shekuj.
Për të vlerësuar përmasat e katastrofave bërthamore që godasin shoqërinë njerëzore, në vitin 1990, është përcaktuar nga IAEA (International Atomic Energy Agency) një shkallë vlerësimi prej 7 nivelesh, me vlerën maksimale 7, INES – International Nuclear Event Scale, katastrofat e Cernobilit dhe Fukushimës kanë maksimumin me nivelin 7, si më të mëdhatë. Lidhur me këto katastrofa po paraqesim në vijim një panoramë përmbledhëse, mbi efektet dhe dëmet e shkaktuara .
Katastrofa e Çernobilit:
Çernobili është një qytet në veri të Ukrainës, në kënetat e Pripjatit, në kufi me Rusinë dhe Bjellorusinë. Aty qe instaluar një kompleks energjetik bërthamor, i përbërë nga një bateri prej katër reaktorësh nga më të fuqishmit në botë. Për shkaqe të paqarta edhe sot, më 26 prill 1986, reaktori Nr.4, pësoi një avari teknike dhe doli jashtë kontrollit, nga mbinxehja e reaktorit shkriu dhe avulloi gjithë instalimi ku ndodheshin 190 ton oksid uraniumi, kupola prej 2.000 ton hekur-betoni special dhe gjithçka që ndodhej në territorin e reaktorit.
U formua një re e ngarkuar me lëndë radioaktive, e cila fillimisht lëvizi nën rrymat ajrore drejt Bjellorusisë, Polonisë, Suedisë, Finladës, më 28 prill, hiri radioaktiv u diktua në Suedi 1.100 km. larg Çernobilit, me ndryshimin e drejtimit të rrymave ajrore, reja u drejtua në Europë, arriti deri në Pirenej, por pa i kapërcyer ato, degëzimet e saj u përhapën deri Skoci e Kanada. Nga ndotja radioaktive u prekën në total 335.000 njerëz, (disa e çojnë këtë shifër në 500.000), mbi 60.000 në zonën Çernobilit, 125.000 në Rusi, Ukrainë, Biellorusi dhe deri 125.000 në vendet e Europës.
Në Biellorusi ranë rreth 60 % e ndotjeve radioaktive dhe u evakuuan 135.000 banorë. U përcaktua një zonë ekskluzive me rreze 30 km. nga qendra e shpërthimit, nën vëzhgim të rreptë dhe prej së cilës u evakuua çdo banor. Nga studimet e kryera deri në vitin 2005, janë identifikuar 4-9.000 vdekje nga rrezatimi akut dhe pasojat e vonuara, punimet për pastrimin e zonës ekskluzive do të vazhdojnë deri në vitin 2065, gjatë 70 viteve do të ketë shtim të sëmundjeve kanceroze dhe deformime gjenetike. Në total dëmet dhe shpenzimet për rehabilitimin e mjedisit, parashikohen deri në 700 miliard USD (përfshi edhe korrigjimet për inflacionin). Zona mund të bëhet e banueshme pas 300 vjetësh minimum, ndotja nga izotopi i plutoniumit-239, do të jetë e pranishme deri në 20.000 vjet.
Ky shpërthim hodhi në atmosferë 6 ton karburant bërthamor dhe 400 herë më shumë ndotje radioaktive, se sa bomba që shkatërroi Hiroshimën, por 100-1000 herë më pak se sa ndotjet e shkaktuara nga provat bërthamore të kryera gjatë Luftës së Ftohtë, 1945-1990. Ndotjet radioaktive shkaktohen nga rreth 200 izotope radioaktivë të 34 elementëve, të klasifikuar në tre grupe sipas periudhës së gjysëm-zbërthimit T1/2 (jetëgjatësisë) të tyre dhe që vlerësohen të padëmshëm, pasi kalojnë kohën prej 10 fish të T 1/2 :
- Izotopë jetë shkurtë, kryesorët Jodi 131 I, me T1/2 =8,05 ditë, Bariumi 137Ba me T1/2 =12,8 ditë. Më i rrezikshmi është Jodi që akumulohet në gjëndrat tiroide dhe shkakton sëmundje kanceroze. Ky izotop e humbet aktivitetin mbas rreth 80 ditësh (10 periudha T1/2).
- Izotope me jetëgjatësi mesatare, më kryesorët e më të rrezikshmit janë, Stronciumi- 90Sr, me T1/2 = 28,8 vjet, i cili akumulohet në kocka dhe gjeneron leucemisë dhe Ceziumi 137Cs me T1/2 =30,2 vjet, i cili përthithet nga bimësia, futet në zinxhirin ushqimor dhe akumulohet në zemër duke shkaktuar kancer në shumë organe. Në mjedisin e ndotur me këta izotope, duhet pritur deri 300 vjet (10 T1/2), për t’u bërë i banueshëm, por edhe pas kësaj periudhe, në përqendrime shumë të vogla, këta elemente mbeten të rrezikshëm.
- Izotop jetë gjatë me T1/2 nga 200.000-16 milionë vjet, më kryesorët e më të rrezikshmit janë: Tekneci-99, Neptuni-237, Plutoni-242, Jodi-129, të cilët praktikisht do të qëndrojnë në mjedis në pafundësi, duke mbetur burim ndotjesh e sëmundjesh.
Katastrofa e Fukushimës:
Në qytetin Fukushima Daiiki të Japonisë në vitin 1971, qe ngritur një instalim energjetik i fuqishëm i përbërë nga një bateri prej gjashtë reaktorësh bërthamorë, në kohën e aksidentit Japonia prodhonte 25 % të energjisë elektrike nga reaktorët bërthamorë, me perspektivë që kjo shifër të shkonte gradualisht në 30-50 %, për arsye të mungesës së burimeve alternative energjetike. Pas aksidentit të Fukushimës, filloi mbyllja e reaktorëve bërthamorë, duke e zbritur në 5,2 % energjinë e fituar prej tyre.
Duke filluar nga marsi 2011 ishte planifikuar futja në remont e reaktorëve të Fukushimës gradualisht. Më 11 mars 2011, në oqean ndodh një tërmet i fuqishëm me epiqendër 130 km. larg reaktorëve, që shkaktoi një cunam i cili, ngriti një dallgë me lartësi 13-14 metra, dallga pas 50 minutash mbërriti në breg, kapërceu murin mbrojtës të kompleksit bërthamor buzë detit, me lartësi prej 8 metrash dhe përmbyti instalimet energjetike që ndodheshin 10 m. mbi nivelin e detit.
Dallga e cunamit shkatërroi sistemin energjetik në gjithë zonën, ndërpreu furnizimin me energji të kompleksit bërthamor, si edhe bekapin energjetik të tij, duke nxjerrë jashtë kontrollit reaktorët.Por në sajë të sistemit të përsosur paralajmërues në rast tërmetesh, sensorët ndërprenë menjëherë punën e reaktorëve, duke shmangur kështu një katastrofë bërthamore të paimagjinueshme. Me punën këmbëngulëse të personelit u arrit të kufizohej katastrofa, për të mos kaluar në një fatkeqësi bërthamore, me përmasa të pakufizuara. Nga datat 21-28 mars 2011, u arrit të vihej nën kontroll situata. U përcaktua zona ekskluzive me rreze 20 km. (si në rastin e Cernobilit), u zhvendosën 164.000 banorë, në distancë deri në 30 km. nga instalimi i shkatërruar dhe u mor në kontroll të rreptë e gjithë zona. Reja radioaktive përmbante izotopet e Cezium-137, jodit-131, ksenonit-133, etj.
Deri 40-80 % e materialit radioaktiv, precipitoi në oqean dukë ndotur gjallesat dhe duke krijuar probleme të mëdha ekologjike në mjedis dhe përhapjen e radionuklideve në zinxhirin ushqimor me origjinë detare. Pas Çernobilit, katastrofa e Fukushimës vjen e dyta nga përmasat. Nga studimet e kryera deri në vitin 2023, janë identifikuar 19.759 njerëz të prekur nga rrezatimi, 2.200 të hospitalizuar, 51 të vdekur.
Në banorët e Fukushimës u krijua dukuria e radiofobisë, me simptoma të depresionit, ankthit, qorrimit, streseve të ndryshme çrregullime mendore, etj. Parashikimet e publikuara deri më 2023, llogarisin një rritje të sëmundjeve kanceroze: kanceret e përgjithshme me 4 %, leucemitë me 7 %, kanceret e tiroideve me 70 %. Dëmet e përgjithësme arritën në vlerat 360 miliard USD, me indeksimin më 2023 në vlerën 487 miliard USD, vlera më të larta se përfitimet nga instalimi energjitiko-bërthamor. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016