Nga Beqir SINA
Pjesa e parë
Memorie.al / Virxhinia (USA). Është nder i madh dhe i veçantë të flasim për një personalitet të arsimit të kulturës dhe të atdhetarizmit, siç është pikërisht “Mësuesi i Popullit” Janko Ll. Pali. E kemi për nder, por edhe për detyrë që t’a respektojmë në shkallën më të lartë, këtë shqiptarë, që ka bërë aq shumë për kulturën kombëtare, arsimin dhe atdhetarizmin. Janko Ll. Pali, ishte dhe mbetet kështu, përgjithmonë, një figurë e plotë e përmasave kombëtare, në këtë pjesë të perlës shqiptare, Bregdetit Jon. Janko LL. Pali, emër i dashur e i njohur i Bregdetit Jon, i përket plejadës së nderuar të figurave të shquara të kulturës, politikës dhe atdhedashurisë shqiptare, për gjithë atë periudhë, që ai jetoj! Çuditërisht, pasi njihesh me veprën e tij, lind pyetja: Përse, edhe Janko LL. Palin, e futën në murin e heshtjes?!
Megjithëse, jeta e tij nuk ka qenë e qetë asnjëherë, përkundrazi, ajo qe e vështirë, plot shqetësime e brenga, me lëvizje të detyruara nga rrethanat tragjiko – historike, në të gjitha periudhat që kaloi vendi ynë. Ai lindi në mërgim, u rrit jetim, e vdiq në mërgim. E kjo ndodhi pikërisht më 12 shtator 1994, kur mbylli sytë ky gjigant i arsimit, për të cilin flet vet koha, për karrierën, dhe gjurmët që la në krahinë dhe më gjerë. Vegjëlinë e kaloi jashtë shtetit, në Greqi dhe në Francë, vështirësitë e kalitën, e brumosën, i dhanë filozofinë e jetës.
Ai kishte pasione patriotike të zjarrta. Gjatë gjithë jetës tij ai punoi, shkroi, lexoi, përktheu e trajtoi bëma, histori, monografi, tekste…e në mënyrë të veçantë fjalorë, si ai “Shqip-Frëngjisht”, një vepër e vërtetë, prej mijëra fjalësh…por që nuk ja botuan, se “dikush” tjetër merret më të…! Edhe pas daljes në pension, etja e tij për dije, nuk shteroi…! Zotëronte anglishten, frëngjishten, esperanto, italishten, spanjishten, greqishten, rusishten e, deri diku dhe gjermanisht.
Ishte një kryefamiljar virtuoz. Nga gjurmimi i autobiografisë së tij, i literaturës së shumtë, mësojmë se lindi në 20 korrik 1898 ne fshatin Çoban Ishah, të Izmirit (në Anadoll) dhe vdiq më 12 shtator 1994. Lindi, aty, ku kishin shtegtuar më parë, prindët e tij dhe i vdiqën një vëlla më i madh (Pilo) dhe babai (Llambro). Ata, vdiqën pikërisht një vit pas njëri tjetrit, kur Jankoja, ishte veçse 10 muajsh. Pra, kjo tregon se jeta e tij filloj me një dramë të vërtet, e cila do t’a ndiqte pas, gjatë gjithë jetës, siç tregojnë faktet.
Mund të radhisësh këtu që në fillim, se qëndrimi i tij moral gjatë të gjithë kohës, deri në vdekje, ka qenë shumë i lartë. Ai askurrë s’ka vepruar a menduar të kryej ndonjë veprim që do mund t’i ngjitet emrit dhe familjes, sikur edhe njollën morale më të vogël. Qëndrimi moral dhe politik gjatë 50 vjetëve të aktivitetit të tij shoqëror, gjatë jetës, mund t’a ndajmë në disa etapa:
– Periudha e emigrimit (1914-1928) – e shërbimit si zyrtar shtetëror, deri me 1939 – e shërbimit gjatë okupacionit (1939-1944) – periudha nga mbarimi i Luftës e, deri në daljen në pension (1944-1964) – periudha nga dalja në pension, e deri sa mbylli sytë përgjithmonë.
Periudha e emigrimit (1914-1928)
Më 1900, Janko Pali kthehet në fshatin e tij së bashku me nënën, kur vendi ynë, ishte nën sundimin e Perandorisë Turke. U rrit e hyri në shkollë, që atëhere ishin në Bregdet, shkolla të gjuhës greke (sipas propagandës së Patrikanës). Në vitin 1912, megjithëse me rezultate të mira, përfundojë shkollimin 7 vjeçare dhe nuk pati asnjë mundësi ekonomike të vazhdonte më tej, pasi Ballkani ishte në një situate luftërash të ashpra dhe shkollat qenë të mbyllura për shkak të luftës. Qëndron i pa punë gjatë viteve 1912-1913, deri sa angazhohet si çirak shollë-bërës, në një ish-dyqan të Kiço Savës.
Në qershor 1914, i pa punë në fshat, vendos të emigrojë. Largohet nga vendi, e shkon në Athinë, ku në atë kohë kishte xhaxhallarët (e kushërinj të babës) me punë të ndryshme. U sëmurë nga zbërthimi i kyçeve të këmbëve (pllatipodhi). I sëmurë u largua nga puna, në mars a prill të vitit 1915, u kthye në shtëpi. Pasi gjendja shëndetësore u përmirësua dukshëm, me ndërmjetësinë, kësaj radhe të xhaxhait nga baba, Leonidha Palit, shkoj në Pire, si nxënës teknik në Ofiçinën e trenave të Greqisë, të linjës Pire-Llarisa-Kufi.
Aty u regjistrua dhe në shkollën Profesionale (natën), bashkë me shokun e mikun tij, të tërë jetës, Neço Muka, nga Himara. Më pas, mbetur pa punë, në nëntor të atij viti (1915), shtrëngohet të lërë dhe shkollën, e të shkoj në Llavrio, ku u futet si ndihmës-farkëtar në Ofiçinën e shoqërisë Frënge të minierave greke. Qëndroj aty (Llavrio), si i tillë, deri në qershor të vitit tjetër (1915) dhe kthehet përsëri në Pire. Punon aty deri në maj të vitit 1917, kur, shtrënguar nga uria, që asokohe i ish imponuar Greqisë, për arsye se mbante një politikë jo në favor të Aleatëve.
Më 1916-ën, regjistrohet në Konsullatën frënge të Francës në Pire, për të shkuar në Francë dhe pasi shkon atje, në qershor të vitit 1917, angazhohet si ndihmës-mekanik, në Marsejë dhe punon në ndërmarrjen e madhe, A. Gramon-it në Pont de Cheruy, afër Lionit, për afër 10 muaj. Në shkurt të vitit 1918, me interesimin e një shoku të tij grek, që kishte njohur në Pont-de-Ceruy, Thanas Koropuli, shkon në Paris.
Njëkohësisht, ikën nga Bullonja dhe shkon në qytetin e Sent-Etjenit, qëndroj atje në lagjen “Kodoshode”, ku filloj punë si shënjues në Uzinat “Leflev”. Shpërblimi i pakët që paguhej në atë bastin të Luar-it dhe jo me perspektivë të mund t’i bënte ballë jetesës, i mbush mendjen (ndoshta dhe nostalgjia), të kthehej përsëri në Paris, qytetin e quajtur “Qytetin Dritë”. Kështu që, mbasi ndërroj shumë vende pune, vajti së fundi në uzinën “Salmson” dhe atje nuk luajti më, deri ditën që u largua përfundimisht, me gjithë ç’kisha, nga vendi i Galëve …në vitin 1928.
Largohet nga Parisi mbasi jetoj aty, që nga shkurti i vitit 1918, deri më 4 tetor 1928. Ikën nga Franca dhe shkon në Pire më 8 tetor të atij viti, dhe takon xhaxhanë, Leonidha Pali. Udhëton nëpër Greqi, për t’u kthyer në atdhe, më 17 tetor 1928 dhe tre ditë më pas, fillon sërish detyrën e mësuesit. Këtu sipas shënimeve që ka lënë vetë ai, thotë, se ka qenë mirë, i kënaqur me detyrën e re, e cila e ngre nga gjendja prej punëtori të krahut. Kënaqësia, e tij shprehet kur arriti të behet nënëpunës brenda në shtetin e tij (Shqipërinë).
E gjithë kjo pati ndodhur, pasi kurbeti i neveritshëm, dashur pa dashur i kish marrë plot 14 vite të jetës, ndonëse herë pas here i shkonte nëpër mend, ç’farë kishte lënë mbrapa, si vende me horizonte të hapura, si shoqëri, si argëtim, për të cilat një nostalgji e fortë, diku – diku e bënte të regretoj çastin deçiziv, të vendosë të i hedhë të gjitha ato mbrapa krahut dhe të zgjidhë problemet e jetës, ashtu siç bëri në vendin e tij- në Shqipëri.
Periudha e shërbimit si zyrtar shtetëror, deri me 1939
Janko Pali filloi detyrën si mësonjës në klasat e para të fillores, duke marrë përsipër edukimin e filizave të njomë të racës e të kombit tonë. Shërben me shumë pasion dhe derdh të gjitha mundësitë, i jepet detyrës pa kursim, studimit të materialeve të ndryshme, për të mundur të behej një edukator i mirë dhe të nxjerrë nxënës të zotë e të aftë. Nxënës që t’i shërbejnë edhe jetës së tyre, por dhe shoqërisë, ku do thirreshin të shërbejnë kur do ju vinte koha edhe atyre të jepnin nga diturit e marra në klasat e para. Në këtë rrugë fisnike, ai u pri nga aksioma “Edukuesi edukon veten”.
Në vitin 1932, thirret të kryej shërbimin ushtarak në Shkollën e Oficerëve te Plotësimit në Tiranë, bashkë me një grup të madh shokësh të tjerë. E ndjek atë shkollë dhe gradohet aspirant në rezervë të ushtrisë shqiptare. Kaloi atje dymbëdhjetë muaj shërbim në seksionin e xhenios, për t’u specializuar me pas në ndërlidhje, si radio-telegrafist. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, kthehet përsëri në detyrë si mësonjës.
Mungesa e teksteve atë kohë, i ngre ndërgjegjen e përgjegjësin morale, duke e detyruar të kopjoj shumë tekste shkollore, të marra edhe nga literatura e huaj. Bashkë me ato kopjime, njëkohësisht merrej edhe me studime tekstesh të ndryshme, që ose i pati gjetur në Shqipëri, ose i kërkonte t’ja dërgonin nga Greqia, Franca e Zvicra.
Në vitin 1935, vendos të shkoj në Elbasan, në shkollën “Normale”, të bënte provimin e aftësisë Pedagogjike, për të vërtetuar aftësin për të qenë një edukator i mirë dhe i përshtatshëm për të edukuar brezin e ri. Pas një qëndrimi atje më se një muaj, dhe mbasi jep provimet e caktuara në të gjitha lëndët që jepeshin në atë shkollë, për të qenë mësues, fiton provimet, e kthehet në fshat, duke u caktuar krye-mësues, merr dhe përgjegjësinë e shkollës dhe ushtrimin në klasat më të larta.
Gjatë kësaj kohe që ushtron detyrën, ndjek edhe politikën e kohës, për të bërë nxënësit të arrinin te kuptonin ç’farë dëmi kishte kombi ynë, me shërbimet fetare që bëheshin në gjuhën greke. Kështu që i irrituar nga ky fenomen i mbetur nga vitet e kaluara, tenton që disa gjëra: si p.sh. “Apostulli” dhe “Pistevo” dhe “Pater-imon”, të thuheshin gjatë meshës në gjuhën tonë, amtare, shqipen.
Mirëpo rryma e fortë pro-greke e fshatit, i del kundër dhe nuk arriti dot sukses, por përkundrazi, fiton një antipati dhe sulmohet e vihet në shënjestër. Kjo, ka qenë më vonë një nga shkaqet për të cilën në kohën e okupacionit grek të vendit, të akuzohet si anti-grek, dhe të largohet me dhunë gjatë kohës që grekët qëndruan në Jug të Shqipërisë, si pushtues, më 1941.
Periudha e shërbimit gjatë okupacionit (1939-1944)
7 Prilli i vitit 1939, e gjen më 19 shokë të tjerë nga fshati, si vullnetarë kundër invadimit të Italisë fashiste. Qeveria në atë kohë organizon një koloni fëmijësh nga të fshatarëve të Bregut, në “Ujin e ftohët”, Vlorë. Caktohet si shoqërues të tyre me një grup arsimtarësh nga Bregu, të ngarkuar me detyrën e edukatorit. Rreth 30 mësues për 100 fëmijë, midis tyre dhe mësuesin e Bregut, Janko Ll. Pali. Në maj të atij viti, të gjithë arsimtarët e Vlorës, 45 në numër, urdhërohen të shkojnë në Tiranë, pasi do takoheshin me Jakomonin, Mëkëmbësin e Mbretit Viktor Emanueli i Tretë
Të organizuar shkojnë të gjithë aty nga gjithë Shqipëria, për të marr pjesë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të poetit tonë të madh, Naim Frashëri, të sjellura nga Stambolli. Mësonjësi i Bregut, Janko Ll. Pali, u zgjodh nga një përfaqësi, për të folur ne lidhje me rëndësinë e kësaj ceremonie. Ai, flet disa fjalë të shkruara për të lavdëruar dhe nderuar kujtimin e bilbilit te Frashërit, dhe, t’ia urojë tretjen e eshtrave në baltën e dheun tonë, për të cilën e kish brejtur malli gjithë jetën e, përfundojë duke thënë; “i lehtë dheu i tokës mëmë dhe qoftë i paharrueshëm kujtimi i tij”!
Në verë të vitit (1940), për fëmijët e fshatit Himarë, organizohet në Spile, një koloni e vogël prej afro 40 fëmijësh, nën kryesinë e Karabinierisë, urdhërohet të shkoj si drejtor administrator honorifik, në ndihmë të kolegeve, F. Veizaj, M. Veizi dhe A. Zoto, në atë kohë studentë, në “Normalen” e Elbasanit. Bashkohet me më se 700 intelektuale, të konsideruar Inteligjenca Shqiptare, midis tyre dhe mësonjësi i bregdetit, Janko Ll Pali, në Durrës. Me anë të një letre drejtuar komandantit të Karabinierisë në verë të vitit 1941, refuzon detyrën që donin t’i ngarkonin, si administrues, i një tjetër kolonie fëmijësh.
Në vjeshtë të vitit 1941, u transferua si kryemësues, drejtues i shkollave të Himarës, me qendër në Himarë-fshat. Lufta Italo-Greke, e gjen me detyrën e mësonjësit në fshat. Për fat të keq, sa po grekët pushtuan vendin dhe nuk kaluan as dy tre ditë, për ambicie personale të disa elementëve të brendshëm, të cilëve u ishte fiksuar se Janko Ll. Pali, sipas tyre, u kishte bërë padrejtësi, në votimet për kryeplak, dhe ishte kundra politikës greke ndaj vendit tonë. Arrestohet nga grekët, të cilët e përcjellin për gjithë natën, në komandën e Divizionit Grek në Kudhës, (në seksionin e II-të), duke e akuzuar si “shqiptar i rrezikshëm, si mik i italianëve, njeri poligam”, etj., etj.
Kapitenit grek, të ngarkuar në hetimet paraprake i përgjigjet me kurajo dhe vendosmëri, qysh në pyetjen e parë, duke mbrojtur kombësinë (shqiptare) e tezën e tij, duke refuzuar kategorikisht. Të gjitha ato akuza, ai i quajti të rreme dhe të fabrikuara kundra tij. Zyrtarët grekë, pa marr parasysh asgjë nga këto, përgatisin dokumentet e burgut dhe e përcjellin për në Delvinë, Janinë e, nga aty në kampin e Përqendrimit, në Athinë! E gjithë kjo ka ndodhur më janar 1941, ku së bashku me 13 shqiptarë të tjerë, disa robër-italianë (rreth 200 veta) dalin në Prevezë.
I strehuar nëpër kazermat e Evzoneve, fillon jetën e robërisë që duke vazhduar ashtu deri më 25 prill po të atij viti. Më 3 mars, ai shpërngulet me civilët shqiptarë, në kampin famëkeq të Koqinjasë në Pire. Sipas dëshmive të Janko Palit, “Kampi i Koqinjase, në atë kohë, aty mbushej e aty zbrazej, me robër civilë që vinin nga te gjitha ekstremitetet, e shtetit grek. Aty pashë që kaluan mijra kufitarë (akrites) nga Maqedonia, nga Thraka, por sidomos nga Çamëria, krahina Shqiptare.
Burrat çamë, të cilët nuk gëzonin besimin tek grekët, i shpërngulën, disa në iternim në kampin famëkeq të Koqinjasë, në Pire, disa në Pillos, disa ne Mitelini, të mbeturit merreshin gjoja si besnikë, të shërbenin në ushtri, po në shërbim pa pushkë! Me mijëra të tillë çamër, u patën zënë sytë dhe i torturonin, shumë prej tyre i kanë lënë kockat e tyre nëpër kampet e burgjet”, tregonte Janko Pali.
Sipas kujtimeve të tij, me daljen e Gjermanisë në luftë kundër Greqisë, më 6 Prill 1941, pikërisht dhe kur u bë dhe bombardimi i madh i limanit të Pireut, dhe kur trupat greke filluan të tërhiqen përpara sulmit gjerman, filloi edhe tek robërit të rritej shpresa se do çliroheshin dhe ashtu u ndodhi. Më datën 25 Prill, komanda e kampit filloi të lëshojë të lirë, të gjithë ata që do kishin njerëz të tyre të afërt në Athinë, a në Pire. Nga kjo gjendje e krijuar, përfiton edhe Janko Ll. Pali, e del i lirë, por kurrë ai s’besoj, që me daljen në rrugë jashtë kampit, kish mbaruar përgjithmonë robërimi i tij, prej grekëve! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















