Nga Demir Korita
-“Sot, vigani i industrisë kimike, i gjunjëzuar mes ndryshkut, i ngjan një përmendoreje që marrëzia shqiptare i ka ngritur vetvetes”-
Memorie.al / Azotiku i Fierit, një nga veprat më të mëdha të socializmit që bëri revolucion në bujqësinë shqiptare me plehrat azotike, pësoi atë fat që pësoi e gjithë Shqipëria, u shkatërrua në mënyrën më barbare e më fatkeqe. Nuk do të zgjatem shumë në analizën e këtij problemi, pasi nuk është qëllimi dhe objekt i këtij shkrimi, i cili është një shenjë nderimi për djersën dhe gjakun e derdhur të qindra njerëzve në këtë vepër, një shenjë respekti për gjithë ata inxhinierë, specialistë dhe punëtorë që jo vetëm punuan aty me përkushtim, por edhe sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre. Kjo kujtesë dhe trajtesë në 50-vjetorin e krijimit të Azotikut, është edhe si një homazh për gjithë ata njerëz që dhanë jetën aty, por edhe për gjithë ata veteranë e pensionistë që kanë punuar aty e që kthejnë çdo ditë kokën me nostalgji nga fusha e Drizës, që për ta ishte buka dhe jeta e tyre. Ky shkrim është edhe si një homazh për vetë atë gjigant të shtrirë, të mbuluar nga ndryshku, që dëshmon se deri ku arrin në momente të caktuara shtazëria e njeriut…!? Sot, ajo që ka mbetur nga Azotiku, është një përmendore që marrëzia shqiptare i ka ngritur vetvetes.
***
Azotiku ishte një nga veprat më madhështore të ndërtuar gjatë periudhës së socializmit. Ngritja e Azotikut, të Nitrat Amonit, do të ndikonte drejtpërdrejtë në zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e rendimenteve të kulturave bujqësore në atë kohë. Po ashtu edhe nënproduktet e tij, si oksigjeni dhe azoti, do të përdoreshin në industrinë e metaleve dhe atë të shëndetësisë.
Azotiku ishte në vazhdën e projekteve strategjike të zhvillimit të vendit. Është mirë që lexuesi i sotëm dhe brezat që do të vijnë, duhet të dinë arsyet që ndikuan në ndërtimin e Azotikut në rrethin e Fierit, pasi individë të veçantë, të paditur, e kanë në majë të gjuhës të hedhin poshtë çdo gjë të ndërtuar gjatë asaj periudhe. Por analiza e këtij problem i takon kohës.
Për ngritjen e një Uzine Kimike-Azotike. ishte folur qysh në vitet 1957-1958, që do të ngrihej nga ish-Bashkimi Sovjetik. Me prishjen e marrëdhënieve dypalëshe, ky projekt nuk u realizua. Më pas u mendua të lidhej me ish-Republikën Demokratike Gjermane. Por me shkëputjen e Shqipërisë nga ish-kampi socialist, përsëri ky projekt dështoi.
Pas vitit 1961, Shqipëria drejtoi kursin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me Kinën. Në këto kushte, vendi ynë kërkoi të ndërtoheshin disa vepra të industrisë kimike, metalurgjike dhe hidroenergjetike, ku Kina i mbështeti projektet e paraqitura. Në këto kushte, qeveria shqiptare në planin e tretë pesëvjeçar, 1961-1966, deklaroi objektivat që do të realizonte në fushën e industrializimit të vendit, për kalimin e vendit tonë nga etapa e një vendi bujqësor industrial, në një vend industrial-bujqësor.
Për ndërtimin e uzinës së Nitrat Amonit, shteti i kohës dhe Kina bënë marrëveshje për blerje të makinerive dhe pajisjeve dhe të patentës firmës së prodhimit të industrisë kimike më të fuqishme në botë “Montecatini”, me qendër në Novara të Italisë.
Për të përcaktuar rajonin më të mundshëm, se ku do të ndërtohej Azotiku, specialistët shqiptarë dhe ata kinezë, përcaktuan mundësitë klimatiko-gjeografiko-gjeodezike, por edhe ato ekonomiko-sociale, dhe ato dolën më të përshtatshme në Fier, ku do të ndërtohej edhe TEC-i 100 Mega (100 mijë kW orë).
Fieri ndodhej në afërsi të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinëz dhe në fshatin Kafaraj, ishin zbuluar sasi të mëdha ujë të pijshëm, ku do të ndërtohej së shpejti hekurudha Fier-Rrogozhinë, që do të zgjidhte problemin e plehrave kimike dhe te produkteve të naftës nga Rafineria e Naftës aty pranë. Transporti urban i punonjësve prej 5 km, ishte më i favorizuar. Pas tre varianteve, në luginën e Peshtanit, në Levan nëpërmjet Frakullës dhe Kafarajt, në fushën e fshatit Drizë, buzë Gjanicës, u pa më e përshtatshëm ai i ndërtimit në fushën e Drizës.
Trëndafili i erërave nuk përshkonte qytetin e Fierit, pasi në pjesën më të madhe të vitit, erërat qarkullonin në drejtim të jugperëndimit të zonës, ku shmangej ndotja e qytetit. Ky ishte edhe një nga argumentet, krahas të tjerëve, që vendosi koha për ndërtimin e Azotikut në Fier, duke mos patur parasysh disa probleme të ekologjisë, që me të drejtë banorët e fshatrave përreth, ata të qytetit të tyre kanë bërë kritika.
Më 25 nëntor 1964, në fushën e Drizës, u vendos guri i themelit, që lajmëroi nisjen e punimeve të Azotikut. Për udhëheqjen dhe ndërtim-montimit u ngarkua inxhinier Rrahman Hanku, që më vonë u ngrit në detyrë deri edhe Ministër i Industrisë. Për administrimin e Uzinës, në gusht të vitit 1964, u krijua përfaqësia e Uzinës me inxhinier kimist, Petrika Ballauri, disa muaj më vonë, zv/drejtor u emërua Koço Nika, që vinte nga detyra e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tepelenës.
Për ndërtimin themelor të kolonave të uzinës, atyre të kompresorëve, u angazhuan rreth 3000 punëtorë, midis tyre edhe ushtarë të reparteve të punës që punonin me tre turne.
Shumë mjeshtër dibranë, si: Barjam Gjini, Liman Gjini, Rushit Arapi, Nebi Kaduzi, etj., nën drejtimin e inxhinierit të talentuar, Ilo Pajçini, u angazhuan për ndërtimin e kullave të ftohjes, 55 metra të larta. Një vepër mjaftë e vështirë, e cila përfundoi në një kohë rekord prej 7 muajsh.
Nën drejtimin e drejtorit të kantierit, Isidor Siliqit, u ndërtuan bazamentet e kompresorëve, një proces tepër i vështirë. Në muajin prill të vitit 1965, mbërrijnë specialistët e parë kinezë dhe më pas ata italianë, të cilët do të ndiqnin e drejtonin punimet për montimin e reparteve të Azotikut.
Në vitin 1965, shoferët Koço Afezolli dhe Met Delvina (“Heronj të Punës Socialiste”), bën transportin e kolonave gjigante të sintezës, acidit, prej portit të Durrësit deri në Azotik.
Në mars të vitit 1965, 39 specialistë, inxhinierë e teknikë nga fusha të ndryshme të prodhimit, veçanërisht të naftës, u nisën drejt Republikës Popullore të Kinës, për t’u kualifikuar pranë uzinave kimike të Lan Xhout dhe vënien në shfrytëzim të Azotikut, të cilët ishin: Ing. Safa Kumbaro, Ing. Thanas Mërkuri, ing. Theodhori Papajorgji, Bahri Hazizi, Njazi Xhafa, Petraq Adhamopulli, Nikollaq Xhaxho, Kristo Pleqi, Leonidha Marku, Toli Gushi, Anastas Boçova, Simon Ngjela, Andrea Duda, Kleanthi Pogaçe, Sifi Pelari, Piro Mali, Harilla Kulari, Berti Kuko, Nexhat Memisha, Vangjel Dore, Viktor Rrapushi, Bashkim Bani, Arqile Spiro, Trifon Dimo, Ali Zajmi, Jovan Prifti, Llazar Zarka, Hetem Sula, Nako Leskaj, Lavdosh Veizi, Vangjush Orgocka, Lavdosh Ahmeti, Bashkim Bani.
Një pjesë nga grupi i specialistëve, pas gjashtë muaj kualifikimi në Kinë, 6 inxhinierë e 6 teknikë, shkuan për specializim në uzinat kimike në Itali, si: Safa Kumbaro, Theodhori Papajorgji, Thanas Mërkuri, Ali Zajmi, Et’hem Sula, Llazar Zarka, Bahri Hazizi, Toli Gushi, Thoma Çuko, Koli Xhaxho, Harilla Kulari.
Në korrik-gusht të vitit 1965, filluan në stil të gjerë punimet e ndërtimit. Më 25 shkurt 1966, montatorët ngritën kolonën e parë të repartit të dekarbonatizimit dhe më pas katër kolonat 50 tonësh të acidit nitrik, të sintezës së amoniakut, kompresorët, reaktori i acidit nitrik etj.
U shquan si drejtues e organizator të zotë dhe drejtuesit e kantiereve, si: Qemal Mançe, inxh. Gaqo Pandavinji, ing. Agim Paluka, drejtori i montimit ing. Safa Abazi dhe brigadier i montimeve, Miti Sota, kryeenergjetiku, Berti Lalo, as. ing. Moamer Sala, saldatorët Pano Gazheli, File Bleta, Luan Hasani, etj.
Në prill dhe korrik 1966, u hapën kurset e para pranë Azotikut, të kualifikimit të punëtorëve të rinj, që do të lëshonin Azotikun. Ishin të gjithë të moshës 18 vjeçare, të sapo mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme. Të tjerët vinin nga shkollat e mesme teknologjike e Kuçovës, si dhe nga shkollat dyvjeçare të Tiranës, Vlorës e Kuçovës, të specializuar për mekanik, montatore, axhustatorë, elektricistë e hidraulikë.
Më 10 maj të vitit 1966, kthehen në Fier të gjithë specialistët inxhinierë e teknikë nga Kina dhe Italia, të cilët do të udhëhiqnin punët për vënien në punë të Azotikut dhe përgatitjen e kursantëve për lëshimin e Azotikut.
Në vjeshtë të vitit 1966, pothuajse kishin përfunduar montimet e reparteve të Azotikut. Erdhën specialist të huaj nga shoqëria kimike “Montecatini”, specialistë gjerman për “Linden” (reparti i ndarjes së ajrit në oksigjen e hidrogjen), po kështu pati edhe specialistë të tjerë nga Franca, Kina etj.
Më 21 shkurt 1967, u prodhua acidi nitrik 53% dhe më 23 shkurt 1967, u prodhua nitrati i amonit i parë, i markës shqiptare, me një përmbajtje 33.5% azot. Pas 5 muajve pune intensive, kapaciteti prodhues i Azotikut arriti 340 tonë në 24 orë. Me prodhimin e plehut azotik, u përmirësuan ndjeshëm rendimentet në kulturat bujqësore, deri në 4-5 herë kv. për hektarë, si pleh i cilësisë së lartë. Vendi ynë eksportoi plehun kimik në disa vende të Evropës.
Azotiku u kthye në një shkollë përvoje pune e prodhimi edhe për shumë degë të tjera të industrisë. Vazhdimi i shkollave të mbrëmjes pa shkëputje nga puna dhe inxhinierisë, dega Kimi-Industriale, (filial i Universitetit të Tiranës, këtu në Fier), ndikuan fuqishëm në ngritjen në një shkallë më të lartë tekniko-profesionale të specialistëve të Azotikut, ku për një periudhë 10-vjeçare, u bë e mundur që pjesa më e madhe e tyre të arrijnë kualifikim të lartë të vendit të punës. Në këto shkolla, dhanë mësim si pedagogë, inxhinierët të talentuar, si: Gazmend Gjyli, Kosta Gjoka, Nako Leskaj, Alo Begatoraj, Kahreman Vezi, etj.
Një zhvillim të madh në ato vite morën dhe veprimtaritë kulturore-artistike, ku funksiononte estrada dhe ansambli i Azotikut, në të cilin bënin pjesë mjaftë të rinj e të reja si humoristë, me drejtues artistik të paharruarin Agim Dollani dhe aktorët e humorit, si: Todi Llupi (“Artist i Merituar”) dhe këngëtaret lirikë, Violeta Manshani, Luli Gjerazi, Ylli Cakrani, Bruna Sota, Xhevrie dhe Rita Dollani, pjesëmarrës në festivalet e muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare, etj.
Mes punonjësve të këtij vigani kimik, u forcuan lidhjet ndërkrahinore, pasi erdhën shumë specialistë e punëtorë nga krahinat e tjera të vendit, me nivele, psikologji dhe koncepte të ndryshme. Por në saj të ndikimit të punës intelektuale dhe rrezatimit të një pjese të elementëve me një bagazh të lartë kulturor, ndikuan në formimin profesional-qytetar e shoqëror. Vizitat në familje, pjesëmarrja në dasma, gëzime, hidhërime e ceremonitë festive, ekskursionet, etj., bëri që tek punonjësit të forcoheshin dashuria dhe respekti mes tyre.
Azotiku qe një nga përvojat më të mëdha dhe të bukura të jetës dhe të punës shqiptare, një investim i madh intelektual dhe kulturor, që, pavarësisht se nuk ekziston më, rrezatimi i tij ndihet kudo që punohet me ndershmëri dhe përkushtim.
Nderim e respekt për punonjësit dhe personelin inxhiniero-teknik
Azotiku i Fierit pati 25 vjet jetë, u krijua në viti 1967 dhe u shkatërruara në vitin 1997. Në këtë segment kohor është bërë një punë heroike nga njerëz heroikë, që na vjen mirë që në këtë përvjetor të krijimit të tij, të kujtojmë me respekt e nderim të gjithë personelin inxhiniero-teknik, punonjësit dhe administratën, që së bashku në tërë jetën e Azotikut, lartësuan emrin e kësaj vepre gjigante të industrisë kimike, ndër më pararojat në vend, me titullin më të lartë të kohës, “Hero i Punës Socialiste”.
Në radhë të parë kujtojmë ata që dhanë jetën në krye të detyrës në këtë vepër, të cilët do të mbeten në Librin e Nderit të historisë së Azotikut, si heronjtë e saj, si:
Andrea Duda, Lavdosh Velaj, Vasil Panda, Muharrem Logli dhe inxhinieri talentuar, Ibrahim Krasniqi, i cili dha jetën gjatë vënies në punë të Uzinës 12-të në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit.
Shumë nga kuadrot inxhiniero-teknik, për aftësitë dhe nivelin e tyre intelektual, u ngarkuan me detyra të rëndësishme në organet qendrore të partisë e të shtetit, në pushtetin vendor, në ndërmarrjet e rrethit, si: Qiriako Mihali, Bahri Hazizi, Lavdosh Ahmetaj, Koli Xhaxho, Spiro Sofroni, Harilla Kulari, Berti Hajnaj, Nexhip Agaraj, Leksi Lako, Haxhi Gashi, Vera Seraj, etj.
Kontribut të shquar në organizimin e drejtimin e punës dhe të prodhimit dhanë drejtuesit e tij të disa niveleve:
Petrika Ballauri, Qirjako Mihali, Safa Kumbaro, Thanas Mërkuri, Koço Nika, Bahri Hazizi, Theodhori Papajorgji, Vangjush Orgocka, Berti Hajnaj, Kosta Gjoka, Nako Leskaj, Drita Sinani, Flora Duka, Andon Dëma, Gaqo Naço, Llazar e Miranda Zarka, Jani Coti, Jorgo Themeli, Lavdosh Ahmeti, Lavdosh Veizi, Kujtim Alite, Kosta Koçi, Sali Bollati, Kristo Pleqi, Agim Dollani, Pandeli Korumi, Haxhi Gashi, Rrauf Zena, Anastas Boçova, Rrapi Memisha, Jani Sila etj., si dhe mjaftë specialist e mjeshtra që me novacionet e tyre mbajtën në gatishmëri të lartë Uzinën, midis të cilëve ishin: Toli Gusho, Berti Kuko, Muhamet Klosi, Nexhat Memisha, Hyso Askushaj, Rrapi Nexhipi, Kardhash Mellori, Pano Gazheli, Miti Pjetri, Dhimitër Bilero, Thanas Nakuçi, Sifi Paloli, Kosta Zeno, Sotir Ziu, Ladi Shehu, Rakip Fejzullahu, Piro Dhima, Ali Liçaj, Qamil Hasani, Llambi Mëngjezi, File Bleta, Idajet Xhafa, etj.
Një pjesë e mirë e personelit inxhiniero-teknik, specialistë e punëtorë janë ndarë nga jeta, ndaj të cilëve ndjejmë dhimbje e keqardhje të madhe. Ata do të mbeten përherë në zemrat dhe kujtesën tonë, pasi ruajmë shumë mbresa dhe kujtime. Nderim atyre në këtë 50-vjetor! Këta janë: Ibrahim Krasniqi, Andrea Duda, Lavdosh Velaj, Vasil Panda, Muharrem Logli, Petrik Ballauri, Qiriako Mihali, Koço Nika, Peço Dhoska, Drita Rustemi, Lavdosh Ahmetaj, Lavdosh Veizi, Theodhori Papajorgji, Ali Zajmi, Kosta Koçi, Jani Çati, Avdulla Tahiri, Njazi Xhaferri, Kristo Pleqi, Alo Begatoraj, Vangjel Dore, Minella Çuko, Agim Dollani, Rauf Zeno, Ilia Kule, Arqile Spiro, Todi Bano, Muhamet Klosi, Haxhi Gashi, Baki Hasani, Reshit Lloshi, Leandro Pano, Stefan Papa, Hetem Suli, Josif Paloli, Tahir Stojku, Spiro Sofroni, Mihal Prifti, Kleanthi Pogaçe, Shemsi Hajnaj, Vita Dimo, Leko Toska, Nazmi Dyrmishi, Mirush Puto, Nasip Muka, Teki Sula, doktor Aleks Llazari, Agron Tiço, Kosta Mone etj. Memorie.al