Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e nëntë
Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Populizëm dhe mediokritet
Mbas vitit 1965 arritëm që me grupe specialistësh, të shkonim për përvojë në disa vende perëndimore. Këto vizita teknike ishin për mua mjaft të dobishme. U njoha nga afër me teknikën dhe teknologjinë e përparuar, sidomos atë amerikane në fushën e sizmikës dhe të karrotazheve elektrike të puseve. Me vlera ishte ajo gravimetrike dhe e studimeve të laboratorit të petrografisë dhe gjeokimisë tek francezët. E quajta detyrë timen, që t’a bëja të njohur konkretisht specialistëve tanë këtë teknikë dhe metodikat përkatëse të punës.
Për ato gjëra që kishim në dorë, i vumë detyrën e njohjes së tyre dhe përfshirjen në praktikën e punimeve tona komplekse për studimet e projektimeve të puseve të rinj të kërkimit, veçanërisht. Kjo përvojë ndikoi pozitivisht në rritjen e nivelit të studimeve gjeologjike në vendin tonë.
Disa metodika studimore mund të realizoheshin me pajisjet e laboratorëve të Institutit tonë të Naftës. Por pjesa më e madhe e të rejave që pamë në kompanitë e huaja të naftës, lidheshin me nevoja shpenzimesh jo të vogla. E për më tepër, pajisjet e aparaturat duheshin blerë në vendet perëndimore dhe në SHBA-ës. Tani mund të përfytyrohet, se si do ta prisnin këtë kërkesë burokratët e Partisë së Punës.
Unë, megjithatë, për të mirën e zhvillimit të industrisë së naftës në Shqipëri, e quajta detyrë timen, që t’ja parashtroja qeverisë nevojën për t’i blerë ato pajisje nga Perëndimi. Atyre sikur u ra rrufeja përpara këmbëve. U mërzitën dhe refuzuan kategorikisht një hap të tillë. Nuk ishte për t’u habitur shumë, pasi ne ishim mësuar tashmë me këtë mentalitet të mbyllur e, me këto kërkesa të njëanshme. Ata kërkonin që çdo vit të zbuloheshin vendburime të reja, dhe planifikonin vetë, në kundërshtim me mendimin e specialistëve gjeologë. Planifikimi bëhej sipas nevojave të tyre dhe jo sipas mundësive tona reale.
Në këtë përplasje, ishte dominate gërvima e aparatçikëve mediokër, pa kurrfarë njohurish teknike dhe, shpesh, pa bagazhin arsimor. Ata nuk kuptonin mundësitë, realitetin tonë gjeologjik dhe nivelin e teknikës së kompleksit gjeologo-gjeofizik, sidomos atë sizmik. Natyrisht parashikimet e tyre të marra, nuk mund të realizoheshin, e kështu fillonin “reshjet” e shumta të kritikave që binin nga lart. Kritikat e pakënaqësitë e tyre, nuk mbeteshin pa jehonë dhe mbështetje. Këtej poshtë në bazë, gjendeshin plot kritizerë të sëmurë, karrieristë, puthadorë të pamoralshëm, që nuk kishin asnjë lidhje, sadopak me punën për realizimin e atyre planeve të fryra.
Ata ishin larg edhe çdo lloj përgjegjësie për dështimet, prandaj o burra, ia jepnin pa pikë mëshire të shtymën, punës së ndërgjegjshme të gjeologeve. U bë udhë në naftë që të goditeshin e të shërbenin si tabela qitje, në radhë të pare, specialistët e gjeologjisë, sepse për shkak të puseve negativë që ishin të pashmangshëm, kushdo qe i lirë të interpretonte pa ferrë në këmbë, e të fliste çfarë të deshte kundër tyre. Më shpesh, kjo bëhej kryesisht për t’u dukur, për të shfaqur publikisht pikëllimin komunist, brengën patriotike e plot cilësi, që nevojiteshin për të arritur privilegjet që kritizerët kishin si pikësynim.
Kështu mbi gjakun, djersën e fatkeqësinë e tjetrit, ata ngrinin karrierën dhe mirëqenien e tyre. Kjo dukuri, e cila më vonë erdhi gjithnjë duke u rritur, e inkurajuar nga lidërshipi partiak, çoi në ndëshkime të shumë gjeologëve, por që detyrimisht, çoi dhe në uljen e efektivitetit të punës kërkimore, dhe pengoi në arritjen e atyre treguesve të efektivitetit, që mund t’i çonin vetë specialistët gjeologë, në rast se ata do të ishin të lirë në gjykimet e punimet e tyre, pa ngucje, pa shpatën e varur mbi kokë. Mjerisht, për dekada me radhë në Shqipëri, është menduar se njeriu i trembur e i kërcënuar, punon më shumë e sidomos më mirë.
Veçanërisht në vitet 1967-‘68, ndaj gjeologëve që merreshin drejtpërdrejt me studimet e projektimit të puseve të kërkimit, filluan të bëheshin presione të vazhdueshme nga udhëheqësit shtetërorë, nga komitetet e partisë së rretheve, e të industrisë të naftës. Për çdo pus negativ, këta ngrinin një mal me kritika të ashpra, pa argumente shkencorë, sepse as nuk e njihnin as shkencën, as argumentin. Ata deshin vetëm që lart në Byronë Politike, të merrej vesh se; “filan” person, i dënoi ashpër autorët e këtyre puseve. Duke ua tundur para hundëve buletinet e fundit të ardhur nga Tirana, ai u theksoi se derisa këto puse dalin negativë, projektuesit nuk kanë zbatuar “porositë e Partisë”!
Ky presion i padrejtë, frenonte shumë zhvillimin e lirë të mendimeve gjeologjike dhe shpesh herë gjeologët detyroheshin të bashkoheshin edhe për ata, zgjidhje apo raste që nuk ishin të bindur, se duheshin bërë në fushën e kërkimeve. Por meqenëse ata që ishin në udhëheqje e kërkonin, gjeologët, nuk gjenin dot forca dhe aleatë që t’u kundërviheshin.
Ishin të shpeshta rastet kur vinin njoftime nga fshatarë e qytetarë, se në këtë apo atë vend, dukeshin shenja nafte në sipërfaqe dhe ia vlente të bëheshin kërkime, me puse në thellësi. Mbledhja e informacioneve nga njerëz të zakonshëm, për shfaqjet e aty këtushme të naftës, është një pjesë përbërëse e metodës së punës. E kjo njihet botërisht. Por ato u inkurajuan shumë nga drejtuesit shtetërore, duke absolutizuar bindjen, se kur ka shenja në një sipërfaqe, ka naftë pa tjetër, edhe në thellësi të saj. Këto njoftime ndiqen prej gjeologëve, por kurrsesi ato nuk mund të shërbejnë si argumente mbështetës, për shpimin e puseve të kërkimit të naftës.
Duhen një sërë faktorësh të tjerë gjeologjikë, që të vendoset për shpimin e një pusi. Në rajone, si ai i vendit tonë, me një tektonikë shume të zhvilluar, për efekt të erozionit, shtratimet e naftës janë prishur dhe për pasojë të migrimit, ato shenja gjenden me shumicë. Dhe kjo, jo vetëm nuk është pozitive, por është thjeshtë një fatkeqësi, pasi shtratimet e naftës që dikur kanë qenë atje, tani janë shkatërruar. Një rast i tillë, ishte ai në zonën e malit të Dajtit, në lindje të Tiranës, për të cilën na u bë një presion tepër i madh, aq sa, si gjithmonë, u vu në dyshim ndershmëria e gjeologëve naftëtarë.
“Përse ju gjeologët, nuk shponi një pus kërkimi atje? Atje në sipërfaqe, disa punëtorë të një karriere guri gëlqeror, kanë gjetur shenja nafte! E kuptoni? Punëtorët e gurores janë të shqetësuar, kurse ju, hiç”?! Me gjithë shpjegimet e argumentet tona, se aty nuk ekzistonin kushtet e domosdoshme për t’u ruajtur shtratimet e naftës, unë u detyrova të shkoja disa herë në vend, edhe në shoqëri të ministrit të Industrisë. E vija re se ministri dhe rrethi i tij, mbeteshin te pakënaqur. Ndofta në vetveten e tyre, ngrinin pikëpyetjet mbi mundësinë e punës sime armiqësore.
Këto ndërhyrje e presione të shumëllojshme, e bënin shumë të vështirë punën e specialistit. Ato ishin reflektime të metodave të diktaturës komuniste në vendin tonë, që të behej çdo gjë siç mendohej nga lart, edhe në fushën ekonomike të specialiteteve të ndryshme, si në industri dhe në bujqësi. Në mbledhjet e gjëra, konferencat e partisë, e forma të tjera, drejtuesit e gjeologjisë viheshin para kritikash e presionesh, që sot thjesht nuk i merr dot me mend. Atmosfera bëhej e padurueshme, si nga të dërguarit e qendrës, ashtu edhe nga disa punëtorë bisht-krehur, apo aparatçikë të shumtë këpucë-lëpirës, të cilët lëshonin deri në akuza nga më të rëndat për punimet e kërkimeve, pa patur as njohuritë më elementare të gjeologjisë dhe të praktikës së studimeve e projektimeve të puseve, që tek ne nuk dallonin nga ato që bënte e gjithë bota.
Në këtë kohë u bënë më të shpeshta ardhjet në Institut të punonjësve të Sigurimit të Shtetit për sektorin e naftës, të cilët bënin bisedime e merrnin në pyetje naftëtarë të ndryshëm, e u tërhiqnin atyre opinionet sidomos për çështjen e kërkimeve. Të gjithë i vinin re këto gjëra dhe punonim me një tension e frikë të madhe. Naftëtarët shikonin se po harrohej gjithçka tepër e lavdishme, që ishte arritur gjatë këtyre pak viteve nga gjeologët tanë, në zbulimin e rezervave dhe perspektivave të reja.
Në vitet ’60-të, për shembull, u bë një presion i vazhdueshëm nga, udhëheqësit shtetëror, se përse nga ne gjeologët, nuk zbatohej thënia e Enver Hoxhës, për të kërkuar “naftën e madhe nënë” në gëlqerorët e shpëlarë, nën vend-burimin e Kuçovës?! Ky presion u bë aq i madh, sa po merrte ngjyra të kundërvënies ndaj partisë, e si pasojë u vendos të projektohej një pus, për të verifikuar prerjen në thellësi të gëlqerorëve, që në vetvete mund të përbënte një objekt kërkimi për të ardhmen, sepse premisat, nuk i kishte shumë të favorshme.
Pusi u shpua dhe rezultati ishte negativ. Më qesharakja dhe më e pritshmja ishte, se ata që nuk reshtnin së kërkuari shpimin, tani u hodhën në anën tjetër të barrikadës, atë të kritikëve të ashpër, duke harruar, se ishin pikërisht ata, nxitësit e shpimit të këtij pusi. Ndërhyrje të tilla nga udhëheqësi i diktaturës, Enver Hoxha, u bënë më të shpeshta e më të mëdha më vonë, duke i trajtuar dhe në shtypin e partisë dhe në të ashtuquajturat “veprat e Enver Hoxhës”, në botimet vëllimore ose në librin e veçantë “Për Naftën”, në vitin 1975.
Për shkak të mungesës së plotë të mbështetjes nga lart, për debatet që bëja lidhur me planifikimet e sasive të naftës e të gazit, që do të zbuloheshin në të ardhmen, për propozimin zyrtar për të blerë teknologji dhe teknikë perëndimore, unë me sa duket, e kisha mbushur kupën. Veçanërisht kontradikta të theksuara, kisha me Sekretarin e Parë të Partisë së Rrethit të Beratit, Pirro Gushon dhe me titullarin e Komitetit të Partisë për naftën, i cili leximet dhe kulturën e tij, e kish përqendruar vetëm në serinë e veprave të diktatorit. Për të, termi specialist, ishte baras me sabotator, kështu që nuk kish nevojë të dëgjonte, se ç’thoshin ata!
Ky person, kish ca inate më shumë me mua. Muaj të shkuara, për t’i krijuar lehtësi e mundësira specialistëve të Institutit, që të studionin atë literaturë të pakët teknike perëndimore amerikane e franceze, që ne merrnim, unë pata iniciativën dhe hapa kurse të gjuhëve të huaja, për anglisht, frëngjisht dhe italisht. Mendoja se kjo do të ndikonte pozitivisht në futjen e teknikës së re. Por në asnjë mënyrë, nuk mendonte kështu partia: Ky, “partia”, Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë për naftën, më thirri një ditë dhe m’u vërsul me tërsëllëmi:
– Përse ti, Xhaçka, i hape këto kurse të gjuhëve të huaja? Mos të zuri meraku që specialistët e Institutit, të shohin në televizor e t’i kuptojnë më mirë emisionet e huaja, që të na bëjnë këtu propagandë borgjeze e armiqësore?!
– Jo, shoku Sekretar i Parë, – iu përgjigja unë qetësisht.
-E gjitha kjo bëhet, për të studiuar më mirë literaturën perëndimore që porosisim, e tani, për fat të mire, na vjen rregullisht…!
– Nuk kemi nevojë për gjuhë të huaja! Bile dhe porositë për literature, do t’i ndërpresim. Kemi literaturë teknike plot. Kemi shumë libra rusisht, që specialistët mund t’i studiojnë fare mirë!
Unë vazhdova me qetësi ta bind, se gjuhët ishin me leverdi, se tashmë kishim një literaturë të pasur profesionale, për të futur teknikën e re. I thashë se ato nuk bëheshin për të mohuar edhe literaturën ruse, që ne dispononim, por ajo ishte e pamjaftueshme, sidomos në fushën e sizmikë, të studimeve komplekse laboratorike dhe në ndjekjen gjeologjike të puseve.
Por ai nuk u pajtua me shpjegimet e mia dhe më dha urdhër të prerë ushtarak, që të mbyllja kurset e gjuhëve të huaja, në Institutin e Kërkimeve Shkencore. Mediokriteti i udhëheqjes së Partisë në rreth, dëmtoi punën, duke mos krijuar mundësi për t’u njohur me të rejat e shkencës nga vendet e përparuara të Europës, e sidomos me ato amerikane. Atëherë u detyrova t’i mbyllim kurset e gjuhëve të huaja…!
Kështu pra, në vitin 1969, unë u shkarkova nga detyra e zëvendësdrejtorit të Institutit Shkencor të Naftës në Kuçovë. Pasi më shkarkuan, në Institut pat shkuar Pirro Gusho dhe midis të tjerash, më paska cilësuar si një specialist, drejtues me koncepte të huaja, që në kundërshtim me mësimet e partisë, vë në radhë të parë makineritë dhe pajisjet, pastaj njeriun.
Si pasojë e këtyre koncepteve të gabuara të udhëheqjes së partisë, mbështetur në teorinë marksiste leniniste, mbi rolin e njeriut dhe të makinerive në zhvillimin ekonomik, ata nuk morën masa për fuqizimin me pajisje të sizmikë dhe karrotazheve, në nivelin që kërkonte koha. Si pasojë, në bashkëvarësi edhe me faktorë të tjerë subjektivë dhe objektivë, qysh nga viti 1969 e, deri në vitin 1975, tek ne nuk u gjend asnjë vend-burim i ri, me karakter industrial, përveç disa zgjerimeve në vend-burime të zbuluara më parë.
Mbas shkarkimit, mua më larguan nga Instituti dhe më emëruan në një zyrë të gjeologjisë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Nxjerrjes së Naftës, në Patos. Me gjithë rezultatet e larta të arritura atë dhjetëvjeçar, në kërkimet e naftës për kushtet e vendit tonë, u harruan shumë shpejt si puna e bërë nga unë, si vlerësimet e bëra nga udhëheqja shtetërore.
U lashë mënjanë, unë që drejtova shërbimin gjeologjik, u harruan dekoratat e shumta të akorduara dhe Çmimi i Republikës i Kl. II-të, “Për rezultate të larta në punën shkencore studimore, në fushën e gjeologjisë së naftës në Shqipëri”.
Në detyrën e re, iu përvesha përsëri me shumë forca punës e asaj studimore në veçanti. Njeri i vlefshëm për vendin e popullin tënd, mund të jesh kudo. Fillova të përqendrohesha përsëri mbi problemet e asaj dege, me të cilën u mora vitin e parë të kthimit tim nga studimet e larta. Në tërësi, puna që bëja nisi të vlerësohej mjaft e kënaqshme dhe efektive, si nga ndërmarrjet e bazës dhe nga kolegët e mi, në të mirën e rritjes së prodhimit të naftës dhe sidomos të ruajtjes së vend-burimeve, për një shfrytëzim racional, sa të ishte e mundur më shumë, brenda kushteve, të cilave na diktoheshin nga planifikimet e fryra e të pa argumentuara shkencërisht.
Nga viti 1969 deri më 1973, Universiteti i Tiranës më kërkoi disa herë për pedagog. Organet drejtuese në rreth e në qendër, kishin vendosur të mos më lejonin të largohem dhe më mbajtën në Patos e Fier, për vite të tëra. Nga drejtuesit e partisë në rrethin e Fierit, ku si Sekretar i Parë erdhi Gushoja nga Berati, unë shihesha si një person, jo i mirë për ta. Për këtë, ata më hoqën nga Këshilli Shkencor i Institutit për Gjeologjinë. Nuk më thërrisnin për asnjë mendim në fushën kërkimeve, megjithëse kisha punuar e derdhur djersë për afro dhjetë vjet, në këtë fushë. Edhe kur qëllonin të vinin në zyrat tona në Patos, shefat tani nuk dënjonin më të më përshëndetnin. Pa lere që të bisedonin me mua! Siç dihet, në ato, kohë banesat i caktonte shteti dhe qendra e punës. Ata më lanë afro katër vjet, pa banesë në Fier!
Detyrohesha ta mbaja familjen në Kuçovë e vetë të banoja në ndërtesën e teknikëve beqarë në Patos, në një dhomë, me shokun tim të klasës e të punës, Niko Goxhobashin, i cili me qëndrimin e tij shumë të afërt, ma bënte pak më të lehtë jetën time larg familjes, e larg disa njerëzve që kanë një nuhatje fantastike, për të të kuptuar kur fillojnë të të rrëshqasin këmbët.
Në vitin 1971, në industrinë e naftës u bë një riorganizim. U krijua një drejtori e përgjithshme për të gjithë naftën me qendër në Fier, nga dy drejtori të përgjithshme, që ishin më pare, njëra për kërkimet, e tjetra për nxjerrjen e naftës e të gazit. Instituti i Naftës e Drejtoria e Kërkimeve, u transferuan nga Kuçova në Fier. Gjeologu Beqir Alia, i cili më zuri vendin si zëvendësdrejtor, tani u emërua drejtor i Institutit Gjeologjik të Naftës. Ai ishte një njeri i qetë, e kishte një përvojë të gjatë e rezultate të mira pune, në ndërmarrjen e nxjerrjes së naftës në Patos.
– Me këtë riorganizim, mua më kaluan në një sektor tjetër, drejtor të Drejtorisë së Shpimeve, pranë Drejtorisë së Përgjithshme, i cili nuk ishte për specialitetin tim. Ishte më shumë si vlerësim i punës së mire, në sektorin e nxjerrjes. Ky ishte një sektor, që kërkonte prej meje, përveç punëve të fushës organizative, të studioja literature, e të mësoja nga inxhinierët e punonjësit e shpimeve, mjaft gjera të praktikës, për një organizim më shkencor të punës, në fazën e montimeve e të shpimeve të puseve, me një park mjaft të madh, prej dhjetëra sondash të thellësive të mëdha, deri në 6000 metro.
Gjatë këtyre viteve, u munduam dhe futëm disa metoda të reja të shpimit, si përdorimi i daltave me parim hidromonitor, që kishin rendimente më të larta, përmirësime në teknologjinë e përdorimin e regjimeve të sforcuara në shpim, si dhe në teknologjinë e çimentimit të puseve të naftës. Të gjitha këto, jo gjithnjë pranoheshin me lehtësi nga brigadat e shpimit.
Por, me një punë të disiplinuar, u bë e mundur që të rriteshin tempet e shpimit dhe të zgjidheshin më mirë detyrat gjeologjike të puseve, deri në projekt-thellësitë e caktuara, ose dhe më thellë, duke u bërë një mbështetje e mirë për Institutin Gjeologjik, pa i vënë ata para vështirësive subjektive. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016