Nga Ali Buzra
Pjesa e tridhjetetetë
JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Të nesërmen, e shoqja e Xhevatit, bashkë me djalin e vogël, shkuan të takojnë drejtuesin e Partisë në rreth, i cili nuk i priti. Djali, dhe fëmija më i madh i Xhevatit, Bajrami, ndodhej në ushtri. Atje mësoi për arrestimin e të atit. Rrinte me zemër të ngrirë, se mos e çonin në ndonjë repart pune, por nuk ndodhi. Në hetuesi, Xhevatin e mbajtën mbi gjashtë muaj, duke ushtruar presion, kërcënime e dhunë ndaj tij. Qe një tmerr i vërtetë për të. Edhe pse në këto kushte, ai nuk i pranoi, asnjë nga akuzat që iu bënë.
Gjyqi, u bë më dyer të mbyllura në Librazhd. Familjarët, shkuan, por nuk u pranuan të hynin brenda. Ata pritnin jashtë, vendimin që do të merrej. Atë ditë, erdhi edhe Bajrami, të cilit i dhanë leje nga reparti. Në vendimin e trupës gjyqësore të kohës, midis të tjerash, thuhej se; “në muajin mars 1978, kur udhëheqësi kryesor i Partisë, bënte vizita në rrethin e Gjirokastrës, i pandehuri Xhevat Dosku, duke ndjekur revistën televizive të mbrëmjes që transmetonte këto vizita, është shprehur armiqësisht për të. Ai ka vjellë vrer kundër udhëheqësit kryesor të Partisë, duke u shprehur me një urrejtje të pakufishme klasore… etj. Nga ana tjetër, ai tregon simpati për Titon, këtë renegat të socializmit”. Më pas në akt-akuzë vijohet se, “në sajë të Partisë, të udhëheqësit të saj, jeta e popullit shqiptar është bërë çdo ditë e më e lumtur, më e begatshme dhe më e lumtur do të bëhet në të ardhmen. Ky është një fakt i pamohueshëm. Megjithatë, i pandehuri Xhevat nuk kënaqet me këtë realitet të mrekullueshëm dhe në një bisedë, në muajin qershor 1978,… është shprehur armiqësisht se:
Nuk kalohet kështu, po më vdesin fëmijët për bukë; tani unë kam marrë fund dhe s’kam me se të jetoj, jam me një rrogë të ulët, … tani ka marrë fund puna ime…etj. Po kështu, në muajin qershor 1979, është shprehur se; rrogat që marrim nuk dalin vetëm për bukë, e jo më për ushqim. Ai ka shprehur keqardhje edhe për grupin tradhtar në ushtri, që u godit nga Partia. Këto akuza u konfirmuan edhe nga dëshmitarët e paraqitur në gjyq”. Në vendimin përfundimtar, të marrë nga dosja hetimore ndaj tij thuhet: “Trupi gjykues në bazë të neneve 278-79 të K. Pr. Penale, Vendosi: Të deklarojë fajtor të pandehurin Xhevat Dosku, për krimin e agjitacionit e të propagandës kundër shtetit dhe në bazë të nenit 55/1 të Kodit penal, e dënon me 9 vjet heqje të lirisë. Duke aplikuar nenin 25 të Kodit penal, i hiqet e drejta e zgjedhjes për 5 vjet kohë. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit”.
Lexuesi i sotëm, mund të kuptojë shumë qartë, nga formulimi i akt-akuzës, se sa i politizuar ishte sistemi gjyqësor i kohës së diktaturës, si edhe atë, se kodi ligjor ishte përpiluar posaçërisht që t’i shërbente mbrojtjes me dhunë të sistemit komunist totalitar në Shqipëri. Familja ankimoi në Gjykatën Lartë të Tiranës, por ajo la në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit. Xhevat Dosku, nis të vuajë dënimin, ndërkohë që la gruan me gjashtë fëmijë në pikë të hallit. Burgun do ta bënte në Ballsh, Zejmen të Lezhës, Repartin 313 Tiranë, e Spaç. Këtu sëmuret dhe e çojnë në spital, ku operohet. Prej aty e dërgojnë në Shënvasil të Sarandës. Me gjithë gjendjen jo të mirë shëndetësore, Xhevati punonte shumë, me qëllim që t’i ulej sadopak dënimi.
E shoqja ishte e sëmurë. Disa javë pas gjyqit, ajo lindi një fëmijë, e cila ndërroi jetë pas dy vjetësh. Në varrim, edhe këtu morën pjesë 5-6 veta, ndër ta, Gani Dosku, Ramazan Hidri, Ruzhdi Qosja, Shaziman Dosku e ndonjë tjetër. Gjendja e saj shëndetësore erdhi duke u rënduar. Në këto kushte ajo kaloi dy vjet, për kurim në Sanatorium, me ftohje të rëndë në mushkëri. Një vit pas dënimit të të atit, lirohet nga ushtria, djali i madh Bajrami, mbi të cilin ra e gjithë pesha e familjes. Problem për të ishte martesa. Në 6-7 raste që pati për fejesë prishej për arsye se babai ishte i burgosur politik. Ai fillon punë në brigadë, por nuk siguronte asgjë. Ishin 7 pjesëtarë të familjes për t’u mbajtur, ndërkohë, që edhe babai duhej ndihmuar. Atje shkonte një herë në muaj për t’i dërguar ndopak ushqime e duhan.
Mbasi doli e ëma nga spitali, Bajrami shkonte me të, te Xhevati, duke hequr vështirësi e mundime të panumërta gjatë udhëtimit. Një pjesë të rrugës ishin të detyruar ta bënin në këmbë, duke fjetur në anë të rrugës e poshtë urave për t’u mbrojtur nga shiu. Bajrami kërkoi të punonte si punëtor traktori e transporti, por sa fillonte punë atje, ku merrte diçka më shumë, e hiqnin përsëri. Kur punoi për disa kohë si punëtor transporti me makinën e kooperativës, e linin në Qafë Shapkë, e nuk e lejonin të shkonte në Qarrishtë, se ishte zonë kufitare. Përbuzja e përçmimi ndaj fëmijëve të Xhevatit e familjes së tij, ndjehej kudo. Në një rast, i erdhi ftesë për të shkuar në dasëm, bashkë me të ëmën te një i afërm i saj në Dorëz, por të nesërmen, i shkon përsëri thirrësi, duke u thënë se; nuk duhet të vijnë, mbasi këtë e kishte kundërshtuar një komunist, i afërm i asaj familje.
Bukët në furrë i merrnin gjithmonë me listë, por edhe kjo ishte me racion. Nuk harrojnë ata, një rast ndihme, të dhënë nga Gani Xhani prej Gizaveshi, i cili punonte në mullirin me energji elektrike në Krastë. Bajrami i kërkon atij ta ndihmojë me pak miell, se nuk kishin lek për të blerë bukën në dyqan. Ganiu i thotë, që të shkonte ta merrte në darkë. Megjithëse në orët e vona, por nuk ishte e lehtë ta merrje atë. Spiunët vinin rreth e rrotull edhe natën. Në qoftë se kapej, Bajramin do ta burgosnin menjëherë, prandaj ai dërgoi vëllanë e vogël, Luanin, i cili edhe po të kapej, ishte në moshë të vogël. Shkoi ai te mulliri e i thotë Ganiut, se kishte ardhur për miellin.
– “Po je i vogël more djalë, – thotë Ganiu, – si do ta mbash”?!
– “E mbaj, e mbaj”, – iu përgjigj ai. E mori thesin, e u ngjit faqes së Krastës, me frikë në shpirt, rrëzohu e ngrehu, deri sa u afrua te përroi. Aty kishte dalë ta priste Bajrami, i cili e ngriti thesin dhe e çoi në shtëpi. Në shtëpi pa të vëllanë, që kullonte i tëri në djersë. Nëna dhe fëmijët e tjerë prisnin me ankth. Ata u gëzuan kur panë thesin e miellit me të cilin do të kalonin disa ditë, duke ngrënë pa racion. Shkonin në shkollë, ashtu të zbathur e të zhveshur si mos më keq.
Luani, kishte një palë opinga të holla, e duke luajtur shkel në gozhdë. Këmba iu infektua keqas. Për disa ditë mungoi në shkollë. Për të parë gjendjen, vjen mësuesja kujdestare, Shpresa Gaçe. Ajo pa se gjendja e tij ishte keq, ndërkohë i thotë atij, që kur të bënte pak më mirë të vinte në shkollë, se mbetej mbrapa me mësime. E ëma i thotë se do të vijë, por s’ka as se çfarë të fusë në këmbë. Mësuesja, u jep një palë këpucë fëmijëve të lagjes për t’ia çuar Luanit, por edhe ato nuk i bënin. Eh,… hall mbi hall?! Mbasi mbaroi klasën e tetë, edhe Luani doli në punë, duke ndihmuar sadopak familjen. Në qendër të kooperativës bëhej një takim i rinisë. Shkon edhe Luani me shokët e shoqet e brigadës, por e nxjerrin jashtë. Largohet ashtu i brengosur në shtëpi.
Edhe për familjen e Xhevat Doskut, tashmë kishte filluar përndjekja e persekutimi komunist. Operativi i Sigurimit, e thërret disa herë Bajramin, për ta rekrutuar për bashkëpunim, duke i premtuar lehtësira. Kur u pa se ai nuk pranonte, fillon ti bëjë presion në forma të ndryshme, duke i dhënë të kuptojë se edhe ai do të zërë vendin e të atit. Xhevati u lirua në vitin 1986. Ai, nga nëntë vjet, bëri shtatë. Një pjesë e dënimit iu ul se e fitoi me punë, ndërkohë përfitoi dhe nga amnistia. Lirohet me kusht, pa të drejtë vote, sipas vendimit të gjykatës. Pas disa ditësh doli në punë në fermë, punëtor krahu. Fëmijët u rritën, dhe me ardhjen e tij, gjendja ekonomike filloi të përmirësohej pak. Dorëzi, si fshat kishte kaluar në fermë, e aty gjendja qe pak më mirë se në kooperativë.
Demonstratat e studentëve të dhjetorit 1990, ngjallën shpresë edhe për familjen e tyre. Lëvizjet demokratike në qytete, dhe shembja e bustit të diktatorit, gëzuan pa masë jo vetëm Xhevatin, por gjithë familjen e përvuajtur të tij, ashtu si mijëra familje shqiptare në të gjithë vendin, që provuan përndjekjen e persekutimin komunist. Po vallë, a do ta linin në mes punën e nisur përfaqësuesit e shtetit të diktaturës së proletariatit? Kurrsesi, jo. U dukej sikur familja kulake e Nebi dhe Gani Doskut, në Dorëz, po u bënte sfidë. Jemi në periudhën e pas viteve, të të ashtuquajtur të “zbulimit të grupeve armiqësore” në Ushtri, Ekonomi, Arsim e Kulturë, në kupolën e shtetit komunist. U dënuan me pushkatim ish – ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume dhe Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Politike në Ushtri, Hito Çako. Në Ekonomi Abdyll Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela etj., si dhe në Arsim e Kulturë Fadil Paçrami, Todi Lubonja etj., të cilët u dënuan me shumë vite burg.
Në Librazhd u dënuan me vdekje poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka. “Duheshin kurbanë” edhe në bazë, për të thënë se veprimtaria armiqësore po zbulohet dhe elementët armiq do të dënohen. Pra kjo fushatë arrestimesh, për të krijuar armiq, ishte projektuar, ndërsa Sigurimi i Shtetit, përzgjidhte vetëm elementët që do të ktheheshin në viktima. Për këtë ai vinte në lëvizje veglat e tij, spiunë e servilë, ose persona të zellshëm ndaj partisë- shtet, të cilët përgjonin e grumbullonin të dhëna si dëshmi ndaj viktimave. Më 24 maj 1980, e thërresin Nebi Doskun, në Krastë, në qendër të kooperativës, e i thonë: “Në emër të popullit, je i arrestuar” dhe i vënë hekurat, aty në mjedis publik. Ishte në moshën 51 vjeç. Në afro tre muaj hetuesi, megjithëse nën presion e makinacione nga më të ndryshmet, ai nuk i pranon akuzat.
Disa nga dëshmitë kundër tij, të përpiluara e të stërholluara nga “mjeshtrit” hetues ishin: Ka lënë punëtorët pa punë, duke u dhënë cigare. Gazetën ‘Zëri i Popullit’ e hap në fillim në faqen e katërt, ku ka lajme për botën. Kur punonte në qendrat e zjarrit, është shprehur: ‘Këto qendra zjarri që ndërtohen janë të kota, ato nuk bëjnë asnjë punë, vetëm se na lodhin neve për t’i ndërtuar, se në rast lufte ato do të bllokohen dhe ne nuk do të kemi mundësi të futemi në to”. “Me anë të kësaj bisede, – thuhet në akt-akuzë, – i pandehuri Nebi, ka dashur të ngjallë mosbesim te dëshmitari…..që ishte teknik për ndërtimin e qendrave të zjarrit. Po këtij dëshmitari, në vitin 1977 i është shprehur se; po punojmë ditë e natë dhe nuk po ngopim barkun me bukë! Kur ka punuar në shirjen e grurit, te xhamia e Dorëzit, u ka bërë thirrje shokëve të lënë punën se ishin të lodhur jashtë mase, duke u shprehur se; shpirtin e kam për vete e nuk jua jap juve. Me këtë ka dashur të thotë se sistemi socialist i shfrytëzon punonjësit, sa që kërkon t’u marrë edhe shpirtin”.
Këto ishin disa nga dëshmitë të përfshira në akt-akuzën të përpiluar nga hetuesia kundër tij. Janë me qindra e mijëra vendime gjyqësore, ndaj shtetasve shqiptare me përbërje të ndryshme shoqërore, si; fshatarë, punëtore, intelektualë, persona me ose pa parti, të cilët u gjykuan dhe vuajtën dënimin në burgjet makabre të diktaturës. Nga informacionet e sotme rezulton se shteti i Diktaturës së Proletariatit, kishte ngritur 39 burgje dhe 70 kampe përqendrimi, në të cilat vuajtën dënimin mijëra njerëz shumica të pafajshëm dhe qindra familje nga elita e fisnikërisë shqiptare. Shumica e burgjeve ishin kampe të punës së rëndë në galeritë e minierave të Spaçit, Bulqizës, Qafë Barit, Tërnovës etj., ku kushtet teknike ishin nga më skandalozet. Në to janë aksidentuar dhe kanë vdekur me dhjetëra të burgosur, të cilët sot nuk kanë një varr.
Po shënojmë disa detaje nga akt-akuza ndaj Nebi Doskut, duke e marrë si shembull, ku dëshmohet qartë karakteri klasor në shqyrtimin e çështjes, si dhe vendimin e dënimit. Midis të tjerash në Vendimin gjyqësor nr. 65 të Gjykatës së Rrethit Librazhd, datë 22.08.1980, thuhet:
“Vendim në emër të popullit. Gjykata popullore e rrethit të Librazhdit, e përbërë prej……..shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen penale që i përket të pandehurit Nebi Dosku. I pandehuri Nebi Dosku, rrjedh nga një familje e pasur, me përbërje dhe gjendje kulake, në fshatin Dorëz të rrethit Librazhd. Duke qenë se i pandehuri Nebi, rrjedh dhe është nga mbeturinat e ish-klasave shfrytëzuese, me gjithë ndihmën dhe thirrjen e drejtë që i ka bërë pushteti dhe partia në fshat, për të ecur në rrugën e drejtë… ai i ka shpërfillur ndihmat dhe këshillat e tyre. I pandehuri, si armik i pushtetit popullor, në kohë e vende të ndryshme, ka agjituar e propaganduar në persona të ndryshëm kundër fuqisë mbrojtëse të vendit, kundër sistemit socialist të ekonomisë bujqësore.
I pandehuri Nebi, me dashje e qëllime të caktuara, si armik i diktaturës së proletariatit, i është kundërvënë asaj dhe ka ëndërruar të kthejë parajsën e humbur, ashtu siç ëndërrojnë të gjithë armiqtë e pushtetit popullor, gjë për të cilën nuk do të realizohet kurrë. Ne i themi këtij të pandehuri, se historia e gjithë shoqërisë njerëzore ka treguar, se çdo shtet e ka mbajtur pushtetin e tij me anë të forcës, me anë të dhunës. Edhe diktatura e proletariatit tek ne, është dhunë për pakicat shfrytëzuese dhe demokraci për shumicën e popullit, prandaj socializmi te ne është vepër e vetë masave punonjëse, ku fshatarësia kooperativiste, ka dhënë e jep për udhëheqjen e Partisë, maksimumin e vet, për ndërtimin, forcimin dhe ruajtjen e bazës ekonomike të socializmit. Kjo gjë e verbon të pandehurin Nebi dhe nuk i pëlqen t’i nënshtrohet disiplinës socialiste në punë, por kërkon anarshi e çrregullim në brigadën ku ka punuar dhe me këto ai kërkon të arrijë qëllimet e tij djallëzore në mosplotësimin e planit ekonomik të shtetit.
Në caktimin e masës së dënimit, gjykata ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës së kryer nga i pandehuri, raportin shoqëror të prekur, që është fuqia mbrojtëse e diktaturës së proletariatit. Kemi parasysh prejardhjen dhe përbërjen shoqërore të vetë të pandehurit, kemi parasysh përbërjen familjare dhe ekonomike të vetë të pandehurit. Po ashtu gjykata, në masën e dënimit ka parasysh edhe faktin që i pandehuri megjithëse ishte para provave e fakteve të pakontestueshme në fajësinë e tij, nuk mban një qëndrim kritikues ndaj veprimeve të kryera, gjë që personin e tij e bën më të rrezikshëm.
PËR KËTO ARSYE;
Trupi gjykues, në bazë të nenit 149 e 150 të K.Pr. Penale VENDOSI
Të deklarojë fajtor të pandehurin Nebi Dosku, për krimin e agjitacionit e të propagandës kundër shtetit dhe në bazë të nenit 55/I të Kodit Penal, e dënon me 10 vjet heqje të lirisë. “
Shembulli i mësipërm, që është tipik për të dënuarit e diktaturës vlen të analizohet në përgjithësi, për të arritur në konkluzione të qarta mbi jetën politike dhe ekonomiko-shoqërore në Shqipërinë komuniste. Njëherësh, mund të lindë pyetja; Vallë, ishte kundërshtar i regjimit Nebi Dosku?! I urrente ai format e punës në sistemin kooperativist? Shpresonte ai në përmbysjen e sistemit, dhe e dëshironte ai këtë? Përgjigja është; po dhe po. Një nostalgjik i periudhës komuniste, mund të thotë; “Mirë i është bërë që është dënuar…”! Për këtë kategori, na duhet të sqarojmë se: Jo vetëm personi në fjalë, dhe qindra e mijëra të tjerë të burgosur, por shumica e popullit shqiptar dhe çdokush me mend në kokë, në vitet ’80-të, e shihte me dyshim dhe urrejtje regjimin e vendosur. Urrejtja ndaj sistemit kooperativist në bujqësi, në forma të ndryshme, shprehej kudo. Pa u marrë me të burgosurit, që jetonin vuajtjet më çnjerëzore që ka njohur historia e popullit shqiptar, por e gjithë masa e popullsisë, veçanërisht fshatarësia, po kalonte të jetuarit skllavërues.
Me gjithë propagandën dhe indoktrinimin masiv, shenjat e pakënaqësisë shfaqeshin kudo. Sistemi kooperativist u vendos jo vullnetarisht siç propagandohej, por me detyrim. Tufëzimi i bagëtive të imta, që nisi “si nisiativë” në rrethin e Librazhdit, në vitin 1976, në fakt u bë me masa detyruese. Ai përfundoi me therje masive të bagëtive dhe çoi në boshatisjen e tregut me mallrat e prodhimit blegtoral. Fshatari, që mbante vetëm një lopë, viçin që mbushte 6 muaj duhet ta dorëzonte në kooperativë, me çmimet që kryesia e kooperativës i vendoste vetë. Furnizimi me mish për fshatarin bëhej 2 ose 3 herë në vit, në raste festash, me racion, 200 deri në 300 gram për frymë.
Në kooperativë bëhej furnizimi vetëm me bukë, edhe kjo ishte me racion. Me sa më kujtohet, nga 500 gram për frymë në ditë. Në kushtet e sotme mund të duket normale, por fshatari nuk kishte ushqim. Ai e hante bukën me qepë e kripë e pak gjizë të lëngët. Për bulmetra dhe prodhime të tjera; si fasule, patate apo perime as që bëhej fjalë. Kooperativa ishte e detyruar të shlyente detyrimet në shtet. Fshatari shqiptar shfrytëzohej dy herë; së pari, nga vetë kooperativa e drejtuesit e saj, që në forma të ndryshme familjet e veta i furnizonin dhe së dyti, nga shteti, te i cili kooperativa dorëzonte detyrimet për të gjitha prodhimet që merrte me punën e papaguar të fshatarëve.
Jemi në kohën kur shumica e familjeve fshatare ishin ndarë dhe çdonjëra prej tyre kishte në përdorim nën 500 metra katrorë tokë, nga ndarja e dynymit që dispononte trungu familjar. Kështu që me 200-300 metra katrorë tokë, të cilat ishin të detyruar t’i mbillnin misër e hasëlla për lopën, nuk plotësonte nevojat ushqimore. Ushqimet në dyqanet e shtetit ishin me racion për çdo muaj, të cilat jepeshin me listë si; 1 kg. sheqer 1 vaj, 1 kg. miell, 1 pako kafe etj. Këtë të fundit fshatarët filluan t’a përdornin vetëm në rast vdekje, duke ia dhënë racionin njëri tjetrit për raste fatkeqësish. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













