Nga Sokrat Shyti
Pjesa e nëntë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
“Pikërisht kjo pike, u vë pritë premtimeve”, – sqaroi me zë të shtruar drejtori i shkollës, për të hequr nga vetja brejtjen e kundërshtimit.
– “Ka nevojë të pres deri në njoftimin e dytë nga ana juaj, për të vënë në dijeni nënën”? – shtova unë për të përforcuar shkallën e sigurisë.
– “Më vjen mirë që ke durim dhe je djalë i matur”!- tha babai i Kolit.
– “Por për rastin e punësimit tënd të përkohshëm, s’ka vend për mëdyshje. Prandaj njoftoje dhe përqafoje nënën sapo të kthehesh në shtëpi, që të gëzohet e t’i qeshë pak buza pas dy muajve të hidhur, të tejmbushur me dhimbje e dëshpërim. Duke filluar nga dita e nesërme, në orën 8 të mëngjesit, do paraqitesh në drejtori, pasi këtu je krejtësisht i qetë, punon pa ngacmime deri në mbarimin e ciklit mësimor. Do përdorësh vetëm stilografin tim dhe bojë ‘Pelikani’.
Duhet të kesh parasysh: në qoftë se në Amzën e vjetër, ndesh pasaktësi shkronje, përdoret ‘j’ në vend të ‘i’, ose anasjelltas, e në vend të ‘e’, apo në disa mbiemra shkronja fundore, ndryshon nga e në ‘i’, për shembull; Mone, bëhet; Moni, që në fakt janë dy mbiemra të ndryshëm, saktësimi do të bëhet në bashkëpunim me Regjistrin Themeltar të Gjendjes Civile, sepse vetëm në bazë të këtij regjistri, kontrollohet vërtetësia e emrit dhe mbiemrit, atësia e mëmësia, apo të dhënat përkatëse.
Duhet përputhje e plotë mes Amzës së re dhe Regjistrit Themeltar. Për të patur cilësi të lartë nuk ka normë, se duhen plotësuar kaq faqe çdo ditë. Rëndësi parësore ka saktësia e drejtshkrimit, qartësia dhe bukuria. Kolit do t’i bëhet shumë qejfi, kur të kthehet në shtëpi për pushimet e verës, dhe t’i them që ti je punësuar në shkollë”.
– “Këtu do t’i kalojë pushimet, apo do shkojë në Divjakë”? – e pyeta unë.
– “Sipas thënies; ‘Ose afër detit, ose afër Mbretit’, Divjaka e tërheq më shumë. Sepse atje i gjen të gjitha argëtimet e moshës, përfshirë bulmetin, frutat dhe zarzavatet e freskëta, që këtu mungojnë. Ti e di që qytetarët lushnjarë bëjnë përpjekje të sigurojnë një kabinë plazhi. Kurse familja ime, e ka mundësinë të pushojë në kushte normale, tek shtëpitë e farefisit tonë…”!
– “Të gjithë shokët e fëmijërisë kanë zili që Koli e ka këtë mundësi të mrekullueshme”! – thashë unë duke u ngritur në këmbë, i kënaqur që synimi im i rëndësishëm i punësimit u përmbush me sukses, madje shansi i mbarë tejkaloi çdo parashikim. Sepse nuk më shkonte ndërmend të gjeja një punë të tillë, që ta kryeja pa vështirësi, për të cilën mjaftonin vëmendja, kujdesi, shkrimi i bukur dhe saktësia drejtshkrimore.
U ktheva në shtëpi me një ndjenjë lehtësimi, i çliruar nga ndrydhja e hijes së vdekjes, që më mbante shtrënguar brenda zhguallit të fajësisë. M’u krijua përshtypja sikur këtë çast po vija nga spitali, dhe pas bashkëbisedimit me tim atë, m’u ngjall shpresa e shërimit, ndonëse ky faktikisht prej dy muajsh ndodhej pranë varrit të vëllait, në kishën e Golemit dhe po shqyrtonin bashkë çështjen më të dhimbshme, pse u rrallua kaq shumë familja jonë e madhe!?…Por kjo pandehmë nuk zgjati shumë. Kur u futa në odë dhe kundrova nënën të pikëlluar, e zbova këtë mendim. M’u drithërua zemra, që fati tmerrësisht i mbrapshtë, e kishte ndjekur pas! Vdekja ndaj saj qe treguar e babëzitur: i kishte gëlltitur gjysmën e familjes!
“Të paktën të mos i merrte bashkëshortin, shokun e jetës, që të pleqëroheshin pranë njëri tjetrit”! – u indinjova nga kjo padrejtësi. Dhe nën shtysën e një revolte të brendshme, e pushtova fort në krahët e mi, i putha duart e ballin. Për t’u çliruar prej këtij angështimi, kujtova postulatin e njerëzve të mençur, se; jeta për të gjallët vazhdon pas çdo gjëme të llahtarshme, edhe atëhere kur vdekja të rrëmben njerëzit më të dashur.
– “Dole për të takuar ndonjë shok, apo shkove tek motra e madhe”? – më pyeti ajo për të ditur ku e kalova kohën.
– “Në fillim duhen zgjidhur çështjet e ngutshme e, pastaj të kryhen takimet”, – iu përgjigja unë.
– “Kishe porosi nga një shok i shkollës dhe shkove në shtëpinë e tij”? – ngulmoi ajo.
– “Asnjë nga shokët e mi nuk e mori vesh, që do kthehesha në shtëpi para provimeve. Sepse do fillonin pyetjet kureshtare, pse jo ngutje, kur unë për vete isha i turbullt…”!
– “Babai yt, që ndritë pastë atje ku ndodhet, deri në çastin e fundit, e ruajti kthjelltësinë e mendimit, më shpjegoi me durim, pse ti s’duhet të jesh i pranishëm në përcjelljen e arkivolit për në kishën e Golemit. Prandaj përqendroje vëmendjen tek përgatitjet e domosdoshme”, – më këshilloi ai.
“Por fatmirësisht shokët e punës dhe Kisha, i morën të gjitha përsipër dhe i kryen me nder e përkushtim. Në varrim mori pjesë tërë Lushnja. U bë një meshë mortore në Kishën e Golemit, me porosi të Dhespotit të Beratit. Për të përmbushur dëshirën e të ndjerit, të varrosej pranë djalit, Sinodi i Shenjtë dhe Këshilli i Kishës morën vendim të hapin një rresht të ri. Pas vdekjes iu bënë të gjitha nderimet. Ndërsa kur ishte gjallë…”?!
– “Kjo tregon se shoqëria gjithnjë e ka dashur dhe respektuar! – e ndërpreva unë. – Tërë ajo përkujdesje, ishte vazhdimësi e vlerësimit me gjallje. Në këtë ceremoni nuk pati shtirje, apo ardhje të detyruara, si ndodh në disa raste kur përcjellin në banesën e fundit, kufomën e një pushtetari. Prandaj u ndjeva krenar kur Mukja ma përshkroi hollësisht ceremoninë e varrimit! Bashkëshortit tënd dhe atit tonë, iu bë përcjellja madhështore, sipas meritave, pavarësisht që politikës nuk i pëlqeu, pasi ajo vazhdimisht, e ka mbajtur jashtë orbitës së saj, duke e shpërfillur”!
– “Më dhemb shpirti që nuk pa një ditë të bardhë”! – tha nëna duke psherëtirë thellë.
– “Pse ndodh kështu: njerëzit e mençur, që kanë shpirt të madh, mbahen të mënjanuar nga shoqëria, dhe herë pas here sulmohen”? – pyeti ajo.
– “Sepse pushtetarët përgjithësisht e kanë mendjen të ngushtë dhe shpirtin të zi – iu përgjigja. – Edhe kur ndonjë tek-tuk tregohet njerëzor me hallexhinjtë, shumë shpejt ndëshkohet”!
– “Nuk më the se ku ishe sot”, – u kthye ajo tek pyetja e parë.
– “Takova drejtorin e shkollës time, jo vetëm për ta falënderuar, që tregoi kujdesin e duhur për të vënë në dijeni drejtorin e Gjimnazit, por dhe për një çështje tjetër, shumë te rëndësishme”.
– “Ka lidhje vetëm me ty apo edhe me familjen tonë”? – ndërhyri ajo me vështrim kureshtar.
– “Na përket të gjithëve”! – iu përgjigja unë duke i puthur duart. Dhe menjëherë i tregova pse shkova dhe çfarë u arrit në këtë takim.
– “Më duket si ëndërr!… – tha ajo e habitur. – Si të shkrepi në kokë ky mendim”?!
– “Ti e di që unë nuk rri dot pa punë. Jo që ne kemi shumë nevojë, pas vdekjes së babait, por edhe sikur të kishim një burim të ardhura, prapë nuk shtyhen kot tre muaj”, – thashë unë.
– “Ka lodhje dhe përgjegjësi të madhe kjo punë”? – pyeti ajo e shqetësuar.
– “Një veprim pa lodhje dhe përgjegjësi nuk quhet punë”, – ia ktheva unë.
– “E dije që në shkollë, ishte ky vend pune, ndaj dhe shkove”?…
– “Unë shkova për t’i kërkuar ndihmë, ku duhet të drejtohem. Ai buzëqeshi dhe tha i kënaqur: ke ardhur si me porosi. Pastaj biseduam gjerë e gjatë. Për të mos e vënë në vështirësi para shefit, i shpreha hapur dyshimin tim, se mos ndoshta këtë vend pune e kanë ruajtur për njeriun e tyre. Edhe pse dyshimi im qëndronte, ai e hodhi poshtë me disa arsyetime, që mua ma mbushën mendjen. Kështu që nesër filloj nga puna”.
– “Kaq shpejt?! – u habit ajo. – Nuk do bëhet mbledhja e komitetit, si e kanë zakon ata”?
– “Kjo është punë e përkohshme. Për raste të tilla, nuk merren vendime, mjafton një fjalë goje. – U tha kjo fjalë nga ana e shefit”?… – deshi të sigurohej nëna.
– “Drejtori parashtroi kushte të mjaftueshme bindëse, që nuk rrëzohen dot nga askush”, – shtova unë për t’i zbuar hamendjen kundërshtuese.
– “Po e zëmë se je pranuar dhe nesër fillon punë. Orarin si do ta kesh”? – u interesua ajo.
– “Njësoj si atëherë kur isha nxënës i kësaj shkolle: puna fillon fiks në 8 të mëngjesit dhe përfundon në orën 2 të mesditës”.
– “Mëngjesin do ta hash këtu, në shtëpi, apo do ta marrësh me vete”? – pyeti ajo.
– “Mama! Dy hapa larg nga shtëpia e kam punën. Sigurisht mëngjesin këtu do ta ha. Punën e kam kaq të përqendruar, sa edhe ngacmimi më i vogël, më shqetëson. Prandaj drejtori më tha që do të punoj në zyrën e tij, – e sqarova unë, që të qetësohej. – Ndërsa paraditen e të dielës, që e kam pushim, kam menduar t’ia përkushtojmë babait dhe vëllait, në Kishën e Golemit”! – shtova sy përlotur.
– “Të qofsha falë, o Perëndi, që djalit tim të vogël i ke dhënë këtë mendje dhe shpirt të madh për të më ngushëlluar, kur shpirti im digjet përbrenda nga dhimbja, si eshkë”! – psherëtiu ajo. Të nesërmen, para orës 8, kur ra zilja e fillimit të mësimit, unë gjendesha në mjedisin e punës dhe drejtori i shkollës, po më tregonte si duhet ta këqyr Amzën e Vjetër, që të mos gaboja.
– “Në fillim do t’i hedhësh një sy të vëmendshëm, që të sigurohesh nëse ka korrigjime dhe retushime. Pastaj do të përqendrohesh hollësisht tek çdo kolonë. Përveç shkrimit të emërtesave, do t’i kushtosh shumë kujdes notave të hedhura nga mësuesit kujdestar, sidomos përputhjes mes shifrës dhe shoqërimit me shkrim. Çdo paqartësi, siç biseduam dje, do ta lësh pa plotësuar dhe do kalosh në faqen tjetër. Ja stilografi dhe boja e ‘Pelikanit’.
Të shkoftë mbarë puna e re! – tha ai duke më shtrënguar dorën. – Në rast se dikush troket në derë, dhe pyet ku ndodhet drejtori, ti do t’i përgjigjesh shkurt: nuk e di. Ose për t’i shmangur fare këto ngacmime, po e mbyll derën me çelës nga jashtë, që të mos kesh bezdisje. Në rast nevoje, të duhet të shkosh në banjë, ja ku e ke brenda në sirtar një çelës rezervë. Pastaj mbylle vetë nga brenda dhe hiqe çelësin nga brava. Kështu po e lëmë”?
– “Kjo është zgjidhje e mirë, sepse nuk harxhoj as kohë për të dhënë përgjigje e, nuk më shkëputet vëmendja nga puna”, – iu përgjigja.
Pas largimit të drejtorit dhe mbylljes së derës me çelës nga jashtë, i hodha një vështrim të vëmendshëm mjeteve që do të përdorja dhe u përqendrova tek leximi i dhjetë faqeve të para të Amzës së Vjetër. Pastaj provova në një fletë fletore si shkruante stilografi, që të sigurohesha nëse maja lëshon bojë, (i vetmi veprim i pakorrigjueshme, që më vë përpara përgjegjësisë mjaft të rëndë, pasi nxjerr jashtë përdorimit krejt bllokun e Amzës). Kur u binda që maja e stilografit lëshonte bojë në masën e duhur, e ndjeva veten të lehtësuar. Pas kësaj prove, kreva një veprim tjetër: nënvizova me laps të lehtë gabimet drejtshkrimore tek Amza e vjetër, që t’i kem parasysh e të mos të harxhoj kohë, kur t’i shkruaj në të pastër.
Duke qenë punë e paprovuar më parë nga ana ime, s’e kisha idenë si do më rrëmbente në rrjedhën e saj dhe sa do ta ndjeja lodhjen e gjashtë orëve kërrusje! U befasova kur dëgjova kërcitjen e çelësit në bravë dhe pashë drejtorin: nuk e kisha idenë sa orë punoja. Ndaj po e vështroja si i përhumbur.
– “S’ke lëvizur fare nga vendi?!… u habit ai, duke hedhur shikimin mbi faqet e shkruara në Amzën e re. – Me këtë ritëm kaq të sforcuar dëmton shëndetin! – më qortoi si shfletoi deri në fund faqet e shkruara. – Ke bërë punë të përsosur! Kënaqesh kur e sheh! E ndjej të domosdoshme të vendos ritmin normal të punës: do të porosit pastruesen e shkollës, t’i bjerë ziles pas mbarimit të çdo ore mësimore dhe fillimit të orës tjetër. Në minutat ndërmjetëse, do bësh pushim të detyruar, ku do të pish një gotë me ujë dhe do të hash fruta… – shtoi duke buzëqeshur. – Të kam prurë ftonj, dardha dhe mollë nga bahçja jonë e Divjakës”.
Mua m’u rrëmbushën sytë me lot nga kënaqësia e përkujdesjes ndaj meje! Mënyra e qetë e të folurit, lëvizjet e shtruara, ëmbëlsia e zërit, sjellja atërore, me krijuan ndjesinë sikur këtë çast im atë ndodhej pranë meje! Sepse pothuaj të njëjtën përkujdesje tregonte ai, kur punoja në dyqan: shpeshherë më blinte simite me qofte, me mëlçi qengji ose, kukurec të pjekur në prush, ngaqë isha i zgjedhur, nuk haja gjellë. (Edhe në shtëpi, nëna ma piqte thelën e mishit në mashë). Kishte ngjashmëri mes babait dhe drejtorit të shkollës. Pikërisht kjo ngjashmëri, ma lehtësonte ndjeshëm dhembjen e humbjes dhe në njëfarë mënyre, më ndihmonte të ripërtërihesha çdo ditë pas tronditjes.
Të dielën në mëngjes, rreth orës 9, erdhi në shtëpinë tonë fqinji ynë i gjendur, Mukja, bashkë me të ëmën, Kadenë. Nënë Kadea thërriti nga kënaqësia kur më pa, më pushtoi me përmallim të jashtëzakonshëm, më shtrëngoi e nuk po më lëshonte, njësoj si atëherë tek gryka e pusit gjatë bombardimeve. Ndaj i thashë me zë fëminor: ngadalë se më çype! Ata, nënë e bir u shkrinë së qeshuri nga rikujtimi i kësaj të folure. Pastaj prap më përqafoi. Të dyve na kishte marrë malli! Ndjenim kënaqësi që rrinim pranë njëri-tjetrit! Kështu mund të kishim vazhduar me minuta të tëra, duke kujtuar kohën e shkuar, po të mos ndërhynte Mukja, i cili na tha se poshtë në xhade na pret makina për të shkuar në Kishën e Golemit. Nënës Anë i ndritën sytë nga kënaqësia e këtij kumti!
– “Kade! Nga tre djemtë, Mukja ha bukë veç të tjerëve. Nuk të ka lënë gjë”! – i tha ajo. Nuk e priste këtë kujdes të jashtëzakonshëm. S’dinte si ta falënderonte Kadenë, që i biri do t’i gjejë makinë për të shkuar pranë varrezave të djalit e bashkëshortit, duke patur parasysh largësinë e madhe dhe ecja në këmbë i shkaktonte lodhje sfilitëse. Duke zbritur ngadalë drejt xhadesë, dy e nga dy, unë i thashë me zë të ulët nënë Kadesë, të ketë kujdes Anën, ta përmbajë me aq sa mundet që qarjet tek varri i djalit, të mos i shoqërojë me vajtim rrëqethës, duke përmendur kujtimet më të dhimbshme, që të drithërojnë zemrën.
Ajo premtoi se do bëjë të pamundurën për ta frenuar, pasi këtë e kishte vetë ndërmend që kur u nisën nga shtëpia. Prandaj gjatë rrugëtimit me makinë, ato u ulën bashkë, që Kadea me marifet t’ia thotë porositë e domosdoshme.
– “Nënat, edhe pse ndryshojnë nga pamja e jashtme, ca janë më të gjata e ca më të shkurtra, dhembjen e brendshme për humbjen e të dashurve të zemrës e kanë njësoj, prandaj e kuptojnë fare mirë njëra tjetrën”, – ma ktheu nënë Kadea.
“Xhip”-i ushtarak, na çoi për dy minuta tek kodra e Golemit. Kur ne u bëmë gati të zbresim, shoferi na tha se akoma nuk kemi mbërritur. Ai e nxori makinën nga xhadeja, kaloi rrëzë kodrës, e pas një kthese filloi ngjitjen nëpër gjurmët e një makine tjetër, deri afër ngrehinës së Kishës. Këtu ndaloi, duke shpjeguar se më tej nuk i lejohej të ecte, pasi fillonte parcela e varrezave.
– “Unë po pres këtu, në makinë”, – iu drejtua ai Mukes.
– “Ju mos u nxitoni. Nuk kam ndonjë ngutje urgjente, nga komandanti apo komisari i brigadës”. Mukja na tha të ecim pas tij derisa të dalim në pjesën e përparme të Kishës. Pastaj ai mori për krahu nënën Anë, ndërsa unë nënën Kade. Mbeta i shtangur dhe i habitur, kur pashë mbi dy varret at e bir, kurorat e shumta të ditës së varrimit, dy muaj e ca përpara!
Kush i shihte për herë të parë dhe s’e dinte çfarë kishte ndodhur, formonte përshtypjen nga kurorat e luleve, se të ndjerët kanë ndërruar jetë në të njëjtën ditë ose, në ditë fare të afërta, sepse askush nuk e besonte që at e bir, janë varrosur në vite të ndryshme, djali para tetë vjetëve, për faktin se të dy varret qenë mbuluar me mori kurorash, në të njëjtën ditë!
– “Çfarë ka ndodhur atë ditë, që akoma nuk ma ke thënë”? – e pyeta Muken me qortim.
– “Ditën e varrimit të babait tuaj të nderuar u shfaq solidariteti më i mrekullueshëm mes banorëve të qytetit tonë. – ma ktheu Mukja me pëshpëritje. – Kur e morën vesh moshatarët e vëllait tënd, që i ati do varroset pranë tij, porositën kurora për shokun e paharruar! Ishte një veprim i mrekullueshëm, që na tronditi të gjithë. Kurrë më parë nuk qe shfaqur dashuria dhe respekti për të vdekurin, si këtë herë! Nënës Anë iu duk sikur djali si kavak ndërroi jetë po atë ditë nga hidhërimi i thellë për vdekjen e të atit, se ky dha shpirt në prehrin e tij! Ndaj varret i kanë pranë njeri-tjetrit, të mbushur me kurora me lule!
Në këtë çast pranë nesh erdhi prifti i kishës për të takuar dy nënat e veshura krejt me të zeza, pastaj mua dhe fqinjin tim. Urata filloi të mërmërit lutje, duke përmendur herë pas here emrin e babait. Pastaj na dha neve qirinj për t’i ndezur, dhe bekoi dy varret me kryqin e shenjtë e temjanicën, i spërkati me ujë të bekuar duke përsëritur me zë të lart: ‘U ndritë shpirti në Mbretërinë Qiellore të Perëndisë’!
– Ne çdo të diel bëjmë një meshë të shkurtër përkujtimore për psaltesin e parë të Kishës, me porosi të Kryepriftit”, – shtoi urata enkas për mua, që të dëgjoja nga goja e tij sa shumë e nderon Kisha besimtarin shquar, Thanas, duke i bërë përshpirtje lutjesh një herë në javë. Unë e falënderova për përkujdesjen e treguar, i putha dorën dhe shtova se im atë një pjesë të jetës ia përkushtoi me pasion shërbimit ndaj Kishës e besimtarëve, duke përcjellë me zërin e tij porositë e Perëndisë.
– “Do gjej kohën e përshtatshme të falënderoj Papa Petron dhe Papa Kostandinin, për meshën e madhe të përshpirtjes, që u organizua enkas këtu. Nuk do ta harroj kurrë që arkivoli me trupin pa jetë të tim ati, qëndroi mbi epitaf gjatë kohës së meshës dhe doli nga dera e kësaj Kishe, për ta përcjellë në banesën e fundit”!… – e ndjeva për detyrë t’i shprehja uratës mirënjohjen time dhe të familjes për kujdesin e veçantë të Sinodit të Shenjtë dhe Këshillit Kishtar, për ritualin madhështor të varrimit, si dhe marrjen përsipër të shpenzimeve, përfshi drekën mortore. Urata me bekoi me kryqin e shenjtë dhe theksoi se kujdesi i Kishës ndaj psaltësit të parë nuk mbaron me kaq.
– “Me porosi të Kryepriftit, kishtari ynë kryen shërbimin e përditshëm tek dy varret, atë e bir: ndez qirinj dhe shkul barin rreth e qark”, – vuri në dukje ai.
– “Përveç kësaj, sjellim herë pas here lule të freskëta, kryesisht trëndafila! – shtoi duke hedhur mbi mua një vështrim të mprehtë. – “Besoj i vutë re…”?!
– “Menjëherë më ranë në sy. Pikërisht në çastin kur erdhët ju, po bëhesha gati të pyesja mikun tim të mrekullueshëm, kush i ka prurë këta trëndafila kaq të bukur”? – iu përgjigja mjaft i kënaqur.
– “I kemi thënë nënës tuaj të nderuar, të mos shqetësohet fare për mirëmbajtjen e dy varreve, pasi kishtarin tonë e kemi merakli të madh, di ai ku i gjen lulet e freskëta…”, – theksoi urata për të frenuar vajtimin rrëqethës të zonjës Anë, e cila këtë çast po bëhej gati të derdhte dënesat me vargëzim, të mbledhura shuk përbrenda, që të drithëronin zemrën dhe palcën. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016