• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, February 25, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në tetor 1956, përfaqësia e ‘Ballit Kombëtar’ të SHBA-ës, e dërgon Jani Dilon në Kongresin e Internacionales Agrare në Paris, ku ai…”/ Historia tragjike e familjes së njohur nga Sheperi Zagorisë

“Pasi vuri nga një buqetë me lule te prindërit, Roberti shkoi te varri i mikut të tij, por shtangu dhe nga pas dëgjoi zërin e rojtarit; kam 35 vjet në këtë punë, por…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
“Komunistët prishën varrin e gjyshit tim në Gjirokastër dhe eshtrat ia hodhën rrugëve, kurse në ’91-in, ata masakruan gjyshen me thika, por vrasësit…”/ Dëshmia tragjike nga SHBA-ja, e pinjollit të familjes së famëshme
“Në 1967-ën, kur Ilia Dilo Sheperin, e zhvarrosën nga oborri i kishёs, eshtrat ia morën fëmijët dhe u binin rrugëve, kurse komunistët talleshin me kafkën e tij, duke…”/ Historia tragjike e familjes Dilo
“Komunistët prishën varrin e gjyshit tim në Gjirokastër dhe eshtrat ia hodhën rrugëve, kurse në ’91-in, ata masakruan gjyshen me thika, por vrasësit…”/ Dëshmia tragjike nga SHBA-ja, e pinjollit të familjes së famëshme
“Përse të lëmë avokatë si Suat Asllani dhe Koço Dilo, ç’i duhen Drejtësisë këta, kur në gjyq thonë se krimineli…”?!/ Fjala e Enverit në ’66-ën kur suprimoi Ministrinë e Drejtësisë
“Kur Koço Tashko ma prezantoi Enverin tek dyqani “Flora”, e vetmja gjë që binte në sy, ishte paraqitja e jashtme dhe…”/ Dëshmia e avokatit të famshëm

Nga Reshat Kripa

Memorie.al / Natë vonë e shtatorit 1996 në Tiranë. Pas një takimi që kisha me disa miq, po kthehesha në shtëpinë e motrës, ku flija zakonisht ditët që qëndroja në kryeqytet. Rastësisht takova mikun tim, Eden Babani, kryeredaktor i gazetës “Liria A”. – “Mirë unë, po ti ku ishe kaq vonë”?! – e pyeta – “Isha në shtypshkronjë, – u përgjigj. – Nesër del numri i ri i gazetës. Blije se ka një artikull shumë interesant për një familje nacionaliste të dëgjuar”. Të nesërmen, sapo dola, bleva gazetën dhe fillova të kërkoj artikullin në fjalë. E gjeta të shkruar në faqen e tretë të saj, të shoqëruar me fotografinë e një burri të pashëm që duke buzëqeshur, dukej sikur thoshte aforizmën e mëposhtme: “Kultivoni besimin dhe dashurinë për njëri-tjetrin, jo me ‘peqe’ dhe ‘lepe’, po me arsyetime të logjikshme dhe të matura. Nuk ka rregulla që caktojnë të drejtat dhe detyrat e një njeriu në gjirin e familjes dhe të shoqërisë, përveç rregullave të arsyetimit”. (Etien Dilo, “Një botë që lind e nuk lind dot”, faqe 215)

Fillova ta lexoj. Ishte një shkrim i mrekullueshëm i shkruar me një stil dhe gjuhë të sigurtë, nga një njeri i letrave, Etien Dilo. Kryesisht bënte fjalë për një figurë të shquar të fisit të madh nacionalist të Dilenjve të Sheperit të Zagorisë, Jani Dilos. Kisha dëgjuar për këtë fis patriotik, për burrat e shquar që kishin dhënë një kontribut shumë të çmuar në rrugën e gjatë të lirisë dhe demokracisë. Ai shkrim sepse më ngeli në mendje.
Kisha dëgjuar edhe për Sheperin, fshatin e Çajupit të madh. Por më tepër më ka ngelur në mendje një skenë e fëminisë time. Ishte viti ‘50-të. Sapo isha kthyer nga shkolla. Im atë qëndronte mjaft i mërzitur. Pyeta nënën. Ajo më tha se kishte vdekur një mik i shquar i tij. Im atë më dëgjoi dhe tha:

– “Dëgjo mor bir, sot pushoi së rrahuri zemra e një njeriu që jetën e tij ia kushtoi atdheut, por që njerëzit e braktisën dhe e lanë të vdiste në mjerim. Për të nuk kumboi asnjë kambanë, njësoj si për Papa Kristo Negovanin dikur”. Ishte fjala për sheperiotin e madh Aristidh Ruci. Anëtar i Klubit “Labëria”. Anëtar i komisionit të organizimit të Kuvendit të Drashovicës në përkrahje të memorandumit të Gërçës. Pjesëtar në shpalljen e pavarësisë kombëtare. Anëtar i organizimit të demostratës kunder pushtuesve italianë më 28 nëntor 1919, anëtar i federatës “Vatra” dhe shoqërisë “Bashkimi” në vitet 1920-1924. Internohet nga fashistët në itali. Anëtar i Organizatës së “Ballit Kombëtar”. I dënuar politik në kohën e rregjimit komunist.

Gjithashtu mund të lexoni

“Me gjithë të sharat dhe ofendimet, ‘vullnetarët e Enverit’ me portretet e tij vazhdonin përpara, grupi i vogël e humbi durimin dhe…”/ Shkurt 1991, kur djemtë e “Skelës” u përleshën me enveristët e Vlorës

“Kur mungonte ndonjë shok, pensionist e i moshuar, bëheshin merak; pse s’ka dalë në Pazar?! Alizoti u thoshte; Shini një herë tek shtillat e elektrikut, te lajmërimet, se…”/ Historitë e panjohura të librarit të Gjirokastrës

Vitet kaluan. Tashmë nuk ishte më koha kur në vendin tonë ekzistonin vetëm pak shtypshkronja apo shtëpi botuese, si në periudhën e mësipërme. Tashmë jetojmë në botën e internetit, ku njeriu mund të lidhet në çdo kohë me miq që jetojnë larg. Kështu më ndodhi edhe mua. Më pëlqen të shkruaj. Këto shkrime i dërgoj edhe në mediat elektronike në internet. Shpesh herë më vijnë mesazhe të atyre që i lexojnë. Me anën e tyre zura miqësi me disa persona që ende nuk i kam takuar. Midis tyre me Ksenofon dhe Eduard Dilon, në Shtetet e Bshkuara të Amerikës dhe Ylli Dilon në Greqi. Kështu, një ditë, ndërsa punoja në zyrën e shoqatës tonë, vjen një zonjë e nderuar. – “Më falni, – tha. – Jam Antigoni Dilo, kushërira e miqve të t’u të internetit. Kam
ardhur t’ju dhuroj këto dy libra që ju a dërgon Ksenofoni”.
I mora.

Lexoj autorin: Etien Dilo. Titujt: “Në udhëtim”, Personalitete të padiskutueshme kur luhej fati i kombit. Dhe
“Në një botë që nuk lind dot”. Një zë atje ku nuk kishte më zë.
Dy tituj intrigues. Vështroj kopertinën e fundit. Një jetëshkrim i shkurtër: Lindi më 19 shtator 1938 në Sheper të Zagorisë. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Asim Zeneli”, dega Pedagogjike, në Gjirokastër (1951-1955). Studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Gjuhë-Letërsi (1960-1964).

Ka shërbyer si mësues në rrethin e Fierit dhe gjimnazin e Ballshit.

Pas vendosjes së pluralizmit politikë, iu dha titulli “Mësues i merituar”. Libra dhe artikuj: “Bija e Sheperit, një emër që rron mes nesh” (monografi). “Ilia Dilo Sheperi, asht nga asht i mëmëdheut”, “Në një botë që lind e nuk lind dot. Ka ribotuar “Gramatikën” e Ilia Dilo Sheperit, me shtojcat dhe shënimet e nevojshme. Ka lënë në dorëshkrim dy libra të tjerë. U nda nga jeta aksidentalisht më 6 korrik 2008.

U trondita së tepërmi. Si ka mundësi që Zoti të marrë pranë vetes njerës të tillë?! U ula dhe fillova të lexoj. Një galeri e tërë personazhesh, njëri më i madh se tjetri. Një plejadë e tërë e vënë në shërbim të atdheut. Një familje e tërë e lidhur ngushtë me fatet e kombit. Historia e tyre fillon herët, atëherë kur vendi ishte ende nën sundimin otoman, vazhdon me shpalljen e pavarësisë dhe Luftën e Dytë Botërore, Luftën e Vlorës, Republikën dhe Mbretërinë shqiptare, okupimin e Shqipërisë, vendosjen e rregjimit totalitar komunist dhe periudhën e tranzicionit demokratik.

Meditimet më sillen rrotull në ndërgjegjen time!

I pari i tyre: Ilia Dilo Sheperi. Që në moshë të re i lidhur me lëvizjen për liri dhe pavarësi. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore, internohet nga pushtuesit italianë në Itali. Pas një viti mundi të kthehet në Durrës, por autoritetet nuk e lejojnë të zbresë. Dërgohet përsëri në Itali. Më 1917 hap të parën shkollë shqipe në Sheper. Ja çfarë thotë me këtë rast Ilia Dilo Sheperi: “Shkolla është themeli i kombësisë dhe përparimit. Kush kurseu mundimet dhe shpenzimet për këtë gjë, nuk përparoi dot në çështjen shqiptare”.

Në vitin 1927 botoi në Vlorë “Gramatikën”, një libër me shumë vlera për shkollat e atëhershme. Del në pension në vitin 1934, por nuk rresht së punuari për Shqipërinë. Kundërshton pushtimin e vendit nga okupatorët fashistë dhe nazistë por kundërshton gjithashtu edhe hapjen e vëllavrasjes nga komunistët. Lidhet me misionet angleze te kryesura nga majori Tilman, majori Bill Maklin dhe nënkoloneli Lik, të cilëve iu bënë të qartë qëndrimin e vërtetë antishqiptar të komunistëve. I mbylli sytë më 14 tetor 1945. Vaji i grave sheperiote ushtoi në ato brigje: “U shkëput mali me bore/ U nda ergjënda kurorë/ O baba, baba me fame/ Ike dhe u ktheve krahnë/ Ike, vendi mbeti shkretë/ Më Illi nuk do të ketë/ O Illi, Illi i mirë/ Shami loti për fakirë/ Kur flisje për Shqipërinë/ Ndritte vendi vetëtimë”.

Por komunistët nuk mund të pajtoheshin me këto merita të tij. Me urdhër të partisë, i zhvarrosën eshtrat e tij dhe i hodhën diku tjetër. Një akt me të vërtetë barbar. Ilia Dilo Sheperi la shtatë djem dhe tri vajza, të cilët patën fatin e keq të hiqnin gjithë të zezat e rregjimit totalitar komunist. Djali i Ilias, Mihal Dilo, zooteknik, shok pune me Bilal Golemin. Akuzohet dhe
demaskohet gjoja për sabotim në fushën e blegtorisë. I bëhet presion për të bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit. Karakteri i tij nuk mund ta pranonte një gjë të tillë. I biri, Foni, kishte mundur të hynte në Estradën e Gjirokastrës por, një mbrëmje ndërsa jepte shfaqje, vë re se autoret kishin veshur kostumet e gjyshes së tij të sekuestruara më parë. Nuk mundi të duronte. U largua në formë proteste.

Por gjëma më e madhe do të binte kur sapo kishte filluar të çelte drita e demokracisë. Ishte 25 janari i vitit 1991. Një grup banditësh, të shtyrë nga mjeshtrit e krimit të tërbuar nga humbja e pushtetit, masakrojnë barbarisht në pragun e portës së shtëpisë gruan e Mihalit, të ndjerën zonjën e nderuar Kaliopi Dilo. Një krim i neveritshëm. Kriminelët pushtetin që e kishin fituar me gjak po e linin po ashtu me gjak. Ironia më e madhe e këtij krimi makabër është se mbeti, si dhe shumë të tjerë, pa ndëshkuar, me gjithë vendosjen e sistemit demokratik.

Dhe ish- i burgosuri politikë, poeti Pirro Kuqi, i kushtoi kësaj ngjarje tragjike poezinë e mëposhtme: “Ata, të hatashmit/ Dolën nga nata/ Si ujqër nga një shpellë/ Të errët si shtërngata/ Në shpirtin djallin thellë/ Ata i masakruan/ O, nsytë e tut ë kthejllë/ Dhe na u tkurr mënxyra/ Sikur na shqeu brinjën/ Dhe na u tkurr fytyra/ Dhe flokët na u thinjën/ Ata që pesëdhjetë vjet. Me kriume nuk nginjen/ Po vrasësit ku janë?/ Askush nuk na përgjigjet, kjo kasaphanë/ Si një rrufe mbi brigjet/ Kur pyesim për krimin/ Na mbyllen gjithë shtigjet/ Ata dolën nga nata/ Si ujqër nga një strofull/ Mbi neve ra shtërngata/ Ata ende vinë rrotull/ Vampirë nëpër popull”!

Djali tjetër Qirjako Dilo. Në moshën 16 vjeçare hapi të parën shkollë shqipe në Nivan të Zagorisë. Vazhdoi studimet e larta per hipotekat në Bari të Italisë. Refuzoi me përbuzje detyrën e Ministrit të Financave në kohën e pushtimit fashist. Autor i disa studimeve për figurat e shquara nacionaliste, si Mihal dhe Petro Harito, Aristidh Ruci, Jorgji Çako, Ilia Dilo Sheperi e të tjerë. Patjetër nuk mund të pajtohej me politikën vëllavrasëse që ndiqnin komunistët. Për këtë Sigurimi i Shtetit i ngriti kurthin e ngjashëm me atë kundër Klerit Katolik në Shkodër.

Në strehën e kolibës i futën fshehurazi disa pushkë e fishekë dhe për këtë e arrestuan dhe dënuan. Në çastin e vdekjes i tha të shoqes: – “Në oborr, moj qyqe, aty varrin”! E përcollën për në Sheper, duke e mbajtur mbi supe vetëm një pakicë burrash, ata më të afërmit. Shqipëria jetonte periudhën e përçarjes së madhe.
Margariti, nxënës i shkollës Teknike të Fultz-it. I arrestuar gjoja për spiunazh në favor të anglo-amerikanëve dhe grekëve. Sheperi, një fshat tërësisht shqiptar, që gjithmonë ka nxjerrë burra në shërbim të atdheut, a mund të kishte nxjerrë një antishqiptar? Në asnjë mënyrë. Por djallëzia komuniste ishte në gjendje të shpikte gjithçka! Kështu vazhduan torturat e tmerrshme. Dhe ja ku na del para syve i vëllaj, Mihali që, duke dëgjuar rënkimet e tij nga torturat futet brenda forcërisht dhe thërret:

– “Doni ta vrisni? Vriteni, askush nuk ju pengon dot, po ç’është kjo vdekje me lemeri”?! Duke e parë veten ngushtë, Margariti, detyrohet të pijë helm (DDT), për të shpëtuar nga torturat. Pasi kryen dy vjet burg, për arsye shëndetësore lirohet. Kthehet në familje i dërmuar. Nuk shkon gjatë dhe mbyll sytë. Mbi varrin e tij ishin shkruar këto fjalë, me gjithë kundërshtimin e fanatikëve komunistë: “Besimi i vërtetë imi, nuk është të rroj dhe të lë tjetrin të rrojë, por të rroj dhe të ndihmojë tjetrin të rrojë”.

Jani Dilo. Ja si e fillon shkrimin e saj gazeta “Liria” në nëtorin e vitit 1996: “Jani Dilo, hyri e mbeti në rradhën e rilindasve me të njëjtin ideal, ‘Për shqiptarë të lirë, në një Shqipëri të lirë’, një nga bijtë e popullit tonë që luftoi kumdër pushtuesve dhe për shpëtimin e Shqipërisë nga komunizmi, pati ideal, ashtu si të gjithë demokratët e vërtetë, një Shqipëri të begatë, të të gjithë shqiptarëve, pa dallime krahine. feje, ideje, klase, një para ligjit”.

Ndërsa Etien Diloja vazhdon: “Ishte në Shqipëri kur duhej të ishte, iku, kur duhej të ikte, jo për të shpëtuar lëkurën, se asgjë nuk kishin bërë veç luftës për Shqipëri, jo për të mbrojtur pronat e çifligjet, por për të luftuar për shpëtimin e vatanit, të çeleshin shtigjet e demokracisë e të merrte rrugën e zgjidhjes çështja kombëtare. Jani Dilo lindi në vitin 1911. Pas mbarimit të shkollës fillore, vazhdon liceun e Gjirokastrës dhe atë të Korçës. Më pas shkon në Romë si student në Akademinë Ushtarake, të cilën e mbaron me sukses. Gjatë Luftës inkuadroet në rradhët e “Ballit Kombëtar”.

Shokët e quanin; “Strateg të luftës së Ballit”. Rastësisht takon ish-pedagogun e tij të akademisë, i cili kishte ardhur si gjeneral i ushtrive pushtuese. Ai kërkon ta përqafojë, ndërsa Jani i përgjigjet: -“Të desha e të respektova si pedagog, por jo si gjeneral i një ushtrie pushtuese. Një i madh nuk duhet të merret me një foshnje”. Kjo gjë i shkaktoi internim në Itali. Pas kthimit në atdhe vazhdon luftën përkrah “Ballit Kombëtar”. Në nëntorin e vitit 1944, detyrohet të marrë rrugën e emigrimit. Fillimisht në Itali ku, në vitin 1947, fiton titullin “Doktor i së Drejtës Ndërkombëtare”, me temën “Problemi i Shtetit”.

Në vitin 1950, vendoset në SHBA-ës. Në tetor 1956, përfaqësia e “Ballit Kombëtar” të Amerikës, e dërgon si përfaqësues të saj në Kongresin e Internacionales Agrare, në Paris. I mbylli sytë më 14 janar 1984. Ishte studiues dhe kritik letrar. Ndër veprat e tij përmenden studimet për Migjenin, për problemet gjuhësore, për tiparet e Skënderbeut, mbajtur në 100 vjetorin e vdekjes së heroit. Ka shkruar; “Të njohim martirët tanë”, portrete të bashkudhëtarëve; Zef Pali, Nexhat Peshkëpia, At Gjergj Fishta. “Si lindi dhe u rrit komunizmi në Shqipëri”, “Lufta civile në Shqipëri”, si dhe shkrimet në anglisht: “Hoë the Communists Took Over in Albania”, “Russia’s Dream of Conquest Doomed to Failure”, “Titoism on the March”, “International Peasant Union, 1954, 1955, 1956, 1962”

Ky ishte Jani Dilua për të cilin bëri artikullin në gazetën “Liria A”, Etieni, artikulli që përmenda në fillim të këtij shkrimi. Por një gjë e tillë nuk tingëlloi mirë në veshët e vampirëve që endeshin të lirë nëpër rrugët e qyteteve tona. Njëri prej tyre, një nga ata që në të kaluarën e shkonin jetën duke shkruar letra anonime dhe që nuk kishte kurajon të shfaqte emrin e tij, por të përdorte pseudonimin “Jorgji Dëllënja”. Fatziu, që duket se i kishte humbur emri gjatë rrugës së tij nëpërmes plehrave, botoi një replikë në paçavuren komuniste “Kushtrim brezash”. Mendonte qyqari se vazhdonte ende koha e satrapëve. Harroi që ajo kohë kishte perënduar, për të mos u kthyer më kurrë.

Orest Dilo. Si gjithë vëllezërit e tjerë nuk mund të pajtohej me pushtimin fashist. Për këtë burgoset në Torino, ku kishte shkuar për studime. Kur kthehet në Shqipëri, i futet rrugës së tregëtisë. Ishte një tip i nxituar. Për këtë i heq vrejtjen i vëllai, Jani Dilo dhe kjo i bëhet mësim. Në vitin 1944, emigron në SHBA-ës, disa muaj para të vëllajt. Mbaron universitetin për Mjekësi, fakulteti Pediatri. Vendoset në Easton, ku dhe martohet me Vasilia Milides, e bija e zotit dhe zonjës Harry Milides. Koço Dilo, më i vogli i djemve të Dilojve. Jetonte në fshat. E ardhura e vetme ishte mbledhja e bimëve medicinale në mal. Arrestohet i akuzuar për ”tradhëti të lartë ndaj atdheut”, gjoja se paskësh patur në mendje të arratisej, gjë që as e kishte shkuar kurrë ndër mend. Dënohet me 10 vjet burg.

– “Mbahu, ka dhe Zot”! – i thotë i vëllai, Qirjakua, kur u takuan pas dënimit. Filluan sekuestrimet e tjera, deri edhe te rrobat e motrave. Rrëmbyen edhe bibliotekën e pasur të Ilia Dilo Sheperit. Burgun e bëri në Spaçin e tmerrshëm. Hëngri një grusht duhan, për t’i dhënë fund jetës. Sëmuret nga kanseri, zemra. Shtrohet në spitalin e Tiranës. Sot nuk jeton më. Nëpër kalvarin e përndjekjes kaloi edhe vëllai tjetër Themua, si dhe tri motrat. Viktoria, bija dhe vazhduesja e denjë e të atit, mësuesja e përkushtuar duhej të endej fshatrave të Fierit, si shumë shoqe të saj të përndjekura në gjithë Shqipërinë.

Më 6 tetor 1982, pushon së rrahuri papritmas zemra e saj e madhe. Nga Fieri e përcollën, me lot ndër sy, pothuajse të gjithë banorët e lagjes dhe ish nxënësit e saj, mirpo në Sheper, ishin vetëm familjarët. Organizata e partisë nuk i lejoi bashkëfshatarët të përcillnin bijën e “Dilos së madh”. Një zagorite ju drejtua pjesmarrësve me këto fjalë: “Nderi është më i madh kur ta bëjnë bota; turpi mbetet për të tutë”. Dy motrat e tjera, njëra e martuar në fshat, megjithse familjen e kishte anëtare kooperative, nuk doli kurrë në punë; ndërsa tjetra martuar në Përmet, ishte vendosur në Tiranë.

Këto ishin meditimet e mia ndërsa lexoja dy librat e Etien Dilos. Kisha dëgjuar për shumë raste tragjike të persekutimit gjatë periudhës së diktaturës komuniste, por asnjëherë nuk me kishte rastisur një tragjedi e tillë si e kësaj familje martire. Ndryshimet demokratike që ndodhën në vendin tonë ngjallën shpresën edhe në nipërit dhe mbesat e këtij fisi fisnik. Por shpejt ato u shuan. Zhgënjimi zuri vendin e shpresës. Kjo bëri që një pjesë e tyre, megjithse në një moshë të thyer, të marrin rrugët e emigrimit. Sot ata, si dhe shumë shqiptarë të tjerë janë shpërndarë në të katër anët e rruzullit tokësor.

Megjithatë një gjë është e vërtetë. Zëri i Dilenjve nuk humbi kot. Ky zë i thënë në një kohë kur nuk kishte zë, siç e quan Etien Diloja në librin e tij, është zëri i kushtrimit për një Shqipëri me të vërtetë demokratike, për një Shqipëri me të vërtetë të lirë. Më lejoni së fundi ta mbyll këtë shkrim, me një thënie të nxjerrë nga fjalimi i paharrueshëm i Ilia Dilo Sheperit, në mitingun e popullit të Gjirokastrës më 28 Nëntor 1920: “Gëzohi, o shqiptarë t‘arratisur në çdo anë të botës! Këndoni ju zogjt’e bukur që fluturoni në qiellin e Shqipërisë! Lulëzoni ju fusha! Gjëmoni ju male! Buçitni ju, lumenj dhe dete të Shqipërisë! Bekonani ju, o dëshmorët e shenjtë t’atdheut! Kurajo, durim dhe shpresë, ti o Shqipëria irredente”!/ Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 25 Shkurt 2026

Next Post

“Kur mungonte ndonjë shok, pensionist e i moshuar, bëheshin merak; pse s’ka dalë në Pazar?! Alizoti u thoshte; Shini një herë tek shtillat e elektrikut, te lajmërimet, se...”/ Historitë e panjohura të librarit të Gjirokastrës

Artikuj të ngjashëm

“Me gjithë të sharat dhe ofendimet, ‘vullnetarët e Enverit’ me portretet e tij vazhdonin përpara, grupi i vogël e humbi durimin dhe…”/ Shkurt 1991, kur djemtë e “Skelës” u përleshën me enveristët e Vlorës
Dossier

“Me gjithë të sharat dhe ofendimet, ‘vullnetarët e Enverit’ me portretet e tij vazhdonin përpara, grupi i vogël e humbi durimin dhe…”/ Shkurt 1991, kur djemtë e “Skelës” u përleshën me enveristët e Vlorës

February 25, 2026
“Kur mungonte ndonjë shok, pensionist e i moshuar, bëheshin merak; pse s’ka dalë në Pazar?! Alizoti u thoshte; Shini një herë tek shtillat e elektrikut, te lajmërimet, se…”/ Historitë e panjohura të librarit të Gjirokastrës
Dossier

“Kur mungonte ndonjë shok, pensionist e i moshuar, bëheshin merak; pse s’ka dalë në Pazar?! Alizoti u thoshte; Shini një herë tek shtillat e elektrikut, te lajmërimet, se…”/ Historitë e panjohura të librarit të Gjirokastrës

February 24, 2026
“Agjencia austriake e lajmeve ‘APA’, shkruante: Fakti se kur monumenti i udhëheqësit shqiptar, Enver Hoxha, do të rrëzohej…”/ Si e pasqyruan mediat e huaja rrëzimin e përmendores së diktatorit?!
Dossier

“Agjencia austriake e lajmeve ‘APA’, shkruante: Fakti se kur monumenti i udhëheqësit shqiptar, Enver Hoxha, do të rrëzohej…”/ Si e pasqyruan mediat e huaja rrëzimin e përmendores së diktatorit?!

February 24, 2026
“Kur Ibrahimi me shokun e tij, Sejdo Tartalen, po hipnin në autobus për në Kampin e Pionerëve në Libohovë, një burrë i tha; jo ti, zbrit, se babai jot…”/ Historia e panjohur e librarit të famshëm të Gjirokastrës
Dossier

“Kur Ibrahimi me shokun e tij, Sejdo Tartalen, po hipnin në autobus për në Kampin e Pionerëve në Libohovë, një burrë i tha; jo ti, zbrit, se babai jot…”/ Historia e panjohur e librarit të famshëm të Gjirokastrës

February 24, 2026
“Pas vendosjes së bustit të shokut Enver Hoxha, forcat destruktive kryen një kundra miting, goditën me gurë dhe armë zjarri forcat e rendit…”/ Zbulohen raportet sekrete të 20 shkurtit ’91, për Tiranën e rrethet
Dossier

“Një grup njerëzish ndihmuan Astrit Hatellarin, që të vendoste litarin tek monumenti i diktatorit Enver Hoxha, por përpjekja e parë dështoi, sepse litari…”!/ Ana e panjohur e 20 shkurtit 1991

February 23, 2026
“Para operacionit, Alizoti i tha Dr. Paparistos; mora vesh se do më hidhni gjak, por të lutem, ma zgjidhni atë, se jemi racë trimash ne…”/ Historia e panjohur e librarit të famshëm të Gjirokastrës
Dossier

“Para operacionit, Alizoti i tha Dr. Paparistos; mora vesh se do më hidhni gjak, por të lutem, ma zgjidhni atë, se jemi racë trimash ne…”/ Historia e panjohur e librarit të famshëm të Gjirokastrës

February 24, 2026
Next Post
“Kur mungonte ndonjë shok, pensionist e i moshuar, bëheshin merak; pse s’ka dalë në Pazar?! Alizoti u thoshte; Shini një herë tek shtillat e elektrikut, te lajmërimet, se…”/ Historitë e panjohura të librarit të Gjirokastrës

“Kur mungonte ndonjë shok, pensionist e i moshuar, bëheshin merak; pse s’ka dalë në Pazar?! Alizoti u thoshte; Shini një herë tek shtillat e elektrikut, te lajmërimet, se...”/ Historitë e panjohura të librarit të Gjirokastrës

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme