• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, October 30, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në shtëpinë e Besim Nexhip Biçakut, në Fushë Mbret, e shoqja e tij, më tha; si ka mundësi që hetuesi i babait tim, emërohet kryeprokuror në Tiranë dhe kandidat i ‘Rilindjes’ për…”?! / Dëshmia e Ali Buzrës

“Në 1952, i ndihmuar nga vëllai i tij, Tafili, merr me vete të shoqen e Ismail Balliut, me dy vajzat, që kërkonin të largoheshin dhe arratiset në Jugosllavi, ku…”/ Historia e panjohur e Hamit Lukës nga Funarësi
“Mugosha dhe Miladini, ndikuan ndjeshëm në vendimet e marra nga ana e Enverit dhe PKSH-së, si dhe në Shtabin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
“Në 1952, i ndihmuar nga vëllai i tij, Tafili, merr me vete të shoqen e Ismail Balliut, me dy vajzat, që kërkonin të largoheshin dhe arratiset në Jugosllavi, ku…”/ Historia e panjohur e Hamit Lukës nga Funarësi
“Në 1952, i ndihmuar nga vëllai i tij, Tafili, merr me vete të shoqen e Ismail Balliut, me dy vajzat, që kërkonin të largoheshin dhe arratiset në Jugosllavi, ku…”/ Historia e panjohur e Hamit Lukës nga Funarësi
“Kur Isak Alla, thirret nga Qarkori i Partisë Komuniste, në shtëpinë e Miftar Hoxhës në Mirakë dhe i kërkohet që me çetën e tij të bashkohet me ta, ai…”/Ana e panjohur e konfliktit të nacionalistëve me partizanët!

Nga Ali Buzra

Pjesa e tridhjetenëntë

                                                –  JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –

                                                 (VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)

Gjithashtu mund të lexoni

“Mbi sekuestrimin e pasuris së tundshme e të pa tundshme të kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit, Shahin e Can Doçi nga Macukulli…”/ Zbulohet dokumenti i konfiskimit të pronave në rrethin e Matit, në 1946-‘47

“Nga takimi me Perandorin, shqiptarët të hipur ndër dhjetë makina ushtarake, vizituan bashkinë, ku u pritën me nderime nga kryetari, Dr. Weiskirchner …”/ Kur fisnikët shqiptarë vizituan Vjenën në vitin 1917

Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.                                

                                                                                                    Bedri Kaza

                                                   Vijon nga numri kaluar

Kështu, fjala e Nebi Doskut, apo e dikujt tjetër se; “po punojmë natë e ditë e nuk po ngopim barkun me bukë”, ishte një realitet që jetohej në sistemin socialist. Frika mbretëronte kudo. Njerëzit flitnin nën zë, por me frikë. Vit pas viti bëheshin arrestime, pothuaj në çdo fshat, natyrisht duke i përzgjedhur viktimat, kryesisht nga elementët e përndjekur të sistemit, të atyre që tradicionalisht kishin trashëguar pasuri e që qenë të shpronësuar. Në sloganet e kohës thuhej se; “Shqipëria është shndërruar në një kantier pune për ndërtimin e socializmit”. Në fakt, ajo ishte shndërruar në kamp pune të detyruar pa pagesë ose, me një pagesë minimale sa për të mbajtur frymën gjallë. Pagesa e ditës së punës në kooperativë ishte 30 lekë të vjetra, kjo në qoftë se e realizoje normën, e cila në frontet e prodhimit ishte shumë e lartë.

Me kaq para mund të merrej vetëm një bukë misri me të cilën fshatarët ushqeheshin në pjesën më të madhe të vitit, duke punuar me opinga llastiku në shi e në dëborë. Gjendja në qytete ishte pak më e mirë, por popullsia qytetare në vitet ’80-të, me sa mbaj mend, përbënte rreth 22% të popullsisë. Mijëra të rinj e të reja nga fshatarësia e qytetet, kalonin 1 e 2 muaj në punë të ashtuquajtur vullnetare, por që në fakt ishte e detyruar. Ata punonin në hekurudha, në tarracimin e bregdetit, në shpyllëzime, në ndërtim të pallateve etj., pa pagesë.

Një lagje, edhe sot në Elbasan quhet “Lagja Vullnetari”. Në Librazhd, në një punë të tillë të detyruar, kaluan qindra të rinj e të reja, për tarracimin luginës së Shkumbinit, në kodrat e Spatharit. Për fatin e keq, shtatë prej tyre; Flutura Allushi, Bule Prrenja, Mereme Brahja, Fatime Gega, Refie Çerri, Ruzhdie Çerri dhe Naim Elezi ranë nga ura këmbësore e pasigurt në lumin Shkumbin, e u mbytën në ujin e ftohtë të dimrit, më 15 janar 1979.

Duke dëshmuar për trajtimin çnjerëzor që i bëhej veçanërisht fshatarit kooperativist në bujqësi, do të përshkruaj një ndodhi që më ka mbetur e freskët në kujtesë, megjithëse personalisht nuk e kam provuar punën atje, për faktin se pata fatin të kryej shkollim, duke fituar profesionin e mësuesit. Ishin ditët e para të janarit të vitit 1984. Ne, mësuesit, bënim pushimet e semestrit të cilat shkonin në 15-16 ditë. Kooperativistët, që nuk kishin ditë pushimi javore, (mos u duket çudi të rinjve sot), për Vitin e Ri kishin dy ditë pushim, në 1 e 2 janar. Gruaja ime ishte kooperativiste.

Mund të ketë qenë data 4 apo 5 janar e vitit të lartpërmendur. Jetonim bashkë me vëllanë. Gruaja me kunatën në darkë, na thanë se të nesërmen do të shkonin të merrnin dushk në pyll. “Ku do ta merrni u thashë”? – “Në ‘Pyll të bukur’”, – u përgjigjën ata. – – “Po të mos shkoni”? – u thashë?! – Buzëqeshën! – “Brigadieri na tha se kush do të mungojë, do t’i hiqet personi që ka në marrëdhënie pune me shtetin, kështu që do të shkojmë”, – sqaruan ata. – “Mirë, – u thashë, – por mos merrni shumë”. Vëllai punonte në ndërmarrje shtetërore, por edhe unë isha në marrëdhënie pune me shtetin. Gjithçka mund të ndodhte.

Më shkuan shumë gjëra nëpër mendje….! Një mësues që sabotonte punën në kooperativë, duke lënë blegtorinë pa ushqim etj., etj…! Para disa vitesh, ish sekretarja e organizatës së Partisë, në një moment kish përmendur faktin, se; gjyshi im Selim Buzra, në kohën e Zogut ka pasur “bujq”, hyzmeqar në shtëpi. Në fakt, kjo ishte e vërtetë. Dy familje nga lagjja “Kopal” e fshatit Librashd-Katund, Shaban Kopali dhe Tafil Kopali, familjarisht rrinin pranë shtëpisë sonë, në një banesë ku gjyshi i pati strehuar. Ata kryenin punët bujqësore në tokat tona, kundrejt një sipërfaqe toke që ai ua kish dhënë në përdorim, për të siguruar jetesën. Mbas vdekjes së gjyshit, djemtë e tij u martuan e u ndanë. Ishte viti 1939, kur vendi u pushtua nga Italia. Familjet e tyre nuk kishin më as nevojë, por dhe as mundësi për të mbajtur punëtorë.

Kështu ata u larguan në lagjen e tyre “Kopal”. Miqësinë e kemi ruajtur edhe pas çlirimit të vendit. Ata na thërritnin në dasma e gosti që organizonin, po kështu edhe ne. Merakun e kisha se kjo gjë, edhe mund të përdorej nga persona dashakeqës, për të na etiketuar si familje shfrytëzuesish. Megjithatë, me përjashtim të rastit në fjalë, nuk më është përmendur më asnjëherë ky fakt, gjatë regjimit komunist. Ndërmjet shumë gjërave që më shkuan në mendje, në atë natë kur nuset e shtëpisë na thanë se do të shkojmë për dushk, më erdhi në mend edhe kjo gjë, të cilën në heshtje e kujtoja, e në ndonjë rast e pata biseduar edhe me babanë. Ai më pati thënë se familjet e lartpërmendura, na e dinin për nder që familja jonë i mbajti për disa kohë.

Në mëngjes, pa gdhirë mirë, gruaja doli bashkë me kunatën me litarët në krahë e me nga një copë bukë misri me gjizë në trastën e leckës për rrugë. “Pylli i bukur”, ndodhet në shpatin verior të Qafë-Shapkës, mbi dy orë më këmbë larg fshatit. Kjo, në ditë të zakonshme, por vendi ishte i mbuluar nga dëbora. Gjatë ditës, shkova nga stalla e bagëtive, e cila ndodhej në afërsi të shtëpisë sime. Aty qe një tufë me dhi, mbasi delet, kooperativa gjatë dimrit i çonte në fushat e Kavajës. Megjithëse, përreth stallës dukeshin mullarët për ushqim të blegtorisë, por e pyeta bariun, në se kishin ushqim për to. “Ka” – më tha ai, duke më treguar atë pjesë të stallës që ishte e mbushur plot me dushk pa degë.

Gratë u kthyen në mbrëmje kur qe errur, të lodhura e të rraskapitura deri në palcë. I pyetëm si shkuan gjatë rrugës. Na treguan se deri në lagjen e “Hysës” së Librazhd-Katundit, rruga ishte e hapur. Më tej, përgjatë një rruge këmbësore, bora nuk qe shkelur. Përpara shkonin dy tre burra të brigadës, herë njëri e herë tjetri, me ndërrim, për të çarë borën. Kur u futën në pyll, nuk kishte rrugë, ecnin me hamendje. Mbi një orë u endën nëpër pyll për të gjetur vendin ku qe vënë dushku. Bora atje ishte mbi një metër. Burrat e prishën mullarin, ndërsa gratë i bënë gati barrët e dushkut që do të ngarkonin. Hëngrën pak bukë, ashtu ngutasi, duke u ulur mbi barrët e dushkut. Ngarkojnë atë në kurriz e nisen.

Kishin kaluar afro pesë orë rrugë vetëm vajtje. Në kthim, ngarkuar, do të duhej më shumë kohë. Kur vijnë te stallat i priste brigadieri, i cili do të peshonte me kandar sasinë e sjellë nga secila. I pyeta se nga sa kishin vënë. Qeshën, – i kishim nga 40 e ca kg. më thanë. – “Mirë e paski bërë”, – u thashë. Një ditë, e takoj rastësisht brigadierin, e i thashë se përse i çuat punëtorët nëpër borë të merrnin dushk në një kohë dhe ditë të tillë? Ai më shpjegoi, se kur nuk kemi front pune në brigadë, kjo zakonisht kur mbulon bora, njoftohet përgjegjësi i sektorit. Ky në bashkëpunim me drejtuesit e kooperativës, përcaktojnë frontin e punës për punëtorët. Pra, ishte dhënë urdhri, për t’i çuar të marrin dushk, pavarësisht se bazë ushqimore për blegtorinë në fshat kishte.

Duke iu rikthyer problemit të agjitacionit e propagandës, për të cilin u dënua Nebi Dosku etj., gjejmë vend të themi se ish-të burgosurit e dënuar me këtë motivacion, në fakt pak kishin thënë, mbasi e vërteta është; se kemi të bëjmë me një trajtim vërtet prej skllavi. Në lidhje me qendrat e zjarrit për të cilën mbajti përgjegjësi ligjore Nebiu, duke iu rritur masa e dënimit deri në 10 vjet, do të përmend edhe një fakt tjetër, që ka të bëjë me sektorin Gizavesh. Nuk më kujtohet saktësisht viti, por vjen urdhri që; të gjitha forcat e punës të sektorit do të shkonin në fshatin Letëm, për të hapur pozicionet e qendrave të zjarrit. Për të qenë sa më i saktë, tani që po shkruaj, e pyeta gruan e vëllait, për punën atje, mbasi gruaja ime nuk ka punuar në këtë rast, sepse ishte me leje lindjeje.

“Ishte dimër, mundet aty nga muaji shkurt, – rrëfen ajo. – Atje kanë punuar burra e gra për afro një muaj. Për çdo ditë shkohej më këmbë, në lagjen ‘Llëngë’ të Letmit, në kodrat mbi lagjen ‘Koprile’ të Kosharishtit. Rruga mban, të ecësh mirë, dy orë e gjysëm”. Kalonin zallin e Qarrishtës dy herë në ditë vajtje-ardhje në ujin që ishte brisk i ftohtë. Dita ishte e shkurtër. Mbi pesë orë ishin rrugë, ndërsa aty punonin po kaq orë. Toka ishte e ngrirë shkëmb. Merrnin një copë bukë me vete, që s’kishin me se, dhe e hanin atje, në të ftohtin e acartë. Kunatës filluan t’i bien pjesë të lëkurës së këmbëve. Një torturë e vërtetë. Hajde, të thoje se nuk shkoj..! Sabotim në sektorin e mbrojtjes së vendit. Kush guxonte! Ai që guxoi, përfundoi pas hekurave të burgut.

Megjithatë, duhet të pranojmë se ata që u dënuan për agjitacion e propagandë, janë heronj e martirë të këtij vendi. Meritojnë nderim e respekt, për kurajon e guximin që treguan duke reaguar ndaj regjimit diktatorial. Dëgjohet të flitet, se edhe sot ka të varfër në Shqipëri, që nuk kanë bukë ushqime e strehë. Kjo është e vërtetë, por me një ndryshim thelbësor. Në komunizëm varfërinë e mbillte sistemi. Por nuk ishte vetëm varfëria. Ajo ishte e shoqëruar me tmerr e frikë, me dënime e burgosje ndaj lirisë së fjalës. I varfri nuk guxonte të thoshte se jam i varfër, mbasi varfërisë mund t’i shtohej edhe ndjekja, persekutimi e dënimi me burg.

Duke punuar për librin, isha në shtëpinë e Besim Nexhip Biçakut, në Fushë Mbret, Elbasan. E shoqja e tij ishte e bija e Nebi Doskut. Në të vërtete, e njoha sapo e pashë, por nuk e dija që është e martuar aty. Gjatë bisedës me Besimin dhe me të, vura re se ajo qe shumë e irrituar. Mes të tjerash më tha: “Ti je mësues! Më shpjego si është e mundur që hetuesi i babait tim,… që përpunoi e rregulloi thëniet e dëshmitarëve dhe përpiloi akt-akuzën aq të rëndë për të, e cila e bëri të vuajë 10 vite burg, bëhet kryeprokuror në kryeqytet dhe më pas hedh kandidaturën me ‘Rilindjen’”?!

“Ky ‘Rilindas’- shprehet ajo, – përdori pohimet e babait në hetuesi, se nuk më dilnin lekët për të mbajtur fëmijët me bukë e, i kërkova leje kooperativës të punoj në punë shteti, duke i komentuar sipas dëshirës se vet, me qëllim që me çdo kusht babai të dënohej. Për 4 vjet, ky hetues ishte deputet për rrethin e Kukësit, në vend që të dënohet për krime, ai gradohet”?! – vijoi bisedën ajo. E ç’ti thosha? Paradokse partiake! Ish – hetuesi i diktaturës, bëhet kryeprokuror dhe ligjvënës. – “Ke të drejtë, – i thashë. – Vërtet demokracia në Shqipëri është në pike të hallit”.

Duke iu rikthyer rrëfimit për familjet kulake në Dorëz, Nebi Dosku, nga dhjetë vjet, bëri tetë, mbasi dy vite i shleu me punë në galeritë e minierave të Spaçit e qelive të Burrelit. Kur Nebiu vuante dënimin, përbuzja e diferencimi ndaj familjes së tij, u shtua më shumë. Në shtëpinë e tyre, nuk mund të hynin bashkëfshatarët e vet. Ata, jo se nuk donin, por se survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit e veglat e tyre. Vëllai i Nebiut, Ganiu, i qëndronte afër nipit të tij Xhemalit. Ky i fundit qe i ri në moshë. Në shtëpitë e tyre vinin kryesisht miqtë e tyre kulakë, e ndonjë komshi aty afër, më shumë fshehurazi. Ka patur edhe ndonjë rast të veçantë, ku janë vlerësuar e respektuar. Dhe ky rast, që mund të konsiderohet i veçantë, ka të bëjë me familjen e Lutfi Doskut, një fqinj i tyre. Ata e thërresin Ganiun dhe Xhemalin në dasmën e martesës së Ramazanit. Tre ditë para se të fillojë dasma, Ganiu me Xhemalin shkojnë për të pirë kafe “për hajërli”.

Që të mos i krijojnë probleme familjes së fqinjit, ata vendosën të shkojnë vetëm për kafe, ndërsa për dasëm, jo. Mbasi uruan dhe i falënderuan për ftesën, Ganiu u tha se në dasëm nuk do të vinin. Djali i madh i Lutfiut, Xhelali, u thotë prerazi: “Ju do të vini se ju kemi thirrur, nuk do ta nisim dasmën pa ju. Ti Xhemal je më i ri, do të bësh hyzmet, duke ju dhënë kafetë miqve”. Këtë e mbështeti edhe Xhevdet Dosku, kushëri i parë i djemve të Lutfiut. – “Na vinte keq për Xhevdetin – tregon Ganiu. – Ai e kishte gruan anëtare partie, së cilës mund t’i krijonin probleme në organizatë”. Në fakt, burrë e grua u treguan të vendosur në qëndrimin e tyre pro të zotit të shtëpisë. Një ditë, para ardhjes së nuses, nisen për të pirë kafe aty tre kuadro të kooperativës, që ishin edhe komunistë.

Kur vunë re Xhemalin në ballkon që bënte shërbim, qëndruan në oborr, e i thonë të zotit të shtëpisë, Xhelalit, se mund ta pinin kafen aty në oborr. “Kafja pihet në konak, në qoftë se doni, bujrum! nëse nuk doni, shkoni nga keni ardhë”! – iu përgjigj ai. Të tre të sapoardhurit, u larguan pa pirë kafe, vetëm se aty shërbente kulaku. Edhe në ditën e dasmës, sapo hyri Ganiu brenda, tre burra të lagjes bashkë me gratë e tyre, u larguan nga dasma. Pjesëtarët e familjeve të Nebi e Gani Doskut, nuk mund të shkonin për vizita në fshat. Ata mbanin marrëdhënie vetëm me miqtë e tyre kulakë. Rastet e diferencimit e të përbuzjes ishin të shumta.

Xhemali tregon një detaj në lidhje me vajzën e tij të vogël, për te cilën shprehet se nuk mund ta harrojë kurrë. Nxënësit shkollës deri në moshën 8-9 vjeç, quheshin fatosa, ndërsa kur kalonin këtë moshë, në klasën e katërt, quheshin pionierë, dhe u vendosej një shall i kuq, trekëndor në qafë. Në vitet e fundit ata emërtoheshin “Pionierët e Enverit”. Meqenëse futej në klasën e katërt, e ëma, ia vendos vajzës së saj, Mirandës, shallin e kuq, që e kish përgatitur për të dhe e nisi për në shkollë me shoqet. Por atje ndodhi e papritura. E ndajnë vajzën më vete dhe i thonë, që të nesërmen, “mos e vërë më shallin e pionierit se jeni kulakë”. Ishte një rast jo i zakontë!

Në përgjithësi, mësuesit në kohën e diktaturës, nuk i përbuznin fëmijët e kulakëve. Ata i trajtonin njëlloj me të tjerët. Për rastin në fjalë, nuk dihen arsyet që çuan në një veprim të tillë. Unë besoj se ka urdhëruar ndonjë person autoritar dhe i zellshëm për të zhvilluar luftën e klasave, edhe me fëmijët. Vajza shkon në shtëpi dhe i tregon së ëmës ngjarjen. Ajo qan, duke i thënë asaj se; përse të mos mbajë dhe ajo shaminë e pionierit, ashtu si shoqet?! “Kur më tregoi gruaja, – shprehet Xhemali – e kam ndjerë veten shumë keq. Edhe sot nuk më hiqet nga mendja”.

Fëmijët e të përndjekurve ishin shumë të ndjeshëm, veçanërisht të rriturit. Këtë gjë e dallonim ne mësuesit, por ndoshta jo gjithmonë ishim të vëmendshëm ndaj tyre, për të mos i lënduar. Për këtë do të përshkruaj një detaj të ndodhur aty rreth vitit 1986, në klasën ku jepja mësim në Dorëz. Kisha mësim me klasën e tetë dhe po trajtoja temën “Operacioni gjerman i Qershorit 1944 në Shqipëri”, në lëndën e Historisë. Zakonisht në përfundim të orës së mësimit, u thoja nxënësve të pyetnin për ndonjë paqartësi mbi temën. Për momentin, nuk m’u kujtua t’u them, por duke dalë në derë u kujtova, dhe kthehem duke u thënë: “A kishit ndonjë pyetje”? Nxënësja, Shpresa Dosku, pyeti: “Shoku mësues! Si quhej komandanti i forcave gjermane në Shqipëri, në kohën e luftës”?

Në fakt, nuk e kisha menduar një pyetje të tillë. Në tekstin shkollor nuk ishte e shënuar. Gjatë studimeve në shkollën e lartë, mund të qe ndeshur si emër, por nuk i kisha kushtuar rëndësi për ta fiksuar në memorie. Më tepër pyetja kishte të bënte me një kuriozitet se sa problematikë, por ishte kënaqësi që nxënësja pyeste. U ktheva pranë tavolinës dhe i drejtohem jo vetëm nxënëses, por gjithë klasës duke u thënë: “Pyetja që bëri Shpresa është shumë e drejtë, për momentin nuk e kujtoj atë emër, por do ta gjej dhe orën tjetër do t’ua them.” Gjatë kohës që po flisja, vura re se ajo u skuq e tëra, si duket po mendonte se bëri gabim që pyeti. Ajo ishte më e rritur me trup se të tjerët. Babai i saj Xhevat Dosku, ishte dënuar për agjitacion propagandë dhe vuante dënimin në burg. Mund të ketë menduar, se; “ç’mu desh që pyeta për gjermanin, ai ishte armik”!….Për ta çliruar nga kjo gjendje i drejtohem përsëri: “Shpresa! Mos të vijë zor, ti bëre shumë mirë që pyete, më bëre nder edhe mua që të shoh literaturën për ta gjetur”.

Menjëherë sa shkova në shtëpi, shfletova literaturën mbi Historisë së Shqipërisë, që i disponoja në bibliotekën personale dhe e gjeta emrin e Komandantit të Divizionit gjerman në Shqipëri. Të nesërmen, nuk kishim histori, por në fillim të orës së gjeografisë, dhashë përgjigjen e pyetjes, duke i thënë edhe një herë se për mësuesin është kënaqësi, kur nxënësi pyet. Përvoja e fshatrave të tjerë me familjet kulake ndiqej edhe këtu. Në mbledhjen e asamblesë së kooperativës, i merrte brigadieri deri në vendin ku do të bëhej mbledhja, tregojnë ata, e pastaj i largonin në prani të publikut. / Memorie.al

                                                      Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Mbi sekuestrimin e pasuris së tundshme e të pa tundshme të kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit, Shahin e Can Doçi nga Macukulli...”/ Zbulohet dokumenti i konfiskimit të pronave në rrethin e Matit, në 1946-‘47

Artikuj të ngjashëm

“Mbi sekuestrimin e pasuris së tundshme e të pa tundshme të kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit, Shahin e Can Doçi nga Macukulli…”/ Zbulohet dokumenti i konfiskimit të pronave në rrethin e Matit, në 1946-‘47
Dossier

“Mbi sekuestrimin e pasuris së tundshme e të pa tundshme të kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit, Shahin e Can Doçi nga Macukulli…”/ Zbulohet dokumenti i konfiskimit të pronave në rrethin e Matit, në 1946-‘47

October 29, 2025
“Nga takimi me Perandorin, shqiptarët të hipur ndër dhjetë makina ushtarake, vizituan bashkinë, ku u pritën me nderime nga kryetari, Dr. Weiskirchner …”/ Kur fisnikët shqiptarë vizituan Vjenën në vitin 1917
Dossier

“Nga takimi me Perandorin, shqiptarët të hipur ndër dhjetë makina ushtarake, vizituan bashkinë, ku u pritën me nderime nga kryetari, Dr. Weiskirchner …”/ Kur fisnikët shqiptarë vizituan Vjenën në vitin 1917

October 29, 2025
“Në Kosovë po thellohen kontraditat me serbët, por kosovarët mbështeten nga kroatët e sllovenët, që thonë: le ta fillojë e para Kosova…”/ Dokumenti i Sigurimit për ngjarjet e ’81-it; Enver Hoxha kishte dijeni, por…!
Dossier

“Në Kosovë po thellohen kontraditat me serbët, por kosovarët mbështeten nga kroatët e sllovenët, që thonë: le ta fillojë e para Kosova…”/ Dokumenti i Sigurimit për ngjarjet e ’81-it; Enver Hoxha kishte dijeni, por…!

October 28, 2025
“Në vendimin e gjykatës thuhej se; në mars 1978, kur udhëheqësi kryesor i Partisë, po vizitonte rrethin e Gjirokastrës, i pandehuri Xhevat Dosku…”/ Historia e trishtë e familjes “reaksionare” nga Librazhdi
Dossier

“Në vendimin e gjykatës thuhej se; në mars 1978, kur udhëheqësi kryesor i Partisë, po vizitonte rrethin e Gjirokastrës, i pandehuri Xhevat Dosku…”/ Historia e trishtë e familjes “reaksionare” nga Librazhdi

October 28, 2025
“Në Kosovë diçka po zien, por në çfarë mënyre do shpërthejë, nuk dihet, kurse Fadil Hoxhës i kanë dërguar letra anonime, ku…”/  Zbulohet dokumenti i Sigurimit, 6 muaj para demonstratave të ‘81-it
Dossier

“Në Kosovë diçka po zien, por në çfarë mënyre do shpërthejë, nuk dihet, kurse Fadil Hoxhës i kanë dërguar letra anonime, ku…”/  Zbulohet dokumenti i Sigurimit, 6 muaj para demonstratave të ‘81-it

October 28, 2025
“Nga që punonte me ‘Skoda’ në zonat kufitare, Xhevitit i hoqën patentën dhe e dërguan gomist te stacioni i trenit në Librazhd, ku më 25 korrik ’79, Sigurimi Shtetit …”/ Historia e trishtë e familjes Dosku
Dossier

“Nga që punonte me ‘Skoda’ në zonat kufitare, Xhevitit i hoqën patentën dhe e dërguan gomist te stacioni i trenit në Librazhd, ku më 25 korrik ’79, Sigurimi Shtetit …”/ Historia e trishtë e familjes Dosku

October 27, 2025

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme