Nga Halim Ramohito
Pjesa e parë
“Në sallën e mbledhjes mua, D. Mamaqit, S. Bekteshit, P. Dumes, H. Çakos dhe Rr. Parllakut, na rrinte afër I. Sina dhe disa të Sigurimit, si…”/ Kujtimet e ish-gjeneralit, për plenumin e K.Q. të PPSh-së, 16 dhjetor ‘74
Memorie.al / Halim Ramohito, një nga ish-gjeneralët e mbetur nga grupi i ushtarakëve që u arrestuan dhe u internuan si “grupi puçist” i vitit 1974, nga ana e Enver Hoxhës. Në krye të këtij grupi ishte Beqir Balluku dhe pas tij, kasta më e nderuar e ushtarakëve të kohës, ndër ta dhe gjeneral Ramohito, që pasi kishte marrë pjesë në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, kishte shërbyer si përfaqësues i Shqipërisë dhe si atashe ushtarak në ‘Traktatin e Varshavës’. Dëshmitar i prishjes me rusët, Ramohito më vonë do të bëhej dëshmitar i shkatërrimit të ushtrisë shqiptare nga diktatori Hoxha, i cili tregoi se gjatë qëndrimit në pushtet, nuk donte rreth e rrotull njerëz të kualifikuar, por vetëm servilë. Ramohito, i qetë dhe me ftohtësinë që i jepte distanca kohore, nxori dhe botoi kujtimet e tij, pa të cilat ndoshta historia e asaj kohe me “grupin puçist”, nuk do të ishte e plotë, madje edhe mund do të shkruhej shtrembër apo deformohej…!
Me një sinqeritet të rrallë, ai rrëfen ndjesitë e tij gjatë mbledhjes famëkeqe të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku u përjashtuan nga partia e, më pas u arrestuan e u internuan për vite me radhë kasta ushtarake e kohës, me në krye Beqir Ballukun. Edhe pse iu desh të zhvishte xhaketën me grada e, të punonte tokën si një bujk në internimin e gjatë, edhe pse iu desh të mos e shihte më nënën e tij as në vdekje, pengu i tij më i madh, mbeten “autokritikat” që iu desh të bënte, për hir të partisë. “Enveri, na vrau edhe me duart tona…!
Sidoqoftë, edhe pranimi nga ana ime i ndonjë akuze pa bazë për të ashtuquajturat faje dhe gabime që unë dhe ndonjë shoku im, mund të kishim bërë, më kanë mbetur dhe do të më mbesin gozhdë në zemër, derisa të vdes. Këtë brengë të madhe dua të mos e tresë as dheu dhe këtë nuk ia fal vetes!”, – shkruan Ramohito, në pjesën e parë të kujtimeve të tij, “Në shërbim të Atdheut tim”, botim i “Grand-Prind”. Më poshtë botohet një pjesë nga kapitulli “Kalvari im dhe i gjithë familjes në vitet 1974 – 1990” dhe pikërisht momenti i nisjes së këtij kalvari, nga salla e Komitetit Qendror të PPSh-së.
Në sallën e mbledhjeve të Komitetit Qendror të PPSh-së
“Në kuptimin figurativ, por jo vetëm në këtë kuptim, ajo nuk ishte një sallë e thjeshtë mbledhjesh, por skena reale e disa prej tragjedive më të rënda në historinë e partisë e të popullit tonë, pas vitit 1944. Sigurisht, aty janë kryqëzuar; Bedri Spahiu dhe Tuk Jakova, aty është akuzuar Liri Belishova, si “agjente e sovjetikëve dhe bashkëpunëtore e afërt e Nikita Hrushovit”, aty ka marrë jetë ideja diabolike për të përfshirë Fadil Paçramin, Todi Lubonjën dhe Agim Meron, në grupin armiqësor në fushën e artit dhe kulturës.
Aty u gjykuan dhe u arrestuan në vend, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Perllaku, aty do të përjashtohesha edhe unë nga radhët e Komitetit Qendror dhe të Partisë së Punës, aty janë gjykuar, dënuar dhe arrestuar në vend edhe Abdyl Këllëzi, Koço Theodhosi e Kiço Ngjela, aty iu bë gjyqi “de facto” Mehmet Shehut, i cili, duke qenë i sigurt për atë që do të ndodhte të nesërmen e mbledhjes, i parapriu fundit të tij me një plumb në tëmth, atje ka ndodhur batërdia me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Ziçishtin…!
Gjithçka projektohej, fillonte e mbaronte atje. Në atë godinë famëkeqe, në atë sallë të kobshme. Dhe, gjithçka e sajonte vetëm një mendje diabolike si ajo e Enver Hoxhës, këtij aktori, tragjediani dhe komediani të papërsëritshëm, që do t’ia kishin zili edhe autorët, regjisorët, skenaristët dhe aktorët tragjikë e komikë, të të gjitha kohërave. Me këto ndjesi dhe mendime të zymta, po ecja atë ditë drejt godinës së Komitetit Qendror.
Natyrisht, atëherë nuk e kisha atë perceptim që kam sot, një fije shprese, një si dritë në fund të tunelit, më mbante se gjërat nuk mund të shkonin keq deri në fund, se kokat e njerëzve me aq shumë kontribute në luftë dhe në ndërtimin e mbrojtjen e vendit, nuk mund të priteshin si koka lakrash. Shpresoja se dikush do të kujtohej më në fund, të ngrihej e të thoshte: “Mjaft, po e teprojmë…! Po marrim në qafë njerëz krejt të pafajshëm. Po hamë njëri – tjetrin, siç bën oktapodi me pjellat e veta…”!
Por, ato që ndodhën atë ditë të zezë, i përmbysën të gjitha shpresat e mia dhe shkaktuan një tërmet të madh në gjithçka që kisha dashur, besuar dhe ëndërruar, në gjithçka për të cilën kisha luftuar dhe punuar në dhjetëra e dhjetëra vjet…! Mbledhja e Plenumit VI e K.Q. të PPSh-së ishte caktuar të zhvillohej më datën 16 dhjetor 1974, ora 10.00, pikërisht në atë sallën “e famshme” të mbledhjeve, që ndodhej në katin e tretë të godinës së aparatit të Komitetit Qendror. U futa brenda në orën 9.45.
Aty pashë, – siç duket ishin lajmëruar që më parë, – që kishin zënë vendet, të 57 anëtarët e Komitetit Qendror dhe 40 kandidatët e tij. Si rrallë herë më parë, në këtë mbledhje ishin pjesëmarrës edhe të gjithë sekretarët e parë të partisë të të gjitha rretheve, si dhe shumë kuadro të aparatit të Komitetit Qendror. Për çudi, siç nuk kishte ndodhur ndonjëherë tjetër, vendi ku unë duhet të ulesha, ishte i rezervuar qysh më parë. Ai ishte diku, në krahun e majtë të sallës.
Bashkë me Dilaver Poçin, na kishin venë në mes të tyre, Ibrahim Sina, kryetar i Komisionit të Kontrollit e Revizionimit të Komitetit Qendror dhe Detar Avdija, shef i Sektorit Ushtarak në aparatin e K.Q. Sadik Bekteshin, bashkë me Dashnor Mamaqin, i kishin vendosur afër derës, në krahun e djathtë të sallës. Kurse Petrit Dumen, Hito Çakon dhe Rrahman Parllakun, i kishin vendosur në krahun e majtë të sallës, diku nga mesi.
Për habinë time, por jo vetëm timen, secilin nga këta të tre, e kishin vënë në mes dhe e ruanin hapët në mbledhje, oficerë të ministrisë të Brendshme, disa edhe të njohur nga ne. Siç dukej, përcaktimi i vendeve ku duhet të uleshim ne në këtë mbledhje, ishte menduar që më parë deri në hollësira, si pjesë e skenarit që do të na kryqëzonte dhe do të na degdiste në një rrugë pa kthim.
Regjisori donte të ishte i sigurt deri në detaje, ndoshta edhe nga paranoja e frika (sa qesharake duket kjo!) e ndonjë veprimi diversioni të çastit nga ne, pjesëmarrësit e të ashtuquajturit “grup puçist”. Nga ana tjetër, veçimi dhe vendosja jonë e paramenduar në sallë, mendoj se ishte bërë edhe për faktin tjetër, që të gjithë anëtarët e plenumit të Komitetit Qendror, të orientoheshin më lehtë gjatë votimeve, se kush nga ne duhej arrestuar që në sallë dhe kush duhej të mbetej momentalisht, vetëm me masa ndëshkimi.
Dhe, në fakt, kështu ndodhi. U ula i heshtur dhe i turbulluar nga ky veprim tragjikomik, duke e parandier tashmë atë që do të ndodhte. Dhe ishte fakt që, kur në mbledhje Enver Hoxha shtronte para anëtarëve të Komitetit Qendror, se kush nga ne, të cilësuarit si “puçistë”, duhej të arrestohej, pjesëmarrësit orientoheshin lehtë dhe ngriheshin njëri pas tjetrit, e flisnin si në kor, se e shihnin që Petrit Dume, Hito Çako dhe Rrahman Parllaku, ruheshin secili me nga dy oficerë të Sigurimit, kurse për ne, të tjerët, masat kësaj radhë, ishin të tjera, pak “më të lehta”.
Më kanë thënë se, në të dyja dyert e hyrjes së sallës së mbledhjeve, ishin instaluar paraprakisht edhe aparate për kontrollin e mjeteve metalike. Të gjithë këtë maskaradë, bashkë edhe me faktin e mësipërm dhe shumë të tjera, si; për shembull, moslejimin e secilit nga ne, për të lexuar diskutimet me shkrim ose, për të dhënë shpjegime për akuzat që na bëheshin etj., e dirigjonte nga presidiumi, i nevrikosur dhe duke bërë vazhdimisht lëvizje, vetë Enver Hoxha.
Që kjo mbledhje e Plenumit VI të Komitetit Qendror do të merrte ato vendime të jashtëzakonshme, këtë e vërteton edhe fakti se, në sallë, kishte fillimisht jo vetëm qetësi absolute, por edhe shqetësim e trishtim, ndërsa më vonë, u kalua nga pjesëmarrësit në të bërtitura me urrejtje ndaj nesh. Pavarësisht se kanë kaluar disa dekada, ato pamje të trishtueshme unë nuk mund t’i harroj kurrë, kur shokët e mi të vjetër të Luftës dhe të punës drejtuese në ushtri, i pashë për të fundit herë të më kalonin fare afër, si të arrestuar.
Por, të gjithë këtë gjyq maskaradë (as më shumë e as më pak), në fjalën e mbylljes në datën 17 dhjetor 1974, Enver Hoxha e vlerësoi, duke thënë me cinizëm: “Historia e njerëzimit, që në kohët më të lashta e deri më sot, historia e çfarëdo revolucioni nuk ka njohur një gjyq tradhtarësh, si ky që po iu bëhet atyre sot në Shqipërinë socialiste. Është një gjyq i hapët, – guxon të thotë Enver Hoxha, – për të gjithë popullin dhe që ka vazhduar për gjashtë muaj dhe, të gjithë puçistët, – vazhdon ai të mashtrojë, – kanë qenë të lirë dhe jo të arrestuar…”!
Dhe, këto fjalë thuheshin kur, në fakt, ne ishim të gjithë me kohë të pezulluar nga detyrat në ministri, kur nuk na lejonin të merrnim pjesë në përgatitjen e paradës, me rastin e festës së 30-të vjetorit të çlirimit, kur shtëpitë tona natë e ditë, vrojtoheshin me rreptësi, kur ne ndiqeshim nga punonjësit e Sigurimit në çdo hap, deri në mbledhjen e plenumit të Komitetit Qendror, kur telefonat tanë përgjoheshin pa ndërprerje, etj. Siç ishte planifikuar, mbledhja e plenumit filloi në orën 10.00, me daljen i pari në presidium të vetë Enver Hoxhës, i pritur me ovacione nga të pranishmit.
Duke qëndruar i vetëm në këmbë, nga presidiumi i mbledhjes, ai komunikoi rendin e ditës: Raporti i Byrosë Politike “Mbi përfundimet që dalin nga diskutimi në parti, ushtri dhe terren rreth veprimtarisë armiqësore të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos etj.”! Dhe, me qenë se raporti është lexuar nga të gjithë, tha ai, le të fillojnë diskutimet. Të parit, fjala iu dha Petrit Dumes, pasi Beqir Ballukut, nuk iu dha mundësia të merrte pjesë në këtë mbledhje të plenumit. Për këtë, Enver Hoxha njoftoi me solemnitet mbledhjen se ai ndodhej i internuar në Roskovec dhe se, aty, atë ditë, ai ishte arrestuar.
Mua ma dhanë fjalën pas Dashnor Mamaqit, por sa e nisa, më ndërpreu vetë Enver Hoxha, i mbështetur edhe nga britmat histerike të të gjithë pjesëmarrësve. Në këto kujtime, jam munduar ta njoh lexuesin me fakte dhe dokumente, duke provuar qartë se, në të vërtetë, në vitin 1974, nuk ka pasur asnjë “puç ushtarak”. Jam përpjekur ta njoh lexuesin me arsyet pse, sipas mendimit tim, Enver Hoxha e sajoi këtë masakër njerëzore, që, siç dihet, iu kushtoi shumë jo vetëm Forcave tona të Armatosura, por edhe të gjithë vendit, për të mos përmendur jetën tonë, të familjeve dhe të afërmve tanë për 16 vjet me radhë.
Me rekomandimin e bashkëfshatarit tim, Sinan Gjonit, ish-sekretar politik i të parit Komitet Qarkor të Partisë Komuniste të qarkut të Vlorës, në janar të vitit 1943, me të mbushur moshën 18 vjeç, unë u pranova në radhët e organizatës së Partisë Komuniste të Vlorës. Ashtu si shumë të rinj, shokë të mi të fshatit Tragjas, të Shkollës së Mesme Tregtare dhe të qytetit të Vlorës, e të tjerë edhe unë, me plot entuziazëm dhe ëndrra rinore, pa asnjë interes karriere dhe përfitimi material, fillova rrugën e gjatë dhe të vështirë të luftës, për çlirimin e vendit dhe të punës në ushtri për mbrojtjen e atdheut.
Por, në orën 12.00 të datës 16 dhjetor 1974, pas 31 vjetësh, në moshën 49 vjeçare, në mbledhjen e Plenumit të VI-të të Komitetit Qendror të Partisë të Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili, për 44 vjet në parti dhe në vend, vetë shkruante dhe vetë vuloste, i ngritur në këmbë dhe duke m’u shfryrë me zemërim dhe urrejtje, për motive të sajuara kryesisht nga ai dhe lakenjtë e tij, i komunikoi mbledhjes: “U vendos me anonimitet, përjashtimi i Halim Ramohitos nga Komiteti Qendror dhe nga partia!…”!
Megjithëse më parë J. P., anëtar i Komitetit Qendror, kishte propozuar përjashtimin tim, vetëm nga Komiteti Qendror, këtë propozim Enver Hoxha “e harroi” dhe hezitoi ta hidhte në votim dhe arsyeja ishte e qartë: Ai, qysh më parë, e kishte paravendosur, që tre nga gjeneralët të arrestoheshin që në sallë, ndërsa ne, të tjerët, të përjashtoheshim për momentin, jo vetëm nga Plenumi i Komiteti Qendror, por edhe nga partia.
Në ato momente, nga vendi ku isha, dëgjoja me trishtim edhe breshërinë e pyetjeve provokuese dhe kërkesat këmbëngulëse që më bënin nga salla, për të pranuar se edhe unë isha anëtar i rëndësishëm i shtabit të “grupit puçist”, se vetëm për këtë, duhet të flisja dhe të pranoja, se ai ishte një “puç ushtarak” dhe se unë isha një nga pjesëmarrësit në të. Në këtë situatë të rëndë shpirtërore, mezi i dëgjova fjalët që Enveri i komunikoi sallës për ndëshkimin tim, duke mos më lejuar as të lexoja diskutimin e shkruar, me pretekstin se; “ato gjëra që unë do të thosha, i dinë shokët…”!
Pastaj, si të gjithë të tjerëve edhe mua Enveri më kërkoi që, pasi të dorëzoja teserën e partisë, të dilja jashtë nga salla e mbledhjes. I tronditur dhe i dëshpëruar siç isha në ato momente, pashë Enverin që qëndronte në këmbë, duke marrë pozën e një aktori tragjik, kurse të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në sallë, më shfaqeshin si në mjegull, me ato fytyrat e tyre të deformuara, ku kishte vetëm histeri dhe urrejtje të shfrenuar.
Këtë procedurë të zhvillimit të mbledhjes, duke na larguar nga salla pa mbaruar plotësisht seancat, Enveri e paraqiti si një novacion të ri të tij, në dallim nga ato të gjitha mbledhjeve të mëparshme të plenumeve të Komitetit Qendror. Si të tjerët edhe mua, më priste në derën e daljes të sallës së mbledhjeve S. B., anëtar i Komitetit Qendror, i ngarkuar për t’i dorëzuar teserën e partisë. Për fat të keq, unë nuk kisha se çfarë t’i dorëzoja atij, se nuk e kisha dokumentin me vete, pasi nuk e mendoja kurrë, që mund të arrinte puna deri atje në atë mbledhje.
Gjeneral Ethem Gjinushi, disa ditë më parë, më kishte thënë: “Në aparatin e Komitetin Qendror, është krijuar një grup për të mbledhur të dhëna për masa, deri edhe në propozime për arrestime, sidomos për ne, drejtuesit kryesorë të ushtrisë”! Megjithëse Ethemi më siguroi, se këtë fakt e kishte të sigurt, pasi ja pat thënë në mirëbesim bashkëfshatari i tij N. C., punonjës në aparatin e Komitetit Qendror, unë nuk e besova.
Nuk më shkonte kurrë në mendje, që në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror, do të merreshin vendime të tilla për arrestime, pasi e konsideroja atë si një marrëzi, që nuk mund të ndodhte drejtpërdrejt në një forum. Nuk më shkonte në mendje edhe për faktin se, një gjë e tillë, nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe se vendimet për të bërë arrestime, mendoja, i takonin t’i merrte Byroja Politike, me anë të Ministrisë të Brendshme.
I dërmuar moralisht dhe fizikisht, pasi kisha disa net pa gjumë, zbrita shkallët e tre kateve të ndërtesës së aparatit të Komitetit Qendror. Pashë me indiferencë të lëviznin me shpejtësi nëpër to, fytyra ushtarakësh të armatosur, të njohur dhe të panjohur. Tek ish-lulishtja, para godinës së Komitetit Qendror (tani hotel “Rogner”), pashë në gatishmëri, shumë policë të armatosur. Të gjithë ata dhjetëra njerëz të armatosur, dukej qartë se ishin vendosur qysh më parë, si duket për të na ruajtur neve, gjashtë ish-anëtarë të Komitetit Qendror, të cilësuar si armiq.
Duke ecur nëpër Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për në godinën e Ministrisë së Mbrojtjes, më dukej se qytetarët e shumtë që lëviznin pranë meje, më shihnin të gjithë vetëm mua. Në hyrje të godinës së ministrisë, të parin që takova, ishte shoku im i vjetër i luftës, ish-gjenerali Vehbi Hoxha. Ai e dinte se Komiteti Qendror, ishte atë ditë në mbledhje pikërisht për punën tonë dhe, i shqetësuar, menjëherë më pyeti: “Si dolët nga mbledhja”?! I shpjegova çfarë ndodhi, që “fshesa e hekurt”, na fshiu të gjithëve!
Aty për aty, Vehbiu m’u përgjigj shumë i shqetësuar: “Çfarë janë këto marrëzira që bëhen…?! Mirë atëherë, tani, me likuidimin e gjeneralëve, udhëheqësve tanë nuk iu mbetet gjë tjetër, veçse të formojnë një kooperativë me kapterë, për të komanduar ushtrinë…”! U futa në godinën e ministrisë, në zyrën time në Drejtorinë Politike, mora nga kasaforta teserën e partisë dhe ia dorëzova D. SH., sekretar i organizatës – bazë të partisë të Drejtorisë Politike të Ushtrisë.
Funksionet e ish-Drejtorisë Politike të Ushtrisë, të krijuar qysh në vitin 1947, Enver Hoxha ia ngarkoi më pas aparatit të Komitetit Qendror dhe, Drejtoria e Kulturës dhe e Propagandës që e pasoi atë, mbeti në Ministrinë e Mbrojtjes, vetëm me funksione kulturore në ushtri dhe pa asnjë të drejtë, për të dhënë si më parë udhëzime dhe direktiva edhe në emër të Komitetit Qendror. Edhe për shkrirjen e Drejtorisë Politike, ashtu si për çdo problem tjetër, sidomos në atë situatë, vendoste vetëm Enver Hoxha.
Dhe ai, këtë vendim në ato ditë, e argumentoi me gjoja faktin se ajo; “vetëm emrin ka pasur si Drejtori e Komitetit Qendror, se, në fakt, drejtohej nga armiqtë revizionistë”. Kur mora vesh për likuidimin e Drejtorisë Politike, m’u kujtua një ngjarje e shumë vjetëve të shkuara (më 1947) në ushtri, kur një komisar batalioni në regjimentin e këmbësorisë në Pogradec, prishi deri edhe nevojtoret e ushtarëve, për arsye se në to shkruheshin parulla armiqësore. Dhe ai i gjori, për t’u lehtësuar nga puna e fshirjes përditë të tyre, i prishi fare muret e nevojtoreve…! U ktheva në shtëpi.
Aty, gruaja, motrat dhe fëmijët, me prisnin me shqetësim dhe ankth, pasi kishin dëgjuar se një gjë e rëndë, kishte ndodhur edhe me mua. Ata e kishin kuptuar edhe më parë seriozitetin e problemit edhe për faktin se, më shihnin mua për shumë ditë dhe net pa gjumë, duke shkruar dhe prishur diskutimet që do të bëja në dhjetëra mbledhje që u zhvilluan në atë periudhë në parti dhe ushtri, për të ashtuquajturin “puç ushtarak”. Përgatitja e këtyre diskutimeve me “autokritika”, për faje dhe gabime që nuk i kishim bërë kurrë, të krijonin padashur një gjendje të rëndë shpirtërore dhe një ndjenjë të çuditshme vetëfajësimi.
Kështu edhe mua më duhej se disa nga ato akuza t’i pranoja, vetëm se, siç mendoja në atë kohë, ato thuheshin në emër të interesit të partisë dhe ushtrisë nga Enveri. Pra, duke pranuar faktin se edhe unë, në atë periudhë, gjykoja në mënyrë naive, sipas bindjes se, interesat e mëdha duhen vendosur mbi ato të vogla vetjake, i kisha përgatitur këto diskutime, me një ndjenjë të thellë pendimi dhe autokritike, pavarësisht se Enveri vlerësimet dhe vendimet, i merrte vetëm sipas bindjeve të tij e i ndryshonte pastaj kur t’i tekej dhe vetëm kur ato cenonin sadopak, pushtetin e tij.
Në atë situatë, pas mbledhjes të plenumit, megjithatë më mbante akoma shpresa se, me gjithë përjashtimin tim nga Komiteti Qendror dhe nga partia, mund të mbetesha akoma në ushtri. Kjo, për faktin se edhe vetë plenumi, bëri përjashtim nga masat për mua, në krahasim me Sadik Bekteshin, për të cilin u vendos që aty edhe lirimi nga ushtria. Kurse për mua, nuk u vendos paraprakisht një masë e tillë. Por ku harronte Enver Hoxha…?!
Në dramën akoma të papërfunduar që po kalonim ato ditë, si dinak i paskrupullt që ishte, Enver Hoxha, nuk na i faktoi kurrë sidomos ato çështje, që ai vetë i vlerësonte vazhdimisht si faje dhe gabime tonat. Ai përdori për këtë qëllim, edhe çdo lloj autokritike formale tonën, të bërë nga motivet që i shpjegova më sipër, vetëm për të thënë se, ja; ju vetë i zbuluat fajet tuaja dhe këtë e bënte vetëm me qëllimin, për të na dënuar akoma më shumë. Ato ditë, e kisha ende “plagën” të nxehtë dhe nuk mund ta konceptoja plotësisht të keqen që më kishte ndodhur.
Besoja dhe shpresoja ende tek udhëheqësi ynë “i lavdishëm” dhe nuk më shkonte kurrë ndërmend se edhe ato autokritika të sinqerta që kishim bërë për gabime e faje të paqena, edhe kritikat ndaj shokëve e kolegëve tanë drejtues, ai do t’i përdorte më vonë me shumë mjeshtëri dhe djallëzi kundër nesh. Siç e kam thënë edhe gjashtë vjet më parë, në një nga intervistat e mia, Enveri “na vrau edhe me duart tona…”!
Sidoqoftë, edhe pranimi nga ana ime i ndonjë akuze pa bazë për të ashtuquajturat “faje dhe gabime që unë dhe ndonjë shoku im kishim bërë”, më kanë mbetur dhe do të më mbesin gozhdë në zemër, derisa të vdes. Këtë brengë të madhe dua të mos e tresë as dheu dhe këtë nuk ia fal vetes! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm