Nga Fadil Paçrami
Pjesa e trembëdhjetë
Memorie.al / Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.
Edhe nga tjetra
Lexova me vëmendje materialet e plenumit të kohëve të fundit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, që u mblodh më 24-25 prill të këtij viti. Që të them se mbeta sa i çuditur, aq edhe jo i qartë, për sa e si u fol rreth kritikës letrare e artistike, është pak.
Pra edhe u shtyra të shkruaj e t’u dërgoi këtë letër. (Nuk a dërgova atyre që u takon drejtpërsëdrejti – drejtuesve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, sepse nuk dua asnjë keqkuptim me pasoja për ta. Por, po e quajtët me dobi, ua bëni të njohur ju).
E di, mund të më thuhet: “Askush nuk do të dijë se ç’mendon ti për çështjet e letërsisë dhe të arteve, pra edhe të kritikës”. Mund të më thuhet edhe: “Rri mor i mjerë, në hallin që të ka gjetur”! Ja që s’rri dot, nuk di dhe s’mund të mbetem sehirxhi, as të hesht, kur diçka më duket se nuk ecën, pengohet, vjen ndonjë e keqe.
(Po e përsërit: gëzoi për çdo gjë të mirë që bëhet dhe më dhemb, për çdo gjë jo të mirë. Së dyti, jam shtetas i këtij vendi edhe unë, pra kam të drejtë të shpreh mendimet si cilido tjetër). Mendoj se çështja në vetvete si temë, për nga rëndësia dhe shtrirja, edhe si duhet trajtuar, është më e thellë dhe merr një kuptim më të gjerë.
Kurse raporti që u mbajt nuk i shërbeu këtij qëllimi, pasi: nga një anë, mbeti në gjëra të thëna e të stërthëna dhe çarje që përsëriten me rast e pa rast; nga ana tjetër, vinte theksin në pamjet etike e të organizimit, pra jo në thelbësoret, rreth shkaqeve, duke mos i orientuar drejt edhe diskutimet.
Kështu, pasi pranohet “përmbajtja në fushën e kritikës” dhe se zhvillimet e sotme “kërkojnë një kritikë letrare e artistike… më të argumentuar e më të çliruar nga klishetë dhe steriotipet e vjetra”, raporti që në fillim ngushton gjithçka.. i kërkon dhe i gjen dobësitë “në mungesën e debatit”, të cilit i kthehet disa herë; në “intolerancën”, me të cilën merret gjatë; në marrëdhëniet “kritikë- redaksira”, të cilave u hidhen më shumë mëkate: në “emancipimin e pamjaftueshëm”, për të cilin bëhet thirrje; si dhe në nevojën e “disa zgjidhjeve administrative” duke radhitur jo pak, “duhet”, “lipset”, “kërkohet” e të tjera të këtij lloji, si të thuash organizative. “Skematizmi” që sa zihet në gojë, kalohet lehtë e shkarazi.
Çudi! ose aspak çudi:
– Kështu u iket problemeve të mprehta!
– Apo ky është niveli i sotëm teorik e shkencor?
– Apo kjo duhej që të mbulohej e të fshihej e vërteta? Në raportin që u mbajt dhe në diskutimet që u bënë (nga sa janë botuar në “Drita”), nuk u tha e vërteta e madhe: se kritika letrare nuk ka ndihmuar, por me kërkesat skematike dhe cektësinë e saj, ka frenuar jo pak dhe ka çorientuar dendur krijimtarinë (duke e marrë atë në tërësi, jo për autorët e veprat që nuk u kanë vënë vesh)…!
Këto duhet të zbulonte me zë të lartë e me mençuri, plenumi për kritikën. Por kjo nuk u bë në raport, nuk u angazhua dhe iu shmang kryesia, nuk u përqendruan as diskutimet. Pyetja që vërtitet këtu është kjo: ç’pengon? Nuk më takon mua të përgjigjem, jo se nuk kam mendime se çfarë dhe si. Diçka thashë, do të them edhe më poshtë, këtu po e sintetizoj me një fjalë: tabutë, skemat.
-Në këto kushte, me atë raport e gjithë sa u fol, nuk pati dhe nuk mund të kishte – as diskutime me nivel, as debat ku të rriheshin mendimet, jo për vogëlima, po për çështje themelore.
Në të vërtetë kjo u duk që në diskutimin e organizuar në shtypin letrar dhe duhet t’i paraprinte plenumit.
Vetë kritikët u futën, si të thuash, në llogore, nuk u ndjenë sa të kalonte vala, ndërsa krijuesit e quajtën të tepërt të flitnin për c’ka e dinin se nuk ia vlen, disa menduan edhe: pse “të prishemi me perënditë”, meqë ata kritikët, botuesit e studiuesit që tjetër kush i vë në lëvizje kthehen e hakmerren pastaj.
E, pra, mendime kanë njerëzit. Mund të thuhet se edhe thirrje u janë bërë e u bëhen që të flasin, t’i shprehin mendimet pa frikë, atëhere pse ngurohet? Pyetja qëndron e varur. Diçka pengon! Janë ato për të cilat u fol më lart, edhe pasiguria, s’është nevoja t’i përsërit.
Dua t’u shtoj edhe një pengesë tjetër: ata njerëz të paaftë, përgjithësisht të dështuar për vete, që kanë zënë vende në redaksira e institucione, s’dinë të bëjnë tjetër, veç të tregohen rojtarë të zellshëm, duke e vënë veten në rolin e censorit, gjuajnë me lente e piskatore në duar, çdo fjalë, mendim, formë e mjete shprehëse, që dalin jashtë skemave e klisheve të ngrira, si dhe ngrihen më lart shijeve e mediokritetit, ku ata s’arrijnë dot.
Burrel, 8.6.1989
SHTESE PËR TEATRIN
Ç’është ai për mua – një prirje, mjet shprehjeje, pasion? Të gjitha bashkë. U lidha me të që herët. Erdhi duke u rritur dhe me shoqëroi në të mira, e në të këqija, do të më përcjellë deri në fund të jetës. Kur filloi dhe si mori ato përmasa, kjo është një histori më vete. Me dy fjalë: kur isha i ri, ndiqja me interes shfaqjet që jepnin në ato kohë në Shkodër, trupat amatore të shoqërive “Bogdani”‘, “Besa”, etj. Vazhdoi kjo edhe më vonë, kur isha jashtë për studime, e më pas. Më 1957, shkruajta dramën e parë.
Në vitet ’60-të, u vunë në skenë disa pjesa të mia. Nuk iu ndava, ose më saktë, nuk m’u nda edhe në burg, ku m’u bë ilaçi për t’i bërë ballë gjithçkaje që më ndodhi dhe të mbetem ai që isha. Pra i detyrohem shumë. Në një letër nga burgu, me që ç’nuk qe bërë që të më mbyllej goja, jam shprehur: – Kur shkruaj, nuk jam më i burgosuri me brengat e tij, por ruaj gjithë tiparet e “njeriut të gjallë”. Kjo është edhe një nga arsyet, përse shkruaj: dua të mbetem i tillë. Më ndihmon, prandaj.
Nuk jua fsheh: më është bërë një si sëmundje, një qenie e dytë. Nuk paska pasion më të marrë se ky – teatri: “Më të marrë”, në kuptimin më të papërmbajtur, që nuk të ndahet, s’të lë të qetë. Të bën të meditosh, të kërkosh, të krijosh, të pasuron në mendime e ndjenja, të jep edhe kënaqësi. Në këto, të marrura veçmas secila dhe të gjitha së bashku, qëndron edhe vlera e roli tij sa për autorin, aktorët e të tjera në teatër, aq edhe për shikuesit, lexuesit, etj.
Është folur e shkruar shumë për teatrin si një nga gjinitë e artit më emocionant, tërheqës e komunikues, arenë e ndeshjes së normave morale të vjetra me ato të reja, reales me irealen, të vërtetës e të madhërishmes me imoralen e hipokrizinë, si bartëse dhe përhapëse e fuqishme e ideve dhe ndjenjave, shkollë e të qarit dhe të qeshurit, ku, siç shprehet Shileri:
“…Gjithçka shfaqet sheshit, drejtpërdrejt dhe në mënyrë të gjallë, ku vesi dhe virtyti, kënaqësia dhe vuajtja, idiotësitë dhe mençuria, kalojnë përpara njeriut me mijëra tablora të kapshme e të vërteta, ku profecia zgjidh para tij enigmat dhe shkoklavit nyjet e fateve, ku zemra njerëzore rrëfehet nën torturën e pasioneve dhe lëvizjeve të thjeshta, ku bien të gjitha maskat, ku zhduken të skuqurat e fytyrës dhe ku e vërteta e pa korruptueshme, si Radomanti (gjykatësi i Zeusit) bën gjyqin.
Dhe vazhdon:
…Teatri ndëshkon mijëra vese të mbetura pa u denoncuar, për të cilat hesht drejtësia, mijëra virtyte i bën të famshme…! Në pasqyrën e pamëshirshme të teatrit, sa më tërheqës të jetë virtyti, aq më të përçmuara paraqiten veset…! Vetëm teatrit i është dhënë e drejta, të vërë në lojë dobësitë tona, sepse ai mishëron ndjenjat tona dhe nuk pyet, se cili është ky e ai fajtor…!
Skena na zbulon sekretin, sesi t’i gjurmojmë ata dhe t’i bëjmë të padëmshëm. Ajo i hoqi hipokritit maskën artificiale dhe na tregoi rrjetën, me të cilën na mbështollën dinakëria dhe intriga. Ajo nxori nga labirinti dredharak mashtrimin dhe gënjeshtrën dhe i tregoi botës, fytyrën e tyre të tmerrshme”!
Si dhe: “Teatri shpalos para nesh skena të shumëllojta të vuajtjeve njerëzore. Ai na njeh me fatkeqësitë e të tjerëve, vuajtjen e çastit na e shpërblen me lot gëzimi dhe me fitimin e përvojës, edhe të guximit…! Teatri është një institucion ku kënaqësia gërshetohet me predikimin, qetësia me eksitimin, zbavitjet me kulturën, ku asnjë fuqi e shpirtit nuk është e tendosur në dëm të tjetrës…! Këtu së bashku me pikëllimin e huaj, fatkeqi vajton edhe brengën e tij, i lumturi fillon t’i shohë gjërat me një sy më realist, i shkujdesuri bie në mendime, delikati sensibël kalit guximin dhe arroganti e përbindëshi, fillon të ndjejë për herë të parë, për ato që bën…”!
Ç’mund të thuhet tjetër? Ja ç’bart ky pasion dhe dobitë e tij. I tillë është ai – teatri. Për këto e dua dhe u lidha përherë e më shumë me të, nuk hoqa dorë edhe pas sa më ndodhën. Kjo s’u pat pëlqyer të tjerëve, por…! Sigurisht në kohën e diktaturës, nuk kish si të kishte vend – e as mund të pritje nga ajo, për vështrime e vlerësime të tilla.
Për partinë – shtet edhe teatri, si e gjithë krijimtaria letrare e artistike dhe institucionet kulturore, duhet të viheshin në shërbim të saj. Dhe siç dihet, ka patur ballafaqime, ndeshje, përplasje dhe luftë në mes krijimtarisë së mirëfilltë për zhvillimet e saj realiste e cilësore, me ndërhyrjet, kufizimet e diktatin që ushtrohej për t’i mbajtur brenda kornizave të politikës zyrtare.
Rezultati: patëm edhe një krijimtari të vërtetë e me nivel gjë që s’mund të mohohet, pra janë pa vend, keqdashëse e joreale, zërat që duan të fshijnë çdo gjë; patëm edhe një tjetër himnizuese, servilë e pa vlera artistike. Për këtë të fundit, kanë ndikuar duke hyrë në një lojë të pështirë dhe me pasoja, që nga drejtuesit puthadorë të organizmave që merreshin me kulturën dhe krijuesit mediokër, deri tek udhëheqësit më të lartë të vendit, te të cilët bien në sy, veç injorancës e shijeve primitive edhe nervozizma, të luftës për preferenca e tarafe!
Rastet me bujë që flasin për këto, janë të shumta. Më poshtë po ndalem pak, për të plotësuar këtë kuadër, të një prej tyre për të cilën u bë publike një ndërhyrje e zhurmshme, tipike për sa u fol. Është rasti i gjithë sa ndodhi në takimin kombëtar të teatrove më ’69-të, lidhur me pjesën “Njollat e murrme”. Për çudinë e të pranishmëve, ç’ka ra në sy atë mbrëmje kur u shfaq ajo, në lozhën qeveritare u duk Mehmet Shehu.
Thashë për “çudinë”, si ai nuk njihej si ndonjë dashamirës i teatrit dhe i krijimtarisë letrare e artistike në tërësi, madje se ç’kishte njëfarë mosbesimi e fobie, ndaj shkrimtarëve e artistëve, intelektualëve në përgjithësi, për ç’ka edhe flitej. Kishte ardhur edhe Ramiz Alia, me sa duket i tërhequr prej tij. Ç’e shtyti? Unë që diç dija se si, kur autori e paraqiti këtë dramë, për t’u vënë në skenë në teatrin e Korçës, për presion kishte thënë plot mburrje, se idenë e paskësh marrë dhe qe mbështetur në disa mendime të shprehura kohët e fundit, nga Mehmet Shehu, në fjalime e shkrime të tij, thashë me vete se s’ka ardhur kot.
Ishin vitet kur ky kishte ndërmarrë një fushatë të zhurmshme, ndaj ndikimeve nga jashtë, modave dhe rrezikut të degjenerimit të rinisë. Duke vënë re duartrokitjet e të qeshurat e tij, gjatë shfaqjes, suita e servilëve e shoqëronte dhe ndërkohë pëshpëriste, se; “i pëlqeu shokut Mehmet”. Kur gjatë pushimit, vajta te ajo si dhomë më vete, ku ishin ai dhe të tjerët që po flitnin për shfaqjen, pas pak Ramizi, m’u drejtua: “Të vura re, sikur nuk duartrokite aq, apo kështu m’u duk”.
Trupa e luan mirë, iu përgjigja, mbase kjo edhe ngatërron disi shikuesit, por pres fundin, pastaj mund të them diçka më konkrete. Nuk e zgjata më tej, Mehmeti nuk ndërhyri, nuk i erdhi mirë, por e kaloi. Juria e caktuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, i mori mesazhet që i vajtën nga llozha dhe vendosi: Çmimi i parë i jepet Teatrit të Korçës, me dramën “Njollat e murrme”, për vlerat ideore e artistike. S’mund të qe ndryshe.
Kjo e kënaqi shumë Mehmet Shehun, pati miratimin edhe të R. Alisë. “Të nesërmen, megjithëse nuk qe parashikuar në program, u dha një vërejtje e madhe për pjesëmarrësit dhe siç u fol, ideja për këtë qe dhënë nga kryeministri. Përsëri për çudi, por tashmë jo të gjithëve, në atë pritje që u dha në njërën nga sallat më të mëdha të kryeqytetit – Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, erdhi prapë Mehmet Shehu. Ishin edhe Ramiz Alia, Haki Toska e të tjerë. Madje ai, i përshëndeti me një fjalim plot lëvdata dhe orientime, se si duhet të zhvillohen te ne letërsia e artet, e që u shoqërua me tam-tame nga suita.
Për mua pjesa përshkohej tej e mbanë, nga ideja e mos besimit, denigrimit dhe e frikës, ndaj të rinjve – tema e tij e preferuar dhe e përsëritur aq dendur, e me shqetësim nga ai, sidomos kohët e fundit, ku vihej në dukje e theksohej: “Në qoftë se brezi i dytë, fill pas atij të luftës (doktori qe bir luftëtari e punëtori), u bë i keq e degjeneroi; i treti (djali i doktorit), përfundoi si huligan; i katërti, i pesti e me radhë, kush e di ç’monstra do të jenë (sipas kësaj logjike): vrasës e kriminelë, pra u duhet qëndruar mbi kokë, duke u rënë fort, sa nuk është vonë”.
Që brezat, nga i dyti, i treti edhe më shumë, po binin në konflikt me atë në fuqi për shumë gjëra dhe despotizmin e tij, kjo ishte e qartë, por jo në sensin që ulërinte Mehmet Shehu dhe i bënte jehonë pjesa në fjalë. Këtë mendim për dramën, pasi ai po fliste me superlativa, ia shfaqa Haki Toskës, që kisha në krah atë çast.
Ky i foli diçka për këtë Ramiz Alisë, në krah të tij dhe Ramizi, më pas ia kaloi Mehmetit. Prita të bubullinte, siç e kish zakon në të tilla raste, po ta kundërshtonte kush, por jo, s’e quajti oportune dhe u kufizua, me një të hedhur: “Fadili është i pakënaqur, pra edhe subjektiv, sepse nuk fitoi pjesa e tij”. Kjo është njëra nga pamjet.
Pas dy netëve, vajti ta shikonte pjesën Enver Hoxha, dhe këtu fillon pamje tjetër. Siç dihet, ai e hodhi poshtë krejtësisht dhe me nervozizëm, dha urdhër që të mos luhej më, në asnjë nga skenat e teatrove, duke e quajtur të gabuar, etj., etj., në kundërshtim të hapur me Mehmet Shehun. Ç’qe kjo? Si ndodhi dhe pse? Komentet qenë të ndryshme. Por si duhet kuptuar në të vërtetë? Si ndodhi dhe pse?!
Komentet qene të ndryshme. Të dy, as ishin dashamirës të teatrit, as merrnin vesh nga drama, si për çështjet të tjera të letërsisë e të arteve, sado që paraqiteshin si njohës të thellë të tyre. Por këtu u ngatërruan keq të dy -pikënisjet dhe qëllimet qenë të tjera, jashtë letrare. Nuk di e nuk mund të them gjë, nëse i kishin shkuar në vesh, nga sa kishim shprehur disa nga ne të tjerët, rreth atyre për të cilat u fol më lart.
Nuk them edhe se ai zbuloi gjë, për sa barte ajo pjesë, pasi kjo nuk del qartë, as në fjalën që mbajti ato ditë në Byronë Politike e, që u botua më vonë. Hileja qe gjetkë; këto sfera – atë të krijimtarisë, shkencës e me intelektualët, Enver i quante të tijat dhe nuk lejonte ndërhyrje, aq më pak nga Mehmeti. Dhe s’ishte e para here, që kur për një gjë njeri, thoshte mirë, tjetri do të thoshte keq, ose e kundërta. Edhe kjo: Enveri qe më i përmbajtur e i mbuluar, s’desh ta prishte me të rinjtë, kurse Mehmeti, i papërmbajtur e arrogant.
Gjithsesi ky rast është tipik (për këtë edhe u mora me të) që flet për ndërhyrjet e sferave të larta të partisë – shtet në punët e krijimtarisë dhe deri ku arrinte ajo, kurse format, përmasat e rrugët që mori, flasin se letërsia e artet, kishin filluar të zienin dhe ta nervozonin stafin udhëheqës të asaj kohe, t’u nxirin telashe, si dhe për atë rol paraprijës të teatrit, peshën e ndikimin që ushtron ai, si u shtjellua më lart.
Që prej asaj kohe, ndodhi që teatri u vu nën një tutelë e kontroll me të madh, në shënjestër e nën goditje. Në këtë kuadër e këndvështrim, i kam parë gjithë sa ndodhën më vonë, përse u bëra objekt e subjekt i goditjeve që nga ajo kohë, më hapur në fillimet e viteve ’70-të, që çuan në Plenumin e IV-të të Komitetit Qendror të PPSh-së. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016