Nga Prof. Myslym Islami
Pjesa e tretë
Memorie.al / E ndiej për detyrë qytetari t’i jap lexuesit një parashtrim apo shpjegim mbi arsyet të cilat më kanë shtyrë t’i shtoj këtë pasthënie monografisë, kushtuar jetës dhe veprës së Ali Kelmendit. Siç ju kam informuar që në hyrje, këtë monografi e kam hartuar gjatë viteve ’80-të të shekullin XX-të. Në mars të vitit 1987, librin e përfundova dhe ia dorëzova redaksisë së Ndërmarrjes së Botimeve “8 Nëntori”. Mbas disa muajve, mësova se recensionet ishin formuluar me vlerësim nga tre specialistë me emër, e megjithatë, nuk e kuptoja psenë e mosdhënies së materialit për redaktim dhe përse procesi i përgatitjes për botim, nuk kishte filluar ende. Unë kisha dorëzuar, së bashku me tekstin e monografisë, fotot, dokumentet, si edhe kopertinën. Në ato ditë, dikush shumë miqësisht, më pëshpëriti duke më thënë se materiali ishte tërhequr në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Por ndoshta, ky dashamirës nuk e dinte apo nuk pati kurajo, unë s’e di, të më tregojë se në cilin sektor kishte mbetur, apo cili titullar e kishte në dorë. Zotnia, edhe sot, në vitet e demokracisë, kërkon të mbetet anonim…!
Nako Spiru, i tregoi vendin Enverit
Në proces-verbalin e Plenumit II të Beratit, në diskutimin e tij, Nako Spiru i analizon problemet hapur, pa asnjë mëdyshje. “Nuk është puna se nuk dinim të zgjidhnim Komitetin Qendror të Partisë. Kjo ka qenë e dorës së dytë. Puna është se gjithçka mbetej në duart e Miladinit dhe të njerëzve që ai donte t’i mbante afër tij”. Më poshtë, ai pohon: “Partia jonë nuk arriti që të kishte një vijë të qartë politike”.
Sintezën e Konferencës së Pezës, Nako Spiru e ka përcaktuar qartë e prerë në këtë Plenum: “Çështja e nacionalizmit, nuk shihet si një gjë urgjente, sepse nuk kishte perspektivë për këtë. Për dobësitë tona, Peza mbeti një gjë formale”. Të vjen çudi, nganjëherë, dhe më poshtë vazhdon: “Këshilli Nacional-Çlirimtar i qytetit, u përgjigjet me trakt: ‘Asgjë s’do ta ndalë popullin në rrugën e tij, drejt Luftës Çlirimtare”!
Në mars të vitit 1944, në një pamflet, midis të tjerave, informon anëtarët e Komitetit Qendror të PKSh-së: “Në Tiranë vazhdon terrori….! Këtu armiku po mundohet me na shkëput popullin. Lufta në qytet, për të mos e lënë armikun me shkëputë popullin e rininë, nuk vjen shumë mbrapa për rëndësi nga lufta me partizanët. Prandaj duhet të ndjehet edhe këtu grushti ynë. Ditët armiku i ka të shkurtra. Nuk duhet të kapitullojmë ndër qytete….”! Nako Spiru e ka vlerësuar drejt bashkimin e të gjitha forcave politike në Shqipëri. Ai ka qenë për pluralizmin në Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar.
Në mars të vitit 1944, ai, bashkë me Dr. Ymer Dishnicën, i propozuan Komitetit Qendrorë të Partisë dhe Enver Hoxhës, që me elementët demokratë në Frontin Nacional-Çlirimtar dhe me krahun e Ballit Kombëtar, që donte të luftonte pushtuesin, të formohej një parti republikane. Enver Hoxha u ktheu një letër me kritika shumë të ashpra: “Gjithë pushteti të jetë në duart, vetëm të Partisë Komuniste dhe në Frontin Nacional-Çlirimtar, të pranohen vetëm individë”.
Diskutimet e Nakos në Plenumin e Beratit
Në diskutimin e tij, Nako Spiru, në Plenumin II-të në Berat, për luftën e qëndresën në qytet, nënvizoi: “U krijua një situatë gjatë Operacionit të Dimrit, që populli të lëkundej mjaft. Ndërkaq, nga letrat që merrja nga ‘Aliu’ (pseudonim i Miladin Popovicit) Liria dhe Koçi, kur isha në Tiranë, tregohej sikur s’kishte ngjarë kurrgjë, sikur qytetet ishin në duart tona. Ndërkaq, armiku përgatitej të na jepte grushta dhe na i dha të forta.
Veç Tiranës dhe Korçës, organizatat e Partisë në qytete u likuiduan…! Punët tona po merrnin një karakter gjithnjë e më sektar. Në Helmës, Panarit, Përmet, edhe më vonë është zhvilluar sektarizmi. Në qoftë se Mukja ka qenë rezultat i vijës sonë të gabuar me ‘Ballin’, këto qëndrime me Muharrem Bajraktarin dhe vrasjet në Tiranë, janë rezultat i qëndrimeve tona sektare. Për të gjitha këto gabime të mëdha, shokët akoma nuk janë zbrazur dhe nuk i kanë nxjerrë rrënjët”!
Në Vithkuq të Korçës, ndodhej një pjesë e udhëheqjes dhe këtu erdhi lajmi i ndërprerjes së Konferencës së Mukjes, si edhe qëndrimi i delegacionit të Partisë Komuniste Shqiptare. Në Vithkuq u diskutua për herë të parë çështja e Mukjes. Enver Hoxha, Miladin Popoviçi etj, ishin që ndaj Dr. Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit, të mbahej qëndrim i ashpër, të përjashtoheshin, të cilësoheshin tradhtarë e te ekzekutoheshin. Këtij mendimi iu kundërvu Nako Spiru, i cili i mbrojti dhe i shpëtoi nga vdekja. Gogo Nushi, thotë se ka marrë disa letra nga Komiteti Qendror Provizor, për vrasjen e Sotir Kondit, Anastas Plasarit e Zef Malës, etj. Po ai, të thotë se letrat i ka marrë nga Enveri.
Siç rezulton nga shumë dokumente, por edhe nga analiza që bën Nako Spiru në Plenumin II-të të Beratit, del qartë se ky guxim civil i tij, ky pasion idealisti për qëndrimin e logjikshëm që mbajti në analizën e parë që iu bë Mukjes, u bënë shkak që të deleguarit e Partisë Komuniste Jugosllave, të krijonin rezerva, të krijonin mosbesim, të dyshonin në vendimet dhe formimin e Nako Spirut. Ky i fundit s’e përfilli as veten, kur në Berat tha për Enver Hoxhën, që është i dëmshëm për udhëheqjen e vendit.
Në Plenumin II, me ndërhyrjen e diskutimet e veta, Nako Spiru parashtroi hapur çfarë ishte Enver Hoxha, atje, ballë për ballë e sy për sy: “Shoku Tuk (Tuk Jakova) preku çështjen e popullarizimit të Enverit. Ne duhet të popullarizojmë më parë lëvizjen. Duhet të kishim një vijë të drejtë, që parullat të pasqyronin Frontin. Popullarizimi bëhet që njerëzit të lidhen me luftën.
Kur t’i nuk mundohesh të zgjerosh Frontin, po mundohesh të futësh në kokë të njerëzve një emër, të popullarizosh një shok; kjo është artificiale. Deri dje as që kishte ndonjë emër. Sot, edhe në një listë gjellësh, do të gjesh emrin e Enverit”.
Kritikat e Sejfulla Malëshovës, për Enverin
Dihet, që në Plenumin II-të të Beratit, Sejfulla Malëshova e karakterizoi Enver Hoxhën “shëmbëlltyra e të gjitha gabimeve gjatë luftës, tipin që krijoi klika”. Drejtuesit e krahut me kulturë, me njohuri, mendonin të përgatitej një brez i ri me dije bashkëkohore dhe donin t’i spostonin tipat e mefshtë, pa përgatitjen e duhur, por as të mos zhdukeshin fizikisht dhe as mos t’u mohohej lufta e sakrificat e tyre. Përkundrazi, Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe, u bënë kopjues të metodave të Stalinit për spastrime me çdo mjet në Shqipëri. Enver Hoxha nuk ka qenë përfaqësues i interesave të Shqipërisë, por i interesave të huaja, siç qe Partia Komuniste Jugosllave. Ai, asnjë kusht të veçantë të Shqipërisë, nuk mori parasysh. Enver Hoxha, me urdhër të Titos, zhduku gjithë intelektualët shqiptarë, të cilët mbroheshin nga Sejfulla Malëshova, sipas të cilit, në një vend të prapambetur kulturor, mendimi i intelektualëve duhej mbrojtur e respektuar, që të mos vriteshin ata.
Autokritika e Enver Hoxhës në Plenumin e Beratit
Tashmë dihet që Enver Hoxhën e vuri Miladin Popoviçi. Enver Hoxha e mbrojti politikën jugosllave në Shqipëri. Në fjalën e vet autokritike e shpjeguese, Enver Hoxha në Plenumin II-të të Beratit, midis shumë e shumë gabimeve e paaftësive të tij, pranoi dhe pohoi: “Kur unë mora pjesë në Lëvizje me Grupin Komunist të Korçës, puna zhvillohej në mënyrë konspirative. U afrova me këta shokë dhe u gjenda afër Koço Tashkos. Të tjerët kujtonin se unë isha kryetari i punës, një nga krerët, por unë isha vetëm një simpatizant; unë nuk isha anëtar.
Kur u formua Partia dhe u gjenda në Komitetin Qendror, këtu hyra me propozimin e Koços….! Përsa i përket përgjegjësisë në Komitetin Qendror Provizor, kjo ishte elastike, asnjëri s’kishte një përgjegjësi të caktuar. Vetëm emrin e kishte Komitet Qendror. Unë tani po e marr vesh nga “Baca” (pseudonimi i Ramadan Çitakut) se atje Tuku, ka qenë sekretar politik”.
Duhet pohuar që qenia e Nako Spirut në radhët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, president i Rinisë, kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, përgjegjës i Agjitacion-Propagandës në K.Q. të Partisë, nuk lejonte që udhëheqja e PKSh-së, të kthehej në tiraninë e Enver Hoxhës e të Koçi Xoxes, e klanit të tyre. Sektarizmi e terrori nuk lejonte të zhvillohej vendi, se e mbante në gjendje bizantino-osmane.
Udhëheqës të Luftës, si; Sejfulla Malëshova, Nako Spiru, Ymer Dishnica, Omer Nishani, Koço Tashko, Konstandin Boshnjaku, Shefqet Beja, e me dhjetëra intelektualë e atdhetarë, janë shprehur të shqetësuar për fatet e Shqipërisë të pasçlirimit.
Ditari sekret i Nako Spirut në vitin 1944
Nako Spiru e njihte mirë gjendjen në Shqipëri. Ajo duhej të ecte drejt reformave demokratike. Po kjo nuk arrihej, pa lidhje me Perëndimin: kjo ishte e domosdoshme. Perëndimi ishte demokratik, jo nazist. Nazizmi e humbi betejën. Nako dëshironte të mirën e shqiptarëve të Kosovës që Partia Komuniste Jugosllave, po i persekutonte. Nako Spiru, nuk donte degjenerimin e Shqipërisë, por rigjenerimin e saj.
Ai nuk ishte kundër reformës agrare; nuk ishte feudal, por ishte kundër kooperimit. Rruga sovjetike e kolkozeve, ishte e dëmshme për Shqipërinë. Nako, me horizontin e dijet e tij, e dinte ashtu si edhe Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica e të tjerë, se nazizmi e fashizmi do të mposhteshin. Humbja e bushtit; Romë-Berlin-Tokio, u arrit nëpërmjet koalicionit me në krye SHBA-në, Bashkimin Sovjetik dhe Anglinë.
Nako Spiru, ishte mendimtar revolucionar-njerëzor, jo i spastrimeve e i terrorit, siç u bë vijë në jetën e veprën e Enver Hoxhës, saqë u publikua me fjalën: “Enver Hoxha mprehi shpatën/ edhe një herë për situatën”. Nako ishte për pushtet, por kjo të realizohej mbas çlirimit, nëpërmjet një rruge të re. Fatkeqësia ishte se, e rrethonin njerëz të errët, pa përgatitje teorike-politike. Njihnin vetëm citatet e Stalinit. Në atë situatë terrori, Nako Spiru dhe krahu idealist intelektual i udhëheqjes së luftës, kishte si thelb të filozofisë, që do të udhëhiqej nga një parti dhe në krye të drejtimit e të pushtetit, të dilnin njerëz të zotë e të ditur.
Dogmatikët ishin kundër këtij krahu të kulturuar, të emancipuar dhe liberal me parullën: “Të jemi konsekuentë me Marksizëm-Leninizmin”, siç nënvizonte gjenerali Koçi Xoxe: “bërthama proletare me zemër bolshevizmi”. Ky ishte mendimi sektar i mbushur me slogane e citate të thata, që sot është e qartë për këdo se sa e dëmtuan dhe, kjo frymë, metodë dhe praktikë fashiste, duhej hedhur në kosh të plehrave, për të mos vazhduar dhe praktikuar rrugën e këtyre tipave të indoktrinuar apo të mefshtë, për të parë më larg se hunda e tyre.
Sulmi i Hoxhës ndaj Nako Spirut
Enver Hoxha, në të gjitha çastet vendimtare, në kthesat për gjërat më kardinale, ka manifestuar qëndrim koniunktural, me metoda tinëzare, me prapaskena, me klane shpifjeje nga më monstruozet, duke goditur sa djathtas e majtas. Ai ishte mjeshtër i intrigës. Shiste këdo nga shokët; vetëm veten jo. Merita e tij në thonjëza, ishte se dinte të përvetësonte vlerat e të tjerëve, siç bëri me; Koço Tashkon, Qemal Stafën, Omer Nishanin, Kostandin Boshnjakun, Sejfulla Malëshovën, Nako Spirun, Dr. Ymer Dishnicën e, sa e sa patriotë nacionalistë, apo ushtarakë me Akademi, që spikatën si drejtues të talentuar në Luftën Antifashiste dhe të gjithë, mund të thuhet pa përjashtim, i mënjanoi apo i ekzekutoi.
Të gjithë ata, që i cilësonte kundërshtarë, i ka sulmuar me të njëjtin stil. I akuzonte si agjentë të imperializmit, si agjentë jugosllavë, si agjentë të Perëndimit dhe deri në agjentë e poliagjentë të disa zbulimeve e të disa shteteve. Nako Spirun e sulmoi prapa krahëve. E izoloi dhe organizoi zhdukjen e tij fizike. Numri i njerëzve që u ka hequr kokën, që i ka burgosur, internuar apo përbaltur, të gjithë lexuesit e këtij shkrimi i dinë dhe, brenda disa sekondave, do t’i kalojnë nëpër mend.
Numri i madh i atyre që i zhduku, e zbriti dhe e vulosi Enver Hoxhën në një rang me satrapët e kriminelët e njerëzimit, si Hitleri, Stalini etj. Në çdo konferencë, plenum, kongres, “hanxhari” i Enver Hoxhës, vetëm dhe vetëm priste. Një popull të tërë e terrorizoi, e armiqësoi, e përçau dhe mbi të gjitha, i vrau virtytet, me të cilat shqiptari dhe çdo njeri, krenohej.
Ditari
Në ato situata terrori, Nako Spiru mbante ditar në gjuhën italiane. Ka shumë mundësi që Vladimir Dedjer, ka botuar pjesë të këtij ditari. Në nëntor të vitit 1944, në ditarin e tij, Nako e ka karakterizuar kështu portretin e Enver Hoxhës: “Ndjek Tashkon me sy mbyllur. Me ardhjen e Miladinit e të Dushanit, me formimin e Partisë, u bë anëtar i Komitetit Qendror të Përkohshme të Partisë dhe ndjek me sy mbyllur Miladinin, i cili pak nga pak, përqendroi përgjegjësitë në duart e tij.
Në Konferencën e Partisë u zgjodh sekretar i përgjithshëm i K.Q.-së së Partisë. U shqua zakonisht si njeri që shkëlqen në luftë kundër fraksionistëve. Kjo është pjesë gratis. Më tepër ka gërthitur në këtë fushatë, sesa ka punuar. S’ka bërë asgjë nga vetja, zbatues pa perspektivë i Miladinit…; inteligjencë (zgjuarsia)- mediokër. Në shkollë, jashtë shtetit dhe si profesor, gjithashtu, mediokër. Gjatë kësaj kohe (para krijimit të Partisë), jetë shumë të rregullt. Në Paris, sektar; tani do që t’i bëjnë lajka. Krijoi klikë rreth vetes. Do që të jetë i pari në çdo gjë dhe t’i marrë të gjithë me shqelma.
Të tjerët do t’i shohë fare të vegjël. Bën çmos të krijojë kompleks inferioriteti….! Asnjë cilësi prej udhëheqësi; frenon çdo iniciativë. Rrjedh nga një familje pronarësh të vegjël; kohët e fundit në kushte jo shumë të mira ekonomike. Në popull nuk është i njohur dhe, atje ku është i njohur, nuk gëzon reputacion. Partia po e popullarizon me të gjitha forcat. Vetëm kështu ka filluar të bëhet i njohur. Por, populli nuk është i bindur në aftësitë e tij”.
Përplasja me jugosllavët
Një faqe e ndritur për jetën e veprën e Nako Spirut, është lufta e tij për të mbrojtur interesat dhe pavarësinë e Shqipërisë deri sa dha edhe jetën. Presionet e kërcënimet i përballoi pa u lëkundur, me heroizëm dhe me guxim civil të rrallë. Politika e Enver Hoxhës çonte në tiraninë staliniane të shoqëruar me terrorizmin kundër intelektualëve. Kjo politikë e Enverit u ndoq deri në fund edhe nga nxënësit e pasuesit e tij.
Shqipëria u katandis në këtë shkallë dhimbjeje dhe turpi, fatkeqësisht vazhdon edhe sot. Në mënyrë titanike, dhëmbë për dhëmbë, e zhvilloi luftën Nako Spiru, me qarqet shovene të Beogradit. Ju vu etiketa e anti-jugosllavit, anti-sllavit. Nako u vu nën survejim të plotë nga krerët e Sigurimit të Shtetit. Komandant Enver Hoxha, e gjeneral Koçi Xoxe, informoheshin për çdo lëvizje, mendim e qëndrim të tij. Ndërhyrja e PK-së jugosllave në Shqipëri, pas Plenumit V-të, të shkurtit 1945, që eliminoi Sejfulla Malëshovën, filloi të bëhej më brutale.
PKSH-ja u kthye në një bisht të PK-së Jugosllave, me pikësynimin e tyre që Shqipërinë, ta kthenin në një republikë të shtatë të Federatës Jugosllave. Në korrik e nëntor të vitit 1946, u nënshkruan traktate të miqësisë, bashkëpunimit e ndihmës reciproke, konventa ekonomike, që nga koordinimi i planeve, unifikimi i çmimeve, parafikimi i monedhës, shoqëritë e përbashkëta e deri në hapjen e doganave. Nako Spiru nuk pranonte të firmoste marrëveshjen me Beogradin. Ai u dërgua në krye të një delegacioni nga Komitet Qendror të Partisë dhe radiogramet e Enver Hoxhës, e detyruan që t´i firmoste. I diktuan të ngrinte komisionin e koordinimit.
Kurthe nga të gjitha drejtimet. Zonja Liri Belishova kujton: “E pritëm kur u kthye delegacioni nga Beogradi. Ishim 5-6 veta. Me të zbritur Nako nga avioni, na dha dorën dhe shtoi: ‘Më gjeti si Eqerem bej Libohovën, që e shiti Shqipërinë; firmosa edhe unë”. Më poshtë shtoi: “Dikush e kishte njoftuar Enver Hoxhën për këto fjalë dëshpërimi të Nakos, i cili më vonë, ja përdori për ta sulmuar në mbledhjen e Byrosë Politike”.
Në nëntor të vitit 1947, Josip Broz Tito akuzoi Nako Spirun, si shkaktar të keqësimit të marrëdhënieve, si agjent të borgjezisë dhe të imperializmit. Enver Hoxha nuk e priti për shpjegime. Ambasada e Bashkimit Sovjetik, bëri një sy qorr dhe një vesh shurdh. Në Byronë Politike, nuk u thirrën si zakonisht dhe munguan; Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Liri Belishova, Fadil Paçrami etj., dhe e cilësuan Nako Spirun tradhtar.
Plenumi 8-të
Plenumi VIII-të i Komitetit Qendror të Partisë, që është cilësuar njollë e zezë e historisë së Partisë, e avancoi skenarin e Beogradit. 15 ditë pas vdekjes së Nako Spirut, më 15 dhjetor të vitit 1947, në mbledhjen e Byrosë Politike, ku merrte pjesë i dërguari i Titos, Sava Zllatiç, protagonist kryesor, ka thënë, siç e dokumenton proces-verbali që ruhet edhe sot në Arkivin Qendror të Shtetit e, ku thuhet: “Tani që e likuiduam këtë pengesë, d.m.th. Nako Spirun, duhet të fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin ‘de facto’ të Shqipërisë me Jugosllavinë, në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri etj.), se Shqipëria nuk mund të ekzistojë si shtet i pavarur dhe aq më pak, të ndërtojë socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë. Shpalljen do ta bëjmë në rrethana dhe koniunktura të favorshme ndërkombëtare”.
Kjo tradhti kombëtare filloi, por s’u realizua, sepse plasi konflikti Stalin-Tito dhe Enver Hoxha, për interesat e tij, mori anën e më të fortit. Ekzistenca e pavarësia e Shqipërisë, mbahej në fije të perit. Në Çarshovë të Kolonjës dhe në Lin të Pogradecit, po ngriheshin kazermat për ardhjen e dy divizioneve ushtarake jugosllave dhe në Tiranë, në aerodrom, u vendosën trupa speciale jugosllave. Për eliminimin tragjik të Nako Spirut, përgjegjësinë e ka Tito dhe bashkëpunëtorët e tij, Koçi Xoxe e Enver Hoxha, si dhe ambasada sovjetike dhe vetë Stalini, që nuk ndërhynë për ta frenuar këtë krim.
Nako Spiru u quajt armik. Një pjesë e atyre që mbetën në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, u bënë tradhtarë të vetë kombit, se e shitën Shqipërinë. Mburreshin me fjalët Republikë e Shtatë. Në Kongresin I-rë, Enver Hoxha bëri sikur e rehabilitoi me fjalë të shkallës sipërore: “Ai u qëndroi (e kishte fjalën për Nako Spirun) presioneve të PK-së jugosllave” dhe më poshtë shtoi, sepse nuk mund të shkëputej dot as nga megalomania e sëmurë e as nga prapaskenat: “Se ai, zbatoi porositë e mia”. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016