Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dy shkrime të rralla të botuar njëkohësisht në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntorit” në majin e vitit 1972, kushtuar Zhani Cikos, asokohe në detyrën e udhëheqësit artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit e Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore, i cili në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që i kushtohej vetëm muzikës instrumentale, pasi kërkoi që të riviheshin në skenat shqiptare disa nga veprat e njohura të muzikës klasike botërore që deri në atë kohë ishin hequr fare si rezultat i ndikimit të Revolucionit Kulturor kinez në vendin tonë, ai hodhi i pari idenë e pluritraditës edhe në këtë zhanër të muzikës shqiptare, duke marrë si shembull dhe duke vlerësuar me superlativa koncertin për piano nr. 1 të kompozitorit të njohur Feim Ibrahimi, gjë e cila në atë kohë pati reagime të shumta dhe dy tre vjet më vonë, do t’i përmendej në kritikat, akuzat dhe sulmet që u bënë në adresë të Cikos, para se të merrej vendimi që ai të hiqej nga Tirana dhe të dërgohej për riedukim në qytezën e Patosit, ku punoi për vite me radhë…!
Zhvillimi i muzikës së kultivuar shqiptare në vitet ’60-të pas krijimit të Konservatorit të Muzikës (në vitin 1962) dhe mbas disa aktiviteteve që u zhvilluan asokohe kishte marrë një zhvillim të rëndësishëm. Por më pas si rezultat i zhvillimeve politike të Shqipërisë së atyre viteve, mesi i viteve ’60-të, solli disa ndikime, siç ishte Revolucioni i Madh Kulturor në Republikën Popullore të Kinës, i cili ndikonte dhe reflektonte në jetën kulturore të Shqipërisë. Kështu, si rezultat i kësaj, që nga viti 1966, pa ndonjë urdhër të shkruar, por verbalisht, u ndaluan disa vepra apo kryevepra të muzikës klasike botërore, të cilat me përjashtim të përdorimit të programeve shkollore, u hoqën nga skena të gjitha dhe nuk bënim më pjesë në asnjë lloj repertori dhe pas kësaj gjithçka morri një drejtim tjetër.
Mbas kalimit të dy tre viteve të para në këtë gjendje, pra pa muzikën klasike botërore, gjë e cila solli një varfëri të tejskajshme në jetën kulturore muzikore të Shqipërisë së asaj kohe, edhe pse përkrahu dhe solli veprat kombëtare shqiptare, por mbështetja vetëm në ato vepra dhe me pak kompozitorë të njohur që kishte vendi në atë kohë në këtë zhanër të muzikës, filloi të krijonte probleme. Kështu, kjo gjë bëri që në atë kohë të kishte një farë sensibilizimi edhe nga instanca të ndryshme zyrtare, për të kuptuar se çfarë pasojash kishte kjo gjë në jetën artistike të vendit tonë dhe madje edhe se si mund të kapërcehej kjo.
Në këtë diskutime që filluan të bëhen asokohe në institucionet kulturore e artistike, midis të cilave dhe Teatri i Operës dhe Baletit, me anë të instruktorëve të Partisë dhe të deleguarve nga ana e pushtetit (organeve ekzekutive), filluan që të organizonin mbledhje të ndryshme me drejtuesit e komunitetit të artistëve, apo dhe të shkëputur prej tyre, që ata të shfaqnin mendimet e tyre rreth këtij problemi.
Në këto diskutime që u mbajtën asokohe, midis tyre, një djalosh i ri, rreth 24 – 25 vjeçar siç ishte Zhani Ciko në vitin 1970, (violinist, koncert-maestro në orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit), në mendimet e tija shpalosi dhe hodhi idenë që në zhvillimin e jetës artistike në mbarë vendin tonë në përgjithësi, është e domosdoshme që në momente të caktuara të shfaqen edhe vepra botërore të muzikës klasike, për vlerat e tyre të rëndësishme dhe për karakterin kombëtar e gjithashtu anët e tyre artistike, të cilat sipas tij, ishin me shumë vlera edhe për kompozitorët tanë dhe trupat artistike në mbarë vendin.
Miq e kolegë të tij, ish-pjesëtarë të trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit, tregojnë se ajo frymë që hodhi në atë kohë violinist 24 vjeçar Zhani Ciko, u diskutua disa herë në ambiente të ndryshme dhe ra në sy, se si ky djalosh i ri shfaqi këto pikëpamje me një argumentim artistik dhe jo vetëm artistik, por dhe më gjerë të saj.
Kështu që befas u pa që duheshin bërë disa korrigjime, për t’u bërë e mundur që të zbatoheshin këto pikëpamje të tij në këtë frymë dhe në një moment, ai u propozua nga të gjitha instancat partiake e shtetërore, të cilat e miratuan menjëherë që ai të ishte udhëheqësi i ri artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, siç quhej ai deri në fillimin e viteve ’90-të.
Lidhur me këtë zhvillime të saj kohe, Maestro Zhani Ciko, kujton: “Duke qenë me bindje të plotë se këto konsultime ishin me sensin e mirë thuajse në të gjitha rastet shpreha mendimin se zhvillimi i muzikës kombëtare nuk e përjashtonte rolin e madh që luante arti përparimtar botëror në edukimin ideo-estetik të masave, si pjesë e edukimit të përgjithshëm të tyre. Me këto mendime u bashkuan dhe artistë të tjerë më kontribute dhe karrierë shumë më të gjatë se unë, i riu 24 vjeçar, që sapo kisha vënë këmbët në Opera.
Drejtori Koço Vasili, i dëgjonte më vëmendje mendimet që binin ndeshë me mjaft të tjerë që mbronin statoquonë. Drejtues artistikë pothuajse nuk u shprehën, veç ndonjë pyetje sa për t’u dukur që ishin prezentë. Në fakt ata s’kishin ç’të humbnin, ndërsa ata që përbënin pjesën rinore të artistëve, kishin ambicie për më shumë.
Kaluan kohë nga këto ditë që polarizuan situatën. U fashitën muhabetet dhe u duk se gjithçka mbaroi. Pas vitit të ri 1970, befas u hap lajmi se Prof. Mustafa Krantja, (udhëheqësi artistik që në fillimin e Teatrit të Operës dhe Baletit), do të ngrihej në detyrë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, në një post të lartë. Zjeu gjithçka dhe ajo që dukej e pabesueshme, u realizua. Maestro Krantja, edhe pse në atë detyrë si zyrtar i lartë, do të ruante gjithë repertorin e tij dhe do të ndihmonte edhe Teatrin nga dikasteri”.
Kjo gjë ishte një detyrë fare e papritur për violinistin e ri 24 vjeçar, Zhani Ciko, e cila krijoi një si habi, se si një djalë i ri i ardhur thjesht nga një edukim artistik dhe muzikor, do të ishte paskëtaj në drejtimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, udhëheqës artistik i atij institucioni nga më të rëndësishmit dhe kryesori i muzikës klasike e operistike në Shqipërinë e asaj kohe.
Kështu vetëm pas disa muajsh, kjo fryme e propozuar dhe e hedhur prej tij, filloi të zbatohej gjerësisht. Pra ishte nisiativa e vetë Zhani Cikos, që menjëherë në vitin 1970, vit i cili përkonte me 200 vjetorin e lindjes së gjeniut të muzikës botërore, Ludvik Van Beethoven, veprat e të cilit deri në atë kohë gjithashtu konsideroheshin të ndalura dhe nuk shfaqeshin më në skenat shqiptare, por me argumentimin që Ciko bëri, të pranohej dhe pikërisht në nëntor të vitit 1970, të festohej edhe në Shqipëri, 200 vjetori i Beethoven, një ngjarje që krijoi një atmosferë mikpritjeje në ambientin muzikor e artistik gjithashtu, gjë e cila padyshim që meriton një përshkrim të veçantë, pasi ishte një shkundje e madhe në jetën artistike dhe konceptuale të asaj kohe.
Për të parë se sa e veçantë dhe i vështirë ishte realizimi i një “operacioni” të tillë, tregon edhe shembulli, se si ajo gjë nuk u pasqyrua fare në shtypin e asaj kohe, si në shtypin partiak (siç ishte gazeta “Zëri i Popullit”), por as në shtypin letrar e artistik, (siç ishte gazeta “Drita” dhe revista “Nëntori”), organe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ku nuk u shkrua asnjë rresht për këtë gjë. Por ekzistojnë programet, dokumentet, fotot dhe artistët pjesëmarrjes në këtë “operacion”, të cilat e kujtojnë dhe e vërtetojnë këtë gjë.
Po kështu, avancimi i tij përpara, bëri të mundur që në ato vite, Zhani Ciko të ishte edhe anëtar i Plenumit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, jo si zgjedhur, por tashmë si i kooptuar, gjë e cila pa dyshim që përbënte një vlerësim, për atë rrugë të re që kishte marrë zhvillimi i jetës muzikore dhe artistike në Shqipërinë e asaj kohe.
Kështu në një nga këto plenume, i mbajtur afro dy vjet më pas nga zbatimi i asaj fryme dhe detyrave që hodhi Ciko, në prill të vitit 1972, u mbajt Plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, për Muzikën instrumentale. Ky ishte një plenum i veçantë që nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë, që t’i dedikohej një zhanri të tij, siç ishte muzika instrumentale.
Raportin kryesor në emër të Komitetit Drejtues të Lidhje së Shkrimtarëve dhe Artistëve, e mbajti sekretarja për Muzikën, Hamide Stringa, e cila sipas konkluzioneve të Komitetit Drejtues të Lidhjes, u ndal te zhvillimet muzikore, veprat e krijuara dhe mbi këtë frymë u zhvillua dhe diskutimi. Si anëtar i Plenumit të Lidhjes dhe sigurisht edhe si udhëheqës artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit, në lëmin artistik, diskutimi i Zhanit ngjalli interes të veçantë.
Lidhur me këtë, Zhani Ciko kujton: “Pas diskutimit tim në atë Plenum, për idetë që kisha dhe parashtrova në atë kohë, unë pata mbështetje nga ana e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dhimitër Shuteriqi, i cili i citoi thelbin e diskutimeve të mija në konkluzionet që bëri në fund të atij plenumi”
Fakti se mbas publikimit të raportit të Lidhjes, rreth një jave nga mbajtja e atij Plenumi, (ku si duket i ishte analizua mirë dhe zbardhur gjithçka ishte folur dhe diskutuar aty), diskutimi i Zhani Cikos u botua njëkohësisht në të dy organet e Lidhjes, në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori”. Ishte i njëjti shkrim nga i njëjti gazetar që mbulonte zhanrin e muzikës në ato organe ku pasqyrohej letërsia, arti e kultura, i cili ishte redaktuar dhe miratuar edhe nga drejtuesit përkatës së Lidhjes.
Siç duket edhe nga artikulli në fjalë për Zhani Cikon që Memorie.al e publikon të plotë në këtë shkrim, në fillim të tij, pasi autori ka bërë një pasqyrë të shkurtër në hyrje, vihet re që ai përqendrohet te një vepër, e cila për Zhanin quhet si një zhvillim i ri në muzikën shqiptare. Ai është koncerti për piano nr.1 i kompozitorit Feim Ibrahimi, vepër e cila pati menjëherë shumë reagime dhe ngjalli shumë diskutime, të cilat do të vazhdonin edhe shumë kohë më pas.
Zhani Ciko e quan atë si një zhvillim të ri për muzikën shqiptare, si një ngjarje të rëndësishme që demonstron evoluimin e rëndësishëm të krijimtarisë muzikore tek ne dhe i gjithë diskutimi i tij, pothuaj përqendrohet vetëm tek kjo vepër, duke bërë një analizë sipas mundësive që kishte ai, të cituara në këtë shkrim nga autori i artikullit, sipas diskutimit të Cikos. Siç duket dhe nga artikulli në fjalë, gazetari e ka parë të nevojshme që të citoj pasazhe të tëra nga diskutimi i Zhani Cikos, (duke i vënë ato në thojza), nga mendimi i tij për zhvillimet muzikore në vendin tonë.
Ai thekson se një nga arritjet, është fakti se: ne kemi vepra që mbështeten në traditën popullore tonën, në citimin e gjuhës, emocioneve popullore dhe mbi këtë bagazh të traditës së popullit shqiptar. Kjo është rruga e parë, ndërsa rruga e dytë që vihet re më pas, që përcakton faktin që krijimtaria kombëtare është e domosdoshme dhe si të thuash e ka të nevojshme edhe mbështetjen në traditën botërore, gjë e cila nuk mund të jetë e shkëputur nga zhvillimet e muzikës botërore. Duke menduar se kjo rrugë deri në atë kohë kishte qenë e mbyllur, edhe kjo në vetvete përbënte një tezë të rëndësishme, pra vendosja e kësaj si tezë e dytë e përmbajtjes së traditës tek ne.
Teza e tretë e artikullshkruesit, është që tradita, bagazhi i vetë kompozitorëve dhe krijuesve tanë, është edhe kjo një mini traditë brenda tyre, të cilën ata në rast se do ta ripërsërisin pa e zhvilluar më tej, do të çoj në një lloj anakronizmi në zhvillimin muzikor tonin, pra që kërkon patjetër të vij te tipari i katërt që është fryma novatoriste e re e përkrahjes dhe zhvillimeve dhe mjeteve të reja, diçka që duhet theksuar se në atë kohë ishte një hap jo pak i guximshëm.
Dhe ajo që është e fundit kur lexojmë artikullin në fjalë kushtuar Zhani Cikos, (e cituar kjo nga gazetari), kur shikojmë të gjitha këto, është përkufizimi që i bën traditës në fund të shkrimit Ciko, duke e konsideruar: që tashmë, me zhvillimet që ka marrë muzika instrumentale tek ne dhe jeta artistike, nuk mund të konsiderohet më vetëm përshkrimi i një tradite, por ai e përkufizoi këtë me termin pluritraditë.
Ishte hera e parë që artikulohej ky përkufizim, që na kujton zhvillimet e shumë viteve më pas kur në Shqipëri u kërkua dhe u vendos pluralizmi politik, në fushën e muzikës ai shpaloset nga një lëvrues i muzikës, siç ishte Zhani Ciko në atë kohë. Këto gjëra dhe të tjera të ndodhura në atë kohë, e cila filloi të përkufizohej si: “epoka e liberalizmit në të gjithë zhvillimet e artit e kulturës”, gjë të cilat do të çonin në zhvillimet dramatike pastaj, të dënimit të shumë aspekteve nga fillimi i vitit 1973, sollën ndoshta dhe atë, që në atë kohë kur filloj goditja ndaj artit e kulturës, Zhani Ciko u hoq nga Tirana dhe u dërgua për riedukim në qytezën e Patosit, ku qëndroi për një periudhë jo të shkurtër.
Lidhur me periudhën e emërimit të tij si udhëheqës artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit, Zhani Ciko kujton: “Kur mua më propozuan postin e Udhëheqësit Artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit si dhe të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku si dirigjent emërohej mjeshtri Milto Vako, gjithçka zjeu si asnjëherë tjetër. Pa vijuar më “Novelën”, u duk qartë se asgjë partiake s’kishte në këtë vendim. Kishte prevoluar vizioni im mbi Artin Kombëtar, në marrëdhënie më të gjerë dhe largimi nga disa shabllone që vetë politika donte t’i korrigjonte. Atë periudhë u vlerësuan dhe të tjerë profesionistë të rinj aty këtu dhe sidomos të përgatitur në shkollat tona. Në fakt, unë isha më i favorizuari në Institucionin Artistik më madhor.
Për të mos u zgjatur më i kredhur në kujtime, po përshkruaj, ndryshimet që realizova në Teatrin e Operës dhe Baletit e Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore nga viti 1970 deri në ’73-in. Gjithçka miratohej sipas normave të Partisë shtet dhe në përputhje me vijën e caktuar. Duhet të pranoj se: drejtori Vasili, drejtuesit partiakë të institucionit dhe ai që mbante rolin e drejtuesit më të lartë të Partisë në Tiranë, Fadil Paçrami, kërkonim shpjegime për gjithçka paraqisja dhe përgjegjësi të plotë për realizimin e tyre. Kontakte të drejtpërdrejta me udhëheqjen më të lartë nuk më munguan, saqë, si i ri i përkushtuar, m’u krijua bindja se: “dhe po të bëhej ndonjë gabim i pandërgjegjshëm, do të kisha dashamirësi në gjykimin e tyre”.
Me gjithë përmbysjen e pa imagjinuar që ndodhi më pas, nga vështrimi i 50 viteve që na ndajnë nga Plenumi i IV-të, te Pandemia ‘Covid 19’, mendimi që parafrazova mes thonjëzave, nuk ishte tërësisht i gabuar”.
Artikulli që u botua në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori” për Zhani Cikon, në majin e vitit 1972
Nga diskutimi i shokut Zhani Ciko
Tani, mendoj se, duke u mbështetur tek realizimet më të mira të muzikës sonë instrumentale, thellimi i frymës kombëtare, zhvillimi në thellësi i karakteristikave origjinale të psikologjisë sonë, mbetet akoma një nga problemet themelore për krijimtarinë tonë. Ndonëse në përgjithësi, në rrugën krijuese të kompozitorëve tanë, veçanërisht në vitet ’60-të, janë përcaktuar qartë të dyja rrugët që mbështesin karakterin kombëtar në radhë të parë në muzikën autentike tonën, si ajo e citimit drejt të materialit muzikor folklorik, ashtu dhe ajo e përpunimit të mendimit mbi bazën e bagazhit popullor, shpesh vihet re dhe një kuptim i thjeshtëzuar i të dyja teknikave.
Pretendimi për të paraqitur në muzikë psikologjinë tonë nuk mund të realizohet vetëm nga tema, sado e spikatur të jetë ajo, pa e pasuruar atë me elementë të tjerë po aq të rëndësishëm, si: ritmika, polifonia dhe timbri, të cilat duke u gërshetuar në kontakt me të, krijojnë mundësi që vepra instrumentale të tingëllojë në thellësi kombëtare.
Koncerti për piano i Feim Ibrahimit, na jep një raport të ri, mjaft interesant për muzikën tonë, të skalitjes së karakterit kombëtar dhe tingëllimit të një gjuhe përgjithësisht të re. Në këtë vepër të goditur, Feim Ibrahimi realizoi me sukses ato tentativa që viheshin re që në koncertin e tij për violonçel për të shprehur emocione të ditës, për ta kundruar realitetin tonë nga një kënd i ri, më i freskët dhe më me efekt për dëgjuesin.
Kështu shpjegohet dhe fakti se me gjithë gjuhën e avancuar, vepra komunikon shpejt me auditorin dhe të tërheq me fantazinë dhe ngjyrat e larmishme. Përpunimi i një gjuhe të pasur popullore e gërshetuar ajo në një ritmikë interesante, të mbështetur fort në gjuhën e popullit, e bën koncertin për piano një nga veprat më të rëndësishme të fondit tonë muzikor.
Për një gjuhë muzikore më të freskët në veprat tona, ai shprehu këto mendime: “Ndonëse tradita që ka krijimtaria jonë është akoma e re, ndihet nevoja e një evoluimeve më të madh, sidomos tek ata autorë të cilët në veprat e tyre qëndrojnë tani në themel të kësaj tradite.
Këtu problem i kapërcimit të cakut të arritur është jetik për krijimtarinë e ardhshme. Në qoftë se ne do të vazhdojmë t’i themi përsëri gjërat ashtu siç i kemi përsëritur disa herë, të shkruajmë përsëri po me atë gjuhë që krijuam dhjetë vjet më parë, sado që të përpiqemi të shprehim përmbajtje të re, vepra do të tingëllojë anakronike me fenomenet dhe aspektet e reja që pasurojnë çdo ditë jetën tonë.
Sigurisht që për personalitetin krijues të një kompozitori, pasurimi i gjuhës së tij shprehëse me mjete të reja, s’mund të bëhet në atë masë sa të shkëputet plotësisht nga karakteristikat individuale që ai ka fituar gjatë përvojës krijuese, nga ajo traditë e vogël që ai në veprat e tij ka krijuar”.
Dhe më poshtë: “Pikërisht në përpunimin e vazhdueshëm të kësaj tradite me element novatorë, qëndron dhe forca e talentit të kompozitorit, që rrit vlerat e krijimtarisë së tij në një vepër.Një rol me shumë rëndësi për pasurimin e gjuhës muzikore në veprat tona instrumentale luan dhe asimilimi i traditës botërore, në të cilën, në masën e nevojshme, është mbështetur edhe krijimtaria jonë.
Por mendoj se në kohën tonë asimilimi i traditës duhet kuptuar, jo si një mbështetje vetëm në traditë të një populli apo vepre të caktuar. Kjo është njëanshmëria që më tepër shpreh direkt ndikimin e një shkolle, se sa ndikon në avancimin teknik apo mjeshtërinë artistike.
Fjala “traditë”, sot pa dyshim që kap një nocion më të gjerë, është më tepër një “pluritraditë”, duke marrë për bazë traditat e ndryshme nacionale apo larminë e madhe të stileve, nga të cilat mund të përfitohen mjete me interes që mund të vihen dhe në shërbim të përpunimit të gjuhës sonë muzikore”./Memorie.al
Gazeta “Drita”, dt. 14 maj 1972
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016