Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të nxënësve të shkollës “Normale” të Elbasanit, të cilët në ditët e para të prillit të vitit 1939, kur Italia fashiste e Benito Musolinit po përgatiste agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë, dolën nëpër rrugët e qytetit, duke protestuar dhe duke kërkuar armë për të shkuar në Durrës dhe për të luftuar kundra forcave pushtuese. Dëshmia e rrallë e ish-kolonelit në pension, Myftar Tare, me origjinë nga Kolonja, i cili nga viti 1945 deri në 1949-ën shërbeu si zv/ ministër i Punëve të Brendshme në digasterin e drejtuar prej Koci Xoxes, duke kryer detyrën e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit për Zbulimin me jashtë, që rrëfen të gjitha ngjarjet e atyre ditëve me nxënësit e shkollës “Normale”, ku ai studionte vetë, nga protestat në rrugët e qytetit bllokimin me gurë të rrugës nacionale Elbasan – Korçë dhe të Urës së Zaranikës, kërkesat për armë te Bashkia dhe Prefektura, ndalimin e karvanit të automjeteve qeveritare të Monarkisë së Zogut që udhëtonin për në Korçë, vajtjen e Mbretit Zog te zyra e Prefektit të Elbasanit ku më pas shkoi edhe Shefqet Vërlaci, daljen e tyre nga aty dhe porositë e dhëna për zyrtarët e administratës, e deri tek pasija me armatime te kazermat e Krastës e normalistëve nën drejtimin e Shefqet Peçit, kujdestarit të konviktit që ishte tmerri i nxënësve, etj.
Krahas rezistencës së armatosur, qoftë dhe simbolike, që i’u bë trupave ushtarake italiane pushtuese të Benito Musolinit në 7 prillin e largët të vitit 1939 (apo siç njihet ndryshe në memorien historike të shqiptarëve, të Premten e Zezë), si nga ana e reparteve ushtarake dhe Xhandarmërisë së Mbretit Zog, ashtu edhe nga forcat vullnetare e individë të ndryshëm që morën armët dhe shkuan për të luftuar në ato ditë të para të prillit 1939, pati dhe mjaft manifestime e protesta të fuqishme në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Turma njerëzish të irrituar, pa dhe të organizuar, shkonin përpara zyrave qeveritare për të kërkuar armë, apo për t‘u regjistruar si vullnetarë në pritje që të niseshin me automjete në drejtim të Durrësit, Vlorës, Sarandës, Shëngjinit etj. Ku me minuta pritej zbarkimi i trupave ushtarake italiane të Benito Musolinit. Një nga qytetet që u përfshi nga manifestimet e protestës, ishte dhe Elbasani, pasi aty jo vetëm që kalonte rruga nacionale prej nga ku automjetet qeveritare lëviznin për në drejtim të Korçës e Pogradecit, me qëllim që të largoheshin nga Shqipëria, por në atë qytet, gjendeshin edhe nxënësit konviktorë të shkollës “Normale”, të cilët u ngritën dhe dolën nëpër rrugët e qytetit, duke kërkuar armë.
Lidhur me këto dhe ngjarje të tjera të ndodhura në qytetin e Elbasanit në ditët e para të prillit 1939, na njohin dëshmitë e kolonelit në pension, Myftar Tare, ish-deputet dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme në vitet 1945-1949, i cili ka qenë një nga nxënësit dhe organizatorët e “Normales” së Elbasanit, që dolën në protesta masive dhe u armatosën për të luftuar kundra pushtimit fashist.
Zoti Myftar, kur e mësuat ju në shkollën tuaj se po përgatitej pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste dhe trupat e Musolinit do zbarkonin në portet e vendit tonë?
Këto fjalë, pra mundësia e zbarkimit të trupave italiane në Shqipëri, ishin përhapur dhe qarkullonin kudo nëpër qytet që në ditët e fundit të muajit mars. Por saktësisht, ajo gjë u mësua në ditët e para të prillit, kur dhe u vu re një lëvizje e madhe dhe ecejake, si nga ana e ushtarakëve, ashtu dhe e administratës shtetërore, politikanëve të lartë e ministrave të qeverisë së Mbretit Zog. Kjo gjë krijoi një indinjatë të madhe në të gjithë nxënësit dhe profesorët e shkollës sonë, pasi, veç të tjerash, në atë kohë në shkollën tonë ekzistonte një frymë e theksuar antizogiste.
Përse ekzistonte një frymë antizogiste në shkollën “Normale” të Elbasanit në atë kohë?
Në “Normale”-n Elbasanit në ato vite ekzistonte një frymë e theksuar antizogiste, gjë e cila midis të tjerash vinte edhe për vetë faktin, se aty kishte studiuar Avni Rustemi, atentatori i famshëm i Esat Pashë Toptanit, dhe vite më parë në atë shkollë kishte qenë si drejtor i saj Luigj Gurakuqi, i cili u vra në Bari të Italisë dhe për atë gjë u akuzua direkt Mbreti Zog. Po kështu edhe shoqëria patriotike “Bashkimi”, e cila në vitet e para të saj, ishte drejtuar nga Avni Rustemi dhe njerëzit më të afërt të Fan Nolit, ishte themeluar dhe përkrahur nga nxënësit e shkollës “Normale” të Elbasanit. Por ajo që e shtynte dhe e bënte më evidente frymën antizogiste në shkollën tonë, ishte puna e grupeve komuniste të Korçës, Shkodrës dhe e të Rinjve, që kishin njerëzit dhe simpatizantët e tyre, jo vetëm në radhët e nxënësve, por edhe të profesorëve tanë. Unë vetë p.sh., në atë kohë isha simpatizant i Grupit Komunist të Korçës dhe bashkë me disa shokë të tjera nga Korça, Kolonja, Pogradeci etj., mbanim lidhje të rregullta me anëtarët e atij grupi, që ishin caktuar posaçërisht për këtë gjë, pra për lidhjet me nxënësit e shkollave të mesme. Të gjitha këto kishin bërë që aty në shkollë të mbizotëronte një frymë antizogiste, gjë e cila siç thashë kishte edhe përkrahjen e pjesës më të madhe të profesorëve tanë.
Kush ishin disa prej profesorëve tuaj që shquheshin për frymën antizogiste në atë kohë?
Kishte mjaft, por unë kujtoj dhe mund të përmend disa prej tyre si: Petraq Pepo, Kol Popa, Veniamin Dashi, Ahmet Duhanxhiu, Shyqëri Demiri, Niko Stralla, Myrteza Krasta, Zef Kolombi, Vangjush Miho, Teki Tela, Mustafa Babamusta, Perikli Mborja, Foto Bala, Ali Hashorva, Kol Kamësi etj. Shumë prej këtyre profesorëve të shkollës sonë, nuk i shfaqnin hapur bindjet dhe frymën e tyre antizogiste, pasi jo vetëm rrezikoheshin të pushoheshin nga puna, por u kanoseshin konsekuenca shumë më të mëdha, deri në arrestimin e tyre. Siç në fakt kishte ndodhur edhe në atë kohë kur ishte arrestuar Qemal Stafa, ku shumë prej nxënësve dhe profesorëve të “Normales” kishin përfunduar në bankën e të akuzuarit.
Në atë kohë, në shkollën “Normale” të Elbasanit ka qenë me punë edhe Shefqet Peçi. Cili ishte roli dhe qëndrimi që ai mbante?
Para se të vinte në shkollën tonë, Shefqet Peçi kishte qenë ushtarak i thjeshtë dhe në mos gaboj me gradën e tetarit apo rreshterit. Pas Kryengritjes së Fierit, apo më vonë kur ishte zbuluar një grup ushtarakësh antizogistë, ku bënin pjesë dhe Bedri Spahiu, Dali Ndreu etj., Shefqeti ishte çmobilizuar dhe përjashtuar nga radhët e ushtrisë, duke e nxjerrë në lirim. Pas kësaj ai kishte mundur të punësohej në shkollën “Normale” të Elbasanit, si kujdestar konvikti. Faktikisht, Shefqet Peçi ishte një antizogist i bindur, por ne nxënësit shkollës e kishim shumë frikë, pasi në atë kohë ishte krijuar bindja se të gjithë kujdestarët e shkollave, ishin njerëzit e Musa Jukës, ministrit të Brendshëm të Zogut, i cili konsiderohej dhe besniku më i madh i Mbretit.
Të kthehemi te lajmi i përhapur se Italia fashiste po përgatitej të pushtonte Shqipërinë. Çfarë bëtë pasi e mësuat atë gjë?
Me të marrë vesh atë lajm, në mos gaboj aty nga data 3 prill, ne nxënësit e “Normales” filluam protestat, në fillim brenda mureve të shkollës dhe më pas nëpër rrugët e qytetit. Gjatë atyre protestave, që në një farë mënyre ishin krejt spontane dhe pa ndonjë organizim të rregullt, ne thërrisnim dhe hidhnim parulla të ndryshme si: “Duam armë”, “Do shkojmë të luftojmë kundra armiqve të atdheut tonë” etj. Këto protesta që zhvilloheshin deri në orët e vona të natës, u shtrinë nëpër të gjitha rrugët kryesore të qytetit të Elbasanit, por më të fuqishme ato u zhvilluan përpara godinës së prefekturës.
Cili ishte qëndrimi i organeve shtetërore, prefekturës, bashkisë dhe xhandarmërisë, ndaj protestave që zhvillonit ju?
Fillimisht, nga ana e prefekturës dhe bashkisë nuk pati ndonjë reagim, por më datën 4 prill, gjatë protestave tona ne u konfrontuam me forcat e xhandarmërisë, e cila kishte marrë urdhër dhe nuk na lejonte të dilnim në qytet, duke na thënë se po prishnim qetësinë dhe rendin publik. Por nën presionin tonë, xhandarmëria u tërhoq dhe ne marshuam nëpër rrugët e qytetit. Fillimisht ne shkuam dhe dogjëm flamurin italian që ishte vendosur në ballkonin e sallës së “Dopo-lavoros”, e cila frekuentohej nga simpatizantë të fashizmit. Një ditë më pas, më 5 prill, ne shkuam dhe bllokuam Urën e Zaranikës, duke vendosur aty trarë dhe gurë të mëdhenj, në mënyrë që të mos kalonin automjetet që vinin nga Tirana me persona të ndryshëm që shkonin në drejtim të Qarkut të Korçës.
Pse në atë kohë kishin filluar lëvizjet nga Tirana për në drejtim të Pogradecit e Korçës, me qëllim për t‘u larguar nga Shqipëria?
Kishte disa ditë që kishin filluar lëvizjet e makinave, të cilat kalonin nga Ura e Zaranikës me persona të ndryshëm, ku shquheshin nëpunës të lartë, madje edhe deputetë të Parlamentit të Zogut, që nxitonin për t‘u larguar nga Shqipëria së bashku me familjet e tyre.
Pas bllokimit të urës së Zaranikës, si vijuan më pas protestat tuaja?
Pas bllokimit të urës, ne shkonim përpara godinës së prefekturës dhe xhandarmërisë, duke kërkuar armë dhe kur ktheheshim përsëri tek ura, e gjenim atë të zhbllokuar nga ana e forcave të xhandarmërisë. Ky ritual vazhdonte pothuaj gjatë gjithë atyre ditëve, kur ne kërkonim armë për të shkuar dhe për të luftuar në Durrës.
A kontaktuat me ndonjë nga autoritetet e larta vendore të Elbasanit?
Më datën 5 prill paradite, një grup nxënësish, ku bëja pjesë dhe unë, hymë në zyrën e prefektit të Elbasanit, Sadik Metra, i cili ishte me origjinë nga Mati dhe njihej si besnik i Mbretit Zog. Aty bashkë me të në zyrë ishte dhe Qark-komandanti i Xhandarmërisë, major Sybi Topulli (me origjinë nga Gjirokastra), dhe komandanti i Batalionit “Shkumbini”, majori Ibrahim Mandija, me origjinë nga Shkodra.
Çfarë biseduat me ta?
Të indinjuar dhe të irrituar nga mënyra se si po precipitonin ngjarjet, ne iu drejtuam majorit Ibrahim Mandija, duke e pyetur se ku e kishte Batalionin “Shkumbini” dhe pse nuk kishte shkuar me ushtarët e tij për të luftuar në Durrës! Ai na u përgjigj: “Batalioni ka shkue në Durrës, nji tash po ik dhe vedi”. Në fakt ne nuk u besuam fjalëve të tij, pasi kishim informata se Batalioni “Shkumbini” që ai komandonte, ishte vendosur përgjatë rrugës nacionale Kërrabë-Qafë Thanë, për të mbrojtur dhe siguruar kalimin e automjeteve qeveritare me Mbretin Zog në krye. Nisur nga ky fakt, pra pasi mësuam atë lajm, ne dolëm nga zyra e prefektit dhe vendosëm që të shkonim në drejtim të Qafë-Kërrabës. Por para se të niseshim për në Kërrabë, ne shkuam te shtëpia e Shefqet Vërlacit, për ta pyetur se çfarë do të ndodhte dhe për të parë qëndrimin e tij, pasi ai njihej si antizogist. Shefqeti nuk doli fare, pasi kishte frikë se do e vrisnim, por na doli qehajai i tij, me mbiemër Lleshanaku ( i ati Alush Lleshanakut), i cili na tha: “Shefqeti nuk është në shtëpi, ka shkuar në Bullgari”. Edhe pse e dinim që na gënjeu, ne u larguam që andej dhe mëngjesi i 7 prillit 1939 na gjeti në kthesat e Qafë-Kërrabës, ku vende-vende, dukeshin ushtarët dhe forca vullnetare që kishin shkuar aty për të mbrojtur dhe siguruar rrugën nacionale, prej nga pritej të kalonin makinat qeveritare dhe Mbreti Zog.
Ku shkuat më pas?
Ne shkuam në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Ahmet Dakli, i cili në atë kohë njihej si patriot i flaktë. Ai kishte qenë përkrahës i Aqif Pashës dhe kishte marrë pjesë në të gjitha ngjarjet historike, si në ngritjen e Flamurit në Vlorë, Kongresin e Lushnjës etj. Në zyrën e tij ishte mbledhur këshilli bashkiak, të cilët kishin thërritur tregtarin e njohur, Xhaf Mehja, duke i thënë atij që të vazhdonte furnizimin e konviktit të “Normales” me artikujt ushqimorë, duke e garantuar atë se për çdo gjë i përgjigjej bashkia. Ndërsa ne na porositën që t‘u thoshim nxënësve konviktorë, që të rrinin në konvikte dhe të mos largohej asnjë për në qytetet e tyre. Ndërkohë, situata po rëndohej pasi ne nuk lejonim asnjë makinë të lëvizte për në drejtim të Korçës. Nisur nga ky fakt, qyteti u mbush me shumë familje që largoheshin nga Tirana, ku mjaft prej tyre ishin nëpunës të ndryshëm, xhandarë, ushtarakë, etj. Aty nga ora 12 e drekës, mbi qytet u dukën avionët e parë italianë dhe lëvizjet e fluturimet e tyre në lartësi të ulëta, krijuan një panik të madh në popull.
Çfarë bëtë ju në ato momente?
Pasi dolëm nga bashkia, ne shkuam përsëri te godina e Prefekturës ku qëndronte vetë prefekti Sadik Metra me komandantin e Xhandarmërisë dhe atë të Batalionit “Shkumbini”. Gjatë bisedës me ta, ku kërkesa jonë kryesore ishte të pajiseshim me armë, prefekti na tha: “Shkoni në kazermat e Krastës dhe pasi të merrni armë, do të prisni atje sa të vijnë makinat tona t‘ju marrin e t‘ju shpien në Durrës”.
A shkuat ju atje?
Nga disa qindra protestues që kishin mbushur rrugët e qytetit, vetëm 53 konviktorë, 3 veta të administratës dhe 4 nënoficerë të rekrutimit të depove të ushtrisë, u rreshtuam nën komandën e Shefqet Peçit, duke kaluar rrugëve të qytetit nën brohoritjet e mijëra qytetarëve. Me të arritur te kazermat e Krastës, morëm nga një armë dhe 76 fishekë, që na i dha me firmë oficeri i armatimit, nëntoger Vrioni, vëllai i të cilit, Faruku, ishte bashkë me ne. Aty në Krastë pritëm disa orë të vinin makinat për të na marrë, të cilat nuk erdhën kurrë. Siç dukej ajo gjë ishte vetëm një kurth për të na larguar ne nga qyteti dhe aty të vendosej qetësia.
Gjatë atyre orëve që ju qëndruat atje, a i patë automjetet qeveritare dhe vetë Mbretin Zog të kalonte aty?
Ata kaluan aty nga ora 20:30 e mbrëmjes së 7 prillit. Vargu i gjatë i makinave u duk në Qafën e Kërrabës nga dritat e forta të tyre. Makina e Mbretit Zog dallonte nga të tjerat, pasi ajo i kishte dritat më të forta dhe ishte më luksozja. Siç na thanë, ajo ishte një makinë speciale, të cilën Zogut ia kishte dhuruar Hitleri.
A i doli njeri përpara vargut të gjatë të automjeteve kur kaluan në atë moment aty?
Jo vetëm që nuk guxonte ta bënte njeri atë gjë, por as nuk mund të mendohej ai veprim. Që 3-4 ditë përpara e gjithë rruga nacionale Tiranë-Korçë, ishte e siguruar me forca të shumta ushtarake dhe vullnetare. Nisur nga ky fakt, pasi zbritën nga Qafa e Kërrabës, vargu i gjatë i makinave u fut në qytet dhe ato qëndruan mbi një orë të ndaluara aty.
Pse ndaluan, çfarë kishte ndodhur?
Aty nga ora 22:30 erdhën dy oficerë dhe na thanë se vargu i makinave kishte qëndruar për një orë në qytet, pasi aty kishte qenë vetë Mbreti Zog, i cili kishte zbritur dhe kishte shkuar në zyrën e prefektit, ku më pas kishte shkuar dhe Shefqet Vërlaci. Ata të tre kishin biseduar bashkë mbi 40 minuta. Siç na tregonin ata dy oficerët, porosia e Zogut për Prefektin, komandantin e Batalionit “Shkumbini” dhe atë të Xhandarmërisë, kishte qenë kjo: “Vazhdoni punën normalisht”. Pas kësaj, Zogu dhe njerëzit që e shoqëronin vazhduan rrugën për në drejtim të Korçës. Kur zbritëm ne në qytet, shkuam përsëri te prefektura dhe aty na thanë: “Tani duhet të largoheni prej këtu, shkoni nga të doni”. Ndërkaq mësuam se forcat italiane kishin hyrë pa luftë në Tiranë. Ashtu të armatosur ne vazhduam të silleshim rrugëve të Elbasanit, ku nuk dukej këmbë njeriu. Në mëngjesin e 8 prillit shkuam përsëri në konvikt, ku gjetëm mjaft nga shokët tanë konviktorë. Aty qëndruam gjithë ato ditë, duke mos shkuar në shkollë edhe pse na kërkohej me ngulm një gjë e tillë. Pas asaj që kishte ndodhur, çdo gjë na dukej e kotë. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016