Nga Prof. Myslym Islami
Pjesa e dytë
Memorie.al / E ndiej për detyrë qytetari t’i jap lexuesit një parashtrim apo shpjegim mbi arsyet të cilat më kanë shtyrë t’i shtoj këtë pasthënie monografisë, kushtuar jetës dhe veprës së Ali Kelmendit. Siç ju kam informuar që në hyrje, këtë monografi e kam hartuar gjatë viteve ’80-të të shekullin XX-të. Në mars të vitit 1987, librin e përfundova dhe ia dorëzova redaksisë së Ndërmarrjes së Botimeve “8 Nëntori”. Mbas disa muajve, mësova se recensionet ishin formuluar me vlerësim nga tre specialistë me emër, e megjithatë, nuk e kuptoja psenë e mosdhënies së materialit për redaktim dhe përse procesi i përgatitjes për botim, nuk kishte filluar ende. Unë kisha dorëzuar, së bashku me tekstin e monografisë, fotot, dokumentet, si edhe kopertinën. Në ato ditë, dikush shumë miqësisht, më pëshpëriti duke më thënë se materiali ishte tërhequr në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Por ndoshta, ky dashamirës nuk e dinte apo nuk pati kurajo, unë s’e di, të më tregojë se në cilin sektor kishte mbetur, apo cili titullar e kishte në dorë. Zotnia, edhe sot, në vitet e demokracisë, kërkon të mbetet anonim…!
Dokumentet flasin kundër Enverit?
Dokumentacioni hedh poshtë pretendimet e Enver Hoxhës, që ai na paska qenë mësues i mendimit komunist në Shqipëri dhe themelues i Partisë Komuniste Shqiptare. Nuk e quaj të tepërt që të hedh disa mendime, rreth të vërtetës së themelimit të PKSh-së. Në thirrjen e takimit në Tiranë, për themelimin e PKSh-së kanë punuar dhe kontribuar shumë grupe dhe shumë demokratë antifashistë e revolucionarë dhe jo siç është thjeshtëzuar me paramendim, në Historinë e PPSh-së e, në veprat e Enver Hoxhës.
Sektarizëm kishte që në themelimin e PKSh-së, kur në radhët e saj u pranuan vetëm 184 anëtarë, kur dihet që Lëvizja Komuniste në Shqipëri, i ka pasur fillimet e saj prej viteve ’20-të. Dhjetë-dymbëdhjetë grupe komuniste, ishin krijuar dhe vepronin në këto 20 vjet, duke u bashkangjitur atyre një numër jo i vogël, elementësh të shkëputur.
Ka dokumente të shumta dhe pohime të ish-anëtarëve të vjetër të grupeve komuniste, që fryma sektare, grindjet dhe mosbesimet midis grupeve dhe krerëve, janë futur prej qarqeve të caktuara shovene të Athinës e Beogradit, duke përdorur agjentët e tyre dhe disa prej anëtarëve të grupeve të përpunuara, po prej tyre.
Shtytje kësaj lëvizjeje revolucionare i dha vetë gjendja e rëndë ekonomike në Shqipëri. Periudha e viteve ’20-’30-të në shekullin XX-të, ka qenë e mbushur me ngjarje të rënda si lindja e fashizmit, që solli veçse pushtimin e vendit dhe si rrjedhim, ngriti ndjenjën e përgjegjësisë ndaj kombit në shumë atdhetarë, intelektualë, të rinj, studentë të shkollave të mesme dhe të larta jashtë atdheut.
Nuk duhet, gjithashtu, të mohohet rastësia në histori. Delegat për mbledhjen themeluese të PKSh-së, dolën për shembull, nga Grupi Komunist i Korçës, Pilo Peristeri e Sotir Lubonja, por mund të dilte Nesti Gambeta, Stefo Grabocka, Teli Samsuri, Taqi Skëndi, e të tjerë. Rastësia apo synimi koniunktural, e shpuri Enver Hoxhën, në mbledhjen themeluese, pa qenë i zgjedhur.
E futi në përbërjen e përfaqësuesve të Grupit Komunist të Korçës, kryetari Koço Tashko, duke u nisur, siç ka pohuar vetë, nga ideja se; jo vetëm zanatçinjtë dhe ortodoksit e përfaqësonin këtë grup. Ose e vërteta e këtij veprimi, mund të gjendet në faktin se Grupi i Korçës, kish qenë kritikuar për dasi fetare dhe lokalizëm, por gjithashtu, mbase nga fakti se në periudhën midis viteve 1939-’41, anëtarë intelektualë të grupit qenë tërhequr, sepse ndjenin stalinizmin; patën rezerva e mosmiratime për disa akte kriminale dhe gjyqe të sajuara.
Në këtë të çarë apo nga natyra komanduese e Koço Tashkos, u fut Enver Hoxha, që diti ta shfrytëzojë këtë rast. E ndihmoi shpirti i tij prej arrivisti dhe komplotisti. Fakte të shumta nga jeta dhe veprimtaria e tij, vërtetojnë pabesinë dhe prirjen për të krijuar klane, për të vënë shokët kundër njëri-tjetrit, me synimin e vetëm që të mënjanonte apo eliminonte më të aftët, drejtuesit dhe luftëtarët më me kapacitet.
Lidhjet e Enver Hoxhës me jugosllavët
Logjika dhe disa të dhëna të çojnë në përfundimin se Enveri, në takime dhe biseda me Miladin Popoviçin, shtyhej prej Bahri Omarit, i cili në fillim i përkrahu dhe e mësonte Enver Hoxhën, me qëllim që për këto forca dhe veprimet e tyre, të kishte dijeni. Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, nëpërmjet Enver Hoxhës dhe lidhjeve të tij me Bahri Omarin, jo vetëm shpëtonin kokën, por jetonin si zotërinj në mes të Tiranës.
Qëndrimin në Tiranë, pa u shkëputur nga Miladini, Enveri e shfrytëzoi për opinione denigruese për shokët. Nuk është objekt i drejtpërdrejtë i këtij botimi, figura e Enver Hoxhës, por ai nuk ka qenë në udhëheqjen e Grupit Komunist të Korçës dhe as në atë të degës së këtij grupi në Tiranë. Nuk mbajti raport në mbledhjen themeluese dhe as nuk drejtoi ndonjë seancë. Nuk u zgjodh sekretar i përgjithshëm. Ç’emër mund t’u vihet pohimeve të tij, që i publikonte si themelues, si flamurtar, veçse emrit të intrigantit dhe megalomanit të paskrupull?!
Dihen përpjekjet që janë bërë për t´u lidhur me Kominternin, me Partinë Komuniste Italiane dhe me Partitë Komunistë Greke dhe Jugosllave, por nuk arritën dot të krijonin lidhje nga konspiracioni, sepse udhëheqjet e këtyre partive kishin kaluar në ilegalitet të thellë për shkak të terrorit fashist.
Dihet gjithashtu, vajtja në Kosovë e Koço Tashkos me shokë të tjerë dhe takimet që mori me disa nga organizatorët komunistë, si dhe informacioni që mori për Miladin Popoviçin. Dihej iniciativa e Mustafa Gjinishit, i cili me makinën e Ismail agë Petrelës, nxori nga kampi i përqendrimit në Peqin, Miladin Popoviçin.
Mënjanimi i pjesëmarrësve në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste
Nga mbledhja themeluese e PKSh-së, u mënjanuan Hasan Reçi e Selim Shpuza, që përbënin ish-treshen drejtuese të Lëvizjes Punëtore Revolucionare në Shqipëri, me Ali Kelmendin në krye, apo Mustafa Gjinishin, nga më aktivët e më të guximshmit; me Demir Godellin, që mbante lidhje me revolucionarët jashtë, apo krerët e tjerë të grupeve, brenda e jashtë vendit, si; Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, Qamil Çela, Tajar Zavalani, Koço Tashko, Mustafa Kaçaçi, Mihal Lako, Bedri Spahiu, Mafuz Laze, Hulsi Spahiu, Xhevdet Doda, Rexhep Çami, Sadik Stavaleci e të tjerë.
Në themelimin e PKSh-së, 25 përfaqësues
Megjithëkëtë, kanë marrë pjesë mbi 25 përfaqësues dhe jo 15, siç është thënë deri më sot. Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi, e kanë shfrytëzuar emrin dhe autoritetin e Ali Kelmendit, për synimet e tyre të qëllimshme.
Miladini, gardën e vjetër, bashkëpunëtorët më të afërt të Ali Kelmendit, i mënjanoi, i zhvleftësoi dhe, nga ana tjetër, zgjodhi për pseudonim emrin “Ali”, nën idenë gjoja të respektit për Kelmendin dhe për t’u hequr me këtë emër, sa me afër shqiptarëve. Raportin, për të cilin kishin punuar disa nga krerët, e mbajti Koço Tashko. Në mbledhje nuk u zgjodh njeri sekretar i përgjithshëm. Grindja shpërtheu që në ditën e pare, për çështjen e Kosovës.
Përplasja për Kosovën
Dihet se në mbledhjen themeluese, ftuan Miladin Popoviçin e Dushan Mugoshën, për të shfrytëzuar eksperiencën e tyre, por edhe nga fakti se midis krerëve të grupeve, kishte moskuptime, kontradikta e, deri në grindje e manifestime armiqësore. Po edhe në Partinë Komuniste Jugosllave, kishte përplasje edhe ndaj Kosovës. Kishte dy qëndrime: i pari i Josif Broz Titos, në këtë grup hynte dhe Miladin Popoviçi, ishte për gjallërimin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe për krijimin e lidhjeve me lëvizjen në Shqipëri.
Krahu u dytë, ai më sektar, përbëhej nga elementë me prirje shoviniste serbomadhe, që ishin në udhëheqjen e Partisë Komuniste Jugosllave, e ku hynte edhe Dushani. Këta nuk donin kurrsesi gjallërimin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Kosovë e, aq më tepër, të lidhej kjo me lëvizjen në Shqipëri. Ata donin që Kosova, të mbetej vetëm një trevë e Serbisë, të mbetej pa merita lufte, përkundrazi, në pozita reaksionare dhe konservatore, që kështu të mos gëzonte të drejtën e vetëvendosjes dhe të pretendimeve kombëtare.
Nuk kërkon, besoj shumë komente shpjegimi, pse Enver Hoxha nuk lejoi të publikohej kjo përplasje ne historiografinë shqiptare, sepse Koço Tashko, Qemal Stafa, Anastas Lulo, Sadik Premte, Tuk Jakova, Sadik Bekteshi e të tjerë, ishin kundër pikëpamjes serbe dhe këmbëngulën që Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të përhapej në Kosovë. Enver Hoxha u mbështet në grupin pro-sllav, në atë të Dushanit, Koçi Xoxes, Kristo Themelkos, me të cilët u bashkua në fund edhe Miladin Popoviçi.
Në fund, mbledhja themeluese, e detyruar nga situata e krijuar pas pushtimit të Shqipërisë, nga domosdoshmëria për krijimin e një shtabi për të udhëhequr qëndresën e popullit e për organizimin e kryengritjes së armatosur, ndikoi për lënien mënjanë të pikëpamjeve apo rezervave që kishin për grupet dhe individët.
Si u eliminuan anëtarët e Komitetit Qendror Provizor, të PKSh-së?
Në fund, u zgjodh një Komitet Qendror Provizor me 7 anëtarë: Qemal Stafa, Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Gjin Marku, Ramadan Çitaku, Kristo Themelko dhe Enver Hoxhwn. Gjithashtu, është më se e vërtetë se Enver Hoxha, që të gjithë i eliminoi. Në ato ditë, Qemal Stafës iu ngarkua drejtimi i Rinisë Komuniste Antifashiste dhe me një ide, që më vonë të merrte edhe drejtimin politik të Partisë Komuniste Shqiptare.
Koçi Xoxes e Tuk Jakovës u dha posti i sekretarit organizativ. Dihet, që këtë të fundit, nuk e deshën Miladini me Dushanin dhe gjoja me detyrë luftarake, e izoluan gjashtë muaj në Mokër, çka mund të cilësohet internimi i parë. Ramadan Çitaku, përgjegjës për teknikën e partisë, Gjin Marku, përgjegjës për çështjen e pushtetit, Kristo Themelko, përgjegjës për anën ushtarake dhe Enver Hoxha, përgjegjës për anën financiare (kuotat).
U lanë përjashta nga udhëheqja, militantë si; Hasan Reçi, Selim Shpuza, Koço Tashko, Demir Godelli, Qamil Çela, Zef Mala, Anastas Lulo, Vasil Shanto, Sadik Premte, Bedri Spahiu, Nako Spiru e të tjerë. Dr. Ymer Dishnica, në shkurt 1942, u kthye nga Parisi në Shqipëri dhe doli në krye të Qarkorit të Partisë për Korçën, kurse nga prilli l942, së bashku me Nako Spirun, Liri Gegën, Bedri Spahiun, u kouptuan në Komitetin Qendror (provizor) të PKSh-së dhe deri në mars 1943, Dr. Dishnica ka drejtuar anën politike dhe punën me nacionalistët në K.Q. të PKSh-së.
U hapën këto paranteza, vetëm e vetëm që lexuesi të kuptojë se Kelmendi nuk ka të bëjë fare me atë vazhdë të mëvonshme, që po merrte ngjyra feudale, që po krijoheshin kurthe sektare e luftë klasash, rrjedhimi i të cilave mbolli përçarjen, mbolli krimin, mbolli vdekjen.
Lufta Antifashiste
Në drejtim të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, nuk duhet thënë se Mbreti Ahmet Zogu, e pranoi pushtimin, por mund të thuhet me plot gojën, pse e la atdheun. Shtypi evropian, në veçanti ai francez, shkruante me shkronja të mëdha për qëndresën heroike të shqiptarëve në Durrës, ku disa herë fashistët italianë u thyen. Përveç heroizmit të Mujo Ulqinakut, në atë ditë të zezë prilli të 1939-s, dhanë jetën për mbrojtjen e vendit, me dhjetëra e dhjetëra djem, që nga Saranda në Shkodër.
Mijëra u hodhën në demonstrata, qindra të tjerë rrëmbyen armët dhe dolën maleve dhe qindra të tjerë u arratisën në Greqi, Jugosllavi, Turqi etj. Personalitet si Mit’hat Frashëri, që kishte një bagazh njohurish e një atdhetarizëm të spikatur, u vunë në krah të SHBA-së e Anglisë dhe dolën kundër bolshevizmit sovjetik. Dihet, që më vonë këto tri fuqi krijuan Koalicionin Antifashist dhe çmonin e u jepnin viston atyre forcave që merrnin pjesë në Luftën Antifashiste.
Fatkeqësia është se krerët e Lëvizjes Antifashiste e politike të Shqipërisë, nuk ditën të nxirrnin mësime nga vetë krijimi i koalicionit. Mustafa Kruja, kërkonte që Shqipëria të ishte nën protektoratin e Italisë, se rrezikun e synimeve serbe e greke, e klasifikonin shkatërrues për kombin.
Italia fashiste e pushtoi Shqipërinë, krijoi administratën dhe e njohu shtetin shqiptar. Ajo mori vetëm Ministrinë e Punëve të Jashtme. Propagandonte se shteti shqiptar, i mbështetur nga Italia, do të merrte trevat e veta kombëtare, të mbajtura padrejtësisht nga Jugosllavia dhe Greqia. Këto forma ishin sapun mbi gunë, hi syve, se edhe trevat e tjera shqiptare, i shikonte dhe kishte planifikuar në strategjinë e vet, që nën këtë pretekst të hynte thellë në Ballkan.
Mit’hat Frashëri dhe krahu i tij, e donin një shtet të tillë, por mendonin e mbanin rezerva, se po ta humbiste luftën Italia, fati i Shqipërisë, do të rrezikohej. Këtu dhe vetëm këtu, e ka bazën ajo mëdyshje, ajo plogështi, ajo shprehje “prit të presim”, “s’ka ardhur koha”. Kjo ishte fryma e Mit´hat Frashërit!
Balli Kombëtar, pasi u themelua në fund të vitit 1942, organizoi të njëjtat struktura si të njësiteve, çetave e formacioneve të tjera Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe shpalli e mori pjesë në luftën çlirimtare. Më vonë u tërhoq; nuk luftoi nën idenë se Fronti Nacional-Çlirimtar, ishte maskë e PKSh-së. Edhe Legaliteti kishte ndikim, por mbeti një çetë, ajo e Abaz Kupit që nuk i shtoi radhët, nuk u shtri, por u kufizua në disa zona, me idenë që priste çastin e përshtatshëm për veprim.
PKSh-ja u publikua si Lëvizje Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe u ndoq nga të rinjtë e të rejat, nga antifashistë demokratë dhe atdhetarë, të mbarë vendit. Nuk u zgjata pa qëllim në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, se Ali Kelmendi, është nga të parët që ka ngritur zërin kundër fashizmit dhe kjo është e pasqyruar në raportet dhe korrespondencat e tij me një notë realiste dhe me një thellësi analize, me paralajmërim dhe rrezikun për Shqipërinë e atyre viteve.
Ai demaskoi lidhjet e Ahmet Zogut dhe kabinetit të tij, me qarqet fashiste të Romës. Kelmendi ka meritë, më shumë se kushdo, për shkuarjen e vullnetarëve shqiptarë në Luftën e Spanjës. Për veten e tij, i shkruante Kominternit: “Vendin e kam në llogoret e Spanjës”. Ai është themeluesi i gazetës “Sazani” në Lion të Francës, organizatori i shoqatës antifashiste me studentët dhe me emigrantët ekonomikë e politikë në Paris.
Është i pari demokrat revolucionar shqiptar, që bëri për vete idenë e krijimit të Frontit Popullor Antifashist, të shpallur nga Kominterni dhe që i dërgoi këto direktiva nëpërmjet Dr. Ymer Dishnicës në Shqipëri. Nga gjithë raportet e tij, shkrimet dhe korrespondencat rezulton, që; Kelmendi ishte për një Shqipëri demokratike.
Prapë duhet të hap një parantezë për lexuesin e aq më tepër për ata, që nuk janë të fushës së historisë dhe që nuk u jepet mundësia të njihen drejtpërdrejt me dokumentet arkivore dhe e quaj abuzim, që disa tradhtarë të kombit apo renegatë të mendimit demokratike-revolucionar, si Mustafa Kruja, Niko Xoxe etj., në qoftë se i ka dënuar PKSh-ja, trajtohen nga disa të ashtuquajtur studiues, sikur ata kanë vlerë të madhe për Lëvizjen Antifashiste, apo për atë revolucionare dhe nga ndonjë fletushkë, cilësohen atdhetarë të mëdhenj.
Këto dukuri negative i çorientojnë njerëzit, shtrembërojnë të vërtetën historike dhe nuk është në gjendje njeriu i ndershëm atdhetar të mendojë e të besojë. Po kjo nuk do të thotë, që figurat të shikohen vetëm bardhë e zi. Gjykohen në kohë dhe kur jeta e tyre ka çaste e veprime pozitive kombëtare apo demokratike. S’ka pse të mos vihen në dukje dhe të mos përmenden personalitete, si p.sh.: Mustafa Kruja, që ka marrë pjesë dhe ka firmosur në Kuvendin e Vlorës, më 28 nëntor 1912.
Ai ka qenë një studiues me përmasa në fushën e gjuhës shqipe, hartues i qindra shkrimeve në revistat e kohës, demokrat dhe prefekt i Shkodrës në qeverinë e Fan S. Nolit më 1924. Pra, figurat historike trajtohen në larushinë e tyre, me ngritjet e uljet, me anët pozitive e negative. Dhe një qëndrim që ka qenë pozitiv, mundet për një etapë të mëvonshme, të jetë i dëmshëm për shoqërinë apo edhe për vetë kombin. Ashtu siç nuk i mohohet Zai Fundos, kultura e gjerë, gjuhët e huaja dhe forca polemike e penës se tij.
Është më se e vërtetë, qe Zai Fundo, u trondit me gjendjen ekonomike e politike ne Bashkimit Sovjetik. Ai nuk i honepsi me të drejt të gjyqet e krimet e Josif V. Stalinit. Ai u largua nga Bashkimi Sovjetik dhe filloi të largohej dhe nga komunizmi, por natyra e tij, nuk mund të mbyllej në vetvete, apo të zinte një qoshe, të mënjanohej nga zhvillimet politike. Me cilat ambasada nuk lidhej e në cilat forca e grupime nuk gjendej…?! Siç nuk mund të nënvlerësohet, shpirti praktik, forca diktuese dhe ambicia e Niko Xoxit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016