Nga Sofika Prifti Cara
Pjesa e dhjetë
Të falësh…!
– Fisi i vjetër Kavajas – CARA
Memorie.al, publikon disa pjesë nga libri ‘Të falësh’, me autore znj. Sofika Prifti (Cara), botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, në të cilin autorja ka përshkruar me hollësi dhe kompetencë profesionale, historinë e një prej fiseve më të njohura, jo vetëm në qytetin e Kavajës, por edhe më gjerë, fisit Cara, nga i cili dolën jo vetëm atdhetarë e patriot të shquar që dhanë kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare dhe lirinë e Shqipërisë, por edhe intelektualë të njohur, të diplomuar në Perëndim, të cilët më pas u kthyen në atdhe, duke dhënë kontributin e tyre në disa fusha të shkencës dhe jetës. Por edhe pse pinjollët e fisit Cara, ata ia kushtuan jetën e tyre çështjes kombëtare, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, ata do të përndiqeshin, burgoseshin dhe internoheshin, e lufta e egër e klasave, do t’i ndiqte ata deri në vitin 1990, kur dhe nisi shembja e regjimit komunist.
VDEKJA E NËNËS SIME
Data 8 mars 1978, do të mbetet e paharruar për mua. Mbaj mend që atëhere isha e shtruar në spital e, të nesërmen do të operohesha. Kuzhinierja e spitalit ishte fqinja e nënës time e, çdo ditë e pyesja atë; si ishte nëna. Një javë kishte e shkreta nënë që kishte dalë nga spitali, se vuante nga azotemia. Ditën e tetë marsit, kuzhinierja erdhi në mëngjes e më tha:
“Sofi, mamaja jote sot m’u duk disi më mirë e, më dha me dorën e saj këto për ty…”!
Kishte sjellë një shami dore dhe disa gjëra të vogla, që ishin të parat e të fundit, pas 17 vitesh që nuk flisnim. Mirëpo, sa kishte ikur kuzhinierja, në 06:30 të mëngjesit, mamaja kishte dhënë shpirt, me këto fjalë në gojë: “Nuk më tret dheu për Sofijen…”! Kishim kaluar 17 vjet të ndarë, që nuk flisnim bashkë nga e tmerrshmja “lufta e klasave”. Një shok i vëllait të vogël erdhi, më dha dorën e më ngushëlloi me fjalët; “Të rroni vetë, Sofi! Nëna ju la”. Ai quhej Petraq Gjini. “Në orën 4 mbas dite, – tha ai, – do të bëhet varrimi. Vdiq me emrin tënd në gojë dhe la amanet t’i hedhësh tre grushta dhe e ta falësh”!
Dola nga spitali dhe shkova ta varrosja nënën, me të cilën që prej 17 vitesh, nuk u takuam. Shkova e pashë për të fundit herë, por jo gjallë, me atë fytyrë të verdhë si ftoi, e putha e m’u duk, sikur putha një copë akulli! Si rregull, në varreza të japin dorën për të ngushëlluar, por mua asnjë nuk ma dha dorën; më shikonin me keqardhje e, hipnin në autobus. Ndenja edhe pak tek varri i nënës, qava fatin tonë të keq, pastaj u ngrita e ika. Aty po më priste im vëlla, Petraqi, që po më shikonte me dhembshuri të madhe. Ishte lufta e klasave, si hendek mes nesh e, kishim frikë nga njëri-tjetri. Isha e prekur nga “leproza” e luftës së klasave.
Nëna ime vdiq e u varros brenda ditës dhe shpirti im e dinte se sa me dhimbje e ndieja mungesën e saj. Jeta ime po tretej si qiriu. Ai apo ajo që e ka përjetuar me persekutime atë sistem vrasës, them se është ajka e shoqërisë. Është shtresa me shpirt bujar, falës e jo hakmarrës. Gjithmonë mendoja netëve, kur s’më zinte gjumi: vallë a do të dal dhe unë një ditë në dritë? Sot mendoj shpesh për ato vite, atë jetë, që na ishte bërë si rrobë e arnuar, arnë mbi arnë, si jorgan prej lecke. Në familjen tonë, kishim një mal me dënime: një të arratisur, 23 vite burg, 17 vite internim dhe dy njerëz që do të pushkatoheshin pa gjyq, në 1988-ën!
Dëshiroja, për ata njerëz që na bënë keq, jo shumë, por pesë vite të provonin vuajtjet tona, nga ai regjim i urryer, i cili, si mola që ha drurin e rrobat, na e hëngri zemrën neve, në rini. Atë zemër që e kishim të bardhë, të pastër, sepse zemra jonë, punonte gjithnjë me gjak steril, ndaj ne qëndronim të fortë e të pamposhtur. Disa nga krerët e asaj partie, që më pas u quajtën “armiq”, e provuan të keqen në kurriz dhe me fëmijët e tyre, por jo si ne. Fëmijët e tyre u shkolluan jo vetëm këtu, por edhe jashtë shtetit, panë dhe botë me sy, kurse ne pamë ndarje nga njerëzit dhe lot që s’u thanë kurrë. Sot ata janë prapë në punëra të mira e kudo, sepse e quajnë veten “të përndjekur politikë”, kështu që përfitojnë më shumë nga ne, se kanë shkollë, kanë para, etj.
Zemrat e nënave digjen zjarr për fëmijët e tyre, nënat japin edhe jetën për fëmijët e tyre, por takimi i njerëzve të mi me mua, merrte në qafë gjithë familjen, sepse ata ishin me punëra të mira! Plot 17 vjet pa u takuar me nënën time! Ndarja e fundit ka qenë mes dhimbjes e një puthjeje, që ia dhanë buzët e dridhura, në faqen e ballin e ftohtë si akulli, si dhe lotët e mi, që ranë si pikat e shiut të dendur, mbi arkivol. Kjo ndodhi pak sekonda, para se atë ta fusnin në varr. E mjera nëna ime, që provoi ndarjen për së gjalli, me të bijën! Nuk ka si nënat në botë!
PARAZITI
Në vitin 1982, Bardhi u lirua nga burgu dhe nisi të kërkonte punë. Kur e liruan, të dy menduam se hallet tona mbaruan, por gabuam shumë, sepse hallet, na u bënë më të mëdha. Bardhi ishte me stenozë në zemër dhe në burg, kishte raport për punë të lehtë. Kërkonte punë në Këshillin Popullor të lagjes, kurse atje i jepnin punë në bujqësi e, ndërtim! Ai merrte fletën e punës dhe shkonte ku e çonin, po s’e pranonin nga raporti e, kështu mbeti pa punë për një kohë të gjatë. Një ditë atë e thirrën në Këshillin e lagjes e, i thanë: “Bardhi, të thirrëm që të lajmërojmë se, nëse nuk fillon punë, do të dënohesh me tre vjet burg, si ‘parazit’ i shoqërisë”!
Bardhi u tha atyre: “Po unë kam shumë nevojë për punë, sepse nuk kam me se të ushqehem. Çdo mbrëmje kam ardhur këtu tek ju e, kam kërkuar punë dhe kam shkuar ku më keni çuar. Juve ju takon të më gjeni punë”. I kërkuan të rinovonte raportin e. ai vajti tek mjekja e zemrës. Liri Bele. për të nxjerrë raportin e ri, por ajo i tha: “Këtë radhë duhet ta marrësh raportin nga kempi epror, në Tiranë”. Ditën e kempit. Bardhi shkoi në Tiranë me kartelën dhe një zarf të mbyllur. Kryetari i kempit. ishte përsëri Ylli Popa (në atë kohë). për ne kishte vetëm bluzën e bardhë dhe të tjerat. ishin frika e sistemit për të mbajtur vendin që kishte. Ai hapi zarfin lexoi letrën që i kishte dërguar mjekja dhe vepronte sipas letrave.
Në mjekësi ka dhe njerëz humanë, që e mbajnë bluzën e bardhë, sepse i kanë vënë detyrë vetes. të punojnë gjithnjë me ndërgjegje e me drejtësi, duke diagnostikuar me korrektësi sëmundjet, nëpërmjet aparateve e analizave. Një nga këta ishte mjeku Sokol Myftiu, i cili gojën e kryetarit të kempit epror, ia mbylli me aparatin e zemrës. Nga kjo, komisioni njëzëri tha se i takonte raporti Bardhit, madje e këshilluan, për operacion. Raporti nga kempi epror, e shpëtoi Bardhin nga tre vite burg të sigurt. Ata të policisë, mezi po e prisnin sa të vinte në shtëpi, që t’i vinin prapë hekurat! Duke pasur atë raport, Bardhin e çuan të punonte në Drejtorinë Ekonomike të Arsimit, ku bënte punë të ndryshme jashtë, me një usta. Mirëpo, pa mbushur vitin në atë punë, prapë e pushuan, sepse u kujtuan që ky institucion ishte i rëndësishëm, kishte dokumente dhe “veprat” e Enver Hoxhës.
Bënë mbledhjen e partisë dhe morën vendim, për ta pushuar nga puna Bardhin! Përgjegjësi Pasho Abazi, e kundërshtoi këtë vendim e tha: “Pse e pushoni? Ai jashtë punon, me llaç e tulla, në ngarkim-shkarkim, nga vendi i punës nuk lëviz fare, para syve e kemi, i rregullt është, ka një vit këtu, nuk i bie në qafë kujt”. Sekretari i partisë, Miço Toska, bashkë me disa të tjerë, megjithatë e morën vendimin për pushimin. Bardhi bëri padi e, i hodhi në gjyq në Fier, e fitoi. Ndërmarrja bëri kundërshtim në Gjykatën e Lartë. Kryetar ishte Aranit Çela, i cili e dha vendimin në favor të ndërmarrjes dhe i ktheu përgjigjen Bardhit: “Për arsye të germës Ç, nuk lejohesh të punosh aty”! Më vonë Bardhin e çuan në ndërmarrjen Rruga-Ura, aty ku e kishin arrestuar.
AKUZA E TRETË DHE E KATËRT
Një ditë në mëngjes erdhën e lajmëruan Bardhin, që duhej të shkonte te ‘Këndi Kuq’ i Ndërmarrjes së Përpunim – Drurit, se kishte mbledhje e, salla atje ishte e madhe. Përgjegjësi i asaj ndërmarrjeje, ishte kryetari i Këshillit të lagjes sonë, Fejzi Hoxha. Mbledhja bëhej me dyer të mbyllura, me ftesa, pa praninë e familjarëve. Tema e mbledhjes ishte: Bardhi!!! Aty u fol për aktivitetin dhe ndjenjat e tij, me gjuhën e nepërkës; kishin përgatitur 2-3 spiunë të radhës, njëri prej të cilëve ishte Viktor Deliu, i cili banonte në një lagje me ne, por jo aq afër. Viktori çfarë nuk kishte sajuar për Bardhin dhe foli ashtu siç e kishin mësuar “ustallarët”, ata që na kishin halë në sy. Bardhi, që kur kishte dalë nga burgu, nuk i fliste njeriu, sepse ishte “djegur” një herë, me 15 vjet burg.
Por Viktori e akuzoi: “Bardhi ka sharë shokun Enver, është agjent amerikan, ka lidhje me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun”. (Të dy kishin vdekur në atë kohë!) Kur ishte dënuar Bardhi 15 vjet burg, ata kishin qenë në pushtet, që e dënuan në moshën 29 vjeç dhe mbeti me 7 klasë shkollë e, që e pagoi me rininë e tij. Mbledhja zgjati dy orë e, si përfundim, Bardhin e lanë në arrest shtëpie! Kjo ishte akuza e tretë. Pa kaluar shumë kohë, në maj të ‘87-ës na lajmëruan se ka mbledhje në lagje për dy “armiq të rrezikshëm”! Nuk na shkonte mendja kurrë, se ata dy “armiq” ishin në shtëpinë tonë, ndonëse zemra e ndien të keqen. “Bobo, të shkretët ata, kush do jenë! Mjerë ata, për fatin e zi që i pret”!- thanë njerëzit.
Dezhurni i Këshillit erdhi prapë, e tha: “Bardhi me Xhevdetin mos të mungojnë, në veçanti”! Të gjithë në shtëpi u shtangëm, u tronditëm, në fytyrë na ra hija e mortjes, jo e verdhë, por e zezë, si fundi i kazanit, me të cilin zienim rrobat në zjarr. Mbledhja u bë me altoparlantë! Ishte hera e katërt kjo për Bardhin dhe e para për Xhevdetin! Im kunat, ishte pak ezmer e, kur dëgjoi emrin e tij, i ra një hije e zezë, si nata pa hënë në dimër. Të dy akuzoheshin; “si armiq, se ishin tepër të rrezikshëm”.
Oficerët dhe shefat e kuadrit, ishin “oratorët” e përgatitur për të folur, pa e njohur fare Xhevdetin, kurse Bardhi, ishte objektiv i tyre edhe më parë. Nga lagja nuk foli asnjë, vetëm na shikonin me keqardhje të madhe. Për çudi, qysh atë ditë, njerëzit filluan të na përshëndesnin pa frikë, vinin të pinin kafe dhe të na jepnin kurajo. Si përfundim, të dy vëllezërit, i lanë të lirë, deri në një vendim të dytë, që pritej nga lart.
U dha porosi e rreptë, që ata dy të mos lëviznin nga qyteti, pa lejen e Degës së Punëve të Brendshme. Pas mbledhjes u kthyem në shtëpi, por atë natë nuk kemi fjetur fare, s’na zinte gjumi. Masa e fundit ishte: “As edhe jashtë portës mos të dilnin”! Shtëpinë e kishim në anë të rrugës dhe Bardhi me Xhevdetin, kishin marrë një vendim; u ngritën herët, dolën në rrugë, gjetën një makinë dhe ikën për në Tiranë! Atë ditë kishte pritje për popullin në Komitetin Qendror, për ankesa. Në orën 8-të të mëngjesit, na erdhi në shtëpi një polic e, i kërkoi të dy: “Në orën 10-të, Bardhi e Xhevdeti, duhet të paraqiten në Degë”!
Vigjilenca ishte e madhe, spiunët i kishin sjellë informacionet në Degën e Brendshme. Në Komitetin Qendror të PPSh-së,, priste sekretari i Ramiz Alisë, një Zalo Guga, i cili kishte një shenjë në ballë. Ishte njeri për së mbari, me arsyetim të rrallë, i gjykueshëm për shumë bashkëvuajtës, si ne. Pasi i dëgjoi dy vëllezërit, ai u dha ca këshilla dhe mori në telefon sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë të Ferit, Pali Miskën. Zalo Guga e pyeti sekretarin: “Çfarë të dhënash keni, për familjen Cara”?
Si për çudi, ai iu përgjigj: “Nuk di gjë fare për këtë familje. Me këto gjëra merret Dega e Brendshme dhe Fronti. Dy vëllezërit u kthyen në Fier, disi të lehtësuar. Në Degën e Brendshme, ishte krye-operativ, një farë Luçi Çala, (??) detyra e të cilit, ishte të bënte vetëm keq. Sekretari i Ramiz Alisë, i nxori jashtë të dy, që të prisnin. Ai foli në telefon me dikë, se çfarë tha, të dy nuk dëgjuan gjë, pastaj i thirri brenda e, i tha Bardhit e Xhevdetit:
“Shkoni e vazhdoni punën, nuk do ju bezdisin më, vijoni me këto sjellje që keni dhe mos harroni këshillat e mia”! Nga varfëria, kishte plasur vjedhje e madhe në atë kohë! Ishin vjedhje ordinere: pula, zarzavate në bahçe, pemë dhe rroba të nderura nëpër tela. E vetmja shtëpi, që nuk njohu vjedhje asnjëherë, ishte jona. Kjo ndodhi, jo se hajdutëve u vinte keq për ne, por sepse rojet, ishin vigjilente natë e ditë, na ndiqnin kudo, si hiena, që janë kafshë tinëzare. Dhe rojet nuk ishin vetëm burra, por kishte edhe gra…! Në vitin 2002, një nga këta oficerë, nga fshatrat e Gjirokastrës, që kishte folur keq për Bardhin në gjyqin e lagjes, duke shprehur mendimin që duhej të merren masa edhe për familjen e Bardhit, pas shumë vitesh, e takuam në Kavajë, në një vdekje, që ndodhi në pallatin tonë. Ne e kishim komshi, kurse ai e kishte të vetin. Sapo na pa, foli vetë i pari:
“Nga jeni ju? Mos jeni nga Carat e Fierit”?
“Nuk e ke gabim, – i thashë e përmbajtur, – jemi nga Carat e Kavajës dhe më parë banonim në Fier. Përse po na pyet? S’na paske harruar fare, edhe pse kanë kaluar shumë vite. Kemi jetuar me një qytet bashkë, por jo në një lagje. Në atë kohë ti nuk na njihje, si propozove të na dënoje si familje në mbledhjen e lagjes?! Fole një herë keq për Bardhin, nuk mjaftoi kjo, por edhe në mbledhjen tjetër, fole prapë keq për Bardhin e Xhevdetin! Kur s’na njihje fare, ç’të shtyu të dilje aty”?! Kushëriri tij, kur i dëgjoi këto fjalë, iu kthye atij me turp:
“Çfarë na paske bërë, more! Ne kemi kaq vite këtu në Kavajë, për mua këta njerëz, janë si të shtëpisë, njerëz shumë të mirë”. Sa nuk i tha; “ti paske qenë spiun”! Kurse ish-oficeri i Partisë tha: “Kërkoj shumë falje, ju betohem, isha i detyruar. Me të vërtetë, unë nuk ju njihja fare, por kisha hallin e punës, se mos e humbja…! Por, prapëseprapë e humba edhe burrë i keq u bëra. Isha oficer! Më falni! Ju lutem, më falni”! Këta ishin “dëshmitarët” e Partisë së Punës, që dënonin njerëz të pafajshëm!
VDEKJA E BABAIT TIM
Siç ju shkruajta më lart, amanetin s’e tret as dheu. Më 15 mars 1985, më vdiq edhe babai. Prindërit e mi, e kishin lënë porosi për së gjalli: t’i vendosnin bashkë, në një varr. Babai im, Petro, ishte njeri i mirë, fisnik, tepër i urtë, i dashur dhe i ndershëm. Them se kishte këto cilësi, jo pse ishte babai im, po ishte me të vërtetë ashtu dhe për këto cilësi, e respektonin në Fier. Një ëndërr të shikonte për mua, dilte e më priste tek një rrugicë ku kaloja unë, ndonëse s’u shpëtonte syve të spiunëve. Lotët i kishte në sy, si me buton. Unë i thosha gjithnjë për ta qetësuar: “Baba, pse qan, unë jam shumë mirë, ti e shikon! Burrat nuk qajnë”! Atij i kujtohej dita që më kishte parë duke folur me vete dhe kisha marrë rrugën e Tiranës, për të shkuar në Komitet! Si fëmijë, edhe e rritur, i thoja nënës së shkretë, kur më pyeste: “Cilin do më shumë nga ne të dy”?
“Dua më shumë babanë”! Sa gabim kam bërë, që nuk i thoja nënës “Ju dua njësoj”! Koha si duket më “dënoi”, sepse edhe fëmijët e mi, thonin se; donin më shumë babanë se mua. Rrugica ku linda unë, ishte me komshinj shumë të vjetër dhe bashkë shkonim në harmoni. Më vonë, seç na erdhi nga gryka e Semanit një tip, që hyri kollovar, njeri negativ, që quhej Gori Vidhi, tamam mafioz! Vetëm gardhi na ndante e, në fillim shkonim mirë me të. E shoqja nuk ishte vajzë e asaj shtëpie, e kishin rritur të tjerë, për mëshirë, sepse i kishin vdekur prindërit. Ai njeri shtirej sikur, i vinte keq për ne. Punonte në një ndërmarrje, me vëllanë tim të vogël, Pavllon.
Sa herë që ky mostër më shikonte që takoja babanë, aq herë bëhej mbledhje në ndërmarrje, për tim vëlla, duke e akuzuar se i flet një armiku, se ka lidhje me armiqtë e partisë, etj. Pavllo kundërshtonte, duke thënë se nuk kishte takuar me mua, por asnjëherë s’e besonin. I besuari ishte Gori! Ishte infermier dhe nga të ligat që bënte, një herë një vajzë, i hodhi acid në sy për ta qorruar, por të ligun s’e gjen gjë! Kisha 25 vjet, që nuk flisja me Pavllon! Babai u sëmur dhe e shtruan në spital një javë, por unë s’e dija. Ai i kërkoi Pavllos që të më lajmëronte, donte të isha dhe unë në varrimin e tij, kur të vdiste.
“Shko thirre, – kishte ngulur këmbë babai, – të vijë patjetër në spital”! Pavllo i dha fjalën e në mëngjes erdhi më në fund tek puna ime. Pas 25 vjetëve, u takova me vëllanë e vogël! Ajo minutë, ishte shumë prekëse, lotët na shkonin si currila shiu. Sa njerëz që u ndodhën aty afër, mbetën si të ngrirë dhe lotët s’u munguan, kur panë atë skenë të përqafimit, vëlla e motër, pas një çerek shekulli! Vëllai më tha me lot në sy, që babai ishte shtruar në spital dhe më kërkonte. U trondita. Sapo dola nga puna, shkova në spital, tek babai.
Ai mezi po më priste e, sa më pa, filloi të qante. Kur pashë se sa i sëmurë ishte, qava dhe unë me dënesa, lotët nuk më pushonin dhe krijuan vijëza nëpër faqe. Babai, gjithë ato ditë, sa vinte e keqësohej, fliste me vështirësi. Ai me gjysëm zëri, i tha Pavllos:
“Pavllo! Ti flet me Sofijen”?
“Po, baba! – iu përgjigj ai. – Unë e lajmërova për ty”.
“Atëhere rroke në qafë motrën, që të shikoj me sytë e mi”! – foli me zor plaku, fytyrëçelur. Të dy u përqafuam, vëlla e motër, dhe babai u qetësua. Ah, ç’kohë e keqe kishte ardhë, kohë e poshtër! O kohë e pamëshirshme, që nuk ngurove të ndaje prindërit me fëmijët, vëllanë nga motra! S’ kishte ku të shkonte më keq se kështu! Babai i tha Pavllos:
“Jepi çelësin tonë të shtëpisë, që të shkojë ta rregullojë”! Sikur ta dinte që ishin ditët e fundit të jetës. Pavllo ishte i pamartuar, nëna kishte shtatë vjet që kishte vdekur, Olimbisë, motrës sime, i kishte rënë një barrë e rëndë, që nga koha kur u sëmur nëna e, në vazhdim. Ajo, jo vetëm që ishte tetë orë në punë, por duhej të kujdesej për familjen, për burrin dhe tre fëmijët, babanë e vëllanë. Kështu që ime motër, pati një lodhje të madhe, sepse unë nuk hyja fare atje.
Pas 25 vitesh ndarjeje, hapa derën dhe ndjeva erën e ëmbël të shtëpisë, ku kisha lindur! Përvesha mëngët, pastrova, lava dhe vura çdo gjë në vendin e vet. Pavllo, ditën punonte, kurse natën rrinte me babanë në spital. Ka qenë 14 mars, duke u gdhirë 15 mars 1985, kur i thashë vëllait: “Pavllo, sonte do të rri unë me babanë në spital”. Ai, megjithëse ishte i lodhur, më kundërshtoi e më tha se do të rrinte vetë; por babai ia bëri me kokë, gjysma-gjysma, sikur të thoshte: “Le të rrijë Sofija”! Kisha 25 vjet, që nuk kisha qëndruar një natë me babanë, ajo qe nata e parë dhe e fundit, që qëndruam bashkë.
Në mëngjes Pavllo erdhi shpejt e më tha: “Ti tashti ik, se e ke punën larg e, do të vonohesh”! Ajo natë do të mbetet e paharruar për mua; vëreja që babai donte shumë të më fliste, më lëmonte flokët, duart e mija, nuk u ndanë gjatë gjithë natës nga të tijat e, lotët nuk pushuan. Kur po ikja në mëngjes, e përqafova dhe e putha fort me shumë dhimbje. Ai më shtrëngonte duart, me ato forcat e fundit që i kishin mbetur, e putha prapë e ai më puthi dorën e, nuk po ma lëshonte. Unë e zeza, nuk e kuptova ç’deshi të më thoshte ashtu dhe, si e putha prapë, i thashë:
“Baba, në darkë do të rrimë prapë bashkë, unë do të shkoj të marr leje tek puna ,e do të vij”! Kur u ndamë, atij i rrëshqitën ca pika lot nëpër faqe; ia fshiva ato, por ai mezi ma lëshoi dorën, pastaj ma tërhoqi prapë, sikur donte të më thoshte: “Mos ik, Sofi, se edhe 20-30 minuta jetë më ka ngelur! Mos ik…”! Zëri i tij ishte i thellë e. mezi dëgjohej. O zot! Si nuk e kuptova atë vështrim, ato shtrëngime të duarve, që të rrija edhe pak me babanë tim! Dhe ika në punë. Por mendja më punonte në skenën që më dilte para syve: babai, që e lashë në atë gjendje! Sapo arrita tek puna, i thashë magazinierit të më vinte lejen e zakonshme, sepse babanë e kisha shumë të sëmurë. Ai më tha me keqardhje:
“Ti shko në spital dhe kujdesu për babanë, të tjerat këtu i rregullojmë ne”! Minutat fatale kishin fluturuar e, kur po dilja tek porta e jashtme e punës, më dhanë lajmin e hidhur: babai kishte vdekur dhjetë minuta, pasi kisha ikur unë! Ah, qaja përbrenda, prandaj ma shtrëngonte dorën, që të mos të ikja! Si nuk e kisha kuptuar?!
Babanë e qava dhe e varrosa. Njerëzit më shikonin me keqardhje; këtë radhë ma dhanë dorën, më ngushëlluan, por shumë ftohtë. Siç shkruajta më lart, amanetin e tyre, që t’i varrosnim bashkë, e çova në vend. Por na ndodhi një çudi: Kishin kaluar shtatë vjet nga vdekja e nënës, por, kur ia hapëm varrin, për të varrosur aty edhe babanë, trupin e saj, e gjetëm të paprishur! Atëhere m’u kujtuan fjalët e saj të fundit: “Nuk më tret dheu për Sofijen”! Dhe vërtet, nuk e kishte tretur dheu!
Më 15 mars 1985, më la dhe babai. Por më dukej sikur ai ishte akoma gjallë, më jepte kurajo, më ngushëllonte, më jepte forcë, më mbështeste, dilte gjithnjë të më takonte. Një ëndërr gënjeshtare të shikonte, do të vinte me vrap të më takonte. Sofi, më thoshte, me sytë e bukur, të dua shumë, krenohem me ty! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016