Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e njëzetekatër
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Do kalonin rreth njëzetetre vjet nga kjo ndodhi. Tashmë erërat e reja të demokracisë, kishin tronditur thellë themelet drobitura të Shqipërisë komuniste, po ndërkaq kishin zgjuar shpresat e topitura në zemrat e popullit të shumëvuajtur dhe sidomos, ngrohën shpirtrat e të burgosurve politikë. Të fundit e tyre, u liruan nga burgu i Kosovës së Lushnjes, nën thirrjet e pareshtura të studentëve të dhjetorit dhe të Partisë Demokratike e, me presionin e Komunitetit Ndërkombëtar.
Me rënien e gurit të fundit të dominosë në Europë, ne të dënuarit e mbetur gjallë, u vumë në lëvizje të krijonim Shoqatën Kombëtare të ish-të Dënuarve dhe Persekutuarve Politikë të Shqipërisë. Si një nga më të rinjtë e të burgosurve të vjetër të viteve gjashtëdhjetë, tani në moshë madhore, me apelin e miqve të mi të shkuar në moshë, po sidomos të fëmijëve të atyre që tashmë s’rronin, u angazhova për t’i përfaqësuar në këto takime. Me entuziazmin e lirisë, u përpoqëm maksimalisht të ishim sa më të dobishëm në këtë nismë. Këto muaj m’u desh të takoja’ shumë ish të dënuar të vjetër e të rijnë, mes tyre edhe nga ata që kishin mbajtur qëndrim jo korrekt në burgje.
Por gjithsesi, kish mbërritur koha e Faljes së Madhe. Në vigjilje të triumfit të demokracisë më 1991, u arrit të mbahej Kuvendi Themelues i Shoqatës Mbarëkombëtare të ish-Dënuarve dhe të Persekutuarve Politikë të Shqipërisë. Në sallën e pallatin të sportit “17 Nëntori”, (sot pronë e kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë), s’mjaftonte vendi. Takimi ishte menduar të zhvillohej në Pallatin e Kulturës, në qendër të Tiranës, po pjesëmarrja shumë e gjerë, me një numër të pa parashikuar, bëri të shtyhej disa orë dhe të gjendej një vend më i përshtatshëm.
Mijra dhe mijra njerëz, sa asnjëherë tjetër, u derdhën atë ditë atje, disa mijra të tjerë mbetën jashtë dhe mbi populluan “Rrugën e Kavajës”. Vetëm vizita e pritshme e Sekretarit Amerikan të Shtetit James Bejker, arriti të grumbullonte kaq shumë njerëz në shesh. Kjo prezencë masive, tregonte Se sa ishte numri real i të goditurve nga sistemi komunist dhe se sa thellë i kish shtrirë tentakulat e luftës klasore në shoqërinë e kalbur, komunizmi shqiptar.
Në përfundim të takimit, në shoqërinë e ca miqve të mi, u nisëm drejt qendrës që të pinim një kafe kremtuese, për ngjarjen e veçantë. Isha me Osman Kazazin, Tanush Kason, Pjetër Arbnorin, (në atë kohë deputet i dalë nga zgjedhjet e para të 31 marsit), me Agim Mustën, Eqerem Kavajën, e tjerë. Ngado shihje vetëm grupe ish-të burgosurish, që takoheshim të përmalluar, mbas shumë vite ndarje. Afër Bankës së Shtetit, dikush më thirri në emër, u veçova paksa nga grupi dhe iu drejtova personit që priste në këmbë. Para më rrinte një plak i rrëgjuar, i pakët e i dobët, i mbledhur e i kruspullosur nën një setër të gjerë, me një kapele strehë-shtrirë në kokë, që bënte t’i dukej edhe më e vogël nga ç’e kish në të vërtetë. Figura e drobitur, s’po më sillte ndërmend askënd, po për kortezi i zgjata dorën miqësisht.
Padyshim, duhej të ish ndonjë i njohur i harruar nga distanca e viteve! – “Si je me shëndet”? – e pyeta pa përmendur emër. Në të vërtetë, s’po më binte në hatër, as fytyra, jo më emri. – “Mirë, shyqyr Zotit, jemi gjallë! Eh, me ato që hoqëm ne, t’i gëzohemi kësaj dite! Shokët tanë janë harruar me vakt”! Kur fliste, sytë i lëvrinin në të gjitha drejtimet, veç fytyrës sime. Vetëtimthi një perde m’u ç’rrudhos në tru, shikimi i papërqendruar e grisi retrospektivën e viteve. Lidha shpejt ndriçimin e beftë të atyre bebëzave, me fytyrën dhe zërin e sakaq, m’u kujtua emri:
– “Qenke gjallë!? – thashë i çuditur që po e takoja. – S’e mendoja se do merrje kurajën të vije këtu”! – shtova. – “Or zoti Shkëlqim, unë erdha dhe do vij sa herë të zhvillohen aktivitete me ish-të burgosurit politikë, përsa kohë të kem frymë. Këtu është vendi im! Unë e urrej komunizmin e, atë regjim qensh! Kam shumë më tepër arsye, se ju të tjerët! Vërtetë, ju humbët rininë, ca të tjerë edhe jetën në burgje! Po unë humba dyfishin tuaj, humba gjithë ç’kisha”! – sytë nisën t’i lotonin, përgjatë rrudhave si nëpër ca hulli, rrëkeza lotësh rridhnin dhe i kullonin nën mjekër.
S’di pse u ligështova atë çast, asnjëherë më parë s’isha lëshuar në atë far feje. Mbase më ish dobësuar zemra, mbase dufet e heroizmave të viteve të shkuara, ishin davaritur me eterin. Ajo përulësi ekstreme, tkurrje, fishkje, rrudhje, po edhe krenari e rilindur, sikur përçonte dobësitë njerëzore te atyre kohëve të vështira, si një monument kujtese, që përfaqëson vuajtjet e shkuara. M’u rikthye në memorie takimi dhe huri që kish ngrënë në emrin tim. Isha gati t’i kërkova falje.
Po duket, ai e kish ruajtur inteligjencën, e kapi dilemën dhe ndërhyri: – “Me këtë rast, doja t’ju kërkoja falje, ty dhe të tjerëve që me dashje, apo pa dashje, ju kam shkaktuar andralla. Por njëkohësisht, dua t’u bej një apel: asnjëherë mos i harroni njerëzit si unë! Ne mbetemi viktimat më të përvuajtura të atij sistemi! E urrejmë dhe do ta urrejmë dyfish komunizmin dhe Sigurimin e Shtetit! Mbas njëzetë viteve burg, unë humba rininë, po humba edhe nderin! Njëherësh me të, edhe të drejtën për të gëzuar dashamirësinë e dhimbsurinë e bashkëvuajtësve të mi”! – dhe u plandos i shkrehur, drejt e mbi trotuar. “Do jetë i drobitur nga qëndrimi i gjatë në këmbë apo, sëmundjet e kanë rrënuar”; kështu mendova atë çast, por sërish isha i gabuar.
Ndodhi ajo që as e kisha shkuar kurrë nëpër mend, ai burrë i vjetër, iu lëshua këpucëve të mija dhe me dënesa të zgjatura përsëriste: – “Më fal! Më fal! Nuk e di ç’duhet të bëj më tepër, të meritoj faljen e bashkëvuajtësve të mi”! Më preku thellë ky gjest, u përpoqa ta ngrija, por ai vazhdoi me insistim në të vetën. Dikush që kishin ndjekur skenën, iu afrua dhe diç i foli, po unë i trullosur siç isha, s’arrita ta kapja dhe mandej m’u drejtua mua:
– “Fale, or burr, ky ka pësuar çekuilibër mendor. Një muaj rresht, më zinte cepin e rrugicës së shtëpisë dhe përsëriste të njëjtin avaz; ‘Më fal, më fal’! dhe unë e fala. Po, jo vetëm unë, të gjithë elbasanllinjtë e kanë falur”. Sakaq, si në pelikulat retro, të vjetra sa gjithë koha e vuajtjeve së bashku; m’u fanitën të gjalla, fytyrat e miqve të mi të ndjerë, atyre pleqve të nderuar që sakrifikuan gjithë ç’mundën, për të më ruajtur nga ky dhe skota e tij.
M’u shfaqën imazhi i Muharrem Dylit, që s’rronte më, ashtu kokorroç gjithë muskuj dhe nerva si ishte asokohe, me duart tërë kallo e nyje; Dilaver Minxhai, infermieri cinik i kampit të Repsit, me çantën prej lëkure kau të vjetër, që edhe ai prej vitesh kishte ndërruar jetë, gjithashtu më tingëlluan në vesh termat koncize të xha Dautit dhe Sulua, që nëmte; “Larg, tutje!”
Po të jetonin sot, si do vepronin vallë, a do t’a falnin?! Po, padyshim, do ta kishin falur! Sepse trimat falin dhe ata ishin trima, frikacakët të hanë pas krahëve dhe ky ishte frigaç! “Je i falur nga ne”! – i fola në shumës; guxova atë moment të përfaqësoja e ne ata që s’rronin më. E kapa nga të dy krahët, e ngrita në këmbë. Me sy drejt qiellit si në ekstazë, pëshpëriste fraza pa lidhje:
“Qelbësirat, donin edhe nderin! P-p-tuuh lanetër, merreni! S’ka ç’ju duhet! Po zemrën, s’ua dhashë, ama! Këtu kam mbyllur njeriun, që s’ma morët dot”! – me dorën e mbledhur grusht i binte kraharorit në anën e majtë. – “Këta janë burra bese, dinë të falin! O Zot, edhe unë jam me burrat”! Lotët i pushuan, fytyrën tej-e-tej, ia përshkoi një buzëqeshje gëzimi, rrudhat e thella si brazda pluari, sikur iu dystuan. Ndoshta ndjente rilindjen shpirtërore. Edhe pse me shumë vonesë, e gjente veten pjesë të pandashme në grupin e bashkëvuajtësve, nga ku e kishin larguar pa mëshirë, para tridhjetë vjetësh.
Personaliteti i rrënuar, kërkon paterica shpirtërore, për t’u rimëkëmbur. Ku mund të gjesh domethënie më kuptimplote, të mbijetesës ndaj dhunës, se sa te të rrëzuarit që përpiqen të ri-ngrihen? Diktatura e shndërroi njeriun në shtazë, demokracia i riktheu dinjitetin! Tashmë, qenia e arsyeshme, kishte triumfuar mbi shtazën tru shpëlarë komuniste. U ndjeva i lehtësuar që fala edhe në emrin e të tjerëve. Mbase me këtë veprim, iu lehtësoja edhe atyre barrën e dheut, që iu rëndonte mbi eshtra.
U ndava me ish spiunin e penduar dhe që nga ajo ditë s’kam dëgjuar të flitej më për të. Sidoqoftë, edhe në pastë ndërruar jetë, do ketë fluturuar për në amshim, i lehtësuar nga barra e tjetërsimit moral që ja imponuar dhunshëm. E kishte paguar dobësinë e vet, me çmimin më të shtrenjtë, nderin; e shpagoi me urrejtjen ndaj atyre që ia grabitën. Gjithsesi, gjeti forca të ringjallej nga hiri i rrënojave amorale komuniste! Ndaj nuk ja përmenda emrin. Gjete rahmet!
Gjatë viteve të para të demokracisë, kur si pjesëtar në komisionit për dhënien e statusit të ish-të përndjekurve politikë, kam patur rast të takohem dhe të bisedoj shpesh me disa syresh dhe kam nxjerrë konkluzionet e mia, të cilat do t’i pasqyroj në këto refleksione, në një kapitull më vete.
Ditëlindja në burg
(Edhe në FERR ka jetë!)
Po kapja muajin në Reps. Çdo ditë e re më përplaste me realitetin e ashpër. Atje s’ndodhte asgjë me rëndësi të veçantë që të mund të ngulitej në kujtesë; ngado mbretëronte dhuna, uria dhe mundimet paskaj. Pra’ përjashto të përditshmen, asgjë apo pothuaj asgjë! Ky vend tmerri, s’prodhonte lajme të freskëta, veç ca thashethemeve, heshtjes, harresës dhe hiçit.
Brenda hapësirës me tela gjembaçë, të rejat vjetroheshin shpejt, sepse gjithë ç’kishe për të mësuar, e mësoje në pak kohë dhe s’të mbetej tjetër, veçse të vegjetoje i kushtëzuar dhe i limituar në konturet e këtij mjedisi statik. Ambientimi me njerëz të panjohur, me dialekte të pakuptueshëm, me larmi idealesh dhe prejardhjesh të ndryshme sociale, me aspirata të ndryshme, me virtyte personale, po edhe disa me vese të papranueshme për shumicën, ishte torturë e pakapërdishme shpirtërore, që gjithsesi duhej suportuar dhe përtypur me durim.
Në kushtet e kafazit ku ndihesha i ndryrë për të shtyrë vite të tëra robërie; të mësuarit me rregulloren e brendshme strikte dhe me një orar veprimesh pothuaj ushtarak, të papraktikuar më herët në përditshmërinë time, në fillim më krijoi idenë e ndryshimit, por me kalimin e javëve, meqë çdo ditë përsëritej avazi bezdisës i ditës së shkuar, si surretërit e shtrembët në një fotokopje të shëmtuar, ideja e ndryshimit të pritshëm, që s’ndodhte kurrë, të kthehej në mërzi të murrme rutinore.
E nuhata shpejt se do më duhej të akomodohesha në atë cirk satanik, ndaj duke përfituar nga ndihmesa e më të vjetërve, fillova ndërkaq praktikën e përshtatshmërisë. E ndjeja se do më duhej të shtyja ditë-netët, mes asaj monotonie zvarrguese, si një fshikëz larve në sqepin e zogut. M’u desh të paqtoja ndërgjegjen me mendimin, se asgjë e paprogramuar s’pritej të ngjiste mbi atë thërmijëz globi, të mbështjellë disa fish me meridian dhe paralele telash gjembaçë, e qarkuar me karakollë e me ushtarë të armatosur deri në dhëmbë e, me qen nuhatës.
Të vetmit shkaqe që mund të prodhonin ngjarje aty, ishin rastet kur çirrnin veshët ulërimat e thekshme të ndonjë fatziu të lidhur pas shtyllave elektrike apo breshëritë e zgjatura të mitralozave, kur qëllonin ajër, po shpesh edhe në mish. Si ngjarje regjistroheshin edhe ditët, kur auto-burgu sillte të dënuar të apo merrte të sëmurë, po këto ishin momente fluide sepse, kurioziteti shuhej në çast dhe monotonia gjakonte më kobshëm se më parë.
Mes atij mjerimi pacak, askujt s’i binte ndër mend të përkujtonte data të gëzueshme apo jubilare, si datë-lindje, martese, vdekje, etj., etj., përveçse përcillje ato në subkoshiencë. Po edhe kjo, nëse të binte në hatër sepse zakon, mes gërbulës ku frymonim, gjithkush vrisje trurin të shpikte metoda të papërdorura më parë, si e si t’i shpëtonte ndëshkimit fizik apo, të siguronte një thërrmijëz ushqim më tepër edhe për një ditë mbijetesë të gjatë. Rrallë mund të punonte fiqiri për gjera të bukura. Edhe vet s’u kujtova, se në një ndër ditët e dhjetorit, mbushja shtatëmbëdhjetë vjeç.
Po, ç’të kujtoja më parë? Qysh sa mbaja mend, s’kisha gëzuar kalendar, ma kishin zeruar të shkretin! Gjithë muajt m’i kishin fshirë! Edhe ditët m’i shkrinë në një datë dhe mbi të vunë një njollë të zezë. Poshtë kësaj njolle sterrë, lexohej: 11.08.1968 dhe mbas saj vija dhe vija, dhe vija pa identitet, strërpërdredhura si arabeska të padeshifrueshme hieroglifësh. Më detyruan të numëroja plotë gjashtëdhjetë muaj, dyqindedyzet javë ose njëmijë e tetëqind e njëzet e tetë ditë identike, dhe vetëm në fund të këtij varg natë-ditëshi të gjatë, mund të shpresoja për një datë të pritshme, por edhe kjo mund të mbërrinte nëse do ta kisha kismet.
Më kishin stampuar një identikët të shkarravitur, pa surrat origjinal, pa tipare të qarta dalluese, thjeshtë një numër të thatë. Pra, ma kishin vrarë moshën! Në kundërshtim me ligjet e universit, jashtë çdo logjike njerëzore, në oponencë me vullnetit tim, më katapultuan nga adoleshenca në burrëri, madje, në pleqëri të shtyrë, do të thoshja. Më kançeluan vitet më të bukur të rinisë. Më kishin vënë damkën e armikut dhe më mbyllën në karantinën e “lebrozëve” politikë. Përfundimisht, m’i shkërmoqën ëndrrat! Por ajo që s’m’u kujtua mua, s’i shpëtoi Ladit, shokut me të cilin me dënuan në grup. Ai, që nga procesi hetimor e kishte fiksuar datën dhe këtë ua kishte treguar edhe miqve tanë, pleqve.
Natyrisht, pa dijeninë time ata përgatitën surprizën. Kur u kthyem nga puna mbas orës katër, njëri nga fqinjët pleq (që s’më kujtohet, në ishte xha Esherefi apo Vaska), më tha se na priste Daut Runa për drekë. Atë çast mendova se dikush nga familjarët do t’i kish ardhur në takim dhe për raste të tilla, organizohej ndonjë drekë e vogël, me më të afërmit për të konsumuar bashkërisht ato pak ushqime, që i kishin sjellë. Të ishe pjesëtar në një drekë të tillë, do të thoshte të të respektonin veçan të tjerëve. Ndaj, kur e gjeta veten në rrethin e afërt të miqve të tij, u ndjeva i përkëdhelur në sedër. Kështu, s’e vrava më gjatë të hamendësoja shkakun, po lugën në brez e, drejt e te xha Dauti. Atje, rrotull nja dy tenxhereve të zeza s’krromë, kishin zënë vend edhe gjashtë a shtatë të tjerë.
Diku andej nga fundi, u ula edhe unë. Më kish marrë uria, orët e zgjatura të punës dhe acari dimëror mirditor, kishin dhënë efektin e tyre. Era e fasuleve dhe e mishit pastërma, më giciloi hundët, instinktivisht goja po më çonte lëng. Aroma e këtyre erëzave pikante, më përforcuan bindjen se familjarët do e kishin vizituar plakun, u gatita të pyesja për shëndetin e tyre. Por xha Dauti, duket e nuhati sikletin tim, i mbështetur mbi gjunjë, me një çapë buke në dorë, m’u drejtua:
– “Gëzuash, or djalë! Paç faqen e bardhë dhe fatin e mbarë! Perëndia të ruajt dhe më paç uratat! Edhe njëqind të tjera, por në liri”! – dhe futi lugën i pari. Mbeta pa gojë, çudia më topiti! Atë që unë e kisha harruar, ma kujtuan ata! Po më merreshin mentë, s’e kisha imagjinuar se dikush do shpenzonte, për të festuar ditëlindjen time, pa vënë vetë asnjë harxh. Por edhe të doja, s’kisha me ç’të festoja, pasuria ime e momentit, përmblidhej vetëm te racioni i bukës e, tasi me lëtyrë preshi e lakrash. Kur të pranishmit vunë re hutimin tim, dikush m’u drejtua: – “E paske humbur, or bir”?! – “Po”! – ia ktheva.
Fundja, as doja ta dija ç’datë ishte! E ç’rëndësi kishin datat për mua? Kur unë s’kisha më ditëlindje, po vetëm ditë-arresti! Fletët e kalendarit i kish zëvendësuar një fletë-arresti dhe i kish mpleksur keqas. Ditët, muajt, vitet, ishin trazuar mos o zot! Por edhe të isha kujtuar, kush do ta merrte guximin ta festonte aty, mes asaj skamje ekstreme, ku na kishin kllaposur. Kur një tas supë, barazohej një ditë jetë!
Se si ia dolën pleqtë, të siguronin gjithë ato ushqime, kur qëmtonin edhe thërrimen e bukës që binte përdhe, një zot e di! Këto përsiatje ma prenë urinë, po s’pata kohë ta tirja më gjatë, sepse të tjerët mbaruan urimin dhe muarrën lugët. Mbeta memec, s’po gjeja ekuilibrin mendor dhe as fjalët e duhura të falenderoja këta njerëz të mirë. Pëshpërita një “faleminderit, jua shpërblefsha për të mira dhe në gëzime”, ndërsa me zemër i urova njëmijë here, më tepër për përkujdesni e pamenduar.
Vetëm në burg, s’prisja të ndodhnin mrekulli! Gjithsesi, çudia ndodhi pikërisht atë ditë, më 23.12.1968. Nëse do gjindesha në kushte të tjera, mbase edhe do isha kujtuar të festoja shtatëmbëdhjetë vjetorin, me familjen apo me miqtë. Shtatëmbëdhjetë vjeç, është moshë goxha e bukur, një kapërcyell periudhe, kur nga adoleshenca e vonë, futesh në djalërinë e hershme dhe nis të të ndrisin qimet.
Edhe mua, më ishin nxirë paksa mustaqet nën hundë, ca fije të zeza në mjekër dhe natyrisht basetat ishin sterrosur e zgjatur. Adoleshentët mendojnë se janë të rritur, pra më dukej vetja burrë i madh. Dikur shtatëmbëdhjetë vjeçarët, mund të kenë marrë përgjegjësi mbi vete. Po jetonin në kohë të tjera, në një brezni tjetër…! Gjithkund fatkeqësitë do ta ndiqnin pas brezin tim; që i ra për hise të vetëquheshin “revolucionarët e rinj”. Përfaqësues të këtij brezi, do vulosnin në ballë damkën e turpit, do ngrinin mbi shpatullat e brishta luftën famëkeqe “kundër zakoneve të vjetra prapanike”, siç u quajtën me përbuzje, traditat shqiptare.
Natyrisht, po këtij brezi do t’i ngarkohet shkatërrimi nga themelet i objekteve të kultit, teqeve, kishave, xhamive dhe tërë trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shekujve. Do t’i faturohet përndjekja deri në herezi, e fetarëve paqësorë. Nga ky brez do dilnin “berberët” me gërshërë dhe brisqe në duar, që do qethnin dhe rruanin mjekrat e hoxhallarëve dhe priftërinjve; do dilnin sigurimsat e ardhshëm, ata që pa brehjen më minimale të ndërgjegjes, do përlanin ç’t’iu delte para, do eliminonin edhe ata pak elementë bartës të kulturës tradicionale, që kishin mbetur.
Ky do ishte brezi pa fëmijëri, pa rini, pa burrëri, pa skrupuj, pa nder, pa dinjitet! Që në moshën më të njomë, iu mësuan të thirrnin më parë; “Parti- Enver”, sesa; “nënë e baba” dhe pak më vonë, në shkolla iu mësuan si të sakrifikoheshin për revolucionin botëror, si të mohonin nënë, baba, motër, vëlla, gjithë të afërmit, për një ideal utopik. Mandej pak më të rritur, pjesës më të madhe iu varën në qafë nga një shami, iu dhanë në dorë nga një kazmë e një lopatë dhe i nisën aksioneve të rinisë, në hekurudha apo rrugë automobilistike strategjike. Atë që një staliniesk mund ta bënte për një ditë, njëmijë aksionistë, s’e bënin dot as për një muaj, po synimi s’ishte rendimenti, po edukimi komunist.
Atje niste gara e smirave me njeri tjetrin, nën syrin survejues të Partisë, promovonin vlerat kolektiviste. Gjithkush përpiqej të rrëmbente dhe të vinte mbi thilenë e xhaketës sa më shumë “S”, pa e kuptuar se një ditë këto “S”, do t’i shndërronin nga “sulmues” në “spiunë”. Pa, po, se kujt i lindi ideja të sillte nga Kina disa tonë stema e distiktiva me portretin e “krietarit” Mao dhe më pas, “udhërrëfyesit” Enver e, t’i nxitën të rinjtë pas këtyre shëmbëlltyra shëmtaraqe, saqë pa mësuar A.B.C.-në, nxunë lojën e stërkëmbshave.
Për t’i edukuar dhe kalitur si revolucionarë të vërtetë këta “S”-piunë të ardhshëm, botuan dhe hodhën në qarkullim në miliona e miliona kopje “veprat” e klasikëve marksistë-leninistëve e, të “krietarit” Mao, e më prapa të klasikut mbi klasikët, Enverit. Aq i çoroditën mendjet e rinisë me këto lëvere, sa për të përfituar stimul një “xhevair” të tillë, djali apo vajza ishin gati të denonconin edhe babanë, madje ta mohonin krenarisht atë, para mexhilisit.
Pjesës së mbetur iu dhanë po kazmat e lopatat, po në dallim nga të parët të dytët, s’luftonin për “S”-të, po për mbijetesë, internimeve në moçale dhe këneta, në kodra e male, në gurore e miniera; për një krodhë bukë, për një palë pantallona doku e një këmishë taftaje në vit. Veçanërisht pjesës që i përkiste shtresa sime, s’iu dhanë as shansin, si gjithë fëmijët e botës, të shijonim etapat e rritjes, të kapërcenim normalisht fazat e zhvillimit, nga fëmijëria, në adoleshencë, nga adoleshenca në djalëri, e me radhë, por i detyruan të kacavjerren në turra-vrapin çmendurak të kohës së hallakatur, nga fëmijëria në burrëri dhe jo pak, direkt e në pleqëri. Mes këtyre të fundit renditesha edhe unë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016