Nga Dr. Uran Butka
Pjesa e parë
Memorie.al / Shpallja e vetëqeverimit të qarkut të Korçës më 10 dhjetor 1916, kishte shkakësi historike, rrezikun e aneksimit të tij nga Greqia, para Luftës së Parë Botërore, gjatë dhe pas saj. Këtë tezë dua të argumentoj në këtë shkrim timin. Siç dihet, përgjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912 dhe më pas, qarku i Korçës dhe i Gjirokastrës, u pushtuan nga ushtria greke, e cila vendosi një regjim ushtarak, që bashkë me andartët dhe bandat kriminale të sjella nga Kreta dhe “batalionet e shenjta”, kryen gjenocid ndaj popullsisë shqiptare, në vitet 1913-14, siç janë masakrat e përgjakshme në fshatrat kufitare të Kolonjës e të Leskovikut, ajo e fshatrave të Kosinjës në Përmet, ku u therën 75 shqiptarë, mes tyre 27 fëmijë, ploja e Panaritit, 10 korrik 1914, ku u masakruan 374 njerëz të pafajshëm, si edhe shpërnguljet e dhunshme të popullsisë të trevave të Kolonjës, Korçës, Devollit, Përmetit, Skraparit, Gjirokastrës drejt bregdetit, sidomos në krahinën e Vlorës.
Bilanci i të vrarëve dhe të masakruarve arriti në 7000 frymë, 192 fshatra të djegur, më se 100.000 njerëz të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre , nga të cilët 4000 vdiqën nga uria dhe tifoja, përveçse shkatërrimeve të mëdha materiale, djegiet e shtëpive, rrëmbimin e bagëtive e të pasurive. Një pjesë e këtyre barbarive janë paraqitur nga prifti ortodoks shqiptar Papa Kosta Tomorri Leusa, në librin “Barbaritë greke në Shqipëri”, botuar në vitin 1917, pikërisht në ditët e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës.
Përpos pushtimit ushtarak, në Korçë u vendos edhe regjimi civil grek, në krye të të cilit qëndronte qeveritari Argjiropulos. Greqia nuk hiqte dorë nga përpjekja për të aneksuar jugun e Shqipërisë, të ashtuquajtur “Vorio-Epir”, në kundërshtim edhe me vendimet e Konferencës së Londrës, të 29 korrikut 1913 dhe protokollin e Firences për përcaktimin e kufijve jugorë.
Fuqitë e Mëdha, në notën e 31 janarit 1914 drejtuar qeverisë greke, kërkonin largimin e ushtrisë greke nga Korça e Gjirokastra, si kompensim i dhënies së Greqisë të ishujve të detit Egje. Nën presionin ndërkombëtar, qeveria greke, më në fund pranoi të largonte ushtritë nga qarku i Korçës, duke përfunduar evakuimin më 1 mars 1914. Më 2 mars, hynë në Korçë forcat e gjindarmërisë shqiptare me oficerët holandezë në krye. Në Korçë u vendos një administratë shqiptare, nën vartësinë e Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve dhe një korpus vullnetarësh shqiptarë nën komandën e Themistokli Germenjit.
Pikërisht në këtë kohë, nisi dredhia e politikës greke, për ta marrë kalanë nga brenda. Më 2 mars 1914, ditën që forcat shqiptare hynë në Korçë, u shpall në Gjirokastër e ashtuquajtura “Autonomi e Vorio-Epirit” nga Zografos, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë, i cili krijoi edhe një qeveri të përkohshme kukull, ku merrnin pjesë edhe ish-funksionarë të lartë dhe peshkopë grekë. Për të mbështetur Zografon, zbarkuan në Sarandë bandat e ardhura nga Gjiriti, si edhe kontingjentet vendase të rekrutuara te Ierollohitët.
Disa ditë më pas, majori i ushtrisë greke Spiro Milo, shpalli “autonominë e Himarës”, që përfshinte 7 fshatra të banuara historikisht nga shqiptarët. Autoritetet civile greke dhe ushtarake greke, të mbështetur edhe nga Kisha greke në Korçë, aktivizuan andartët dhe banditë të sjellë nga Greqia, që zëvendësuan ushtrinë e rregullt greke dhe organizuan një kryengritje brenda në Korçë, duke e kombinuar me mësymjen nga jashtë, për t’i treguar botës se atje ishte Greqi dhe se popullsia e Korçës donte bashkimin me Greqinë.
Kështu u organizua puçi i 2 prillit 1914. Skenari ishte ky: një kryengritje nga ushtarët grekë, të veshur civilë si edhe të andartëve, të fshehur në Mitropoli, në spital si të sëmurë, nëpër shtëpi e gjetkë dhe të ierollohitëve vendas (elementët grekomanë). Peshkopi grek Germanos, u ra kambanave të kushtrimit, si edhe njoftoi ushtrinë greke, që të ndërhynte për të “shpëtuar” vëllezërit në Korçë, pra një kombinim i puçit nga brenda, me ndërhyrjen ushtarake nga jashtë. Puçistët e armatosur dolëm në mesnatë nga vendet ku ishin fshehur, atyre u erdhën edhe andartët që ishin vendosur në Devoll dhe bashkërisht pushtuan ndërtesat publike, si edhe hyrjet në qytet.
Lufta më e rreptë u zhvillua në prefekturë. Forcat e xhandarmërisë shqiptare të komanduara nga oficeri holandez G. Sneller, “Korpusi i Vullnetarëve” të Korçës, i komanduar prej Themistokli Gërmenjit dhe forcat vullnetare të Kajo Babjenit nga Gora, si edhe të batalionit të Kolonjës, të komanduar nga Gani Butka, bashkë me kapitenin amerikan Spenser, i thyen kryengritësit pas katër ditësh luftimesh dhe arrestuan peshkopin Germanos, e krerë të tjerë të puçit, të cilët i dërguan në Elbasan.
Profesor Simonard, në librin “Sprovë mbi Pavarësinë e Shqipërisë”, shënonte: “Ngjarjet që do të pasojnë dhe që janë rrjedhojë e këtyre dredhive dhe të atyre që kemi përmendur më parë, në të vërtetë duhet të konsiderohen si kryengritje të rreme, jo të rrënjosur në ndjenjën e thellë popullore: por grekët ditën ta vërtisnin aq mirë versionin e rezistencës spontane, sa që problemi u kthye përmbys”!
Ndërkohë ushtria e rregullt greke kishte kaluar kufirin nga ana e Leskovikut dhe ishte nisur për në Korçë. Përpjekja e parë e përgjakshme, u bë në Qafën e Badrit. Atje luftoi trimërisht Qani Ypi, me një çetë kolonjarësh. U vranë të gjithë, bashkë me komandant Qani Ypin. Atëherë Sali Butka dha kushtrimin. U mblodhën 350 vullnetarë. Me të u bashkuan edhe luftëtarët e Devollit, me në krye Hasan Bitinckën, si edhe luftëtarët e Pogradecit, me Jashar bej Starovën dhe çetarët e Shaban Blloshmit. Erdhën në ndihmë edhe luftëtarët e Taborit të Strugës, me Demir Aliun në krye.
Çetat e shtuara të Sali Butkës, zhvilluan luftime në Qafën e Qarrit, në Shtikë dhe në Butkë, në datat 19, 20 dhe 21 prill 1914, duke i penguar ushtarët e Greqisë të shkonin në Korçë. Ja ç’shkruante gazeta “Koha”, e datës 3 maj 1914: “Në luftërat e Shtikës dhe të Butkës, më 19, 20 e 21 prill, kur grekët bënë më të mëdhatë yryshe, që të thyenin krahun e mëngjër të ushtrisë shqiptare, kapedan Saliu me të birin e tij, Ganinë dhe me shokët e tij, iu kundërshtua armikut kaq burrërisht dhe luftoi me aq mjeshtëri e trimëri, sa armiku e uli kokën përpara armëve të shqiptarit, i la vendet që kish zaptuar, u thye dhe u çakërdis, duke lënë në fushën e luftës më tepër se 150 të vrarë”.
Por beteja më e madhe u bë në Nikolicë, mes Kolonjës e Devollit. Sali Buka zuri vijën e frontit Qafë e Kazanit- Arrëz- Nikolicë- Ushtria greke, e mbështetur edhe nga andartët, mësynë këtë herë me 2000 ushtarë të pajisur edhe me artileri, nën komandën e kapiten Vardhës, për të pushtuar Korçën. Grekërit u thyen dhe u hodhën matanë kufirit. Në këtë betejë, u vranë më se 200 ushtarë grekë, si edhe ranë mjaft luftëtarë shqiptarë, mes tyre edhe ladorishtarët Bajram Coma dhe Demisha Hoxha, nga Tabor i Strugës, që i kanë ende varret në Nikolicë, si edhe u zu rob Hasan Bitincka, që u internua në në një kamp përqendrimi në rrethinat e Selanikut. Në luftë e sipër, Sali Butka u plagos në syrin e majtë, që ia prishi dritën për jetë.
Gazeta “Koha” shkruante: “Po në luftën e Nikolicës, më 24 prill, ku grekët me 2000 ushtarë kishin ndezur dyfek, kapedan Saliu me trimat e tij, u sul mbi krahun e armikut dhe luftoi me kaq trimëri, sa ai u mund liksht dhe i çakërdisur e i përndarë, u hoq 6 orë matanë sinorit, duke lënë më tepër se 200 të vrarë në fushën e luftës. Në këtë betejë që ka hyrë në histori, u plagos në syrin e majtë edhe Sali Butka, i cili pas luftës u tha luftëtarëve: ‘Mos u dëshpëroni, o vëllezër, se edhe me një sy nuk do të më shpëtojë asnjë armik i Shqipërisë’”.
Më 24 prill 1914, Fuqitë e Mëdha e njoftuan Venizellosin se ishin të gatshme t´u bënin lëshime “vorio-epirotëve” dhe se mund të pranonin rishikimin e kufirit greko-shqiptar, në favor të Greqisë. E ndodhur nën një presion të gjithanshëm, qeveria shqiptare e Vidit, u detyrua më 5 maj, t´ia besonte Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-grek. Bisedimet ndërmjet KNK dhe përfaqësuesve “vorio-epirotë”, u mbajtën në Korfuz dhe përfunduan me nënshkrimin e ”Protokollit të Korfuzit”.
Në këtë protokoll parashikohej që dy prefekturat në jug të Shqipërisë, ajo e Korçës dhe e Gjirokastrës, ndonëse formalisht do të bënin pjesë në shtetin shqiptar, do të kishin një administratë më vete, autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit. Gjithashtu edhe kërkesën e Spiro Milos, për t´i njohur autonominë krahinës së Himarës, në një zonë që shtrihej në 14 fshatra të bregdetit të Jonit. Protokolli i Korfuzit ishte plotësisht në kundërshtim me Statutin Organik të Shqipërisë dhe shkelte hapur sovranitetin e shtetit shqiptar.
Ndërkohë nisi rebelimi “haxhiqamilist”, maj 1914, që solli luftë të brendshme dhe anarki. Largimi i Princ Vidit nga Shqipëria më 3 shtator 1914 dhe fillimi i Luftës së Parë Botërore, e kthyen Shqipërinë në shesh lufte të fuqive ballkanike dhe europiane. Nga kjo situatë përfitoi qeveria greke për të depërtuar ushtrinë e saj në Shqipëri dhe në fund të vitit 1914, Korça dhe Gjirokastra, ishin të pushtuara prej saj. Ushtritë serbe arritën deri në Durrës. Ndërkohë, Shqipëria Veriore dhe Qendrore, ishin pushtuar nga Austriakët, që pasi kishin thyer serbët, kishin përparuar deri në afërsi të Korçës.
Italianët kishin zënë vend në qarkun e Gjirokastrës dhe në një pjesë të Kolonjës, si edhe në ishullin e Sazanit e në Vlorë. Fuqitë e Antantës, për të tërhequr Greqinë në anën e tyre, i premtuan Venizellosit sovranitetin mbi Shqipërinë e Jugut, në këmbim të pjesëmarrjes së saj të menjëhershëm në konfliktin botëror. Greqisë iu shtuan orekset shoviniste dhe kërkoi, jo më autonominë e “Vorio-Epirit, por aneksimin e Shqipërisë jugore. Këto orekse dhe kërkesa u shfaqën në Traktatin e fshehtë të Londrës, të vitit 1915.
Ndërkohë që Lufta e Parë Botërore vijonte në Frontin Perëndimor dhe atë Lindor, Aleatët hapën Frontin Ballkanik nën komandën e gjeneral Sarrej, me qendër në Selanik. Në tetor 1916, Regjimenti i parë i Kalorësisë së lehtë të Afrikës, i komanduar nga nënkoloneli de Burnazel, pushtoi ushtarakisht kazanë e Korçës.
Kur ushtria franceze u shtri në këtë krahinë, u ndodh përballë një lëvizje të gjerë të armatosur shqiptare, që luftonte për dëbimin nga krahina e pushtuesve grekë, synimet aneksioniste të të cilëve ishin të njohura. Forcat patriotike të qarkut të Korçës reaguan dhe e rrethuan qytetin: çetat e Sali Butkës, që bashkëpunonin me austriakët, prej Kamenicë gjer në Teqenë e Melçanit dhe fuqitë e Themistokli Gërmenjit, me mbështetjen bullgaro-maqedonase, nga Podgoria deri në Melçan. Të dy komandantët bënë marrëveshje, për ta shtrënguar ushtarakisht Korçën. Teqeja e Melçanit me Baba Zylfon, do të ishte qendër e përbashkët.
Me ardhjen e forcave franceze, këta i larguan grekët kostandinistë, si kundërshtarë të Antantës dhe vendin e tyre e zunë venizelistët, që shpejtuan të vinin në Korçë nga Selaniku, ku e kishte ngritur qeverinë Venizeloja, nën mbrojtjen e fuqive ushtarake të Antantës. Nga forcat kombëtare shqiptare, u përdor strategjia e marrëveshjes me francezët, nëpërmjet Themistokliut, por edhe e shtrëngimit ushtarak, nëpërmjet forcave të Sali Butkës, i cili i dërgoi autoritetit ushtarak në Korçë, kolonelit Burnazel, këto kërkesa:
1) Të ngrihet flamuri shqiptar në Korçë. 2) Të çelen shkollat kombiare shqip në Korçë dhe të mbyllen shkollat greke. 3) Ushtria franceze të dalë nga qyteti i Korçës dhe të qëndrojë në Debojë, te kazermat. Në këto rrethana të pafavorshme strategjike e ushtarake për francezët, gjeneral Sarrej, dërgoi në Korçë kolonelin Dekuan, me dy batalione këmbësorie dhe skuadrone kalorësie si dhe një bateri artilerie, me udhëzime të qarta: “Gjenerali nuk do në Korçë, as grekë të asnjë lloji, as italianë, as esatistë”!
Më 23 nëntor 1916, koloneli largoi nga Korça qeveritarin grek Argjiropolos, me gjithë shpurën e tij dhe shpërndau bandat e andartëve. Dekuan e çmoi ndjenjën kombëtare shqiptare në Korçë, që sipas tij “okupacioni grek ka mundur të mos e lërë të marrë frymë, por nuk ka mundur ta mbysë”.
Më 24 nëntor, Themistokliu u paraqit tek autoritetet franceze dhe u takua me kolonelin Dekuan. Janë të famshme falët e Themistokli Gërmenjit: “Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët për t’i luftuar.
Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal. Vinj pra tek ju, si një njeri plotësisht lojal, Kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër veçse t’ju ndihmonj e të vë në shërbimin tuaj, influencën time mbi popullsitë”.
Edhe nga këto fjalë atdhetare të Themistokliut, del qartë se rreziku kryesor për qarkun e Korçës, ishte ai grek. Më 25 nëntor 1916, Themistokliu iu drejtua popullit të Korçës, me një thirrje: ”Komandari dhe qeveritari i Francës në Korçë, e njohin Korçën për vent të Shqipërisë e, të gjitha të drejtat e kombit shqiptar dhe u zotua për një marrëveshje me shqiptarët, për qeverimin dhe sigurimin e këtij vendi”.
Faktori popull, pra faktori patriotik dhe qytetar korçar, ishte vendimtar drejtpërdrejt, por edhe nëpërmjet përfaqësuesve të tij, si Petro Harizi, i cili dëshmon: “Populli bën një mbledhje në Kazino, ku një shumicë e madhe e popullit, vendos që të akceptohen konditat e Sali Butkës: d.m.th., të ngrihet flamuri shqiptar dhe të çelen shkollat shqipe”.
Kjo gjë vërtetohet edhe nga konstatimet, por edhe dokumentet e sjella nga doktori i shkencave juridike në Francë, N. Kotta, që ka studiuar me themel dokumentat franceze: “Po ashtu, edhe popullata e braktisur e Korçës, iu drejtua komandantit francez, të cilit i shprehu dëshirën të ishte e lirë dhe i kërkoi që krahina e Korçës, e ndarë si pasojë e luftës nga pjesa tjetër e Shqipërisë, të shpallej si republikë autonome shqiptare, nën mbrojtjen franceze, duke pritur bashkimin e saj me Shqipërinë”.
Koloneli Dekuan e i vlerësonte kështu forcat patriotike shqiptare: “Në perëndim të Korçës, bandat austro-shqiptare të Sali Butkës. Tërësia e bandave të Sali Butkës, kishte forcën e disa batalioneve franceze. Në veri të Korçës, bandat bullgaro-shqiptare të Themistokliut, kishte forcën numerike të një batalioni francez. I rrethuar nga forcat luftarake shqiptare, koloneli francez bëri përçapje për të kontaktuar me komandantët shqiptarë”.
“Dekuani dërgoi një komision prej qytetarësh korçarë tek Sali Butka, që ja të falet dhe të merret vesh me francezët, ja të largohet nga qarku i Korçës”, – shkruan historiani i Krahinës vetëqeverisëse të Korçës, Petro Harizi.
“Autoritetet ushtarake franceze, duke parë kundërshtimet e mëdha që u bënë nga ana e popullit shqiptar të Korçës, kondra sjelljeve armikësore të Venizellistëve, duke parë edhe protestimet që bënin shqiptarët e jashtëm, duke kuptuar që tërë populli i Korçës, dëshironte një ndryshim të plotë të qeverisë me një vëtëqeveri shqiptare dhe me gjuhën zyrtare të vendit, duke parë që edhe pjesa tjetër e Shqipërisë e pushtuar prej armikëve të Antantit vetëqeveriseshe nga shqiptarët, nën Austriakët e Bullgarët, u mejtuan dhe shfaqën dëshirën, që të merreshin vesh me shqiptarët”.
Koloneli Dekuan dërgoi tek Sali Butka një delegacion ushtarak, me në krye major Masjet, bashkë me një dërgatë të qytetarisë së Korçës. Bisedimet qenë të suksesshme.
Kërkesat e Sali Butkës, datë 3 dhjetor 1916:
- Vetëqeverimi i kazasë së Korçës, do të përmbledhë provizorisht Bilishtin, Kolonjën, Oparin dhe Gorën, gjersa të çlirohen krahinat e tjera.
- Flamuri zyrtar do të jetë flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dy-krenare.
- Gjuha zyrtare do të jetë shqipja.
- Do të formohet një komision prej pesë patriotësh i zgjedhur nga luftëtarë të lëvizjes kombëtare. Komisioni do të përmbushë detyrat e një qeverie me të drejtë të bëjë ligje, të emërojë e të pushojë nëpunës, të ndryshojë e të rregullojë çdo gjë që sheh të dobishme e të arsyeshme.
- Administrata do të përbëhet nga elementë patriotë të sprovuar.
- Gjykatoret do të veprojnë në gjuhën shqipe dhe me personel të aftë për plotësimin e detyrës.
- Arsimi do të jetë krejt shqiptar, me baza të shëndosha kombëtare.
- Të mbyllen gjithë shkollat propagandistike greke.
- Postat dhe telegrafat do të varen nga administrate shqiptare.
- Të formohet një polici për të mbajtur qetësinë e qytetit.
- Të formohet një gjindarmëri shqiptare me komandantë shqiptarë për të mbrojtur vendin.
- Komanda franceze detyrohet të mbrojë vetëqeverimin e kazasë së Korçës nga çdo kërcënim.
- Qeveria franceze merr detyrimin moral, të përkrahë të drejtat e Shqipërisë dhe veçanërisht të Kazasë së Korçës në konferencën që do të mblidhet, kur të mbarojë lufta.
Koloneli Dekon, i pranon në librin e tij “Gjashtë muaj histori të Shqipërisë”, propozimet e Sali Butkës dhe kthesën rrëkëllyese që bënë propozimet e tij në drejtimin e shpalljes së Vetëqeverimit shqiptar të Korçës.
“Me përjashtimin e ca agjitatorëve, asnjeri në Korçë nuk dëshironte kthimin e regjimit grek. Secili dëshironte jo vetëm mbajtjen e statu quo-s, por edhe zhvillimin e saj në drejtimin nacionalist shqiptar. Ky evolucion, do të kishte mundur të bëhej shkallë-shkallë, sikur një përçapje personale e Sali Butkës, i cili nga Teqeja e Melçanit vëzhgonte dhe ndiente edhe vetë aspiratat e bashkatdhetarëve të vet, të mos kishte ardhur e shkaktuar rrëkëllyerjen e përshpejtuar të ngjarjeve.
Në mbrëmjen e 3 dhjetorit, mora nga ai një letër, në të cilën ai më shpallte se ishte krejt i disponuar të linte armët, në qoftë se komanda proklamonte pavarësinë e Kazasë së Korçës, nën mbrojtjen ushtarake të Francës. Kuptohet vetiu se unë nuk isha kompetent për të marrë vendimin, që dëshironte Sali Butka, por ishte detyra ime të studioja në mënyrë sa më të plotë çështjen e, t’i jepja Gjeneralit Kryekomandues, të gjithë elementet e vendimit që do të mirrte në këtë mes”.
Koloneli Dekuan i shqyrtoi kërkesat e Sali Butkës nga pikëpamja ushtarake, d.m.th., shqyrtoi pasojat që pranimi ose refuzimi i propozimeve të Sali Butkës, do të kishte mbi operacionet e ushtrive aleate në Lindje. Ai ia drejtoi çështjen, bashkë me arsyetimin e tij, kryekomandantit Sarrej në Selanik dhe mori prej tij përgjigje pozitive, që miratonte pikëpamjet e Dekuan-it. Menjëherë thirri Themistoklinë dhe i kumtoi dy telegramet nga Selaniku.
Koloneli jep një vlerësim të lartë dhe prekës për Themistokliun: “Kënaqësia e tij qe nga më të thellat. Edhe me të vërtetë, ai shihte të realizuar ëndrrën e tij, pavarësinë e vendit të tij, e ai do të ishte farkëtari kryesor i kësaj ngjarjeje historike”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm