Nga Ali Buzra
Pjesa e pesëmbëdhjetë
– JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
KAPITULLI III-të
FAMILJA DOBRA NË LETËM ME PARTIZANË DHE NACIONALISTË, PROVON VUAJTJE E PERSEKUTIMIN KOMUNIST
3.1 Cili ishte Islam Selim Dobra?
Në lagjen “Shpatadoll” të fshatit Letëm, ndodheshin tri familje të fisit Dobra. Ata, ashtu si edhe banorët e tjerë të fshatit, merreshin me bujqësi e mbarë-shtrimin e blegtorisë. Fisi Dobra, njihej për ndjenja patriotike e liridashëse. Selim Dobra i vjetër, ishte pjesëmarrës vullnetar në Luftën e Shkodrës, në vitin 1913. Atje plagoset, dhe në rrethana të panjohura, nuk kthehet në shtëpi me të tjerët.
Djali i tij i madh, Beqiri, 23 vjeçar, bashkë me kushëririn e tij, Veli Dobrën, niset për në Shkodër të gjejë të atin. Ndërkohë që Shkodra i qe dorëzuar forcave malazeze nga Esat Pashë Toptani, ata nëpërmjet informacioneve gojore që mundën të sigurojnë, kalojnë kufirin dhe hyjnë në territorin e Malit të Zi. Atje, futen në një kapanon ushtrie, ku kishte shumë të plagosur. Kontrollojnë në të, por nuk e dallojnë. Kur dalin te dera, e thërrasin me zë të lartë, në emër. Ai përgjigjet e ngrihet më këmbë.
Ishte i rënduar nga plaga, i dobësuar së tepërmi dhe me mjekër të parruar. E marrin, e vendosin në një pajton (karrocë kuajsh) dhe arrijnë në Elbasan. Aty e mjekojnë, dhe më pas e sjellin në shtëpi. Nën kujdesin e familjes, Selimit iu përmirësua shëndeti. Ai jetoi edhe 7-8 vite të tjera dhe ndërroi jetë, rreth të gjashtëdhjetave, duke lënë pas 6 fëmijë: 2 vajza dhe 4 djem: Beqirin, Islamin, Ibrahimin dhe Haxhiun.
Islam Dobra, ishte djali i dytë i Selimit. Ai lindi në vitin 1902. Vetë Selimi, por edhe djali i tij i madh, Beqiri, treguan një kujdes të veçantë për Islamin. Ky i fundit, që në vogli, dallohej për zgjuarsi dhe tregonte interes e vëmendje të veçantë për të mësuar gjithçka që dëgjonte nga të rriturit. Aty rreth vitit 1910-11, atë e dërgojnë në mejtepin e fshatit pranë xhamisë, ku imami me origjinë nga Dibra e Vogël u jepte fëmijëve mësim feje. Në mejtep, ai vazhdoi tre vite, duke përparuar ndjeshëm në lexim e mësim kurani. Aty Islami, mësoi edhe pak shqip.
Më pas në mënyrë autodidakte, ai zgjeroi njohuritë në shkrim e në lexim të gjuhës shqipe. Më pas, bashkë me vëllezërit e tjerë, i përkushtohet punëve bujqësore e blegtorale në familje. Në kohën e Zogut, mobilizohet ushtar në Tiranë. Atje, bien në sy të komandës, gjallëria dhe aftësitë e veçanta të tij. Për këtë, komanda e njësisë ushtarake të kohës, informon Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo e fundit akordon një bursë studimi për në Itali, ku Islami studio dy vjet në fushën ushtarake, për xhandarmëri.
Kur kthehet në Shqipëri, emërohet oficer në ushtrinë shqiptare. Gjate shërbimit në Ushtrinë e Mbretërisë Shqiptare, Islami, mori gradën “major” dhe shërbeu në forcat e xhandarmërisë në Tiranë, shef rekrutimi në Berat, si dhe zëvendës komandant i xhandarmërisë, për qarkun e Elbasanit, ndërkohë që komandant ishte Beqir Sina nga Dibra. Nuk janë shumë të qarta rrethanat, por fakti është se Islam Dobra, ishte pjesëmarrës në Kryengritjen e Fierit në vitin 1935. Pas dështimit të saj, atë e nxjerrin në lirim. Thuhet se ndërhyn Nëna Mbretëreshë, te i biri, Ahmet Zogu, dhe rivendoset përsëri në detyrë.
Ndërhyrja e saj ka lidhje me faktin, se të parët e fisit Dobra janë të ardhur nga fshati Burgajet i Matit, dhe kishin patur lidhje miqësore me familjen Zogolli. Mbasi rivendoset në detyrë, Islam Dobra, mbeti një ndër oficerët më besnikë të Mbretit. Pushtimi fashist i vendit e gjeti atë me detyrë në Tiranë. Në kushtet e çorientimit dhe të çmobilizimit të përkohshëm të Ushtrisë Shqiptare, Islami kthehet në shtëpi pranë familjes.
Me thirrjen që bëri komanda italiane e pushtimit, ashtu si dhe shumë ushtarakë të tjerë, rikthehet në detyrë në ushtrinë shqiptare, tashmë në kushtet e pushtimit fashist. Nga rrëfimet e djalit të tij, Shefqetit, rezulton se për disa kohë, ai ka mbajtur pranë vetes si adjutant, Qerim Qoshin nga Zgoshti. Gjatë bisedave të mëvonshme, ky i fundit ka dëshmuar, se Islami në mjaft raste ka liruar nga burgu partizanë të arrestuar, si nga kuestura italiane, po ashtu, më pas edhe nga ajo gjermane.
Pas kapitullimit të Italisë, ai qëndroi si oficer në xhandarmërinë shqiptare edhe në kohën e pushtimit gjerman, kryesisht në qarkun e Elbasanit. Për disa kohë në Elbasan, tregojnë të afërmit ka qenë me Xhevdet Blloshmin. Islam Dobra, ka mbajtur lidhje me krerët nacionalistë të Librazhdit, si Azis Biçakun, Nezir Muzhaqin, Haki Blloshmin, Ali Cekanin, si dhe me mjaft krerë të Dibrës, ndërkohë si person me pikëpamje nacionaliste e zogiste, ai ka mbajtur lidhje me familjen Mbretërore, duke qenë i gatshëm, që në momentin e përshtatshëm, të japë ndihmesën e tij për rikthimin e Mbretit Zog.
Islam Dobra, ishte një antikomunist i vendosur. Kjo shprehet qartë në bisedën që ai pati, së fundmi, në vjeshtën e vitit 1944, me Kadri Hoxhën, me të cilin kishte njohje e miqësi, por që ndanin qëndrime të ndryshme. Bisedën e tyre, ku ishin të pranishëm dy vëllezërit e Islamit, e ka përshkruar në librin e tij me titullin; “Bashkë-udhëtarët”, djali i tij Shefqeti. Kadri Hoxha, në vjeshtë të vitit 1944, kalon me brigadën partizane në fshatin Letëm dhe ulet e pi një kafe në shtëpinë e Islam Dobrës. Mes të tjerash, biseda e tyre vijon:
– “Lam, të bëj për herë të fundit thirrje, nuk ka më kohë për të humbur. Ne e fituam luftën, hajde me mua sa nuk është vonë”, – i thotë Kadriu.
– “Megjithatë nuk kam ndërruar mendje. Mendimet tona për të ardhmen, do mbeten ato që ishin. Fitorja juaj më trishton” – I përgjigjet Islami.
– “Sido që të mendosh, ne fituam. Hajde, duhet të vendosësh, sa nuk është vonë”.
– “Fituat ju, jo ata djem, që të ndjekin ty”!
– “Ne dhe i gjithë populli”.
– “Ti ëndërron vërtet më të mirën, por ëndrrat e natës të zhgënjejnë në mëngjes. – Të bëhesh garant, është barrë e rëndë. Unë besoj tek ti, po e di mirë, që aty ku bën pjesë ti, nuk pyet njeri për besën e dhënë. Më mirë të mbeten kujtimet e mira mes nesh dhe secili e mban fajin vetë”.
– “Po ti na ke shpëtuar shokët, përndryshe ata nuk do të ishin sot mes nesh”.
– “Ata ishin djemtë tanë, për ne nuk kishte rëndësi, me kë ishin e çfarë ishin, e ndieja për detyrë t’i shpëtoja nga duart e gjermanëve; bëj edhe ti ashtu për ata që nuk pranuan yllin në ballë”!
– “Drejtësia nuk do të mungojë”.
– “Ti nuk do kesh mundësi të më mbrosh mua, ndoshta……. as veten! Nuk ta dëshiroj, por besoj se ……. ç’nuk ndodh me ju”!
– “Si e mendon një gjë të tillë me këtë kontribut që kam dhënë unë….”?
– “Çdo gjë mund të harrohet; dhëntë Zoti që kontributi yt të vlerësohet….”!
– “Thirrjen ta bëra me zemër, ma prishe qejfin”.
– “As që e vë në dyshim këtë, por….. shkaqe do gjenden për të më ngarkuar me faj. Mjafton që nuk pranuam yllin në ballë, të quhemi fajtorë! Megjithatë, për të mira ka kohë, të presim, mbase bëhet si thua ti”.
– “Po…., çke ndërmend të bësh, o Islam, meqë…”?
– “Nëse do ma lini tokën, me atë do merrem. Më mirë t’i kem duart me dheun e arës se …., deri tani i kam ruajtur të pastra. Nuk më vret ndërgjegjja”.
– “Më vjen keq, po na paragjykon…”!
– “Po atdheu fillon te oborri i shtëpisë, po u prek ai…., dhe nuk dyshoj që do të preket dhe ty, atëherë do të prisheni ju”.
– “Më vjen keq, po prapë do t’a them: nuk na paske kuptuar”!
– “Jemi miq, kam besim tek ty, po sikur më bren dyshimi se…”!
– “Dyshon tek unë”?
– “Kurrë! Unë dyshoj në atë që beson ti, ajo do jetë më e keqja e të keqes”!
– “Kurrë, nuk ka për të ndodhur kjo gjë me ne, luftuam bashkë, do e gëzojmë të gjithë” – tha Kadriu.
Me këto fjalë u ndanë, u përqafuan me një buzëqeshje të shtirur.
3.2 Islam Dobra zgjedh rrugën e arratisjes. Familjet nën dhunë e terror.
Dimri i vitit 1944-‘45, qe i ashpër. Vendi ishte çliruar nga pushtuesit e huaj. Në Kosovë forcat serbe filluan ripushtimin e saj, duke përdorur pretekstin e çarmatimit. Po në Shqipëri, vallë, çfarë po ndodhte? Ishte pothuaj i njëjti skenar ogurzi. Brigadat partizane u shtrinë anë e mbanë vendit, e në bashkëpunim me Këshillat Nacional- çlirimtare, filloi çarmatimi i popullsisë.
Në fakt, edhe në Shqipëri, në një farë mënyre filloi ripushtimi i saj, jo më nga forca të huaja, por nga forcat fituese të luftës, të cilat për nga format dhe egërsia që përdornin, nuk kishin ndryshim nga ato pushtuese. Ndryshimi i vetëm ishte se, shqiptari luftonte shqiptarin, me një egërsi të paparë, që kurrë nuk ka ndodhur në këto përmasa gjatë gjithë historisë shekullore të popullit tonë. Luftohej jo vetëm “armiku” apo bashkëpunuesi me pushtuesin, por edhe të moshuarit, gratë e fëmijët në djep.
Siç e kemi theksuar më lart, elementët nacionalistë, figurat kryesore anë e mbanë vendit, që nuk ishin inkuadruar me Frontin Nacional-Çlirimtar, ndiqeshin këmba këmbës. Ata që u dorëzuan morën plumbin, ose u dënuan me burgime të rënda. Pjesa më e madhe zgjodhën rrugën e arratisjes, për të mos rënë në duart e komunistëve. Kështu bëri edhe ish oficeri i Mbretërisë shqiptare Islam Biçaku.
Ai tashmë ishte 43 vjeç. Gruaja e tij, Xhemilja, me tre fëmijët; Hatixhen 7 vjeç, Muhametin 13 vjeç dhe Shefqetin e vogël 3 vjeçar, jetonin në familjen e madhe të Beqir Dobrës, i cili ishte vëllai më i madh. Familja e tyre me katër vëllezër, të gjithë të martuar, me nipër e me mbesa qëndronte e bashkuar. Nga shtatë burra të rritur të familjes, tre ishin partizanë; Haxhiu, dhe dy djemtë e Beqirit, Azisi dhe Emini.
Ata u mobilizuan në vjeshtë të vitit 1944, me dijeninë e Islamit. Ky i fundit, duke menduar për rrethanat e mëvonshme, u thotë atyre të shkojnë, me qëllim që familjet të mos vuanin pasojat. Në dimrin e vitit 1944, shtëpitë e Azis Biçakut, që ishte arratisur bashkë me të birin, ishin djegur. Shtëpia e Islam Dobrës, filloi të ruhej me forca të shumta natë e ditë, ndërkohë vepronte edhe një njësit ushtarak, që quhej “Batalioni i hakmarrjes”.
Nga kujtimet rrëqethëse të të mbijetuarve, është rrëfyer se, në një mesnatë të ftohtë dimri, kur të gjithë pjesëtarët e familjes ishin në gjumë, u bien me kondakët e pushkëve derës së portës së madhe duke bërtitur që të hapnin derën. I nxjerrin me forcë të gjithë familjarët, jashtë shtëpisë, në borë e të ftohtë. Partizanët futen brenda të kontrollojnë për armë e drithë të tepërt, që duhej dorëzuar, ndërkohë dyshohej se mund të ndodhej Islami në shtëpi. Pas kontrollit, morën njërin vëlla, Brahimin, me vete.
Të nesërmen bie daullja, që njoftonte për mbledhje, ndërkohë edhe korrieri kalonte lagje më lagje duke njoftuar të mblidheshin kryefamiljarët në qendër të fshatit, ku ndodhej xhamia dhe shkolla. Në njërën nga klasat e shkollës, bëhej “gjyqi”, ndaj të arrestuarve. Në mbledhje shkon vëllai i madh Beqiri, i cili shihte ndër njerëz për të parë vëllanë e tij Brahimin, por kurrkund nuk e pa. Komandanti i batalionit, që njihej nga fshatarët, ishte një person pa kurrfarë niveli intelektual, por që i ishte lënë dorë e lirë të “gjykonte” si të donte. Kishin sjellë në Letëm, Medi Canin, nga Borova, të lidhur për duarsh me litar dhe e pushkatojnë.
Po në këtë ditë pushkatojnë Ahmet Hoxhën, i cili pati jetuar bashkë me Azis Biçakun, tek i cili bënte bulmetin. Ahmeti ishte i moshuar. Ai nuk kishte fëmijë, por vetëm gruan, edhe ajo e moshuar. I treti gjykohet Azis Kushi, duke u dënuar me pushkatim. Ky, ishte njeri i thjeshtë, që nuk përzihej me punë katundi, apo me politikë, ndërkohë kishte një vëlla dhe një kushëri partizan.
Pas tyre, për “gjykim” thërritet Brahim Dobra. Komunikimi i asaj dite, mes Brahimit dhe komandantit partizan, është botuar në librin “Bashkë-udhëtarët”, me autor nipin e Brahimit, djalin e Islam Dobrës, Shefqetin. Po e shkruajmë, të marrë nga origjinali:
– “Brahim, – i drejtohet komandanti. – Prej teje dua mitraloz, pushkë, pistoleta, municion për të gjitha këto, dhe… si shtëpi oficeri, ju duhet të keni dhe armë të rënda, ato i duhen shtetit tani. Kur do i biesh”?
– “Zoti komandant, vëllai ka qenë oficer, por armë të tilla nuk kemi, nuk na duheshin. Pesë pushkë kishim, aq keni dhe ju të regjistruara, tre i morën vëllai dhe dy nipat kur dolën partizanë, një e ka marrë ai që i kishte prurë, një e dorëzova, nuk kemi të tjera. Shtëpia ime është kontrolluar shumë herë, edhe mbrëmë natën u kontrollua, po të kishte do ishin gjendur”.
– “Po Islamin, kur do ta biesh ta gjykojë drejtësia e popullit? Ëëë”?
– “Nuk e di ku është, po të ishte këndej, Forcat e Ndjekjes do e kishin kapur”.
– “Duam ta biesh ti, ose…! Kujton ti se nuk e dimë ne, që ti e takon; ku gjen të hajë ai? – Nuk e di dhe nuk i çoj ushqim”!
– “Ashtu? Me pushkatim”, – urdhëroi komandanti.
Pas tij me pushkatim u dha edhe për dy të arrestuarit e tjerë, Destan Dobrën dhe Jonuz Biçakun. Në këto moment tragjike për burrat e arrestuar, dhe jo vetëm për ta, por për të gjithë fshatin, aty vjen Beg Balla nga Orenja. U përshëndetën, por komandanti e priti ftohtë. Kur pa të lidhurit, të cilët do të nxirreshin pas mureve të shkollës për t’u ekzekutuar, Begu pyeti: – “Po këta”? – “Gjyqi i ka dënuar me pushkatim”, u përgjigj komandanti. Kur vërejti për së dyti, Begu njohu Brahimin, Destanin, dhe Jonuz Biçakun.
Sipas versionit të autorit librit, Shefqet Dobra, që ka dëgjuar shpjegimet e Brahim Dobrës, ky i fundit, bashkë me dy bashkëfshatarë të tij, kanë mundësuar që Beg Ballën, ta shpëtojnë nga dy gjermanë që e shoqëronin gjatë rrugës për në Librazhd. Gjithsesi, meqenëse për Beg Ballën, ka edhe versione të tjera, se si ka shpëtuar nga pushkatimi, kjo mbetet njëra nga ato. Në rastin konkret, ishte Beg Balla që ndërhyri, për të anuluar pushkatimin e atyre djemve të rinj, ku Brahimi ishte vetëm 36 vjeç. Po atë ditë arrestohet edhe Sali Burufi.
Gjatë dimrit, shtëpia e Islam Dobrës, jo vetëm ruhej me roje, por bëheshin kontrolle edhe natën. Në një rast, në të gdhirë, u kontrolluan dhe u nxorën jashtë familjarët edhe të dy shtëpive të tjera, të Dobrës, në Shpatadoll. Dy vëllezërit e Islamit, Beqirin e Brahimin, i lidhën me litar pas një druri kurriz më kurriz. Po kështu, lidhën edhe komshinjtë; Veliun e Hasanin dhe Zeqirin e Demirin.
Në fund thërresin Abedinin, djalin e Beqirit, si dhe Muhametin, djalin e Islamit. Mbasi nuk morën përgjigje, për të treguar vendin se ku ndodhej Islami, i lidhën edhe këta dy djem të njomë, të cilët ishin 15 dhe 13 vjeçarë. Gjatë ditës i mbajtën ashtu të lidhur burrat dhe djemtë, nën reshjet e dëborës që binte pa ndalim.
Në shënimet e tij, Shefqeti, shkruan se burrave u kishin rënë qeleshet e bardha e bora u qe ngjitur mbi kokë, ndërsa Abedinit e Muhametit, u qenë mavijosur buzët nga të ftohtit, e kokat iu varën. Gratë e fëmijët u lanë të lirë, por nuk u lejuan të hyjnë brenda në shtëpi. Në mesditë, i marrin fëmijët e i fusin brenda në shtëpi pranë zjarrit, duke i marrë me të mirë, që të tregojnë, nëse vinte Islami në shtëpi, por asnjë prej fëmijëve nuk hapi gojë. / Memorie.al