Nga Prof. As. Dr. Sonila Boçi
Kristi Kolçe
Pjesa e dytë
-Petraq Peppo: intelektuali dhe historiani përballë indoktriminimit komunist –
Memorie.al / Mihai Botez, një intelektual rumun që kërkoi strehim politik në SHBA-ës më 1988, duke folur për jetën e një intelektuali në një sistem diktatorial pohonte: “Thuhet ndonjëherë se një intelektual që jeton nën një regjim komunist, duhet patjetër të zgjedhë midis të qenit ‘njeriu i oborrit’, ose disident. Ky është një thjeshtëzim i tejskajshëm. Të pranosh kontratën sociale (të regjimit komunist), nuk nënkupton automatikisht se u bëre ‘njeri i oborrit’. Sepse, nën diktaturën komuniste, ekziston një koncept i trishtë, por i vërtetë që quhet ‘arti i të mbijetuarit’, madje në një mënyrë dinjitoze, i cili përfshin kombinimin e nënshtrimit të kalkuluar, kritikën e vetë kontrolluar, mbajtjen taktike të një profili të ulët dhe përdorimin me inteligjencë të mundësive. Sigurisht për shumë intelektualë perëndimorë, këto strategji duken të çuditshme, madje edhe të neveritshme. Në princip, jam gati të bie dakord me ta, duke shprehur urimin tim, që atyre të mos iu duhet asnjëherë, ta mësojnë këtë art”.
Petraq Peppo dhe sfida për t’iu përshtatur trajtimit marksist të historisë
Së treti, ai asnjëherë nuk shprehu ndonjë opozicion kundrejt regjimit. Së katërti, fushat e tij të studimeve, veçanërisht njohja e marrëdhënieve të hershme të Greqisë me Shqipërinë, e bënin të domosdoshëm për regjimin, në kushtet kur atij i duhej të përballej me pretendimet greke dhe të rikonfirmonte pavarësinë, kufijtë dhe sistemin politik. Me fjalë të tjera, Petraq Peppoja ishte nga të paktët intelektualë të shkolluar në Perëndim, të cilëve regjimi do të duhej t’i besonte.
Në korrik të vitit 1946, emri i prof. Peppos, do të ishte ndër dy historianët që do të bënin pjesë në delegacionin që do të dërgohej në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbrojtur Shqipërinë, përballë pretendimeve territoriale të ngritura nga qeveria greke. Leonidha Pepo pohon, se ishte pikërisht Enver Hoxha, që do ta përzgjidhte Petraq Peppon. Në Arkivin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, ka shumë materiale të karakterit historik, të cilat nuk kanë emrat e përgatitësve, por, duke qenë se Aleks Buda dhe Petraq Peppo, ishin të vetmit historianë të delegacionit, këto materiale duhet të jenë fryt i punës së tyre.
Kur Konferenca e Paqes filloi punimet në Paris më 29 korrik 1946, qeveria greke, kishte marrë tashmë premtimin nga britanikët dhe amerikanët, se pretendimet e saj ndaj Shqipërisë së Jugut, do të dëgjoheshin. Kjo sigurisht e kishte shqetësuar qeverinë shqiptare, edhe pse ajo kishte marrë njoftime që Konferenca në parim, do të diskutonte vetëm traktatet me shtetet e mundur. Më 3 gusht 1946, kryeministri grek, Caldaris (Konstantinos Tsaldaris), i cili kryesonte delegacionin, paraqiti para Konferencës së Paqes çështjen e “Epirit të Veriut”.
Në fjalën e kryeministrit grek, ishin përmbledhur të njëjtat akuza, të cilat qeveria greke kishte kohë që i kishte artikuluar në kancelaritë e ndryshme. Ai fliste për karakterin historik helen të “Vorio-Epirit”, për popullsinë helene të tij që, edhe pasi i ishte nënshtruar një procesi de-helenizimi, përsëri e kishte ruajtur karakterin dhe ndërgjegjen e saj helene. Ndër të tjera, kryeministri grek theksoi se; “gjendja e luftës, që ekziston midis Shqipërisë dhe nesh, duhet të shkojë drejt një përfundimi natyral dhe të drejtë duke i kaluar Greqisë, Vorio-Epirin”.
Më 21 gusht 1946, u lejua të paraqiste qëndrimin e qeverisë shqiptare para Konferencës së Paqes dhe përfaqësuesi i saj. Enver Hoxha, me cilësinë e kryetarit të delegacionit, shpjegoi arsyet përse Shqipërisë i takonte të pranohej për të thënë fjalën e saj në traktatet e paqes. Një pjesë e madhe e fjalimit të Enver Hoxhës, u përqendrua në hedhjen poshtë të akuzave të parashtruara disa ditë më parë nga kryeministri grek, sipas të cilave midis Shqipërisë dhe Greqisë, ekzistonte gjendja e luftës.
Teksa politikanët komunistë zhvillonin bisedime me fuqitë fituese të luftës, duke u treguar që Shqipëria ishte viktimë e Italisë së Musolinit dhe nuk kishte rrezikuar asnjëherë shtetet fqinje, historianët e delegacionit ishin të angazhuar në debate publike me historianët grekë dhe konferenca për shtyp, duke hedhur poshtë tezat për të ashtuquajturin; “Vorio Epir”. Leonidha tregon me detaje historinë e atyre ditëve dhe debatin që ishte zhvilluar në atë sallë: “Është tokë greke – ishte pretendimi më këmbëngulës i grekëve. – Të gjitha gërmimet arkeologjike në Apoloni apo edhe në vende të tjera e vërtetojnë këtë. Aty janë gjetur me shumicë shkrime të vjetra në greqisht, monedha të vjetra greke…”!
“Atëherë në bazë të kësaj logjike, – u ishte përgjigjur historiani shqiptar me një frëngjishte të përkryer, – ju, grekëve, edhe francezët, duhet t’ju japin edhe Parisin, duhet t’ju japin edhe këtë sallë, ku ne po flasim, pasi në disa kisha të vjetra, jo shumë larg nga këtu, ka pllaka me mbishkrime në greqisht, por edhe monedha të vjetra greke…”! Ndërsa mosmarrja parasysh e pretendimeve greke nga Konferenca e Paqes, ishte një çështje që i takonte vendimmarrjes së të Mëdhenjve, dy historianët shqiptarë, Petraq Peppo dhe Aleks Buda, dhanë një kontribut të vlefshëm për të treguar mungesën e argumenteve reale të Athinës zyrtare për këtë çështje.
Në përfundim të Konferencës, Shqipëria u njoh si “fuqi shoqe”, duke e vendosur kështu në krah të shteteve fituese të Luftës së Dytë Botërore, të cilat nënshkruan Traktatin e Paqes me Italianë. Njohja e këtij statusi, i bëri të pavlefshme kërkesat e Athinës zyrtare dhe, ashtu siç tregoi koha, ato nuk u shqyrtuan më në asnjë forum ndërkombëtar. Prezantimi dinjitoz në Konferencën e Paqes në Paris, duhet të këtë ndikuar mjaft në karrierën e mëvonshme të Petraq Peppos. Në vitin 1947, kur u hap Instituti Pedagogjik, i pari institucion i arsimit të lartë në vend, Peppoja emërohet aty si pedagog.
Sipas jetëshkrimit të tij, Peppos i ishte dashur të bëjë një punë të jashtëzakonshme si mësimdhënës në Institutin Pedagogjik. Ai u mësonte studentëve kurset e Historisë së Vjetër, Historinë e Mesjetës, Historinë e Bashkimit Sovjetik. të cilat në mungesë të teksteve, duhej t’i përgatiste vetë. Njëkohësisht ai është një prej themeluesve të Institutit të Shkencave (janar 1947), duke qenë një nga anëtarët e Asamblesë së saj. Në nxitimin e qeverisë komuniste, për të ngritur institucionet e veta të shkencës dhe të arsimit të lartë, në kushtet e mungesës së njerëzve të shkolluar, nuk ishte një situatë e pazakonshme që një person të punonte njëkohësisht në të dyja institucionet.
Instituti i Shkencave, si çdo institucion tjetër në shtetin shqiptar, të drejtuar nga PKSH/PPSH, ishte nën kontrollin e rreptë politik. Çdo vit veprimtaria e Institutit të Shkencës, shqyrtohej me kujdes dhe në detaje në forumet e larta partiake, në Byronë Politike ose, në Sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së. Në krye të institucionit u vendos Ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, i cili në të vërtetë ishte një ndërmjetës midis organeve drejtuese të institucionit shkencor dhe lidershipit më të lartë partiak. Disa numra të revistës shkencore, Buletinit të Institutit të Shkencave, kishin në frontespicin e tyre foton e Stalinit; të gjitha këto detaje tregojnë qartazi për kontrollin dhe ideologjizimin e shkencës shqiptare.
Përtej kontrollit politik, studiuesit duhet të përballeshin edhe me detyrimin për ta mbështetur shkencën shqiptare, mbi bazat e teorisë marksiste- leniniste. Në analizën që Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH-së, bëri për veprimtarinë e Institutit të Shkencave gjatë viteve 1948-1949, dy ishin çështjet që i theksoi më së tepërti: së pari, u theksua se “Studimet shkencore të bëra mbi vendin tonë nga të huajt, nuk kanë qenë të drejtuara dhe nuk i përgjigjen qëllimeve dhe nevojave tonë, për të njohur sistematikisht vendin nga ana e mundësive dhe zhvillimit ekonomik e kulturor të tij. Ato mund të vlejnë vetëm për të lehtësuar nga ndonjë anë studimet tona”.
Për këtë arsye, parimi që duhet të ndiqte “Instituti i Shkencave në udhën e tij, është të vejë rezultatet e aktivitetit të tij shkencor në shërbim të popullit, për të ngritur sa më parë nivelin e mirëqenies së tij materiale dhe të zhvillimit të tij kultural”. Së dyti u vu në dukje se; “Instituti i Shkencave ka neglizhuar problemin e rëndësishëm të edukimit dhe riedukimit të kuadrove të tij dhe të njerëzve të tjerë të shkencës me ideologjinë e shkencës marksiste-leniniste-staliniste dhe nuk qe përpjekur që të ngrejë në fushën ideologjike problemet e ndryshme shkencore, në mënyrë që të luftoheshin me efikasitetin e duhur në njerëzit e shkencës mbeturinat e ideologjisë reaksionare e borgjeze dhe të bëhej si platformë e çdo dege të shkencës, materializmi dialektik dhe historik.
Detyra që iu theksua Institutit të Shkencave nga drejtuesit e lartë të PPSH-së komunistë, ishte t’i kushtoheshin me të gjitha forcat edukimit komunist të tyre. Deri në vitin 1952, kohë kur studentët e parë të diplomuar në Bashkimin Sovjetik dhe në disa shtete të tjera të Lindjes Komuniste, u kthyen në atdhe, regjimi nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse t’ia besonte punën për ngritjen e institucioneve shkencore, njerëzve që ishin shkolluar në Perëndim edhe pse, një pjesë prej tyre, nuk besonin në ideologjinë marksiste. Petraq Peppo, ishte një nga këta, duke përbërë një rast shumë interesant studimi.
Siç e kemi përmendur më herët, Peppoja ishte njëri apolitik. Ai nuk bëri përpjekje të zinte pozicione shtetërore, as të tregonte devotshmëri të theksuar ndaj regjimit. Ndërsa nuk ngurronte të thoshte gjithmonë mendimin e vet, Peppoja bëri të gjitha përpjekjet të përvetësonte ideologjinë marksiste. Në vitin 1955, ai u regjistrua në kurset e edukimit marksist-leninist, të cilat zhvilloheshin në Shkollën e Partisë “Vladimir Iliç Lenin” dhe e përfundoi atë, me rezultate shumë të larta.
Arsyet se përse P. Peppo, në moshën 52 vjeçare, mori vendimin për të ndjekur kurset e edukimit marksist-leninist, është e vështirë të dokumentohen! Por ne mund të bëjmë një analizë në bazë të të dhënave që kemi, mbi veprimtarinë e tij si anëtar i Institutit të Shkencave. Për një studiues të historisë nën regjimin komunist, njohja e teorisë marksiste, ishte një nga kushtet thelbësore për të vijuar punën, pavarësisht për cilat periudha të historisë ishin përqendruar studimet. Në vitin 1948, kishte filluar puna për hartimin e një teksti zyrtar për Historinë e Shqipërisë, në të cilën Petraq Peppoja, ishte caktuar si një nga bashkautorët.
Ai do ta kishte shumë të vështirë, të ishte i suksesshëm në diskutimin e këtij teksti, nëse nuk e mbështeste atë në teorinë e materializmit dialektik dhe historik. Fakti, që ai u regjistrua në kurset e marksizëm-leninizmit, pikërisht në kohën kur pjesa e parë e tekstit, ku Peppoja ishte autor, ishte në proces diskutimi, është një argument plus në këtë analizë. Edhe më vonë, kur Peppoja tashmë në pension, do të mësonte studiuesit e rinj, sesi duhet të ecnin në rrugën e kërkimeve shkencore, krahas skrupolozitetit me të cilin duhet të shihnin dokumentin dhe saktësinë e përkthimit, ai nuk do të harronte t’i porosiste; “spërkateni pak më pluhurin e marksizëm-leninizëm”, në mënyrë që studimet të botoheshin.
Një tjetër arsye për të kërkuar integrimin në regjimin e ri, mund të jetë nevoja për t’u dëgjuar më shumë. Në vitet e para të themelimit të Institutit të Shkencave, Petraq Peppoja ishte një nga njerëzit që nuk kishte frikë të thoshte mendimin e vet. Në analizën vjetore të vitit 1948, kritikoi drejtuesit për mungesën e transparencës. Ai nuk kishte asnjë ngurrim të propozonte studime mbi tema të cilat konsideroheshin të vështira dhe problematike, si: studimet mbi pellazgët, apo mbi lashtësinë shqiptare.
Nuk janë të pakta rastet që ka ngritur problematika të rëndësishme për marrëdhëniet e shkencës me mësimdhënien, siç ishte rasti në mbledhjen e Institutit të Shkencave në vitin 1952, ku; “shoku Peppo shtroi çështjen e bashkëpunimit dhe ndihmës që duhet t’i japë instituti, Ministrisë së Arsimit përsa i takon përpilimit të teksteve shkollore dhe organizimit të ekspeditave, me qëllim që të ndihmohen kuadrot studionjëse të Ministrisë në punimet e tyre origjinale”.
Të gjitha propozimet e tij, binin në vesh të shurdhët, si të drejtuesve të Institutit, ashtu dhe të drejtuesve të lartë partiakë. Kjo mund ta ketë detyruar studiuesin ambicioz, që të kërkonte një mënyrë a për të gjetur një rrugë, për t’u ndier disi më i përfshirë në vendimmarrjen e regjimit të ri.
Vitet 1947-1954, mund të konsiderohen si vite përshtatjeje të historianit të edukuar në Francë, me një ideologji që ai nuk e ndiente plotësisht të tijën. Gjatë veprimtarisë së tij shkencore, prof. Peppo na ka lanë vepra shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë. Përkthimi i dokumenteve nga greqishtja e vjetër, ndihmesa për të sjellë në shqip testamentet e Iljaz Bej Mirahorit dhe të tjerëve, japin të dhëna të rëndësishme për Korçën nën sundimin osman, por edhe për organizimin e jetës ekonomike dhe sociale në atë periudhë.
Veçanërisht qëmtimi i dokumenteve, kodikëve të Korçës dhe të Selasforit dhe e kodikëve të fshatrave të Korçës, një pasion i hershëm i tij, janë një kontribut shumë i vyer për historinë e Shqipërisë.
Ashtu siç thoshte vetë prof. Peppoja, historia e Shqipërisë ishte shkruar duke u bazuar në arkiva të huaja, dokumentet që qëmtoi ai gjithë jetën e tij, jepnin atë që mungonte, dokumentin vendas dhe një këndvështrim tjetër për historinë e Shqipërisë. Të gjitha këto studime janë fryt i një pune të jashtëzakonshme, me shumë pasion dhe përkushtim. Duke i cilësuar arkivat si “laboratorë të shkencës”, Peppoja edhe në moshë të thyer, nuk rreshti së frekuentuari ato.
Madje, duke e çmuar “pasurimin e arkivave pune patriotike”, pasi “ato (arkivat), ndihmojnë shumë në ngritjen e punës shkencore”, ka bërë kujdes të veçantë në grumbullimin e shumë dokumenteve historike, duke shkuar vetë kudo që ato ndodheshin: bakaj, depo të ish-tregtarëve, rrugë, pazare të vegjël (ku mblidhte shkresa, akte, defterë tregtarësh të hedhura plot lagështi, që mykeshin apo kalbeshin), etj., çfarë e konsideronte si një “shërbim të vogël qytetar”, që ai kryente në cilësinë e “një punëtori të thjeshtë dhe të vogël të shkencës historike”.
Leonidha i kujton mjaft mirë orët e gjata të prof. Peppos, në tryezën e punës. “Babai ishte kampion i shfrytëzimit të arkivave, – thekson ai, – qëndronte me orë të gjata duke punuar, gati 8 orë në ditë dhe sigurisht kur kthehej nga puna, ai sërish do ishte duke punuar. Nuk e konceptonte dot që të qëndronte një ditë pa studiuar, … në dhomën tonë të pritjes nuk futej askush, babai sa kthehej nga puna, rifillonte studimin, duke u ulur këmbëkryq, e gjithë dhoma ishte e mbuluar me materialet që ai studionte edhe shkruante”, shprehet ai duke qeshur.
Përkthimet e tij profesionale dhe të sakta, vuajtën, për fat të keq, nga ideologjizimi marksist që u imponohej historianëve. Sipas studiuesit të Mesjetës, Andi Rëmbecit, përkthimeve u janë hequr pjesë, të cilat binin ndesh me ideologjinë e kohës. Duket se prof. Peppo, bëri disa kompromise në mënyrë që të mund të vijonte pasionin e tij për historinë. Për kontributin i tij, ai u vlerësua nga pushteti i kohës. Kështu më 1950, iu akordua “Medalja e Kujtimit”. Në vitin 1958, nderohet me “Urdhrin e Punës të Klasit II-të”, ndërsa më 1962, mori edhe “Urdhrin e Punës të Klasit I-rë”.
Në vitin 1981, nderohet nga Këshilli Popullor i Fshatit Vithkuq, (1981), me titullin “Fshatarë Nderi i Vithkuqit” (së toku me bashkëshorten e tij znj. Marika Peppo], me motivacion; “Për punën këmbëngulëse në ngritjen, pasurimin e muzeut, në përgatitjen e sesionit shkencor Mbi historinë e Vithkuqit, si dhe zhvillimin e bisedave e takimeve me karakter shkencor me popullin e rininë”.
Ai nuk e ndali punën e tij kërkimore, edhe pasi doli në pension në vitin 1968, duke kërkuar me ngulm që kontributi i tij, të njihej dhe vlerësohej nga shtetit. Nga kërkimet në Arkivin Qendror të Shtetit, janë gjetur disa letër-këmbime të tij me Enver Hoxhën, me anë të të cilave, i kërkonte ta ndihmonte për t’iu akorduar Çmimi i Republikës (1974), apo të merrte titullin Profesor (1972).
“Kam forca të gjalla, – do t’i shkruante Peppoja Enver Hoxhës, – kam vullnet për punë, koha nuk më ka mposhtur akoma, prandaj kam kërkuar nga Instituti i Historisë, të më marrin në punë profesor pensionist”. Në një letër drejtuar Enver Hoxhës, shtator 1971, ai do t’i shkruante “…i kërkoj Drejtorisë së Institutit, të më propozojë në Komisioni i Lartë i Atestimit, për të më akorduar titullin profesor, duke më vënë në radhën e profesionistëve”.
Ndërsa disa vite më vonë, konkretisht në vitin 1974, do i shkruante përsëri Enver Hoxhës; “Për dijeni, kam nderin t’ju dërgoj kopjen e lutjes drejtuar Institutit të Historisë, më anën e së cilës në bazë të veprimtarisë sime entuziaste në dobi t’arsimit e të kulturës në popull, të nderohem më Çmimin e Republikës”.
Vetë këto letra dhe përgjigjet që vijnë nga aparatçikët e Komitetit Qendror të PPSH-së, janë një tjetër dëshmi e kontrollit të fortë shtetëror, mbi shkencën. Ata nuk dëshironin ta merrnin në konsideratë kërkesën e Petraq Peppos, por kërkojnë që atij t’i kthehej një përgjigje e kujdesshme, duke respektuar moshën e tij të shtyrë. Si për të kompensuar mosnjohjen e meritave në fushën e studimeve, Peppoja mori vlerësime për veprimtarinë e tij pedagogjike.
Me rastin e 70-vjetorit të lindjes, Presidiumi i Kuvendit Popullor, i akordon “Urdhrin e Naim Frashëri të Klasit të I-rë”. Një vit më vonë, atij më në fund i jepet titulli shkencor; “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, ekuivalenti i sotëm i Profesorit të Asociuar. Në vitin 1984, ai nderohet me titullin “Mësues i Popullit”.
Peppoja u nda nga jeta më 14 dhjetor 1989. Pas vdekjes ai është nderuar me titullin; “Qytetar nderi i qarkut Korçë”, me motivacionin; “Figurë e shquar e arsimit kombëtar, patriot, historian me kontribut të gjerë, të çmuar për zhvillimin e kulturës korçare dhe asaj kombëtare”, nga Këshilli i Qarkut Korçë (2003), si dhe me titullin; “Emblema e Artë e Qytetit”, me motivacion “Intelektual i shquar, pjesë e Liceut të Korçës, që me aktivitetin e tij shkencor dhe shoqëror dha kontribute të mëdha në kulturën shqiptare”, nga Bashkia e Korçës, me vendim të Këshillit Bashkiak, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të çeljes së Liceut Kombëtar të Korçës (2017). Memorie.al