Nga Ali Buzra
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
– JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Mbas dite vonë komandanti urdhëroi që t’i lirojnë, burrat e lidhur edhe djemtë. Bashkëvuajtësit, rrëfejnë se, mes njerëzve që u nxorën jashtë atë mëngjes dimri, ishte edhe një grua lehonë që kish lindur dy binjakë, të mbajtur në dëborë, të mbështjellë me lecka, me çka mundën njerëzit e shtëpisë. Mbas dy ditësh, të dy fëmijët ndërruan jetë. Të nesërmen burrat e lagjes i varrosën ata dy fëmijë, ata dy engjëj të sapolindur, që nuk u bë e mundur tu viheshin as emrat. Islami, qëndronte në një shpellë, mes shkëmbinjve mbi fshat.
Atje shkonte në fshehtësi në shumë raste Brahimi, por edhe Beqiri për t’i çuar bukë e pak ushqim. Në një rast, atje kanë shkuar Abedini me Muhametin, që i çuan miell, gjizë e kripë. Kur u kthyen, ata treguan familjarëve, se Lamin e gjetën në shpellë pranë një zjarri që kish ndezur. Qe një natë shumë e ftohtë dimri dhe rreziku nga egërsirat, ishte shumë i madh. Atë natë, njerëzit e shtëpisë qenë në merak të madh, derisa ata u kthyen.
Islami i armatosur i kishte përcjellë deri në afërsi banesës, i përqafon dhe largohet. Një natë, ai vjen fshehurazi në shtëpi. Atë natë, aty vijnë edhe Veliu me Hasanin. Islami u thotë se ka vendosur të dorëzohet, mbasi ata po vuajnë për të. – “Për shkakun tim, – u thotë ai,- vdiqën dy foshnjat”. – “Jo, -i thotë Hasani, – fëmijët ishin të mitë, ata nuk i vdiqe ti, por shteti”. Kjo ishte nata e fundit që Islami qëndroi bashkë me fëmijët, vëllezërit e komshinjtë në shtëpinë e tij. Mbas mesnate, ai kalon te të gjithë fëmijët që ishin në gjumë, i ledhaton e i puth ata, për të mos i parë më kurrë.
Në pranverë të vitit 1945, kur dëbora në lagjen “Shpatadoll”, ende nuk qe hequr, forca të ushtrisë partizane, vijnë në Letëm dhe rrethojnë shtëpinë e vëllezërve Dobra. Me ta ishte edhe një vajzë partizane, e quajtur Mahmude. Dy burrat e shtëpisë, Beqirin e Brahimin, i kishin marrë disa orë më parë. Ajo ditë ishte lemeri. Në shtëpi, ndodheshin gratë, fëmijët dhe nëna e katër djemve, që i kishte kaluar të tetëdhjetat. Mbasi vranë qenin e shtëpisë në oborr, komandanti me disa ushtarë dhe partizanen hyjnë brenda e, i thonë plakës se kemi urdhër të kontrollojmë shtëpinë.
– “Mirë more bir, – u thotë plaka, – kontrollojeni, po qenin pse e vratë”?! – “Kjo është shtëpi armiku e, ne do i vëmë flakën”, – i thotë partizania. Ndërhyn e shoqja e Islamit, Xhemilja, e cila u thotë, se shtëpia nuk është vetëm e tij dhe se nuk kanë kusur të tjerët, që të mbeten pa shtëpi, për arsye të burrit të saj. Mbasi kontrollojnë; gjejnë disa libra fetarë e disa ushtarakë, një fotografi të Islamit dhe një e Mbretit Zog. Gjejnë edhe një qese të vogël me flori, të cilën e sekuestrojnë duke i numëruar. – “Këta do i numërojmë, se i duhen shtetit”. Edhe një herë e shoqja e Islamit, u thotë ta vritnin atë, por shtëpinë të mos e digjnin. – “Kjo është shtëpia e tre partizanëve me yll në ballë si ju”, – u thotë ajo.
– “Kush janë ata”? – e pyet komisari. – “Kunati i vogël me dy nipat, ç’faj kanë ato”, – i shpjegon, ende me një farë shprese ajo. Por nuk qe e mundur. I urdhërojnë të dalin jashtë, duke mos i lejuar të marrin gjë brenda. Dy partizanë sjellin në dhomën e miqve, kashtë misri dhe dushk të thatë. I hedhin një shishe me benzinë e i vënë flakën. Për këtë, djali i Haxhiut, Selim Dobra i riu, rrëfen se është djegur shtëpia dykatëshe me 16 dhoma, me mall e katër paja nusesh brenda. U vënë flakën edhe kasolles së bagëtive, ndërsa bagëtitë i konfiskuan krejtësisht. Një pjesë u therën dhe u konsumuan nga partizanët, ndërsa të tjerat u morën. Familjarët u strehuan te komshinjtë, por kjo nuk zgjati shumë.
Pas tre ditësh e gjithë familja e vëllezërve Dobra, u dëbua nga fshati, dhe të shoqëruar me policë i nisin më këmbë drejt Librazhdit. Ishin 16-17 persona, burra, gra, fëmijë të rritur e foshnje të vogla, si dhe nëna e moshuar. Nuk ishte vëllai i vogël Haxhiu, dhe djali i Beqirit, Hazizi. Këta të dy kryenin detyra në ushtrinë shqiptare si oficerë, ndërsa gratë dhe fëmijët e tyre, u internuan. Atyre u bëhej presion i vazhdueshëm, duke u thënë që të gjenin vëllanë e arratisur, Islamin.
Për këtë udhëtim ogurzi, Shefqeti shkruan në librin e tij, se kur ishin afruar kazermave të Babjes, dëgjohet zëri vajtues i nënës së djemve Dobra: “Ohooo, o zot, – psherëtiu gjyshja e përlotur, – kushedi a do e shoh edhe një herë atë vend? Pas 80 vite jetë, më shkulën nga vatra, sikur të isha një kërcu i thatë, e s’di ku po më çojnë të më djegin! Të gjithë u përlotën. Ishin lot malli e dhimbje, iknin pa ditur ku shkojnë”.
Fëmijët qanin, e u kërkonin nënave të pushonin. E ç’të bënin nënat e gjora?! Ato u fërkonin kokën fëmijëve duke u thënë, se edhe pak do të mbërrinin. “Pse ikëm nga shtëpia”, – i thoshte nënës së saj, Hatixheja 7 vjeçare, – hajde kthehemi në shtëpi”! Atë natë, mbërritën vonë në Krastë të Elbasanit. I vendosën në disa kazerma ku qëndruan afro tre muaj. Më pas i lirojnë e kthehen në shtëpi.
Për disa kohë qëndruan në shtëpitë e komshinjve. Gratë filluan të merren me punët bujqësore, ndërsa burrat u morën me ndërtimin e shtëpisë. Ishin pesë kurorë. Ndërtuan një banesë njëkatëshe të madhe me gurët e mureve të shtëpisë së djegur. Po kjo nuk vazhdoi gjatë. Përsëri nuk i lanë të qetë në hallet e tyre. Aty nga vjeshta e vitit 1945, i internuan përsëri. Këtë radhë i nisin për në Berat. Familja e Islamit qëndroi në Berat mbi tre vjet, ndërsa të tjerët u liruan më shpejt.
Pasi qëndruan pak muaj në shtëpi, në Letëm, u dukën përsëri punonjësit e policisë. I ngrenë për së treti dhe i nisin me ato pak plaçka ngarkuar drejt qytetit të Librazhdit, pa u thënë se për ku. Në fshat u la vetëm e shoqja e Azisit, me djalin e vogël, Çaushin. Edhe këtë e çuan te komshinjtë, ndërsa shtëpinë e vulosën te kyçi i derës. Haxhiu, pak kohë më parë, e kishte marrë gruan e tij me vajzën e vogël, në Vlorë ku ishte me shërbim në ushtri.
Kalvar vuajtjesh për familjen Dobra. Ky trajtim ç’njerëzor ndaj këtyre familjeve, nuk kishte ndryshim nga ai i dhunës serbe në Kosovë. Në Zgosht, në rrugën automobilistike pritnin familjet e Isak Allës e të Azis Biçakut. Edhe me Allajt, kështu bënin; herë i internonin, e herë i kthenin në fshat, si duket me qëllim që të tërhiqnin të arratisurit për t’i kapur. Në mesditë, të tre familjet i nisin më këmbë për në Elbasan. Arritën atje natën vonë dhe i futën në një dhomë të madhe në lagjen e egjiptianëve, ku u mbajtën për rreth dy javë.
Në mbrëmje i nxjerrin nga dhoma, e me plaçka në krah i çojnë në sheshin e “Bezistanit” te rrapi me të njëjtin emër. Njerëzit që kalonin, shihnin të çuditur këta “muhaxhirë” që pritnin, ndërsa fëmijët e tyre i zinte gjumi mbi plaçkat e vëna në trotuar. Afër mesnatës, vjen një makinë e vjetër tip “Zis” dhe i hipin në të. Fëmijët u zgjuan nga të bërtiturat e policëve, që thërritnin. Makina, siç mbajnë mend të mbijetuarit, ishte një rrangallë e vjetër, që disa herë u prish rrugës, ndërsa detyroheshin burrat e familjeve të zbritnin për ta shtyrë.
Të nesërmen, në mbrëmje, arritën në Turan të Tepelenës. Aty, ishte një kazermë ushtarake, por ajo ishte e mbushur me njerëz, që kishin ardhur nga rrethet para tyre. Kështu, që këta u detyruan të ndërtonin një kasolle me dushk lisi. Kur mori vesh për internimin, Haxhiu, merr leje dhe e çon gruan e tij në fshat. Ai e hap shtëpinë, ndërkohë e merr edhe gruan e Azisit dhe i vendos të dyja bashkë me fëmijët aty.
Menjëherë, sapo u morr vesh, vijnë ata të këshillit t’i kërkojnë llogari për hapjen e shtëpisë, por u kalua. Familjet e Dobrës, Allës e Biçakut e kaluan atë dimër në kasollen prej dushku, ku çfarë binte jashtë, hynte brenda. “Në pranverë, – shkruan për këtë Shefqeti; – një djalë i vogël i Brahimit, Refati, nga prehri i nënës së tij, vetëm na shikonte, ngado që lëviznim duke rrotulluar kokën që i varej. Ai ishte i sëmurë, e dërguan disa ditë në spital në Gjirokastër, por ishte dobësuar shumë”.
3.3 Xhemile Dobra me fëmijët dergjet kampeve të internimit
Një ditë i mblodhën të gjithë të internuarit dhe mjaft prej tyre i liruan. U liruan edhe familjet e Beqirit e të Brahimit, ndërkohë lirojnë edhe Muhametin, djalin e Islamit, siç duket, këtë të fundit, për ta përdorur për kapjen e të atit. Aty mbeti e shoqja e Islamit me vajzën dhe djalin e vogël, Shefqetin. Pas disa ditësh, marrin një letër nga familja e Brahimit, ku u thuhej se sapo ishin futur në shtëpi, e vënë Refatin në djep për të fjetur, por ai shikon rreth e rrotull, sikur diçka kërkonte me sy, ndoshta shikonte për ju, shkruajnë në letër ata, dhe pas një rënkimi mbylli sytë përgjithmonë.
Pas dy muajsh, i largojnë nga Turani dhe i dërgojnë në kampin burg të Tepelenës, i planifikuar për “armiqtë e brendshëm” dhe familjet e tyre. Aty i vendosin në kazerma, duke caktuar pozicionin për çdo familje duke llogaritur nga 50 cm. për çdo person. Në çdo kazermë caktohej një përgjegjës nga të burgosurit. Vetëm 16 banjo ishin për gjithë ata njerëz. Pritej radha për të kryer nevojat higjenike.
Kampi ishte i rrethuar me tela me gjemba dhe ruhej me policë, kush kalonte ato, dënohej. Ditën e dytë, i nxjerrin jashtë rrethimit ku do të mblidhnin predhat e mbetura, që gjatë luftës. I mblidhnin dhe i stivonin. Shefqet Dobra e Ilir Biçaku nga Letmi dhe Faik Alla nga Zgoshti, ishin të një moshe, 6-7 vjeçarë. Në librin e tij Shefqeti shkruan duke kujtuar stivat e predhave të gjata, që vendoseshin në anë të lumit të Bënçës.
Megjithëse njerëzit bënin shumë kujdes gjatë punës, ka patur mjaft raste që ato plasnin, e shumë persona humbën jetën. Për këtë mbahej një proces-verbal që firmosej nga familjarët se ka humbur jetën nga pakujdesia, njëkohësisht vërtetohej se nuk ka tentuar për arratisje. Derisa përfundoi mbledhja e predhave, atje shkohej çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Në të errur binte çanga për t’u futur në kazermë. Te kuzhina shkohej vetëm një herë në ditë, ku merrnin 400 gram buke për person me listë, fillimisht vetëm bukë thatë. Në mëngjes, nënat i zgjonin fëmijët shpejt, që kur të bëhej apeli, të ishin të gjithë në rresht para krevatit. Fëmijët për gjiri, nënat i zbulonin që t’i shihte polici. Për këtë, Shefqet Dobra shkruan: “Kapter Selfo, nuk dinte të shkruante, as të lexonte, por mbante mend shumë mirë mbiemrin e çdo familje dhe sa persona kishte secila. Kur e kishte ky radhën për të na numëruar, sa vinte këmbën në prag të derës, lëshonte një britmë rrëqethëse: Të gjithë para krevatit! Dhe, menjëherë thërriste mbiemrin e çdo familje. Ne duhet të kalonim para tij njëri pas tjetrit.
Nëse bënte vaki të mungonte ndonjë anëtar familjeje, qoftë edhe fëmijë i mbështjellë në shpërgej, ai nuk ndërpriste numërimin, se ngatërrohej, por mbasi mbaronte së numëruari, mbante mend kush kishte munguar nga kjo ose ajo familje. Në fund, personat që kishin munguar, nëse nuk ishin aty për t’i kërkuar falje, do të dënoheshin me birucë ose me prerjen e racionit të bukës”.
Pasi përfunduan se grumbulluari predhat, me të rriturit i çonin për të bërë dru në pyll. Gratë i mbartnin ata në krahë. Te ura e Bënçës, qëndronte polici, i cili shikonte barrët. Në qoftë se i dukej se kishin ngarkuar pak, i kthente përsëri në pyll. Nga Tepelena e lirojnë një herë edhe familjen e Islam Dobrës. Mbas disa ditë rrugëtim, mbërrijnë në shtëpi, në Letëm. Kujtuan se shpëtuan. Muhameti, punonte, ndërsa Shefqeti shkoi në shkollën fillore në fshat. Erdhën në shtëpi, edhe Haxhiu me Eminin.
Ky i fundit, ishte djali i Beqirit, i cili mbasi mbaroi shërbimin ushtarak, kaloi oficer në ushtri me gradën kapiten. Ata kishin ardhur me leje, edhe armët i kishin me vete. Një ditë, Brahimi, Haxhiu dhe Emini, nuk u panë në shtëpi gjatë gjithë ditës. Ata vijnë natën vonë. Fëmijët, kujtojnë për atë natë, se kur ata futeshin brenda, burrat e ndërpritnin muhabetin. Pas disa ditësh, Haxhiu me Eminin qenë larguar, ndërsa Brahimi tre-katër ditë nuk erdhi në shtëpi.
Mosqenia e Brahimit, nuk binte shumë në sy, mbasi ky i fundit, here-herë largohej edhe me javë, duke punuar si usta në zonat e Dibrës, për të siguruar mundësi jetese për familjen me shumë anëtarë. Ato ditë Brahimi, kishte përcjellë Islamin të kalonte kufirin. Kjo ngjarje nuk u përmend gjatë gjithë periudhës së komunizmit. Vetëm pas përmbysjes së sistemit u mor vesh se ata u ndihmuan nga kushëriri i tyre, Muharrem Hasa nga Qarrishta.
Presioni dhe kërcënimet për dorëzimin e Islamit kanë qenë të vazhdueshme. Haxhiu, është nisur disa herë nga komanda e repartit ku shërbente, për në Letëm, që të gjejë e të dorëzojë vëllanë, Islamin. Po kështu është vepruar edhe me Azisin e Eminin. Ata, mundet se i mbanin me qëllim në ushtri që t’i detyrojnë për të kapur të arratisurit. Por burrat, oficerë, të familjes Dobra, nuk ranë në kurthin e Sigurimit të Shtetit. Në vitin 1947, Azisi u vra në një zonë të Dibrës, duke qenë i inkuadruar me Forcat e Ndjekjes.
Personi që mendohej se mbante direkt lidhje me vëllanë e arratisur ishte Brahimi. Ai ka provuar torturat, kërcënimet me jetë e gjithçka tjetër, por nuk mundën ta mposhtnin. Brahim Dobra, do të mbetet legjendë për trimërinë, guximin dhe besnikërinë ndaj vëllait të arratisur, duke qëndruar si luan përballë egërsisë së shtetit komunist. Familja e Islamit këtë herë qëndroi në shtëpi 5-6 muaj. Ata do t’i internojnë përsëri.
Nënën, me tre fëmijët; Muhametin, tashmë 16-17 vjeçar, Hatixhen 11 vjeçe dhe Shefqetin 7 vjeçar, vijnë i marrin policët duke i shoqëruar përsëri për në kampin-burg të Tepelenës. Ata ishin të njohur me jetën prej tmerri atje. Rikthimi qe vdekje për ta. Nënë Xhemilja me Muhametin, ishin të detyruar të punonin. Puna me transportin e druve vazhdonte. Me punën e njerëzve të kampit siguroheshin drutë e zjarrit për repartet ushtarake.
Në pyll kishte gorrica të egra. Gratë mblidhnin nga ato, e ua jepnin fëmijëve në darkë kur vinin, për të shuar sadopak urinë. Një mbas dite vonë, kur u kthyen nga puna, i ndaluan para portës së kampit, ashtu siç ishin të ngarkuara me dru në shpinë. Togeri, u jep urdhër t’i shkarkojnë drutë e të rreshtohen. Fillon t’u kontrollojë trastat, duke u thënë; – “po këto, çfarë i keni”?
– “Gorrica, – përgjigjet njëra prej tyre. – I mblodhëm për fëmijët”. Togeri, urdhëroi një nga burrat, i zbrazën trastat duke i futur në një thes, për t’i çuar te derrat. Gratë, pothuaj për çdo ditë, merrnin në pyll barishte e hithra që i zienin me ujë, mbasi për yndyrë nuk bëhej fjalë, për t’i përdorur në mungesë të ushqimit. Edhe këto shpesh përfundonin te derrat, kur aty ndodhej togeri. Të mbijetuarit rrëfejnë, se kur qëllonte kapter Isen Lena, që ishte nga Mati, ose kapiten Syrjai, nuk kontrolloheshin.
“Nga të pangrënët, në kushte tejet të rënda dhe nga stresi, – kujton Shefqeti, – vdisnin për çdo ditë njerëz. Më të shumtët ishin fëmijë e pleq, por edhe të rinj e të reja”. Të gjithë të mbijetuarit e kanë dëshmuar problemin e varrezave. Këtë e kam mësuar gojarisht edhe nga të mbijetuarit, Ilir Biçaku nga Letmi, Sheme Muzhaqi nga Vilani, Faik Alla nga Zgoshti, Shefqet Dobrën nga Letmi, Faik Kasa nga Gurshpata e Xhevdet Shuaipin nga Erseka, me të cilët kam kontaktuar.
“Fillimisht varrezat i bënë brenda rrethimit, – rrëfen Shefqeti, por numri i të vdekurve rritej çdo ditë e më shumë. Një ditë vjen një traktor e i plugon ato, duke mos lënë gjurmë varresh, me qëllimin për të futur të tjerë. Mbasi vendi mbushet përsëri e plugojnë dhe e mbjellin tokën elb. Njerëzit shihnin se si i nxirrte plugu eshtrat e të afërmve të tyre të vdekur. Më pas filluan t’i varrosnin jashtë rrethimit”. Këto dëshmi, flasin për një gjenocid të paparë e të padëgjuar ndonjëherë.
Në një bisedë që kam dëgjuar në TV Klan me gjeneralin e mbijetuar Rrahman Parllaku, ky i fundit mes të tjerash shprehet: – “Gjermani, të vriste, por të linte aty. Të afërmit e merrnin kufomën dhe e varrosnin, ndërsa nën regjimin e Enver Hoxhës, kufomat e të vdekurve i zhduknin”. Rasti i Tepelenës, është rrëqethës, e duket i pabesueshëm, por fatkeqësisht është një realitet i jetuar, të cilin e kanë dëshmuar qindra të mbijetuar nga ai kamp mizor i komunizmit shqiptar.
Në kamp, për të burgosurit, në darkë lexohej gazeta në mënyrë të organizuar. Leximi i shtypit, në atë kohë, ishte gati i detyrueshëm e bëhej ngado; në brigadat e kooperativës, në ndërmarrje shtetërore, në aksionet e rinisë, në ushtri e kudo. Kjo ishte pjesë propagandës, për edukimin komunist të njerëzve. Ndërkohë, u ngritën shkolla në çdo fshat, duke masivizuar arsimin në shkallë vendi. Ky masivizim i arsimit u shoqërua me një politizim të tejskajshëm të tij.
Gjithçka në institucionet arsimore duhet të lidhej me politikën e partisë-shtet. Edhe nga kampi i Tepelenës, fëmijët i dërguan në shkollë. Fillimisht, improvizohet një ambient në kamp, ndërsa më pas me shtimin e numrit të të burgosurve, fëmijët shkonin në qytetin e Tepelenës, për të vazhduar shkollën. Ata kujtojnë se në shkollë shkonin në mënyrë të organizuar, dhe më pas, jo të shoqëruar me policë, se fëmijë ishin, nga do të shkonin! Ishin aq shumë sa shkonin edhe para dite edhe pas dite, me dy turne. Ata ktheheshin në rresht për dy dhe numëroheshin nga oficeri i rojës. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm