Nga Marçel Hila
Memorie.al/Keqtrajtimet në burgje dhe krime të komunizmit. Dëshmon Llambro Nesturi, ish-i dënuar politik, vuajtës në burgjet e Ballshit, Qafë Barit dhe Spaçit. “Në ditën e lirimit, i detyronin të burgosurit të thoshin ‘Rroftë Partia’! Ama, unë u thashë: Me leje, komisar, mos kam ndonjë ditë mangët ta bëj tani”?
Zoti Llambro, kur jeni arrestuar dhe me çfarë akuze?
Jam arrestuar rreth viteve ’80-të në Sarandë. Punoja si shofer dhe isha duke pirë kafe në klub, kur vijnë punonjësit e Sigurimit dhe më thonë: Hajde me ne! Mendova se do të kishin ndonjë dokument për të dërguar për në Tiranë, meqenëse punoja si shofer. “Jo, – më thanë, – kemi punë të tjera”.
Erdhi prokurori Spiro Peçi. Pasi plotësoi dokumentet, e pyeta përse më kishin arrestuar. Më tha: “Je arrestuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Kjo ishte akuzë e sajuar, gjoja sikur do të largohesha në Greqi, meqë ishte afër kufirit. Personi që doli si dëshmitar ishte spiun i tyre. Nëse do të isha përballur sot me të, do ta kisha vrarë, por ka rreth 10 vjet që ka vdekur.
Si janë sjellë me ju gjatë hetuesisë?
Më kanë torturuar që të pranoja ato që donin ata, gjëra të sajuara. I pranova akuzat, se më bënin presion dhe nisi dajaku…! Në procesin gjyqësor, u dënuan 3 veta në të njëjtën kohë: unë, kunati dhe nipi im. Prokurori më tha: “Fustanin t’a kemi prerë ne në hetuesi me Trifon Toskën, krye-hetuesin”. I’u ktheva dhe i thashë: “Fustanin na e pret gjykata e jo ju”. “Jo, – më tha, – çfarë themi ne, do të bëjë gjykata”. “Mirë, – i thashë – po pse na çoni në gjykatë? Na e jepni direkt dënimin e të vazhdojmë punën. Na çoni në kamp a na vrisni”! “Jo, – tha, – do të thuash në gjykatë: “Kërkoj pushkatim”!, por ne s’të pushkatojmë, se armët i kemi ne, nuk kanë gjë ata. Ata janë kot, sa për të thënë që ‘Ja i dënoi gjykata’”.
Në gjykatë ata na kishin përgatitur çdo gjë që duhet të thoshim. Në seancën gjyqësore, trupi gjykues më pyeti: “Çfarë kërkon nga ne”? Ua ktheva: “Ku keni gjë në dorë ju. Po më liruat ju 1 vit, do të marr 10 më shumë nga këta të tjerët, nga prokurori”. “Mos fol kështu”! – më tha prokurori. Më dënuan 10 vjet, por bëra 7 vjet.
Në cilin burg e keni vuajtur dënimin?
Në Ballsh më sollën 2 muaj para se të vritej Mehmet Shehu, pastaj na çuan në Qafë-Bari, natën. Kujtuan se do të ngrihej Mallakastra dhe do ta shpërthente burgun.
Në Ballsh kishte shumë pleq të cilët vdiqën rresht, pleq të Gjirokastrës të akuzuar sikur do të helmonin ujin e qytetit, por ata mezi rrinin në këmbë, ku kishin fuqi t’i bënin këto gjëra.
Më thotë Kasëm Kaçi: “Hë, si të duket”? Aty ishte një plak gati lakuriq. “Po ky është thuajse pa ndjenja”, – i thashë. “Hë, hë, – ma ktheu, – por ai e ka helmin në gjuhë. Ashtu të vuajë”! “Po kë do të helmojë ai”? – i thashë. – “Ai nuk ka fuqi as të flasë, jo më të helmojë!”
Kam qenë edhe në burgun e Spaçit, ku kam punuar në minierë, dhe në burgun e Qafë Barit. Kur i internonin njerëzit, ata nga Veriu i dërgonin në Jug, ndërsa ata nga Jugu në Veri. Edhe pallatet në Qafë Bar, ishin me të internuar.
Familja ime ishte në kushte të vështira: shisnin ndonjë lule, lakra të egra dhe më dërgonin ndonjë pako kafe. Letrat që këmbenim, i lexonte Sigurimi. Familja më ka ardhur vetëm 3 herë në burg, në 7 vjet gjithsej që bëra si i dënuar. S’kishin mundësi.
Si ishin kushtet e të burgosurve në këto burgje dhe si trajtoheshin ata?
Në burgun e Qafë Barit shpërtheu një revoltë se një djalë nga Puka, i cili ndodhej në hetuesi për 11 muaj, ishte i sëmurë me temperaturë. Një doktor nga Kosova, që ishte i dënuar, i thotë komandantit të mos e çonin djalin në punë, se normën e tij do ta bënin shokët e tjerë të burgosur. Mirëpo komandanti nuk pranoi dhe ky ishte një shkak që të burgosurit u revoltuan, prishën banjat publike, qëlluan policët.
Erdhën trupa policie nga Puka, Fushë Arrëzi, avionët e ushtrisë me urdhër të Zylyftar Ramizit na fluturuan mbi koka…! Komandant Dalip Xhabollin, e morën në hetuesi. Ishte 100 kg. kur hyri, tërë ai kolos dhe pasi doli ishte katandisur as 40 kg.!
Në Qafë – Bari një i burgosur që vdiq përpara se të lirohej, e çuan në një fshat në Fushë Arrëz. I merrnin në karrocë, u bënin një varr dhe i mbulonin pa asgjë, pa asnjë shenjë.
Dihet se të burgosurit në këto burgje punonin në miniera. Si ishte ngarkesa me punë dhe a e përballonit dot?
Plani i punës në Qafë-Bari ishte që duhej të bëje 7 vagonë me bakër. Kapteri të jepte një shkresë që e ke realizuar planin. Nëse nuk e realizoje planin, haje dru dhe të nesërmen duhet të plotësoje edhe atë që e kishe mangët. Në këto kushte ne ndihmonim njëri-tjetrin.
Torturat e tyre as fashizmi nuk i bënte. E zvarrisnin njeriun në borë, i’a hapnin gojën e i hidhnin çaj të nxehtë: “Pse nuk i bëre vagonët? Kush të tha të mos i bëje?” Dhe nëse përgjigjeshe që zona ku punoje s’kishte material e prandaj nuk mbusheshin vagonët, atëherë ajo që të priste ishte druri.
Për çdo të burgosur kishte një formular. Punëtori Operativ i burgut, kishte njerëz të cilët i shpërblente duke i liruar para kohe. Këta shkonin në çdo birucë dhe mblidhnin të dhëna që ky duhet dënuar, se ka bërë këtë ose atë vepër.
Ata të provokonin që të flisje diçka kundër Enverit, me qëllim që, kur të vinte dita e lirimit, të të dënonin përsëri, sepse ata nuk donin që të arrije të dilje me plotësim dënimi.
Në burg më ka rënë infarkt. U dëmtova nga burgu, nga vuajtjet dhe jam operuar nga zemra. Në birucë, atje ku hante ushqim qeni, në atë gavetë hanim edhe ne. Më thoshte një shok që ishte polic: “Mos ha atje, se atje bëhet ushqimi i qenve.
Ha vetëm bukë thatë”! Prandaj, ç’të punonte zemra ime! Erdhi dita e lirimit. Vaid Lame më tha: “Mos thuaj ‘Rroftë Partia!’ se Partia s’të do as ty, as mua. Ne do të lirohemi, Llambro. Do të vonohet pak, por edhe ata do të vuajnë, se çfarë na kanë bërë neve, do t’ua bëjnë edhe këtyre”!
Ditën e diel u mblodh kampi. Mirëpo kur liroheshe, duhet të thoshe: “Rroftë Partia”!, ama unë nuk e thashë. Unë u lirova me plotësim dënimi, domethënë i kisha mbushur ditët.
“Sot do të lirohesh, – më tha komisari i kampit, – dil këtej”! Nuk të thoshte më “i pandehur”. “Çfarë ke për të thënë”? – më pyeti. I thashë: “Me leje, komisar, mos kam ndonjë ditë mangët ta bëj tani, se jam larg”. U revoltua, i mori shkresat dhe i përplasi e më tha: “Je i pandreqshëm, Llambro”! Pastaj më morën shokët e burgut për dore, më shëtitën nëpër kamp.
Në cilin vit e mbaruat dënimin?
Dola në vitin 1988. Unë isha i martuar dhe me dy fëmijë. Fëmijët m’i hoqën nga shkolla. Gruaja mbeti pa punë dhe mblidhte lule e bare nga mali dhe me ato jetonte. Kur shkonte në dyqan, në radhën e mishit, e quanin armike. Nuk u fliste njeri me gojë.
Kur dola nga burgu, më çuan në një punë të rëndë me normë. Po të mos e bëje, nuk merrje rrogën. Më caktoi brigadieri vendin e punës me disa gra. Ngrihen gratë e i thonë: “Pse me armikun do të punojmë ne”? Kudo ishim të ofenduar!
Si e pritët ardhjen e demokracisë?
Ardhja e demokracisë ishte një gëzim i madh. Ahh, të kisha lekë, të bëja një darkë, të hante e gjithë Saranda!
A shpresonit që ata që ju shkaktuan këtë të keqe një ditë t’i vriste ndërgjegjja dhe të vinin t’ju kërkonin ndjesë?
Atë që doli dëshmitar në gjyq, e kam parë pasi dola nga burgu, por ai fshihej nga unë. Nuk më kërkoi të falur asnjëherë! Ka qenë oficer dhe ai u dënua me pushkatim në Korçë; edhe gruaja e vet kishte vjedhur klubin dhe u dënua me 25 vjet burg. Zakonisht, kush ishte në burgje për vjedhje, e rekrutonin dhe e bënin spiun.
Faleminderit zoti Llambro që ndatë me ne këto kujtime të dhembshme për ju. Paçi shëndet e jetë të gjatë!
Faleminderit z. Marçel për këtë punë që po bëni, pasi brezat që vijnë ta dinë se çka ndodhur me ne, në mënyrë që ato tmerre që kemi kaluar ne, të mos përsëriten më. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016