Nga Vepror Hasani
Pjesa e dytë
Memorie.al / “Në kënetën me kallamishte të Maliqit kishte filluar të ndihej një zë i çuditshëm, – nis të na tregojë Ylber Merdani. – Ngjasonte me një uturimë. Ishte një zë që ulërinte me një u-u-u….të tejzgjatur që rrëqethte dhe friksonte çdo kalimtar. Dikush tha se kishte qenë kau i fundit i kënetës, shpendi i çuditshëm që jetonte në atë vend. Ai fluturonte sa në njërin skaj të saj te tjetri, duke lëshuar zërin e tij vajtimtar. Nuk kishte ndodhur kurrë kështu më parë. Zëri i tij dëgjohej herët në mëngjes dhe në orët e vona të natës, kur errësira bëhej pis e zezë. Dikush tha se diçka e keqe kishte për të ndodhur…! Në hapësirën e kënetës, do të derdhej shumë gjak, do të vriteshin shumë njerëz dhe do të vuanin me mijëra të tjerë…! Zëri i kaut do të dëgjohej për shumë vite me radhë. Me kalimin e kohës shumë njerëz patën bindjen se kau ose ishte larguar nga këneta, ose ishte vrarë prej gjahtarëve, por dëgjimi i zërit të tij mbeti një çudi e pashpjegueshme. Nuk ishte vetëm kau që kishte filluar të ndihej i frikësuar, por edhe rosat, patat, pelikani. Shpendët dhe gjallesat e kënetës kishin nisur të fshiheshin nëpër kallamishte. Tufa zogjësh dukeshin sikur po përgatiteshin për një ikje të madhe. Më pleqtë e shihnin si një shenjë të keqe. Ngjalat dhe peshqit, sikur nuk po ndiheshin më me lëvizjet e tyre. Pikërisht në ato ditë, ishte përhapur lajmi për tharjen e kënetës së Maliqit. Një skenar i kobshëm ishte parapërgatitur kohë më parë. Këneta e Maliqit do të kthehej në një skëterrë, në një varr të madh, ku njerëzit do të varroseshin të gjallë në baltën e argjinaturës. Do të eleminoheshin njëri pas tjetrit të gjithë kundërshtarët e regjimit. Përveç kampit të Maliqit, do të funksiononin edhe kampet në Vloçisht, në Nizhaves dhe në Orman – Pojan, të cilët do të merrnin jetë njerëzish deri në vitin 1951”.
Kush ishin të dënuarit?
“Aty do të vuante dënimin Vehxhi Buharaja, përkthyesi që e bëri Sadiun të fliste shqip, – vazhdon me tregimin e tij, Merdani. -Ishte nga Berati. E kishin arrestuar në vitin 1946 nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor. Do të sillnin aty edhe Mitrush Kutelin (Dhimitër Pasko), babain e rrëfenjës shqipe, i diplomuar në Universitetin e Bukureshtit për Shkencat Ekonomike.
Ai u kthye në Shqipëri në vitin 1942 me shpresën për të kontribuar si shkrimtar dhe publicist, por edhe si përkthyes. Zotëronte disa gjuhë të huaja. Solli të përkthyera shumë vepra letrare të shkrimtarëve botërorë. La të shkruara shumë rrëfenja shqiptare: “Vjeshta e Xheladin Beut”, “Netë Shqiptare”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Ago Jakupi” etj. E arrestuan në vitin 1947. Në kënetën e Maliqit, do të sillnin edhe Pashko Gjeçin përkthyesin e Dantes dhe të Homerit.
Ishte nga qyteti i Shkodrës. Kishte studiuar në Universitetin e Romës në Fakultetin e Filozofisë dhe Historisë. U arrestua në vitin 1947. Në kënetën e Maliqit do të vinte Kryemyftiu i Shkodrës, Hafiz Ali Kraja. Në vitin 1922, kishte qenë deputet e Parlamentit shqiptar. Në vitin 1943, ishte internuar nga italianët në Porto-Palermo për qëndrimin e tij antifashist. Ishte mik i poetit të madh Gjergj Fishta.
Fjala që mbajti Kraja në varrimin e mikut të tij, Fishtës, mbeti e paharruar. U arrestua në vitin 1947. Për 18 vjet me radhë qëndroi në qelitë e burgut. Do të sillnin aty edhe sekretarin personal të Fan Nolit në Amerikë, Andon Frashërin. Jo rrallë herë talleshin me të: “Zoti Frashëri, thirre tani Fan Nolin që të të shpëtojë”! Aty do të përfundonte edhe diplomati Eqerem Janina, i martuar me mbesën e Sulltan Hamitit, zotërues i 8 gjuhëve të huaja”.
Vetëvrasja e kolonelit, Sulejman Vuçiterna
Poeti Ylber Merdani qëndroi një çast i heshtur dhe pas një çasti nisi të fliste përsëri. – “Ishte 15 tetori i vitit 1948. Atë ditë diçka e frikshme, por edhe e pabesueshme do të pushtonte gjithë të burgosurit e kënetës së Maliqit. Ndoshta kishte qenë vajtimi i kaut të kënetës që kishte çuar lajmin te çdo i burgosur. Sulejman Vuçiterna, koloneli kosovar, komandanti i 400 burrave që u kishte bërë ballë sulmeve serbo-malazeze, kishte tentuar të vetëvritej.
Drithërima dhe rrëqethja nuk la njeri pa përshkuar. Lajmi që po përhapej ishte edhe më i keq, edhe më i zi. Rojet dhe policët nuk po përpiqeshin t’i shpëtonin jetën, por nxitonin për t’ia rrëmbyer atë. Kishin frikë se mos ai ringjallej. Pas pak, gjithkush nisi të fliste vetëm për këtë ngjarje të tmerrshme. Shumë nga të burgosurit ose e kishin njohur Sulejman Vuçiternën më parë, ose kishin dëgjuar për të, ose ishin njohur aty dhe kishin mësuar përse atë njeri, miqtë e tij e quanin “koloneli“.
Tashmë gjithkush e dinte që Sulejman Vuçiterna kishte lindur në Vuçiternë të Kosovës, që i ishte bashkuar lëvizjes për rezistencë, që kur ishte 16 vjeç. Dinin gjithashtu që kur Vuçiterna ishte 18 vjeç, kishte dalë në krye të 400 burrave të Drenicës, Mitrovicës dhe Vuçiternës, sepse kishte vendosur të zmbrapste sulmet serbo-malazeze. Qeveria serbe e kishte dënuar me vdekje, ndaj e kërkonin vend më vend.
Në vitin 1922, Vuçiterna mundi t’i shpëtonte rrethimit, por gjatë kohës që kullës së tij i’u vu zjarri, vëllai i tij mbeti brenda mes flakëve. Ai erdhi në Shqipëri, ku përfundoi “Normalen” e Elbasanit, shkollën ushtarake të Tiranës, më pas Akademinë Ushtarke të Torinos në Itali, dhe pas kësaj do të përfundonte shkëlqyeshëm specializimin në Gracë të Austrisë. Së fundi u emërua drejtor i shkollës ushtarake në Tiranë, ku mban gradën nënkolonel. Në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare shërbeu si intendent në Korçë, në Shkodër, në Berat, në Durrës, në Kavajë e gjetkë deri në vitin 1939.
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia u largua nga vendi për t’u rikthyer sërish në vitin 1941, pranë Armatës Shqiptare me detyrën e Komandantit Verior të Kosovës (kufi me Malin e Zi, Serbinë dhe deri në kufi me Bullgarinë). Mbante gradën e kolonelit. U arrestua pabesisht nga sllavo-komunistët e Tiranës në nëntor të vitit 1944, së bashku me shumë intelektualë dhe nacionalistë shqiptarë. ‘Gjyqi Special’, i marsit në vitin 1945, e dënoi atë me 30 vjet burg. Tashmë ishte përhapur lajmi se ky njeri i pamposhtur kishte kërkuar vetëvrasjen.
Ndoshta e kishte të pamundur të shihte si rriheshin, torturoheshin, vareshin në litar dhe pushkatoheshin njerëz të pafajshëm. Ai edhe mund të kishte jetuar, por ata që e kishin arrestuar nuk e donin jetën e tij. E pashë me sytë e mi, Sulejman Vuçiternën, ka thënë Sezai Garo, kur ai po përpiqej të vetëvritej. Ngriti belin, qëlloi fort dhe preu gishtat e këmbës. Të gjithë sa ishim aty u ngritëm për ta ndihmuar.
Ia lidhëm këmbën me lecka që t’i pushonte rrjedha e gjakut, por në atë kohë mbërritën rojet dhe pas tyre komandanti i kampit Tasi Marko. “Kush është ky“?- pyeti komandanti i kampit. “Sulejman Vuçiterna“, iu përgjigjën. “Zgjidhjani plagën“, tha ai, Vuçiterna është kriminel. Merreni dhe flakeni! Ju e dini ku e kanë vendin këta kriminelë“. Më vonë do të merrej vesh që Sulejman Vuçiternën, e kishin hedhur në llucë kur ende nuk i kishte dalë shpirti“
Spiunët
“Asgjë nuk mbetet e panjohur – thotë poeti Merdani dhe pas kësaj vijon: “Kishte kaluar mjaft kohë dhe tashmë të burgosurit kishin kuptuar se mes tyre kishte të burgosur ordinerë dhe njerëz që paguheshin të bënin punën e informatorit apo të provokatorit. Kuptuan që funksiononte një rrjet i tërë spiunësh. Shumë shokë të tyre ishin bërë pre e provokimeve, ishin rrahur dhe torturuar, madje edhe ishin mbytur të gjallë në gropat me llucë dhe fekale. U duhej të ishin të kujdesshëm.
Gjithçka niste nga drejtori i kampit, Tasi Marko, i cili ishte vëllai i Rita Markos. Ai kujdesej që çdo shërbëtor i tij të ishte më i pamëshirshëm se tjetri. Këtë gjë e dinin edhe vartësit e tij. Ata bënin çdo përpjekje që të merrnin vlerësimin e komandantit të tyre. Tetari Murat Xega, që bënte punën e zëvendëskomandantit, kishte dëshirën ta kalonte edhe komandantin e vet. Punonjësi i Sigurimit, Kristaq Katundi, i njohur me nofkën “Akruti”, ishte një nga drejtuesit e këtij rrjeti spiunësh e provokatorësh.
Përgjegjësi i brigadës, Beqir Koleci (i burgosur), një ish major i komunizmit që askush nuk e dinte pse e kishin burgosur, nuk ishte gjë tjetër veçse një një agjent i Sigurimit, i tmerrshëm dhe i pashpirt, aq sa bënte garë me rojet se kush i trajtonte më keq të burgosurit. As brigadierit Azis Alla, nuk i shpëtonte gjë, ai ishte gjithnjë atje ku torturoheshin të burgosurit. Pas tyre renditeshin të gjithë spiunët: Trajan Xheka, Muharrem Qafëzezi, Hito T. etj. Ata ishin shumë.
I vetmi njeri që mbahet mend për shpirtin e tij të madh, ishte mjeku Isuf Hysenbegasi. Ndoshta ishte një nga njerëzit që arriti të shpëtonte shpirtra njerëzish. Kishte mjaft të burgosur ordinerë që të porositur nga Sigurimi i shtetit, provokonin të burgosurit. Ishte Trajan Xheka ai që, në vjeshtën e vitit 1948, spiunoi shokët. Pas kësaj Niko Kirka dhe Skënder Stefanllari etj., do t’u nënshtroheshin torturave çnjerëzore. Ishte spiuni Hito T., ai që qëlloi pas shpine të burgosurin Servet Haxhia, i cili mbeti i çalë për tërë jetën.
Për shkak të spiunëve, Josif Ballauri u torturua aq shumë, sa humbi shikimin për gjithë jetën. Qani Sulejmanit, i thyen duart duke e goditur me dru. At Kosta Bezhani, u torturua çnjerëzisht. Veli Ballolli u tortura për ditë me radhë, vetëm pse një bashkëfshatar i tij, kishte mundur që të arratisej. Virtut Gjylbergu, u vra nën pretendimin se donte të arratisej, sikurse u vranë dy djem nga Peqini dhe një djalë nga Luarasi, (më vjen keq që nuk arrita t’ua mësoj emrat), si dhe shumë të tjerë.
Për sabotim do të dënoheshin edhe nacionalistet e ndershëm: Bego Gjonzeneli, Klito Lamaj, Hamdi Gjoni, Burim Kokoshi, Fadil Xhindi etj., të cilët u çuan në burgun e Kuçovës apo të Vlorës, ku u torturuan që të pranonin se donin të sabotonin tharjen e kënetës. Tregtarin Kostë Fundo, me urdhër të komandës, të burgosurit ordinerë e zvarritën deri te dera e kampit ku dha shpirt. Koçi Mirasi, që u gjet i varur në kapanon, policët ia shkulën dhëmbët prej floriri me darën e kovaçit.
Një djalë nga Librazhdi e pa të atin duke vdekur, por policët nuk e lejuan t’i afrohej. Në kampin e Maliqit, gjeje edhe njerëz nga e njëjta familje, siç ishte Karafil Bylykbashi, bashkë me të birin Servet Bylykbashin. Nga torturat vdiq edhe Miltjath Terezi, etj. Burgjet që ishin në varësi të Divizinit të Popullit, kaluan në varësi të Policisë Popullore. Kështu, i njëjti organ të spiunonte. të burgoste, të hetonte, të torturonte apo të pushkatonte me ose pa gjyq”.
Tregtarët
“Isha fare i ri aso kohe kur më burgosën më ka rrëfyer Xhahit Met’hasani, – kujton Merdani, – ndërsa i duhet të vijojë me rrëfimin e Met’hasanit. Mbasi u dënova nga një hetim shtazarak më çuan në kampin e Vloçishtit. Një mëngjes bashkë me ne u radhitën edhe nëntë burra të ardhur rishtas. Ishin të moshuar dhe të drobitur nga hetuesia e gjatë. Mësuam se ishin tregtarë nga Korça që, i kishin torturuar gjatë në hetuesi, për t’i detyruar që të nxirrnin floririn. Dikush kishte vdekur gjatë hetimeve.
Dy prej tyre nuk duruan dhe vdiqën aty, pranë karrocave me dhe. Nuk mund të harroj dot njërin prej tyre, i burgosuri që sapo kishte ardhur, po shtynte karrocën që kërciste, por që nuk lëvizte nga vendi. I burgosuri mblodhi sërish fuqitë dhe deshi ta shkulte karrocën nga vendi. Papritur pashë që ai po rrëshqiste, këmbët i’u shkëputën nga toka dhe po fluturonte drejt thellësisë së kanalit. Unë, thotë Met’hasani, po punoja brenda në kanalin e thellë. Ishte gjithçka që ndodhi shumë shpejt.
I burgosuri (edhe pse po binte), vuri dorën në zemër, më vështroi me sy të zgurdulluar, sikur më kërkonte ndihmë, u përpoq të mbahej në ajër, duke hapur krahët anash, por edhe duke u dridhur i gjithi, u mblodh si lëmsh dhe u rrokullis anash, duke rënë brenda në kanal. Nxitova ta kapja, por nuk munda, sepse rojet arritën menjëherë, duke sharë me fjalë të ndyra. Filluan të godisnin me shkelma, por ai kishte vdekur…! Atë ditë mora vesh që ai quhej Sotiraq Lako, kishte qenë tregtar.
Ky nuk ishte rasti i vetëm. Tregtari nga Korça, Bexhet Frshëri, ish – deputet në kohën e Mbretërisë, megjithëse në moshë tejet të kaluar, e torturonin në punë duke i kërkuar normën, e cila ishte e pamundur për moshën dhe fizikun e tij, e shtynin dhe e godisnin e këto shoqëroheshin me ofendime e fjalët më të fëlliqura. Tashmë Bexheti i dobësuar dhe i pafuqishëm nuk mundi të ndiqte turmën e të burgosurave që nxitonte për t’u kthyer në kamp. Me sy të zgurdulluar u rrëza përtokë, policët në moment e rrethuan dhe po e shkelnin me këmbë, duke e zhytur në llucë. Ai i shikonte në sy, sikur donte t’i falënderonte, që po e shpëtonin nga mundimet dhe vuajtjet.
Bexhet Frashërin e hodhën në argjinaturë dhe e mbuluan me dhe (baltë). Përmes torturave të tilla, do t’i kalonin vitet në kënetën e Maliqit edhe avokatë si: Vangjel Golgota, Shefqet Çelkupa, Fuat Asllani, Qamil Xhaja, apo gazetarët Koço Semini dhe Fiqiri Llagami; farmacistët Alfred Ashiku, Mikel Kilica, Vlash Dushniku, e shumë të tjerë që provuan skëterrën komuniste në kampin e Maliqit, në Vloçishtit, në Nizhavecit dhe në Orman Pojanit
Mehmet Shehu
“Të burgosurit punonin për tharjen e kënetës nga nga prilli deri në nëntor. Së fundi kishte ardhur sezoni i shirave dhe të burgosurit do të mbarteshin nëpër burgjet e mbyllura, për t’u kthyer sërish në pranverë. Sigurisht, do të ktheheshin vetëm ata që do të mbeteshin gjallë. Largimin nga këneta të burgosurit mezi e prisnin. Të burgosurit ishin radhitur pranë makinave. Policët nisën të lexonin emrat. Kush dëgjonte emrin, nxitonte të hipte në makinë. Në rresht ndodhej edhe Shefqet Shehu nga Peshkopia.
Kur dëgjoi emrin bëri të lëvizte, por e pa se do ta kishte të vështirë. Ishte më i dërmuar nga gjithë të tjerët. U kap në anën e karrocerisë, i dha trupit fort, por duart i rrëshqitën, nuk mundi të mbahej dhe ra për tokë. Rojet nuk vrapuan për ta goditur siç bënin gjithë me të burgosurit, por i bënë shenjë Beqir Kolecit. Mesa duke ai këtë gjë kishte pritur. U sul drejt Shehut, sikur të ishte bishë dhe filloi ta godiste me shkelma. Pastaj mori një shkop dhe nisi ta godiste në kokë, ndërsa ne nuk mund të bënim asgjë për ta ndihmuar.
Edhe sikur të tentonim do të kishim të njëjtin fat si ai. Vetëm kur hipi në makinë, u munduam t’i pastronim gjakun nga fytyra, por ai vetëm rënkonte. Vdiq në burgun e Tiranës. Asgjë nuk dihet se si ndodhi. Gjithsesi të burgosurit do të largoheshin nga këneta, të paktën për disa muaj. Disa do të qëndronin në burgun e Tiranës dhe të tjerët në burgjet e qyteteve e tjera. Kur të burgosurit e Tiranës kishin mbërritur në burg, Mehmet Shehu u kishte shkuar për inspektim, së bashku me Shefqet Peçin. Ishte koha kur Koçi Xoxe e të tjerë ishin dënuar.
Mehmet Shehu dhe Shefqet Peçi pyesnin të burgosurit se si ia kishin kaluar në kënetën e Maliqit. I burgosuri Llambi Llambidhi, u tha: “As në Mesjetë nuk janë bërë torturat që na janë bërë neve atje”. Më pas shkuan në një dhomë tjetër, ku rrinte një ish – studentit që studionte në itali, S. Pipa. Edhe pse Mehmet Shehu kishte hyrë në dhomën e tij, ai nuk u ngrit në këmbë. E pyetën: “Përse nuk u ngrite? Dhe ai u përgjigj: “S’kam fuqi të ngrihem pas atyre vuajtjeve që hoqa në Maliq”. Mehmet Shehu e pyeti përsëri: “Edhe sa të kanë mbetur nga dënimi”? S. Pipa u përgjigj: “Nuk e di edhe sa ditë jetë, më kanë mbetur pas atij tmerri që provova në Maliq“.
As Dante Aligeri…!
Ish i burgosuri i Maliqit, Peti Zisi është shprehur: “As Danteja nuk do të mundte të përshkruante llahtarinë e Maliqit”. Mes bashkëvuajtësve të mi, mbaj mend shumë emra: Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko), Arshi Pipa, Ibrahim Hasanaj, Pashko Gjeçi, At Zef Pëllumbi, Koço Semini, Nedin Kokona, Skëndër Shtylla, Sami Kokalari, Sulejman Vuçiterna, Neis Nasho, Guljem Deda, Mark Dimali, Viktor Kujunxhiu, Jak Serreqi, Petrit Dorhani, Balto Vlashi, Nush Radovani, Ndue Soku, Beqir Ajazi, Besnik Duro, Asllan Tagani, Uran Patozi, Qani Sulejmani, Muharrem Xhixho, Josif Ballauri, Marsel Bungo, Qamil Xhaja, Llambi Llambidhi, Mazllëm Lamçe, Vangjel Golgota, Shefqet Çelkupa, Fuat Halimi, Mirash Ivanaj, Fuat Asllani, Gani Selenica, Klito Lamaj, Burim Kokoshi, Lefter Qirici, Fadil Xhindi, Andon Frashëri, Qemal Çoçka, At Thoma Vërleni, Hysen Çaushaj, Halit Selfo, Vehxhi Buharaja, Isa Kokalari, Napolon Tasi, Irfan Pustina, Bexhet Shehu, Nexho Reka, Anthim Kokonomi, Luigj Radoja, Kel Çoba, Enver Shijaku, Spiro Treska, Syrja Isak, Qazim Bllaca, Irfan Pustina, Shefqet Shehu, Ramo Sali Frashëri, Mafmut Bordi, Dane Zdrava, Petraq Katro, Mark Dindi, Vaskë Katundi, Dom Mikel Koliqi, Dom Nikoll Mazreku. At Jak Gardini, At Karlo Serreqi, Nuçi Face, Stefanaq Plumbi, Bexhet Frashëri, Petrit Berisha, Tefik Gabrani, Zihni Dervishi, Shaban Xhyheri, Eqerem Sora, Llambi Napuçe, Pandeli Zografi, Ali Tirana, Gjergj Koçi, Veli Balolli, Servet Haxhia, Hiqmet Cerolli, Faik Selenica, Uran Starova, Sezai Garo, Niko Kirka, Mihal Stratobërdha, Bego Gjonzeneli, Osman Bishqemi, Sami Repishti, Ejup Gjyrezi, Veniamin Dashi, Ramazan Tabaku, Fatbardh Kupi, Asan Kalaja, Skënder Stefanllari, Peti Zizi, Ismail Dvorani, At Sifi Papamihali, Ligor Shalsi, Baba Qazim Kuçi, Baba Muharrem Kreshova, Myqerem Janina, Petrit Kadilli, Ilo Katundi, Ymer Fazlli, Hafëz Ali Kraja, At Jorgji Kosta Bezhani, Taqi Fundo, Kola Kozmai, Andon Tashko, Hajdar Vebiu, Ali Qyteza, Sadik Zhgaba, Kamber Barolli, Rexhep Jazexhi, Isa Pupa, Belul Kulla, Abaz Fazo, etj
Nderim për viktimat
“Gjithnjë kisha shpresuar se krimet e kampit shfarosës të intelektualëve shqiptarë, të klerikëve studiuesve, njerëzve të artit dhe të letrave shqipe, ushtarakëve, ndërtuesve, inxhinierëve, tregtarëve në kënetën e Maliqit do të zbardheshin dhe së paku në shenjë nderimi e, në përkujtim të jetës së tyre, do të ngrihej një obelisk, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu, – shprehet poeti dhe publicisti Ylber Merdani, ish- i dënuar politik dhe kjo jo vetëm për mua, por për gjithë shqiptarët përbën një zhgënjim të madh.
Ndoshta për këtë arsye edhe sot e kësaj dite, dëgjohet zëri i kaut të kënetës. Thonë që ai ende jeton pranë kënetës, por vetëm zërin i dëgjojnë, ndërsa nuk janë të sigurt nëse ai zog vazhdon të jetojë”, me këto fjalë e mbyll rrëfimin e tij të dhimbshëm poeti dhe publicisti Ylber Merdani, ish-dënuar politik, ndërsa te syri i rrëshqet një pikë loti. Memorie.al