Nga Ahmet Bushati
Pjesa e dyzetetetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Gjoni s’do të lente rast pa shfrytëzue, veç si të bante të tjerët me qeshë. Ka pasë p.sh. rast që Gjoni, si të merrte gjellën si mbas radhës në kazan, do të vërente se në gavetën e tij, përveç lëngut të hollë, kishte në të vetëm nji spec, të cilin për humor, do ta nxirrte përjashta gjoja si me idhnim, ta përplaste edhe për toke njiherë, dhe mbasi para tjerëve, t’i jepte vendimin për ekzekutim, për fajet që gjoja kishte krye ai spec në të kaluemen e tij të keqe, për çudinë e të burgosurve rreth tij, mbasi ta pastronte fare pak me dorë, pra si mbas vendimit të marrë pak ma parë, atë spec, në mënyrën ma spektakulare, ai përfundimisht do ta hidhte prej nalt e, drejt në gojën e tij të hapun si çorap!
Talljet e Gjonit nuk njifshin pengesë e s’kishin kufi. Kishte ndodhe që Gjoni, gjoja i indinjuem për gjellët pa gja brenda, – gjellë që ne i quejshim “lang spirilangje” – do të mbante nji fjalim të shkurtë para gavetës së tij e, në zemërim e sipër, të bante sikur po pështynte në të, e ndonjiherë, për ma shumë humor, edhe të kishte pështye vërtetë në të, dhe në kohë që disa të burgosun të pritshin që ai atë gjellë ta hidhte për tokë, Gjoni nga ana e tij, i uritun ndoshta ma shumë se të tjerët për fizikun e madh që kishte, t’u ulte pa bë za e, ta hante qetësisht e me shumë oreks po atë gjellë.
Nji herë po gërmojshim dhë rranzë nji kodre, ku na patën dalë me shumicë kafka e gjymtyrë njerëzish të vdekun, ndoshta qinda vjet ma parë dhe Gjoni, kushedi sa e sa herë e pa fare marak, do të vinte në gojën e tij asi kafkash e, nga nji pozicion pak i naltesuem, të pozonte me madhështi në imitim të Farinates së Dantes, tue lëshue me atë rast nji turrë fjalësh të mëdha e pa kuptim.
Nuk do të kisha besue se trutë e dalë prej rrashtës së njeriut, t’i futeshin atij me dorë e, për së gjalli, prap në vend të vet, e ai mbas do kohe të kthehej përfundimisht në gjendje normale. Kjo gja patëm ndigjue se i ndodhi nji ditë Nuh Dylit prej Bërdicet, kur atë e pat xanë nën vedi një masë e madhe dheu, ndërsa po gërmonte për fund të tij.
Postën e letrave në këtë kamp e shpërndante njifarë Xhafer Kondit prej Korçe, njeri i sjellshëm e siç dukej edhe me kulturë. Lidhun me letrat, veç njerëzve të shtëpisë e ma të afërmve të mi, do të më shkruente rregullisht edhe Simja, kurse shokët e tjerë, me ndonji përjashtim shumë, shumë të rrallë, nga frika, nuk do të më shkruejshin.
Si ushqim bazë gjatë gjithë historisë së kampeve, do t’ishte vetëm kaçamaku, – qulli i Shkodrës- që e gatuejshim vetë, ushqim që për vite e vite do të mbante gjallë mijra e mijra jetë të burgosurish. Përmbas tij, shumë përmbas tij, do të vinte buka e grunit e thame në diell prej familjeve tona, të cilën, – sikurse e dimë – si të privuem nga e drejta e triskës, ato do ta blejshin me të shtrenjtë, kur edhe mundësitë e tyne financiare qëndrojshin shumë ma poshtë, se të pjesës tjetër të popullsisë.
Grosha u konsideronte gjella ma e mirë, të cilën ne mund ta përdorshim jo ma shumë se nji ose dy herë në javë, sidomos të dielave. Disa paketa makaronash, pak miell gruni, sa për nji hallvë në të rrallë, – veçanërisht kur vijshin ushqimet, ose ndër raste festash – vezë, pak sheqer e marmelatë, do të ishin artikujt e fundit, të konsideruem prej nesh “luksi”, brenda nji pakoje që na e sillte familja.
Rëndësi të veçantë për të burgosurin ka pasë duhani, për atë që e pinte, pa të cilin ai do të luente mëndsh. Shkrepsat nuk u lejojshin, e në vend të tyne na do të përdorshim “gur-unurin” si shekuj ma parë, që konsistonte në nji copë gur stralli – për njëtën me cilësi e të cilit në ishim ba mjeshtra – “eshkës”, që kur u digjte, përhapte aromën e saj aq të këndshme dhe nji copë felikuj të ndritshëm që do të përbante “unurin”. Gur, unur e eshkë, çdo njeri që pinte duhan, do t’i mbante brenda nji qesejet të vogël të futun në xhep e, të varun nga nji fill spangoje për ylyk të pantallonave.
Sheshi i vogël para kuzhinës u konsideronte si qendra e kampit, që në kohë të mbramjes u shndronte rregullisht si në nji “milet bançe” (lulishte popullore), ku si të thuash, u jepshin koncerte të improvizueme nga disa të burgosun Tiranës, si p.sh. nga Qemal Shatku, bir ish-ministrit Shefki Shatkut, që për karagjozllëk, do të vinte mbi krye nji fes të kuq të naltë e me tufë përmbrapa, e që për “dajre”, do të përdorte nji bidon uji bosh që tingllonte fort. Në atë kor merrte pjesë edhe Ibrahim Hasnaj, që me sa u dukte, ishte ashik i madh i kangës tiranase.
Mes tjerëve, do të të zinte syni edhe Selimin, jevgun tiranas që ishte i shëndetshëm, i sjellshëm e i hijshëm e që gjatë ditës u shkrinte tue këndue, nji kangë me emnin e dashnores së tij, kujtimi i së cilës, – si na e thonte ai vetë me seriozitet e dhimbje – nuk iu ndante ditë as natë. “Orkestra” në fjalë, veç edhe nja dy bidonave të tjerë që të shurdhojshin veshët, si instrument tjetër, do të kishte edhe nji gërnetë të fuqishme e cila, për shqetësimin e madh që të shkaktonte ndër veshë, ia kalonte të gjithë bidonëve bashkë. Këto të ashtuquejtun “koncerte”, u ndiqshin natë për natë prej të burgosurve të Tiranës në përgjithësi e, sidomos prej atyne ordinerë.
Në valën e kësaj atmosfere relativisht të mirë e tolerante, kishte pjesën e vet edhe qëndrimi i mirë i disa prej policëve të burgut, që në kamp na qenë afrue si ma të lirë që e ndjejshin veten, e ndonjenit prej tyne, ne do t’i ishim hapë deri në fund. Ishte pikërisht ajo kohë kur ishim njoftue se në emigracion ishte formue “Komiteti i Shqipnisë së Lirë”, me kryetar Mit’hat Frashërin, koha pra, kur na filluem me besue se politika perëndimore më në fund po lëvizte edhe në drejtimin tonë e, se mes shumë reperkusioneve që do të kishte ajo, ekzistonte edhe mundësia e arratisjes tonë masive prej kampit.
Për këtë gja, unë nji ditë bisedova në mënyrë tepër sekrete e konfidenciale, me rreshter Tofikun, Teufik Luzin prej fshatrave të Beratit, që kishte nën kontroll rojet rrethe-rrotull nesh, gjatë kohës së punës. Rreshter Teufiku pranoi tue m’u lutë që t’mos e bisedojsha parakohe atë gja me shokët dhe paraprakisht më tregoi drejtimin që ne do të merrshim në rastin e nji arratisjeje, drejtim të cilin ai, i vendosun qyshë ma parë në nji të përpjetë kodre, do ta mbulonte me zjarrin e nji mitralozi, drejtim e pikë që m’i tregoi, që në ditën e parë të bisedimit. Kah fillimi i muajit qershor, në vend të Tasi Markos, për komandant na sollën Beqir Bajën nga Elbasani, sjellja e mirë e të cilit të lente përshtypjen se nuk rridhte prej udhëzimeve të marra prej nalt, sa prej vetë atij si njeri.
Ndryshimi i tij me Tasin, – ish-furrtar i hershëm në Korçë – u dukte edhe në takimet e tij të drejtpërdrejta me të burgosun, si ma i sinqertë e qytetar që ishte. Shpeshherë mbas drekave deri në të errun, ai vetë do të gërmonte dhe me nji buldozer, rendimenti i të cilit thojshin se shkonte në favor të të burgosurve. Kjo jetë e qetë kampi që po vazhdonte q’prej disa muajsh, do t’u ndërpriste papritmas e të ndryshonte shumë për të keq, si pasojë e arratisjes nga kampi i tre të burgosurve ordinerë nga Mirdita, njeni prej të cilëve me emnin Frrok, kuzhinieri i kampit, nji i ri i shkurtë e i shëndetshëm, që u dukte i shkathët e me humor – nji tjetër me emnin Bardhok, – i dobët fizikisht e pak i gjatë, si dhe nji i tretë, shok i tyne.
Për ma shumë se nji javë puna u ndërpre dhe ne na mbyllën ndër kapanone, nën nji terror të vërtetë. Nuk kishim të drejtë të lëvizshim fare prej vendit dhe as të bisedojshim shoq me shoq. Brigadierë e spiunë ordinerë, të armatosun me shkopinj të trashë e tue pasë pranë gjithmonë policët ma të këqij e të besueshëm të komandës, do të qarkullojshin pa pushim, sa në nji anë të kampit, aq në tjetrën, të gatshëm me i ra cilitdo me pretekstin ma të vogël. Për të shkue në W.C. gjatë atyne ditëve, u donte marrë leje dhe rrugën prej kapanonit deri atje, duhet ta përshkojshe me vrap, dhe nuk ishte thanë që në ndonji prej këtyne daljeve të detyrueshme, t’mos kishe marrë ndonjë goditje të fortë shkopi në shpinë, ose ndër kambë. Nji pjesë prej nesh që për sedër nuk vrapuem, patëm fat, që për pak nuk u vumë edhe nji herë në provë të vështirë.
Terror ditën e natën. Rriheshin të burgosun pa pretekst e paralajmërim në rresht për apel apo, në rresht para kazanit me gjellë, në shtrat e kudo. Disa ditë ma parë kishte ndodhë edhe largimi i Hajdar Rusit prej kampit, mbasi që ai kishte rrahë komandantin e burgosun të kampit, Hamdi Lenën. Nji tjetër ngjarje që rrezikonte të mbante në fuqi atë gjendje të rëndë, apo ta përkeqësonte edhe ma shumë, do t’ishte ajo që për protagonistë do të kishte Rrok Palin e Xhevat Qukun, që vazhdojshin të ishin bashkë në brigadën e tretë. Dhe kishte ndodhë kështu: ndërkohë që Hamdi Lena qëndronte – si në çdo drekë – në krye të kazanit kur u shpërndante gjella, mes tij e Rrok Palit, që priste radhën me gavetë në dorë, kishte shpërthye nji grindje.
Në përkrahje të Rrokut ishte futë Xhevati, të cilin policët e gatshëm, për ndëshkim, e kishin lidhë për nji shtyllë. Rroku që kishte mendue se mos Xhevatit të ekspozuem në diellin përvlues të drekës, mund t’i binte të fikët, kishte vrapue në drejtim të tij me nji matare uji në dorë, gja që kishte zemrue policët, të cilët me atë rast, kishin zgjidhë Xhevatin nga varja e në vend të tij, varë Rrokun, i cili, për shëndetin e dobët që kishte, në krye të pak minutave kishte nisë të lëshonte do klithma të frikshme për jetën dhe përfundimisht të ishte i varun për litar pa ndjenja. Ka qenë fat i madh për të, që pikërisht në momente, rastësisht të kalonte andej komandanti Beqir Baja, që megjithëse ndër ato ditë nuk po u sillte ma mirë me ne, do të bante të mundun që Rrokun ta dërgonte urgjentisht në spital të Peqinit e, që ai t’u kthente edhe nji herë në jetë!
Mbas ma shumë se nji jave të mbyllun ndër kapanone, na nxorën nji ditë përsëri në punë. Klimës së ashpërsueme të kampit i duhet shtue edhe vapa e madhe e vitit 1950, për të cilën patëm ndigjue se ishin regjistrue nivele shumë të nalta temperature. Dita ishte shumë e gjatë dhe e nxehtë, sikurse edhe norma shumë e madhe. Nga të nxehtit e madh, sidomos rreth kohës së drekës, në do të shikojshim me sy vibracionet e ajrit, dridhjet e imta të mijra e mijra valëve kund nja nji metër a ma pak mbi sipërfaqen e gjithë osekut, – hapsina mes dy skarpatash – të mbyllun anash prej dy skarpatash të nalta…! S’pakut nja dy herë unë kam dalë me vrap jashtë osekut të thellë, ku seriozisht më qe dukë se po më merrej fryma.
Mandej etja për ujë, nji torturë e vërtetë për të gjithë. Sulmi që u bante ndër ato ditë rreth nji bidoni me ujë, që vinte në krye të dy-tri orëve për ma shumë se njëqind vetë, nuk ka të përshkruem. Lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstreme…! Britmat e forta që gumëzhijshin nga nji grumbull i papërmbajtur të burgosurish, që u shtyjshin mes tyne si për jetë a vdekje, e përplasjet e matareve e të do enëve tjera të aluminta që u shtrngojshin fort ndër duerët energjike e nervoze të të burgosunve të thamë deri në çmendi për pak ujë, do të ishin skena ferri të vërtetë, e që u përsëritshin disa herë në ditë.
Asht fakt e duhet pohue, se përgjithësisht të burgosunit politikë dhe nji masë e pakët prej ordinerësh të përmbajtun, situata të tilla, sado që të vështira, do t’i përballojshin pa u dhanë e me dinjitet, tue pasë preferue heshtjen e sakrificën, në vend të shkarjes në trup e ujit jetëdhënës. Ndër raste të tilla, kushedi sa herë brenda nji dite, këta njerëz të mirë e me sedër, do të përcillshin me shikime përbuzëse bidonin e ujit, që u parakalonte gjithnji i zbrazun. Në kësi rastesh, ndër fytyrat e tyne do të vërejsha nji buzëqeshje të hidhun, ndoshta nji si keqardhje apo revoltë të butë e njerëzore, që gjithësesi nuk shprehte zemrim.
Nuk duhet lanë pa u tregue se na të rinjtë, tue kërkue me qenë shembulli sakrificë, – siç e kishim për detyrë – veten e kemi lanë vazhdimisht për në fund. Kështu ndër ato ditë, edhe në sikurse të tjerët, u digjshim për nji pikë ujë, e ka ndodhë jo pak herë që ujin e siguruem qoftë edhe me ndihmën e të tjerëve, na t’ua shpërndajshim rrugës ma të vjetërve, ma të pamundunve e t’u kthejshim te shokët me matare bosh. Katërmbëdhjetë kampe do të kalojsha t’isha i burgosun e mbas kaq shumë jete të shkueme, dy matare uji të pime në kohë e kampe të ndryshëm, njashtu si dy safa uji dikur në Sigurim, unë s’do t’i harrojsha asnjiherë, as sot. Rasti i parë i përket periudhës për të cilën po flasim:
Si shumë herë tjera, nji ditë po u kthejsha për te shokët me matare bosh. Ruzhdi Çoba që po më vërente, shkëputet nga puna e më del para tue më pyete: “A pive ujë”?! “Jo”, iu përgjigja. “Prit”, – më tha Ruzhdia dhe u largue me vrap për te plaçkat e tij. Prej poshtë tyne ai nxuer nji matare uji, e cila kur m’u zgjat prej duerëve të tij, unë po e shifsha me lakmi të mshehun se si ajo ndriste bulash të freskëta djerse. “Bukët” e Zhan Valzhanit e “mollët e ndalueme” të Migjenit, duken si punë kalamajsh, po të krahasohen me nxitjen që të jep nji matare uji, kur je i etun për vdekje.
“Pije”, – mẽ tha me ton Ruzhdia, si të donte me shmangë afrimin e ndonji personi tjetër të mundshëm, dhe unë piva aq sa rregullisht u pinte në nji matare, e cila llogaritej se u donte të njomte edhe buzët e thame të ma shumë se tre-katër vetëve të tjerë. Porsa unë e tërhoqa atë prej gojet, Ruzhdia ndërhyni me të shpejtë e autoritet: “Pije, pije”! dhe ndërsa unë e kundërshtojsha, ai do të më përsëriste edhe ma me këmbëngulje: “Pije, pije ma, hajt shpejt se asht risku i jot”! dhe unë mandej e piva deri në fund atë matare të paharrueshme uji, tue shue si duhet për herë të parë etjen e sa ditëve.
Gjatë kësaj kohe, unë u ndjejsha i sëmurë me do ethe të vazhdueshme e megjithatë, isha i detyruem të dilsha në punë, për gjendjen që ishte krijue në kamp ato ditë. Nuk gëzojshim ma të drejtën e vizitës mjekësore. Mue s’m’u hante prej disa ditësh dhe kambët s’më mbajshin, ndërsa etja për ujë, s’m’u ndante ditën as natën. Kisha bindjen se ato ethe më vijshin si përsëritje e sëmundjes së malarjes, që e kisha pasë vuejtë para disa vitesh. Munda të siguroj do hapa “atebrinë” e “plasmokine”, që kisha përdorë dikur kundër asaj sëmundje, e që ma banë mandej fytyrën jo ma pak të verdhë nga ç’ishin edhe vetë. Shokët e mij, tue pa dobësimin tim fizik, si dhe ngjyrën e verdhë qẽ kisha marrë në fytyrë, flitshin për mue mshehtas meje e, unë bajsha sikur s’u kujtosha për asgja.
Qëndrimi në atë kamp të Urës së Bonos nuk zgjati veç edhe pak kohë e nji ditë, kur mund t’ishte fillimi i muajit korrik, na lajmuen që të mblidhshim plaçkat, se do të ndrrojshim kamp. Destinacioni? Si gjithmonë i panjoftuem. Vendosja e jonë ngusht e ngusht ndër makina, ka qenë nji torturë e vërtetë, e cila do të zgjaste deri sa të mbrrijshim në destinacion. Nëse nuk më gabon kujtesa, na kanë pasë palosë nji mbi nji nga gjashtëdhjetë të burgosun, për çdo karroceri makine “Zis”, që do të thonte dyfishi i kapacitetit të saj normal. Aq të ngjeshun do t’ishim nga të gjitha anët, sa absolutisht nuk ekzistonte anji mundësi për të lëvizë sadopak nji bërryl a nji gju, që kishin mbet të mbërthyem si me gozhdë.
Endrojshim si në stivë e të futun me bërryla në brinjët e shoqishojt e, me gjunj të mbledhun deri nalt mbi gjokset tonë. Vetëm shkopinjt e policëve që pa asnji pretekst bijshin sa mbi kryet e nji të burgosuni, aq mbi të nji tjetri, mund të mbajshin nën vete atë gjendje të padurueshme. Dhe si kurdo që ka vend edhe për të qeshë, në këtë rast të vështirë, unë nuk do t’u mbajsha pa qeshë, kur të vërejsha se si nji polic me emnin Ferit, u binte me shkop kokave të qethuna zero nji ditë ma parë të dy shokëve të mi, asaj të Hilmi Kamatës e Ahmet Koplikut.
Mbas rreth tridhjetë kilometrash rruge, mbërritëm ma në fund në atë vend që u quente Beden, ku qyshë në fillim do të më hiqte vërejtjen peizazhi i tij i zhveshun e i zymtë, ku po u vendoste për herë të dytë ai kamp famëkeq, prej të cilit jo të gjithë do të kishin fatin me u largue të gjallë prej tij.
Kampi i Bedenit i vitit 1950
Ndryshimi në trajtim i nji kampi të burgosurish prej atij të nji kampi tjetër, për të njatën periudhë, nuk do të përbante aspak anomali për nji regjim komunist e, për nji Ministri të Punëve të Brendshme që në krye kishte nji njeri kriminel e kapriçioz, siç ishte Mehmet Shehu. Kampi i Bedenit i vitit 1950, si kamp i nji terrori të egër dhe i nji stërmundimi të madh fizik, do të kishte të gjitha karakteristikat e nji kampi komunist të shfarosjes dhe nuk do të ndryshonte në asgja prej atij me të njatin emën i dy viteve ma parë, veçse në faktin se në këtë të dytin të burgosurve, do t’u lejojshin ushqimet që atyne ua sillshin familjet, gja që kishte kenë e ndalume në atë të dy viteve ma parë.
Të burgosurit si ma parë, ishin të ndamë në grupe të vegjël pune prej dy-katër vetash dhe ishin të detyruem që normën prej katër metrash kub dheu shumë të fortë për njeri, ta gërmojshin në thellësi të kanalit, – që ishte lanë pa shkue në kuotën e duhun prej të burgosunve të dy viteve ma parë – dhe mandej atë dhe të gërmuem, me nji karro të vjetër për anë skarpatës së naltë, u donte ta nxirrshin përfundimisht jashtë kanalit.
Kjo normë që normalisht ishte e parealizueshme, nuk do t’u arrinte prej asnji të burgosuni, po që se mbi të nuk do të binte shkopi i policit, po qe se atij nuk do t’iu hiqte për atë ditë racioni i bukës dhe në atë rast, edhe po t’mos iu merrte fytyra para të gjithëve. Nji normë aq e madhe do t’u realizonte vetëm tue punue gjatë gjithë nji dite të gjatë vere e, pa e ulë asnjëherë ritmin e punës, pavarësisht rrezeve pervluese të diellit e etjes së madhe për ujë.
Atyne që s’do të realizojshin normën, iu priste buka për atë ditë dhe rreth mesit të natës, të shoqnuem prej nji polici, do t’u paraqitshin në komandë për të dhanë llogari te ma i rrezikshmi e sadisti, toger Ademi, prej fshatrave të Gjinokastrës, dhe kjo, mbasi ai i burgosun të kishte pritë nji ose dy orë radhën përjashta, nën mbikëqyrjen e nji polici.
Meqë si mbas udhëzimit, trajtimi i të burgosurve do të merrte edhe për ma keq, Ministria e Punëve të Brendshme Tiranë, ndërroi dy prej ish-kuadrove kryesorë të komandës, kështu komandantin Beqir Baja, e zavendsuen me Beqir Liçin, edhe ky me gradë major, që nji vit ma parë kishte qenë komandant në kampin e Orman-Pojanit, komandant që mes nesh e quente “Napolon”, si i mbushun që ishte nga vetja, si edhe për distancën autoritare që mbante nga të gjithë vartësit e tij; kurse në vend të komisarit të mëparshëm, do të na sillshin aty toger Ademin, nji njeri që për kah ligësia, do t’ia kalonte të gjithë atyne që na kishim pasë deri atëherë e, që do të kishim në të ardhmen. Edhe kur nji ditë të burgosurit të kishin mbetë koc e lëkurë, ai ndër mbledhje me të burgosun, do të thonte me mburrje krimineli: “Vetëm mushkritë do t’jua lëmë”!
Bashkë me dy kuadrot e masipërm, aty sollën edhe të burgosurin Vango Mitrojorgji, nji ish-funksionar i naltë në Ministrinë e Punëve të Brendshme në kohë të Koçi Xoxes, që pavarësisht zellit të madh që ai kishte tregue gjatë punës së tij kriminale, Enver Hoxha do ta dënonte bashkë me Koçi Xoxen, për të justifikue para popullit krimet e kryeme deri atëherë prej tij e partisë që ai kryesonte. Vango Mitrojorgji nga ana e tij, kishte sjellë me vete fodullëkun e nji ish-komunisti militant e, dinakërinë e nji ish-kuadri me randësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gja që ia tregonte edhe fytyra e sjellja. Në atë kamp ai do t’u trajtonte me të gjitha favoret e nderet e mundshme, të nji ish-kuadri të naltë e të besueshëm, i respektuem nga komanda. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016