• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, June 2, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në kampin afër Peqinit, të burgosunit besimtarë, që nga Kosova e Çamëria, po u ngrijshin e u ulshin si me komandë, nën ‘ezanin’ prekës të hoxhës simpatik, Adem Metalia prej Tropoje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

“Patër Pal Dodaj, i cili dikur i kishte shpëtu jetën Ahmet Zogut, duke mos durue torturat që i bajshin hetuesit komunistë, u pat hedhë prej dritares së…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, Ahmet Bushati
“Sulço begu, natën për acar, doli i vetëm prej shtëpisë së nipit ku ishte fshehë, por fuqitë e lanë te porta e komunistit Ramiz Mustafa, ku nana e tij po komuniste, e…”/ Historia tragjike e mikut personal të Zogut
“Virtut Gjylbegu, nuk i duroi dot vuajtjet dhe natën doli nga kapanoni e shkoi te telat e rrethimit, ku rojet…”/ Dëshmia e ish-zv / ministrit, Ejëll Çoba
“Shumë të burgosun, tuj mos durue torturën që i bante hetuesi i tij mizor, Ali Xhunga, t’iu luste atij me nji za të shuem: Aman bre burrë, për hatër t’Zotit, mos ma…”! Kujtimet e Ahmet Bushatit
“Pas pushkatimeve për bombën në ambasadën sovjetike, kur Voroshillovi, në prani të Stalinit, i tha; ç’bën kështu, more Enver, i sose shqiptarët, 1 milion janë’, ai u përgjigj…”/ Dëshmia e Liri Belishovës
“Historitë e zonjave shkodrane që me strajca në krah, shkonin në këmbë në burgun e Burrelit, ku…”/ Rrëfimi i Fatbardha Mulleti Saraçi
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
“Xhaxhai im, Akile Tasi, pasi qëndroi për 30 vite te ‘Vatra’ në SHBA-ës, si redaktor i ‘Dielli’-t, u kthye në atdhe ku vuajti 17 vite burg në Burrel dhe vdiq atje, pasi…”/ Historia e trishtë e mikut të Fan Nolit

Nga Ahmet Bushati

Pjesa e pesëdhjetekatër

Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Gjithashtu mund të lexoni

“Çfarë bisedoi ime gjyshe me Musine Kokalarin, për ato 14 ditë, në një dhomë spitali të Rrëshenit, ku spiunët me pseudonimet…”?! / Dëshmia e pinjollit të Bajraktarit të Kthellës, emigrant në Itali

“Profesor Foto Bala na tregonte, se Enver Hoxha, ishte i vetmi shqiptar, që për orë e orë të tëra, do të pozonte pa turp, në nji bar të Parisit, në pritje të ndonji…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

                                                          Vijon nga numri kaluar

                                                         Në Gjurmët e një ditari

Ata që u liruen atë ditë, u lanë shokëve të tyne të mbetun në kamp kryesisht këpucë a çizme, kur i kishin në gjendje të mirë, e morën për vete do shkarpa sa me kalue rrugën. Ishte për të qeshë kur të shihshe se si këpucë e çizme, fluturojshin tash e parë sipër telave me gjemba, dhe po ashtu, prej mbrenda për jashtë, ato ma të vjetrat.

Gjatë muejit dhjetor e mbrapa, kapanonet e kampit të Kavajës, që në pjesën e tyne ma të madhe vijshin me kuotë ma poshtë se e gjithë sipërfaqia e terrenit përreth, qenë përmbytë krejt nga uji e balta, deri pak pa kërcye mbi dyshemenë e atyne që fleshin në katin e poshtëm, kështu që qarkullimi edhe brenda koridorit të disa kapanoneve, do t’u bante me çizme, kurse ata që s’kishin çizme, – e që përbajshin shumicën – me pantoll të shpervjelun deri mbi gju, po le t’ishte dimën e, të kishte i burgosuni nevojë me hyë e me dalë disa herë në ditë prej kapanonit.

Ndër ato ditë, unë e Kolë Kurti kishim zanë nji qoshe kapanoni sipër, prej kah do të vërejshim se si përballë nesh, nji grup fshatarësh nga të Shqipnisë së Mesme, natë për natë po u kthejshin nga puna të ngarkuem me bimë në trajtë gjethësh, që i mblidhshin rrotull vendit të punës, ose edhe rrugës për në punë. I kishim pa se mbasi t’i seleksionojshin, t’i futshin në do tenxhere të medha e, mbasi t’i ziejshin, t’i hajshin me shije.

Besojshin të mjerët se me atë gja kishin gjetë mundësinë me shue urinë e tyne të madhe. Dy-tri herë na patën këshillue me dashamirësi, që edhe na po i mblidhshim ato bimë, që si mbas tyne, edhe shijen e kishin të mirë. Si të kalojshin katër-pesë ditë që ata kishin ngranë rregullisht asi bimësh, na do të shikojshim me çudi e dhimbje, se si kokat e tyne erdhën e u frynë si me qenë topa futbolli. T’u helmuem në tru prej atyne bimëve, ata qenë mpi e hutue, tue rrotullue pa vetëdije do shikime idiote, gja që disa herë të na bajshin edhe me qeshe. Nji ditë mandej, në grup siç ishin, i nisën për në spital të Durrësit.

Skenat e të uritunve të nji kampi janë të shumta, të ndryshme e të përditshme, të ngjashme mes tyne ose jo, e prekëse. Ndër ato ditë, nji i burgosun ordiner nga Shkodra, nga lagjja “Kiras”, me emnin R.O., do të më bante përshtypje me sjelljen e tij prej njeriut që kishte ra shumë. Me të dikur më kishte pasë njohë futbolli. Edhe pse i vorfën, kishte qenë rritë shumë i shëndetshëm e i fuqishëm, si nji div i vërtetë! Me sa dij unë, ai qe marrë me bagëti, për llogari të nji kasapi. Nji mbasdreke me shi, aty në kamp shikoj me çudi se si rreth tij që qante si fëmijë, ishin grumbullue do të burgosun.

I prekun shumë nga skena, mora t’u afrojsha, por ndërkohë nji i burgosun që po u largonte prej aty, më shpjegoi: “Ay shkodrani që qanë, i është qepur një të burgosuri që s’e njeh, por që i kërkon t’i japë diçka nga ushqimet që sapo ia solli familja e tija”. Unë nuk luejta vendit, sepse pikrisht në ato çaste pashë se si nji tjetër i burgosun ordiner nga Shkodra, i prekun prej sjelljes poshtnuese nga ana e nji bashkëqytetari të tij, atë e nxorri me forcë nga turma dhe po i fliste me kërcnim: “S’ke turp! M’vjen keq prej këtyne të tjerëve, se dij unë ç’ka të baj, mor faqezi”!

Kishte raste që koha me shi të na mbyllte ndër kapanone, dhe unë mund të pohoj se nji ditë e tillë, sidomos në kohë vjeshte, do të bante që unë vazhdimisht, tue thye rutinën e ashpër të ditëve tjera, t’u kthejsha me nostalgji kah bota e ime, kah e kaluemja e lidhjet që kisha pasë e kisha. Nuk asht gja e çuditshme që i burgosuni me moshë të re, i pushtuem prej melankolisë së ditës, msheftas tjerëve, në nji ditë të tillë të nxirrte prej skutave të tij intime e sekrete, do si thesare të vegjël që t’i kishte ruejtë me kujdes të madh përfund ndoj çante a valixheje, dhe në paçin qenë ato fotografi a letra, ai në nji rast të tillë, do t’i shikonte me mall, si t’i kishte për herë të parë, e tue u ruejtë që dobësi të tilla t’mos ia dinte askush, si të padenja që duhet t’ishin për nji të burgosun, të kushtuem deri në fund nji kauze që lypte vetëm seriozitet e vendosmëni, por që megjithatë, ato si pjesë të jetës së tij të dyzueme që ishin, duhet t’u mshiheshin të tjerëve.

Përsëri në Gosë të Kavajës

Ditët e pranverës së ardhshme, viti 1952, do të na gjejshin përsëri në Gosë të Kavajës me kamp. Kemi qenë në këtë kamp, kur patëm ndigjue se përsëri studentë të tjerë ishin arrestue, gja që do të na shtynte me besue me krenari, se flakët e lirisë në gjimnaz të Shkodrës, po vazhdojshin me qëndrue si ma parë të ndezuna. Përshtypje do të na bante edhe ndonji letër që do të vinte prej këtyne studentëve të rinj, me të cilët s’kishim qenë njohë asnjiherë ma parë.

Mbaj mend se letrat e tyne, do të ishin të zjarrta e entuziaste. Ndër tjerë, mue do të më shkruente edhe Xhahid Xhaferi, të cilin as për emën s’e kisha pasë ndigjue, por që në letër, mes tjerash, do të shprehej: “Ne vazhdojmë rrugën tuej dhe besojmë se nuk do të jetë e largët dita, kur ndoshta ne t’ju çlirojmë me mashina”.

Kemi kenë në këtë kamp kur nji ditë Dioniz Miçaço, i kthyem në koc e lekurë prej temperaturës të disa ditëve me radhë, fjalëve të nji oficeri me post në Ministri të Punëve të Brendshme, se “Po paguan çfarë ke bërë”, Dionizi shumë i revoltuem, do t’i përgjigjej: “Kam disa ditë që vuaj, dhe ti e shikon si jam bërë. Po unë do të vuaj edhe më shumë, edhe do të vdes, por nderë e mëshirë prej jush, s’do të lyp asnjëherë”.

Ernest Kraja, që ishte zanë në kufi, kur po donte me u futë në Shqipni nga Jugosllavia, ku kishte qenë arratisë q’prej ndonji viti ma parë, mbasi të dënohej, do të na sillte në kamp diku rreth kësaj kohe, nji kangë që të arratisunit shkodranë në Mal të Zi, u kishin kushtue dëshmorëve Bardhosh Danit, Mark Cacës e Brahim Dërgutit, kangë që do të zinte vendin e merituem në radhën e “repertorit” të kangëve tona, kangë qe siç do të ndigjojshim mbrapa, kishte pasë vazhdue me u këndue për vite e vite mbrapa, ndër burgje e kampe:

“Ç’kan thu(e) zanat n’mal që po vajtojnë?

Ç’kan val(e)t e detit që na janë tërbu(e)?

N’fusha bylbylat, q’kan(e) që s’po këndojnë?

E flamuri n’vaj, pse asht tuj valu(e)?

Venitu di(e)ll, rreze mos i(e)sho moj hanë

Vajto Rozafë tre djemt e tu shkodranë

II

Fy(e)ll’i bariut përmallshëm po jehon,

Ç’prej fush'(e)s poshtë, e nalt der mbi Rumi,

Ai me trishtim vjen e na tregon,

Se tre djem të rij u vranë sot n’kufi.

Ç’ka thu(e) t’thonë nanat për bijtë e tyne, t’vramë

Si ato t’shkojnë ma jet me zemrat varrë?

III

T’vajtohet Marku, Brahja dhe Bardhoshi,

Që prej pun(e)sh t’liga muer’n rrugët për mërgim,

Le t’ndizet flakë shpia pranë Taraboshit,

Që ata tradhtoi e njerz(i)t që’u la n’mjerim.

Do t’vdesë tradhtia, me të spiun i ndytë,

Që vllaut për s’gjallit, desh me’j nxjerrun sytë”.

Kemi qenë në kët kamp, kur nji natë nji mij do të më shqetësonte shumë, tue m’u futë pa ia da nën dyshek e, pikrisht te nji pikë e vetme që binte nën kryet tim. Sa herë që ai mi vinte ashtu me vrull, aq herë unë do t’u çojsha, dhe i vdekun për gjumë që isha e pa hapeë sytë asnjiherë, t’i bijsha fort e fort me grushta atij vendi ku mini, siç duket me kambëngulje, kishte zgjedhë për të piellë të vegjlit e vet.

Loja e bezdisshme me minin u përsërit disa herë dhe kur u ba zgjimi, drita ende pa dalë, unë prej kureshtjes për me dyshekut e për shumë siklet, do të vërejsha shtatë klysh të mijsh të palosun për drase prej grushtave që u kisha dhanë prej sipër dyshekut, sa herë që nana e tyne-minushë-kishte ardhë me i qitë në dritë ata, njenin mbas tjetrit. Vetëm Qamil Nikshiqi, do t’ishte ai “burrë”, që tue qeshë, të më çlironte prej atij zori, tue i mbështjellë me nji gja e gjatë diku përjashta ata shtatë mij fare të vegjël e, me ngjyrën e mishit të gjallë.

Në Lekaj të Kavajës

Mbas disa muejsh të tjerë, si lamë kampin e Gosës, do të kalojshim në atë të Lekajve, gjithnji zonë e Kavajës. Kemi qenë në këtë kamp, kur disa të burgosun, për t’i shpëtue mundimit te punës, kishin pasë gjetë do bimë me veti helmuese, të cilat kur t’i vejshin mbi trinën e kambës, ajo u fryente shumë e merrte nji ngjyrë rozë të haptë, që ndriste si pasqyrë. Përcëllimi i kambës në këtë rast, për hir të disa ditëve pushim, do t’ishte nji torturë e vërtetë, për ata që do ta vuejshin.

Sidoqoftë, numri i të burgosunve që po i hyjshin nji aventure të tillë, u rrit në rreth pesëmbedhetë raste dhe komanda s’e pat të vështirë, që ta kuptonte hilen e tyne e, jo vetëm aq, por ajo komandë do të kërkonte që atë rast, përmes nji komisari të saj të keq me emnin Hamdi, me gradë toger, ta shfrytëzonte për me rekrutue prej atyne të sëmurëve me anë të disa deklaratave impenjuese, që do t’u vinte para, pra që ata të pranojshin me bashkëpunue me Sigurimin, në të kundërtën, ata do t’u baraktisshin ndër biruca, pa mjekim e, nën djegëjet përcelluese të kambëve.

Nji ndër këta të “vetësëmurë”, do të ishte edhe Maliq Teta, shoku jonë prej Krujet, i cili, prej birucës ku u ndodhte i izoluem, nji ditë do të na dërgonte nji pusull të tillë: “Kam tri ditë pa futë gja në gojë e pa fjetë prej djegëjeve të kambëve. Hamdiu – komisari – thotë se nuk do të më jepet mjekim dhe as do të dal prej biruce, po t’mos nënshkruej nji deklaratë. Për këtë gja unë due mendimin tuej, tue dijtë që unë mbetem deri në vdekje, ai Maliqi që ju keni njohë deri tash. Pra, due me dijtë, a ta firmos atë dekaratë sa me shpëtue nji herë, apo jo”?

Në përgjigje ne i thamë Maliqit që të vazhdonte me rezistue, se në të kundërtën, Hamdiu nuk do t’iu ndante. Mbas kësaj Maliqin e mbajtën edhe disa ditë të tjera të izoluem e pa mjekim dhe mbasi kambët i qenë përkeqësue edhe ma shumë, nji ditë e nxorën prej birucës, por pa mundë që t’iu shpëtonte ngacmimeve tona për aventurën e tij të pasuksesshme, i cili, tue vue gishtin në tamth, do të na u përgjigjte tue qeshë: “Koka ban, koka pëson”. Po ky komisar mizerabël me emnin Hamdi, pak ditë mbrapa do t’i kërkonte shokut tjetër tonë, Thabit Rusit, që të nënshkruente nji deklaratë bashkëpunimi.

Mbas tri ditësh që Thabiti u ndodhte i izoluem në nji birucë e pa bukë, komisari Hamdi, tue pasë humbë durimin, i hedh para Thabitit dy deklarata me përmbajtje të kundërta, tue i folë shkurt e me ton: “Zgjidh e merr njerën, ose tjetrën”, ku simbas të parës, Thabiti u angazhonte që nga ai çast të bashkëpunonte me Sigurimin, ndërsa simbas së dytës, t’u deklaronte “armik i betuar i pushtetit popullor”. Thabiti, që në këtë rast do të humbte edhe ai durimin, pa e zgjatë, firmosi të dytën.

Kur në shtator të vitit 1954, Thabiti nji ditë të plotësonte të shtatë vitet e dënimit të tij e, të priste që të merrte rrugën për Shkodër, për shtëpi, ajo copë letër e dy vjetëve ma parë atje në kampin e Lekajve, – ndonëse e imponueme e me vlerën e nji deklarate – do të vendoste që Thabiti të ndrronte drejtim, për të kalue edhe plot gjashtë vjet të tjerë, në internim. Ky rast i kaluem në heshtje e harresë, si qinda e qinda të tjerë, a nuk tregon edhe nji here, se sa i shtrejtë ka qenë nderi dhe emni i mirë për nji të burgosun politik? E ky rast, si do t’u fliste atyne që në kushte e rrethana si të Thabitit, nuk patën veprue si ai?

Kampi i Çengelajve

Kampi i fundit për ne në zonën rreth Peqinit e Kavajës, do t’ishte ai i Çengelajve, rreth shtatë-tetë kilometër tej Peqinit, ku do t’u punonte për hapjen e nji rezervuari të madh, i cili në të ardhmen, ujin e grumbulluem në të, do ta hidhte për vaditje tokash në kanalin Peqin-Durrës, që ne kishim hapë gjatë dy viteve të fundit, përfshi edhe kanalet e tij ma të vegjël, të shpërndamë gjithandej nëpër fushë, të quejtun simbas madhësisë që kishin; “sekondare” e; “terciare”.

Kushtet në të cilat qenë të detyruem me punue të burgosunit, disa herë kanë paraqitë rrezik për ta e, ka pasë mjaft raste gjymtimesh e madje edhe vdekjesh, si rezultat i gjendjes se tyne të keqe. Pranë nji rreziku për jetën, u gjeta edhe unë nji herë në këtë kamp të Çengelajve: Mbas disa kohe që ishte hapë bazeni në fjalë, na gërmojshim dhe rranzë nji kodre, dhe me vagona e transportojshim nga nji anë e bazenit, në anën tjetër të tij, tue e pasë përshkue hapsinën e tij, me anë të nji ure të ngushtë prej dërrasash e pa parmakë, e që ishte e mbështetun mbi do pilota druni të ngulun me batipal, në thellësi të pellgut me baltë të hollë prej disa metrash.

Nëpër këtë urë me shina të shtrueme mbi të, do të kalojshin, simbas radhës, vagonat e ngarkuem me dhe, dhe për shkak të pjerrësisë që kishte ura si rezultat i disnivelit të të dy brigjeve të pellgut, vagoni, nen peshën e madhe të tij, do të tendonte vazhdimisht të merrte vrull e, bile edhe me dalë jashtë shinave, tue rrezikue seriozisht jetën e të burgosunit që kishte sipër, po qe se ai gjatë gjithë “itinerarit” mbi urë, nuk do ta mbante fort në fre vagonin, me anë të nji druje të fortë frashni, të vendosun mbi njenën rrotë të tij.

Që t’mos u rrezikojshin dy jetë njiherit, nuk u lejonte që mbi urë ta shoqnojshin vagonin dy të burgosun, por vetëm nji, e nuk u lejonte gjithashtu që nji vagon i dytë, të hynte në urë, për pa pasë dalë tej bregut tjetër, vagoni para tij. Rreziku eventual i të burgosunit poshtë në pellg, mbarte me vete vdekjen e tij, sepse pellgu, siç thamë ma nalt, ishte i thellë e pa mundësi notimi, si prej balte të hollë që ishte.

Kështu unë nji here, u ndodha fare pranë rrezikut e shpëtova thjeshtë prej fatit: Me sa duket unë qeshë futë me shpejtësi në urë, tue ba që vagoni të merrte shumë vrull dhe, ndonëse unë ushtrova shumë forcë mbi dru, që të mund ta ngadalsojsha sadopak shpejtësinë e tij, ai duel se duel jashta shinave e, tue u rotullue në ajër, u zhyt përfundimisht në thellësi të pellgut. Për ndonji çast unë isha i shpëtuem, sepse kur vagoni pat fluturue për në pellg, unë isha shkëputë prej tij e, përplasë për dysheme mbi urë, po kur fillë mbrapa, për fatin tim të keq e në kundërshtim me regullin, qe futë po me shpejtësi nji tjetër vagon, i ngarkuem me dhe, jeta e ime u vue në pikëpyetje për herë të dytë, brenda pak çasteve.

Shoqnuesi i këtij vagoni, i tronditun nga sa priste të ndodhte me mue, ma tepër bërtiste e bërtiste, se sa u përpiqte me ngadalësue shpejtësinë e vagonit, që i kishte dalë jashta kontrollit. Ura ishte aq e ngushtë, sa buzët e sipërme të vagonit, nuk mund të kalojshin pa prekë sadopak trupin tim të vendosun në cep të saj. Për nji mrekulli, në çastin kur vagoni po kalonte pikërisht pranë pikës ku u ndodhsha unë, ashtu i mbledhun grusht siç isha me trup, m’asht dhanë që me nji kërcim “akrobatik”, t’u kapsha me duar për buzë të vagonit dhe ashtu i kacavarun për të, të kalojsha gjithë urën.

Kishin qenë mjaft të burgosun që e kishin ndjekë skenën me sy, të cilët mbasi u çliruen prej atij ankthi, do të më përqafojshin me shumë mallë, tue m’urue për shpëtimin e jetës. Daja, që mbas kësaj ngjarje, do të më përqafonte fort i mallëngjyem, do të më thonte: “Po të ndodhte gja ty, unë me njikët shkop – të cilin vazhdonte ta kishte në dorë – do ta mbytshe atë”. Daja në shenj gëzimi, do të na bante hallvë atë natë.

Kishte pasë ndjehë Bajram

Më ishte infektue keq thembra e njenës kambë, aq sa për disa ditë, nuk muejsha me prekë me të në tokë. Me temperaturë e pushim të mjekut, më zue edhe nata e festës së Bajramit, e që prej temperaturës së naltë që kisha pasë, nuk pata ndigjue se ç’mund të ishte folë rreth ditës së nesërme, ditës së Bajramit. Ishte verë dhe të nesërmen në mëngjes, herët shumë, nji dritare e vockël që binte mbi kryet tim, bashkë me dritën që sapo kishte nisë me zbardhë, po më fuste edhe nji freski të kandshme, të cilën po e ndjejsha se më rrëshqiste me ambëlsi mbi fytyrë.

Nuk dij ç’ndodhi që unë papritmas u ngrijta përnjiherë me vërejtë përjashta, kur si për nji mrekulli, m’u shfaq para tablloja madhështore e faljës së Bajramit, nga ana e të burgosunve myslimane, të cilët qysh me natë kishin pasë pushtue cep me cep gjithë katrorin e oborrit të madh të kampit, që mue prej emocionit e çudisë, më bani të shtangesha menjiherë.

Kishte pasë ndjehë Ditë Bajrami! Në fillim nuk po iu besojsha syve dhe ende pa pasë fitue vetëdijen, gjithçka aty po m’u dukte si në anderr, sikur t’u ndodhsha para nji pamjeje që e kishte lëshue nata. Besimtarë të burgosun, qysh prej krahinave ma të epra të Kosovës në veri e, deri poshtë n’ato të Çamërisë tonë të dhimbsun, po u ngrijshin e u ulshin si me komandë, nën “ezanin” e thellë e prekës të hoxhës simpatik, Adem Metalia prej Tropoje, tue ba që ai shesh kampi komunist, t’ishte shndrrue për pak kohë në nji tempull, xhami, ku besimtarë të vuejtun që prej thellë shpirtit, po i luteshin Zotit të plotfuqishëm, si asnjëherë tjetër në jetën e tyne. Nuk kishte ndodhë ndonjëherë!

Fjala njatë, por unë që ndigjojsha ezanin e hoxhës që u përhapte gjithandej, si thirrje qielli e njerëzit mbrapa që atij iu bindshin ashtu verbrisht e me përulësi, bajshin që mue, si ne ekstazë, të m’u dukte vetja se po u ndodhsha diku mes qiellit e tokës, mes nji fantazie të kahershme fëminore, e realitetit të nji kampi komunist. Ndër tjera, do të më hiqte vërejtjen e disi edhe të më prekte, qëndrimi që me atë rast po tregojshin edhe ata të komandës, ndaj ndërgjegjes së tyne, tue ba që atyne njerëzve të shkëputun prej familjeve e lirisë, atë ditë t’u a respektonte dashurinë e lidhjen e tyne me Zotin, që ishte ma e shejta gja e jetës së tyne.

Nuk qeshë largue ende prej asaj dritareje të vogël dhe as çlirue prej atij emocioni, kur pashë se si ata të burgosun, mbasi mbaruen faljën, mbështollën pa u ngutë shtrojë e shami, mbi të cilat kishin pasë mbështetë gjunj e krye, e u përzien paqësisht tue u përfalë mes tyne si vëllazën e me mall, ndërkohë që mue vetvetiu, sikur më vinte me thirrë: “Shqipni, Shqipni, a ke kenë ndonjiherë”? e “A thue vërtetë do t’bahesh nji ditë”?

Për jo ma shumë se tre muej kohë, në kampin e mrekullueshëm të Beratit, tue mos u zgjatë me ngjarjet e zakonshme te nji kampi pune, nga nandori i 1952-it, lamë Çengelajt dhe u drejtuem për në kampin e Urës Vajgurore, “Lapardha” e Beratit, ku prej kohësh të burgosun të tjerë, po punojshin për ndërtimin e nji aerodromi ushtarak. N’këtë kamp “madhështor”, u bashkuem dy kampe e do të qëndrojshim bashkë, derisa t’u pregatiste ai i Vlashukut, që ishte destinacioni i jonë.

Kampi i Urës Vajgurore, do t’u mbante mend si kampi ma i madh, që kishte qenë ndonjiherë, ndonëse për nji periudhe të shkurtë – me ma shumë se katër mijë të burgosun, si dhe kampi ku nji shumicë të burgosunish politikë, do të njiheshin mes tyne e prej ku nji dite, do t’u largojshin tue pasë lanë e marrë mbresa të pashlyeshme, për të gjithe jetën.

Ndërmjet tjerëve, atje do të takojshim edhe shokët tonë të Shkodrës, që kishin pasë dalë në kamp mbas nesh, si; Sami Repishtin, Xhevat Metën, Ernest Përdodën, Tomë Sheldinë, Et’hem Bakallin, Zef Nikën, Nush Tukën, si dhe Feti Qukun e Mark Lleshin, që po bijshin për herë të dytë në burg, etj. Do të gjejshim gjithashtu në atë kamp, edhe shokë nga të burgjeve të tjerë, me të cilët ishim njohë e lidhë qysh dy e tre vjet ma parë, ndër kampe të tjerë. Memorie.al 

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në luftën e Reçit, Jup Kazazin e qëlluan për ta vra, me urdhër të Lilo Zenelit, një prej shefave kryesorë të Sigurimit të Shtetit më vonë...”/ Dëshmitë e rralla të ish-të përndjekurit politik, nga Italia

Next Post

“Në vjeshtën e 1988-ës, në Durrës pati një reprezalje policore në port dhe jashtë tij, ku gjatë natës, shumë persona përfunduan në Degën e Brendshme, pasi...”/ Historia e panjohur e kontrabandës me marinarët e huaj

Artikuj të ngjashëm

“Çfarë bisedoi ime gjyshe me Musine Kokalarin, për ato 14 ditë, në një dhomë spitali të Rrëshenit, ku spiunët me pseudonimet…”?! / Dëshmia e pinjollit të Bajraktarit të Kthellës, emigrant në Itali
Dossier

“Çfarë bisedoi ime gjyshe me Musine Kokalarin, për ato 14 ditë, në një dhomë spitali të Rrëshenit, ku spiunët me pseudonimet…”?! / Dëshmia e pinjollit të Bajraktarit të Kthellës, emigrant në Itali

June 1, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Dossier

“Profesor Foto Bala na tregonte, se Enver Hoxha, ishte i vetmi shqiptar, që për orë e orë të tëra, do të pozonte pa turp, në nji bar të Parisit, në pritje të ndonji…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

June 1, 2025
“Në vjeshtën e 1988-ës, në Durrës pati një reprezalje policore në port dhe jashtë tij, ku gjatë natës, shumë persona përfunduan në Degën e Brendshme, pasi…”/ Historia e panjohur e kontrabandës me marinarët e huaj
Dossier

“Në vjeshtën e 1988-ës, në Durrës pati një reprezalje policore në port dhe jashtë tij, ku gjatë natës, shumë persona përfunduan në Degën e Brendshme, pasi…”/ Historia e panjohur e kontrabandës me marinarët e huaj

May 31, 2025
“Në luftën e Reçit, Jup Kazazin e qëlluan për ta vra, me urdhër të Lilo Zenelit, një prej shefave kryesorë të Sigurimit të Shtetit më vonë…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të përndjekurit politik, nga Italia
Dossier

“Në luftën e Reçit, Jup Kazazin e qëlluan për ta vra, me urdhër të Lilo Zenelit, një prej shefave kryesorë të Sigurimit të Shtetit më vonë…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të përndjekurit politik, nga Italia

May 30, 2025
“Mark Ndue Ndoja, banues në Tiranë, nëpunës, me arsim të lartë, shtresë e mesme, përjashtuar nga Partia, i është zgjatur afati i internimit, edhe për…”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti ‘67
Dossier

“Mark Ndue Ndoja, banues në Tiranë, nëpunës, me arsim të lartë, shtresë e mesme, përjashtuar nga Partia, i është zgjatur afati i internimit, edhe për…”/ Vendimi i Komisionit Internim-Dëbimeve, viti ‘67

May 30, 2025
“Patër Pal Dodaj, i cili dikur i kishte shpëtu jetën Ahmet Zogut, duke mos durue torturat që i bajshin hetuesit komunistë, u pat hedhë prej dritares së…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, Ahmet Bushati
Dossier

“Patër Pal Dodaj, i cili dikur i kishte shpëtu jetën Ahmet Zogut, duke mos durue torturat që i bajshin hetuesit komunistë, u pat hedhë prej dritares së…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, Ahmet Bushati

May 31, 2025
Next Post
“Në vjeshtën e 1988-ës, në Durrës pati një reprezalje policore në port dhe jashtë tij, ku gjatë natës, shumë persona përfunduan në Degën e Brendshme, pasi…”/ Historia e panjohur e kontrabandës me marinarët e huaj

“Në vjeshtën e 1988-ës, në Durrës pati një reprezalje policore në port dhe jashtë tij, ku gjatë natës, shumë persona përfunduan në Degën e Brendshme, pasi...”/ Historia e panjohur e kontrabandës me marinarët e huaj

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!