Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të krerëve kryesorë të organizatës nacionaliste ‘Balli Kombëtar’ dhe ‘Legaliteti’, të cilët në fundin e vjeshtës së vitit 1944, pasi e kishin kuptuar se partizanët e Enver Hoxhës e kishin fituar luftën dhe marrja e pushtetit prej tyre, tashmë ishte çështje ditësh. Fillimisht u grumbulluan në Kalanë e Prezës, ku pasi bënë një mbledhje që kryesohej nga Abaz Kupi dhe Mit’hat Frashëri, ata vendosën që të largoheshin nga Shqipëria dhe nga aty, marshuan për në drejtim të qytetit të Shkodrës, pas shumë debatesh dhe negociatash me parinë e atij qyteti, të kryesuar nga Gjon Markagjoni dhe Hasan Isufi, që tentuan t’i pengonin, me ndihmën e forcave gjermane dhe të birit të Mehdi Frashërit, mundën të kalonin kufirin shtetëror dhe të udhëtonin për në drejtim të Tivarit. Aty i priste anija e Sulejman Latifit, me origjinë nga Shkodra. Paguan nga 10 napolona flori secilit nga 250 “pasagjerët” që u imbarkuan, për të udhëtuar më pas drejt brigjeve të Italisë. Historia e trishtë e krerëve kryesorë të ‘Ballit’ dhe Legalitetit’ në fundin e vitit 1944, vjen nëpërmjet dëshmive të Arif Pezës, njërit prej eksponentëve kryesorë të Rinisë së ‘Ballit Kombëtar’ i cili në qershorin e vitit 1944, në krye të një çete që komandonte, kishte shkuar në Kosovë për të luftuar kundër forcave çetnike të Drazha Mihailloviç.
“Me të mbërritur në qytetin e Shkodrës, krerët kryesorë të organizatës nacionaliste të ‘Ballit Kombëtar’, Mithat Frashëri, Hasan Dosti, Vasil Andoni etj., u pritën në një shtëpi, që kishte qenë bazë e tyre gjatë Luftës. Ballistët e legalistët që mbërritën në qytetin e Shkodrës, u ndanë në dy “kampe”, Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Ali Këlcyra, Vasil Andoni, Faik Quku, Kadri Cakrani, etj., kërkonin që të largoheshin në drejtim të Italisë me anije, kurse pjesa tjetër me Halim Begenë, Mexhit Xhaferin (Dibra), Bardhyl Borshin, Mustafa Malokun, Halil Ballën, Kasem Alimehmetin etj., kërkonin të vazhdonin me tej në veri të bregdetit Dalmat, për t’u larguar për në Kroaci, e me destinacion Austrinë e Gjermaninë. Frashëri, Dosti, Këlcyra, Andoni, Quku, Cakrani, Peshkëpia etj., vendosën të niseshin për në drejtim të Italisë, përpiluan një listë me personat që do të largoheshin, ku secili prej tyre do ti paguante nga 10 napolona floriri, Sulejman Latifit, pronarit të anijes (ulqinak që banonte në Shkodër). Ai do t’i merrte ata kur të mbërrinin në portin e Tivarit”. Kujtonte Arif Peza, një ish-eksponent i Rinisë së Ballit Kombëtar. Pasi mundi të largohej nga Shqipëria, së bashku me krerët kryesorë të ‘Ballit’ dhe ‘Legalitetit’ në fundin e nëntorit të ’44-ës, Arif Peza u vendos në Kanada, ku jetoi si emigrant politik deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1993. Nga dëshmitë e z. Arif Peza, (i cili ndërroi jetë në vitin 2007, jetoi në Tiranë tek mbesa e tij, Mira Qazim Peza).
Mbërritja e ballistëve dhe zogistëve në Brindizi
Krerët nacionalistë nuk ju besuan syve, kur në kalatat e portit panë njerëz të armatosur me uniformën me yll të kuq të partizanëve jugosllavë të Josif Broz Titos. Por ajo gjë, nuk ishte ashtu siç e kujtuan ata, pasi të armatosurit, ishin me të vërtetë partizanë jugosllavë të Marshallit Tito, por si përfaqësues të misionit jugosllav, pranë Komandës Aleate të Mesdheut me qendër në Bari, të cilët kishin zyrën e tyre në portin e Brindisit. Sapo anija me emigrant politikë shqiptarë u ankorua në molin e portit ku e tërhoqi anija e misionit britanik, nën shoqërimin e disa ushtarakëve të Forcave Aleate, i zbritën të gjithë një nga një duke i kontrolluar, me përjashtim të grave dhe fëmijëve që nuk i ndaluan fare. Të gjithë emigrantët, ballistë e legalistë, pas kontrollit të përciptë fizik, ju nënshtruan më pas procedurave të pyetjeve që ju bënë oficerët anglo-amerikanë. Pyetjet e tyre ishin të ndryshme, por kryesisht ata donin të dinin, se përse ishin larguar nga Shqipëria dhe kush ishin synimet e tyre. Këtyre procedurave, përsëri ju shpëtuan gratë dhe fëmijët. Pas kësaj, ata i hipën nëpër kamionë të mbuluar dhe i dërguan në një ndërtesë që dikur kishte shërbyer si shkollë për fëmijët, të cilën e kishin adaptuar si kamp për pritjen e emigrantëve. Kjo shkollë ku u vendosën të gjithë pjesëtarët e forcave nacionaliste, nuk ishte shumë larg nga porti i Brindisit ku zbarkuan ata fillimisht.
Në kampin e Grumos
Tek ajo ndërtesë, burrat i ndanë veç grave dhe fëmijëve e ju dhanë të gjithëve pako me ushqime. Të nesërmen e asaj dite, aty tek ndërtesa e shkollës ku emigrantët shqiptarë kaluan natën e parë në tokën e huaj, mbërritën ushtarakët e Forcave Aleate dhe i morën të gjithë, për t’i dërguar në kampin e Grumos. Po në këtë kamp, bashkë me shqiptarët u dërguan dhe 20 ushtarët italianë që kishin udhëtuar së bashku me ta që nga qyteti i Shkodrës. Kurse 5 çetnikët serbë, i ndanë prej tyre dhe i dërguan në një kamp në qytetin e Barit. Në kampin e Grumos, të gjithë emigrantët shqiptarë u lanë e u pastruan dhe u pajisën me nga dy batanije, që do t’i kishin për të fjetur. Arif Peza, një nga ata emigrantë që ishte dhe një nga krerët kryesor të Rinisë Ballit Kombëtar, kujtonte se në kampin e Grumos, kushtet ishin shumë të këqija dhe ata i futën të gjithë në një çadër të madhe, ku fjetja ishte në tokë ne mes të baltës. Po kështu ai kamp ishte i rrethuar me tela dhe ruhej me ushtarë të armatosur që nuk lejonin asnjë nga emigrantët që të largohej prej andej. Për tre katër ditë me radhë, në atë kamp vinin dy oficerë britanikë të cilët merrnin në pyetje Mit’hat Frashërin e Ali Këlcyrën, që njiheshin më tepër se të tjerët për vetë të kaluarën e tyre si politikanë të lartë të organizatës së Ballit Kombëtar. Kur nuk kishin kaluar më shumë se pesë ditë nga mbërritja e emigrantëve shqiptarë në brigjet italiane, më datën 28 nëntor, aty në kampin e Grumos, u mblodhën të gjithë për të festuar ditën e flamurit, që ishte dhe festa Kombëtare e Shqipërisë. Në ato ceremoni të improvizuara, e morën fjalën e rastit, Mit’hat Frashëri dhe Zef Pali (eksponent i Ballit) nga Shkodra. Gjatë fjalës që ata mbajtën, pas tyre qëndronte gatitu, me flamurin kuq e zi në dorë, Luan Dosti, një nga të rinjtë e Ballit, që ishte djali i avokatit të njohur Hasan Dosti. Gjatë atyre ditëve të qëndrimit në kampin e Grumos, kreu i ‘Ballit Kombëtar’, Mithat Frashëri, interesohej vazhdimisht për vend-ndodhjen e mikut të tij të ngushtë major Abaz Kupit. Për Bazin ai nuk kishte asnjë të dhënë që nga dita që u ndanë në kalanë e Prezës, pas sulmit të përbashkët që forcat e tyre ju bënë autokolonës gjermane. Frashëri donte të takohej me Kupin, pasi shpresonte shumë tek ai, duke e ditur simpatinë që anglo-amerikanët, gëzonin ndaj tij.
Komunistët takohen me ballistët!
Pasi kaluan një javë në kampin e Grumos, emigrantëve politikë shqiptarë ju dhanë urdhër të përgatiteshin, sepse do t’i transferonin për në kampin e Barit. Pasi i hipën të gjithë nëpër kamionë, ata mbërritën në kampin e Barit, ku kushtet ishin shumë më të mira se në Grumo. Komanda e kampit herë pas here, ju jepte leje emigrantëve politikë për të dalë në qytetin e Barit, sipas nevojave që kishin. Lidhur me këtë, Arif Peza kujtonte, se një nga shokët e tij ballist, i quajtur Ali Tremishti (nga Përmeti) kërkoi leje i pari dhe doli në qytet. Ai takoi një nga shokët e tij të vjetër, Skënder Malindin, që kishte qenë komandant i çetave partizane të Skraparit dhe pasi ishte plagosur rëndë në luftë, ishte marrë nga Forcat Aleate për t’u kuruar në spitalin e Barit. Takimet e ballistëve me ish-kundërshtarët e tyre partizanët e Enver Hoxhës, nuk mbaruan me Malindin. Pas disa ditësh në kampin e Barit shkoi për vizitë kapiten Nuri Huta, që ishte partizan dhe pjesëtar i delegacionit, të Misionit Ushtarak shqiptar, që kryesohej nga kolonel Kadri Hoxha, i cili ishte akredituar pranë Komandë së Forcave Aleate të Mesdheut. Kapiten Nuri Huta, në kampin e Barit u takua dhe zhvilloi bisedime me Mit’hat Frashërin e Vasil Andonin, për të cilin kishte simpati të veçantë që nga koha që e kishte pasur profesor në gjimnazin e Tiranës.
Në Santa Maria De Leuca
Aty nga mesi i muajit janar 1945, pasi emigrantët politikë shqiptarë kishin qëndruar ne kampin e Barit, u njoftuan të bëheshin gati se do të transferoheshin për në kampin e Santa Maria de Leucas. Ky kamp, ndodhej në pikën më jugore të Gadishullit Apenin (në fundin e ‘takës së çizmes’) dhe ishte si një fshat turistik, ku emigrantët i vendosën nëpër shtëpia e vila me kushte shumë të mira, të cilat ishin përgatitur për ushtarakët e Forcave Aleate, por ishin refuzuar prej tyre. Në atë kamp, u dërguan të gjithë emigrantët politikë, me përjashtim të Mit’hat Frashërit, Vasil Andonit e pronarit të anijes Sulejman Latifit, të cilët u arrestuan para nisjes nga kampi i Barit. Asnjë nga emigrantët shqiptarë nuk e mësoi të vërtetën e ndalimit të tyre. Atyre vetëm ju thanë se: do t’i dërgonin në një kamp tjetër nga ai i De Leucas. Në atë kamp, që ishte pika më jugore e Apenineve, emigrantët shqiptarë qëndruan me kushte shumë të mira deri nga fundi i muajit gusht 1945, kur i njoftuan se do të ndërronin përsëri vend, për t’i dërguar në Reggio Emilia. Gjatë atyre tetë muajve, në atë kamp, nisën të vinin dhe shqiptarë të tjerë që arratiseshin nga Shqipëria, për t’i shpëtuar ndjekjeve të komunistëve, të cilët kishin filluar një terror të egër, me vrasje, burgime dhe internime ndaj ish kundërshtarëve të tyre.
Në Rexhio-Emilja
Në kampin e Rexhio-Emiljas, emigrantët politikë shqiptarë u sistemuan në një ndërtesë që ishte ngritur për “Caza Balila”-t. Edhe në këtë kamp, kushtet e jetesës si fjetja dhe ushqimi ishin shumë të mira, si në atë të Santa De Leucas. Pak ditë pas mbërritjes së tyre në atë kamp, të gjithë emigrantët u gëzuan pa masë kur panë të vinin aty dhe Mit’hat Frashërin me Vasil Andonin e Sulejman Latifin, që i kishin arrestuar në Bari. Pas pak ditësh, emigrantët shqiptarë i ndanë në dy grupe. Njërin grup në të cilin bënin pjesë krerët e Ballit: Mit’hat Frashëri, Vasil Andoni, Hasan Dosti, Faik Quku, e pasuesit e tyre Rushdi Daca, Emin Kopliku, Teki Xhindi etj., si dhe legalistët: Sali Myftija, Mul Bajraktari, Selim Damani, Zydi Karagjozi, Sadik Shaska, Arif Peza, Hysen Prishtina etj., i mbajtën aty në kampin e Reggio Emilia. Bashkë me ata, në atë kamp, qëndruan dhe disa nga krerët e “Bllokut Indipendent”, që kishin mbërritur më pas në kampet italiane, si: Tahir Kolgjini, Munir Tërshana, Man Kukaleshi, Mehmet Bej Olltuni etj. Kurse në grupin tjetër që u dërgua në kampin e Barletas, bënin pjesë: Xhemal Laçi, Ago Agaj, Irfan Ohri, Jahja Mancaku, Asllan Mersini, Hamza Drini, Dule Sevrani, Akil Derhani, Mexhit Xhaferi etj. Aty nga fundi i vitit 1946, në kampin e Rexhio-Emiljas ku vazhdonin të vinin emigrantë të tjerë politikë që arratiseshin nga Shqipëria, mbërritën një sasi e madhe ndihmash humanitare në ushqime dhe veshmbathje të cilat i kishte dërguar Mbreti Zog nga Egjipti. Lidhur me këtë, Arif Peza, kujtonte: “Pakot që na dërgoi Mbreti Zog, nuk ishin vetëm për ne emigrantët politikë, por aty kishte për të gjithë shqiptarët që ishin në Itali. Pas mbërritjes së tyre, pranë kampit tonë erdhën dhe shumë shqiptarë të tjerë nga qytete të ndryshme të Italisë, kryesisht studentë që u furnizuan me to”.
Nga Italia në Damask
Emigrantët politikë që ishin në kampin e Reggio Emilia, qëndruan aty deri nga fundi i vitit 1947. Hera herës shumë prej tyre transferoheshin për në kampin e Banjolit, që ishte vend transiti dhe nga aty, pasi fitonin azilin politik, ata shpërndaheshin në vende të ndryshme të botës, si: Amerikë, Kanada, Australi, Brazil, Venezuelë etj. Kjo u arrit pasi për emigrantët shqiptarë kryesisht djemtë e rinj, interesoheshin ambasadat e atyre vendeve që ishin të akredituara në Itali. Emigrimi i shqiptarëve nga Italia nëpër botë, vazhdoi deri nga viti 1948, ku një pjesë e madhe e tyre që ishin në kampin e Banjolit kërkuan të shkonin në Siri. Për të shkuar në Siri, emigrantët politikë shqiptarë, u ndihmuan nga zonja Mirvete Sula, që ishte konsull e Mbretërisë Shqiptare në Egjipt, pasi Mbreti Faruk i Egjiptit, vazhdonte të njihte ende qeverinë në mërgim të Mbretit Zog, të cilin e kishte strehuar familjarisht në një vilë luksoze në Aleksandri. Zonja Sula i paisi me viza pasaportat e Mbretërisë Shqiptare që i kishin ende shumë prej emigrantëve politikë dhe me anë të organizmave të ndryshme të Komisariatit të Lartë të Refugjatëve, u bë e mundur pagesa e një vapori, që i mori ata nga porti i Napolit për në Siri. Ndër emigrantët që shkuan në shtetin arab, ishin: Arif Peza, Neshat Kolonja, Jahja Mancaku, Mul Bajraktari, Isa Manastirliu, Hamza Drini, Xhelal Bushati, Mato Murati, Hafuz Azemi, Daut Azemi, Haki Omari, Reshat Biçaku, Dervish Biçaku, Sadik Mollasi. Bashkë me këtë emigrantë, për në Siri shkuan dhe Zonja e ish-Ministrit të Jashtëm shqiptar, Mehmet Konica, me dy vajzat, Lavdien e Merushen. Mërgata politike shqiptare u prit mjaft ngrohtë në Damask dhe për ta u kujdes personalisht vetë Kryetari i Shtetit Shykëri Kuatli, i cili ishte miku i ngushtë i Mbretit Zog. Me interesimin e tij, të gjithë shqiptarët u sistemuan dhe ju dha asistenca sociale nga shteti. Në fillim emigrantët shqiptarë i vendosën në Damask, nëpër disa dhoma pranë xhamisë së Sulltan Selimit, kurse familjarët në shtëpi me kushte të mira. Pas kësaj, shumë nga emigrantët që donin të punonin, u sistemuan në punë të ndryshme. Në Damask, për emigrantët shqiptarë u interesua dhe Shefqet Gavoçi, djali i Sulejman Gavoçit nga Shkodra, i cili kishte porosi të veçantë nga Mbreti Zog për t’u kujdesur për ta. Pas grupit të Italisë, në Damask mbërritën dhe grupi i kosovarëve me Xhafer Devën, Xhelal Mitrovicën, Tahir Zajmin, Rexhep Krasniqin, Rauf Maliqin etj., të cilët gjithashtu u sistemuan në shtëpi të veçanta.
Thirrja e Zogut dhe shpërndarja e mërgatës politike shqiptare!
Grupi i emigrantëve shqiptarë të Sirisë, qëndroi aty deri në gushtin e 1949-ës, e më pas u shpërndanë në SHBA, Kanada, Australi etj. Nga emigrantët që mbetën në Itali, vetëm një pjesë e vogël e tyre qëndroi aty, kurse të tjerët u shpërndanë nëpër vende të ndryshme të botës. Krerët e ‘Ballit Kombëtar’, Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Vasil Andoni, e disa të tjerë pasues të tyre, jua aprovua kërkesa dhe shkuan për në SHBA-ës. Aty nga fillimi i vitit 1948, Mbreti Zog thirri në Egjipt, të gjithë krerët kryesorë të mërgatës politike shqiptare që ishin shpërndarë në vende të ndryshme të botës. Kësaj thirrje ju përgjigjën edhe ish-kundërshtarët e tij si, Mustafa Merlika Kruja e disa krerë të ‘Ballit Kombëtar’, por aty mungoi vetëm Mithat Frashëri. Në mes të tjerash në fjalën e tij, Zogu ju tha atyre: “Në doni ta shpëtojmë Shqipërinë nga kthetrat e komunizmit, hajdeni e mblidhuni të gjithë dhe krijoni qeverinë në mërgim. Unë do t’ju mbështes pa rezerva”. Pas fjalëve të Mbretit, Abaz Kupi rendi për në New York, për t’i mbushur mendjen Mit’hat Frashërit, që të vinte për t’u takuar me Zogun. Të nesërmen e asaj dite që Kupi i rregulloi pasaportën, Frashëri u gjet i vdekur në dhomën e tij. Pas kësaj, mërgata politike shqiptare u përça nga konfliktet e ndryshme që kishin filluar prej kohësh ndërmjet tyre, (duke krijuar disa komitete dhe parti të ndryshme), gjë e cila kishte filluar që nga periudha e Luftës dhe fatkeqësisht do të vazhdonte deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016