• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Monday, September 22, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në janar 1962, mbi qiellin e Tyringenit në Gjermaninë Lindore, u panë disa fletushka me mbishkrimin; nga P. P. e Shqipërisë, që bënin thirrje për…”/ Historia e panjohur që implikoi Tiranën zyrtare dhe Enver Hoxhën

“Më 2 dhjetor 1949, vetëm tetë javë pas themelimit, Gjermania Lindore vendosi marrëdhënie diplomatike në nivel të dërguarish me Shqipërinë, kurse më 18 mars 1955…”/ Refleksionet e publicistit të njohur
“Në janar 1962, mbi qiellin e Tyringenit në Gjermaninë Lindore, u panë disa fletushka me mbishkrimin; nga P. P. e Shqipërisë, që bënin thirrje për…”/ Historia e panjohur që implikoi Tiranën zyrtare dhe Enver Hoxhën
Ditari sekret i Enverit: “Behari më njoftoi se polakët e kanë shpallur ‘non grata’ ambasadorin tonë, Musin Kroi…”/ Ngjarjet e shkurtit ’61, pas konfliktit me Moskën dhe fotot e rralla
enver mehmet janar 1959 rdgj
Memorie.al
“Në janar 1962, mbi qiellin e Tyringenit në Gjermaninë Lindore, u panë disa fletushka me mbishkrimin; nga P. P. e Shqipërisë, që bënin thirrje për…”/ Historia e panjohur që implikoi Tiranën zyrtare dhe Enver Hoxhën

Nga ARMAND PLAKA

Pjesa e dytë

Vështrim historik mbi kontaktet dhe shkëmbimet shumëplanëshe shqiptaro-gjermane në rrjedhën e viteve

Memorie.al / “Boni, nëpërmjet eksporteve me Shqipërinë, me siguri nuk korr dot ndonjë përfitim të madh. Por në aspektin politik, në rastin e Shqipërisë, qysh prej tërheqjes së kinezëve, është lënë pa shfrytëzuar një hapësirë e madhe. Rendi shoqëror e politik i Shqipërisë, sigurisht që nuk u përgjigjet përfytyrimeve Perëndimore. Ky rend, megjithatë, nuk ndryshon shumë nga ai i vendeve të tjera socialiste, me të cilët Boni me kohë ka ndërtuar marrëdhënie e kontakte të mira. Në politikën e tij për të ruajtur sa mundet ‘statusquo’ -në në Ballkan dhe të kufizojë kësisoj sa më shumë ndikimin e Moskës, Boni në radhë të parë mbështetet te Jugosllavia. Por nuk mund të ngremë asnjë dyshim, se një Shqipëri tërësisht e pavarur nga Moska, kontribuon në stabilitetin e Ballkanit, po aq sa dhe një Jugosllavi e paangazhuar. Do të kishte qenë një gabim i rëndë politik ta neglizhonim edhe më tej për një kohë të gjatë këtë fakt”.

Gjithashtu mund të lexoni

“Në kooperativën e Oroshit ngordhën 92 keca dhe u dërguan në kampin e Spaçit, pasi…”! / Zbulohet dokumenti sekret i 2 dhjetorit ‘76, kur të burgosurve politikë u jepej mish i infektuar nga sëmundjet!

“Ministri Mbrojtjes nuk ju përgjigj pyetjeve të ushtarakëve dhe për 15 minuta na solli aty Presidentin Alia, të cilit kur i kërkuan llogari; se pse u tradhtua Enver Hoxha, ai…”! / Dëshmia e ish-oficerit madhor

                                                             Vijon nga numri kaluar

Por më parë ishin vendosur gjithsesi në vijë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Kështu, në vitin 1951, të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, e cila solli një kredit prej 50 milionë rublash (njësia monetare që përdorej për shkëmbimet ekonomike mes vendeve të ish-Bllokut komunist).

Kjo marrëveshje u pasua shumë shpejt nga të tjera, ku mund të përmendim nënshkrimin në vitin 1952, të një marrëveshjeje mbi bashkëpunimin teknik, në vitin 1953, atë mbi bashkëpunimin kulturor; në vitin 1957, atë mbi bashkëpunimin për mbrojtjen e bimëve; në 1958, mbi udhëtimin detar, marrëveshje konsullore etj. Në nëntor të vitit 1959, kreu i Partisë së Punës e shtetit shqiptar asokohe, Enver Hoxha, shkoi edhe vetë në Republikën Demokratike Gjermane, në një nga stacionet e një turi që ai zhvilloi në disa vende të “Demokracive Popullore”, etapë e cila shënoi edhe pikën më të lartë të marrëdhënieve dypalëshe.

Vetëm një vit më vonë, nisi ftohja e shpejtë mes Moskën e Tiranës zyrtare, nga e cila nuk u kursye sigurisht as Berlini Lindor. Ftohja politike u pasua menjëherë me konkretizimin në terren, ku u tërhoqën të gjithë specialistët e teknikët gjermano-lindorë që ishin instaluar në Shqipëri në kuadër të marrëveshjeve ekonomike e teknike mes dy qeverive (i fundit prej tyre, e la “vendin e shqipeve” në fakt, më 31 gusht 1961).

Kur Bashkimi Sovjetik, më 3 dhjetor 1961, shkëputi përfundimisht të gjitha lidhjet diplomatike me Shqipërinë, regjimi i RDGJ-së nxitoi që dy javë më vonë, të reduktonte në maksimum personelin e tij të përfaqësimit diplomatik në Shqipëri, duke mos lënë më ambasador.

Tirana duket se nuk u impresionua aspak nga këto hapa, pasi tashmë kishte gjetur një partner të ri. Ajo e cilësonte RDGJ-në si të rënë pre e dhunës së ushtruar nga klika revizioniste sovjetike, që duhej hequr qafe sa më parë.

TIRANA, RDGJ-SË: MOS SHKONI PAS REVIZIONISTËVE

Është regjistruar një fakt i çuditshëm në përpjekjet e bëra asokohe nga Partia e Punës së Shqipërisë në këtë aspekt, kur në janar të vitit 1962, mbi qiellin e Tyringenit (sot një nga landet e reja gjermane), u panë të fluturonin fletushka që bënin thirrje për braktisjen e planeve sovjetike e, mbetjen besnik ndaj mësimeve të Stalinit (fletë-palosjet mbanin mbishkrimin “nga PPSH”). Por gjithsesi, luhatjet e mospajtimet ideologjiko-politike patën një ndikim shumë të vogël, në këmbimet ekonomike midis dy vendeve.

RDGJ-JA: TË RREGULLOHEMI SËRISH ME SHQIPËRINË

Tregtia, gjatë gjithë periudhës së viteve ’60-të, vazhdoi ashtu sikurse dhe më parë dhe në vitin 1971, u nënshkrua sërish një marrëveshje afatgjatë. Që nga fundi i viteve ’70-të, RDGJ-ja u mundua që të normalizonte marrëdhëniet politike me Shqipërinë. Shenja për këtë jepeshin çdo vit dhe vdekjes së diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, iu kushtua një hapësirë e madhe në mediat zyrtare të RDGJ-së.

Në verën e vitit 1886 u nënshkrua një marrëveshje e re bashkëpunimi ku theksohej se “po zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme marrëdhëniet mes RDGJ-së e RPSSH-së, sidomos në sferën e bashkëpunimit ekonomik, në interes të paqes e interesit reciprok mes dy palëve”.

OFERTA E RFGJ-SË, QË NGA FUNDI I VITEVE ’60-TË

Edhe Republika Federale Gjermane, kishte problemet e veta ndërkohë me vendin e “bijve të shqipes”, për të lidhur marrëdhënie diplomatike. Që ata ishin gati t‘i vendosnin këto lidhje, kjo gjë u sinjalizua qysh në përpjekjet e bëra nga qeveria federale me anë të Walter Scheel, asokohe zëvendës-kancelar federal në qeverinë e kryesuar nga Villi Brandt (i cili siç dihet, në këtë kohë, kishte nisur me kohë politikën e tij të re, të hapjes ndaj Lindjes komuniste), në vitin 1969.

Por s‘do të vononte të vinte edhe përgjigjja e ftohtë e ish-ministrit të Jashtëm shqiptar, Nesti Nase, i cili në emër të qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ia “përplasi në fytyrë”, propozimin miqësor të Bonit zyrtar, duke e argumentuar vendosjen e marrëdhënieve mes dy vendeve, me miliardat e dollarëve që RFGJ-ja duhej të paguante si dëmshpërblim lufte, pa e saktësuar këtë vlerë.

Në shtator të vitit 1973, propozimi gjerman u hodh sërish në tavolinë, nën dritën e realiteteve të reja botërore, pas pranimit me të drejta të plota të të dyja shteteve gjermane në OKB.

SA PARA KËRKONTE TIRANA?

Se sa para kërkonte konkretisht Tirana zyrtare nga gjermano-perëndimorët si “reparacione lufte”, kjo u bë e ditur në korrik të vitit 1975, kur ambasadorit të RFGJ-së në Beograd, iu bë e ditur të vinte në dijeni Bonin, se vlera që duhej të kalonte drejt Shqipërisë, paraprakisht duhej të ishte dy miliardë dollarë amerikanë, përveç përqindjeve që duhej të llogariteshin se ngriheshin nga shuma e lartpërmendur, qysh nga viti 1938 e, në vazhdim.

Në Bon të gjithë mbetën të habitur me këtë shumë të kërkuar nga shqiptarët, pasi edhe vetë Bashkimi Sovjetik, i cili kishte pësuar dëmet më të mëdha gjatë luftës nga gjermanët, kishte mbetur i kënaqur me plotësimin e kërkesës prej rreth 13 miliardë dollarësh.

Por, gjithsesi, kërkesat e shqiptarëve u shqyrtuan dhe u konstatua se kjo vlerë duhej të reduktohej dukshëm e, se sipas vlerësimit gjerman, ajo duhej të kapte shifrën e 440 milionë dollarëve, që Shqipëria, sipas përcaktimeve e protokolleve që dilnin nga Konferenca e Londrës për dëmshpërblimet (e vitit 1953), mund të realizohej vetëm pasi të ishte arritur më parë, një marrëveshje paqeje me Gjermaninë.

Në fakt, ky konstatim i bërë nga studimet gjermane duket disi sipërfaqësor, pasi Shqipëria në fakt nuk e kishte firmosur këtë marrëveshje, e cila i njihte të drejtën Gjermanisë, që të dëmshpërblente vetëm fuqitë e mëdha, ndërsa vendet e tjera do të përfitonin shuma të majme, por vetëm si ndihma apo kredi favorizuese.

Madje edhe kushtetuta e RFGJ-së, ndalonte të jepeshin dëmshpërblime lufte nga qeveria e Bonit, e cila gjithsesi në një sens më të ngushtë, nuk e shihte veten si trashëgimtare direkte të Rajhut të Tretë gjerman. Por gjithsesi, siç e thamë dhe më lart, ekzistonte vullneti që Shqipëria të trajtohej si rast i veçantë, por kishte shumë diferenca për sa i përket shumës së dëmshpërblimit.

Kështu, deri në vitin 1980, kjo çështje mbeti pezull. Historianët shqiptarë, në bashkëpunim me ekonomistët në vendin e tyre, këmbëngulnin se kjo vlerë duhej të ishte disa herë më e madhe, ndërsa politikanëve gjermanë tashmë u duhej t‘u jepnin leksione, mbi vlerën e këmbimit monetar e kurset e shkëmbimit të valutave, si dhe në ndryshimin e vlerës së arit gjatë këtyre dekadave.

Dhe nuk mungonte gjithashtu këtu edhe dëshmia se Shqipëria në fund të Luftës, kishte përfituar pa kushte pasurinë gjermane të Rajhut, që sipas gjermanëve, kapte shifrën e rreth 1 miliardë Rajh-markash. Por, me gjithë sa thamë më sipër, shpesh dukeshin shenja të qarta se Tirana zyrtare e kishte vullnetin, për të lidhur marrëdhënie diplomatike me Gjermaninë Federale.

Republika Federale Gjermane, ishte prej kohësh partneri i dytë tregtar i Shqipërisë pas Italisë dhe në vitin 1977, në stendat e panairit të librit në Frankfurt, u dukën edhe vëllimet e shtëpive botuese shqiptare. Edhe kërkesat për reparacione tashmë nuk po merreshin më dhe aq seriozisht, ndërkohë që ato gjithnjë e më shumë, po artikuloheshin në marka e, jo më në dollarë.

PSE PO MUNGON SUKSESI?

Studiuesit gjermanë duket se anashkalojnë shumëçka rreth një fakti shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me ngecjen e bisedimeve dhe shtrimin e shpeshtë të kërkesës për reparacione, që dilte në tavolinat e bisedimeve, sa herë që dukej se po shfaqej një rreze shprese.

Ja si shprehen ata në lidhje me fillim-vitet ’80-të, duke vënë në dukje se gjithsesi tashmë ishte dhënë visto, për vendosjen e marrëdhënieve mes dy vendeve edhe nga vetë Enver Hoxha, porse pohon nga ana tjetër, se suksesi edhe për një kohë relativisht të gjatë, nuk do të vinte. “Një rreze shprese në këtë drejtim dha dhe Kongresi 8-të i Partisë së Punës së Shqipërisë, që u zhvillua në nëntor 1981”, theksojnë ata, kur vetë Enver Hoxha deklaroi: “Unë nuk shoh ndonjë pengesë të pakalueshme për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Bonin”.

E kështu, kërkesa këmbëngulëse për miliarda dollarë reparacione, duket sikur u fshi nga tavolina e bisedimeve. Por edhe kjo nuk duket se dha ndonjë rezultat konkret dhe bisedimet speciale mes dy palëve në ambasadat respektive në Vjenë, nuk sollën gjithashtu asnjë sukses real.

Duhet pasur parasysh këtu se fillimisht bisedimet mbi këtë çështje për një kohë të caktuar ishin zhvilluar në Beograd, mes ish-ambasadorit shqiptar atje, Sokrat Plaka, dhe homologut të tij gjerman (fakt i cili ndër të tjera është trajtuar gjatë në një intervistë që ish-diplomati shqiptar në fjalë, ka dhënë jo shumë kohë më parë, ku ai rrëfen të gjithë rrjedhën e bisedimeve e gjithashtu edhe zhgënjimin e tij me vendimin e Tiranës zyrtare, për t‘i zhvendosur bisedimet drejt Vjenës, ndërkohë që çdo gjë dukej se ishte vënë në rrugë të mbarë), e vetëm më pas u zhvendosën në Vjenë.

“Nga fundi i vitit 1982, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dukej sikur po zgjohej dhe me anë të një deklarate, u duk sikur ajo ishte tashmë plotësisht gati, për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Bonin, e madje ngjante sikur i bënte thirrje Bonit, të ishte më aktiv pas një periudhe përgjumjeje, le të themi, në këtë çështje”, theksojnë gjermanët në një studim të tyrin, për llogari të një instituti studimesh diplomatike ndërkombëtare.

Ata i referohen për këtë konstatim një vendimi të Këshillit të Ministrave të RPSSH-së, ku thuhej: “Këshilli i Ministrave i RPSSH-së, ka bërë të njohur vullnetin e tij për të normalizuar marrëdhëniet diplomatike me RFGJ-në. Mes dy vendeve tona, ekziston në fakt një nivel i kënaqshëm shkëmbimesh tregtare, duke u bazuar në normat e përfitimit reciprok.

Ne besojmë se problemet e mosmarrëveshjet e vjetra që kanë ekzistuar mes dy vendeve tona, të zgjidhen me vullnet të mirë. Tashmë i takon palës gjermano-perëndimore, të ndërmarrë hapa konkretë e konstruktivë, pasi ne kemi vendosur tashmë të çelim rrugën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”.

VIZITAT E SHTRAUSIT

Për sa u përket vizitave të personalitetit të madh politik gjerman, ish-kryeministrit të landit të Bavarisë në atë kohë, Franc Jozef Shtraus, ajo çka hasim në rreshtat e shtypit e vlerësimet studimore gjermane, është shumë e shkurtër dhe e vakët, plotësisht në kontradiktë (dhe kjo është e kuptueshme) me atë çka hasim të paktën sot (por dhe atëherë), në vlerësimet e shtypit e opinionit shqiptar.

Porse, sigurisht, prej tyre vihet në dukje se kësaj ngjarje iu kushtua vëmendje e madhe në Shqipëri. Pikërisht në këtë kohë, thekson studiuesi Wolf Oschlies, nga RFGJ-ja vjen në Shqipëri dy herë në vitet 1984 dhe 1986 për “vizita private” Kryeministri i landit të Bavarisë, Franc Jozef Shtraus, që në shtypin shqiptar të kohës u cilësua si një ngjarje e madhe politike dhe që në fakt e tillë ishte.

Më tej vazhdon: “Firmat gjermane pasuan më pas me disa kontrata që nënshkruan me Shqipërinë. Në korrik 1987, nga Boni erdhi më në fund drita jeshile, se tashmë marrëdhëniet diplomatike mund të lidheshin plotësisht. E kështu, më 15 shtator 1987, ato u bënë realitet”.

PROJEKTI “SHTRAUS” DHE “SHANSI I HUMBUR”

Vizitat historike dhe pikëpyetjet në mediat gjermane për Shqipërinë

Çfarë ndodhi në vitet ’80-të, kur gjermanët dhe shqiptarët (ri)vendosnin marrëdhëniet diplomatike mes tyre?

Gjatë dy shkrimeve të mëparshme trajtuam marrëdhëniet, apo më mirë këmbimet dypalëshe mes shqiptarëve e gjermanëve, kontributin e tyre të konsiderueshëm në shumë fusha, duke bërë kësisoj të mundur shpesh edhe njohjen, dhe pse jo duke ndikuar edhe në përparimin, sado modest, të vendit tonë, përkrah kombeve e shteteve të tjera evropiane.

Nga ana tjetër, u ndalëm më konkretisht në këmbimet e nivelin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe shteteve të reja gjermane, në realitetet që solli Lufta e Ftohtë, ku gjithashtu trajtuam në mënyrë kronologjike edhe problematikën që u bë, le të themi, “nyja gordiane” për vendosjen e lidhjeve diplomatike mes Tiranës e Bonit përgjatë gjithë viteve ’70-të e ’80-të, deri sa mbërritëm në hapin final, pra vendosjen e tyre në vjeshtën e vitit 1987.

Por, pikërisht në vitet tetëdhjetë, të cekura disi tangent, meritojnë për shumë arsye, vëmendje të veçantë. Na duhet të theksojmë se çdo gjë, në të dyja shkrimet e mëparshme, u referohet thuajse plotësisht burimeve mediatike e dokumentare gjermane, për të cilat ne, jo domosdoshmërish mund të binim dakord me të gjitha konstatimet që hasen atje, e mund të vihen re edhe lapsuse, sidomos në numrin e parë, ku përmendet shekulli i 17-të dhe në këtë kontekst, edhe “kurora e Bizantit”, e cila sigurisht që nuk përkon me realitetet historike.

Nëse do t‘u riktheheshim pastaj sërish viteve tetëdhjetë, ia vlen të ndalemi në vlerësimet e shtypit, analizat e komentet e bëra asokohe, të cilat hedhin më shumë dritë mbi arsyet e shkaqet që çuan në vendosjen e këtyre marrëdhënieve në një moment aq të vonë, sa me të drejtë prej shumëkujt (megjithëse duhet pohuar se në këtë aspekt ka pasur edhe ndonjë teprim) cilësohen me keqardhje si “Shansi i humbur”.

Në fakt, këtë përcaktim mban si titull edhe një libër (ese) botuar nga Ymer Minxhozi në vitin 1999, i cili rreket të ndriçojë me fakte e dëshmi konkrete, duke pasur në qendër të vëmendjes, periudhën e dy vizitave “private” të personalitetit e mikut të madh të shqiptarëve, ish-kryeministrit bavarez, Franc Jozef Shtraus, përkatësisht në vitet 1984 e 1986.

Po ashtu edhe në një intervistë të fundit të dhënë në njërën prej mediave shqiptare ditët e fundit, nga i biri i tij, Maks Shtraus, sërish ajo çka ndodhi asokohe mes Shqipërisë e RFGJ-së, konsiderohet po kështu pa mëdyshje si; “Shansi i humbur”. Po këtë përcaktim gjejmë gjithashtu po të rrëmojmë edhe në enciklopeditë apo referencat që i bëjnë homazh veprës së Shtrausit, ku një vend të veçantë, sigurisht, zënë dhe vizitat e tij të famshme në Shqipëri.

Por është pikërisht kjo periudhë, kur në Tiranë u regjistrua edhe njëra nga vizitat më spektakolare të një personaliteti të huaj në Shqipëri, ish-ministrit të Jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher, gjithsesi, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike zyrtare mes dy vendeve, e cila në fakt nuk përbën objektin e shkrimit tonë.

“Me tri milionë banorët e saj, Shqipëria është një vend i vogël. Volumi i xhiros së këmbimeve tregtare me të është po ashtu i vogël dhe në vitet e fundit ai ka treguar madje edhe një tendencë në ulje. Kjo pra është dhe situata e këmbimeve ekonomike mes dy vendeve nga gjysma dytë e viteve tetëdhjetë, të cilën na e paraqet një nga pasazhet e saj media gjermane asokohe”.

Më tej: A mos është Shqipëria, me të cilën Boni tashmë po vendos marrëdhënie diplomatike, një partner i parëndësishëm? Kjo është njëra ndër pyetjet kyçe të ngritura prej gjermanëve, e cila gjendet në studimet e analizat e tyre me këtë rast. Qysh në shkurt 1982, një gazetar gjerman dhe njohës i mirë i Ballkanit, Heiko Flottau, në një shkrim për “Sueddeutsche Zeitung” të datës 12.02.1982, kësaj pyetjeje i përgjigjej kështu:

Boni, nëpërmjet eksporteve me Shqipërinë, me siguri nuk korr dot ndonjë përfitim të madh. Por në aspektin politik, në rastin e Shqipërisë, qysh prej tërheqjes së kinezëve është lënë pa shfrytëzuar një hapësirë e madhe. Rendi shoqëror e politik i Shqipërisë sigurisht që nuk u përgjigjet përfytyrimeve perëndimore. Ky rend, megjithatë, nuk ndryshon shumë nga ai i vendeve të tjera socialiste me të cilat Boni me kohë ka ndërtuar marrëdhënie e kontakte të mira.

Në politikën e tij për të ruajtur sa mundet “status-quo”-në në Ballkan dhe të kufizojë kësisoj sa më shumë ndikimin e Moskës, Boni në radhë të parë mbështetet te Jugosllavia. Por nuk mund të ngremë asnjë dyshim se një Shqipëri tërësisht e pavarur nga Moska kontribuon në stabilitetin e Ballkanit, po aq sa dhe një Jugosllavi e paangazhuar. Do të kishte qenë një gabim i rëndë politik ta neglizhonim edhe më tej për një kohë të gjatë këtë fakt”. / Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Ministri Mbrojtjes nuk ju përgjigj pyetjeve të ushtarakëve dhe për 15 minuta na solli aty Presidentin Alia, të cilit kur i kërkuan llogari; se pse u tradhtua Enver Hoxha, ai...”! / Dëshmia e ish-oficerit madhor

Next Post

“Në kooperativën e Oroshit ngordhën 92 keca dhe u dërguan në kampin e Spaçit, pasi...”! / Zbulohet dokumenti sekret i 2 dhjetorit ‘76, kur të burgosurve politikë u jepej mish i infektuar nga sëmundjet!

Artikuj të ngjashëm

“Në kooperativën e Oroshit ngordhën 92 keca dhe u dërguan në kampin e Spaçit, pasi…”! / Zbulohet dokumenti sekret i 2 dhjetorit ‘76, kur të burgosurve politikë u jepej mish i infektuar nga sëmundjet!
Dossier

“Në kooperativën e Oroshit ngordhën 92 keca dhe u dërguan në kampin e Spaçit, pasi…”! / Zbulohet dokumenti sekret i 2 dhjetorit ‘76, kur të burgosurve politikë u jepej mish i infektuar nga sëmundjet!

September 21, 2025
Akuzat e Ramiz Alisë: “Natën që vrau veten Mehmeti, shoferi i Kadriut tha që; e mora nga zyra ministrin dhe me makinë e çova te Blloku, ku ai…”/ Mbledhja e Byrosë, 12 shtator ‘83
Dossier

“Ministri Mbrojtjes nuk ju përgjigj pyetjeve të ushtarakëve dhe për 15 minuta na solli aty Presidentin Alia, të cilit kur i kërkuan llogari; se pse u tradhtua Enver Hoxha, ai…”! / Dëshmia e ish-oficerit madhor

September 21, 2025
“Rreth orës 22.00, Mehmet Shehu, hapi derën e hyrjes në katin e parë, doli pak aty dhe…”/ Dëshmia e rrallë e ish-oficerit, që natën e 18 dhjetorit 1981, u mor nga Ministria dhe u caktua te vila e kryeministrit
Dossier

“Një gjë është vërtetë, që Enveri nuk e donte Mehmetin ose, e donte të tillë siç përfundoi, pasi…”/ Refleksionet e ish-zv. ministrit të Mbrojtjes, në librin: “Mehmet Shehu siç e kam njohur”!

September 21, 2025
“Më 2 dhjetor 1949, vetëm tetë javë pas themelimit, Gjermania Lindore vendosi marrëdhënie diplomatike në nivel të dërguarish me Shqipërinë, kurse më 18 mars 1955…”/ Refleksionet e publicistit të njohur
Dossier

“Më 2 dhjetor 1949, vetëm tetë javë pas themelimit, Gjermania Lindore vendosi marrëdhënie diplomatike në nivel të dërguarish me Shqipërinë, kurse më 18 mars 1955…”/ Refleksionet e publicistit të njohur

September 20, 2025
“Në Tufinë takova Abas Kupin dhe i mora një intervistë për çështjen e Kosovës e, këtë shkrim, ma lejoi Qeveria e Rexhep Mitrovicës…”/ Historia e panjohur e gazetarit F. Llagami, që u dënua në Gjyqin Special
Dossier

“Në Tufinë takova Abas Kupin dhe i mora një intervistë për çështjen e Kosovës e, këtë shkrim, ma lejoi Qeveria e Rexhep Mitrovicës…”/ Historia e panjohur e gazetarit F. Llagami, që u dënua në Gjyqin Special

September 19, 2025
“Pas 5 majit 1942, anëtari i rinisë së ‘Ballit Kombëtar’, Bardhyl Pogoni, shkroi një poezi të gjatë himn, për vrasjen e Qemal Stafës dhe e botoi te gazeta…”/ Historia e panjohur e ballistit që emigroi në SHBA-ës
Dossier

“Balli Kombëtar që në krijim, arriti një fuqi të armatosur prej 15 mijë veta dhe në fund të 1941-it kur nxori kokën komunizmi, për të ndihmuar frontin rus…”/ Refleksionet e politikanit dhe ish-deputetit të njohur

September 17, 2025
Next Post
“Në kooperativën e Oroshit ngordhën 92 keca dhe u dërguan në kampin e Spaçit, pasi…”! / Zbulohet dokumenti sekret i 2 dhjetorit ‘76, kur të burgosurve politikë u jepej mish i infektuar nga sëmundjet!

“Në kooperativën e Oroshit ngordhën 92 keca dhe u dërguan në kampin e Spaçit, pasi...”! / Zbulohet dokumenti sekret i 2 dhjetorit ‘76, kur të burgosurve politikë u jepej mish i infektuar nga sëmundjet!

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme