Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Aty nga mesi i muajit tetor të vitit 1982, vetëm pak ditë pas arrestimit të ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (ish – ministër i Punëve të Brendshëm në vitet 1954-1979) dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, (arrestuar që me 22 mars 1982), me porosi të Enver Hoxhës dhe me urdhër të ministrit të Brendshëm Hekuran Isait, u krijua Grupi Operativ Special, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht drejtor i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, ku si ndihmësa të tij, ishin Enver Zeneli dhe Hasan Ulqinaku. Detyra kryesore e këtij grupi, ishte; “Zbulimi dhe hetimi i veprimtarisë së grupit armiqësor”, të kryesuar nga Kadri Hazbiu, ku bënin pjesë edhe Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Fiqret Shehu (me dy djemtë, Skënderin dhe Bashkimin), etj., si dhe lidhjet që ata kishin pasur me ish-kryeministrin Mehmet Shehu.
Përveç detyrave të tjera, siç ishin; rishikimi, studimi dhe analiza e një numri të madh dosjesh dhe dokumentesh arkivore që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe (1945-1982), “Grupi Operativ Special”, thirri disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSH-së dhe ish-kuadrove drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim ato që ata dinin apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut e bashkëpunëtorëve të tyre, me urdhër të ministrit Hekuran Isai, u krijuan edhe tre grupe ekspertësh me specialistë përkatës nga Ministria e Mbrojtjes Popullore, e Punëve të Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë.
Këto tre grupe ekspertësh, pasi do të studionin dhe analizonin “veprimtarinë armiqësore” të tre ish-titullarëve kryesorë të këtyre ministrive, përkatësisht Kadri Hazbiut, Feçor Shehut dhe Llambi Ziçishtit, do të përpilonin një raport të hollësishëm, i cili do t’i dorëzohej Grupit Operativ Special, që kryesohej nga Zylyftar Ramizi. Po kështu, krahas këtyre tre grupeve të ekspertëve, u krijuan edhe dy grupe të tjera nga rrethi i Durrësit dhe i Korçës, (ku bënin pjesë funksionarë të lartë të Komiteteve të Partisë dhe atyre Ekzekutive), të cilët do të studionin dhe analizonin “veprimtarinë armiqësore” të Mihallaq Ziçishtit, për periudhën që ai kishte shërbyer si sekretar i Parë i Komitetit të Partisë në ato dy rrethe të mëdha të vendit. Në këtë kuadër, në grupin e ekspertëve të përzgjedhur nga Ministria e Mbrojtjes Popullore, bënin pjesë; Agur Baxhia, Adem Dino, Koli Dano, Lili Bullari, Arqile Veshi, Niko Zako, Janko Konomi, Et’hem Ruçi, Zija Beqiri, Seit Xhoxhaj dhe Veli Alliaj, të cilët do jepnin raportin e tyre, edhe për anën e fortifikimeve.
Kurse në grupin e ekspertëve të përzgjedhur nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët do jepnin raportin e tyre edhe për anën e fortifikimeve, bënin pjesë; Vasil Kola, Baudin Kazani, Dhimitër Lazri, Veip Proda, Llazi Cici, Tomor Lapardhaja dhe Qëndro Koçi. Të dy këto grupe ekspertësh, në përfundim të punës së tyre hartuan nga një raport-informacion prej qindra faqesh, që iu dorëzua Grupit Operativ Special, i cili pasi e “studioi dhe analizoi” atë, po me ekspertë të tjerë të atashuar pranë atij grupi, dokumentet kryesore ja dorëzoi grupit të hetuesve që u caktuan për procesin hetimor të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut”, (me në krye Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Ziçishtin, Nesti Nasen, Mihallaq Ziçishtin, Llambi Peçinin, Fiqret Shehun, etj.), gjë e cila do të përbënte dhe bazën për akt-akuzën ndaj tyre.
Në raport-informacionet e grupit të ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe atij të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një vend kryesor zinin edhe “sabotimet” e Kadri Hazbiut në fushën e fortifikimeve, si në periudhën kur ai kishte drejtuar Ministrinë e Brendshme në vitet 1954-1979, ashtu dhe atë të Mbrojtjes Popullore, nga fillimi i vitit 1980, deri ditën që u arrestua më 15 tetor 1982. Në atë pjesë të raport-informacioneve, bëhet fjalë edhe për dy nga objektet më kryesore nëntokësore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Brendshme, siç ishte “Vend-Komanda e Përgjithshme” (objekt i cili prej disa vitesh njihet si muzeu “Bunk-Art 1”), ku në rast lufte do strehohej Shtabi i Përgjithshëm dhe Këshilli i Mbrojtjes me në krye Enver Hoxhën, nga ku pre-supozohej se do drejtohej lufta në rast të një invazioni apo agresioni ushtarak kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Si dhe objekti tjetër nëntokësor që ndodhet poshtë oborrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (Muzeu “Bunk-Art-2”), ku gjithashtu në rast lufte do të strehohej ekipi drejtues i asaj ministrie. Lidhur me këto dhe të tjera nga raport-informacionet e grupeve të ekspertëve përkatës të dy ministrive, për “Bunk-Art 1” dhe “Bunk-Art 2”, të cilët prej vitesh janë bërë objekt vizitash edhe për turistët e huaj që vazhdojnë të kenë një kuriozitet dhe interes të madh për të njohur Shqipërinë komuniste, na njohin këto dokumente arkivore që janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (prej vitesh pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al.
(Raport-informacioni i grupit të ekspertëve për Ministrinë e Brendshme ka 75 faqe, por këtu në këtë shkrim, po publikojmë vetëm atë pjesë ku flitet për dy vend-komandat kryesore, atë që tashmë njihet si; Muzeu “Bunk-Art 1” dhe Muzeu “Bunk-Art 2”)
DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME HEKURAN ISAI, PËR NGRITJEN E GRUPIT TË EKSPERTEVE QË DO JEPNIN MENDIME PËR VEPRIMTARINË ARMIQËSORE TË KADRI HAZBIUT, MIHALLAQ ZIÇISHTIT E FEÇOR SHEHUT, NË MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
Nr. 92/15 Prot. Tiranë, më 10.6.1983
AKT – EKSPERTIMI
PËR VEPRIMTARINË ARMIQËSORE TË KADRI HAZBIUT, MIHALLAQ ZIÇISHTIT E FEÇOR SHEHUT, NË MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME
Tiranë, me 1983
Me vendim të datës 25.4.1983, të përgjegjësit të grupit të Hetuesisë, Sh. Hekuran Isai, neve, Vasil Kola, zëvendës-sekretar i Komitetit të Partisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme; Baudin Kazani e Dhimitër Lazri, oficerë të Kundërzbulimit, Vehip Proda, oficer i Zbulimit; Llazi Cici jurist; Tomorr Lapardhaja, instruktor i Kuadrit dhe Qendro Koçi, inxhinier ndërtimi, jemi caktuar si ekspertë për të dhënë mendime për veprimtarinë armiqësore të Kadri Hazbiut, Mihallaq Ziçishtit e Feçor Shehut, në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Për këtë, na është kërkuar sqarim këtyre pyetjeve:
RAPORTI SEKRET ME AKT-EKSPERTIMIN E GRUPIT TË EKSPERTËVE TË MINISTRISË SË MBROJTJES POPULLORE, PËR “PUNËN SABOTUESE ARMIQËSORE” TË KADRI HAZBIUT TE FORTIFIKIMET
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
Drejtoria e Hetuesisë
Nr.
12791-A
DOSJA HETIMORE
Nr. 14
AKTET E EKSPERTIMIT
Veprimtaria armiqësore në fushën e fortifikimit të vendit
Në fushën e fortifikimit armiqtë Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu i kanë sjellë dëme të mëdha mbrojtjes dhe ekonomisë, pasi kanë kryer veprime në kundërshtim me vendimet e Këshillit të Mbrojtjes, ligjeve etj.
Kështu janë kryer veprime sabotimi në veprën e madhe të fortifikimit, objektet e fortifikimit, etj. Në urdhrin Nr.19, datë 25.3.1981, “Mbi disa rregulla të kryerjes së punimeve fortifikuese”, pika Nr.1, thuhet: “Ndalohet kategorikisht fortifikimi i rajoneve të mbrojtjes nga poshtë-lart. Fortifikimi i rajoneve do të kryhet vetëm nga lart-poshtë, duke kapur në radhë të parë vendet kyçe e dominuese të rajonit të mbrojtjes.
Asnjë qendër zjarri të mos vendoset në fushë pa mbaruar fortifikimi i plotë nga lart-poshtë. Ndalohet rreptësisht çdo ndërtim objekti që bie në kundërshtim me këtë miratim. Çdo shkelje e kërkesave të këtij urdhri, si dhe të kritereve të dhëna për fortifikimin e mbrojtjes, të dënohet rëndë deri në ndjekje penale”.
Ky urdhër është dhënë me qëllim armiqësor, mbasi bie në kundërshtim me kërkesat e Artit Ushtarak mbi Luftën Popullore, i cili kërkon që fortifikimi të fillojë nga vija e parë në thellësi dhe nga e thjeshta, tek e komplikuara. Në këtë urdhër me qëllim armiqësor, kërkohet të lihet fusha pa fortifikim dhe të fortifikohet mali, veprim që cënon mbrojtjen e atdheut.
Nga disa informime që i janë bërë armikut Kadri Hazbiu nga Ministria e Punëve të Brendshme, për marrjen e masave për gjendjen e punimeve në objektet e udhëheqjes së Partisë, siç është informacioni Nr.13, datë 5.2.1982, në të cilin paraqitet gjendja dhe bëheshin kërkesa për të rregulluar gjendjen, armiku Kadri Hazbiu nuk mori asnjë masë.
Në këtë informacion armiku Kadri Hazbiu ka bërë një shënim; “Çështja kërkon studim, për zgjidhje nga Veliu, Mendui, Alfredi dhe unë”, në fakt nuk u mor asnjë masë dhe nuk u bë asnjë studim, duke penguar me qëllim mbarëvajtjen e punës në këto objekte shumë të rëndësishme.
Armiku Kadri Hazbiu nuk mori masa për zbatimin e urdhrit Nr.2282, datë 6.9.1980 ku në këtë urdhër thuhej që deri në 30.10.1980 të grumbulloheshin elementët parafabrikat në të gjithë vendin.
Në fakt grumbullimi i elementëve të mbetur nuk u bë me qëllim, nuk u kërkua zbatimi i urdhrit për të dëmtuar jo vetëm mbrojtjen e vendit, por edhe ekonominë në tërësi, mbasi kjo sasi e elementëve të mbetur u prodhuan përsëri duke ri harxhuar vlera të rëndësishme monetare e materiale.
Në fortifikimin e vendit nga armiqtë Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, u ishte dhënë përparësi ndërtimit të qendrave të zjarrit, duke nënvleftësuar ndërtimin e punimeve fushore, dhe objektet e drejtimit si vend-komanda e pika drejtimi.
Kjo është bërë me qëllim armiqësor për të krijuar konceptin e dëmshëm se mund të luftohet vetëm në beton, për të dobësuar aftësinë mbrojtëse, për të lënë repartet e ushtrisë pa drejtim në rast lufte, duke shkelur vijën ushtarake të Partisë.
Kadri Hazbiu sabotoi zbatimin e vendimit të Këshillit të Mbrojtjes, siç është Vendimi Nr.4, datë 15.5.1975 për përfundimin e disa objekteve të rëndësishme si baza ushtarake në Himrë, Shëngjin, Uzinën e Poliçanit etj.
Me qëllim armiqësor u zvarritën këto objekte për të lënë pa strehuar anijet tona, duke cënuar rëndë mbrojtjen e bregdetit tonë dhe vënien në shfrytëzim të Uzinës së Poliçanit.
Në informacionin tepër sekret datë 5.1.1982 dërguar shokut Enver Hoxha nga armiku Kadri Hazbiu, ka mashtrime me qëllime armiqësore për tre probleme:
a) Është thënë se “Në objektin e Poliçanit punimet e fazës së parë përfundojnë në tremujorin e parë të vitit 1982, ndërsa punimet e ndërtimit në të gjithë objektin përfundojnë në fund të vitit 1982”. Kjo nuk është e vërtetë mbasi akoma dhe sot punimet nuk kanë përfunduar dhe kanë shumë volume punimesh për t’u kryer edhe në të ardhmen.
b) “Në bazën e Palermos ku punimet në objektin kryesor përfundojnë deri në fund të vitit 1982, ndërsa brigada e nëndetëseve të dislokohet në këtë bazë gjatë vitit 1983”. Kjo nuk është e vërtetë, se punimet në këtë bazë nuk përfunduan në fund të vitit 1982 dhe se në këtë objekt do të punohen edhe gjatë vitit 1983 e, në të ardhmen.
c) Më poshtë në informacionin thuhet; “Objektet e Radio-Televizionit dhe vend-komandën e Këshillit të Mbrojtjes do të vihen në gatishmëri”. Këto objekte nuk u vunë në gatishmëri gjatë vitit 1982.
Këto mashtrime nga armiku Kadri Hazbiu janë bërë me qëllim që të dezinformohej udhëheqja e Partisë dhe të cënohej gatishmëria luftarake e këtyre objekteve shumë të rëndësishme për mbrojtjen. Armiku Kadri Hazbiu nuk mori masa për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.2191, datë 28.6.1977 dhe Nr.114, datë 30.5.1978, për ndërtimin e objekteve të Radio-Televizionit në afatet e caktuara, të cilat duhej të përfundonin në vitin 1981.
Armiqtë Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, duke ditur rëndësinë e këtyre objekteve zvarriten me qëllime armiqësore përfundimin e tyre, duke dëmtuar rëndë aftësinë mbrojtëse të vendit.
Disa vend-komanda e pika drejtimi operativ të njësive dhe reparteve si dhe shumë depo municioni tip tunel, nuk kanë pasur personel për mirëmbajtjen e tyre, e si rezultat ato janë dëmtuar së bashku me municionet, komandat e njësive i kanë ngritur këto probleme.
Por armiqtë Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu nuk pranonin të caktonin punëtorë për mirëmbajtjen e këtyre objekteve, me qëllim që të dëmtoheshin municionet, të dëmtoheshin objektet e ndërtimit, që ushtria në rast lufte të ishte pa municione dhe pa drejtim.
Armiqtë në kundërshtim me urdhëresën Nr.8, nuk lejuan futjen e kontroll-revizionit në punimet mbrojtëse, me qëllim që të dëmtohej ekonomia e vendit dhe fortifikimi të mbetej jashtë kontrollit. / Memorie.al
EKSPERTËT
Agur Baxhia Adem Dino Koli Dano Lili Bullari
Arqile Veshi Niko Zako Janko Konomi Ethem Ruçi
Zija Beqiri Seit Xhoxhaj Veli Alliaj
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016














