Nga Aldo Renato Terrusi
Pjesa e dytë
RIKTHIMI
Memorie.al / Aeroporti i Fiumiçinos. Avioni ‘MD 80’ i Alitalias është gati për fluturim. Është e shtunë, 6 nëntor 1993. Ora 11.25. Komandanti mori miratimin. Stjuardesat na kujtojnë dhe një here të lidhim rripin e sigurimit. Dy motorët çohen në fuqinë maksimale, ndërsa zhurma bëhet e mbytur dhe shurdhuese. Butonët dhe komandat provohen për të fundit herë sipas procedurave të fluturimit, lëshohen frenat, fillon lëvizja gjithë e më e shpejtë, përshpejtimi i përplas pasagjerët pas shpinores, avioni ngrihet në fluturim. Ndjej të më ngrejë një forcë e padukshme që më lë si të pezull në zbrazëti. Hedh sytë përreth për të parë nëse dhe pasagjerët e tjerë kanë të njëjtën ndjesi si unë. Ca lexojnë, ca shohin jashtë nga dritarja, ca janë shpërfillës, ca mezi rrinë të qetë dhe ca, të ngrirë në ndenjëse, lënë të ndër-duken frikërat e veta. Me një ndërrim drejtimi të gjerë, avioni ngrihet në lartësi dhe drejtohet drejt radio-farit të Barit, për të mësyrë pastaj drejt e në Tiranë, në vendmbërritjen tonë.
Hedh sytë përreth dhe arrij të marr me mend ngjarjet e shumta që janë zhvilluar këtu: ceremoni dhe ballo vallëzimi, dama buzagaz në veshje mbrëmjeje që u vardiseshin xhentëlmenë nga vende pa pikë interesi për fatet e Shqipërisë. Personalitetet që janë ulur bash në këto tryeza: ministri i jashtëm italian gjatë fashizmit, Galeaco Çano, gjatë vizitave të tij zyrtare; Ahmet Zogu. Mbret i shqiptarëve, që mbajti këtu pritjen me rastin e martesës me konteshën Xheraldinë Aponi; takimet e Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës me xhelatët e tyre; marrëveshjet e fshehta mes hierarkëve arrogantë gjermanë dhe komisarëve politikë mendjemëdhenj shqiptarë; bashkëpunimet mes të dërguarve intrigantë të Moskës dhe servilëve spiunë jugosllavë; marrëveshjet mes tregtarëve të pasur italianë dhe hierarkëve dinakë shqiptarë.
Në këtë vend, gjatë viteve 1930-1950, është vendosur një pjesë e mirë e historisë së Shqipërisë moderne. Kushedi sa vendime absurde janë dhënë në kurriz të popullit të pa- ditur, sa komplote, sa pakte të respektuar e të shkelur dhe sa strategji janë përpunuar nën këtë çati! Në kohë të vet, po në këtë sallon, u bënë festime dhe nderime edhe për futbollistët e ekipit legjendar të futbollit shqiptar, që fitoi Ballkaniadën e vitit 1946. Një kamerier veshur me smoking të zhubrosur na sjell antipastat me djathë e ullinj dhe na ofron raki, pije me shkallë të lartë alkooli.
“Ngrini një shëndet, kjo është një pije tipike shqiptare”!
Çështë e vërteta, jo vetëm shqiptare: është një distilim që, në tipologji të ndryshme të vetat, është karakteristike për gjithë gadishullin ballkanik, që nga uzoja greke e deri te shlivovica sllave.
“Po vërtet e flisni të gjithë kaq mirë italishten?”
“Po, sigurisht. E ke parasysh, ca nga baballarët tanë, ca nga televizori… pastaj ka shumë shkolla ku mësohet italisht, domethënë Italia për ne është atdhe i dytë”.
Na japin edhe verë të kuqe Kallmet. Aspak e keqe. Pjata e parë është spageti me ragu italiane, paksa të djegura, me një shije disi të thartë mishi kutie me cilësi të dyshimtë. Pjata e dytë është një çerek pule e pjekur me garniturë sallate, e pranueshme si shije. Mollë të stinës dhe në fund, një puding mbresëlënës pas të cilit erdhi një kafe ekspres e nevojshme.
Ora ka shkuar thuajse 16.00 kur, akoma pa u ngritur, na afrohet një punonjës i hotelit: “Ka ardhur dikush për z. Pozeli, është në sallon”.
Ngrihemi dhe shkojmë drejt hollit. Një djalë i ri jo shumë i gjatë, i dobët, flokëzi, me fytyrë miqësore, po na pret në këmbë.
“Mirëdita, jam Fatmir Demneri, babai im ka qenë futbollist dhe një miku juaj shumë i mirë kur luanit bashkë me Kombëtaren shqiptare”.
“E mbaj mend fort mirë babanë tuaj. Ishte shoku im i ngushtë. Dëgjo, Xhavit, po si e more vesh që do vinim këtu, kush jua tha”?
“Drejtori i “Dajti”-t është një adhurues i futbollit dhe tani të gjithë sportistët e vjetër tiranas, e dinë që këtu ka ardhur Xhakomo”.
“Si është yt atë, nëse mund të të drejtohem me ti”?
“Po, patjetër. Edhe ai e mori vesh që do të vinit, madje besoj se do të vijë shumë shpejt t ju takojë. Unë jam gazetar sportiv dhe nëse më lejoni, doja t’ju intervistoja para kamerave”.
“Meqë e paske për zemër… po unë s’kam dhënë ndonjëherë intervista për televizionet”.
“Mos u shqetësoni, do të jepet më vonë”.
“Si kështu”?
“Në fillim e regjistrojmë dhe pastaj e transmetojmë. Po pati ndonjë gabim, e fshijmë”.
Gjithsesi biseda merr rrjedhën e intervistës, një parapërgatitje e asaj që do të mbahej në studio një ditë më vonë. Përshëndetemi dhe lëmë takim pasditen tjetër.
“Si thua dajë, mos do ishte më mirë të ktheheshim nga erdhëm”?
Te recepsioni na japin çelësat e dy dhomave afër njëra-tjetrës.
“Uroj t’ju pëlqejnë, janë ndër më të mirat”!
“Faleminderit”.
Ngjitemi për shkallëve të gjera të përdredhura, të cilat prej hollit të shpien në katin e parë, duke përshkuar korridore të pafundëm gjysmë të ndriçuar me dritëza elegante orientuese të kuqe dhe më në fund mbërrijmë në dhomat e caktuara. Imja është relativisht e vogël, modeste, me mobilie të vjetra të errëta të stilit perandorak, në dritare ka perde linoje të bardha, koka e shtratit është me dru rimesoje, mbulesat duken të të njëjtës epokë, ndërsa dysheku është i pa formë dhe i fundosur.
Komodina katrore, me dru ngjyrë të çelur, nuk kombinon fare me pjesën tjetër të mobilieve. Drita e gjumit ka një bazë rrethore mermeri të bardhë, zgjatimin prej tunxhi, para dritëzën në mëndafsh Havane me thekë, në tavan një abazhur në formë topi qelqi të bardhë, në stilin e viteve ’50-të. Para shtratit është një komo e lashtë me dru të errët, e pajisur me një shtresë mermeri të bardhë dhe me tre sirtarë. Në mure janë varur (pa ndo farë ideje), disa panorama të çngjyrosura me pamje të monumenteve të Romës së lashtë, duke kombinuar mjaft mirë me tapicerinë thuajse po aq të lashtë.
Banoja rrëfen gjithë vitet e veta, me veshjen e mermerit të bardhë, dyshemeja me pllaka mermeri të përzier, lavamanët prej qeramike italiane standard, ideal që prej viteve ’30-të, rubinetat në stil rokoko që pikonin, vaska me mbështetëset si putër luani dhe pasqyra e mjegulluar nga koha.
Po qenkan këto ndër më të mirat… merre me mend të tjerat.
Hap valixhen, freskohem pak; thuajse erdhi ora për të dalë për darkë.
Në dhomë nuk ka televizor, ndaj s’më mbetet tjetër veçse të zbres në holl, që shërben po kështu edhe si sallë takimi.
Disa burra po bisedojnë e po pinë duhan ulur në kolltuqet me kadife të kuqe. Këmbë gruaje nuk shihet vërdallë. Televizorin e kanë lënë në një kanal italian. Pas pak zbret edhe daja dhe ulet në kolltukun ngjitur me timin.
“Dajë, të pushojmë pak këtu, do të më pëlqente të vazhdoje tregimin mbi historinë e familjes sonë. Ku mbërritëm”?
“Jo shumë larg faktikisht… njerëzit tanë ishin ende në Itali…! Pra, duhet të dish që nga Kastilione e Sicilisë kishin emigruar edhe anëtarë të tjerë të familjes Pozeli, të cilët, në Turqi, kishin arritur një mirëqenie relative dhe një fakt i tillë ishte përhapur në të gjithë vendin.
Prijësi i të emigruarve drejt Turqisë ishte Vitaliano Pozeli, që u thirr në Kostandinopojë në 1870-ën për të mbikëqyrur projektimin dhe ristrukturimin e Kishës së Shën-Stefanit. Punoi për sulltan Hamitin I-rë dhe Abdylin II-të; ky i fundit i dha një shpërblim shumë të çmuar. Vitaliano u kthye shumë herë në Kastilione, por zemra e tij kishte mbetur në Lindje, dhe veçanërisht në Greqi, te ciles la donte shumë artin dhe letërsinë antike, ndaj dhe u shpërngul përfundimisht në Selanik, ku kaloi edhe ditët e fundit të jetës.
Stërgjyshi yt Salvatore, vëllai i Vitalianos, kishte marrë tjetër rrugë dhe ishte drejtuar në Egjipt, që në atë kohe kishte shumë nevojë për punë të kualifikuar për ndërtimin e Kanalit të Suezit. Në të njëjtën kohë, Xhakomo Kovi, trentinas i ngazëllyer nga projektet për Kanalin e Suezit të bashkëqytetarit të tij, inxhinier Negrelit, kishte shkuar ne Egjipt me ndërmarrjen e vet të ndërtimit, për të bashkëpunuar në atë që dukej vepra më e madhe e shekullit.
Me fillimin e punimeve në Suez, në të gjitha rajonet e Italisë, por sidomos në Jug, filloi kërkimi i mundimshëm i punëtorëve me kosto të ulët. Punëdhënësit e luajtën mire lojën me të varfrit dhe ishte shumë e thjeshte te angazhoje krerë skuadrash për të rekrutuar krah pune. U premtohej një rrogë dhjetë herë më e madhe dhe një punë e vazhdueshme, përveç mirazhit të një vendi te mrekullueshëm. Njëkohësisht, mori udhë edhe një migracion i pazakontë femëror drejt Aleksandrisë dhe Suezit. Gra te vetmuara në kërkim të një pune, të sigurisë ekonomike dhe me gjasë, edhe të ndonjë “ngastre të mirë. Xhakomo dhe Salvatore u njohën në komunitetin e vogël italian, që ishte mbledhur rreth kantiereve ku po bëheshin gërmimet për kanalin. U bene miq dhe shoke aventure.
Pas përurimit të kanalit në 1869-ën, kompanitë që kishin marrë pjesë në ndërtim filluan të licensonin mjeshtër të ndryshme dhe Salvatore u gjend para mundësive për të menduar për të ardhmen e tij. Në Suez, përveçse mësoi arabisht, kishte fituar edhe njëfarë përvoje. Kur mori vesh lajmet nga Kastilione që prindërit e tij ishin shpërngulur në Turqi dhe kishin krijuar pasuri atje, nuk u mendua dy herë, por u kthye në Itali dhe pas kësaj, menjëherë mori anijen e parë që nisej në Stamboll. Ishte një anije e bukur e kompanisë triestine “Lloyd Adriatico”.
Pothuajse në të njëjtën kohë, edhe Xhakomo, me të përfunduar punimet, kishte likuiduar pjesërisht ndërmarrjen e tij, pasi pa që Turqia kishte nevojë për personel të kualifikuar, u kthye në Itali, themeloi një kompani tjetër dhe u nis për një aventurë të re në tokë të huaj”.
“Për çfarë viti bëhet fjalë?”
“1870. Salvatore ishte i ri dhe vullnethekurt, ishte vetëm 27 vjeç, me pak para në xhep, me përvojë në ndër- tim, me njohje relative të gjuhës, pra ndjehej i gatshëm në përballimin e një veprimtarie të re. Ishte një nga tetë bijtë e Xhuzepe Pozelit. Përkundër dy vëllezërve të tjerë, në Siçili ai nuk gjeti asgjë që ta kënaqte dhe ta bindte të qëndronte. E ardhmja e vetme që i ofrohej para, ishte të punonte në bujqësi te një sipërmarrës që administronte çifligjet e baronëve të krahinës. Për gjithë jetën do të bënte vetëm atë punë, pa asnjë rrugëdalje tjetër dhe me një rrogë sa për të mbajtur frymën. S’bënte për të kjo punë.
Me ndihmën e të vëllait Vitaliano, që tashmë ishte një arkitekt i njohur në Turqi, gjeti punë si punëtor i specializuar në një firmë ndërtimi italiane në Stamboll. Pas pesë vjetësh, gjatë të cilëve punoi rëndshëm me pronar mbi krye, arriti të kursente aq sa duhej, për të ngritur atë që kishte qëllim: një sipërmarrje të vogël krejt të vetën. Bleu dy kamionë dhe gjithë pajisjet e nevojshme dhe bashkë me disa shokë italianë dhe një grup punëtorësh turq, firma e tij e ndërtimit mori jetë.
Familja jonë, që në atë periudhë ishte stabilizuar në Izmir u gjend bash në mes të luftës greko-turke. S’kishte më kohë për të humbur, ishte në lojë jeta e Vitaliano bashkë me të shoqen Ema, shtatzënë për herë të tretë dhe me të dyja vajzat, Aurelian dhe Karmen, e braktisi kantierin në Konia dhe me një kamion të ngarkuar me plaçka, valixhe dhe orendi të tjera ndoqi pas radhën e të ikurve drejt qytetit të Adalisë në bregun e Egjeut, ku ende ishte në funksion një kontingjent karabinierësh italianë.
Në portin e Adalisë qëndronte ende Regia Nave Dmho, luftanija bukur e flotës italiane, në mbrojtje të trupave dhe civilëve italianë. Kjo anije, përveç ushtarakëve të kontingjentit Italian, mori me vete edhe civilët refugjatë dhe bashke me ta, Vitalianon dhe familjen e tij”.
Hamë një darkë të përkorë: një supë, verë të bardhe, dy banane.
Edhe sonte, e vetmja tavolinë e shtruar ishte e jona. S’na bëhet të dalim edhe sepse është natë dhe, duke mos e njohur ambientin, nuk duket gjë me mend. Përveç kësaj, lodhja jep të duket.
Ndaj dhe rehatohemi në kolltukët e sallonit.
“Po Toli nga bëhet… tha që do vinte të na përshëndeste…”!
Sa pa mbaruar fjalën, ia behu Toli.
“Më falni, por pata punë në Ambasadë. Po ulem vetëm dy minuta”.
“Sigurisht, ulu”.
“Fola në telefon me Petritin, një nga zotërinjtë që kanë njohur në burg Xhuzepe Terruzin, tha që na pret të enjten në mëngjes në shtëpinë e tij, në Vlorë.
“Mirë, po si do shkojmë”?
Mund të zëmë një taksi, madje flas unë me shoferin nesër që të sigurohemi se do ta kemi në dispozicion për të enjten dhe të bëj edhe bisedën e pagesës. S’ia vlen të shkosh me mjete të tjera, edhe për arsye se s’dihet kur nisen dhe aq më pak kur kthehen; pastaj nuk janë të përshtatshme… janë gërdalla lëvizëse. Po shkoj në shtëpi, se u bë me një mend vonë. Takohemi nesër nga ora 9.30; shpresojmë të mbajë koha. Natën e mirë”.
“Mirupafshim”.
“Aldo, vajti ora 22.30, besoj se edhe ti je i lodhur; shkojmë të flemë”?
“Shko ti, unë po vij më vonë… jam i ngazëllyer shumë, s’më zë dot gjumi, shihemi nesër nga ora 9.00 për të ngrënë mëngjesin”.
Në mëngjes ma nxjerr gjumin një zhurmë qe ngjan me pikërrim. Hap sytë, shoh vërdallë, vetëdijesohem ku jam… gjithçka në rregull. Hap grilën dhe e kuptoj më në fluid zhurmën: po bie shi dhe qyngji i shpuar, shkarkon pikërisht mu mbi pragun përballë dritares.
Është pothuajse 7 e mëngjesit, por nga qielli i plumbte depërton një dritë e mjaftueshme sa të dallosh zonën përreth; rrjedhimisht, dritat e rrugëve janë fikur tashmë, ndaj dhe mund të shihen vetëm dritat e gjata të makinave të pakta që lëvizin, të cilat pasqyrohen mbi asfalt. Qyteti është në gjumë akoma.
Një dush i nxehtë më jep fuqi dhe entuziazëm, vishem me qetësi.
Çoj edhe një herë nëpër mend bisedat e një nate me parë: nuk ma kishte marrë mendja kurrë që ngjarjet historike të asaj kohe të kishin qenë kaq të ndërlikuara. Përsiatjet e mia ndërpriten kur dëgjoj trokitje në derën e dhomës. E hap.
“Mirëmëngjesi, dajë. Qenke bërë gati”?
“Po, si mjete, mirë”?
“Po, gjithçka në rregull. Hyr brenda sa të krihem dhe pastaj zbresim. Si e kishe dhomën”?
“Pak a shumë si kjo e jotja, jo ndonjë gjë kushedi çfarë”.
Mëngjesi është i thjeshtë, kontinental, por dy gjëra bëjnë që të më shkëlqejnë sytë nga parashihja që do provoj: kosi i deles, i trashë si gjizë dhe mjalti i dendur e me kokrriza. Para qumështit, çaj, para së gjithash, marr disa lugë kosi në tas, pastaj edhe mjaltë dhe i përziej bashkë. Një delikatesë e vërtetë!
“Të paktën këtu gjenden akoma gjëra me njëmend të vërteta”!
“Aldo, të kujtohen ‘hajet’ që të bënte gjyshja? Do mundohemi t’i gjejmë në ndonjë restorant të veçantë”.
“Ah, sikur t’i gjenim vërtet”!
SHOKU I VJETËR
Sapo pushoi shiu dhe pikat e fundit po vizatojnë ndonjë rreth të vogël nëpër llogaçe, qielli është i mbushur me re dhe ai është freskuar. Jemi në prag te hyrjes së Dajtit, ora është thuajse 9.00 dhe ndërkohë shohim Tolin të vijë përballe.
“Mirëmëngjes Pozeli”.
“Mirëmëngjes”.
“Mirëmëngjes Terruzi”.
“Mirëmëngjes. Toli, hajt të hyjmë brenda e te pimë nga një kafe”.
“Në rregull, faleminderit.
“Do një ekspres Italian”?
“Po, faleminderit. Eh, moti po bën teka dhe ndoshta s’është shumë i përshtatshëm për të shëtitur ne qytet, por vendosim për të takuar Kryetarin e Shoqatës Kombëtare së ish të Përndjekurve Politikë. Më pati premtuar se do të na çonte ne burgun e Burrel t. Duke parë postin e tij, duket se është i vetmi qe mund t ta dalë kësaj pune”.
Ndërkohë që pimë ekspresin – thuajse po aq mirë sa një italian – na afrohet një burrë shtat pakët, me sjellje të ndrojtur dhe vështrim të sjellshëm, me flokë të rëna në tëmtha dhe i veshur në mënyrë dinjitoze me xhakete dhe kollare. Dajë Xhakomo ngrihet papritur me gjithë energjitë e veta, ndërkohë që i panjohuri, thuajse duke vrapuar, i hidhet përsipër.
Një përqafim i gjatë pa mbarim dhe lot gëzimesh, një skenë prekëse edhe për atë që thjesht është spektator. Më në fund, të dy burrat ndahen, shihen gjithë mosbesim në sy dhe të mallëngjyer shtrëngojnë njeri-tjetrin edhe njëherë në përqafim.
“Të kujtohet”?
“Më kujtohet”!
Dhe pastaj sërish lot dhe përqafime. Më në fund, pas disa minutash, dy shokët na bëjnë pjesëmarrës të emocioneve të tyre.
“Aldo, ky është Xhavit Demneri, miku im me i shtrenjtë dhe lojtar i kombëtares shqiptare të futbollit ne vitet 1946 dhe 1948. Bashkë kemi fituar shumë beteja sportive dhe kemi ndarë si gëzimin, ashtu dhe pikëllimin e atyre kohëve.
Spartaku, drejtori që kishte njoftuar Demnerin për ardhjen e shokut të vet, nuk fliste, ishte paksa në shmangie për të ndarë kënaqësinë dhe lumturinë e sinqertë të dy protagonistëve. Edhe Toli mbeti i shtangur para kësaj skene te papritur miqësie të thellë”. Memorie.al
(Fragmente nga libri, ‘Brenga ime shqiptare’)
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016