Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Një karrierë dhe jetë e pandarë nga ndeshjet në ring, si dhe nga letërsia. Shkrimtar e publicist, por edhe redaktor te “Sporti Popullor”. Ahmet Golemi e ka përjetuar atë ndeshje më shumë se askush tjetër, madje për nga ngjashmëria ka qenë edhe ai një Kasius Klei…! Kështu e thërrsinin: “Kasius Klei shqiptar”. Pastaj dënimi, burgimi absurd dhe deri tek akuzat në hetuesi, për simpatinë që kishte për boksierin amerikan. Miqësia me Ismail Kadarenë, gjithashtu admirues i boksit dhe pasioni i kolosit të letrave, për Klein. Lidhur me këto dhe të tjera, në kuadrin e 50 vjetorit të ndeshjes së famshme, Klei-Foreman, e zhvilluar më 30 tetor 1974, po publikojmë intervistën që i kemi marrë z. Ahmet Golemi, pak kohë para se ai të ndahej nga jeta.
Z.Ahmet fillimisht flasim pak për boksin tonë?
Boksi shqiptar u burgos në 1964-ën, kur në janar në gazetën “Sporti Popullor”, nuk u shpall kalendari i aktiviteteve kombëtare të tij për atë vit. Heshturazi doli që është hequr sporti i boksit, por nuk foli askush. Boksierët kaluan në, sporte të tjera, por jehona mbeti, pasi boksi si sport individual, ishte shumë popullor dhe kishte yjet e tij.
Shumë pasionantë e ndiqnin fshehurazi nga kanalet televizive italiane, apo ai jugosllav, sidomos kur takimet organizoheshin në Amerikë, që korrespondonte me orët e mëngjesit në Europë. Dolën yje si italiani Benvenuti dhe Kasisu Klei, një emër që të godiste bukur.
Kur filloi “lidhja” juaj me Klein?
Për herë të parë emrin e Kleit, apo Muhamed Ali, e kam dëgjuar në Radio, gjatë Olimpiadës së Romës. Ishim të grumbulluar në hotel “Vjosa”, kur në “Sporti Popullor” u shkruat: “18-vjeçari Kasius Marcelios Klei, mund në finale dy herë kampionin europian. Pastaj takimi me Sony Liston, që u bë çështje deri në Hagë, pasi Klein e akuzonin, se më lëvizjet e tij, sikur i tërhiqej qëllimisht ballafaqimit. Ndërsa në ekran për herë të parë, ka qenë ndeshja ndaj Floyd Paterson-it.
Ku dhe si i ndiqnit ndeshjet?
Te familja e vëllezërve Misja, apo në shtëpinë e Shahin Kadaresë, mjek dhe vëllai i Ismailit. Bashkë me Dhimitër Xhuvanin, Teodor Laçon, Vath Korreshin, Qamil Buxhelin, etj. Ishin miq të afërt dhe grumbulloheshim në një dhomë të vogël, ku ishte televizori.
Kujtoj më 8 mars 1971, Klei-Frezer, një ndeshje dramatike, nga ora 3 deri 6 të mëngjesit, pastaj dolëm si ilegalë, pasi ishte ende natë dhe nuk kishte zbardhur dita. “Si është e mundur – tha i revoltuar Ismaili,- t’ia japin fitoren një boksieri si Frezer”?! Edhe Ismaili e donte boksin, madje i pata dhënë dy gira, që të stërvitej vetë.
E dinit se nuk pëlqehej pasioni juaj, për boksin?
Jepja ndonjë mendim tinëz, por kisha rënë në sy të Sigurimit, që e konsideronin si një kundërvënie, ndaj heqjes së boksit. Vangjel Koja, apo siç e thërrisnin të gjithë, “Xhela”, një ditë më takon në rrugë dhe më thotë në koenfidencë se; Feçor Shehu, zv/ministër i Brendshëm, i kishte thënë; “Thuaj Ahmet Golemit, të mos flasë për boksin, se e ka tepruar”.
Klei-Foreman duhej të zhvillohej në shtator, pse ndryshoi data?
Takimi ishte programuar më 30 shtator 1974, por gjatë një stërvitjeje, Foreman dëmtohet në syrin e djathtë dhe për këtë arsye, takimi u shty më 30 tetor. Ne u grumbulluam te shtëpia e Vath Korreshit dhe pritëm nga ora 02:00, deri në 04:00 të mëngjesit. Asnjë lidhje me Kinshasën…! Dolëm në 6 të mëngjesit dhe aty Adem Istrefi, tha me shaka: “Atë që na ka bërë Ahmet Golemi, gjithë natën pa gjumë, nuk na e ka bërë as Ahmet Zogu”.
Si ishte atmosfera në ambientet mediatike, kur po afronte 30 tetori?
Unë punoja si redaktor në gazetën “Sporti Popullor”, ku në asnjë mënyrë apo rrethanë, nuk duhej të flitej e të shkruhej për boksin. Ndërkohë, një ditë përpara, me del te MAPO, një miku im, Bashkim Misja, mësues te “7 Marsi”, e më thotë: “Vëmë bast, që Foreman e mund Klein”, pasi e dinin që unë isha admirues i tij. “Nuk vë bast, ata janë si dy vezë”, i thashë unë.
“Jo, – këmbënguli ai, sigurisht me humor, – ti 100, unë 1000 lekë. Në mëngjesin e të nesërmes e takoj dhe ai më ofroi 1000-lekëshin. Shkova te pastiçeri “Tirana” dhe bleva një tortë, kujtoj 500-lekëshe, të cilën, kur më arrestuan pak vite më vonë, do të ma përmendnin në hetuesi.
A mund të themi se ishte një Shqipëri sportive, para ekranit bardhezi?
Ndeshjen e transmetonte “RAI” dhe problem ishte sinjali, por Durrësi e garantonte. Ne, ish-katër boksierë, ishim shokë: Ramiz Reka, N. Dauti, vendosëm ta shinim atje, te shtëpia e Fehmiut, vëllait të Ramizit. Ata u nisën paraditen e 29 tetorit, ndërsa unë në mbrëmje, se isha në punë. Me trenin e fundit, në vagon ishte edhe një grup me aktorë të teatrit, madje shihnim njëri-tjetrin, të rezervuar, kthenim fytyrën nga ana tjetër.
Si ishte atmosfera para takimit, a ju kujtohet?
Simpatia për Klein shkonte deri aty, sa njerëzit i thonin Foremanit: “Si mund të ndeshesh me Profetin”?! Kaq i madh ishte popullariteti i Kleit në Zaire, madje gjatë takimit, publiku këndonte “Ali bomaye” (Ali vrite). Një këngë që u bë popullore më vonë, ndonëse ata luteshin që Foreman të mos e “vriste” Aliun. Kaq i sigurt ishte fundi.
Flasim pak për sfidën…?
Përballë ishin Klei, një “leopard” për nga cilësia dhe shkathtësia, kundër muskujve të çelikut si Foreman “knockauti”. Ky i fundit, ishte përbindësh. Arbitri u tregua dashamirës, duke e lejuar Klein, që kur ai shkonte te litarët, t’i fliste, t’i bënte presion psikologjik, kundërshtarit.
Për të ardhur te raundi 8-të?
Raundi i 8-të, kronometri shënon 2:58, Klei i jep një të majtë që i ngriti kokën, e mjaftueshme për t’i dhënë një direkte në fytyrë. Pastaj një shpërthim, me shtatë-tetë goditjet e famshme fatale, një nokaut teknik i paparë, shokues. Ishte e jashtëzakonshme, që një kolos si Foreman, ta shihje të shtrirë në tapet. Ai u ngrit pasi arbitri Clayton, mbërriti te “9”, por nga pamjet filmike dhe sipas specialistëve, ai e kishte zgjatur deri në “10” numërimin.
A ishte arbitri një ish-basketbollist, se kështu u fol atëhere?
Kujtoj se arbitri ishte një ish basketbollist i NBA-së, afro-amerikan, Zachary M. Clayton, me nofkën “Zack”. Ishte i gjatë 183 cm. Pasi u nda me basketbollin, i ishte dedikuar arbitrimit të boksit dhe shumë shpejt, arriti majat, me kulmin në 1974-ën, në Kinshasa, në sfidën Foreman-Ali. Clayton e arbitroi edhe më pas Klein, në takimin me Trevor Berbick, në 1981-shin.
Cila ishte jehona pas ndeshjes?
Në vijim, Foreman u shpreh se sinjali për t’u ngritur, erdhi me shumë vonesë nga trajneri, i cili pas ndeshjes, do të deklaronte se në atë gjendje, ai nuk mund të vazhdonte. Ndërsa vetë Foreman, shumë vite më vonë, do të përcaktonte se; “të paktën për një natë dhe atë mbrëmje, Ali ishte më i miri”.
U tha se ishte strategji e paparë nga stafi i Kleit…?
Ajo ndeshje ishte përgatitur në mënyrë sekrete, nga stafi i tij, si ndër shfaqjet absolute të një strategjie, ekzekutimit dhe interpretimit teknik e taktik. Ishte e paparë një strategji e tillë, për peshat e rënda.
Duke u mbështetur te litarët, për të amortizuar goditjet e forcës së kampionit, për të kaluar raundet e para, mbi të gjitha të tretin, që deri në atë raund, asnjë kundërshtar nuk kishte mundur t’i rezistonte Foremanit.
Kjo e egërsoi, e çorientoi dhe e nervozoi atë, duke humbur shumë energji. Pas disa raundeve, Foreman dukej i lodhur dhe në të 6-in, shfaqet më i ngadaltë.
Pas Klei-Foreman, ndryshoi edhe mënyra e boksimit, apo jo?
Ajo përballje shënoi një ndryshim drastik, në stilin e boksimit. Evidentoi kapacitetin, rezistencën fizike, për grushtet e marra e të dhëna, duke aplikuar taktikën pasive: “rope-a-dope”. Gjatë viteve në vazhdim, Foreman ngriti një sërë akuzash për të justifikuar humbjen, se ai ka qenë helmuar, nga një drogë e hedhur në ujë. Ai akuzoi edhe trajnerët e Kleit, se i kishin lënë qëllimisht të lirë litarët, për të favorizuar boksierin e tyre.
Pastaj kthimi në mëngjes herët në Tiranë dhe diskutime pa fund…?
Jemi kthyer me trenin e parë nga Durrësi dhe kur zbritëm te sheshi i stacionit, dukej sikur ishte miting nga diskutimet. Asnjë koment në shtypin tonë, pasi fjala boks, konsiderohej armike dhe në “Sportin Popullor”, as në rubrikën; “Degjenerimi i sportit borgjez…”, nuk u shkruajt asgjë, se do më thonin e ka vënë qëllimisht. Në redaksi, vinte “La Gazzetta Dello Sport”, e merrte Skënder Tupja dhe na e jepte ta lexonim. Kujtoj një foto të raundit të 8-të, kur Foreman i shtrirë dhe që Ali mund t’i jepte goditjen fatale, por ai nuk e bëri.
Është folur se, një ndër akuzat që ju bënë juve në hetuesi, ishte se keni propaganduar Klein…?
Po është më se e vërtetë. Njerëzit nuk flisnin, kishin frikë, vetëm në rrethe të ngushta, pasi Sigurimi ishte vigjilent dhe i ndiqte. Kam bërë një gabim, që nuk e dija se më survejonin, pasi isha i sinqertë.
Shkoja në Lidhjen e Shkrimtarëve, u besoja miqve, njerëzve, duke i informuar në lidhje me boksin, me ndeshjet, me Klein, etj. Në gazetë kishim një bashkëpunëtor të Sigurimit, i cili ka qenë një nga dëshmitarët, duke thënë për mua se; “ky u fliste njerëzve, për Kasius Klein…”!
Thuhet se në hetuesi, ju kujtuan edhe tortën që kishit porositur për fitoren e Kleit. Kaq e rëndë, ishte situata?!
Siç ju thashë më lart, bëhej fjalë për tortën që unë bleva dhe në çastin kur dola nga pastiçeri “Tirana”, tek ish-Estrada, një gazetar nga Durrësi, që vinte nga stacioni i trenit, më takoi dhe me humor më thotë: “Torta për Muhamet Aliun, apo jo”? “Po”, i përgjigjem unë me shaka. Ishte pikërisht ajo tortë, që ma kujtuan në hetuesi, pasi edhe për atë, ata ishin informuar hollësisht.
Pas kaq vitesh, e mendonit se Klei, do ta fitonte atë sfidë?
Po, isha i sigurt se do të fitonte. Ali, ishte revolucioni i atij sporti, duke ndërthurur intuitën, fantazinë, atletikën, artin dhe gjithçka tjetër. Madje edhe ringu nga 4x4m, vite më vonë, u zmadhua në përmasat 6.20×6.20, falë boksit të tij spektakolar. Mendoni edhe Mao Ce Duni, që e kishte ndaluar boksin në Kinë, pasi pa Klein, e riktheu atë.
Sa larg dhe afër jeni sot me Klei-Foreman?
Vitet kanë kaluar, janë bërë dekada tashmë, por ajo ndeshje Ali-Foreman, më afron me atë kohë. Më rikthen tek ai pasion dhe ndiej sikur kam qenë në Kinshasa. Kam pas shkruar novelën “Përbindëshi i bardhë”, se kisha dufin tim për boksin, Klein. Por edhe Kadareja, shkruajti novelën “Përbindëshi”, që e pati botuar në nëntorin e vitit 1972. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016