Nga Efthim Dodona
Pjesa e dytë
Memorie.al / Vepra madhore e Faik Konicës “Albania”, përbën monumentin më të madh kulturor kur ajo shkruhej (1897 – 1909), duke përfshirë fusha të ndryshme të saj: folklor, vjersha, tregime, kritikë letrare, sprova të ndryshme për poetë e shkrimtarë, gjuhëtarë, kompozitorë, histori, pasqyra të shtypit dhe ngjarjet kalendarike rrjedhëse. Në këtë revistë flitet për ekspozita piktorësh të huaj, që paraqesin pamje nga Shqipëria, siç është ajo e hapur në Mynih më 1900, apo piktura “Gratë e Sulit”, e piktorit Ari Shefer, që ndodhet në muzeumin e Luvrit në Paris. Këta piktorë janë trajtuar gjerësisht nga Profesor Ferit Hudhri, në vepra të ndryshme të tij.
(PJESË NGA NJË LETËR E DATUAR NGA PARISI, 5 QERSHOR 1902)
Disa muaj më vonë, më shkruante përsëri për këtë çështje: “Ditën tjetër varrosa dy nga miqtë e mi të Aero-Klubit. Kam qenë atje kur ata u nisën në pushtim të hapësirës dhe nuk e pandehja se pas dy orësh, do të shihja përsëri dy kufoma të shfytyruara në mënyrë të tmerrshme.
Por kjo nuk ma fashit dot pasionin për të fluturuar me balonë, përkundrazi ma shton atë. Njeriu ndjen njëfarë kënaqësie kur provon vdekjen, dhe unë besoj se në çastin tim të fundit – nëse do të jem i vetëdijshëm – do të jem më shumë kureshtar se sa frikacak”
(Paris, 21 tetor 1902). Më 16 mars 1906, në letrën e tij të fundit, dërguar nga Nju Jorku, ai më fliste përsëri, sikur ta parandiente, se nuk e përfillte fare vdekjen.
Për të vlerësuar sinqeritetin e plotë të kësaj mospërfilljeje, duhen ballafaquar këto pjesë të letrave të tij, me dëshmitë e mjekëve që kanë thënë se nuk kanë parë kurrë një fytyrë pa jetë, ku të pasqyrohej një gëzim aq i patrazuar, pa një gjurmë tmerri, sado të zbehtë.
Ditën e varrimit, gazetat e Nju-Jorkut kanë sjellë një fakt prekës: Ndër miqtë e mbledhur për t’i dhënë Pol Nokesë dëshminë e fundit të dashurisë për të, u panë se shumica e tyre qanin. Dhe, më mirë se fjalimet e kota, këto lot shprehnin atë çka ndjenin përpara atij varri…!
Në artikullin në gjuhën angleze që titullohet; “Ceremonia e fundit në kujtim të të ndjerit Pol Noke”, e cila u zhvillua në Nju Jork, tregohet se trupi i tij u vendos në një kube ku do të qëndrojë deri sa familja e tij në Belgjikë, të vendosë nëse ajo dëshiron që varrimi i tij të kryhet në atdheun e vet.
Lamtumira e fundit e dashurisë dhe respektit për piktorin aeronaut, u krye nga miqtë e tij në një ceremoni mbresëlënëse dje në mëngjes, në studion e mikut të tij më të ngushtë, Gutsion Borglum.
Arkivoli qe rënduar nga pesha e luleve: trëndafilë, zambakë, tulipanë të bardhë, jargavanë, vjollca si dhe po kaq lule ishin vendosur përpara një pikture të tij në vaj të papërfunduar, ku në qendër të saj qe pikturuar “Apolo”, teksa po ngiste revanë tre kuaj përmbi dallgët e detit. “Perëndim i diellit”, kështu do ta quante atë zoti Borglum, simbol që i shkonte për mrekulli fundit të Pol Nokesë.
KONICA, FLAMURI DHE MIKU PIKTOR NGA BOSTONI
Numuri i parë i gazetës “Trumbeta e Krujës”, doli më 20 mars 1911 në Sen Luis (Saint Luis) Misuri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kishte kryeredaktor Faik Konicën. Gjithsej dolën tre numra. Në numrin e parë të kësaj gazete, Faik Konica jep kryeartikullin me titull Flamuri.
Gazeta “Trumbeta e Krujës” doli në një kohë kur ende nuk ishte ngritur flamuri në Vlorë dhe Shqipëria vazhdonte të ishte e pushtuar por ndjenja e lirisë dhe e pavarësisë tek Rilindasit ishin një problem i shtruar për zgjidhje. Pikërisht në numrin e parë të kësaj gazete, ribotohet vjersha “Flamuri” që e pat shkruar 12 vjet më parë.
“Nën titullin flamuri botova dy-mbë-dhjëtë vjet më parë – te ‘ALBANIA’, mot 1899, faqe 146 – një vjershë, e cila duket sikur u shkrua dje. Me ca ndryshime të vogla e deklamova në disa mbledhje kombëtare t’Amerikës. Me qenë se shumë atdhetarë m’u lutnë ta botoj përsëri, që ta mësojnë dhe ta përhapin, se besojnë që mund t’i ndihë përparimit kombëtar, ua mbush sot dëshirën duke shtypur ‘Flamurin’ mu në krye të gazetës ‘Trumbeta e Krujës’. – Shtoj vetëm një të vënë-re që botova edhe te Djelli: fjala flamur e ka aksentin në a dhe jo në u: flaamur e jo flamuur”.
Po këtë vjershë, Konica e riboton në gazetën “Dielli” me 25 nëntor të vitit 1938, ndërsa poshtë vendos një pikturë që e emërton: “Skënderbeu famë dhënësi i flamurit dhe krye mbrojtësi i Shqipërisë”. Ndërsa në anën e djathtë të gazetës, jep artikullin “Kryefytyra e gazetës”, ku shkruan: “Kryefytyra e Trumbetës së Krujës, është përvijësuar me mjeshtëri nga një artist i Bostonit Z. Morse, pas planit dhe dokumenteve që i dhashë.
Vëjeni re mirë dhe kuptojeni, Më nj’anë Kalaja e Krujës, gjysmë e prishur. Në majë te një mur- kulle, ka dalë një ushtar i veshur me çelik dhe me hekur, si në kohë të Skënder Beut. Shihni sa madhështor është me helmën e Kastriotit përmi përçët, me kordhën mediavalë të varur! Me sa trimëri e mban trumbetën, nga e cila varet flamuri i Skënder Beut. A u ngrit nga të vdekurit, a e kish zënë nonjë gjumë shekullor në çip të harruar të nonjë kulle, apo është hieja e nonjë luftëtari të rënë në muret e Krujës?
Trishtimi dhe habia bashkohen në fytyrën e tij, ndofta nga që sheh Krujën e dashur, Shqipërinë e adhuruar të tija të rënë aqe poshtë…! Bjer-i trumbetës o kalorës legjendar, dhe bjer-i fortë: Bjeri të gjëmojë për kombin që e ka zënë një gjum tepër i rëndë. Vallë çna thotë me trumbetën? Ndofta gjëmimi i saj pëlcet në të katër anët e hapësirës, këtë vjershë heroike të Shakespeare-it: Sound trumbets! Let our bloody colours ëave! And either victory, or else a grave.
“Bini trumbeta! Flamurët tonë të kuq si gjaku le të valojnë! Dhe a të mundim, a të hyjmë në varr”. M’anë tjetër si një shpresë e largme por jo e kottë, shohin flamurin e Skëndr Beut po flamur feste, jo lufte! Jo! Një trëndafil i vjen për rreth dhe i bën një kurorë në ball. Më të mëngjër e më të djathtë jan të dy dokumentet katër qind vjeç të vjetra, që provojnë se me të vërtetë, kështu ish flamuri i Skënder Beut”.
Por çnjohje kishte Konica me këtë piktor? Konica shkruan: “Kryefytyra e gazetës, është përvijëzuar me mjeshtëri nga një artist i Bostonit Z. Morse, pas planit dhe dokumenteve që i dhashë…”. Në këtë fjali të bën përshtypje fjala përvijëzuar që tani duket si e humbur dhe veçanërisht kur thotë: “pas planit dhe dokumenteve që i dhashë”. Pra piktura e paraqitur është kryer nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Faik Konicës, i cili mund të quhet dhe bashkautor i saj.
Në pikturë jepet emri i autorit C.H.B MORSE. Duke kërkuar për këtë mbiemër, menjëherë shfaqet emri i shpikësit të telegrafit Mors, që e ka marrë emrin e zbuluesit, Samuel Morse (1791-1872), i cili ka qenë piktor shumë i njohur dhe në trungun e tij e familjar, ka shumë piktorë.
Piktori i “Kryefytyrës”, duhet që në vitin 1912 të ishte i gjallë, sepse ka biseduar me Faik Konicën për “Kryefytyrën” dhe-siç thotë Konica – është përvijëzuar me mjeshtëri nga një artist i Bostonit, pra ka qenë piktor i njohur. Megjithatë nuk disponohen të dhëna dhe nuk mund të themi asgjë, se kush ka qenë ky piktor?! I mbetet një kohe tjetër për ta zbuluar, ku mudn të mësojmë edhe detaje të tjera, nga lidhja e tyre miqësore.
ALFRED BASTIEN DHE PIKTURAT PËR KONICËN
Ai nuk ka qenë piktor. Megjithatë Faik Konica e kuptonte mirë pikturën, sikundër muzikën dhe arte të tjera. Korja e parë e revistës B, 1988, është pikturuar nga piktori Pol Noke (Paul Nocquet) i cili në moshën 29 vjeçare vdiq tragjikisht, duke u rrëzuar nga balona në 4 prill të viti 1906, në periferi të Nju Jorkut.
Pas humbjes së këtij miku të veçantë, rreth të cilit Konica shkroi gjatë në faqet e revistës së tij “Albania”, një tjetër artist do të ilustronte revistën e tij. Duke filluar nga vëllimi D (tetor 1899), në kore të saj vendoset shqiponja me dy krerë. Mbi këtë skicim Konica do të shkruante: “Në ca kohë, do ta zbukurojmë korën me një tjatër fytyrë, të cilën na e ka për të darovitur një tjatër mik, Alfred Bastien.
Zoti Bastien është dhe ay një prej më të njohurve piktorë të Belgut. Dy vjet më parë, te panairi i përgjithshëm i Bruselit, Alfred Bastieni mori një çënim (çmim) dhjetë-mij frëngash, për një të madhe fytyrë, Humilitas christiana (Përulje kristiane), ku dëftonte një ipeshkov të Kohës-Mesme në gjunjë përpara lterit (altarit)”.
Ndërsa në gjuhën frënge në vëllimin C Konica jep këtë lajmërim: “Së afërmi, do ta botojmë Albania-n me një ballinë të re. Atë ia kemi borxh dashamirësisë së pakursyer Alfred Bastienit, piktorit të ri të talentuar shumë i njohur në Bruksel dhe përveç kësaj, zoti Alfred Bastieni – i cili tani është në Burgonjë për të zbukuruar me afreske kështjellën e Lantenajit që i përkiste Karlit Guximtar, – na ka shkruar se së shpejti do të na dërgojë vizatimin”.
Por çfarë paraqet kjo pikturë? Shpjegimin e saj na e jepet vetë Faik Konica. “Një atdhetar na pyet se çdo me thënë “unguibus et rostris” qi është shkruar në kryefytyrë të së përkohshmes Albania. Kjo fjalë latinishte bie shqip “me qipe e me thonjë”, do me thënë Shqipja dykrerës i ruan të drejtat e saja me qipe e me thonjë.
Fjala “Unitas”, që është më sipër do me thënë “njësi, bashkim”, gjithë shqiptarët të çdo fesë e çdo anës të bashkohen më një”. Në vëllimin D të vitit 1899, ndodhet një vazo me lule, sipër vendoset viti 1896. Përveç shqiponjës me dy krerë, ka dhe vizatime të tjera, të cilat megjithëse nuk e kanë emrin e autorit, mendojmë se i përkasin së njëjtës dorë, dorës së Alfred Bastienit, i cili nuk e vendos emrin e vet në të gjitha rastet.
Këto vizatime të thjeshta që riprodhohen këtu (vëllimi E 1900), siç është shqiponja me dy krahë të hapura me shikimin lart dhe larg në gjoksin e së cilës ndodhet flamuri shqiptar që përshkohet nga një shirit me emrin ‘ALBANIA’. Në këmbë mban shigjetat e luftës dhe degën e ullirit, simbolit të paqes që të kujton fajkoin e flamurit amerikan.
Vizatimi tjetër përfaqëson dy shqiponja të cilat i bashkon një fytyrë që mund të simbolizojë Shqipërinë nga goja e së cilës dalin dy vargje me lule, që i mbajnë sqepat e shqiponjës. Një gonxhe luleje me dy degë zymbylash, e cila ndodhet midis vizatimeve të mësipërme, mendoj se është realizuar nga e njëjta dorë e piktorit.
Të gjitha këto vizatime janë krijuar nga piktori nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Faik Konicës, gjë që vërtetohet nga simbolet e shumta shqiptare. Në albume dhe artikuj të ndryshëm, shqiponja me dy krerë është riprodhuar duke theksuar se është trajtuar “sipas sugjerimeve të Faik Konicës”, por autori i këtij vizatimi, që është Alfred Bastieni, nuk përmëndet.
Alfred Bastieni (1873-1955), piktor i njohur belg, mbasi ndoqi studimet në Akademinë e Gentit dhe të Brukselit, u vendos në Paris dhe u ndikua nga piktorët e njohur Kurbe dhe Delakrua, si dhe nga rryma impresioniste. Shumë të njohura janë pikturat e tij të bëra nga fronti i Luftës së Parë (1914) sidomos ato të Izerit. Pranohet si një nga piktorët më të mëdhenj i peizazheve të Luftës së Parë Botërore. / Memorie.al