Nga Eugen SHEHU
Memorie.al / I lindur në vitin e largët 1838, Abedini ishte tepër i vogël kur në Çamëri e Labëri, kishin nisur revoltat kundër reformave të Tanzimatit. Më vonë, këto revolta, ai do t’i përjetonte kurdoherë përmes mbresave dhe kujtimeve të babait, Ahmet Dinos, i cili aso kohe, në moshë mbi të pesëdhjetat, u gjend në krye të revoltave popullore. Në këto revolta, u hodhën poshtë mjaft sanksione ekonomike që rëndonin jetën e fshatarit të prapambetur shqiptar, e bënin akoma më të errët fatin e ardhshëm të tij. Ngase ngriti në këmbë qindra burra në Prevezë e rrethina, ngase u lidh me krerët kryesor të revoltës në Labëri e deri në Mallakastër, Ahmet Dino, do të thirrej në Stamboll, për të dhënë llogari.
Gjithsesi, nga dënimet e shpëton vetëm ndershmëria dhe emri i mirë që gëzonte në krejt vilajetin e Çamërisë. Por sidoqoftë, Porta e Lartë nuk mund ta linte të shkonte në shtëpi. Ahmet Dino, do tw internohet në Qytetin e largët Konje, në Anadoll ku edhe vdiq. Ç’far pat lënë trashëgim plaku trim dhe i urtë tek bijtë e tij, Veseli dhe Abedini?
Koha që rrodhi më pas, si ata krojet e ftohtë të Çamërisë, vërtetoi se pos të tjerave, përveç shtëpisë së madhe e tokave, me së pari, plaku i urtë u la djemve të vet amanetin e madh për Çamërinë, për këto troje krejtësisht shqiptare, por aq të lakmuara prej grekëve. Brenda këtij amaneti të madh u rrit, hodhi shtat dhe lulëzoi e gjithë jeta e Abedin Dinos.
Pasi mbaroi shkëlqyeshëm shkollën e vendlindjes në gjuhën greke, ashtu si plot bashkëmoshatarët e tij, Abedini i drejtohet gjimnazit “Zosimea“ të Janinës. Nuk duhet të harrojmë se ky gjimnaz dallohej aso kohe jo vetëm për kulturën e orientuar pro Perëndimit por, edhe për shpërndarjen e ideve të iluminizmit evropian.
Njëherazi, djaloshi i imët prej Preveze, do të mësonte aty edhe greqishten e vjetër, latinishten, frëngjishten dhe italishten, duke hedhur kësisoj themelet e një kulture të përgjithshme mjaft solide. Por edhe gjuhët e kulturat e Lindjes, nuk do të ishin të përbuzura në “Zosimea”. Pikërisht për këtë, njohuritë e marra prej Abedinit, ishin mjaft të thella.
Mbas mbarimit me sukses të “Zosimeas“, Abedin Dino do të studiojë në Stamboll jurisprudencë dhe ekonomi. Prirja e tij për mësimin dhe ushtrimin e disa gjuhëve, e ndihmojnë më së miri për të thelluar njohuritë e veta, duke asimiluar një informacion sa ma të bollshëm të marrë prej burimeve të shumta. Kështu në mesin e viteve ‘70-të të shekullit të kaluar, Abedinin e emërojnë komisar të bursës së parë në Gallatë të Stambollit.
Në këtë detyrë, ai drejton mjeshtërisht operacionet financiare të kësaj burse dhe shquhet sa për veprime të shkathëta, aq edhe për përfitimin e rrugëve teorike sa ma efektive në rrafsh të kombinacioneve tregtare. Po të kemi parasysh, burokracinë e administratës së lartë të Portës Osmane, do të bindemi më tepër për vlerat prej nëpunësi ekonomist, të Abedin Dinos.
Djaloshi prej Preveze, do të mendonte së thelli kurdoherë për Çamërinë, për atë vend të bekuar të Ilirisë së lashtë. Demokrat nga natyra, ai do të përpiqej kurdoherë të gjente diçka, për t’u hapur udhë reformave të reja në të gjitha rrafshet, qofshin këto ekonomike, politike apo sociale. Lëvizja e “Osmanëve të Rinj“, e bënë për vete.
I ftuar në rrjedhat e saj, do të ndjente jo vetëm frymëzimin, për të punuar por edhe vetveten aq të emancipuar dhe kulturuar njëkohësisht. Por kjo lëvizje, që parashihte një të ardhme të qytetëruar, nuk shihej me sy të mirë prej mehmurëve të Sulltanit. Ata bënë ç’ishte e mundur, për të zbuluar e shuar këtë lëvizje madje, duke dërmuar edhe në largime udhëheqësit e saj.
Ani-pse lëvizja u shuajt me prepotencë, Abedin Dino së bashku me miqtë e tij turq e shqiptarë, u përpoqën që idetë e kësaj lëvizjeje të reviziononin sa ma gjatë në opinionin shoqëror të asaj kohe. Sidoqoftë, në horizontet e jetës shqiptare diçka kish filluar të përflakej. Tashmë dëshirat për të folur e shkruar gjuhën shqipe, për më tepër dritë lirie, ishin të hapura përkundrejt obskurantizmit anadollak.
Në Stamboll, krijohet “Komiteti i Stambollit” me burra shqiptarë të mençur e trima. Në radhët e para të këtij komiteti, është Abedini me vëllanë e vet, Vesel Dinon. Të dy së bashku, agjitojnë e punojnë pa u frikuar, duke paraparë shpresa të mëdha edhe për ardhmërinë e Prevezës së tyre aq të hijshme.
Rreth “Komitetit të Stambollit”, u mblodhën veprimtarët më të shquar të nacionalizmit shqiptar. Tek e mbrëmja, ata e patën kuptuar ndër të parët se nacionalizmi shoven sllav, bullgar e grek, nëse rritet e fuqizohet, natyrisht bëhet i rrezikshëm për kufijtë e Shqipërisë. Prandaj ata duhet të zhvillonin ndjenjën e tyre nacionale, kurdoherë përmes mesazhit të fqinjësisë së mirë pa kaluar në nacionalizmin ekstrem.
Abedin Dino në këto situatë, do të mbetej kurdoherë largpamës. Ai dinte të dallonte perspektivat shqiptare, duke çelur shtigje për ardhjen më shpejt të tyre. Sidoqoftë, ajo çka na bën të mendohemi rreth atdhedashurisë së Abedin Dinos, është padyshim pjesëmarrja dhe veprimtaria e tij, në kuadër të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.
Bashkëpunimi i tij i ngushtë në Stamboll me vëllezërit Frashri, Abdylin, Samiun dhe Naimin, bënë që optika e ndikimeve politike të tij, të zgjerohet. Tashmë ai ka të qartë se kjo lidhje, do të jetë një gurrë themeli, për pavarësinë dhe lirinë e të gjitha trojeve shqiptare.
Abedini me të vëllanë, shkojnë menjëherë në Prevezë, shesin aty disa pasuri dhe me floririn e grumbulluar, shëtisin nëpër të gjithë Shqipërinë, në Kosovë e Turqi, duke bërë ç’është e mundur, të afirmohet çështja kombëtare shqiptare. Në disa prej memorandumeve drejtuar Fuqive të Mëdha, prej trevave të jugut Shqiptar, emri i Abedin Dinos, është i pari. S’është e vështirë të kuptohet, se ai ka qenë iniciues i tyre.
Ai merr pjesë në mjaft takime, vepron intensivisht por kurdoherë kërkon të jetë disi i tërhequr, të mos popullarizohet. Kështu që në funksionet e tij shtetërore, u përpoq me çdo mjet, për të mbrojtur atdhenë e vet, Shqipërinë.
Kështu, në fund të luftës ruso-turke, kur disa formacione luftarake greke iu drejtuan Sarandës, ai shfrytëzoi edhe detyrën në Komitetin e Shpëtimit Publik dhe mobilizoi mijëra vullnetare nga Delvina, Vlora e Gjirokastra, duke shpëtuar kësisoj copëtimin e tokave Shqiptare.
Sa për veprimtarinë tij në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit mendoj se vlen të thuhet që në çdo takim, bisedë apo kuvend burrash në Çamëri, ku merrte pjesë Abdyl Frashëri, fjalën e hapjes, e mbante Abedin Dino. Të dy këta u lidhën përmes nacionalizmës, duke dëshmuar jo vetëm besnikëri ndaj njëri tjetrit por, sidomos dashuri ndaj atdheut të tyre. Madje, kënga e bukur e popullit, kënga-lapidar e ngritur në kujtesën e kombit, thotë:
“Avdyli me Abedinë,
miletin në këmbë e ngrinë,
që nga Vlora në Janinë,
Nga Skrapari në Florinë,
kërkojnë autonominë,
për të gjithë Shqipërinë…“!
Në vitet 1877-1880, Abedin Dino emërohet në detyrën e Valiut të Selanikut. Por edhe këtu, sytë dhe mendja e tij janë të drejtuara vetëm në Çamëri. Kështu në vitin, 1879, me 11 janar, ai organizon në shtëpinë e tij në Prevezë, kuvendin e krerëve shqiptarë të Jugut.
Ky kuvend përcaktoi masat konkrete lidhur me aspiratën e shqiptarëve për pavarësi. Edhe pse me detyrë të rëndësishme në Selanik, Abedini nuk reshtet së kontaktuari me vëllezërit Frashëri, Ismail Qemalin dhe patriot të tjerë shqiptarë të cilët, kishin detyra të larta në administratën turke të kohës.
Në qershor të vitit 1880, falë aftësive diplomatike dhe zgjuarsisë, Abedin Dino emërohet Ministër i Jashtëm i Portës së Lartë. Në kontaktet e shumta e të drejtpërsëdrejti me diplomatë të huaj, më tepër kujdes, biri i Prevezës, sillte në bisedë çështjen shqiptare, të ardhmen e mjegulluar të saj.
Por pas pak kohe, kjo frymë e tij atdhetare, ra në sy të mehmurëve të tjerë të perandorisë të cilët, nuk vonuan të vinin në dijeni Sulltanin për ndjenjat e theksuara shqiptare të Ministrit Abedin Dino.
Ndërkohë edhe disa konsuj në Stamboll, patën çuar fjalë në zyrat e Sulltanit, për shqiptarin Dino. Ka qenë kjo arsyeja që shumë shpejt, me urdhër të posaçëm, Sulltani e shkarkon nga detyra duke e lënë të lirë “rebelin arnaut nga Preveza”.
Në karrigen e Ministrit të Jashtëm të perandorisë osmane, Abedin Dino, i shërbeu në kompleks çështjes kombëtare shqiptare e, në veçanti Çamërisë së dashur të tij. Ai zbuloi në kohë, përpara diplomacive të huaja, qëllimet aneksuese të Greqisë në jugun shqiptar dhe duke bashkëvepruar me krerët e lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ruajti të paprekura trojet shqiptare, duke përfituar prej shtrirjeve të mëdha të Portës së Lartë.
Sidoqoftë ajo ç’ka nuk duhet harruar në këto momente të pushtetit të madh të tij është fakti se në krejt bisedat me bashkatdhetarët e vet,ai shprehte sinqeritetin e madh kur thoshte:
“Nëse ju e shihni të arsyeshme, unë e lë pa asnjë merak këtë kolltuk të Stambollit. Unë kam qenë e do të jem i lumtur, të vij me ju, e të luftojë në radhët e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, si ushtar i thjesht i saj“.
Por veprimtaria e tij në dobi të çështjes kombëtare, natyrisht do të binte ndesh me parimet e ngurta të administratës së lartë Osmane. Atë do ta thërresin disa here, duke e qortuar e frikësuar, por Abedin Dinua ngjan se ishte i “shurdhër” ndaj këtyre frikësimeve banale. Ndërkohë ai mban korrespondencë të vazhdueshme me Ahmet Xhevdet Pashën, hartuesin e kodit civil të perandorisë osmane.
Ky letërkëmbim, ka të bëjë ma tepër me konsultime të përbashkëta në jurisprudencë, pasi tek personaliteti i Abedin Dinos, Ahmet Xhevdet Pasha, shihte jo vetëm njohësin e thellë të ligjeve por, sidomos tejpamësin e tij në rrafsh të rregullimit të jetës shoqërore të perandorisë, brenda kornizave të kodit civil.
Edhe pse u internua në Jilldis Qoshk, biri i Prevezës nuk mund të shkëputej në asnjë çast prej punëve intelektuale. Studion pa rreshtuar, shkruan traktate filozofike, hulumton në gjuhësi, por shkruan edhe letërsi të mirëfilltë. Ç’mund të jenë këto vepra, sa janë, në cilin bodrum të Stambollit rrinë fshehur, këto janë disa enigma, që nëse nuk i zgjidh dot ky shekull që po shkon, të shpresojmë që të zgjidhen në agun e shekullit të ri, për ne shqiptarët.
Ka patur ndofta një rreze të vagëlluar shprese në zemrën e Abedin Dinos, kur pas njëzet e pesë vjetëve internim, thirret prej Sulltanit, në Oborrin Mbretëror.
Ishte viti 1905. Në pritje për t’u takuar me Sulltanin, në një kafene, Abedin Dino helmohet tinëzisht. Shpresat e tij për t’i parë viset e Çamërisë të lulëzojnë, vriten përfundimisht. Shqiptarë të ndershëm prej Çamërie, Labërie, Shkodre e Kosove, e përcjellin për në varr, bashkëkombësin dhe patriotin e tyre, duke lotuar.
Gjashtë vjet më pas, Dervish Hima, një tjetër fatos i nacionalizmit shqiptar, boton në Stamboll librin “Shqiptari“. Në të renditën një varg personalitetesh shqiptare, ku padyshim Abedin Dinoja, zuri vendin që meritonte. Ai përshkruante aty jo vetëm në atë se çka i dha Shqipërisë por, tek e mbrëmja ç’kontribut të madh çliruan energjitë dhe vepra e tij, në ndihmë të civilizimit të popullit turk.
Por, sa vlera pati jeta e Abedin Dinos, ate mund ta dinë më mirë njerëzit trima të Çamërisë. Emri i tij, ashtu si edhe vepra e tij, rezonojnë edhe sot në vetëdijen tonë kombëtare. Në këtë kuadër, unë do të thoja se nderimi e respekti për këtë atdhetar të shquar, jeton në çdo vis ku flitet shqip, ku pesha e memories, ashtë më e madhe se ajo e gurëve. Memorie.al