Nga Uran Kalakulla
Pjesa e dyzetenjë
Nazizmi dhe komunizmi
Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KQB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.
U ndamë me Dom Ndocin kur unë u lirova dhe e lashë atë në burg. Por ndryshe nga shumë pleq të tjerë, me të cilët nuk pata fatin të takohesha përsëri, tashmë jashtë burgut, pa shiko…! Me Dom Ndocin u takuam prapë, në cep të një lulishteje të Shkodrës, fare rastësisht. U përqafuam me mall e dashuri dhe ai më porositi që të kem kujdes, se; “komunistat janë shumë të poshtër, ata të fusin prapë në burg, pa ba asnjë faj”! Dhe vërtetë mua me internuan pas pak, me gjithë familje, për pesë vjet, dhe nuk e pashë me atë plak të mirë.
Shkrimtari i realizmit socialist dhe “doktrinari” marksist.
Në një nga dhomat e burgut të Burrelit, të “krahut 1”, ku më kishin transferuar, mes të tjerëve, u njoha edhe me dy personazhe interesante, që të dy intelektualë, tipa karakteristikë për mua, historinë dhe portretin e të cilëve mendoj, se ia vlen t’ia paraqes lexuesit. I pari ishte shkrimtar i njohur në vazhdën e autorëve të realizmit socialist shqiptar, autor i disa romaneve apo kujtimeve, që dolën nga shtypi fill pas ardhjes në pushtet të komunistëve. Ky ishte Kin Dushi.
Kin Dushi ishte një burrë me shtat mesatar që, megjithëse kishte vite që ndodhej në burg, prapë dukej sikur ishte ca i shëndoshë, edhe pse i shkreti, s’kishte asnjë ndihmë nga jashtë burgut dhe e mundonte keqas uria, veç nevojave të tjera për veshmbathje, cigare etj. Ishte një njeri i shkueshëm, jo mendjemadh, me një përvojë të madhe në jetë, se kishte provuar edhe të mirën, mirëqenien, ashtu edhe të keqen, varfërinë, kishte provuar edhe pozitën edhe rënien kokëposhtë prej saj. Pikërisht ashtu siç ndodhte në sundimin komunist të Enver Hoxhës në vendin tonë, tek e fundit, siç ka ndodhur në të gjithë të ashtuquajturin “Kamp Socialist” të Stalinit.
I mbetur jetim që në moshë të njomë, ai ishte rritur në “Strehën Vorfnore”, duke pasur gjithë mungesat, disiplinën e jetës klaustrale, arrogancën, fyerjen e madje edhe të rrahurat e kujdestarëve mizorë, pak a shumë siç tregohet në një film, që në mos gaboj, mban titullin “Lulëkuqet mbi mure” i Kinostudios “Shqipëria e Re”, nuk e di i cilit vit, prodhimi e nga “Streha Vorfnore”, në konvikte, për të mbaruar gjimnazin. Duke qenë shkodran, më duket se ka qenë (në mos gaboj), nxënës në gjimnazin e Shkodrës dhe internatist në konviktin “Malet tona” të atij qyteti, konvikt ku kishte zënë rrënjë idetë komuniste të Grupit Komunist të Shkodrës, me Zef Malën në krye të tij, histori tashmë mjaft të njohura.
Kështu edhe Kini ishte radhitur, gjatë luftës, në radhët partizane, duke arritur deri pozitën e komisarit politik të një batalioni partizan. Por ndërkohë e sipër nuk di se si kishte qëlluar që kishte rënë në dorë të gjermanëve dhe ata e kishin mbyllur, si shumë aktivistë të tjerë komunistë, apo të afërt me ta, në Kampin e përqendrimit të Prishtinës. Ky kamp famëkeq, ishte si një “paradhomë” e kampeve naziste në Gjermani, Austri etj., kampe shfarosëse këto, sikurse dihet botërisht. Por Kini pati fatin të dalë gjallë nga ai kamp. Kuptohet që Kinin e pritën mirë shokët e tij tashmë në pushtet, dhe ai nisi të punojë si gazetar, duke u marrë njëkohësisht edhe me krijimtari letrare, si kolegu i tij, edhe më i njohur, veteran i Luftës së Spanjës, Petro Marko.
Kështu, fryti i parë letrar i kësaj veprimtarie të dytë të tij, është libri me kujtime, me titullin domethënës dhe të qëlluar “Ne gojën e ujkut”, i cili u prit mjaft mirë në atë kohë, ku flitet për vuajtjet e rreziqet e veta dhe të shokëve të vet, në Kampin famëkeq të Prishtinës. Më pas ai vazhdoi me krijimet letrare. Unë nuk ia di gjithë botimet e tij në këtë drejtim, pos edhe dy romaneve: “Udha e Velekolamit” (Ç’është ky emër kështu?) dhe romanit tjetër e të fundit, me titull “Një emër mes yjesh”. Sigurisht nuk është as vendi dhe as rasti që të merren këtu me vlerësimin tim kritik mbi këto romane, aq më tepër se atë të fundit, nuk e kam lexuar fare.
Kam lexuar prej Kinit vetëm; “Në gojën e ujkut” dhe “Udhën e Velekolamit”. Madje, këtë “Udhën …”, e kam pasë lexuar me kujdes, dhe të them të drejtën nuk më pat pëlqyer fare. Ishte diçka e ngjashme me dramën e Kolë Jakovës me titull “Toka jonë”, që atëherë qe çmuar shumë, siç dihet, madje vlerësuar edhe me çmim të lartë, sepse i përgjigjej flakë për flakë vijës së partisë, në përpjekjet e saj për të sajuar “fshatin socialist”, duke i kthyer fshatarët e gjorë, në bujkrobër mesjetarë, në mos edhe më keq akoma.
Pikërisht i kësaj natyre ishte edhe romani i Kinit “Udha e …”, pra për luftën ndaj kulakëve (emër i importuar nga Bashkimi Sovjetik ky), që s’ishin tjetër veçse fermerë të zotë, që dinin të punonin, brenda kuadrit të kohës, e të administronin mirëqenien e tyre me djersën e ballit, zotërues të tokës së tyre të trashëguar brez pas brezi, apo të blerë me para në dorë, me dokumente të rregullta zyrtare, por që kishin një taksirat të vetëm, se nuk donin ta fusnin qafën në zgjedhën e kooperativës socialiste.
Kjo ishte dhe arsyeja që ata u shpallën armiq të klasës dhe objekt persekutimesh të panumërta nga “pushteti i dashur popullor i punëtorëve dhe fshatarëve”. Eh, ç’pushtet popullor qe ai?!
Si gazetar në “Zërin e Popullit” Kinit i ra në vesh puna e një gjyqi të zhvilluar në Lushnjë, mbi një grup kulakësh, të cilët paskëshin sabotuar keqas përpjekjen e fshatarëve për ngritjen e kooperativës së tyre të dashur bujqësore. Duket Kini vajti me vrap në atë gjyq që nga Tirana, mori shënime të bollshme dhe kur “grupi armiqësor” mori “vendimin e merituar” nga “gjyqi i popullit”, shkroi me zell të madh romanin “Udha e …”, roman voluminoz ky, por që nuk pati as famën, me sa mbaj mend, dhe as vlerësimin e “Toka jonë” të Kolë Jakovës. Megjithatë, siç thashë, unë e lexova me kujdes.
Protagonisti i atij romani, ishte një fshatar i pasur myzeqar, me mustaqe të gjata vesh më vesh, që të kujton tipin e diversantëve, siç i paraqiste filmi socialist shqiptar, i egër dhe dinak, me një fjalë “garuzhde e xhehnemit”, siç thonë në Shkodër. Por ky mustaqelli trup-bëshëm, në hetuesi si duket i kishte “zbathur brekët” dhe kish pranuar gjithë skenarin e regjistrues së Sigurimit të Shtetit, madje kishte pranuar, për të “shlyer fajin”, të bëhej edhe bashkëpunëtor i dënuesve të vet, në burgun ku e kishin rasur. Tashti le të shohim se si i ndodhi shkrimtarit Kin Dushi të takohet me protagonistin e romanit të tij.
Kur P.P.Sh.-ja u prish me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (domethënë Enveri me Hrushovin), dhe lufta ndaj revizionizmit, kishte marrë hov të madh, romani i tretë dhe i fundit i Kinit, “Një emër mes yjesh”, u quajt me frymë revizioniste, u ndalua të qarkullojë, pas kritikave të planifikuara nga partia, dhe pas pak kohe autori i tij, shkrimtari Kin Dushi, u arrestua dhe u dënua si “armik i popullit”, si; “pasues i vijës revizioniste në letërsi” e, punë të tjera kësisoj. U dënua tetë vjet burg dhe puna e desh ta degdisnin në burgun e Burrelit.
Por për çudinë e Kinit, protagonisti i romanit të “Udhës…”, na ishte bash në atë burg, e jo si Kini në radhë, si sardelet në kaushët e masës së të dënuarve, por në infermierinë e burgut, me shtrat të veçantë, me ushqim të veçantë (punëtori), ndërsa komunisti Kin, hante si ne të tjerët, languriqin e kazanit dhe 600 gr. bukë! Duke pas krijuar një konfidencë, unë e gërgisja shkrimtarin Kin, duke i thënë se paskësh qenë më mirë të ishe protagonist i romanit të tij, se sa vetë shkrimtar. Dhe Kini qeshte, dhe pse e qeshura e tij, kishte një notë të theksuar, sa trishtimi, aq edhe marazi.
Megjithëse në burg, e madje në Burrel, Kini e ruante të panjollosur karakterin e tij dhe ndaj kuadrit të komandës ishte i prerë, serioz, dinjitoz. Nuk e kam parë kurrë të ligështohet, të qahet, të bëhet urë ndaj asnjë polici apo oficeri, qoftë edhe ndaj komandantit të burgut. Madje në varfërinë e tij të tejskajme, me gjithë urinë e madhe që e mundonte, s’e pashë kurrë t’i shtrinte dorën dikujt, për t’i kërkuar qesëndi për të ngrënë. Pranonte me mirësjelljeje vetëm atë që shokët e burgut ia jepnin vetë, kur ua thoshte zemra. Dhe ai i falenderonte me fisnikëri.
Dhe shkonte fare mirë me shokët e burgut. Nuk ishte njeri sqimatar, aq më pak mendjemadh. Shuplakat e rënda të jetës, që nga fëmijëria e, deri në moshë të thyer, tashmë e kishin mësuar se kjo jetë në përgjithësi e, jeta shqiptare në veçanti, nuk e pranon fort kapadaillëkun a të mbajturit me të madh, intelektual qofsh, a shkrimtar. Përkundrazi, Kini vërtetonte më së miri filozofinë time të gjithmonshme në këtë drejtim, filozofi e cila, thotë, në thelb, se; “sa më i ditur të jetë njeriu, sa më lart të ngjitet në hierarkinë e jetës shoqërore, aq më i thjeshtë duhet të jetë, aq më i shoqërueshëm dhe i sajdisur, sidomos me njerëzit më të thjeshtë të popullit, me një modesti ama të vërtetë e, jo të shtirë, hipokritë”. Dhe gjithë kjo sepse, një intelektual i vërtetë, i ditur, aq më tepër ka nevojë të mësojë nga njerëzit e thjeshtë, nga dituria e madhe e popullit.
Kini kishte një karakter të formuar, të qëndrueshëm. Ai nuk e kthente gunën nga të frynte era. Idetë komuniste atij i kishin hyrë në gjak, që në adoleshencën e vet, siç kemi thënë. Kështu ai vazhdonte ta quante veten komunist, por një komunist “ideal” për një “komunizëm ideal”, duket, thjesht teorik, që nuk e di se në cilën pikë të globit tokësor ishte realizuar, apo do të mund të realizohej ndonjëherë. Kështu, si pa e kuptuar, ai kishte rënë në pozitat e një utopizmi krejt abstrakt e, që të mos e ngatërrojmë me utopistët e njohur paramarksistë e, afër tij disi në kohë, do të thoja me “qytetin Diell” të Campanella-s. Sidoqoftë kjo ishte, do ta quaja, një dobësi e tij, të cilën ishte e kotë t’ia shkulje nga mendja. Dhe unë e të tjerët e lamë në atë bindjen e vet dhe temat tona të bisedave, zakonisht nuk e preknin fare, për delikatesë, temën e ideologjisë së tij të veçantë, komuniste.
Ironia e hidhur e fatit i takon edhe një tjetër shokut tim bashkëvuajtës të burgut të Burrelit. Ky quhej Gjergji Mole, me origjinë nga Korça, por natyralizuar si kryeqytetas. Edhe i ati i tij kishte pësuar dënim të gjatë, po në atë burg. Kishte qenë një intelektual i shquar, zotërues i disa gjuhëve evropiane, patriot që e kishte braktisur Zvicrën dhe ishte kthyer në Shqipëri, për të punuar për atdheun. Për fat të keq, nuk ia mbaj mend emrin e tij. Ai e kishte lënë Gjergjin kalama dhe pak kishte rrojtur me të birin, pasi kishte dalë nga burgu. Por Gjergji nga i ati, kishte trashëguar ndershmërinë dhe ndjenjën patriotike dhe një aftësi diskrete për gjuhët e huaja e kulturën në përgjithësi, sidomos atë humanitare.
Por, çuditërisht, megjithëse ishte madhosh nga trupi, me një formë e rezistence fizike të konsiderueshme, nuk shquhej fort për trimëri, duket ngaqë ishte “rrahur që këlysh”, si shprehet populli, nga përndjekja, si bir i të atit. Po kishte ditur të mbijetonte, duke u munduar t’u shmangej me sa kishte mundur, prapësive të mëdha të regjimit. Dhe pasi kishte kryer gjimnazin, kishte mundur, si shumë të tjerë, duke shfrytëzuar koniunkturat e kohës, të ndiqte natën me korrespondencë studimet e larta në Universitetin e Tiranës dhe ishte diplomuar në degën e historisë.
Në Burrel atë nuk e kishin sjellë për dënim, si shumicën prej nesh, por si piktor, që të kryente ca punë, ku di unë, tabelash e grafikësh që i duheshin komandës. Pra ishte punëtor, që merrte 800 gr. bukë, gjellë me mish (aq sa të ishte ky), dhe një sasi lekësh. Zakonisht ata që ishin punëtorë në burg, si në prapavijën e kamp-burgut, ishin, për ne të tjerët, njerëz të dyshimtë, ose të vërtetuar se ishin të liq, shkurt spiunë. Por kjo gjë, as që nuk duhet absolutizuar, se dihet që çdo rregull ka përjashtimet e veta. Për shembull, berberi në burgun e Burrelit, që na qethte dhe na rruante ne të dënuarit, gjatë një periudhe kohe, ishte një djalë nga Narta e Vlorës. E quanin Kozma Todi. Por Kozmai ishte shembull i virtytit dhe i ndershmërisë, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë bashkëvuajtësit e tij e, jo si ai “kulaku” legen, pastruesi i infermierisë.
Pa dyshim, i tillë ishte edhe Gjergi Molja. Piktor? Jo xhanëm, Gjergji ishte një lloj skicografi që sajon afishe e shkruan parulla. Nga një të tillë e kishte çdo ndërmarrje, si rregull. Paska dashur një të tillë edhe komanda e burgut tonë dhe për këtë arsye, e kishte sjellë Gergjin ministria (më saktë Drejtoria e Burgje-Kampeve), nga Spaçi në Burrel. Si njeri, Gjergji ishte burrë i mirë, shpirtbutë, i sjellshëm dhe i dashur me shokët bashkëvuajtës. Madje ishte edhe zemërgjerë, bujar. Unë e gjeta në dhomën ku më çuan, tek hante bukë me Kin Dushin dhe e ndihmonte atë me sa mundej, se duheshin si shokë, respektoheshin e shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin.
Madje edhe ngacmoheshin pa të keq mes tyre, sepse që të dy e pëlqenin fort humorin, që, në burg është, në një masë të konsiderueshme, shëndeti i shpirtit. Pa të, në burg jeta do të bëhej dhjetëfish më e rëndë, më e zymtë. Kam menduar e kam thënë shpesh, se humori në burg, domethënë e qeshura në të keqe, tregon nga njëra anë pastërti të shpirtit dhe nga ana tjetër, forcë e qëndrueshmëri të karakterit. Humori në burg, është si një sfidë ndaj së keqes që të ka gjetur. Le të thotë të kundërtën, po deshi, kush të dojë! Kjo është bindja ime e provuar edhe në fakt konkrete, gjatë gjithë viteve të gjata të burgimit tim dhe të shumë e shumë të tjerëve. Se nuk shkohet jeta vetëm fytyrëngrysur, shpirt-rënduar, duke lënguar e duke mallkuar, jo vetëm jashtë hekurave të burgut, por edhe brenda tyre.
Kështu, Gjergji me Kinin shpesh, bëheshin nismëtarët e shpërthimit të të qeshurave kolektive tek të gjithë pjesëtarët e dhomës. Tregimet e vërteta të Kinit sidomos, si shkodran autentik që ishte, kishte në një dozë të madhe atë thimthin e humorit të madh të atij qyteti që e ka, siç dihet, një nga karakteristikat e para të tij, duke bërë të qeshë edhe gjithë Shqipëria, madje edhe përtej kufijve të saj shtetërorë, kudo ku ka shqiptarë. Por, duke marrë shkas nga ky fakt, megjithëse Gjergji s’kishte të bënte fare me Shkodrën, ai përbënte për mua në një anë një objekt më vete humori, sepse atë e karakterizonte një kontradiktë e një paradoks i madh atëherë, defekt të cilin besoj e ka ndrequr tashmë aty ku jeton sot prej vitesh, në kantonin italian të Zvicrës. Madje duke u kthyer tek paradoksi i tij, do të thoja se tuhafllëku i Gjergjit, kishte dy bigëzime, sa të çuditshme, aq edhe qesharake, për të cilat mund të shkuleshe gazit. Kurse nga ana tjetër, të plasje nga marazi. Hej taksirat, çfarë nuk gjen te njeriu, çfarë nuk ka jeta!
Paradoksi i parë ka të bëjë me adhurimin ndaj marksizmit, që konsiderohej aso kohe; “shkenca e shkencave”, substratki i vetëm i çdo lloj dijeje, humanitare qoftë apo natyrore, madje edhe i çdo lloj arti, apo edhe etike. Aq sa gati edhe matematika, i paskësh rrënjët në marksizëm! Kështu djaloshin student me korrespondencë, apo natën, Gjergj Molen, të birin e “armikut të popullit”, e kishte zënë aq fort dashuria me marksizmin, saqë e pandehu veten marksist aq të formuar tashmë, saqë mund të jepte madje edhe një ndihmesë të vetën në këtë drejtim, një tezë origjinale të tijën, duke iu afruar shokëve Lenin e Stalin dhe, ç’ka me duket edhe më interesante e me rëndësi, duke ia kaluar edhe vetë “shokut të madh” Enver!
Kështu Gjergji, pasi mori diplomën, hartoi një tezë teorike marksizmi, duke shtruar dhe argumentuar se; “në shoqërinë socialiste, mund t’u shkoka fill prej feudalizmit, pa kaluar fare nga kapitalizmi”. I shkreti Gjergj, ngaqë ishte shpirtmirë, i dhimbeshin popujt, që të bënin gjithë atë rrugë të gjatë e në disa etapa, se lodheshin dhe humbitnin kohën kot, për të shkuar më shpejt në socializëm, në lumturinë më të madhe të njerëzimit, në parajsën tokësore! Dhe çudia nuk mbaron me kaq, se me ta përgatitur këtë tezë e, fill në Komitetin Qendror të PPSH-së, nuk di se në cilën drejtori aty, që t’ia pranonin “punimin e tij shkencor”.
Shokët “e nderuar” të Komitetit Qendror, e pritën me buzagaz dhe i rrahën krahët, e meqë në atë kohë nuk paskësh në vendin tonë një lloj “Akademie të Studimeve Marksiste-Leniniste”, mendonin që ta dërgonin Gjergjin në Kinë, për ta “kolauduar” dhe për t’i dhënë gradën e “doktorit në marksizëm”. Kështu i biri i “armikut të popullit”, do të na bëhej “doktor shkencash” (domethënë gjë fort e ditur), e ndoshta-ndoshta edhe Doktor Profesor! Kështu, “zemra e madhe” e “nënës parti”, na qenkej hapur dykanatësh për të pritur në gjirin e saj birin plëngprishës.
Them se po të kishte qenë gjallë i ati, do ta kishte marrë djalin e vet me dru përpara. Por plaku i vuajtur, kishte vdekur, i shkreti, si “reaksionar” dhe djali i tij po bëhej “revolucionar”, madje edhe më lart më shumë se kaq, do të bëhej një teoricien i madh i Revolucionit Proletar! Ndërkohë, Gjergji vazhdonte të zografiste në ndërmarrjen ku nxirrte bukën e gojës, për vete e familjen dhe numëronte ditët, si prifti bathët, duke pritur me padurim ta thërrisnin atje “lart”, ta njoftonin, t’i jepnin pasaportën në dorë, një grusht dollarësh e shkresurina të tjera, bashkë me biletën e avionit, në drejtim të Oqeanit të Qetë, gjithnjë nga “Lindja e kuqe”.
Priti e priti i shkreti Gjergji dhe, ja, më në fund, dita erdhi, veçse në vend të aeroplanit, u dha në derë të banesës një kamion me policë, me shefin e tyre në krye. Në të ngarkuar rraqet e, drejt e në internim, bashkë me familjen, nuk di në cilën anë të rrethit të Lushnjes. Duket, Komiteti Qendror, ishte nxituar, për t’i bërë qejfin Gjergjit, që ta ngrinte “akademinë” fare afër, që të mos lodhej kandidati shkencor në rrugën e gjatë, por bash në zemër të Myzeqesë. Kështu përfundoi ëndrra marksiste-leniniste e Gjergj Moles, një nga bashkëvuajtësit e mi të burgut të Burrelit. Po daleni, se ka dhe më, si do të shikojmë më poshtë.
Rruga nga internimi për në burg, ishte shumë e kollajtë, ashtu si nga Spaçi në burgun e Burrelit. Dhe ja tashti, ishim “dhi e dele bashkë”. Dhe dilnim në ajrosje me Gjergjin e, ia nisnim bisedës teorike të nxitur nga ai, duke iu shmangur sa mundnim ndonjë veshi të padëshiruar. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm