Nga At Giacomo Gardini
Memorie.al / At Giacomo Gardini, misionar i devotshëm dhe pse në moshën 87- vjeçare, ai u kthye përsëri në Shqipëri për të vazhduar punën e ndërprerë me dhunë nga diktatura e regjimit komunist të Enver Hoxhës. At Giacomo Gardini lindi në Pordenone të Italisë në vitin 1905 dhe mbasi hyri në shoqërinë Jezuite, ku u përgatit si klerik, më 1930-ën vjen në Shqipëri dhe kalon disa vjet duke dhënë mësim në kolegjet fetare të asaj kohe, kryesisht në Qarkun e Shkodrës. Në vitin 1936, ai shugurohet prift dhe vazhdoi të shërbente në Kishën Katolike Shqiptare, deri sa u arrestua në fillimin e vitit 1945 nga regjimi komunist i sapoardhur në pushtet. Pasi u mbajt për disa kohë në hetuesi, në një nga burgjet e improvizuara të qytetit të Shkodrës, ai del në gjyq në verën e vitit 1945 dhe dënohet me dhjet vjet heqje lirie, i akuzuar si “armik i popullit” dhe “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, nga të cilat vuan 8 vjet burg dhe 2 vjet internim. Pasi lirohet nga burgu, i bëhet e mundur të rikthehet dhe të riatdhesohet në Itali. Shpirtërisht nuk u shkëput asnjëherë nga Shqipëria me gjithë vuajtjen e pësuar. Në vitin 1986, At Giacomo Gardini botoi në Itali librin “10 vjet burg në Shqipëri”, në të cilën përshkruan me detaje jetën e tij në Shqipëri, kryesisht nga periudha e arrestimit, hetuesinë, gjyqin dhe vuajtjet në kame e burgje, deri sa u riatdhesua në Itali në vitin 1956. Ndërsa mbas rihapjes së kishave, At Giacomo Gardini rikthehet në Shqipëri, për të shërbyer përsëri si meshtar dhe misioni i tij fetar vazhdoi deri në vitin 1996, kur ai ndërroi jetë. Pjesa që kemi përzgjedhur këtu për botim, është marrë nga libri i tij, “Dhetë vjet burg në Shqipni”!
RRËFIME NGJARJESH FRAGMENTE NGA LIBRI “DHETË VJET BURG NË SHQIPËRI”
Arrestimi e procesi: Në burgun e vjetër të Shkodrës…!
Mbasi mora “shpërblimin e merituem”, me vendimin përmbarues (28 gusht 1945), më transferuan në burgun e vjetër të Shkodrës, i quejtun Burgu i Madh, që gjendesh mbas Prefekturës. Kishte qenë ndërtue në kohën e turqve, kur sundonte Porta e Naltë: një ndërtesë me përmasa mesatare dhe e tmerrshme përsa i përket rehatisë: me të vërtetë allaturka! Ishte katërkëndëshe me dy kate: në një anë gjendesh drejtoria e trupi i policisë, në tri anët e tjera, të burgosunit. Kishte dy ose tri dhoma për të smundët e disa qeli, përgjithësisht të vendosuna në nën shkalla, për me veçue të burgosunit ma të rrezikshëm ose të nënshtruam regjimit të rreptë.
Përbrenda, një oborr prej 25 x 8 metra, në qendër me një pompë dore për me nxjerrë ujin nga pusi. Banesat ishin të përbame nga katër dhoma të mëdha e të këqija me dysheme dërrasash. Çdonjëra mund të zinte, të shtrimë për tokë, në katër rreshta, 40 deri 60 njerëz. Natën, sidomos në kohën e grumbullimit ma të madh, dukesh si qilim trupash e një pështjellim këmbësh të kryqzueme. Nën at qilim rrijshin në pritë, koloni të dendura parazitësh.
Nga oborri i vogël, në katin e poshtëm, ishin nevojtoret, të vendosuna në një rruginë pa dritare, pa ujë, me pesë ose gjashtë “vende” allaturka, d.m.th., biruca të thjeshta në dysheme që çojshin ndysinat drejtpërsëdrejti në hendek; prandaj era e qelbësisë ishte e padurueshme. Në anët e oborrit, nën shkallët për në katin e sipërm, dy biruca shërbejshin për banjo e po ashtu me ndëshkue të padëgjueshmit, tue i rrahë me shkop ose tue u lëshue kova me uj të ftohët, ose tue i ba me ndenjtë gjithë natën me krye ulun nën shkallë e me këmbët e zhytura në ujë deri në gju, ndëshkim të cilin edhe unë kam pasë rastin me e provue.
I vetmi vend për pastërtinë e mëngjesit ishte për të gjithë pompa e ujit midis oborrit. Gati çdo ditë na qitshin me shëtitë rrotull për një orë brenda oborrit të vogël nën mbikëqyrjen e rojeve të armatosura. Pa radio, pa informata. Kontrollimet ishin tepër të rrepta. Çdo thyemje e rregulloreve ose një dyshim i thjeshtë, shkaktue, ndoshta, nga një spiun rrenacak, paguheshin me të rrahuna shkopijsh, sa me ta zhgulë çdo fije vullneti. Ushqimi përbahesh prej 700 gram buke, së shumti bukë misri e ujë te pompa. Këto ishin elementet e zakonshme të krejt jetës sime si i burgosun. Ndonjë përmirësim i vogël u ba, si kam me tregue ma vonë, por baza mbeti e njëjta.
Si e kam theksue ma parë, ambienti ishte krejtësisht i fëlliqun nga parazitët: çimra e pleshta, por ma të tërbuem ishin morrat, aq sa askush nuk ia dilte me u shporrë sish edhe pse u kujdesonte për pastërtinë. Faqet e mureve ishin krejt të mbulueme me njolla të kuqe. Për fat të mirë, amerikanët furnizuen krejt aleatët – e ndër këta ishin përfshi edhe shqiptarët – sasina të mëdha DDT. Përveç popullsisë, diçka mbeti edhe për ne “armiqtë e popullit”.
Një ditë prej ditësh në dhomat tona gjithçka, dërrasa, petka e na lakuriq, kaluem e rikaluem nëpër një mjegull pluhuni kundra insekteve. Mandej na urdhnuen që për tri ditë e për tri net të mos prekshim kurrgjë. Asht e lehtë me përfytyrue se si e kaluem at stuhi që të merrte frymën! Megjithëse ishim në rrezik helmimi në atë ambient të mbushun plot e përplot me njerz, prap se prap u dezinfektuem nga parazitët e të gjithë mbetëm të kënaqun.
Amerikanët, mandej, së bashku me DDT dërguan furnizime, miell gruni të bluem shum imtë. Fati deshi që edhe të burgosurit, për pak kohë, të kishin një farë fitimi nga ai bollëk. Mbërrijshin edhe në burg disa franxholla të buta e të bardha, që të knaqshin vetëm me i pa. Disa ndër të burgosurit, sidomos malësorët, të cilët nuk kishin pa kurrë një bukë të tillë, u hudhën me e hëngër me grykësi. Por mbas disa ditëve, njëri i thotë tjetrit: “Tash pesë ditë kam mujtë me dalë për vete”. E tjetri: “E unë tash gjashtë!” Fjala në besim kaloi gojë në gojë, e duel se një numër i madh të burgosurish u gjindte në të njëjtat kushte. Mund të plaste një lëngatë e vërtetë.
Drejtoria, e informueme, mori menjëherë masa të rrepta. Të nesërmen në nadje mbërriti në oborr një damixhan vaji të trashë e filloi dhanja atypëraty. Masa e vajit ishte një gotë, që porsa u shkullonte nga njëri, u mbushte menjëherë për tjetrin. Kura, sigurisht rrënjësore, e bani punën e vet. Në at çast ishim ma se 500 vetë, ndërsa nevojtoret ishin ato që kam përshkrue. Tue pa se ajo bukë e bardhë “na bënte keq”, drejtoria e burgut urdhëroi racionin e zakonshëm me bukë misri.
Fusha e përqendrimit: Në ndërtimin e burgut të Vlorës
Popullsia e kampit të Tepelenës mund të mbërrinte rreth 1.500 – 1.700 vetë, ose edhe ma tepër. Po të mendohet se operacioni-internim kishte fillue qysh më 1945-ën, në kohën për të cilën bëj fjalë (1952-’53), djemtë tashmë kishin mbërrit moshën 16-17 vjeçare, e prandej ishin ba krah i vlefshëm për punë. E njimend ndodhte që të thirreshin shpesh për punë të për ngutshme ose për punë të domosdoshme.
Mbas Pashkëve të 1952-it – që, si tash, për ne qe një festë e madhe – mbërriti në kamp lajmi me u gjetë gati me u nisë për një mision pune. U pregatitën lista personash fizikisht të aftë për punë; u mblodhën ato pak tesha, u banë përshëndetjet e madje pikoi ndonjë lot. U nisëm rreth 170 vetë. Grupi u ndal në periferinë e Vlorës, rranzë kodrave të gjelbërta plot ullishta. Banesat tona ishin baraka druni, me kate shtretërish, bile të bame me njëfarë shije.
Të gjitha të hymet të çojshin kah një shesh i madh që përdoresh si oborr dhe si magazinë materiali ndërtues. U rregulluam si deshëm, si mbas miqësisë, farefisnisë, moshës, si me qenë në familje. Nga oborri syni mundte me u endë mbi zonën e hapët detare që nga Arta zbret teposhtë, deri sa me përqafu Vlorën e limanin e saj deri në Kaninë; ma larg dukej ishulli i Sazanit, thue se ishte vu si roje për krejt zonën. Nga deti frynte një ajër i pastër e i freskët, të thuesh një mrekulli!
Dita e nesërme mbas mbërritjes sonë qe krejtësisht e zanun me organizimin e punës; ndamje në grupe me përgjegjësit përkatëse, liri e kufizueme me shkue në qytet, norma disiplinore në brendinë e kampit, ndëshkimet e mundshme. Mandej u ndanë veglat e punës. U gëzova fort kur pash se si drejtor punimesh, ishte një italian, inxhinieri Ugo Monai – një friulan nga Tricesimo (Udine). Puntorët e dojshin inxhinierin për mirësjelljen e shpirt mirësinë e tij, kurse superiorët e çmojshin për aftësin e tij. Gjatë tanë vjetëve ai qe, veçanërisht për ne priftnit, përnjëmend një engjëll i rojës.
Zona që u shtrinte përpara fushimit tonë dukej si një fletë krejt e vizatueme: pjesërisht me hulli të gërmueme në tokë, pjesërisht të rravijëzueme me kunja. Ishte projekti i një ndërtese pak a shumë të ndërlikueme e vendi ku ndodhesh nuk na u njoftue qartë. Mirëpo, për ne që – si thuhet shqip – “kishim shijue njëfarë çorbe” – nuk qe vështirë me kuptue se aty do t’u ngrehte një ndërtesë e madhe burgu. Unë tashmë isha i mbajtur si gjysmë kryemjeshtri, prandej m’u besue një sektor veçanërisht i rëndësishëm e delikat, në atë sistem burgu: lokale për të burgosurit nën proces ose të dënuem me vdekje.
Forma e parapamë ishte ajo e një ndërtese prej 10 x 8 x 35 metrash me nji hymje të vetme, pa dritare anash, porse me bira dritëzash në çimento mbi tavanet, nga të cilat hynte pak dritë e ajr. Pjesa e brendshme ishte e përbame nga një rruginë e ngushtë që shkonte nga një anë në tjetrën. Gjatë dy anëve të korridorit punoheshin qelitë, madhësie të ndryshme, disa në forma ma tepër se të çuditshme: ndoshta ishin shestue për…të torturue.
Në atë kantier, njeriu punonte me vullnet të mirë; ushqimi nuk ishte i shijshëm, por i mirë e i mjaftueshëm. Edhe rojet tona e kishin marrë vesh se të internuemit nuk ishin të burgosun që kryejshin dënimin, aq ma tepër mbasi pranë nesh ishin marrë në punë punëtorë të lirë që merrshin një rrogë të rregullt. Megjithatë, duhesh të kalonte shumë kohë përpara se ne të na njihesh e drejta me pasë, përveç pjatës me çorbë, edhe një farë shpërblimi për punën e bame.
Punojshim kush tue gërrye, kush tue mbushë themelet, kush tue bajt gurët, kush tue pregatitë gëlqeren: nga toka nuk vonoi me u dukë trajta e krejt ndërtesës e edhe me u ngritë nalt gati një metër. Ndërkaq në ullishtat që mbulojshin kodrat, kishin fillue të piqeshin ullinjtë, të cilët ngacmojshin vazhdimisht shijen e puntorëve që punojshin pa pushim. Porsa binte nata, hije tinëzake largoheshin nga barakat e tue rrëshqitë nën pemët, kthejshin plot me “frytin e vjedhun”…!
Hëngrëm ullinj, të pregatitun në njëmijë mënyra, deri vonë në vjeshtë, me ndërgjegjen se nuk kishim ba kurrgjë të keqe. Natyrisht më jepshin edhe mue me urimin tradicional: “Të bëftë mirë!” e me buzëqeshjen e njeriut që e ndien veten të qetë, kur e ndan hajnin e vocërr me priftin!
Si kam thanë edhe ma sipër, në atë kohë, përveç ushqimit të përditshëm, nuk na jepshin as petka, as këpucë, as të holla; e të pakët ishin ata që mundshin me marrë të holla nga burime të tjera. Unë mandej ma pak se të gjithë. Por një ditë më thirrën në drejtori sepse, nga Italia më kishte mbërrit një çek prej pesë dollarësh. Me marrë të holla, në dollarë, e nga Italia e shkundun!
Kjo ishte arsye ma se e mjaftueshme dyshimi. Por ma e keqja ishte se çeku kishte ardhë prej Vatikanit. “Ani ma – pyeti drejtori – të holla nga Vatikani? Kush t’i dërgon? E me çfarë qëllimi”? Kërkova nëse mund ta shifsha dokumentin, sepse vetëm kështu do ta merrsha vesh se kush ishte dërguesi.
Përsa i përket arsyes, thash se ishte e qartë, tue tregue veshmbathjen time elegante! Me kaq biseda mori fund. Nuk di se sa më patën dhanë në monedhë shqiptare; sidoqoftë nuk ishte shumë që do të kishte mujtë me ushqye çfarëdo dyshimi.
Një vit e gjysmë ma vonë, gjithnjë për çështje ndihmash në të holla, më ndodhi një tjetër rast që mund të kishte rrjedhime shumë ma të rënda. E afërmja e një të internuemi më dërgonte herë mbas here prej Tirane nga njëqind lekë (që kishin vleftën pak ma tepër se një liretë italiane), tue thanë se ishte ndihma e dikujt që s’dëshironte me i’u zbulue emni. Unë e merrsha për të mirë këtë kërkesë, e ndër kushtet në të cilat gjendesha, ajo ndihmë sado e vogël, nuk më bënte keq; por dëshproheshem se nuk mujsha me e falënderue bamirësin e pa njoftun.
Një ditë më thirrën në komandën e policisë e në të vërtetë më morën në një proçes-verbal serioz. Ia filluen me më pyet për gjana që kishin ndodhë dhe u munduan me zbulue se cilët ishin miqtë e mi kur jetojsha në Shkodër. I ngushtuem e i mërzitun më shkuen ndërmend vëllaznit jezuitë ose miqt, të cilët e dijsha se ishin larg e jashtë rrezikut. Ndër tjerë përmenda edhe emnin e At Pietro Palladinit, i dëbuem prej Shqipërisë me italianë të tjerë më 1946.
Kishim qenë miq të ngushtë e ai atëherë gjendesh n’Itali. “E At Palladini – pyeti menjëherë oficeri – a të kujton gjithnjë, të ndihmon drejtpërdrejt apo nëpërmjet personash të tjerë”? I u përgjigja se nga ai, nuk kisha drejtpërdrejt as letër, as ndihma. – “E nga të tjerë?” – insistoi ai. I tregova atëherë për ndihmën e papritur që më vinte prej Tirane, nga një i panjoftun. Në mënyrë që të hiqsha dyshimin, i vuna në dukje edhe shumën e vogël dhe se e merrsha rrallë. “Mjafton me kaq”, përfundoi oficeri, e më lëshoi.
Ma vonë, kur u ktheva në Itali, mora vesh nga At Pietro Palladini, se në fakt ai i paska pasë dërgue herë mbas here të panjoftunit në Tiranë, ngjyra tepër të kërkueme aso kohe në Shqipni, në mënyrë që me fitimin e shitjes, të ndihmonte mue e ndonjë jezuit tjetër shqiptar nevojtar. Porse njeriu në të cilin At Palladini kishte besim, përfitonte ma shumë për xhepin e vet. Policia e kishte zbuluar lojën dhe e kishte arrestue. Gjatë proçes-verbalit, kishte dalë edhe emni im. Për këtë gja më thirrën në komisariat, por tue qenë hjekë çdo përgjegjësi e imja, nuk pata ma asnjë trazim.
“…I shtrënguem me ba tulla argjili”
Puna në Vlorë kishte shkue përpara gjithë verën tue lanë përgjegjësit të kënaqun; por vjeshta e shtyme, koha tashmë e ashpër e sidomos natën, shinat pa pushim filluen me e paralizue kantierin. Kremtuem Krishtlindjen t’ue mbledhë bashkërisht ndonjë send të vogël që kishim ble, dikush kishte shkue deri në Artë, e kishte mujtë me gjetë venë mjaft të mirë. Mbas kaq kohe “krezhmimi”, festimi pruni në kamp një gjallnim të jashtëzakonshëm e madje na bani me këndue këngë të thjeshta të maleve, e ato që atëherë ishin të njoftuna në qytet. Ishte Krishtlindja, e për pak orë edhe na e harruem gjendjen tonë.
Veçse ishte e qartë se nuk do të vazhdonte kështu për krejt dimrin. E njimënd, aty kah gjysma e kallnorit, erdhi urdhri me u nisë. E njëjta punë ngarkimi të zheleve tona mbi automjetet e përmbi to edhe na, të ndamë në grupe; e njëjta nisje në mesnatë me të ftohtin therës të gjysmës së kallnorit e mbërritja në Tiranë, kur ishte ba mëngjes. Na sharkuan ndër oborret e gjana të një furre tullash, me na futë ndër dhomat e mëdha krejt bosh, ku pritëm agimin. Kur ma në fund dyert u hapën, secili u lëshue turravrap me krye dikund nevojën…! Mandej na prunë të njëjtën garuzhdë çaji të ngrohtë e, mbas saj filluem me i pastrue e rendue banesat e reja.
Fabrika paraqiste gjanë ma të mirë që mundte me u pregatitë aso kohe. Të shoqnuem nga përgjegjësit, vizituem repartet e ndryshme. Ata na treguen të gjitha fazat e punimit: u mblidhte dheu, u sitte, u ngjeshte, e i kthyem në format e dëshirueme, bahesh në lehe, mandej në furrat e pjekjes, nga të cilat dilte materiali i kryem. Në atë kohë e në atë vend çdonjëra, prej këtyre fazave kërkonte të punohesh pa ndërprerje e habina. Në kohët e para punojshim krahas me punëtorët që gjendeshin aty prej shumë kohe; por, mbasi u praktikuem, krejt përgjegjësia e fabrikës kaloi në duert tona.
Punojshim vetëm ditën, përveç fazës së pjekjes që duhesh me u krye edhe natën, mos me e lanë me u shue zjarri. Pjekja e tullave, ushqye me sasinë e caktueme të zjarrit, duhesh të kalonte prej sektori në sektor, për ta përfundue procesin e pjekjes. Furra ishte një ndërtesë vezake e ndame në dhoma. Skuadra punëtorësh i mbushëshin vazhdimisht dhomat me tulla të teruna e të papjekura. Mbas pjekjes, skuadra të tjera punëtorësh i nxirrshin jashtë e kështu vazhdonte tanë proçesi.
Të gjithë sektorët bajshin një punë mjaft të rëndë, por kjo fazë e fundit ishte veçanërisht e vështirë. Ambienti kishte një temperaturë shumë të ngritur, ajri ishte i mbushun me pluhur e hi që hyjshin prej gjithkah, tullat e vrazhda e të kuqura në zjarm duheshin kapë me dorë. Dilshim të këputun e të mbuluem me djersë që rridhte rrkajë në krejt trupin tonë, me gojën e birat e hundës plot pluhën, e duer të rrjepura. Një mundim vërtetë i tmerrshëm! Pikërisht në këtë vend qesh caktue edhe unë nga fillimi e aty vazhdova për disa muaj.
Veçse due të shtoj se nuk qe gjithçka negative. Ndër vjetët e mëparshëm kisha punue për shumë kohë i zhytun në ujë e si rrjedhim, më patën kapë një varg reumatizmash. Shpesh ndiejsha dhimbje të forta, të cilat më pengojshin nganjëherë edhe me qëndrue drejt. Mirëpo kjo “kurë” e kundërt, si puntuer i caktuam ndër furra, qe për mue një prekje shëruese e mrekullbase. Si mos të shoh në këtë një mbarshtrim të Perëndisë? Ai i Lumi m’u gjet pranë edhe në mënyra të tjera…!
Lirimi im…!
Marrëveshje me Italinë sa i përket Traktatit të Paqes; rivendosja e lidhjeve miqësore e tregtare; vendimi se të gjithë italianët e burgosun ose ndër kampet e punës e të përqendrimit duhet të pregatiteshin për t’u riatdhesue. M’u ba se isha në ëndërr! E mund të ishte e para herë, në dhjetë e ma tepër vjet që ëndrrojsha lirimin, sepse në shpirtin tim, kishte shkue tue u rrënjosë gjithnjë e ma tepër bindja se nuk do të dilsha kurrë ma prej andej.
Lajmuesi im më shikonte me buzëqeshje e trishtim; më bani përgëzimet e veta e tue u largue shtoi: “I lumi ti që po shkon, kurse ne po mbesim në baltë”. Nuk thashë asnjë fjalë, tue mendue se urtësia nuk asht kurrë e teprueme; u kufizova me e falënderue, tue shpejtue hapat në rrugën e kthimit. Përshkova qytetin gati tue vrapue, pa mujtë me i’u largue shikimit të disa njerëzve që më njifshin e dëshirojshin me më përgëzue, ose, së paku, me më ndalë me e komentue ngjarjen.
Por atë ditë ish me të vërtetë përngut, e mandej e dijsh fare mirë se disa fjalë janë si disa lloje farnash të hedhura nga era që bëjnë udhëtime të gjata për të zanë ma vonë rrënjë, qoftë edhe në majën e një kumbonareje!
Kur mbërrita në sektorin tim, gjeta se lajmi kishte depërtue para meje e krejt rrethi i të internuemve vlonte në kureshtje. Më rrethuan e shprehën njëmijë përgëzime, por nuk ishte e vështirë me pa ndër sytë e tyne edhe një hije trishtimi.
Vuejshin nga mendimi i ndamjes, dhe e ndiejshin se do të humbshin edhe atë pak ngushllim shpirtnuer që shërbimi im u kishte sjellë. Kërkojsha me e çdramatizue çështjen e me u dhanë zemër me besim se Zoti nuk do t’i braktiste. Por në shpirtin tim, edhe unë isha i mallëngjyem e i trishtuem. I desha me zemër e ata më deshën njësoj.
Kjo dashuri e anasjelltë më bani me e ndie veten si anëtar familjeje…! Qava edhe unë e besoj se nuk rrej se po të kisha pasë mundësi, do të kisha hjekë dorë nga kthimi në atdhe, mjaft që të mujsha me ngushëllue atë masë njerëzore të shumë vlejtur.
Në kamp, pra, përgëzime e lot; mandej, si e do zakoni shqiptar, vizita në mbrëmje, qitje cigaresh, kafe, një gotë raki e, për gratë, edhe karamele. Një luks i vërtetë! Kuleta u zbraz, mirëpo zakoni i vendit në ketë rast, u plotsue me nder.
Mandej në një mbrëmje vonë, kur tashmë ishim tue krye kuvendimin, ndëgjuem një trokëllitje në derë: me një pamje tepër të butë, u duk përpara rreshteri, përgjegjës i sektorit, i shoqnuem prej tre civilësh. Si për instinct, mbetëm gojëmbyllur, pak të shqetësuem, por menjëherë morëm frymë kur një nga të tre, në një italishte mjaft të ngathët, na lajmoi se “pushteti” dëshironte që kthimi ynë në Itali, të ishte i dejë, e prandej kishte dhanë urdhën të visheshim me rroba të reja.
U bani shej dy të tjerëve (një rrobaqepës e një këpucar) me ba detyrën e tyne, d.m.th., me na marrë masat për petka, të linta e këpucë. Përshëndetën e shkuen. Na shikuem njëni-tjetrin ndër sy, pa thanë kurrgjë; por me atë shikim na thamë një mori sendesh.
Ndërkaq po afrohesh dita e nisjes: duhet të ishte rreth natës së 20 shtatorit. Nuk e mbaj mend se çfarë mjet transporti na dhanë. Mbaj mend vetëm se të gjithë të internuemit ishin grumbullue rreth nesh e na përshëndetshin me lot ndër sy. I kishim dhanë dikujt një send, dikujt një tjetër: gjithçka kishim. Me vete merrshim vetëm zemrën, edhe atë të thërrmueme prej vuejtjesh…!
Ndërsa valëviteshin shamijat, automobili u nis e muer rrugën drejt Durrësit. Në ndenjësen e gjanë mbrapa, rrijshim katër: unë, Mario Verde, napolitan, Nino Tagliani, ferraras e Luigi Maucerri, siciljan; përpara, pranë shoferit, një “engjëll roje” i pa ndamë, i cili gjatë tri ditëve që kaluem në Durrës, në pritje të anijes, kurrë nuk na u largue, as ditë as natë.
I njerëzishëm pa masë, na çonte në postë me u dërgue familjeve telegrame, na ftonte në kafe me pi një raki, na çoi me shëtitë gjanë e gjatë nëpër qytet, tue bisedue mbi njëmijë çështje, e gjithmonë tue vu re se çka po thojshim. Edhe kudo hyjshim, menjëherë na rrethojshin gjindët që u interesojshin për ne, e të cilët, sigurisht, nuk kishin ardhë aty rastësisht.
Në mbas dreken e 24 shtatorit u drejtuam kah limani. Pash menjëherë një anije që mbante flamurin italian, e zemra filloi me më rrahë fort. Gjetëm aty tue na pritë edhe nandë italianë të tjerë që, unë nuk i kisha takue kurrë. Ishin të gjithë profesjonistë që kishin punue dhe ma përpara në Shqipni. Me ardhjen e komunizmit ata kishin qenë mbajt për arsye të ndryshme, e nën maskën e fajeve, por, në të vërtetë për të vazhdue me ushtrue profesionin e tyre, në shërbim të shtetit.
Edhe ky takim qe një gëzim i madh. Dikur vonë mbërriti një oficer i policisë: kishte në dorë një fletë e, tue thirr secilin me emën, e bënte me hipë në shkallën që çonte nalt në anije. Erdhi radha ime, i’u përgjigja thirrjes, e me këmbët që pak më dridheshin, hipa në ato shkallë që më çuen në anije. Më doli një fshamje, që u shndërrua në urim “Kjofsh bekue o Zot”. Kapiteni i anijes që na priti në fund të shkallave…! Me një shtrëngim dore, më trimëroi: “Zemër, o Atë, tashti këtu komandoj unë”!
… Ishte 24 shtator, 50- vjetori i lindjes sime…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016