Nga Ahmet Bushati
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Po masakra e Tivarit, prill 1945, a thue t’mos ketë pasë në themel marrëveshjen e Enver Hoxhës me udhëheqjen jugosllave? Të rinjtë kosovarë, të grumblluem me mashtrim nga partizanët e Shqipnisë amë, prej Prishtinës në Prizren, do t’i sillte komndant brigade Et’hem Gjinushi, ku edhe do t’ua dorëzonte partizanëve serbo-malazezë, të cilët menjiherë do t’i vejshin para si bagëtitë, me drejtim Shkodrën e largët.
Të dërmuem nga stërmundimi i papërshkrueshëm i nji rrugëtimi tejet të gjatë e të bamë në kambë, e mbasi të kishin lanë gjatë rrugës me dhjeta shokësh të vramë për terror prej partizanëve serbo-malazezë, ata, të grisun rrobash e shpesh herë pa gja në kambë, do të mbrrijshin ma në fund në Shkodër, si ma skllevërit e botës, skenë që qytetarët shkodranë do ta përcillshin me dhimbje e lot ndër sy, ndërkohë që qe ndigjue se komunistët ishin shprehë: “Mirë e kanë derrat kosovarë”!
Mbas nji ndalese të shkurtët në Shkodër, ata fatkeq, nën tytat e armëve serbo-malazeze, do të merrshin rrugën për Tivar, në hymje të të cilit, mbas thirrjes së fuqishme slave; “Idu balisti”-, (Erdhën ballistët), – do të bijshin nën breshnitë e mitralozave të vendosun për atë qëllim qysh ma parë, në anën e sipërme të rrugës.
Nuk duhet të ketë ndodhë në histori, që nji qeveri e nji vendi, për servilizëm, t’i dhuronte nji vendi tjetër “nji gjysë atdhë,” me tokë e me njerëz, nji vendi me të cilin, që edhe për ma keq, kishte shkue nji jetë me lufta e gjak, gja që Enver Hoxha me komunistët e tij, do ta realizonte pa fare kokëçarjet e jo ma bremje ndërgjegje, për çka mandej Tito, si shpërblim për “kontribut të shquem”, do të dekoronte me titujt ma të naltë gjithë udhëheqjen shqiptare, pavarësisht nëse ajo, pa kalue veç pak kohë, do të binte viktimë e të pabesit Enver Hoxha:
Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Sejfulla Malëshova, Baba Faja Martaneshi, Ymer Dishnica, Nako Spiru, Tuk Jakova e ndonji tjetër, të cilët Enveri, mbasi të ndërronte Titon për Stalinin, e si mbas mësimeve të marruna prej këtij të fundit, siç thamë pak ma sipër, do t’i gëlltiste të gjithë si bushtra këlyshët e saj, t’i quente tradhtarë e spiun, e në mënyrë qesharake, të ndërtonte me emnat e tyne komplote mbas komplotesh nga ma imagjinarët, si opium për partinë e tij e për nji popull, që ma nuk çikte me gojë prej frikës.
Komunistët shqiptarë, me qëndrimin e tyne oportunist e konformist ndaj politikës së Enver Hoxhës, mbështetën e legjitimuen veprën e tij tradhtare e kriminale lidhun me Kosovën, dhe ne e askush nuk ka të drejtë që ata t’i çlirojë ndonjiherë nga kjo akuzë tradhtie e pandigjueme.
Në kohë që ndodhshin këto ngjarje kobmëdhaja, ku vallë t’ishin ata të rinj kosovarë që dikur në Shkodër, si studentë të zot e djelm të mirë që përgjithësisht kishin qenë, kishin pasë ba emën edhe jashta mureve të shkollës, e që gjatë Luftës ishin pasë vu në krye të saj? Sikurse e thamë ma parë, ma të mirët e tyne ishin zhdukë me të pabesë nga vetë shokët e tyne të luftës serbo-malazezë.
Emin Duraku, kishte vdekë në spital, si pasojë e plagëve të marruna nga nji pritë e vendosun qysh ma parë në nji shteg, nëpër të cilin ai ishte i urdhnuem nga shtabi serb që të kalonte, shtab që atë po e thirrte me urgjencë për gjoja nji takim të rëndësishëm. Thuhet se pak ditë ma parë, vetë Emini, t’ishte shprehë në nji rast: “Duket se janë tue më dalë fjalët e babës që më pat thanë, se; jeni nisë për dasëm e, m’duket se po shkoni për mort”!
Zenel Hajdini, nji ndër luftëtarët ma të vjetër e të guximshëm të Kosovës, ishte vra mbas shpine prej vetë komisarit të tij serb, ndërsa po luftonte kundër çetnikëve. Hajdar Dushi e nji shok i tij, të ndodhun në Kastriot të Dibrës, ishin thirr edhe këta me urgjencë prej shtabit e urdhnue që të kalojshin nëpër nji zonë që u kontrollonte plotësisht prej forcave kundërshtare, ku edhe do të gjejshin vdekjen.
Partizanët serbë, shokë lufte të Abdulla Preshevës, nana e të cilit ata i quente “shokët e djalit”, do t’i hidhshin helm pjatës së tij me gjellë, që ajo e kishte pregatitë për të gjithë, me ç’rast edhe të vriste. Meriman Jakupi, i akuzuem prej serbëve si shoven, do t’u vriste mbas shpinet prej nji shoku të tij serb, ndërsa ishte tue luftue me Fushë-Aliaj të Dibrës. Edhe Xheudet Doda, do të përfundonte në nji prej krematoriumeve gjermane, i spiunuem po prej nji serbi të njohun prej tij.
Nji panoramë e zbehtë rreth ngjarjeve të Dukagjinit, në dy vjetët e tij të parë nën komunizëm
Për të plotësue disi panoramën e Shkodrës me rrethe për atë kohë, del e nevojshme që të hedhim shikimin, – sado që përciptazi – edhe në Dukagjin, ku të arratisunit, të organizuem në grupe të veçantë, kanë qenë të shumtë e ndeshjet e tyne me Forcat e Ndjekjes, gjithashtu të shumta. Si në asnji pjesë të zonës tonë – pa përfshi Mirditën, për shumë saktësi – në Dukagjin numri i të arratisurve, me kalimin e kohës, do të shkonte tue u rritë, aq sa gjatë vitit 1946, t’u numronte në qinda.
Kur ke parasysh valët e terrorit ma të egër që patën ra mbi ato male të Dukagjinit e, sakrificat e mëdha që ai popull i tij i vorfën qe detyrue me vuejtë në emën të besës e jetës së lirë, e n’anë tjetër, kur nuk je në gjendje me përshkrue si duhet luftimet që kanë zhvillue ata të arratisun të tij të shumtë e trima, të vjen keq e diçka prej brenda të vret. Kështu që e ndjej të nevojshme të përsëris edhe nji herë, se unë kam marrë përsipër të pasqyroj vetëm eksperiencën time. Do të jenë të tjerë ata që veçmas, për secilën zonë të Shkodrës, të hedhin dritë të mjaftueshme mbi ngjarje e njerëz të veçantë të asaj kohe.
Megjithatë, pavarësisht mangësive, unë ndjej kënaqësi e më duket se shlyej nji detyrim timin, kur arrij të pasqyroj pjesë të rezistencës së popullit, kudo ku ato të kenë ndodhë dhe, për rastin në fjalë, vazhdoj të pohoj se ndjehem krenar, sa herë që shikoj se Shkodër e male, kanë vazhdue të ndajnë së bashku të njajtin fat. Edhe Dukagjini, sikurse pjesa ma e madhe e Malsisë, gjatë Luftës, kishte pasë pengue me “usull” (lidhje bese), qarkullimin e komunistëve nëpër zonën e tij.
Për ma tepër, lidhun me këtë, Dukagjini kishte ngritë edhe nji batalion mbrojtës, me në krye bijt e tij ushtarakë, që si mbas radhës, kishin qenë: major Gjergi Vata, Nikë Sokoli e major Mark Mala. Diku para fundit të vitit 1944, nji mision aleat i ndodhun atje, kryetar i të cilit ishte majori anglez Neel, pat porositë që të bajshin çmos e ta mbajshin zonën pa ua lëshue komunistëve, për nji periudhë jo ma të shkurtë se tre muaj, me premtimin se deri atëherë do të zbarkojshin forcat e shteteve të tyne.
Ka qenë edhe ky premtim – si në Kosovë – e besimi i verbët në të i shumë malorëve, që i pat mbajt ata ndër male, tue u vra vazhdimisht me Forcat e Ndjekjes, derisa të dilte amnistia e vitit 1946, me ç’rast nji pjesë e tyne do t’u dorëzojshin, por që megjithatë, përsëri do t’ishin të shumtë ata të arratisun që, tue vazhdue me besue në ndryshimin e situatës prej anës së aleatëve, t’mos hiqshin dorë nga rezistenca përmes sakrificash të mëdha e betejash të vërteta, ndonëse shpesh herë për dëshmitarë t’mos kishin veçse ato male e bjeshkë të heshtuna, e për strehë e llogore të fundit, ato shpella të tyne të vetmueme.
Po komandantët e tyne, cilët patën qenë? Që të gjithë të respektuem e trima. Kështu ka kenë bajraktari i përmendun i Nikaj Mërturit, Mark Tunxhi, e po ashtu edhe Nikë Sokoli. Komandant ishte edhe major Gjon Destanisha, të cilit Mbreti Zog, për aftësi e besnikëri të provueme, i kishte pasë akordue nji medalje të veçantë. Ndër ato male u ndodhte edhe akademisti Palë Thani, që vite ma parë kishte pasë mbarue shkëlqyeshëm në Modena të Italisë e marrë edhe medalje të artë. Mbas dy vjetësh arrati ndër male, ai qe dorëzue si mbas amnistisë së shpallun e Sigurimi, si gjithnji i pabesë, nji ditë, në njenë prej qelive të tij të vdekjes, do ta mbyste me anë të xhelatit Fadil Kapisyzi.
Me ta edhe akademisti tjetër, Mark Mala, sikurse edhe akademisti Martin Sheldija e kapiteni Gjelosh Luli. Ndër ato male edhe biri tjetër e në shej i Dukagjinit, major Gjergj Vata, akademist i zoti, në mal me pseudonimin simbolik “Cukali”, që ishte ndeshë disa herë me Forcat e Ndjekjes, e që me 7 dhetor 1946, ndërsa ishte ulë me pushue te nji vend i quejtun “Shkambi i Kuq”, rranzë malit të Cukalit, mbas nji rruge të gjatë e të lodhshme që kishte pasë ba, vritet përmbas shpinet prej nji prite që Sigurimi kishte vendosë aty qysh ma parë, për t’u këndue mandej kështu prej rapsodit:
“Në Shkëmbt t’kuq, te prroj i thellë,
Thonë ka kenë dikur me shpellë,
Thonë ka pasë nji konak,
Ku Gjergi Vata ndejt kaçak.
Ku i dhanë malet bukë e besë,
Deri atë natë që hija e zezë,
Si me qenë kokërr vetimet
vrau Gjergi Vatën permbas shpindet”.
Kur ishim në burg, do të ndigjojshim për shumë ngjarje interesante të arratisunish dukagjinas e, disa herë edhe rrëqethësen, me akte të rralla trimash e dhimbjesh të mëdha. Ndër të tjera, nuk më ka dalë ende mendjet emni i Pjetër Mehmet Shpendit, djalit të patriotit Mehmet Shpendi, për të cilin na tregojshin se si ai ishte pasë vra, mbas nji luftimi heroik që kishte ba.
Po kështu mbaj mend emnin e nji murgeshe shpijet, njifarë Palina Palit prej Dushmanit, e cila, për shumë kohë kishte vazhdue me u çue bukë të arratisurve në mal e, kur mbas arrestimit nji ditë të dilte në gjyq, asgja nuk do të pranonte me pohue, sidomos për sa kishte të bajë me priftin Dom Alfons Trackin, të cilin ajo e kishte pasë respektue si askënd tjetër. Mbas pushkatimit të Gjelosh Lulashit, të implikuem në organizatën “Bashkimi Shqiptar”, shumë prej kushërinjve të tij të afërm kishin dalë në mal, e në shenj hakmarrjet për Gjeloshin e tyne, ata kishin vra disa partizanë.
Përfundimisht, prej shtëpisë së Lulash Gjeloshit, bajraktar i Shoshit e babë i Gjeloshit, ishin vra shtatë meshkuj. Vetë Lulashi, të cilin Mbreti Zog nji herë e kishte pasë dënue me vdekje, e mbrapa, falë e gradue “toger kreshnik”, në kohën për të cilën po flasim, numronte ditët e fundit të jetës së tij, brenda nji dhome të sëmuresh në burgun e madh të Shkodrës. Qëlloi që nji ditë në dhomën ku lëngonte Lulashi, të hynte shefi i Sigurimit, Zoi Temeli.
Dialogu që ishte zhvillue me atë rast mes tyne, do të nxirrte në pah dy botë të kundërta, asaj shqiptare e tjetrës komuniste, përfaqsue prej kriminelit Zoi Themeli, si njeri i prishun deri në fund, prej ideologjisë e krimeve të shumta që kishte krye deri atëherë, dhe tjetrës, përfaqësue prej malsorit trim e të meçëm, Lulash Gjeloshit, i cili, edhe pse me plagë të shumta në zemër, në ballafaqimin me të, do t’u tregonte si gjithnji, burrë i vërtetë malesh: i fortë, i drejtë dhe i përmbajtun.
Lekë Harapi, i sëmurë e në nji dhomë burgu me Lulash Gjeloshin, tue folë për këtë rast, në librin e tij me titull “50-vjet kujtime në atdhe e në mërgim”, në faqen 89, do të shkruente: “Zoi Temeli shikon Lulash Gjeloshin të shtrimë si i sëmurë që ishte dhe i thotë: po akoma na qënke gjallë, more kërm!? Po, të paktën, a je penduar për të gjitha ato që kanë bërë meshkujt tuaj, duke na i vrarë partizanët?
E di ti sa na janë dhimbsur ata neve’?! Dhe Lulash Gjeloshi, qetë-qetë, do t’iu përgjigje menjiherë: ‘Pasha bukën, sa të janë dhimtë ty partizanët e tu, aq e ma tepër më janë dhimtë edhe mue mashkujt e mi, pse mana, Zoti e din se sa keq kam hjekë me i rritë dhe sot ma kanë tha zemrën e vorfnue konakun. Ee, sa për punë teme, mana asht kollaj boll ajo punë, pse kam jetue e vuejtë boll e tepër për punë të Shqipnisë, për nji burrë malesh, por di me thanë se, të mjerët ata që bajnë keq në këtë jetë”!
Nji herë tjetër do të ndigjojsha prej Lorenc Vatës, se si në nji rast Ndreko Rino, si komandant operacioni në Dukagjin, ku ishte e Xhemal Selimi, zavendës i tij, të ndodhun nji ditë në “Talune të Vilës”, urdhnuen partizanët që të pushkatojshin dy vëllazën ndër sy të nanës së tyne, vetëm pse ata nji herë u kishin dhanë bukë disa të arratisunve. Sigurimi, në punën e tij sa dinake e të pabesë, aq edhe çnjerëzore e kriminale, kur t’ia lypte nevoja, do të kthente në viktima edhe ma shërbyesit e tij.
Edhe në Dukagjin, do të ndodhte që njerëz të rekrutuem prej tij nën kërcënimin e persekutimit, ose të joshun për përfitime, si t’u shtrydhshin mirë e mirë e, kur t’mos u hyjshin ma në punë, ai Sigurim, jo vetëm që do t’i braktiste pa shpërblim, por edhe do t’i persekutonte deri në zhdukje, kur t’iu donte për me mbulue gjurmët e punës së tij me ta.
Sigurimi me metodat e tij të rafinueme, pat arrijtë ndonjiherë që të fuste brenda radhëve të të arratisunve, njerëz në shërbim të tij edhe të atillë që ishin të besueshëm prej tyne. Tregonte përsëri Loro Vata, për nji farë Mark Sokol Pjetër Gjokajn prej Nikaj-Mërturit, se si ai, i futun prej Sigurimit, do të fitonte besimin e gjithë atyne luftarëve dukagjinas, sepse si mitralier i çetës që ishte, do t’u dallonte përherë ndër luftime.
Kështu, tue vazhdue Loro Vata, do të më tregonte edhe për njifare Gjelosh Vata, e për nji tjetër me emnin Vogël, të dy prej Gimajve, që të rekrutuem prej Sigurimit e të udhëzuem hollësisht prej tij, para se gjoja t’u arratisshin, si provë besimi në popull, e ma fort si dëshmi për komandantin Gjon Destanisha, për ku ata ishin drejtue, do të kryejshin ma s’ë parit aksionin e djegëjes së spitalit në Breg të Lumit. Gjon Destanisha, falë eksperiencës që kishte, do t’i kthente mbrapsht menjiherë. Mbrapa Sigurimi, për të zhdukë sekretin që kishte pasë me ta, atë Voglin do ta pushkatonte, kurse Gjelosh Vatën, do ta mbante në burg, me dënim të përjetshëm.
Kishte raste që prej atyne anëve të kishin ra ndër burgje edhe dy e tre vëllazën njiherit e, disa herë t’mos kishin lanë asnji mashkull të shpija, që siç u shprehshin edhe vetë ndonji herë, “pa muejt kush me u ardhë rreth robve t’shpisë e, jo ma ne në burg”!
Pata rast me qenë në nji dhomë burgu për disa kohë, me njifarë Zef Mirashit, që ma parë kishte pasë shërbye në armën e xhandarmërisë me gradën aspirant, e që në arrati kishte qenë vetë i treti vëlla. Njeni prej tyne, Deda, ishte vra në luftimet e Dushmanit, kurse Zefi e Marku, mbas dy vjetësh nëpër male, ishin dorëzue me shpalljen e amnistisë, për të vuejtë mandej që të dy me nga disa vjet burg.
Te ky Zefi, që kishte kenë ma i madhi ndër vllazën, disi me tipare të forta burri e, sy të ndritshëm, që vazhdimisht shprehshin durim e dinjitet, e që kishte gjithashtu edhe nji za të fortë e si të hidhun, do të më hiqte vërejtjen edhe nji ndjenjë sigurie që ai kishte në vetvete, sa herë që të fliste. Herë mbas here m’u dukte se në fytyrë po i lexojsha me kureshtje nji shqetsim, që ai e mbante ndry. Apo s’kishte edhe nji qëndrim tepër serioz e korrekt!
Kisha përshtypjen se te ai burrë i pjekun prej vjetëve, detyrës së ushtarakut e pësimeve të mëdha të jetës, si dhe fisnikërisë së tij prej malsori, do të përbajshin atë karakter të tij të fortë e njerëzor, gja që ia tregojshin edhe fjalët e kursyeme, ndonëse disi me nota të rrepta që ai përdorte, si dhe nji qëndrim i tij përgjithësisht si në vete e mendueshëm.
Si Zefin, kujtoj edhe tre vëllazën të tjerë po prej Shllakut, me mbiemnin Noka, që si mbas radhës u quejshin Gjelosh, Cin e Gjin, ky i fundit pak ma i madh se unë e, probatin me Sami Repishtin. Nuk iu ndigjonte zani i gojës, sidomos dy ma të mëdhajve, e n’mos gabohem, s’kishte kush t’u binte mbrapa. Shtëpinë ua kishin djegë partizanët e, nji vëlla të parë të tyne, vra.
Ishin qenë provue në mal si njerëz të besës e trima. Ishin rritë në gji të nji natyre të ashpër, që ndër karaktere u kishte kultivue jo vetëm guxim e trimni, po edhe nji qëndrim të matun e rezervues, aq sa aktet e tyne edhe heroike po të kishin kenë, ata s’do t’ua flitshin asnjiherë të tjerëve. Kishin pasë marrë pra atë lloj edukate që s’ua kishte dhanë shkolla as vitet, por votra, mësimet si mbas traditës dhe njajo fatkeqësi e tyne që po e vuejshin pa u ndie.
Tek i shifsha ashtu të urtë e të qetë tue ndejtë shpeshherë të vetëm mbi jatakët e tyne të ngushtë, më bajshin me besue se ata burra, për asgja nuk mendojshin ma pak se për vuejtjet e tyne e se mendjen duhet ta kishin te shtëpia e mbetun pa asnji prej tyne. Stoicizmi me të cilin ata po përballojshin vuejtjet e tyne të burgut, sikur ua kishte fisnikue edhe ma shumë fjalët, të cilat vazhdimisht do t’i kishin të pakta e të peshueme mirë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016