Nga Kabil Bushati
-Kalvari i familjes Begoviq me origjinë nga Podgorica; Sulejmani, tentoi disa herë arratisjen e, vuajti gjatë në burgjet komuniste, Ketoja, këngëtar kalibri, punoi punëtor në lopatë, Hamdiu, gjithë jetën i survejuar nga Sigurimi!
Memorie.al / Në fillimin e vitit 1991, të gjithë e mbajnë mend në Shkodër, një burrë plak shtalartë, i cili hynte dhe dilte ne shoqatën e të dënuarve politik të sapokrijuar. Ai ishte nënkryetari i kësaj shoqate, Sulejman Begoviqi, që me gjithë moshën e thyer, ishte shumë aktiv dhe shumë gojë ëmbël. Ishte zemër mirë, i pa përtuar dhe serioz. E shihje sa me Pjetër Arbnorin, sa me Ali Spahinë, sa me Refik Bushatin e, sa me ish te burgosurit politik, që në atë kohë ishin halle shumë dhe nuk ia ngjiste halli hallit. Rrezatonte paqe dhe mirësi.
Sulejman (Sulë) Begoviqi, lindi në Podgoricë të Malit të Zi, në vitin 1921. U rrit në një familje tregtarësh të mëdhenj dhe të njohur, ku babai i tij, Kapllani, ishte ndër tregtarët më të fuqishëm të Cetinjës, të atyre viteve. Me mbarimin e shkollës së mesme në Cetinjë, me rezultate te shkëlqyera, për teknik-gjeometër, familja e dërgoi Sulejmanin, (me shpenzimet e saja) në Itali, për të kryer studimet e larta, për Ekonomi-Financë, ku përsëri, spikatë zgjuarsia e tij në mësime. Kryen studimet në Itali dhe kthehet përsëri në vendlindje.
Njohës shumë i mirë i gjuhëve të huaja, si: anglisht, italisht, frëngjisht dhe sërbo-kroatisht. Në vitin 1943, i vdes babai dhe vendosen të vinin në Shkodër, të Shqipërisë, pasi e ëma e tij, ishte bijë Shkodret, e motra e tregtareve të këpucëve, Tahir e Osman Hoxha. U shpërngulen në Shkodrën e dashur, me përjashtim të njërit vëlla, Sheuqetit, i cili kishte kryer shkollën në Bosnje dhe ishte punësuar atje, në Sarajevë. Lidhja me Shkodrën, ishte shumë e madhe, për të gjithë shqiptarët e Malit të Zi, sepse at’here, në atë kohë, kishte martesa të anasjelltë mes tyre dhe Shkodrës.
Pastaj, ishte dhe kohë lufte e realisht, ekzistonte frika e bombardimeve të Podgoricës, nga aviacioni aleat anglo-amerikan, gjë e cila, ndodhi disa herë, pasi aty ishin stacionuar tërë forcat gjermane, të Ballkanit. Forcat e aleatëve, ishin të detyruara të bënin këto bombardime. Në këtë periudhë, pat një dyndje shqiptarësh të Malit të Zi, drejt Shkodrës. Shumica e tyre, qëndruan përfundimisht dhe përgjithmonë në Shkodër. Ata në gjuhën e përditshme, thirren podgoriçan dhe qyteti i Shkodrës, i ka dashtë si veten dhe i ka trajtuar mirë. Asnjëherë ata, nuk e kanë ndjerë veten jabanxhi, në ketë qytet.
Pasi u strehuan në Shkodër, Sulejmani, bashkë me të vëllanë, caktohen të punojnë në misionin anglo-amerikan, në Shoqërinë e UNRRA-s, me seli në Durrës. Sulejmani, si gjeometër dhe i vëllai, si përkthyes. Gjatë qëndrimit në ketë qytet, Sula njihet me intelektualë të njohur të këtij qyteti, si Qemal Kacmoli, Ihsan Podgorica, Arshi Pipa e Myzafer Pipa, të gjithë këta të rinj, ishin me ideale antikomuniste. Kishin filluar hapat e para embrionale, për të organizuar partinë e parë Liberal – Demokrate. Kjo organizatë, vepronte në fshehtësi të plotë dhe filloi të shpërndante trakte, nëpër familjet durrsake, ku njoftonin formimin e kësaj partie.
Traktet, ishin të shkruara me shkrim dore dhe pas pak kohësh, i diktuan nga kaligrafia. Edhe vetë puna e Sulejmanit, që e lidhte përditë me anglezët, ndikoj për keq. Pavarësisht, se ishte në marrëdhënie pune me të huajt dhe rrinte edhe nëpër kafene me ata, ose dilnin në shëtitje pasdrekeve, bie ne sy Sigurimit të Shtetit, të cilat e vënë nën survejim. Kaligrafia e trakteve dhe shoqërimi me anglezët, u bënë shkak që, në tetor të vitit 1946, ta arrestojnë, vetë i pestë. E mbajnë në një nga birucat e tuneleve të një ministrie dhe e dënojnë me 5 vite burg, duke e akuzuar: “për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor”. Pas kësaj, vuan dënimin në burgun e Tiranës dhe më vonë në burgun e Vlorës.
Në vitin e fundit të dënimit, lirohet si pasojë e një amnistie. Mbas pak muajsh, kthehet në Shkodër, rehabilitohet dhe e caktojnë me punë në Koplik, kund 18 km. larg Shkodrës, në Ndërmarrjen Tregtare të Shitblerjes, si zëvendës përgjegjës dhe shef llogarije. Aty, sheh vuajtjet e skajshme që po përjetonte Malësia e Madhe dhe represionin e egër komunist, ndër malësorë.
Në vitin 1956, me ndërmjetësimin e familjeve te njohura të tij në atë zone, që kishin pregatitur terrenin, tenton të arratiset në Jugosllavi, me Arshi Pipën dhe Feime Pipën, (motër e vëlla, me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës), por tashmë të shkodranizuar, të bërë pjesë e aristokracisë shkodrane. Arshiu, sapo kishte dalë prej burgut. Arshiu me Feimen, kalojnë kufirin, ndërsa Sula, nuk arrin ta kalojë e, fati e deshi, që të përjetonte përsëri burgun shqiptar, të mëvonshëm dhe të kalonte tmerre të pa fund…!
Nuk mund të rri pa përmendur këtu, në vend të homazhit edhe vëllain e Sulejmanit, Keto Begoviqin. Në vitin 1958, e kthejnë në Shkodër, nga Sarajeva. Ketoja, e Sheuqeti, që përmenda në fillim të këtij shkrimi, që ishte në Sarajeve, e kthejnë jugosllavët, pasi dyshojnë se ishte spiun i Shqipërisë. UDB-ja, dyshonte, gjoja se Ketoja, punonte për llogari të Sigurimit Shqiptar?!
Ai ishte një këngëtar kalibri, i një rangu me Safet Isoviqin, bile, kishin qenë shokë të dy bashkë. La edhe të fejuarën atje, këngëtaren e famshme, Beba Selimoviq, bile vajza e Ketos, sot mban si kujtim, emrin e Bebës. Beba Selimoviq, ishte një këngëtare shume impozante, e Sarajevës. Kur doli Ketoja, për herë të parë në Shkodër, i porsaardhur nga Jugosllavia, me këpucë spic, me majë të hollë, i veshur shik, i bëri rininë për vete, dhe i detyroi të rinjtë e Shkodrës, të porositnin këpucë të tilla, në këpucarinë speciale të Pjacës.
Dihet tashmë se, të rinjtë e Shkodrës, në atë kohë ishin shumë të dhënë pas modës, pavarësisht se shteti nuk i kishte në qejf veshjet moderne. Ketoja, filloi punë si këpucar dhe ishte zanatli i mirë. Këndonte shumë mirë, këngë sllave të Bosnjës dhe krijoi simpati tek shkodranët. Bënte dasmat, ndër podgoriçanët e Shkodrës, dasma që edhe sot, janë të pa arritshme për cilësinë e muzikalitetit të tyre. Njëkohësisht, mësoi edhe këngë shkodrane, të cilat së bashku me Burhan Çuliqin, (me fizarmonikë), i këndonte nëpër dasma e gëzime familjare, të përziera me këngë shkodrane.
Mirëpo në atë kohë, nuk të lejonin të këndoje kënge sllave. Me dhjetëra here, u thirr në zyrën e kuadrit të Artizanatit, për këngët sllave që këndonte. Asnjëherë nuk u lejua të këndonte në skenën e Teatrit “Migjeni”, bile edhe at’herë, kur drejtor teatri, ishte një podgoriçan. Asnjë këngë e tij, nuk ekziston as në “Radio Shkodra”, së paku e incizuar, në një kohë që ka incizime në Radio-Podgorica (dikur Radio-Titogradi). Paçka se sot, ish drejtori podgoriçan i teatrit dhe ndonjë punonjës i Radio-Shkodrës, apo inspektor kulture, japin përditë leksione demokracie, edhe ne shtypin e shkruar.
Ish-drejtori, shkruan edhe libra për historikun e këngës në Shkodër, edhe e ka ribotuar, por të çuditë fakti, se edhe sot, nuk i përmend Keto Begoviqin dhe Cyl Elezin. Nga kush ka frikë? Në skenën e teatrit “Migjeni”, këndonin grupe artistike fshati, gjithfarë këngëtari amator e, turli rapsodi, por nuk kënduan kurrë, Keto Begoviqi dhe Cyl Elezi(!?). Kishte një zë brilant, që mbahet mend në Shkodër, edhe sot e kësaj dite. Keto, vdiq sapo hyri demokracia, në vitin 1992, pasi këndoi në një dasmë, nja 15 këngë rresht, me Violeta Zefin. Shkodra e përcolli me lot në sy Keton, ketë këngëtar të madh, që asnjëherë nuk e lejuan të këndojë në skenën e famoze të Shkodrës.
Në vitin 1958, Sulejmani, emërohet shef-finance, në Fabrikën e Konservimit në Shkodër, ku punoi për disa vite radhazi. Kur ndodhi prishja me sovjetikët dhe lidhja me kinezët, në Shkodrën e asaj periudhe, dolën barsoleta të shumta dhe të goditura. Dhe Sulejmani, në këtë kontekst, mes miqsh në fabrikë, shpreh pakënaqësinë për kinezët. Mirëpo njëri nga miqtë, kishte qenë me te vërtetë “mik”. Shkon menjëherë në Degë të Brendshme dhe e spiunon. Më 24.08.1966, arrestohet për herë të dytë. Bastisin menjëherë edhe shtëpinë e vëllait, Hamdisë, deri edhe bibliotekën e tij dhe marrin të gjitha përkthimet në shënime, që kishte bërë gjatë viteve.
Pas hetuesisë, del në gjyq pranë Gjykatës Ushtarake, me datë 08.11.1966 dhe dënohet me 8 vjet burg, për agjitacion e propagandë. Edhe një herë fillon kalvari i vuajtjeve për Sulejmanin dhe familjen e tij. Dërgohet në Elbasan e, më pas në burgun e Burrelit. Në vitin 1968, së bashku më shokët, tenton të shpërthejë burgun, por pa sukses. I dërgojnë në Spaç, ku mbi trupat e tyre, përjetojnë torturat më çnjerëzore. Në mes të dimrit, i kanë zhveshur pothuaj lakuriq dhe i fusnin në fuçia me ujë të ftohtë, derisa u binte të fikët. I zhysnin me kokë në ujë, derisa nuk nxjerrin më flluska.
Në një takim me ish-kryeministrin e kohës, Mehmet Shehu, një i dënuar, i cili i kishte shpëtuar jetën këtij krimineli, i tregon bukën e misrit të mykur dhe i thotë: “Të paktën na mbysni përnjëherë dhe jo avash-avash, duke na helmu gjakun me bukë të mykur…”! Me 21 maj 1973, shpërtheu Revolta e Spaçit, e njohur tashmë si revolta më e fuqishme që kanë bërë të burgosurit politikë. Edhe këtu, Sulejmani merr pjesë, me qindra të tjerë të cilët, bënë të tronditej nga themelet shtetin totalitar shqiptar.
Në shkurt të viti 1974, lirohet nga burgu dhe caktohet të punojë në Fermën “Perlat Rexhepi” të Shtojit, si punëtor krahu, duke mbjellë e krasitë hardhija rrushit. Pas dy vitesh, kalon në Ndërmarrjen Rruga-Ura, tashmë megjithëse në moshë të thyer, i dhanë kazme e lopatë, për të mbushur me zhavorr gropat e rrugëve. Kudo që shkonte, Sulejmani i kishte mbrapa hafijet e Degës së Brendshme, që i viheshin nga pas, e nuk i shqiteshin, ndonjëri ishte edhe komshi i tij.
E survejonin, kur shkonte në punë dhe kur kthehej në shtëpi. I lodhur dhe i dërrmuar nga vitet e burgut, i mbetur beqar, në vitin 1981, doli në pension. Jeta e tij, ishte shumë e trishtë dhe e mërzitshme. Jetoj në shtëpinë e vëllait, Hamdisë, i cili e mbajti edhe në burg.
Shteti komunist, u soll shume keq, edhe me vëllain tjetër të Sules, Hamdinë. Do përmend vetëm një fakt. Hamdiu, punonte në Ndërmarrjen Ushqimore dhe ishte mjeshtër në riparimin e makinave. Vetëm për një artikull, që bëri në “Zërin e Popullit” gazetari N.D., duke akuzuar Hamdiun, bashkë me një shok tjetër, si shpërdorues të pronës, erdhi hetuesia dhe nuk gjeti prova, se ishte duke i futur në burg të dy.
Po kështu, u sollën edhe me bashkëshorten e Hamdiut. Ajo punonte kuzhiniere në një konvikt, por edhe aty nuk e lejuan, pasi Partia, kishte frikë se helmonte konviktorët dhe e pushuan nga puna! E njëjta gjë ndodhi edhe me nipat e mbesat e Sulejman Begoviqit, të gjithë u lanë pa vazhduar shkollat e larta.
Ne vitin 1986, me anë të disa miqve të tij, tentoi të arratiset përsëri. Kësaj radhe, kishte bërë plan, që të kalonte kufirin nga ana e Greqisë. Por përsëri spiunët, i ishin vënë pas…! Në çdo makinë që hipte, i shihte spiuntë, njërin e kishte komshi. Edhe kësaj radhe, dështoi plani i arratisjes. Në dhjetorin e vitit ‘90-të lindi shpresa edhe për Sulejmanin e vëllezërit e tij. Me krijimin e Shoqatës së ish-të Burgosurve dhe Përndjekurve Politik, u zgjodh nënkryetar për rrethin e Shkodrës. Vdiq më 18.10.97. Nuk arriti ta gëzojë demokracinë, së cilës i kushtoi edhe jetën. Memorie.al