Nga Ali Buzra
Pjesa e trembëdhjetë
JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Vjen disa herë në Shqipëri me grupet diversioniste, me qëllim pjesëmarrje në organizimin e veprimtarisë antikomuniste, por siç dihet kjo nuk pati rezultat. Pajaziti, ka desantuar edhe me Hamit Matjanin, duke shpëtuar për fije të perit nga forcat e Sigurimit, ndërsa ky i fundit u kap dhe u dënua me varje nga gjyqi komunist. Kështu, mbas dështimit të tentativave për rrëzimin e pushtetit, ashtu si dhe shumë të tjerë, ai u detyrua të qëndrojë jashtë vendit. Në këto rrethana, menjëherë mbas arratisjes së Pajazitit, familja e tij internohet.
Ishte e shoqja e tij Shazja dhe katër vajzat, ku më e vogla ishte tre muajshe dhe Xhevdeti 11 vjeç. “Fillimisht, – rrëfen Xhevdeti, – na dërgojnë në Valias”, – ku i vendosin në disa kazerma-burg, nga ku kishin larguar robërit gjermanë të luftës. Kazermat ishin të rrethuara me tela me gjemba, ku qenë të strehuar qindra familje të persekutuarish, të vendosur në rresht njëra pas tjetrës mbi dërrasa në dy kate, lart e poshtë. Gratë dhe fëmijët e rritur i dërgonin në punë të ndryshme. Pas disa muajsh i dërgojnë në Tepelenë.
“Tepelena, – tregon ai, – nuk përshkruhet! Gatuhej ujë me bollgur e ku dalloheshin krimbat që notonin”. Ajo ç’ka është rrëqethëse në thëniet e Xhevdetit, të lë pa mend: “Të gjithë ishin të uritur, por ne fëmijët kemi provuar tmerr. Qanim e u kërkonim nënave buke. Nëna përpiqej të më mbante me fjalë, se do të më jepte, por ku t’a gjente e gjora nënë. Na zinte gjumi në prehrin e saj e zgjoheshim duke qarë.
Shpesh, afroheshim para derës së mensës së oficerëve të komandës së kampit. Në kohën e ngrënies, disa prej tyre hidhnin kocka mishi, kore buke apo ndonjë lëkurë shalqini në tokë, e ne turreshim duke u hedhur mbi njëri-tjetrin, për të marrë ato”. Një skenar i tillë mund të ndodhë vetëm me qentë, dhe jo me qenin e shtëpisë, por me ato të rrugëve”!
“Në një rast tjetër, – tregon Xhevdeti, – një grua e mbajtën tre ditë të vdekur, pa njoftuar vetëm e vetëm për të marrë racionin e bukës”. Në vitin 1954, së bashku me shumë të tjerë i heqin prej aty e dërgohen në Savër, duke i strehuar katër familje në një barakë. Më pas familja Mileci transferohet në Plug, ku qëndruan deri në vitin 1990.
– “Në kamp, tregonte ai, punonin dhe paguheshim, pra ushqeheshim, ndërsa për strehim na kalonin sa në një barakë në tjetrën”. Nëna u vdes dhe e varrosin atje. Vetë Xhevdeti filloren e kish kryer në Ersekë, ndërsa 7-vjeçaren e kryen në Tepelenë e Lushnjë. Ai kryen në Lushnjë edhe gjimnazin së bashku me shumë të tjerë bashkëvuajtës. Në kamp ishte nipi i Mustafa Krujës, i cili kishte një tekst metodik të gjuhës italiane. Me të xhevdeti mëson italishten, të cilën e fliste shumë mirë edhe sot.
Atje njihet me djalin e Abaz Kupit, të Hamit Matjanit, djemtë e bijat e Gjon Marka Gjonit, të Hysni Demës, Vera Dema e Ali Dema, djemtë e Mustafa Krujës, njëri nga të cilët ishte inxhinier që kishte kryer studimet në Itali. “Kemi lexuar qindra romane, – kujton ai. Atje ishte ajka e intelektualëve të Shqipërisë”. Pas vitit 1990, Xhevdeti largohet nga Lushnja e sot jeton në Elbasan, me mbesën e tij Ritën, në familjen e Ramazan Kryemadhit me origjinë nga Stravaj i Librazhdit.
Tahir Biçaku mplaket burgjeve të diktaturës dhe në internim!
Ndërsa familjarët e Azis Biçakut kalojnë gati 45 vite në kampet e diktaturës, djemtë e Tefik Biçakut, që ishte nipi i tij, Tahiri e Shebriti, qëndruan në fshat. Të mbetur jetimë, mbasi babai i tyre ndërroi jetë në moshë të re, ata i rriti Azisi, i cili qe kujdesur shumë për ta. Në kohën e luftës, Tahirin, që ishte më i madhi, nuk e aktivizoi me ‘Ballin’, duke menduar, që sido që të vinte puna, djemtë të jetonin të qetë.
Në një rast e dërgoi të përcjellë partizanët e Brigadës së Parë, bashkë me djalin e tij Isufin, ndërsa thuhet se në fund të vitit 1944, Tahiri mblidhte bukë e ushqime për partizanët, që ishin në afërsi të fshatit. Në përfundim të luftës, duke qenë se banonin në një ndërtesë, shtëpia e tyre u dogj. Ata mbetën në qiell të hapur bashkë me nënën e tyre në prag të dimrit, ndërsa i u konfiskua mall e bagëti. Strehohen fillimisht, në familjen e Azis Lalës e më pas, të Ramadan Dobrës, në fshatin Letëm. Nëna e tyre, Bejazja, një grua trimëreshë dhe e zonja, ishte halla e Sali Burufit.
Ky i fundit, ish-oficer në Mbretërinë Shqiptare dhe që nuk qe përzier me asnjë krah në kohën e luftës, merret nga komanda e forcave partizane dhe dërgohet në burgun e Elbasanit. Atje, Sali Burufi, torturohet e zhduket pabesisht. Aty nga viti 1949, djemtë, Tahir e Shebrit Biçaku, bashkë me nënën e tyre, punuan dhe ndërtuan shtëpinë e re dykatëshe, duke u spostuar pak nga gërmadhat e shtëpisë së djegur. Martohen duke marrë gratë motra, te fisi Hasa në fshatin Qarrishtë. Deri në vitin 1962, ata nuk qenë ngacmuar. Tahiri u zgjodh në fshat edhe sekretar i Këshillit Popullor.
Por kjo “qetësi”, nuk do të vazhdojë gjatë. Në qershor të vitit 1962, Tahirin e arrestojnë me motivacionin e kohës; “për agjitacion e propagandë”. Tanimë ai ishte 41 vjeç, baba i 6 fëmijëve, 4 djem e 2 vajza. Në birucat e hetuesisë ai kundërshton presionet për ta manipuluar dhe dhunën e ushtruar ndaj tij. Njërit prej policëve dhunues, ai i këput gishtin e dorës me dhëmbë, duke u përleshur me të, ashtu siç ishte në pranga. Me dëshmitar të rremë e pa fakte konkrete, dënohet me vendim gjyqësor të kohës, me 25 vjet burg. Fëmijët e tij, ende të mitur, i rriti e i martoi vëllai i tij Shebriti, një burrë punëtor, i qetë e i dashur.
Personalisht, do të ndaj me lexuesin një kujtim timin nga takimi me Shebritin, të cilin fillimisht e kam njohur rastësisht. Ishte aty nga viti 1972. Kisha filluar punë mësues në fshatin Prevall. Bashkë me xhaxhanë tim, shkoj për dasëm në fshatin Letëm, te miku ynë i familjes, Haki Kullafi. Ky i fundit martonte djalin e tij, Hysniun. Mbasi ndenjëm deri vonë, mundet nga ora 12.00 apo 01.00 e natës, në dasmën tradicionale të kohës, ku burrat qëndronin konak më vete, xhaxhai më thotë se do të shkonim të pushonim, aty pranë, te një familje tjetër. Dhe ashtu bëmë. Dola jashtë bashkë me xhaxhanë.
Aty na priste një burrë rreth të dyzetave. Ishte Shebrit Biçaku. Kishte një trup mesatar. I veshur thjeshtë, por hijshëm, ai mbante në kokë qeleshen tradicionale, borë të bardhë. Me sytë e mëdhenj e me një shikim të butë, por të vëmendshëm ai më vështroi me kureshtje. Kishte tiparet e gdhendura të një malësori të vërtetë. Ai priu para e ne pas, shkuam në shtëpinë e tij që ndodhej rreth 300 metra larg nga Hakiu. Hymë në konakun e pritjes, një dhomë e madhe pa mobilie, por që gjithçka ndriste nga pastërtia.
Në atë kohë, në fshatrat tona kishte ende shumë shtëpi të pa suvatuara, e pa tavan. Dhoma e tij e pritjes ku ne hymë, ishte e suvatuar e me tavan. Nga jashtë, shtëpia nuk qe e suvatuar, por e bërë me llaç mbas gurësh dhe e lyer me gëlqere. Megjithëse i ri në moshë në atë kohë, por nuk ishte e vështirë të nxirrje konkluzionin, se kishim të bënim me një familje fisnike e punëtore. Ne na vendosi në qoshe, ndërsa vetë u ul në ballë të vendit. Duke bërë kafetë në prushin e zjarrit te oxhaku, ai më pyeti për babanë e familjen, si dhe ku isha me punë. Ndërkohë me xhaxhanë nisën të bisedojnë për të kaluarën.
Unë dëgjoja me vëmendje ngjarjet që ato tregonin, të cilat vërtet të ngjallnin kureshtje. Kur e merrte fjalën, ai fliste qetë, mendueshëm e bukur. Gjatë bisedës, xhaxhai fliste me të hapur duke atakuar shtetin komunist, ndërsa Shebriti tregohej më i përmbajtur, e në ndonjë rast përpiqej të ndërronte temën e bisedës. Kuptohej se, nuk donte të më përfshinte në situatën e pakënaqësisë ndaj regjimit, që ai e urrente aq shumë, por edhe xhaxhai jo më pak. Ndoshta nuk kishte edhe besim. Sigurimi i Shtetit, vazhdimisht e survejonte atë. Punonte për të mbajtur dy familje.
Pasi pimë kafetë e ndenjëm aty rreth një orë, i bëri zë gruas, duke i thënë të më shtronte për të fjetur, aty në qoshe ku isha, duke më vënë një dyshek pambuku e jorgan. Në mëngjes herët më zgjoi xhaxhai e, pimë kafetë që na i bëri i zoti i shtëpisë, aty në oxhakun e zjarrit. Tesha të tjera fjetje, nuk pashë. Ata të dy nuk kishin fjetur, por ishin gdhirë, duke bërë muhabet. Me gjithë këmbënguljen tonë, Shebriti nuk na la pa mëngjes. Më pas na përcolli deri në kodrinën e vogël përballë, nga ku do të merrnim rrugën poshtë drejt lagjes “Uljaf”, për të zbritur në Zall të Qarrishtës, e që andej për në shtëpi.
Ne ecnim poshtë monopatit, ndërsa ai qëndroi atje deri sa ne u futëm në pyllin me dushk, duke na përshëndetur së fundmi me dorë. “Miku i mirë të përcjell edhe me sy, – më tha xhaxhai. Është djali i nipit të Azis Biçakut. Ka peshë të rëndë. Jeton edhe me familjen e vëllait të tij, Tahirit, i cili ndodhet në burg që prej 10 vjetësh. Po i rrit dhe i marton fëmijët e vëllait, duke u kujdesur për ta, ashtu si për të vetët”.
Ndërsa xhaxhai fliste, mua nuk më shqitej nga mendja fytyra e malësorit si e skalitur në gur, vështrimi i qetë e i vëmendshëm, të folurit e butë e me fjalë kuptimplote si një orator i vërtetë. Në atë kohë që isha vetëm 19 vjeç, dija shumë pak për familjen e tyre. I nxitur dhe nga kureshtja që më lindi mbas asaj dite, mësova nga xhaxhai, nga babai im, si dhe nga shumë bashkëkohës të tjerë, mbi historinë e familjes fisnike të Azis Biçakut. Duke qenë mësues për tre vite në fshatrat Prevallë e Kostenjë, udhëtoja pothuaj çdo të shtunë, në rrugën përmes fshatit Letëm.
Shebritin e pata takuar disa herë në rrugë, në qendër të fshatit ku dhe kaloja, por me gjithë dëshirën e mirë, në shtëpi nuk i shkova më. Ai punonte në brigadën e ndërtimit të kooperativës në fshat, ku merrte më shumë ditë pune, në krahasim me brigadën e prodhimit. Më vonë mora vesh se e kanë hequr që aty, për shkak se e kishte martuar vajzën në Shkodër, te fisi Bajraktari. Më erdhi keq, mbasi e dija për vështirësitë që kalonte në mbajtjen e dy familjeve, ndërkohë, që i vëllai vazhdonte të qëndronte në burg. E thërresin në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, ku i thonë, se; ti Shebrit, ke punuar mirë e njihesh si mjeshtër ndërtimi. Megjithëse vëllanë e ke në burg, mbasi ka vepruar kundër pushtetit popullor, por ne të kemi mbajtur, nuk të kemi bezdisur, ndërsa ti e martove vajzën te kulaku”! “Po – u përgjigjet Shebriti, – atje e martova se ju nuk e merrni vajzën time, e si të bëj, t’a lë pa martue”?! Me këto fjalë u largua ai nga zyrat e pushtetit të kohës. Shkoi në fshat e punoi deri në vitin 1990, në punët më të vështira, duke u parë dhe mbajtur në mbikëqyrje se kishte bërë mik kulakun.
Vëllai i tij, Tahiri, e kryen dënimin në Burgun 313 Tiranë, në fabrikën e çimentos Elbasan, në uzinën e superfosfatit Laç, në kriporet e Vlorës e, në rafinerinë e naftës në Ballsh. Të burgosurit që punonin në objektet shtetërore, shoqëroheshin me policë, nga fjetinat, deri në ndërmarrje, ku kryenin punët më të rënda. Tahiri i shpëtoi Spaçit, mbasi qe invalid. Ai e pati thyer këmbën në kanalin e Letmit, në moshë të re, në vitet e para pas çlirimit.
Megjithëse me paaftësi fizike, ai punon duke shlyer pesë vjet të dënimit me punë. Lirohet në vitin 1982, pas 19 vjetëve 10 muaj burg, tashmë në moshën 61 vjeç. I stërmunduar nga vuajtjet e puna e rëndë, ai me vështirësi ecte. Pak ditë pas lirimit e thërresin te zyrat e kooperativës e, i thonë të dalë në punë. Ai u thotë se; jam i pamundur për punë. –“Do të japim një punë të lehte’ – i përgjigjen ata. Fillimisht do të vëmë të vesh mullar”. – “Të vë mullar me këmbën e thyer?- u përgjigjet ai,-megjithatë do të dal”.
Me gjithë këmbënguljen e djemve, që të mos dilte, ai vendos të shkojë në punë, që të mos u bëhej keq fëmijëve. Punon kështu rreth dy vjet në kooperativë, në punë nga më të ndryshmet, i survejuar nga Sigurimi i Shtetit e veglat e tij në fshat. Të afërmit e miqtë shkonin në shtëpinë e tij fshehurazi e, kryesisht natën. Qenia e tij në fshat, duket se paraqiste “rrezikshmëri” për shtetin! Vërtet ishte për t’u habitur. E çfarë rreziku mund të përbënte për pushtetin e kohës, qëndrimi në fshat i një të moshuari invalid, i dërmuar e i rraskapitur në burgjet e diktaturës?!
Kështu më 14 nëntor 1984, shtëpia e tij rrethohet nga policë e forca të Sigurimit të Shtetit. Për këtë, djali i tij i vogël Destani, përshkruan me detaje ngjarjen e asaj dite të trishtueshme për gjithë familjen e Tahir Biçakut.
Destani punonte në brigadë me një makinë silazhi, që grinin kashtë misri. Puna ishte e vështirë e kërkonte një punëtor të fortë, mbasi makineria punonte me korrent e, nuk duhet të lihej asnjë sekondë pa furnizim, gjatë kohës që punonte. I vjen një fshatar te puna e i thotë të shkojë në shtëpi, se e kërkojnë disa burra. – “Kush të dërgoi”? – e pyet Destani. – “Sekretari i partisë, me kryetarin e këshillit”, – i përgjigjet ai. Ikën djaloshi me vrap, por edhe me merak në zemër, se çfarë mund të ketë ndodhur me familjen.
Kur mbërrin në shtëpi, çfarë të shihte! Dy policë, e dy punonjës civilë operativë të Sigurimit, i bërtisnin të atit, duke i thënë të bëhej gati shpejt se, nuk mund ta prisnin më. Tahiri, me guximin që e karakterizonte, u kërkonte shpjegime, se përse po e largonin nga shtëpia. – “E di Partia”, – i hakërreheshim ata. Destani futet brenda te nëna e tij. Ajo rënkonte. Ishte e sëmurë, vetëm dy ditë pati që kishte dalë nga spitali, mbasi qe operuar. Por, vendimi nga Partia ishte marrë.
Burrë e grua duhet të internoheshin. Kur nënën fillojnë ta nxjerrin jashtë, për t’u nisur, dy vajzat e Shebritit, Fetia me Sadeten, e mbërthyen atë me duar, duke u thënë policëve se; “edhe të na vritni, ne nuk e lëshojmë. Ajo është e sëmurë, ku do ta çoni në këtë gjendje”?! Mbesat e donin shumë atë. E kishin jo vetëm gruan e xhaxhait, por edhe teze, mbasi dy vëllezërit i kishin gratë motra. Njëri nga operativët, e qëllon njërën nga vajzat me shqelm, për ta larguar.
Ndërkohë ndërhyn menjëherë Tahiri; “More qen të xhehenemit, – u thotë, – mos i rrihni fëmijët, se ato janë rritur me të”. I marrin të dy burrë e grua, i hipën në karroceri të një makine të Tregtisë, të cilën e kishin marrë për këtë qëllim. Në makinë hipën edhe Destani, i cili vendos të shkojë me prindërit. Me vete morën disa plaçka; si ndërresa, një dyshek e jorgan, ndonjë batanije të vjetër e, disa enë të thjeshta kuzhine. Nisen, por nuk dinin se ku po i çonin. Gjatë rrugës fillon të bjerë shi me shtrëngata. Djali e mbështjell nënën me një plasmas, që mundi ta marrë para se të niseshin.
Kur mbërrijnë në Librazhd, Tahiri u kërkon të çojë gruan te spitali për t’i marrë raport, se nuk ishte në gjendje për udhëtim. Si formalitet e dërgojnë te doktori, por ky i fundit e lëshon letrën, se gruaja mund të udhëtojë. Është e kuptueshme se për një grua të operuar dy ditë më parë, nuk mund të jepej garanci për të udhëtuar në ato kushte, por si duket doktori pati frikë nga ndonjë penalizim i mundshëm. Operativët, në gabinë të makinës, ndërsa tre familjarët në karroceri, nën shiun që nuk pushoi, arritën te sektori i gjeologjisë në Babje. Rruga për më tej ishte me baltë e, makina xhironte. Shoferi i makinës Xhevahir Koka, u thotë se nuk mund të ngjiteshin më lart.
Duke u shkëputur paksa nga përshkrimi i vuajtjeve gjatë rrugës, po jap disa detaje nga thëniet e shoferit Xhevahir Koka nga Dorëzi, me të cilin bisedova gojarisht. – “Mora urdhër nga drejtoria e Ndërmarrjes Tregtare ku punoja, që të shkoja te Dega e Punëve të Brendshme, me gjithë mjet, – rrëfeu ai. – “Ishte tip ‘Ife’ me karroceri pa mbulesë, me një vend para. Në vendin para ndejën ashtu ngushtë, punonjësit e policisë. Vajtëm në qendër të fshatit Letëm, aty ku dhe e kishte shtëpinë Tahir Biçaku. U përpoqa ta hedh tendën me ca mjete rrethanore, por më kot.
U nisëm nga Letmi me tre pjesëtarët e familjes së Tahirit. Gruaja e tij ishte e sëmurë. Shkuam edhe te spitali. Unë ndenja në makinë, mbasi dhe shiu nuk pushonte. Siç duket nuk u mor parasysh gjendja e saj. Më kujtohet një shprehje Tahirit, i cili u tha policëve se; ‘do të ma paguani plakën për të re’. I çova në Babje deri te Gjeologjia, sepse ishte baltë e vazhdonte të binte shi. Makina xhironte. Ata u larguan, ndërsa unë qëndrova aty”.
Destinacioni ishte në fshatin Gurshpatë të Polisit. Tahiri u thotë policëve, që të strehoheshin atë natë në ndonjë barakë të gjeologjisë, por ata nuk pranuan. Lajmërojnë me telefon Gurshpatën, që të sjellin kafshë ngarkese. Mbas disa orësh vijnë dy kafsharë me mushka e kuaj. Në njërën nga mushkat hipin gruan e Tahirit, ndërsa në të tjerat hipën policët. Ata ishin të veshur me çizme meshini e, të siguruar me pelerina mbrojtëse ndaj shiut”, – rrëfen Destani.
Tahiri mbeti më këmbë. Destani mban të ëmën për krahu në mushkë, duke e shoqëruar gjatë gjithë rrugës për në Gurshpatë. Njëri nga kafsharët i quajtur Sami Tanushi, duke qenë prezent në torturën, që hiqte kjo familje në këtë natë me shi, me nënën të sëmurë, me të drejtë i thotë Destanit: “Mos hyfsh në gojën e ujkut, se ata janë të pabesë”, por ky i fundit duke qenë se nuk e njihte, nuk i beson dhe i përgjigjet: -“Ti shih punën tënde”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm